NJË SFIDË E BRENDSHME PËR REXHEP TAIP ERDOGAN
Refugjatët e padëshiruar sirianë

Refugjatët sirianë ishin mirëpritur me zemërgjërësi qysh në fillim të luftës së përgjakshme civile në vendin e tyre. Tani Ankaraja zyrtare i ka nën kontrollë të rreptë. I tronditur nga rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe në pamundësi për ta qetësuar popullsinë për aftësinë e tij për t'u përballur me epideminë Covid-19, regjimi i z.Rexhep Taip Erdogan ka vendosur t’i bëjë premtime opinionit publik i cili tani nuk pajtohet me praninë e këtyre refugjatëve.

Pandemia e Covid-19 ka zëvendësuar çështjen e refugjatëve sirianë në kryetitujt e mediave turke. Por ky mosinteresim mund të mos zgjasë shumë, pasi që situata shëndetësore mund të rrisë akoma sjelljen kundër tyre. Në fillim afërsisht tre million e gjysmë refugjatë sirianë (1) – sipas vlerësimit zyrtar – u quajtën « mysafir ». Tani ata nuk janë më të mirëseardhur. Sipas një ankete të ‘German Institute for International and Security Affairs’, 60 % e turqve mendojnë se vendi i tyre ka bërë më të mirën për sirianët. Derisa solidariteti islamik ka ndikuar për ta arsyetuar mikëpritjen e azilantëve, tani më shumë se shtatë nga dhjetë turq besojnë se prania e sirianëve ndikon në strukturën socio-kulturore të vendit dhe përkeqëson cilësinë e shërbimeve publike (2). « Gjatë pesë viteve të para, bashkëjetesa funksionoi mjaft mirë, sepse menduam se sirianët do të shkonin. Pastaj kuptuam se ishim mashtruar nga pushteti politik dhe se sirianët kishin ardhur për të qëndruar. Dhe për këtë arsye ka pasur përleshje me ta », tregon z.Ismail Saymaz, gazetar në të përditshmen Hürriyet. Në një kontekst të tensionuar për shak të zvarritjes së menaxhimit të krizës shëndetësore nga pushteti turk, një pjesë e opozitës të Presidentit  Rexhep Taip Erdogan i kujton atij se për ta luftuar epideminë, turqit presin jo më pak se 40 miliard dollarë (36 miliard euro), që qeveria thotë se i ka shpenzuar për t’i mirëpritur sirianët. Në bisedet rreth kësaj çështje shpesh dëgjohet formula: « Shteti tjetër arab », kuptoni Siria, është « futur në Turqi », në atë masë sa të paraqes një rrezik për kohezionin e kombit turk.

Qyteti turk i Gaziantepit që gjindet një qind kilometra në veri të Alepit shpërfaq më së miri këto tensione. Bazë e pasme e rebelimit kundër regjimit të z.Bashar Al-Asad, ky qytet numëronte, në janar 2020, 446.560 sirianë, domethënë gati një të katërten e popullsisë së tij. Në të gjitha tregimet e refugjatëve, frika arsyeton fillimisht ikjen për në Turqi. « Kisha frikë se do të më dërgonin në ushtrinë e Asadit. Zakonisht neve, sunitët, na çojnë në vijën e parë, tregon z.Ramazan C., i cili ka ardhur këtu në vitin 2013. Më kanë arrestuar mukhabaratët [shërbimet e inteligjencës siriane], kam qenë tre muaj në burg. Kur më liruan iu bashkova disidencës në Aza. Ata më kanë fshehur dhe më kanë ndihmuar të kaloj në anën tjetër, në Kilis. ». Tregimet janë të kujdesshme dhe fshehin disa herë elementet e papërshtatshëm. « Të rrallë janë refugjatët që nuk kanë pasur lidhje, disa herë të paqarta, me Organizatën e Shtetit Islamik [ISIS] ose me grupe të tjera xhihadiste», pohon Emre Burhan, një hulumtues i ri i Universitetit të Gaziantepit, ku 3000 sirianë tani ndjekin studime, nga gjithsej 55.000 studentë të regjistruar.

