
Kur z.Imai Noriaki ishte marrë peng në Irak në prill 2004 nga një grup i armatosur, ai nuk e dinte se do të ishte subjekt i një fushate denoncimi në vendin e tij. I tronditur nga atentatet e 11 shtatorit 2001, ky djalë i ri 18 vjeçar në atë kohë, vendosi të shkonte për t’ju ndihmuar fëmijëve viktimë të luftës së dytë të Gjirit (2003-2011). Por, sapo kishte hyrë në atë vend, ai ishte kidnapuar me dy japonezë të tjerë nga afërsisht njëzet burra të armatosur – një grup i quajtur « Brigadat e muxhahedinëve », një organizatë e rezistencës irakiene deri atëherë e panjohur. « Na akuzonin se ishim spiunë të Shteteve të Bashkuara », kujton tani z.Imai. Atëherë mori fund projekti i tij humanitar dhe filloi burgu që zgjati nëntë ditë. Pasi u lirua, ai shkoi për trajtim në një spital në Dubai, ku vëllai i tij ia kumtoi lajmin e trishtë : « Jemi subjekt i një fushate denigrimi, babi madje do të duhet ta lëshoj punën në shenjë kërkimfalje »… Në fakt, z.Imai (historia e të cilit ka frymëzuar filmin ‘Bashing’, të regjisorit Kobayashi Masahiro (1)) dhe të burgosurit e tjerë akuzoheshin se nuk i kishin marrë « përgjegjësitë e tyre » (jiko sekinin, në japonisht). Meqë kishin rrezikuar të niseshin për një vend të rrezikshëm, pse do të duhej që qeveria t’i shpëtonte ata me paratë e taksapaguesve? “Është sjellje e pamatur”. Ata kanë shumë ‘jiko sekinin’, pohon znj.Koike Yuriko, ministre e ambientit në atë kohë dhe aktualisht guvernatore e Tokios. « Kishin vendosur vetë të shkonin në atë rajon ». Në editorialin e gazetës së përditshme më të madhe në vend, Yomiuri Shimbun, thuhet se « duhet të dëgjohen » udhëheqësit politikë që thonë se « do të duhej që viktimat të rimbursojnë një pjesë të shpenzimeve » të operacionit të shpëtimit (2). Kështu, familja Imai ka pranuar mijëra mesazhe, ku djali i ri krahasohet me një « hajn i fondeve publike » i cili do të duhej, in fine, « të bëjë vetëvrasje » për ta marrë përgjegjësinë e tij. « Nuk kuptoja asgjë nga ato që thonin, kujton z.Imai. Për çfarë arsye u distancua shteti nga unë në atë mënyrë, kur roli i tij është t’i mbrojë qytetarët e tij? ». Gjithashtu viktimë e sulmeve fizike nga një bashkëqytetar, ai kishte rënë në depresion dhe ju deshën pesë vjet për t’u rikuperuar.
Fajësohen edhe pensionistët
Prej atij rasti, diskursi në lidhje me ‘jiko sekinin’ shfaqet në debatet për pothuajse të gjitha problemeve shoqërore. Përveç rasteve të gazetarëve që shkojnë në rajone të rrezikshme si z.Imai, ky term akuzon personat e margjinalizuar– nënat vetëushqyese dhe pa vendqëndrim fiks, pacientet me sëmundjet që lidhen me mënyrën e jetesës (obeziteti, kanceri i mushkërive …), ose edhe viktimat e dhunës seksuale. Praktika e « fajësimit të viktimës » duket se është rrënjosur në mendjet e tyre dhe ndikon deri në nivelet më të larta shtetërore. « Një mik më ka thënë: “Pse duhet të kontribuojmë për shëndetin e personave që pinë shumë dhe nuk bëjnë aktivitete fizike, kur unë e bëjë më të mirën për të qëndruar në formë?” Besoj që ka të drejtë », ka deklaruar në vitin 2018, Ministri i financave Aso Taro (3). Është e qartë që kjo nënkupton: nëse ke ndonjë sëmundje si diabeti, atëherë ajo është faji yt. Është dashur të përpiqesh më shumë që të jesh shëndet mirë. Fakti që edhe personat e akuzuar e ndjejnë « fajin e tyre » na bën të kuptojmë se sa ky mentalitet është i rrënjosur në shoqëri. « Thuajse të gjithë personat pa