COVID-19 : PAS KRIZËS … KRIZAT
Koha e planifikimit ekologjik

Në historinë e ekologjisë gjithmonë ka ekzistuar një ndjeshmëri konservatore. Kësaj ekologjie konservatore duhet kundërshtuar një tjetër. Atë që aktivizon të gjitha levet e shtetit për ta realizuar tranzicionin, por që duke vepruar, ajo ndërton rastin për ta demokratizuar shtetin dhe për t’ia nënshtruar demokracinë përfaqësuese demokracisë direkte. Në këtë drejtim, tranzicioni ekologjik kërkon që t’i ndryshojmë në të njejtën kohë sistemet tona ekonomike dhe politike. Ekologjia e tyre apo e jona: beteja e madhe e shekullit XXI ka filluar.

Njëra nga meritat kryesore e Martin Luther Kingut ka qenë sqarimi i funksionimit të kapitalizmit. Thoshte se është socializëm për të pasurit dhe treg i lirë për të varfërit. Kjo shihet qartë në kohë normale: gjatë dekadave të fundit, për shembull, shteti ka ndërtuar një treg të borxheve publike, duke i ofruar operatorëve privatë kontrollin mbi kredinë që ishte kompetencë e tij qysh pas luftës (1). Por kjo është edhe më e vërtetë në kohë të krizës. Planet për mbështetjen e ekonomisë të zbatuar pas krizës së vitit 2008 kishin vlerën 1,7 % të produktit të brendshëm bruto (PBB) botëror. Për pandeminë e koronavirusit, kjo vlerë ka arritur qysh në fillim të muajit prill vlerën e 2,6 % (Le Monde, 4 prill 2020), derisa në disa shtete edhe vlera më të mëdha, si SHBA (10 %) ose Mbretëria e Bashkuar (8 %).

Këto përqindje regjistrojnë vetëm përpjekjet e para të shteteve; askush nuk dyshon se do të rriten në muajt e ardhshëm. Këtyre masave buxhetore i shtohen shumat titaneske të mobilizuara nga bankat qendrore. Banka Qendrore Evropiane (BCE) ndryshe nga bankat qendrore japoneze ose britanike, refuzon ende financimin e drejtëpërdrejtë të shteteve, por është angazhuar për të blerë në vlerë prej 1.120 milliard euro aksione nga tregjet dhe nga detyrimet publike, por gjithashtu nga borxhi i shumëkombëshave siç janë BMW, Shell, Total, LVMH ose Telefónica. Këto masa i shtohen një varg dispozitash që ua lehtësojnë bankave qasjen në likuiditete. Duke nderuar simbolin e stabilitetit financiar në kulmin e krizës së koronavirusit bëjmë që fondet e investimeve, bankat dhe ndërmarrjet e mëdha, përfshirë ndërmarrjet më ndotëse, të jenë përfituesit e parë të mbështetjes së qeverisë. « Socializmi për të pasurit » kurrë nuk ka qenë më efikas në mbrojte. Megjithatë, kriza është e rëndë; fakti që ajo përplaset me ekonominë « prodhuese » e jo me financat, nuk është në vijë me përkufizimin e Martin Luther Kingut. Në Shtetet e Bashkuara, Thesari u dërgon çeqe, me vlerë modeste, drejtpërdrejtë qytetarëve: ky është parimi i parasë « helicopter » (prej ku do të hidheshin kartëmonedhat), me të cilet bankat qendrore subvencionojnë amvisëritë dhe ndërmarrjet, pa ndërmjetësimin e bankave dhe pa kundërvlerë. Në Francë, deri më 22 prill, më shumë se çdo i dyti i punësuar në sektorin privat ka marrë statusin « i papunë në kohë të caktuar » me shpenzime të shtetit. Qysh në fund të marsit, Observatori francez i çështjeve ekonomike (l’Observatoire français des conjonctures économiques (OFCE)) e vlerësonte në më shumë se 21 miliard euro, koston mujore të dispozitave, që mundësojnë që të punësuarit të marrin një pjesë të pagave të tyre (2).