Numri më i madh i tyre është në situatë të paqendrueshme dhe me status restriktiv

Me recesionin ekonomik, z.Ramazan C. ka humbur punën e tij si moler, prej të cilës fitonte bukën e gojës. Shkalla e papunësisë i është afruar 14 %. Por sikurse 90 % e sirianëve që jetojnë në Turqi, ai nuk mendon të kthehet në vendin e tij, së paku « jo derisa Bashar Al-Asad të jetë në pushtet dhe derisa të mos kthehet paqja ». Një e katërta e bashkëkombasve të tij refugjatë kanë braktisur definitivisht projektin e kthimit. Menaxherja e lokalit në parkun qendror, siriane gjithashtu, as nuk mendon për çështjen e kthimit. Ajo është në lidhje me një turk, i cili luan rolin e rojës së sigurimit, shumë i nevojshëm kur në mbrëmje shpërthejnë përleshjet në mes dilerave të amfetaminës. Edhe motra e saj bashkëjeton me një turk. Sapo e kanë varrosur nënën e tyre, në një terren me treqind varre, që komuna e Gaziantepit më në fund ia dha sirianëve. « Për disa gra siriane, thekson Hilal Sevlü, hulumtuese në universitetin e Gaziantepit, lufta dhe mërgimi në Turqi u ka dhënë mundësi për ta adoptuar një stil të ri të jetës, më i emancipuar, tani që ato janë të sigurta. ». Me kohë, po vizatohet një hartografi e re e komunitetit sirian. Edhe pse shumica e kampeve me refugjatë janë dislokuar, megjithatë kanë mbetur edhe dy në qytet. Në jugperëndim, në një lagje më të pasur jetojnë familjet e klasës së mesme  dhe të borgjezisë së mërguar. Kjo kategori përfshin një numër të figurave të larta të opozitës, të cilët formojnë bërthamën e asaj që mund të ketë qenë udhëheqja në një Siri të re pas Asadit, e udhëhequr ndër të tjera nga Vëllazëria Myslimane me mbështetjen e Ankara-së. Sirianët më të varfër dhe në situatë më të paqendrueshme jetojnë në dy lagje: njëra lagje, që gjindet në veri, zonë ku ka jetuar klasa punëtore, ku bashkëjetesa është mjaft e qetë; lagja tjetër, në jug të qytetit, ku ka më shumë përleshje me popullsinë turke.

Në rrafshin administrativ, sirianët e Turqisë ndahen në tri grupe. Në maje të hierarkisë, gjinden njëqind mijë sirianë që kanë marrë shtetësinë turke. Sipas numrave zyrtarë të dhënë në janar 2020, në shkallën e privilegjeve radhiten pastaj gati një qind e tetëmbëdhjetë mijë sirianë të tjerë të cilet posedojnë lejeqëndrimi. Një dokument i nevojshëm për ta hapur një llogari bankare, për të pasur një leje pune ose për të themeluar një ndërmarrje. « Në këto dy kategori, personat kanë kapital ekonomik, shoqëror apo kulturor të rëndësishëm; shpesh kanë diploma universitare dhe janë pronarë të patundshmërisë në Turqi », sqaron Didem Danış, hulumtuese në Universitetin e Galatasarajit , në Stamboll, dhe autore e një studimi në lidhje me këtë temë (3). Kategoria e tretë dhe e fundit përfshin numrin më të madh të refugjatëve sirianë (afërsisht tre million e gjysmë), që gjinden në « mbrojtje të përkohshme », në situatë të paqëndrueshme dhe me status restriktiv. Por statusi i refugjatit i përcaktuar nga konventa e Gjenevës të vitit 1951, trashëgimi e luftës së ftohtë kur armiku vinte nga Lindja, zbatohet në Turqi vetëm për qytetarët e vendeve të perëndimit. « Mbrojtja e përkohshme », e miratuar në Parlement në vitin 2014, kur imigracioni sirian fitonte përmasa masive, u jep sirianëve të drejtën e qëndrimit dhe u jep qasje në disa drejta shoqërore- veçanërisht kujdesi mjekësor falas – si dhe i mbron kundër deportimit. Por nuk mund të hapin llogari bankare, as të aplikojnë për leje të vozitjes, si dhe kanë shumë vështirësi për të gjetur punë. Përpos kësaj, statusi i « mbrojtjes së përkohshme » kërkon që ata të regjistrohen në qytetin ku kanë ardhur fillimisht dhe të mos largohen prej atij qyteti pa autorizim.

