SINDIKATA E RE E MINATORËVE NË BULQIZË
Kromi i oligarkisë

Themelimi i sindikatës së re nga minatorët e Bulqizës ka rishfaqur çështjen e të drejtave dhe statusit të minatorëve. Aksidente fatale, pushime nga puna, ulje pagash, miniera e kromit të Bulqizës vazhdon të jetë sinonim i shfrytëzimit të minatorëve për përfitimet private të oligarkisë së lidhur me politikën.

503

Pas më shumë se tetë vitesh, minatorët e Bulqizës u rikthyen sërish në sheshin e protestës. Para hyrjes për në pusin e shfrytëzimit të kromit në Minierën e Bulqizës. Në protestat e vitit 2011 ishte vendi i përplasjeve ndërmjet policisë dhe minatorëve. Sot, Miniera e Kromit në Bulqizë administrohet nga kompania Albchrome e Samir Mane, pjesë e BALFIN grup. Të zhgënjyer nga puna e sindikatës ekzistuese të cilët minatorët e konsiderojnë si palë me firmën dhe që nuk mbron interesat e minatorëve, këta të fundit themeluan një sindikatë tjetër. Albchrome është kompania që ka numrin më të madh të të punësuarve në sektorin minerar, afro 650 punonjës. Në të gjithë zonën mineral-mbajtëse të Bulqizës dhe Martaneshit, sipas të dhënave nga Zyra e Punës në Bulqizë janë të punësuar afro 2100 persona, ku përpos Albchrome operojnë edhe 36 subjekte të tjera minerare. Sipas të dhënave të bëra publike nga BIRN, prej vitit 2014 në galeritë e kromit në Bulqizë dhe Martanesh, kanë humbur jetën 27 persona dhe shumë të tjerë janë plagosur gjatë punës në minierë.

“Diktatura moderne”

Puna për themelimin e sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës do të niste që në muajin prill të vitit 2019. Themelues do të ishin 39 minatorë. Pas ndjekjes së procedurave ligjore, më 15 nëntor 2019-të Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë do ta njihte zyrtarisht sindikatën. Dy ditë më vonë në qendër të Bulqizës do të bëhej edhe shpallja publike e sindikatës. Vetëm pesë ditë pasi sindikata ishte themeluar dhe njohur nga Gjykata e Tiranës, kompania Albchrome do të shkarkonte nga puna kreun e sindikatës të Minatorët e Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi. Disa minatorë të tjerë pjesë e sindikatës do të paralajmëroheshin për pushim nga puna. Debreshi tregon se për themelimin e sindikatës kanë ndjekur të gjitha hapat e nevojshëm ligjor dhe se sindikata ekzistuese në Minierën e Kromit në Bulqizë, pjesë e Konfederatës të Sindikatave të Shqipërisë të drejtuar nga Kol Nikollaj, ka humbur kontaktin me minatorët dhe nuk mbron më interesat e punëtorëve, por është palë me kompaninë. “Themelimi i kësaj sindikate ka ardhur si nevojë sepse laku minatorëve të Bulqizës ju ka ardhur në fyt. Nuk mban më. Që një punëtorë të futet mbi 1000 metër nëntokë dhe të paguhet 350 mijë lekë të vjetra në muaj dhe një trajtim ushqimor prej 150 mijë lekë të vjetra është e papranueshme. Minatorët që prej vitit 2011 nuk kanë pasur rritje page, por vetëm ulje”, tregon Debreshi. Ky i fundit ka disa breza të familjes së tij që punojnë në Minierën e Kromit në Bulqizë. Është babai i katër fëmijëve dhe që prej dhjetorit të vitit 2019 është i papunë. “Unë jam minator, babain e kam minator, edhe gjyshin ka punuar një jetë minator. Jam brezi i tretë në familjen time që punoj në atë galeri edhe i dimë shumë mirë hallet, se në familjet tona nuk ka muhabet tjetër, veçse ‘galeria, rroga, minatori, kush u vra, kush shpëtoi, kush erdhi e kush shkoi’. Sot jam i papunë, vetëm se guxuam që të ngremë zërin për shqetësimet tona dhe të themelojmë një sindikatë. Kjo është diktatura moderne”, shprehet Eltoni.