vendqëndrim fiks mendojnë se janë përgjegjës për situatën e tyre dhe nuk meritojnë ndihmë publike », tregon Yuasa Makoto, profesor në Universitetin e Tokio-së, i cili bën fushatë kundër varfërisë për më se njëzet e pesë vjet. « Ata mendojnë se është e turpshme që të përfitojnë nga këto ndihma. Disa i refuzojnë derisa nuk kanë zgjidhje tjetër », thotë me keqardhje. Kështu, në vitin 2012, 85% e personave që gëzonin të drejtën e ndihmës nga shteti e refuzuan atë (4). Në Francë kjo përqindje ishte 35% (5). « Mund të thuhet se ‘jiko sekinin’ është antonimi i fjalës “solidaritet”. Nëse jetoni në kushte të mjerueshme, faji është i juaji dhe askush nuk ka ç’të bëj. Pra, ju takon juve të veproni për të dalur nga kjo situatë dhe nuk duhet të kërkoni ndihmë nga personat e tjerë, apo nga instucionet publike », sqaron Nakanishi Shintaro, profesor i sociologjisë në Universitetin e Kanto Gakuin, në Yokohama. Ky diskurs, veçanërisht i pëlqyer nga sociologët dhe filozofët, ka qenë temë e shumë studimeve. Të gjithë autorët pajtohen për të thënë se ai ka lindur me neoliberalizmin dhe rritjen e pabarazive gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit. Kjo fjalë shfaqet për herë të parë në mesin e viteve 1990 në rubrikat e gazetave dhe në dokumentet e botuara nga instancat e larta qeveritare. Japonia përjetonte njërën nga krizat më të rënda financiare të historisë së saj, e cila ishte shkaktuar nga shpërthimi i fluskës spekulative financiare dhe të patundshmërisë. Në vitin 2002, shkalla zyrtare e papunësisë kaloi, për herë të parë që nga viti 1948, pragun prej 5 %. Numri i përfituesve të ndihmës publike arriti vlerën 40 % në mes të viteve 1992 dhe 2002. Qeveritë e njëpasnjëshme kanë zbutur gradualisht ligjin për punët me afat të përcaktuar dhe të paqëndrueshëm, të ashtuquajtura ‘hiseiki’ (të parregullta). Numri i punëtorëve me këtë lloj kontrate kalon prej 9,5 milion në 14,5 milion për periudhën e njëjtë. Numri i vetëvrasjeve arriti rekordin historik, 34.427 në vitin 2003, një rritje prej 56 % në krahasim me vitin 1992. Këshilli i strategjisë ekonomike që është një komitet këshillëdhënës pranë kryeministrit dhe të cilit i frikësohen të gjithë për shkak të ndikimit të tij në politikë, e kishte shpallur nevojën për ta korrigjuar modelin shoqëror që shihej si tepër barazitar dhe sipas tij, kjo ishte arsyeja e gjendjes së mjerueshme ekonomike të vendit. Anëtarët e këtij këshilli, në mes tjerash z.Okuda Hiroshi, atëherë president i Toyota dhe i sindikatës patronale Keidanren (ekuivalente me Lëvizjen e ndërmarrjeve të Francës, Medef), dhe z.Takenaka Heizo, ekonomist i famshëm liberal, kishin propozuar të themelohej një « shoqëri konkurruese, të shëndetshme dhe kreative » të bazuar në « përgjegjësitë individuale [jiko sekinin] dhe në përpjekjet për sukseset vetanake » (6). Vlerësohej modeli i ri shoqëror i bazuar në individin kompetent i cili i merr përgjegjësitë për veprimet e tij. Lavdërimi i meritokracisë dhe përjashtimi i barabarësisë të përsëritur shumë shpesh nga Këshilli, nga ekonomistë dhe media, rrënjosen ngadalë shprehjen ‘jiko sekinin’ në popullatë. Sipas sociologut Hashimoto Kenji, nga Universiteti Waseda, në Tokio, ky trend ka sukses veçanërisht brenda elitës ekonomike, tek pronarët dhe menaxherët e kompanive. « Falë ‘jiko sekinin’ largohet ndjenja e fajësisë ndaj rritjes së pabarazive. Me këtë diskurs, elitat mund të mendojnë : “Kemi pasur sukses në jetën tonë profesionale sepse jemi përpjekur” », sqaron ai. Ky arsyetim shoqërohet me përbuzjen e personave që nuk ja kanë dalur. « Ata mendojnë se kur dikush vuan nga varfëria, kjo është për shkak të dembelisë. Është faji i tyre », konkludon ai. Mosrezistenca kryesore ndaj këtij fenomeni shpjegohet gjithashtu me arsye historike. Sipas Mitsuo Kinoshita, hulumtues në Universitetin e Nara-së, udhëheqësit e epokës Edo (1600-1868) « konsideronin se problemet shoqërore të popullit të tyre duhej të zgjidheshin brenda katundit. Është dashur të pritet përfundimi i luftës së Paqësorit dhe presioni i forcave aleate që Tokio ta miratoj më në fund, në vitin 1946, një ligj, që theksonte përgjegjësinë e shtetit për kujdesin e më të varfërve. Historikisht, ideja se qeveria ka për detyrë të mbrojë qytetarët nga varfëria nuk ka qenë kurrë e rrënjosur në mentalitetin japonez ». Kjo detyrë e shtetit, edhe pse e përfshirë në Kushtetutë, mund të bie « shumë lehtë në harresë », e mbuluar nga vlera, siç janë autonomia dhe meritokracia, të cilat tradicionalisht janë shumë të pëlqyera në vend. Përpos kësaj, diskursi i mbështetësve të ‘jiko sekinin’ shoqërohet nga një lloj urrejtje e përzier me animozitet ndaj atyre që ngrenë zërin. « Pasi që është vështirë për të gjithë të jetojnë me këtë parim, mbështetësit e ‘jiko sekinin’-it konsiderojnë që është egoizëm të mos të durojnë barrën si të tjerët dhe të rebelohen kundër shoqërisë », thotë sociologu Nakanishi. Në këtë këndvështrim, ata që luftojnë kundër një problemi shoqëror i përkasin rrethit të të privilegjuarve që nuk meritojnë të dëgjohen, pasi që « personat që janë vërtetë në gjendje të mjerueshme kurrë nuk kanë kohë dhe mjete për të vepruar ». Për këtë arsye shfrytëzohet kaq shpesh ky diskurs dhe kërkohet të heshtin viktimat e problemeve shoqërore me arsyetimin « Është faji yt! ». Kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet prej sulmeve në rrjetet sociale kundër z.Imai. Pesëmbëdhjetë vjet prej kur është përkeqësuar gjendja e sigurisë profesionale për të punësuarit.
Por tanimë një tjetër rrezik shfaqet në horizont, po aq shkatërrues sa kriza ekonomike por i cili, paradoksalisht, mund ta rrëzojë kontrollin e ‘jiko sekinin’: plakja e popullsisë. Në vitin 2035, çdo i treti japonez do të jetë mbi 64 vjeç, ndërsa popullsia aktive e vendit pritet të zvogëlohet për dhjetë milion njerëz. Tashmë në borxh në një nivel rekord prej 250% të produktit të brendshëm bruto (PBB), qeveria ushtron të gjitha mjetet për ta ngadalësuar rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes sociale, e cila mund të arrij vlerën prej 1.500 miliard euro në vitin 2040 (7). Për shkak të prekaritetit, niveli i pensioneve ka tendencë të ulet. Prej vitit 2004 deri në 2016, vlera e pensioneve për një çift është ulur për 5% në vlerë absolute. Në vitin 2016, shkalla e varfërisë tek personat mbi 65 vjeç ishte prej 19,6%, apo njëra prej vlerave më të këqija të shteteve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBZHE) (8). Shtohet edhe ngecja e pagave që është njëri nga efektet kryesore të shpërthimit të numrit të punëtorëve në situatë të paqëndrueshme. Këta përfaqësojnë tani 40 % të të punësuarve. Sipas gazetës ekonomike Nikkei, pagesa për orë në sektorin privat ka rënë për 9% në mes viteve 1997 dhe 2017 (9). Ndërmarrjet nuk dëshirojnë të ndalen me kaq. « Modeli i kontratës së