« Dilni kënaquni në parqet publike ». Afishët komunale që lajmërojnë fillimin e pranverës në rrugët e Stockholmit mund të duken si një provokim ndaj katër miliard persona të vetëizoluara në vende tjera të botës. Është e vërtetë se stacioni i metros i Abrahamsbergut është i zbrazët, edhe pse jemi në muajin mars, në orarin kur dalin njerëzit prej punës. Frekuentimi i transportit publik është ulur për dy të tretat brenda një muaji, edhe pse thuajse gjithçka funksionin. Paneli me drita të kuqe që lajmëron metron e radhës shpall vazhdimisht mesazhin : « Udhëtoni vetëm nëse duhet gjithsesi ». Në anën tjetër arrin një autobus. I pajisur me dorëza të kaltërta të plastikës, shoferi bën me dorë për të treguar se duhet hyrë nga dera e pasme. Në pasqyrë, ai i shikon udhëtarët të rrallë, të cilët janë të izoluar nga ai me një shirit sanitar që ndal rreshtin pas tij. Kryeqyteti suedez po e ngadalëson ritmin e tij në mënyrë të butë, për ta frenuar përhapjen e koronavirusit , duke i përcjell rekomandimet e Agjencisë së shëndetit publik. Që nga 29 marsi, janë ndaluar tubimet me më shumë se pesëdhjetë njerëz. “Është inkurajuar” që të mbahen në distancë puna si dhe mësimi për shkollat e mesme dhe universitetet. Por mbeten të hapura institucione tjera ku mblidhen njerëzit: shkollat fillore, bibliotekat, sallat e sportit. Lokalet dhe restaurantet duhet të kenë hapësirë të mjaftueshme dhe vende të ulur për secilin klient. Në pishina, mungesa e zakonshme e rojës së shpëtimit ilustron rregullin e përgjithshëm: secili i merr përgjegjësitë e veta për ta shmangur mbytjen, për të mos e përhapur virusin apo për të mos u infektuar.
Më 1 prill, ministrja e shëndetsisë dhe të punëve sociale ka përsëritur udhëzimin zyrtar: « Mbani distancën dhe silluni në mënyrë të përgjegjshme ». Edhe në kohë të zakonshme, ky parim është tashmë aq i rrënjosur në shoqëri sa që për një të ftohur të thjeshtë anulohet një darkë ose qendrohet në shtëpi për të punuar. Suedezët zakonisht mbajnë distancë në transport ose në vende publike. Puna prej shtëpisë është zakon. Me 90% përdorues të përditshëm të internetit, Suedia bën një garë të furishëm për “digjitalizim të tërësishëm”, gjë që lehtëson zbatimin e rekomandimeve, madje edhe monitorimin e të dhënave të anonimizuara për lëvizjet e popullatës, nga Agjencia e Shëndetit Publik (1). Interneti favorizon stilin e jetesës ku secili merret vetëm me punët e veta : argëtimi, procedurat administrative bëhen online, përfshirë edhe blerjet me dërgesë në shtëpi. Ajo që në kohët normale duket e dëmshme tani bëhet e dobishme.
Lëvizja e lirë ose largimi nga vendi është i garantuar
Duke pasur besim në institucionet e tyre, suedezët e mbështesin këtë strategji. Vetizolimi total nuk do të ndodh sepse do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën, që i garanton çdo suedezit « lirinë e lëvizjes brenda territorit dhe largimin nga vendi ». « Është e rëndësishme të mendojmë për të ardhmën, kur do të shikojmë në pasqyrën e pasme për të parë a i kemi respektuar të drejtat dhe liritë themelore që ne i vlerësojmë aq shumë », thekson Titti Mattsson, profesoreshë e drejtës publike në universitetin e Lundit (2). Në dallim nga fqinjët nordikë, që i kanë mbyllur shkollet dhe kufinjtë, Suedia nuk ka kornizë të jashtëzakonshme që do të mundësonte vendosjen e gjendjzs së jashtëzakonshme në kohë paqeje. Kjo nuk i ka ndaluar autoritetet të ndërmarrin veprime në muajin shkurt. Prej momentit kur shkencëtarët kanë konfirmuar në revistën Science që kemi të bëjmë me një pandemi, mjekë të specializuar si dhe zyrtarë nga siguria civile dhe shërbimet sociale shprehën pothuajse çdo ditë në katedrën e Agencisë së shendetit publik.Rregullisht bashkëngjitet kryeministri socialdemokrat Stefan Löfven, për t’i dëgjuar shkencëtarët duke biseduar me liderët e partive.