Prej vitit 2014, në galeritë e kromit në Bulqizë dhe Martanesh, kanë humbur jetën 27 persona dhe shumë të tjerë janë lënduar

Pas shkarkimit nga puna të Debreshit, punëtorët e tjerë të kompanisë Albchrome do të bojkotonin punën për afro një javë. Kompania Albchrome në një njoftim të shpërndarë për mediat do ta konsideronte protestën si përplasje mes sindikatave dhe të organizuara nga një grup i vogël punëtorësh. “Një pakicë punonjësish, që nuk përfaqësojnë masën e minatorëve, teknikëve dhe inxhinierëve, kanë themeluar një sindikatë tjetër dhe ne si Albchrome nuk jemi pjesë e saj, kjo për arsye se aktualisht, kemi nënshkruar një kontratë kolektive me një sindikatë tjetër”, thuhet në njoftim e shpërndarë në faqen zyrtare të kompanisë në rrjetin social facebook.

Pak ditë më vonë, kompania do të shkarkonte nga puna edhe tre anëtarë të këshillit sindikal të SMBB, Beqir Duriçi, Behar Gjimi dhe Ali Gjeta të cilët kishin marrë pjesë në protesta. Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës në qëndrimet publike të mbajtura lidhur me shkarkimin nga puna të anëtarëve të këshillit sindikal, akuzon kompaninë se shkarkimet ishin të paligjshme, në kundërshtim të hapur me kodin e punës dhe si presione për t’u mbyllur gojën minatorëve dhe për të penguar sindikatën. “Ka arritur në 4 numri i minatorëve të larguar nga puna. Mbi 20 të tjerë janë kërcënuar drejtpërdrejt me të njëjtën masë. Qindra më shumë ndihen të rrezikuar nga hakmarrja e paligjshme dhe e padenjë e Albchrome-it dhe pronarit të saj”, thuhet në një njoftim të sindikatës shpërndarë për mediat. “Kërkesat tona si ndaj kompanisë, por edhe ndaj sindikatës së vjetër kanë qenë vetëm për kushte më të mira puna. Rritje page, pasi kemi thuajse 9 vite që rrogat tona nuk janë rritur një qindarkë, por pas 2013-s kemi pasur edhe një ulje prej 30-40 mijë lekë të vjetra. Normat janë rritur, dyfish nga sa kanë qenë. Në këto kushte ne na erdhi laku në fyt. Sindikata e vjetër dhe kompania nuk i duan njerëzit e drejtë, se ju prishin punë” shprehet Duriçi.

Pas grevës një javore, kompania thirri në Tiranë në zyrat qendrore të kompanisë disa prej themeluesëve të sindikatës. Motivacionet e shkarkimit të tre anëtarëve të këshillit sindikal të SMBB, kanë qenë që nga mungesat ‘pa arsye’ në vendin e punës gjatë ditës së protestave, por edhe ‘shkelja e disiplinës në vendin e punës’. Behar Gjimi, njëri prej katër minatorëve të shkarkuar nga puna dhe pjesë e këshillit sindikal të SMBB, tregon se motivacioni i dhënë nga kompania për mungesa në vendin e punës nuk qëndron.  “Kompania ka nxjerrë në total, që prej janarit të vitit 2019 shtatë mungesa. Unë tre mungesa i kam bërë gjatë ditëve të grevës, ku aty kanë qenë 300-400 punëtorë që kanë lënë punën. Ndëshkimin e kemi marrë ne që kemi qenë themelues të sindikatës dhe jemi pjesë e Këshillit Sindikal. Ne jemi në qendër të sulmeve. Unë në total nga janari 2019 kam 13 ditë punë më shumë, që po t’i heqësh 7 mungesat që kompania deklaron, më rezultojnë pesë ditë punë më shumë. Këtu jemi në diktaturë moderne”, tha Gjimi. Katër minatorët e shkarkuar nga puna janë të vetmit që kanë një pagë në familjet e tyre. “Unë kam dy çunat në shkollë të lartë, shpinë e mbaj me këtë rrogë. Kam një jetë që punoj në këtë minierë. Këta të heqin bukën e gojës nëse ti guxon të folësh dhe të kërkosh të drejtat tuaja” tregon Gjimi. Katër minatorët deklarojnë se do t’i drejtohen edhe gjykatës për shkarkimin, siç e konsiderojnë ata ‘të paligjshëm’, por me pak besim se do të gjejnë drejtësi në Shqipëri. Kompania mori në pyetje edhe 20 anëtarë të tjerë të sindikatës dhe u paralajmëruan për pushim nga puna.  

