QEVERIA E RE NË KOSOVË
Kryeministri i pafuqishëm i marrëveshjes së madhe me Serbinë?

A do të jetë qeveria jopopullore e teknokratit Avdullah Hoti më “efektive dhe efikase” në arritjen e marrëveshjes me Serbinë, se ‘qeveria e elefantëve’ e Isa Mustafës, qeveria e ‘komandantëve të UÇK’ e Ramush Haradinajt dhe qeveria e liderit të popullarizuar Albin Kurti? E nëse po, për çfarë marrëveshje?

1889

« Është koha të bashkohemi për të ardhmen e vendit ». Ky ishte reagimi i parë i mandatarit për Kryeministër të ri të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që legalizon formimin e qeverisë  së tij. Një mesazh që dëshmon se shefi në ardhje i ekzekutivit është së paku i vetëdijshëm për mungesën e konsensusit të brendshëm politik. Një kohezion i munguar shoqëror prej vitesh, që do ta ketë të vështirë ta ndërtoj qeveria e re e ligjshme me legjitimitet të kontestuar popullor. Ende pa ndodhur pranim-dorëzimi i pushtetit ekzekutiv, këtë legjitimitet popullor ka nisur t’ia kontestojë forca kryesore politike në vend, Lëvizja « Vetëvendosje » e kryeministrit në ikje Albin Kurti, nëpërmjet organizimit të peticionit popullor dhe presionit për protesta eventuale.

Në pritje të ballafaqimit me krizën ekonomike të pas-Covidit19, qeveria liberale e LDK-së me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe minoritetet, që do të ketë shumicë relative në parlament, pritet të qeveris midis presionit të jopopullaritetit dhe mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç e dëshmon edhe reagimi i menjëhershëm në mbështetje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nga i dërguari i Presidentit Trump, z.Richard Grenell, i cili konsiderohej edhe adresa kryesore e rrëzimit të Qeverisë Kurti. Kjo mbështetje amerikane mbase edhe mund të « ndihmojë » në qëndrueshmërinë e shumicës së re parlamentare, duke llogaritur në raste të nevojshme edhe në votat opozitare të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) së Kadri Veselit.

Por, mbështetja për Qeverinë Hoti nuk duket se ka ende konsensus midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, veçanërisht Gjermanisë, si rrjedhojë e mungesës së bashkërendimit të tyre në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Dallimet midis partnerëve transatlantikë u shpërfaqen edhe përgjatë procesit të mocionit të mobesimit ndaj Qeverisë Kurti, i cili  u mbështet nga Washingtoni, por jo edhe nga Berlini dhe Parisi. Përderisa në njërën anë duket se administrata amerikane është e interesuar për marrëveshje të shpejtë midis Kosovës dhe Serbisë, ministrat e jashtëm gjermanë dhe francezë kanë ripërsëritur së fundi se « një marrëveshje e suksesshme do të marrë kohë dhe kërkon negociata të strukturuara mirë ». Në këtë kakofoni diplomatike midis Brukselit dhe Washingtonit për formatin dhe adresën e ndërmjetësimit të dialogut, nuk mungon hera-herës edhe Moska zyrtare, me synimet saj për të qenë pjesë (in)direkte e procesit.

Sidoqoftë, si në rastin me qeveritë e mëparshme, edhe Qeveria e Avdullah Hotit do ta ketë marrëveshjen eventuale « përfundimtare » me Beogradin si agjendë kryesore të saj.  Një marrëveshje që nuk po realizohet dhe që po prodhon tashmë me vite, ende pa u firmosur, trazira politike dhe shumë spekulime. Që nga dyshimet mbi ndonjë marrëveshje ekzistuese të fshehtë midis Presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiqit (që ishin deri tash të vetmit përfaqësues të Serbisë dhe të Kosovës të pranishëm në dialogun Kosovë-Serbi nën drejtimin e administratës amerikane) e deri te epilogu i saj përfundimtar, në lidhje me mundësinë eventuale të ndryshimit të kufijve, apo edhe të ndonjë autonomie politiko-territoriale për serbët e Kosovës, si dy opsione që qarkullojnë më shumë në qarqet diplomatike ndërkombëtare.

Që nga nisja e përfoljes publike për një marrëveshje eventuale përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, ky proces ka rrëzuar së paku 2 kryeministra kosovarë, nëse nuk llogaritet edhe rrëzimi i kryeministrit Isa Mustafa, me marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Përtej arsyeve dhe motiveve, ish-kryeministrat Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti nuk u bën pjesë e procesit të dialogut. I vetmi që mbeti i palëkundur nga pozita e tij në këtë proces : Hashim Thaçi. Ky i fundit dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiqi nuk ngurruan ta shprehin ngazëllimin dhe gatishmërinë e tyre per rifillimin e dialogut menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese së Kosovës. “Jam i gatshëm për vazhdimin e dialogut menjëherë pasi të kompletohet pushteti në Prishtinë”, ka thënë i gjithëpushtetshmi në Serbi, që pritet t’i fitojë bindshëm edhe zgjedhjet e reja parlamentare serbe në qershor. “Rrethanat kërkojnë qeveri efektive dhe efikase”, pohoi nga ana e tij Presidenti Thaçi në postimin e tij në ‘Facebook’, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Kosovë.

A do të jetë qeveria jopopullore e teknokratit Avdullah Hoti më “efektive dhe efikase” në arritjen  e marrëveshjes me Serbinë, se ‘qeveria e elefantëve’ e Isa Mustafës, qeveria e ‘komandantëve të UÇK’ e Ramush Haradinajt dhe qeveria e liderit të popullarizuar Albin Kurti? E nëse po, për çfarë marrëveshje? Përgjigjen së paku do ta qartësoj agjenda kalendarike. Para, apo pas zgjedhjeve serbe dhe amerikane.