Refugjatët sirianë , të instrumentalizuar nga Turqia në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian (4), janë shndërruar tani në një problem i politikës së brendshme turke, me shumë polemika. Në shtator 2019, Ministria e punëve të brendshme vlerësonte se 450.000 fëmijë sirianë kishin lindur në territorin turk. Në total, 680.000 fëmijë sirianë vijojnë mësimin në shkollat publike. « Ka ndodhur që fëmijët turq nuk i kanë mirëpritur fëmijët sirianë, por ka ndodhur gjithashtu që fëmijët sirianë kanë refuzuar ta këndojnë himnin kombëtar turk », tregon një mësues në një shkollë në periferi të Stambollit. Ankesat e turqve lidhen gjithashtu me specifikën e një ekonomie ku sektori joformal përfaqëson më shumë se një të tretën e vendeve të punës. Një fat për refugjatët që nuk kanë leje pune, por të cilet megjithatë mund të punësohen në të zezë nga industrialistët dhe patronët turq që përfitojnë nga një fuqi punëtore më të dëgjueshme, që punon më shumë dhe që paguhet më pak se turqit. Kështu  është instaluar ngadalë imazhi i sirianit që e « vjedh punën». « Kur qeveria deklaron se ka shpenzuar shumë para për refugjatët, njerëzit mendojnë medoemos për vështirësitë e tyre financiare. Dhe, pasi që shumat janë të mëdha, tensioni rritet në shoqëri », thekson z.Bekir Ağırdır, drejtor i institutit të anketave Konda. Sipas disa ekspertëve, z.Erdoğan nuk e parashikoi këtë kundërshtim, edhe pse, qysh në fillim të luftës në vitin 2011, ai ftonte « komunitetin ndërkombëtar » që të krijonte një zonë sigurie në veri të Sirisë, e ndaluar për fluturimet ajrore, për t’i strehuar refugjatët që iknin nga bombardimet e ushtrisë së z.Al-Assad. Megjithë kërkesat e tij të përsëritura, Ankaraja kurrë nuk kishte marrë miratimin e fuqive të tjera të përfshira në konflikt, përfshirë Rusinë, për ta konkretizuar një projekt të tillë, i cili synonte gjithashtu parandalimin e krijimit të një entiteti autonom kurd në jug të kufirit turk. Në vitin 2018, gjatë fushatës elektorale, presidenti turk i vetëdijshëm për kundërshtimin në rritje ndaj refugjatëve, deklaroi se “pas zgjedhjeve [parlamentare dhe presidenciale],  do të synojmë që të kthehet siguria në territorin sirian dhe do të punojmë  që të gjithë mysafirët tanë të kthehen në shtëpi.”. Por kthesa ndodhi në korrik 2019, pasi që partia e tij – Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) – humbi disa komuna, në mes tjerash Stambollin dhe Ankara, pjesërisht për shkak të politikës së tij të pranimit të refugjatëve. Qysh atëherë, refugjatët sirianë kontrollohen më shpesh dhe kthehen në qytetet ku janë regjistruar; disa prej tyre inkurajohen, madje edhe detyrohen, të kthehen në vendin e tyre. Sipas shifrave të janarit 2020 të Ministrisë së punëve të brendshme , 347.523 sirianë janë kthyer në Siri. Por kjo rreptësi nuk e ul përshkallëzimin e ksenofobisë. Më 27 shkurt 2020, në zonën siriane të Idlibit nën kontroll turk, tridhjetë e tre ushtarë turq u vranë nga aeroplanët sirianë dhe rus. Në shenjë hakmarrje, dyqanet siriane u vunë në shënjestër të popullatës së zemëruar në Turqi. « Shoqëria është e shokuar kur sheh [refugjatët] sirianë tu pi nargile, ndërsa ushtarët turq vdesin në betejë për vendin e tyre. Është e shokuar kur sheh njerëz që nuk mund ta mbrojnë vendin e tyre nga terroristët, por dalin në piknik dhe i bezdisin gratë tona », thotë Z. Sinan Oğan, ish-deputet i Partisë për Veprim Nacionalist (MHP, ekstrem e djathtë). Disa ditë më vonë, presidenti turk, i cili përfaqëson më së miri çështjen e muslimanëve përballë perendimit dhe që vazhdimisht nxit ndjenjët nacionaliste të popullit të tij, vendosi të luante njërën nga letrat e tij të fundit: bëri presion edhe me shantazh, Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) duke shpresuar se do të fitonte mbështetjen e tyre për pranimin e refugjatëve dhe për krijimin e një zone të gjerë të sigurisë në Siri, të cilën ia refuzon z.Vladimir Putin (5). Me këtë qëllim, ai urdhëroi që qindra refugjatë, klandestinë ose azilantë në listë për t’u dëbuar (afërsisht 20% e të cilëve janë sirianë ) të dërgoheshin në kufirin me Greqinë.