Argumenti i numrave

Kompania Albchrome në të gjitha qëndrimet publike që ka mbajtur për protestën e minatorëve të Bulqizës, ka mohuar që shkarkimet nga puna të katër minatorëve kanë ardhur si shkak i veprimtarisë sindikale. Grupi Balfin, në një deklaratë për mediat deklaron se për themelimin e kësaj sindikate është njohur zyrtarisht më 16 dhjetor 2019. “Katër prej tyre pasi janë paralajmëruar disa herë për shkeljet e vazhdueshme të kontratës së punës dhe rregullores së brendshme të kompanisë, janë shkarkuar nga puna për vazhdimin e përsëritur të shkeljeve në fjalë, si mungesa të pajustifikuara në vendin e punës”, thuhet një njoftimin për mediat të kompanisë. Gjithashtu Albchrome deklaroi se pjesë e kësaj sindikate janë vetëm 21 punonjës nga 652 që ka kompania. “AlbChrome i trajton punëtorët e saj me normë dhe u jep pagën e 13-të çdo vit. Ky trajtim, është më dinjitozi i mundshëm në krahasim me secilën prej 36 kompanive të tjera të shfrytëzimit të kromit në vend”, thuhet në deklaratën e Balfin. Por për kreun e sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi, një gjë e tillë nuk është e vërtetë, pasi sindikata është themeluar konform rregullave dhe ligjeve, duke ndjekur çdo procedurë ligjore. “Sa për numrin e anëtarëve nuk është aspak e vërtetë dhe dezinformim. Sindikata ka 39 punëtorë themelues, 21 anëtarë të Këshillit Sindikal dhe 320 anëtarë deri më sot që flasim. Duke qenë sindikata që ka numrin më të lartë të anëtarëve në kompaninë Albchrome. Sindikata i ka nisur në rrugë ligjore të gjitha formularët e anëtarësimit, të noterizuara”, shprehet Debreshi. Pas deklaratës së Albchrome, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës deklaroi se e ka lajmëruar zyrtarisht kompaninë për themelimin e sindikatës që prej datës 24 nëntor 2019-të dhe gjithashtu më herët edhe në njoftimet publike me anë të medias. Albchrome bën me dije se që prej vitit 2013 ka investuar në Minierën e Bulqizës 40 milionë USD në projekte që do të rrisin jetëgjatësinë dhe garantojnë punë të qëndrueshme dhe afatgjatë.

“Sot jam i papunë, vetëm se guxuam që të ngremë zërin për shqetësimet tona dhe të themelojmë një sindikatë. Kjo është diktatura moderne” – Elton Debreshi

Sipas kodit të punës, në rast se në një kompani veprojnë dy sindikata ose më shumë, kontrata kolektive e punës është e detyrueshme të lidhet me sindikatën që provon se ka numrin më të lartë të anëtarëve. Aktualisht në kompaninë Albchrome veprojnë tre sindikata. Kontrata kolektive në fuqi deri në fund të janarit të vitit 2020 është nënshkruar me Federatën Sindikale të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, anëtare e Konfederatës të Sindikatave të Shqipërisë. Por protesta e minatorëve të Bulqizës, ka gjetur kundërshtinë e KSSH dhe këta të fundit kanë mbështetur qëndrimet e kompanisë, për investimet, kushtet e punës dhe trajtimin që ju bëhet punonjësve. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë që drejtohet nga Kol Nikolla, ka sulmuar vazhdimisht protestuesit dhe Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, duke i akuzuar ata si anarkistë dhe pseudomarksistë. “Me kërkesa haxhi-qamiliste, të artikuluara në letra paçavure, të afishuara nëpër mure tualetesh dhe dhoma ç’veshjesh të minatorëve janë fytyra e vërtetë e pseudostudentëve pseudomarksist”, deklarohet në faqen zyrtare të KSSH-së në Facebook. Për Federatën Sindikale të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë me punën sindikale që këta të fundit kanë bërë në Minierën e Kromit në Bulqizë, ka mundur qëtë fitojë disa të drejta për minatorët në vite dhe ka përmirësuar kushtet e punës.