Po vërehen copëzat e një logjike të ndryshme ekonomike

Edhe një herë, pandemia mundësoi brenda natës pezullimin e dogmave neoliberale, në mes tjerash kriteret e konvergjencës të zonës euro, të cilet më parë ishin paraqitur si të shenjta. Elitat politike dhe financiare shpesh diskutojnë mundësinë që përmes bankave qendrore të bëhen pagesat e borxheve publike. Domethënë të menaxhohen drejtpërdrejtë shpenzimet e shtetit. Beteja duket e vështirë, por tani gjendja e jashtëzakonshme ideologjike ofron një mundësi historike për ta këputur kordonin në mes financimit të ekonomisë dhe pronësinë private të kapitallit. Kështu, derisa (ri)zbulojmë që brenda kapacitetit prodhues të një ekonomie të caktuar, bankat qendrore mund t’i financojnë avanset e nevojshme për jetën aktive, tregjet nuk mund të bëjnë më shantazhe: nuk ka më arsye të kërkohet besimi i investitoreve dhe t’i ipet më shumë legjitimitet politikave shtrënguese. Nuk duhet të mashtrohemi, neoliberalizmi është larg shuarjes. Në Francë, për shembull, masat e pakta në favor të familjeve më të varfëra tregojnë që qeveria po mban një ushtri rezervë me kosto të ulët për ta imponuar rregullimin e pagave të zvogëluara për ta qetësuar krizën (3). Sidoqoftë, po vërehen copëza të një logjike të ndryshme ekonomike. Kjo ndodh shpesh në situata krize siç janë konfliktet e armatosura.

Gjatë luftës së parë botërore, në Paris mungonte thëngjilli (4). Atëherë, shteti e mori përsipër prodhimin dhe distribuimin e tij. Furnizimi i amvisërive bëhej sipas dy kritereve: madhësia e banesave dhe numri i personave që jetonin në banesë. Në bazë të këtyre të dhënave vlerësohej sasia e thëngjillit e nevojshme për ngrohje. Lënda djegëse nuk shpërndahej më vetëm në bazë të pagesës, por sipas nevojës reale të familjeve. Prej një llogarie monetare kaluan në një llogari në natyrë.

Kriza e koronavirusit është vërtetë më pak tragjike se lufta e parë botërore. Megjithatë gjejmë një logjikë të ngjajshme në vepër. Ka mungesë të dhimbshme të maskave mbrojtëse dhe të respiratorëve. Askush nuk guxon ta përmend koston e tyre. Vetëm një gjë ka rëndësi: sa mund të prodhohen dhe në çfarë shpejtësi? Sasitë i kanë zëvendësuar çmimet. Nënshtrimi i tregut ndaj nevojave reale gjithashtu merr formën e urdhërave. Vend neoliberal par ekselencë, Irlanda nuk ka hezituar t’i shtetëzojë spitalet private për kohën e krizës. Për ta përshpejtuar prodhimin e respiratorëve artificial, z.Donald Trump ka apostrofuar ligjin ‘Defense Production Act’ i cili që nga lufta e Koresë (1950-1953) autorizon presidentin e Shteteve të Bashkuar t’i detyroj ndërmarrjet të prodhojnë si prioritet mallrat që i përgjigjen interesit të përgjithshëm. Urgjenca zbulon nevojën përtej mekanizmave të tregut. Krizat i çojnë ndërmarrjet në bifurkacione. Shpesh, rutina e mëparshme kthehet sapo kalon stuhia; kështu ka qenë pas kolapsit financiar në vitin 2008. Por nganjëherë kriza jep mundësi për t’u angazhuar në një logjikë tjetër.

Në situatën aktuale kjo logjikë ekziston në gjendje potenciale: privilegjohet përmbushja e nevojave reale ndaj tregut. Pandemia e lidhur me koronavirusin e ri megjithatë ka theksuar një tjetër kërkesë. Covid-19 e ka origjinën në një ndërhyrje në rritje të botës njerëzore dhe shtazore që favorizon qarkullimin e viruseve (5). Ky transformim është në vetvete rezultat i shembjes së ekosistemëve, gjë që bën që kafshët që bartin sëmundje ngjitëse të vendosen pranë zonave ku banojnë njerëzit. Përveç plotësimit të nevojave reale, një logjikë ekonomike alternative do të duhet të kthej dhe të respektoj ekuilibrin mjedisor. Emri i saj? Planifikimi ekologjik.