Kërkohet nga personat që konsiderohen me risk, siç janë personat me moshë mbi shtatëdhjetë vjeçare ose me probleme të frymëmarrjes, që t’i kufizojnë kontaktet sociale dhe që të shëtisin në hapësira të ajrosura. Vullnetarë organizojnë ndihmën për furnizime. Janë ndaluar vizitat te të afërmit në shtëpitë e të moshuarëve. Në fillim të muajit mars, është krijuar një Grup nacional i luftës kundër pandemisë, dhe janë bërë teste. Edhe pse numri i depistimit (95 për 10 000 banorë) është shumë më i lartë se në Francë, mbetet më i ultë se në vende tjera nordike, në veçanti në Islandë, ku çdo i dhjeti qytetar ishte testuar në mesin e muajit prill. Me kalimin e kohës, panele të hollë nga pleksiglasi u shfaqen në arkat e shitorëve, në rreshtin e pritjes u vunë shenja në tokë. Stoqet e dezinfektuesit, letrës për banjo, orizit ose majës së bukës u harxhuan. Ngjarjet kulturore u anuluan dhe disa u shfaqen përmes internetit. Nëpër shëtitore, njerëzit kthehen kur dikush kollitet. Banoret e Stokholmit, që zakonisht dalin të shtunën pasi marrin pagën mujore, tani qëndrojnë në shtëpi.
Kultura e konsensusit sprovohet nga kjo maratonë
Prej fillimit të muajit mars, afërsisht gjashtëdhjetë mijë persona janë larguar nga puna dhe afërsisht njëqind mijë janë me status ‘të papunë teknikë’. Një rritje e tillë për një kohë kaq të shkurtë nuk ishte parë prej vitit 1992. Qeveria vlerëson se shkalla e papunësisë mund të kalojë sivjet prej 6,8 % në 9%, ndoshta 13% (3). Suedia nuk është një rast i veçantë ku gjithçka do të ishte rregull dhe bukuri. « Vendi nuk është i përgatitur si duhet, konstaton z.Löfven. Rezervat strategjike janë zbrazur progresivisht prej luftës së ftohtë ». Sistemi shëndetsor suedez po paguan gjithashtu çmimin e tridhjetë vjet privatizimi zvarritës dhe shkurtime buxhetore, me 2,2 shtretër spitalorë për 1000 banorë (4), do të thotë katër herë më pak se në Gjermani dhe gjashtë herë më pak se në Japoni. Spitalet, qendrat mjekësore, shtëpitë e të moshuarve nuk kanë mjaft pajisje dhe staf të trajnuar. Strategjia është që të mos stërngarkohen objektet shëndetësore, sikurse në vende tjera të Evropës, derisa ushtria dhe rezervistët civilë vendosin spitale fushore – të cilat ende nuk janë shfrytëzuar në Stokholm në mes të prillit. Edhe pse minoritar, disa zëra janë ngritur për të bërë thirrje për vetizolim, bazuar në të dhënat e shteteve të tjera nordike. Megjithatë, për dallim nga shumë vende, Suedia i numëron vdekjet që ndodhin në shtëpitë e të moshuarve, në vendbanime dhe në spitale. « Ndoshta do të kishim numër më të madh të vdekjeve sikur të numëronim si suedezët », kanë pranuar edhe autoritetet norvegjeze. Përveç kësaj, qysh më 10 prill, u ul numri i rasteve të reja, sikurse numri i pacienteve të rinj të pranuar në intenzivë (5). «Jo, strategjia e Suedisë nuk është imuniteti kolektiv ». Gjatë konferencës për shtyp të Agjensisë së shëndetit publik më 4 prill, epidemiologut kryesor Anders Tegnell i janë bërë shumë pyetje në lidhje me dallimin e rezultateve me vendet fqinje, të cilin ai e paraqet kryesisht si rezultat i një vonese kohore. Sidoqoftë, ai i tha një gazetares të televizionit finlandez : « Unë mendoj se të gjitha vendet dëshirojnë imunitet kolektiv. Sepse vetëm kur do të ketë shumë persona të imunizuara do të bie shkalla e përhapjes, vetvetiu dhe në mënyrë të qëndrueshme (6).» Kultura e konsensusit sprovohet nga ky maraton. Ngjarje historike : qeverisë minoritare – që bashkon socialdemokratët dhe ambientalistët me mbështetjen pa pjesëmarrje të Partisë së majtë – i janë dhënë kompentenca të shtuar për tre muaj. Që nga 18 prilli, qeveria mund të veprojë sipas rregullores për ta menaxhuar krizën e përditshme të Covid-19. Parlamenti ka vetëm një kontroll a posteriori. Sidoqoftë kjo mënyrë e qeverisjes me urdhëresa nuk është e plotfuqishme : « Nuk është e mundur të nxjerrën ligje kundër një virusi, thotë z.Löfven, i cili vazhdon të bën thirrje tek popullata që të sillet me përgjegjësi. Kriza do të jetë e gjatë, do të jetë vështirë. » Që nga fillimi i prillit u larguan nga rrugët pllakatat e famshme: « Dilni, kënaquni në parqet publike ».
* Gazetare, Stockholm.
(1) « Folkhälsomyndigheten tar hjälp av mobildata », website i Agjensisë së shëndetit publik, 8 prill 2020, www.folkhalsomyndigheten.se
(2) « Därför kan Sverige inte utfärda utegångsförbud », SVT Nyheter, Stockholm
(3) Svenska Dagbladet, Stockholm, 15 prill 2020.
(4) Të dhënat e Organizatës për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik (OCDE) për vitin 2018. (5) Statistika zyrtare të Agjensisë së shëndetit publik.
(6) Yle, Helsinki, 4 prill 2020, https://svenska.yle.fi