BEKIM BLAKAJ, DREJTOR EKZEKUTIV I FONDIT PËR TË DREJTËN HUMANITARE NË KOSOVË
Mohimi i drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës

Për këto dy dekada të pasluftës nuk ka pasur një trajtim të duhur të së kaluarës nga ana e institucioneve dhe mediave. Si pasojë e kësaj po promovohet heshturazi kultura e mosndëshkueshmërisë dhe po mohohet e drejta e viktimave dhe e familjarëve të tyre për drejtësi

2891

– Para pak kohësh, kryeministri në detyrë, z.Albin Kurti shkarkoi, pas presionit publik dhe të njerëzve të partisë së tij, një nga këshilltarët e tij për shkak deklarimit se “ka pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që kanë kryer krime kundër civilëve të pafajshëm”. Në arsyetimin e tij të shkarkimit, z.Albin Kurti deklaroi se ka gjëra “për të cilat nuk pajtohet nga e kaluara” me këshilltarin e tij dhe se konsideron që ai këtë debat “të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit”. Ç’nënkupton për ju ky arsyetim i kryeministrit në raport me temën e ngritur nga këshilltari i tij?

Bekim Blakaj: Kryeministri në detyrë gjeti mënyrën më të lehtë që ta anashkalojë një temë të rëndësishme, temë të cilën e ngriti këshilltari i tij në një intervistë televizive. Tërthorazi ai e tha se nuk pajtohet me atë që deklaroi këshilltari i tij duke shtuar se ai mund ta vazhdojë këtë debat por jo nga pozita e këshilltarit. Kjo tregon mosgatishmërinë e kryeministrit në detyrë që t’i trajtojë temat që mund të jenë jopopullore.

– Debati i shkaktuar nga pohimet e ish-këshilltarit të kryeministrit në detyrë ka rihapur diskutimin mbi krimet e luftës në Kosovë, temave rreth luftës së pastër dhe luftës së drejtë, luftës çlirimtare dhe luftës pushtuese, krimeve shtetërore dhe individuale, përgjegjësisë  kolektive dhe individuale etj. Jo rrallëherë edhe linçohen ata që kërkojnë drejtësi për viktimat, sidomos për ato me përkatësi tjetër etnike. Ç’nënkupton për juve ky debat dhe këto (kundër)argumente që po zhvillohen sot, njëzet vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë?

Bekim Blakaj: Është për keqardhje që ende, edhe pas më shumë se 20 vitesh nga përfundimi i luftës, temat e tilla shkaktojnë debate të ashpra në shoqërinë tonë, ku dominon diskursi i njëanshëm dhe ku vërehet një tendencë e theksuar për të mohuar, apo minimizuar, viktimat e shkaktuara nga ish-pjesëtarët e UCK-së, e që një pjesë e madhe e tyre nuk janë të përkatësisë etnike shqiptare. Kjo na le për të kuptuar se për këto dy dekada të pasluftës nuk ka pasur një trajtim të duhur të së kaluarës nga ana e institucioneve dhe mediave. Si pasojë e kësaj po promovohet heshturazi kultura e mosndëshkueshmërisë dhe po mohohet e drejta e viktimave dhe e familjarëve të tyre për drejtësi.

– Ka zëra në Kosovë që pohojnë se ka përpjekje për t’i relativizuar krimet e kryera nga aparati shtetëror i Serbisë duke dashur të “barazohen” ato me krimet e tjera, në funksion të “barazimit të agresorit me viktimën” dhe të ndërtimit të një vërtete/narracioni tjetër për luftën në Kosovë? Si ju përgjigjeni këtyre pohimeve?   