Ky program duhet të çlirohet nga masat shtrënguese

Planifikimi ekologjik mbështetet në pesë shtylla. Fillimisht, shtylla e parë, kontrolli publik i kredisë dhe i investimit. Duhet që me ligj të imponohet ndërprerja e financimit pastaj mbyllja e industrive ndotëse. Kjo lëvizje duhet të shoqërohet me investime masive në tranzicionin ekologjik, në energjitë e ripërtëritshme dhe infrastrukturat e pastërta, veçanërisht përmes izolimit të ndërtesave. Egzistojnë shifra, për shembull ato të shoqatës négaWatt (6). Por duhet gjithashtu të rikrijohen dhe të përhapen shërbimet publike, në veçanti arsimi, spitalet, transporti, uji, trajtimi i mbeturinave, energjia dhe komunikimet, të dëmtuar apo të shkatërruar nga logjika tregtare. Në shkurt 2019, z.Bernie Sanders dhe znj.Alexandria Ocasio-Cortez paraqiten projektin e tyre ‘Green New Deal’ (« Marrëveshje e re ekologjike »). Duke marrë shembull nga marrja e kontrollit politik të ekonomisë nga administrata e Franklin Delano Roosevelt gjatë Depresionit të Madh të viteve 1930, kjo marrëveshje e re propozon dekarbonizimin e ekonomisë brenda dhjetë viteve. Nuk është koha as për gjysëm-masa, situata mjedisore po rëndohet. Ky program do të duhet të çlirohet nga masat shtrënguese të cilat i kanë bërë shtetet e pafuqishme në fushën mjedisore. Dhe fundja, kriza e koronavirusit i ka shembur të gjitha këto rregulla. Brenda kapitalizmit neoliberal janë tregjet, të mbështetura nga bankat dhe sektori financiar liberal (shadow-banking), të cilat shërbejnë si seli ku vendoset ndarja e burimeve. Zgjedhja për të investuar në një sektor ose në një aktivitet bazohet në kriteret e rentabilitetit dhe solvabilitetit, me përjashtim të « fasadimit » me të gjelbër, të destinuar për ta ushqyer rubrikën “vlerat tona” të faqes së internetit të kompanive të mëdha. Z.Laurence D. Fink, shefi i fondit të investimeve BlackRock, ka botuar në janar 2020 një letër për biznismenet e cila bëri bujë (7). Aty deklaron se tani dëshiron që « investimi i qëndrueshëm » të jetë vija e tij drejtuese e menaxhimit të pasurisë. Është e qartë se ky deklarim nga një fond që mban aksione masive në sektorin e hidrokarbureve fsheh « greenwhashing ». (8). Edhe nëse supozojmë se qëllimi është serioz, investimi do të ishte i qëndrueshëm vetëm nëse nuk do të ketë logjikë të konkurrencës, nga natyra afatshkurtër.

Duhet ta zhbëjmë pushtetin e centralizuar të financave private. Investimi në tranzicionin duhet t’i nënshtrohet kontrollit demokratik në të gjitha nivelet e vendimmarrjes. Z.François Morin, këshilltar i qeverisë së Pierre Mauroy në kohën e shtetëzimeve të viteve 1981-1982 dhe ish anëtar i këshillit të përgjithshme të Bankës së Francës, propozon : « Zyrtarë kompetent të zgjedhur duhet të jenë në zemër të vendimit të kredisë dhe kështu edhe të lëshimit të monedhës së re. Në secilin nivel, kuvendet e zgjedhura duhet t’i përcaktojnë kriteret për ndarjen e kredive, llojin e përfituesve dhe shumat e alokuara (…) sipas kategorisë kryesore të veprimtarisë. (9). »