Një popullsi veçanërisht e rrezikuar në rast epidemie

Pas një muaji, më 27 mars, është dashur që të ktheheshin mbrapa. Autobuset që i kishin dërguar këto kandidatet për Evropë, i kthyen ata. Tendat e tyre ishin djegur. Pas dy jave, ishte identifikuar rasti i parë me Covid-19, i cili i hapi rrugë epidemisë eksponenciale në Turqi dhe thej strategjinë e presidentit turk i kufizuar gjithnjë e më shumë nga çështja e refugjatëve. Sipas analistit Suat Kınıklıoğlu, Ankara po e paguan çmimin e një strategjie kundërthënëse. Në njërën anë, një politikë për të mirëpritur dhe integruar disa qindra mijëra sirianë dhe nga ana tjetër, një diskurs që tregon gjithnjë e më shumë armiqësi ndaj refugjatëve. Një hendek i madh që mund t’i përkeqësojë tensionet. Në këtë kontekst refugjatët do të duhet që të përballen me epideminë Covid-19. Edhe pse ata kanë të drejtë në kujdesin shëndetësor falas, Mjekët e Botës (MDM) kanë vërejtur se gati një e katërta e tyre në qytete dhe gati gjysma në zonat rurale nuk kanë qasje as në spitale, as në ambullantet për kujdes primar, që sapo janë hapur në rajonet me shumë popullsi siriane (6). Përveç kostos për të shkuar në ato qendra, ekziston pengesa e gjuhës; mandej, edhe frika e deportimit në Siri për afro 200.000 klandestinët që nuk kanë as « mbrojtje të përkohshme ». Ose, edhe në fund, frika që do të kthehen në qytetin ku janë të regjistruar për të gjithë ata që kanë shkuar për të kërkuar punë diku tjetër në Turqi. E drejta në kujdesin shëndetësor falas përballet gjithashtu në një realitet financiar të profesionit shëndetësor : « Mjekët turk pritojnë të marrin pacientë sirianë, sqaron Z. Hakan Bilgin, përgjegjës i MDM në Turqi. Jo për shkak të racizmit, por pasi që këto pacientë kërkojnë shumë kohë, për shkak të barrierës së gjuhës si dhe të patologjive të tyre që disa herë janë shumë të komplikuara, nga atë që kanë përjetuar gjatë luftës. Por, në spitalet turke, mjekët mund të dyfishojnë pagën e tyre bazë (rreth 1.000 euro) vetëm nëse bëjnë shumë konsultime: paga shtesë llogaritet sipas numrit të shërbimeve. “Ndërsa farmacistët shpesh u japin përparësi bashkëqytetarëve të tyre”, sepse ata duhet të presin gjashtë deri në nëntë muaj që të rimbursohen për çmimin e ilaçeve që u janë furnizuar sirianëve”, thotë z.Bilgin. Sipas Konfederatës Sindikale Revolucionare të Turqisë (DISK), gjysma e refugjatëve sirianë jetojnë nën pragun e varfërisë. Të grumbulluar në hapësira të ngushta, me shkallë të lartë të komorbiditetit dhe, për çdo të pestin person, pa qasje në ujë të pijshëm, ata përbëjnë një popullsi veçanërisht të rrezikuar në rast të përkeqësimit të epidemisë.

* Gazetare, autore e « Turqi, koha e së vërtetës », Empreinte temps présent, Paris, 2019.

(1) Lexoni Hana Jaber, «Qui accueille vraiment les réfugiés ? », Le Monde diplomatique, tetor 2015.

(2) Suat Kınıklıoğlu, « Syrian refugees in Turkey : Changing attitudes and fortunes », German Institute for Internal and Security Affairs, www.swp-berlin.org

(3) Didem Daniş, « De la “porte ouverte’’ aux menaces d’expulsion : la présence syrienne en Turquie », Migrations-Société, no 177, Paris, 2019.

 (4) Lexoni Didier Billion, « La Turquie, allié capricieux, ennemi impossible », Le Monde diplomatique, tetor 2019.

 (5) Lexoni Akram Belkaïd, «Ankara et Moscou, jeu de dupes en Syrie », Le Monde diplomatique, nëntor2019.

 (6) « Multisectoral needs assessment of Syrian refugees in Turkey », Mjekët e Botës, shkurt 2019.