Bekim Blakaj: Është e vërtetë se shpesh mund të dëgjojmë pohime të tilla, ku thuhet se gjatë këtyre viteve ka pasur një tendencë që të bëhet një revizionim i historisë së luftës së fundit në Kosovë, në mënyrë që të gjitha palët të paraqiten njëjtë, si kryerës të krimeve dhe në ketë mënyrë të barazohen krimet. Si promotore e këtij procesi shpesh është përmendur edhe bashkësia ndërkombëtare, sidomos me themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Pa marrë parasysh numrin tepër të kufizuar të proceseve gjyqësore për krimet e kryera ne Kosovë dhe në mungesë të një regjistri zyrtar të krimeve dhe viktimave te luftës, megjithatë, ato nuk mund të barazohen. Edhe ato pak gjykime të zhvilluara, sidomos ato para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish – Jugosllavi (Tribunali i Hagës), tregojnë përmasat e krimeve të kryera nga forcat serbe, krime të cilat janë planifikuar dhe organizuar nga bartësit më të lartë të institucioneve politike, ushtarake dhe policore të Serbisë. Prandaj, për të gjashtë serbët e dënuar para Tribunalit të Hagës për krimet e kryera në Kosovë, krimet e tyre janë cilësuar si krime të luftës të kryera në një Ndërmarrje Kriminale të Përbashkët. Nga ana tjetër, organizatat e shoqërisë civile kanë dokumentuar në masë të madhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut si dhe krimet e ndodhura gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Rezultatet e këtij dokumentimi tregojnë së krimet e kryera nga institucionet e Serbisë dhe ato të kryera nga ish-pjesëtarët e UÇK-së në asnjë mënyrë nuk mund të barazohen.

Sa i përket krijimit të narracionit të saktë, këtu rol të rëndësishëm mund të luante një komision i së vërtetës i cili do kishte karakter rajonal dhe i cili do ta kishte për detyrë ta bëjë regjistrimin e të gjithë viktimave të luftërave gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Kjo do të ndikonte në përafrimin e narracioneve kundërthënëse dhe në pranimin e të gjitha viktimave. Këtë qasje e promovon nisma për KOMRA.

Barriera e mosbashkëpunimit juridik Kosovë-Serbi

– Përballja më të kaluarën në shtetet post-konfliktuoze është një proces mjaft i vështirë. Në këtë kontekst, sa ka ndërtuar kapacitete Kosova gjatë këtyre dy dekadave për të vendosur drejtësi për viktimat e luftës dhe si qëndron ajo krahasuar me vendet e rajonit?

Bekim Blakaj: Në përgjithësi ne nuk mund të jemi të kënaqur me hapat e ndërmarrë nga institucionet e Kosovës në ngritjen dhe zbatimin e mekanizmave të Drejtësisë Tranzicionale. Njëri ndër mekanizmat kryesor të Drejtësisë Tranzicionale janë ndjekjet dhe gjykimet penale të atyre që janë përgjegjës për krimet e kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë. Nëse pyeten përfaqësuesit vendor të gjyqësorit ata shpesh, pa hezitim, fajin ia hedhin misioneve ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK-ut dhe EULEX-it, duke thënë se gjykimet për krime lufte kanë qenë kompetencë ekskluzive e ndërkombëtarëve. Në fakt, kjo nuk është tërësisht e vërtetë sepse gjykatës dhe prokurorë vendorë janë përfshirë nga fillimi në këto procese gjyqësore, dhe që të dy misionet ndërkombëtare në mandatin e vet kanë pasur komponentin e ngritjes së kapaciteteve të gjyqësorit vendor. Fakti është se prokurorët dhe gjykatësit vendorë nuk kanë treguar një vullnet të madh që të jenë të përfshirë në lëndët për krime lufte dhe performanca e tyre ka qenë e dobët. Viteve të fundit janë ndërmarrë disa hapa shpresëdhënës nga ana e gjyqësorit në Kosovë siç është krijimi i Departamentit për Krime të Luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe Departamenti Special pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Së fundi keni deklaruar se nuk është vënë drejtësi as për 1% të viktimave të luftës? Cilat janë arsyet?

Bekim Blakaj: Për fat të keq, të dhënat statistikore më japin të drejtë në këtë pohim. Për më shumë se 20 vite pas luftës, në të gjitha proceset gjyqësore që janë zhvilluar kundër atyre që kanë qenë të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë dhe atë nga të gjitha gjykatat duke përfshirë Tribunalin e Hagës dhe Dhomën Speciale për Krime të Luftës në Serbi, janë dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm rreth 70 persona. Në anën tjetër, sipas regjistrit të të vrarëve dhe të zhdukurve gjatë dhe pas luftës në Kosovë, të përpiluar nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) me seli në Serbi dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), janë mbi 10.000 viktima civile të vrarë apo zhdukur, pa përmendur këtu personat të cilët kanë qenë subjekt i dhunës seksuale gjatë luftës, apo ata që i janë nënshtruar trajtimit çnjerëzor, apo kanë qenë subjekt i abuzimeve tjera. Të gjithë këta persona, dhe familjet e tyre, kanë të drejtë në drejtësi.