Organizimi i zvogëlimit të shfrytëzimit të burimeve natyrore

Këto diskutime mbi investimet duhet të jenë në përputhje me qëllimet e përgjithshme të caktuar në nivelin kombëtar – madje edhe në nivelin kontinental ose global, veçanërisht për çështjet ekologjike – por autonomia e tyre garanton ruajtjen e një forme të diversitetit institucional. Larg standardizimit të tregut, artikulimi midis centralizimit të qëllimeve fillestare dhe dinamikës lokale të realizimit të tyre favorizon shpikjen e formave të jetës dhe kapacitetet e përshtatjes së shoqërive njerëzore në tërësi. Është gjithashtu një domosdoshmëri për t’i dhënë planifikimit një spirancë të fortë demokratike. Tranzicioni supozon një rialokim të burimeve në një shkallë të gjerë për një kohë të shkurtër, atëherë në rast të një mospërputhje midis niveleve, niveli kombëtar do të vendosë si shkallë e fundit. Për këtë arsye, duhet të jetë i ligjshme: përmirësimi i cilësisë së procedurave të debatit është një çështje ekologjike par ekselencë. Ndarja e kredisë do t’i merr parasysh gjithashtu kufizimet e ekosistemit. Përvojat e planifikimit të shekullit XX, në Bashkimin Sovjetik, në Francë dhe në vendet e tjera, më së shumti kanë pasur për qëllim rritjen e pajisjeve dhe industrisë, për shembull pas luftërave. Deri tani planifikimi ka qenë produktivist. Planifikimi ekologjik, duhet ta organizoj zvogëlimin e shfrytëzimit të burimeve natyrore. Për ta arritur këtë qëllim, fillimisht duhet pasur statistika të mjaftueshme për këtë çështje. Planifikimi supozon njohjen e të tashmës dhe formulimin e skenareve të mundshme për të ardhmen (10). Por njohuritë mbi ndikimin e aktiviteteve ekonomike në mjedis nuk janë ende të plota. Nuk kemi mjaft tregues kuptimplotë dhe të saktë për ta orientuar debatin dhe vendimin. Një mandat i qartë dhe burime të shtuara do të mundësonin që agjencioni publik i statistikave të prodhojnë  tregues të tillë. Nuk duhet ta fshehim realitetin: kur do të mbyllen sektorët ndotës, shumë punëtorë do të mbesin papunë. Për dekada të tëra, ekologjia ka bartur kujtimin e deindustrializimit, i cili kur ndodhi nën efektin e decentralizimit dhe pa shqetësimin më të vogël mjedisor çoi në drama sociale. Planifikimi ekologjik mbështetet së pari në klasat e varfëra. Prandaj duhet që rendi i tanishëm të ndryshon dhe që prodhimi i pastër të shoqërohet me pushtimin e drejtave të reja sociale për punëtorët.