përhershme do të zhduket. Në një të ardhme të afërt, të gjithë do të punojnë me kontratë të përkohshme për një mision specifik », sqaron z.Masaki Yoshihisa, përgjegjës i politikës së punësimit në Keidanren. I pyetur në lidhje me rritjen e pabarazive që do të shkaktohet atëherë, ai thotë i papërkulshëm: « Ata që janë më kompetentë do të fitojnë më shumë ». Por, ai pranon se « nuk do të jetë më një botë ku të gjithë do të mund të kenë të njëjtin nivel të jetesës ». Ironia e kësaj situate është që kjo e ardhme e zymtë mund ta shënoj fundin e diskursit mbi temën e ‘jiko sekinin’. Punësimi i përjetshëm, niveli i lartë i pagave, pensionet korrekte ishin rrjete të sigurisë të cilat tani po gërryhen pothuajse për të gjithë. « Përveç atyre që mbesin në kompanitë e mëdha gjatë tërë karrierës së tyre, secili tani mund të bie në varfëri para moshës së pensionimit », analizon sociologu Hashimoto. Sipas tij, do të ndodh një kthesë kur do të arrijë në moshën e pensionimit kjo kategori e japonezëve e cila ka jetuar një jetë normale dhe nuk ka asgjë për t’u fajësuar. « Edhe mbështetësit e ‘jiko sekinin’ do ta kuptojnë atëherë se shumë prej tyre do të përfundojnë në kushte të mjerueshme. Pra, ata do të detyrohen të pranojnë se kanë gabuar. Në këtë drejtim, plakja e shoqërisë mund të thyej themelet e ‘jiko sekinin’ », dëshiron të besoj sociologu. Një diskurs shumë optimist …
Z.Imai e ka themeluar një organizatë jofitimprurëse për t’ju ndihmuar adoleshentëve që nuk shkollohen, « sidomos atyre nga strehimoret e pafavorizuara të cilët kanë tendencë të izolohen », sqaron ai. «Ata shpesh janë viktimë të ngacmimeve në shkollë dhe nuk pranojnë kurrfarë mbështetjeje, as të prindërve, e as të profesorëve. » Ai mbetet i ndjeshëm ndaj fushatave denigruese prej të cilave ka qenë vetë viktimë: « Në Japoni, të rinjtë që nuk ndjekin rrugën e shkruar paraprakisht kritikohen shpesh. Edhe pse, në shumë raste, ju nevojitet vetëm një mjedis më i mirë për ta treguar talentin e tyre. » Organizata e tij mundohet t’i vë në kontakt këta të rinj me ndërmarrjet. « Normalisht do të duhej që shteti të kujdesej për ta, por nuk e bën ». Një mënyrë tjetër për t’i rezistuar ‘jiko sekinin’-it, këtij diskursi që ja ka shkatërruar rininë këtij të riut që tani kërkon ta krijojë « një shoqëri solidare ».
(1) Kobayashi Masahiro, Bashing, prezantuar në Festivalin e Kanës në vitin 2005, shfaqur në Francë në vitin 2006.
(2) Yomiuri Shimbun, Tokio, 19 prill 2004.
(3) Yotaro Hamada, « A është përgjegjësi personale diabeti? Sëmundjet që lidhen me mënyrën e jetesës » (në japonisht), website i Asahi Shimbun, 30 mars 2019, www.asahi.com
(4) Kensaku Tomuro, « Shkalla e varfërisë, shkalla e punëtorëve të varfër » (në japonisht), studim i departamentit të drejtësisë dhe ekonomisë të Universitetit të Yamagata, prill 2016.
(5) Sylvain Chareyron, « Varfëria dhe mosshfrytëzimi i mekanizmave sociale », Ekonomi dhe parashikim, nr 213, Paris, 2018.
(6) « Strategjia për rivitalizimin ekonomik të Japonisë» (në japonisht), raport i Këshillit të strategjisë ekonomik i disponueshën në websitin e National Institute of Population and Social Security Research, 26 shkurt 1999, www.ipss.go.jp
(7) « Japan’s daunting long-term social welfare costs », Japan Times, Tokio, 24 maj 2018.
(8) « Panorama e shoqërisë 2019 », OCDE, Paris, 2019.
(9) « Paga në orë ulet për 9% »(në japonisht), Nikkei, Tokio, 19 mars 2019.