Bekim Blakaj

Sigurisht, kapacitetet e gjyqësorit janë të limituara dhe nuk mund të presim që të gjithë fajtorët për krime lufte do të përgjigjen një ditë për krimet e kryera. Posaçërisht proceset gjyqësore për krime lufte kanë sfida të mëdha. Nnjëra ndër to është se tanimë kanë kaluar dy dekada nga këto krime dhe është e pamundur që të gjenden prova forenzike. Prokuroria nuk ka në dispozicion as prova të shkruara – dokumente për këto krime. Prokuroria tanimë më së shumti bazohet në dëshminë e dëshmitarëve okularë, të cilëve iu është zbehur kujtesa, e ka edhe raste kur ata hezitojnë të japin dëshminë e tyre. Megjithatë, mendoj se barriera kryesore për vënien e drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë është mosbashkëpunimi juridik në mes të prokurorive respektive në Serbi dhe Kosovë. Siç qëndron tani puna, në njërën anë të kufirit janë viktimat ndërsa në anën tjetër kryerësit e krimeve, për të cilët është krijuar ambient i përshtatshëm për mosndëshkueshmëri si pasojë e mosbashkëpunimit të ndërsjellë.

– Themelimi i Gjykatës Speciale  ka polarizuar shoqërinë kosovare. Madje kemi pasur dikur edhe deklarata nga kryeministri aktual se me ardhjen e tij në pushtet nuk do t’i dorëzojë të akuzuarit, apo edhe nismën e partive të ish-pushtetit për ta shfuqizuar atë? Si do ta kishit shpjeguar këtë rezistencë ndaj Gjykatës Speciale?  

Bekim Blakaj: Mendoj se si çdo temë tjetër edhe Dhomat e Specializuara (Gjykata Speciale) janë politizuar skajshmërisht në diskursin publik. Më kujtohet edhe debati në Kuvendin e Republikës së Kosovën kur ishte sjellë në votim Ligji për Dhomat e Specializuara, me ç ‘rast kishte fjalime  të shumta dhe të zjarrta, disa prej të cilave tingëllonin edhe patetike. Edhe më pastaj, e deri në ditët e sotme, ka pasur akuza ndaj atyre që kanë votuar themelimin e Gjykatës Speciale dhe është tentuar që të përfitohen poena politikë mbi këtë çështje. Pra një pjesë e atyre që kundërshtojnë Dhomat e Specializuara e bëjnë këtë për konformizëm, ndërsa një pjesë tjetër e kundërshtojnë atë edhe më fuqishëm, sepse ekziston frika se ata vetë ose të afërmit e tyre mund të jenë subjekt i hetimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.  

–  Ju keni sugjeruar krijimin e në Dhome apo Departamenti të Specializuar për Krime Lufte, si institucion të përhershëm, të udhëhequr nga gjykatësit vendorë. Pse e shihni të nevojshëm këtë institucion duke e ditur se tashmë ekziston Gjykata Speciale?

Bekim Blakaj: Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë një mandat të kufizuar. Juridiksioni lëndor i saj kufizohet në krimet e supozuara që kanë qenë subjekt në Raportin e Asamblesë së Këshillit të Evropës si dhe subjekt i hetimeve të Task Forcës Speciale Hetuese (SITF). Prandaj kjo gjykatë nuk do mund të procedojë me të gjitha lëndët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që janë kryer në Kosovë në periudhën 1998-2000. Edhe në rast se do kishte këtë juridiksion, një gjykatë e përkohshme nuk do kishte kapacitete që të përballohet me të gjitha lëndët e mundshme për krime lufte. Prandaj, në Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) besojmë se vetëm një Dhomë, Departament apo Gjykatë Speciale vendore, e përhershme, e vendosur në Kosovë dhe me gjykatës vendorë, pa inteferime politike dhe me kapacitete profesionale të ngritura mund të sillte një kualitet të ri në proceset gjyqësore për krime lufte dhe do kishte gjasa që të sjellë drejtësi për një numër më të madh të viktimave.