Kjo është shtylla e dytë në planifikimin ekologjik: Shteti duhet t’u garantojë punëtorëve një vendpune. Marrëveshja e re ekologjike e z.Sanders dhe znj.Ocasio-Cortez përmban këtë klauzë, e thjesht por kruciale (11). Qeveria angazhohet se do të propozon ose do të financon një vendpune për çdo person që dëshiron të punojë, me rrogë bazë të sektorit publik, apo edhe më shumë. Sikurse bankat qendrore që janë huadhënësit “e zgjidhjes së fundit” në kohën e krizave financiare, me garancinë e punësimit, shteti bëhet financues i punësimit “të zgjidhjes së fundit”. Ky sistem do të krijonte vende pune në sektorë që kapitalizmi i konsideron joprofitabil, por që shpesh sigurojnë vlerë të shtuar të lartë sociale dhe ekologjike: mirëmbajtja e burimeve natyrore, kujdesi i të moshuarëve ose i fëmijëve të vegjël, riparimet, etj. Megjithë limitet e saj, eksperimenti i « territoreve me zero ‘të papunë afatgjatë’ », i cili po zhvillohet në afër dhjetë vendbanime prej vitit 2016 deri në vitin 2021, jep një pasqyrë të parë të punësimit (12). Ky eksperiment mbështetet në tri ideja: askush nuk është i ‘papunësueshëm’ (të gjithë kemi kompetenca dhe kemi të drejtë në njohjen sociale të këtyre kompetencave), paraja nuk mungon, puna nuk mungon. Mungon punësimi, siç është përkufizuar nga tregu, do me thënë puna që favorizon kapitalin. Prandaj duhet tejkaluar parimin e mbrojtjes kundër vështirësive të tregut të punës duke ofruar një garanci për punë që përveç tjerash  do të kontribuojë në plotësimin e nevojave që nuk mbulohen nga tregu. Mund ta imagjinojmë një hapësirë të dialogut ndërmjet, në njërën anë personat e disponueshme dhe, në anën tjetër kolektivitetet lokale dhe shoqatat që do të shërbenin për identifikimin e punës së dobishme për një territor të caktuar. Një përparësi shtesë i një programi të tillë do të ishte krijimi i një baze minimale të standardeve sociale, për sa i përket kushteve të punës dhe të pagave, efektet mbrojtëse të të cilave do të përhapeshin te të gjithë punonjësit. Kur vendet e punës janë të garantuara, puna nuk është më një mall, sepse ekzistenca dhe dobia e saj nuk përcaktohen më nga tregu. Kriza e koronavirusit ka zbuluar një tjetër hierarki të profesioneve (13). Papritmas, mbijetesa e qytetarëve është varur nga puna e personelit mjekësor, arkëtarëve të supermarketeve dhe punëtorëve të mirëmbajtjes. Profesione që në kohë të zakonshme vlerësohen pak simbolikisht dhe financiarisht. Çdo mbrëmje i duartrokasim atyre prej ballkoneve në ora 20.00. Disa madje propozojnë që këta punëtorë të defilojnë në vend të ushtarëve për festën kombëtare me 14 korrik. Duhet që profesionet e tranzicionit ekologjik të rivlerësohen gjithashtu. Sikurse minatori i thëngjillit që përfaqësonte « betejën e prodhimit » pas luftës së dytë botërore si simbol i centralitetit të botës punëtore, në këtë rast tranzicioni ka nevojë për « heronj » – heroina. Çështja nuk është të lartësohet fryma e sakrificës, por t’u ipet profesioneve mirënjohje për kontributin e tyre për plotësimin e nevojave reale. Kjo kërkon shtrëngimin drastik të shkallës së pagave dhe rritjen e të ardhurave e shumë profesioneve të dobishëm në fushën sociale dhe ekologjike, por që deri tani janë diskredituar. Kjo betejë do të jetë gjithashtu kulturore: imagjinata kolektive e më shumë se një shekulli mund të ndryshohet vetëm nëse filmat, romanet, këngët, kontribuojnë në ngritjen e kujdestareve, ricikluesve dhe fermerëve në rangun që mbajnë në botën e trillimeve policët, biznismenet, avokatët dhe IT.

Në pozitën e tretë, planifikimi ekologjik duhet të shpie në rilokalizimin e ekonomisë. Bashkimi Evropian ka një pakt të gjelbërt për Evropën, i cili është bërë publik nga kryetarja e Komisionit Ursula van der Leyen në janar 2020.Por në kohën kur ajo prezantoi kornizat e këtij pakti, Bashkimi nënshkruante një marrëveshje të tregut të lirë me Vietnamin… Kjo do të thotë se çdoherë e më shumë do të ketë mallra që do të dërgohen dhe do të qarkullojnë në tërë planetin, të gjitha këto lëvizje me emetime të gazrave me efekt serre. Tregu i lirë përveç se i rrit pabarazitë, gjeneron ç’rregullime ekologjike. Ky rilokalizim duhet të mbështetet në tri parime. Parimi i parë është mundësia e ndërrimit të destinimit të territoreve. Do t’u mundësoj territoreve të lirohen nga luhatjet e tregjeve botërore dhe në këtë mënyrë ta rifitojnë sovranitetin mbi ato që prodhojnë. Globalizimi kapitalist, zgjatja e zinxhireve të vlerës i kanë zhveshur njerëzit nga ky kontroll. Parimi i dytë është proteksionizmi solidar: vendosja e barrierave doganore shoqërore dhe mjedisore duhet të shoqërohet nga dislokimi i monopolit të ndërmarrjeve të mëdha në fushën e njohurive. Liberalizimi i pronësisë intelektuale do t’u mundësojë shumicës të përfitojë nga risitë. Dhe shkëmbimi i njohurive dhe i teknologjive do të favorizojë ngritjen e drejtave shoqërore dhe mjedisore. Proteksionizmi solidar nuk do të jetë mbyllje në vetveti, përkundrazi, ai do ta ripërtëris ndërkombëtarizimin në bazë ekologjike dhe në bazë të shkëmbimit të njohurive. Rilokalizimi nuk do ta arrinte qëllimin sikur, në pozitën e tretë, nuk do të kishte ndikim në atë që prodhohet dhe në mënyrën sesi prodhohet. Kapitalizmi ka interes të zvogëlojë sa më shumë jetëgjatësinë e mallrave, duke e detyruar konsumatorin që të blejë vazhdimisht produkte të reja. Kështu, vihen në treg mallëra me cilësi të dobët. Prodhuesve duhet t’u imponohen norma të qëndrueshmërisë me afat më të gjatë të garancionit. Produktet më të qëndrueshme që zëvendësohen më rrallë dhe që riparohen më shpesh zbusin presionin mbi ekosistemet. Lëvizjet për më shumë thjeshtësi janë në trend. Shpesh, ato shoqërohen nga morali individualist (14). Thjeshtësia mund të jetë vetëm kolektive, pra duhet të implementohen rregullore që e inkurojojnë atë. Duhet të kalojmë prej një vizioni produktivist të aktivitetit industrial në një koncept të orientuar kah zgjatja e ciklit të jetës të mallërave: mirëmbajtja, riparimi dhe përmirësimi i mallërave gjatë kohës duhet ta zëvendësojnë logjikën « një përdorim ». Është çështje investimesh, punësimesh, kompetencash, por gjithashtu çështje e garanceve sociale.