Në mbështetje të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës është shprehur edhe drejtori i Institutit Global të Punës, Dan Gallin. Me anë të një shkrese, Gallin i kërkon kompanisë Albchrome që të ndalojë sulmet ndaj sindikatës së re që është krijuar, pasi këto veprime bien në kundërshtim me ligjet në Shqipëri dhe konventat ndërkombëtare të punës. “Konventat përcaktojnë të drejtën e punëtorëve për t’iu bashkuar lirisht çdo sindikate sipas parapëlqimit të tyre, ose në ato raste ku këto sindikata nuk ekzistojnë, të krijojnë të reja sipas kërkesave të tyre. Punëdhënësit dhe autoritetet publike nuk kanë asnjë rol në këtë proces që përfshin vetëm punëtorët. Përpjekjet nga kompanitë apo nga organizatat e punëdhënësve për të ndërhyrë në organizimin sindikal në ato vende ku janë në fuqi standardet e ILO, janë në shkelje të ligjit”, thuhet në shkresën e drejtorit të Institutit Global të Punës, Dan Gallin. Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës në Kosovë me anë të një komunikate ka dalë në mbështetje të sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. “Puna jonë si minatorë është mjaft e vështirë, andaj sa herë që kërkojmë kushtet më të mira dikush pëson, mirëpo ne minatorët si të bashkuar gjithmonë do të kërkojmë më të mirën për ne”, thuhet në shkresën dërguar SMBB. “Ne kemi marrë një mbështetje të madhe nga sindikatat e Kosovës, si nga Trepça por edhe nga KEK-u. Gjithashtu edhe nga Gjermania dhe vende të tjera të botës. Jemi në një betejë për të drejtat tona, asgjë më shumë”, shprehet Elton Debreshi, kryetar i SMBB.

Pafuqia e shtetit

Pas dhjetë ditë protestash, Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore zhvilloi një takim me punëtorët që po protestonin dhe përfaqësues nga pushteti vendor. Për shkarkimin nga puna të kreut të sindikatës, Elton Debreshi dhe më vonë të përgjegjësit të financave të sindikatës, Beqir Duriçi inspektoriati nisi inspektimin dhe verifikimin. ‘Me premtim’ se kjo çështje do hetohej me imtësi nga Inspektoriati i Punës u ndërpre edhe greva e minatorëve. Më 27 dhjetor ISHPSHSH doli me një raport final të inspektimit, duke deklaruar se nga kompania nuk kishte pasur asnjë shkelje apo ndërhyrje në veprimtarinë sindikale nga kompania. “Ne nuk kemi arritur të provojmë asnjë nga shkeljet e pretenduara nga minatorët, pjesë e SMBB. Ndërsa për dy shkarkimet e fundit, të Behar Gjimit dhe Ali Gjetës do të nisim një inspektim tjetër” shprehet Roland Kurti, drejtori rajonal për ISHPSHSH Dibër.

Pas raportit përfundimtar nga Inspektoriati i Punës, në një qëndrim publik, Albchrome do t’i konsideronte veprimet e ndërmarra nga Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, si një përpjekja 3 javore për të destabilizuar veprimtarinë minerare në Minierën e Kromit Bulqizë. “Pas Kontrolleve të imtësishme edhe nga Inspektoriati i Punës, nuk u zbulua asnjë shkelje minimale”, thuhet në reagimin e kompanisë Albchrome. Por për Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, raporti nga Inspektoriati Shtetërorë i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore është gjysmak dhe i njëanshëm për kompaninë. “Ky institucion duhet të hetonte me imtësi shkeljet e Kodit të Punës, kontratave të punës dhe diskriminimin për shkak të organizimit sindikal prej kompanisë Albchrome. Në vend që të zbatonte ligjin, Inspektorati ka zgjedhur të raportojë qëndrimet e paligjshme dhe të padrejta të kompanisë Albchrome”, thuhet në reagimin e SMBB. Për protestën e minatorëve u proceduan penalisht nga Policia 7 persona, nga këta 6 minatorë dhe një aktivist i Organizatës Politike, të akuzuar si organizatorë dhe pjesëmarrës në tubime të paligjshme. Por në javën e parë të janarit, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër i pushoi hetimet.