Kultura e mosndëshkueshmërisë

–  Është e njohur se një nga problemet përcaktuese për vënien e drejtësisë ka qenë mbrojtja e dëshmitarëve. Disa media kanë pretenduar që disa persona të gjetur së fundi të vdekur në rrethana të pandriçuara në Kosovë ishin dëshmitarë në Gjykatën Speciale. A mendoni se Gjykata Speciale po dëshmohet efikase në mbrojtjen e dëshmitarëve?

Bekim Blakaj: Është e vërtetë që ka pasur frikësim dhe kërcënim të dëshmitarëve në shumë procese gjyqësore, duke përfshirë lëndë të ndryshme edhe para gjykatave në Kosovë, por edhe para Tribunalit të Hagës. Shumë dëshmitarë kyç në këto procese kanë ndërruar deklaratat e tyre të dhëna në procedurën paraprake, e së paku në një rast dëshmitari ka refuzuar të jap deklaratën e tij në shqyrtimin kryesor. Si pasojë e këtyre rasteve, në disa procese gjyqësore prokuroria ka dështuar dhe trupi gjykues ka sjellë aktgjykim lirues.

Si duket, Gjykata Speciale e ka pasur parasysh këtë dhe së paku deri më tani, ajo ka treguar kujdes të posaçëm në mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve të mundshëm. Vet fakti se deri më tani nuk ka rrjedhë asnjë informacion mbi krimet që do të gjykohen para kësaj gjykate ndikon që mos të dihet identiteti i dëshmitarëve dhe kështu ata janë më pak të ekspozuar rrezikut. Gjithashtu, si duket Gjykata Speciale do merret më seriozisht me rastet e veprave që kanë të bëjnë me pengimin e administrimit të drejtësisë. Mund të presim se dënimet ndaj personave të cilët do të ndikojnë tek dëshmitarët, apo me veprime tjera do ta pengojnë vënien e drejtësisë, do të dënohen me dënime shumë më serioze nga ato të dhëna nga Tribunali i Hagës për të njëjtat vepra.

– Së fundi, por edhe më herët, është përmendur ideja e “amnistisë dypalëshe” në një marrëveshje të ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë? Si e komentoni idenë për amnisti si marrëveshje politike midis Kosovës dhe Serbisë?

Bekim Blakaj: Mendoj se opsioni i përfshirjes së amnistisë në një pako të marrëveshjes Kosovë – Serbi nuk do jetë i mundshëm për shumë arsye. Në rend të parë, një marrëveshje e tillë do të haste në kundërshtim të fuqishëm në të dy vendet dhe kjo do ta rrezikonte seriozisht nënshkrimin përfundimtar të marrëveshjes finale. Edhe po që se ndodh, atëherë do të rrezikohej zbatimi i marrëveshjes finale. Gjithashtu, një marrëveshje e tillë do të kundërshtohej edhe nga komuniteti ndërkombëtar, sepse ajo marrëveshje automatikisht dhe drejtpërdrejt do të ndikonte në përfundimin e mandatit të Gjykatës Speciale. Dhe në fund, do të thoja se nuk do kishte kuptim të pretendohet se po vendoset një paqe e mirëfilltë, e qëndrueshme dhe historike, siç kanë dëshirë ta quajnë vetë akterët e saj, e cila në themele të saj vendos kulturën e mosndëshkueshmërisë për krimet më makabre. 

– Ministrja e Drejtësisë në detyrë, znj.Albulena Haxhiu, ka nënshkruar një vendim për formimin e Ekipit Punues, për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë? Çfarë prisni nga kjo iniciativë?

Bekim Blakaj: Në parim, FDHK përkrahë çdo nismë e cila ka për qëllim krijimin e mekanizmave të cilët e ndihmojnë shoqërinë tonë që të ballafaqohet me të kaluarën  në mënyrë të duhur. Në të kaluarën ka ekzistuar një Institut për Hulumtimin e Krimeve të Luftës i cili më vonë është shuar dhe pastaj është themeluar një Departament për Drejtësi Tranzicionale në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Është e rëndësishme që mos të ketë mbivendosje të kompetencave në mes të mekanizmave të ndryshëm. Edhe pse nuk kemi ndonjë pritje të madhe nga Ekipi Punues,  si FDHK kemi shprehur gatishmërinë të japim kontributin tonë në këtë ekip e nëse është nevoja edhe kritika konstruktive.