« Revolucioni i big data mund ta ringjallë ekonominë e planifikuar »

Njëra nga këto rregulloret është kufizimi strikt i rekllameve. Është e natyrshme që një kompani dëshiron t’i informojë klientët për meritat e mallrave të saj. Por reklamat gëlltitin përditshmërinë tonë dhe hapësirat tona për të shitur fantazma dhe jo produkte. Gjatë shekullit XX, shpenzimet publicitare të ndërmarrjeve – në veçanti të shumëkombëshave – janë rritur në mënyrë marramendëse (15). Në kohën e kapitalizmit monopolist, rekllamat përbëjnë një nga levat kryesore për të kapur pjesë të tregut. Në këto kushte, nuk ka mundësi që të lindin forma të konsumit të qëndrueshëm.

Shtylla e katërt e planifikimit ekologjik është demokracia. Përvojat e kaluara të planifikimit kanë qenë produktiviste, por gjithashtu teknokratike, vertikale, madje edhe autoritare (16). Në BRSS, për shembull, burokracia e planifikueseve vendoste për sasinë dhe cilësinë e mallërave që do të prodhoheshin. Ky autoritarizëm nxiste një problem me legjitimitet politik të ultë të këtyre rezhimeve, por gjithashtu të njohurive ekonomike: intelektualët planifikues, të shkëputur nga shoqëria  civile, kishin pak njohuri në lidhje me nevojat dhe dëshirat e qytetarëve. Kjo rezultonte në një çekuilibër disa herë dramatik të ofertës dhe kërkesës, duke rezultuar ose në mungesë të produkteve ose në tepricë. Kjo marrëdhënie ndërmjet planifikimit dhe autoritarizmit nuk është produkt i fatalitetit. Për t’i ikur duhet pasur imagjinatë institucionale. Gjatë tridhjetë viteve të fundit, eksperimentet në fushën e demokracisë pjesëmarrëse nuk kanë munguar (17). Më së shpeshti kemi të bejmë me mjete politike, pasi që vendimet e rëndësishëm merren nga ekzekutivi dhe në borde administrative. Mekanizma siç janë konferencat konsensuale, porotet, buxhetet pjesëmarrëse apo Kuvendi qytetar i së ardhmes (18) mundet megjithatë të kontribuojnë në diskutimet mbi nevojat. Efikasiteti i këtyre  mekanizmave ngjan nga fakti se ata ndikojnë vërtetë në zgjedhjen produktive,  por nuk ka ndodhur kurrë deri tani. Me fjalë të tjera, shkaktojnë një rënie të mekanizmave të tregut në dobi të politizimit të ekonomisë. Koordinimi i ofertës dhe kërkesës do të mund të mbështetet në vegla numerike, siç është rasti në kapitalizmin aktualisht. Më 4 shtator 2017, e përditshmja Financial Times pohonte se « revolucioni i big data mund ta ringjallë ekonominë e planifikuar ». Sipas njërit nga editorialistet, mundësitë aktuale të mbledhjes të të dhënave dhe mundësitë e llogaritjes do të mund në një të ardhme të afërt t’i tejkalojnë disa mangësi të planifikimit të centralizuar të shekullit XX. Informatat e prodhuara në rrjedhje kontinuale nga të gjithë akteret ekonomik mundësojnë t’i njohim thuajse menjëherë preferencat e një numri të madh të konsumatorëve, pa pasur nevojë të kalojmë në sistemin e çmimeve. Por këto të dhënat i përkasin de facto industrive private të Silicon Valley, sikurse infrastruktura që i gjeneron dhe i trajton. Këto të dhëna, të shkëmbyera, të vendosura në kontroll demokratik dhe të riorientuara kah shfrytëzimi shoqëror, do të kontribuonin në krijimin e zgjidhjeve zëvëndësuese për tregun.

Dhe në fund, shtylla e pestë dhe e fundit e planifikimit ekologjik: drejtësia mjedisore. Covid-19 ka shkatuar shumë viktima në territoret më të varfëra, për shembull, në Francë, në Seine-Saint-Denis. Klasat e varfëra kanë shëndet më të brishtë; nga fakti se nuk kanë banesa të mira apo edhe mjete, ato sëmuren më shumë, por shkojnë më rrallë te mjeku, duke marrë parasysh se  territoret ku jetojnë duken si shkretëtira të shërbimeve mjekësore. Por, profesionet që gjinden në vijën e parë në luftën kundër koronavirusit shpesh jetojnë në këto zona dhe prandaj ekspozohen më shumë ndaj virusit. Pandemitë rrisin pabarazitë e klasave. Kjo vlen edhe për krizën klimatike. Klasat e varfëra vuajnë më shumë se të pasurit nga ndotja apo katastrofat natyrore (19). Por qeveritë e ngarkojnë këtë popullatë me koston e tranzicionit, siç dëshmohet në episodin e tmerrshëm të taksës së karbonit, që nxiti lëvizjen e « jelekëve të verdhë ». Një sjellje e tillë nuk është vetëm moralisht e dyshimtë, por ka shumë të ngjarë të dështojë politikisht: tranzicioni nuk do të ndodh pa pëlqimin e klasave të varfëra. Për tanxitur këtë pëlqim duhet të vendoset drejtësia në qendër të tranzicionit dhe për këtë qëllim të imponohet kontrolli demokratik në përzgjedhjen e prodhimit dhe konsumit. Në Francë, më të pasurit që përbëjnë 10 % e popullatës emetojnë tetë herë më shumë gazra me efekte serre se 10 % e më të varfërve (njëzet e katër herë në SHBA, katërdhjetë e gjashtë herë në Brazil) (20). Këta duhet ta marrin përsipër koston e shkatërrimit të mjedisit, të shkaktuar nga mënyra e jetesës së tyre.

T’i ndryshojmë njëkohësisht sistemet tona ekonomike dhe politike

Tani ekologjia është shqetësimi kryesor i evropianëve. Por cila ekologji? Këndvështrimi i kryeministrit konservator austriak Sebastian Kurz : në janar, kur e formonte koalicionin me të gjelbërt – që ishte hera e parë në nivel qendror të një shteti –, ai deklaroi se njerëzimi po ballafaqohet me dy sfida kryesore: imigrimi dhe ndryshimet klimatike. Ky është kuptimi i kësaj aleance në mes konservatorëve dhe ambientalistëve. Kriza e koronavirusit mund ta përshpejtojë shfaqjen e ekologjisë konservatore. Kërkesa për një shtet « të fortë » të nxitur nga frika, zakoni i mbylljes së kufijve dhe “gjurmimit” të popullsive, të shoqëruar me vetëdijën në rritje se produktivizmi gjeneron gjithnjë e më shumë katastrofa, mund ta shëndrron Austrinë në vendin e parë, para të tjerëve, që kalon në menaxhimin autoritar të krizës mjedisore. Gabojmë nëse mendojmë se kjo aleancë nuk është e natyrshme. Në historinë e ekologjisë gjithmonë ka ekzistuar një ndjeshmëri konservatore. Kësaj ekologjie konservatore duhet kundërshtuar një tjetër. Atë që aktivizon të gjitha levet e shtetit për ta realizuar tranzicionin, por që duke vepruar, ajo ndërton rastin për ta demokratizuar shtetin dhe për t’ia nënshtruar demokracinë përfaqësuese demokracisë direkte. Në këtë drejtim, tranzicioni ekologjik kërkon që t’i ndryshojmë në të njejtën kohë sistemet tona ekonomike dhe politike. Ekologjia e tyre apo e jona: beteja e madhe e shekullit XXI ka filluar.

* Respektivisht ekonomist në Universitetin Paris-XIII dhe sociolog në Universitetin e Bordeaux.

(1) Cf. Benjamin Lemoine, L’Ordre de la dette. Enquête sur les infortunes de l’État et la prospérité du marché, La Découverte, Paris, 2016.

 (2) « Vlerësimi deri më 30 mars 2020 të ndikimit ekonomik të pandemisë së Covid-19 dhe të masave të vetizolimit», Policy Brief, no 65, OFCE, Paris, 30 mars 2020.

 (3) Cf. Michaël Zemmour, « Coronavirus : Qeveria nuk po e kupton ekspozimin e amvisërive modeste ndaj krizës », Le Monde, 27 mars 2020.

(4) Cf. Thierry Bonzon, « Consumption and total warfare in Paris (1914-1918) », në Frank Trentmann et Flemming Just (nën drejtimin e), Food and Conflict in Europe in the Age of the Two World Wars, Palgrave Macmillan, Londër, 2006.

(5) Lexoni Sonia Shah, « Kundër pandemive, ekologjia», Le Monde diplomatique, mars 2020. (6) Association négaWatt, Manifeste négaWatt. Drejt tranzicionit energjetik!, Actes Sud, coll. «Babel Essai », Arles, 2015.

(7) Laurence D. Fink, «Afundamental reshaping of finance », janar 2020, www.blackrock.com

(8) Cf.Amélie Canonne dhe Maxime Combes, «BlackRock përfiton një operacion greenwashing falë Parisit dhe Berlinit », Basta !, 24 janar 2020, www.bastamag.net

(9) François Morin, Kur e majta provonte ende. Tregimi unik i shtetëzimëve të vitit 1981 dhe disa mësime nga këto shtetëzime, Lux, Montréal, 2020.

(10) Cf. Alain Desrosières, «Komisioni dhe ekuacioni: një krahasim i Planeve franceze dhe flamande në mes viteve 1945 dhe 1980 », Genèses. Shkenca sociale dhe histori, no 34, Paris, 1999.

(11) Cf. Pavlina R. Tcherneva, The Case for a Job Guarantee, Polity Press, Cambridge, botohet së shpejti

. (12) Cf. Anne Fretel dhe Florence Jany-Catrice (coord.), « Një analizë e zbatimit të programit eksperimental për uljën e papunësisë afatgjatë në zonën metropolitane të Lille », rapport intermédiaire, 11 qershor 2019, https://chairess.org

(13) Cf. Victor Le Boisselier, « Dominique Méda : “Tani i dijmë cilet janë profesionet e domosdoshme ” », Politis, Paris, 25 mars 2020.

(14) Lexoni Jean-Baptiste Malet, « Sistemi i Pierre Rabhi », Le Monde diplomatique, gusht 2018.

(15) Cf. John Bellamy Foster, Hannah Holleman, Robert McChesney et Inger Stole, « The sales effort and monopoly capitalism », Monthly Review, vol. 60, no 11, New York, prill 2009.

(16) Cf. Bernard Chavance, « Planifikimi qendror dhe altrenativat e tij në përvojën e ekonomisë socialiste», Actuel Marx, no 65, Paris, 2019.

(17) Cf. Yannick Barthe, Michel Callon et Pierre Lascoumes, Të veprosh në një botë të pasigurt. Ese mbi demokracinë teknike, Seuil, Paris, 2001.

(18) Cf. Dominique Bourg (sous la dir. de), Të shpikesh demokracinë e shekullit XXI. Kuvendi qytetar i së ardhmës, Lidhjet që të çlirojnë, Paris, 2017.

(19) Cf. Catherine Larrère (në drejtimin e), Pabarazitë mjedisore, Presses universitaires de France, Paris, 2017.

(20) Cf. Lucas Chancel, Pabarazitë të padurueshme. Për një drejtësi sociale dhe mjedisore, Les Petits Matins, Paris, 2017.