NË EMËR TË PROGRESIVIZMIT
Kur qytetet e mëdha vendosin të ndahen

Në shumicën e vendeve perëndimore, qytetarët dhe menaxherët e zonave metropolitane nuk janë të kënaqur. Ithtarë të progresivizmit, të hapjes dhe të inovacionit, ata nuk e pëlqejnë rrugën e zgjedhur nga pjesa tjetër e vendit, nga qytetet e vogla dhe fshatrat ku po fuqizohet e djathta ekstreme dhe "popullizmi". Andaj edhe kanë filluar të bashkohen për t’ju përgjigjur kësaj qasje.

2281

Për ta fituar postin e kryetarit të një qyteti të madh francez në vitin 2020, çdo kandidat serioz duhet të respektoj disa rregulla. Për shembull, duhet të angazhohet se do të mbjellë pemë. Në Paris, znj.Anne Hidalgo propozon të mbjellë 170.000 pemë brenda gjashtë vitesh, konkurrenti i saj Cédric Villani i cili në korrik 2019 ka qenë animator i “Natës së pemëve” (“Nuit des arbres”) në Fondacionin Cartier, e mbështet një projekt të gjerë të shëtitoreve të mbjellura me pemë. Në Marseille, Martine Vassal, kandidatja e Republikanëve/Les Républicains (LR), propozon të mbillen po aq pemë sa lindin fëmijë, përafërsisht 70.000 nëse banorët e Marseille ruajnë nivelin e fekonditetit të mandatit të kaluar. Pra, kjo të thotë tri herë më shumë se propozimi i konkurrentes së saj socialiste, senatorja Samia Ghali. Në Lille, kandidatët garojnë për “pyje urbane” dhe “sheshe të gjelbërta”.

Por nuk mjafton dashuria për kopshtari. Duhet premtuar gjithashtu ndërtime të gjelbërta, duhet inkurajuar përdorimin e bicikletave dhe carpoolingut, të mbështetet kultura, të favorizohet tranzicioni energjetik, të zhvillohet atraktiviteti i qytetit, si dhe të shërbehet ushqim bio në menzet shkollore. Në programe politike duhet të futen fjalët si “inovacion”, “transparencë”, “demokraci pjesëmarrëse” dhe sa më shpesh mbiemri “i qëndrueshëm”: zhvillim i qëndrueshëm, qytet i qëndrueshëm, territor i qëndrueshëm, turizëm i qëndrueshëm, ndërtim i qëndrueshëm etj.

Të gjithë kandidatët  përdorin fjalë të njëjta, formula të njëjta, ide të njëjta: si duket ata i përpilojnë programet e tyre duke e shfletuar katalogun e praktikave të mira i cili vlen për të gjithë qytetet, madje edhe për të gjitha shtetet, pasi që ofertat komunale ndryshojnë pak në Seattle, Montreal ose Berlin. Thuajse politikat lokale reduktohen në një seri reagimesh pragmatike, apo zgjidhje të arsyeshme për problemet konkrete.

“Derisa kombet flasin, qytetet veprojnë”, thoshtevazhdimisht z.Michael Bloomberg gjatë mandatit të tij si kryebashkiak i New-York-ut (2002-2013), si dhe kur e kryesonte Cities Climate Leadership Group (C40), një forum i fuqishëm që bashkon 94 qytetet më të mëdha të botës në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Tani, kjo formulë është përhapur mjaft. Shumë vendimmarrës urban mendojnë se shtetet, të përfshira në konflikte ideologjike, nuk mund të veprojnë në mënyrë efikase, e se atëherë duhet që qytetet të bashkohen për t’i kompensuar këto zbrazëtira. Ky parim paraqitet në mënyrë të qartë në literaturën profesionale të urbanizmit dhe përbën bazamentin e “diplomacisë së qyteteve”. Kjo doktrinë i ka ngulitur rrënjet në binjakëzimet franko-gjermane të pajtimit pas Luftës së Dytë Botërore, por tanimë ajo frymëzon shumë koalicione, forume, rrjete qytetesh në tërë botën. Numri dhe ndikimi i tyre janë rritur vazhdimisht për tridhjetë vjet. Në vitin 1985 ishin 55 sosh, aktualisht numërojmë mbi 200 sosh[1]: C40, por gjithashtu Eurocities, Konventa botërore e kryebashkiakëve për klimën dhe energjinë, Këshilli ndërkombëtar për iniciativat ekologjike lokale (Iclei), Qytetet dhe qeveritë lokale të bashkuara (CGLU), Rrjeti i qyteteve kreative të Organizatës së Kombëve të Bashkuar për arsim, shkencë dhe kulturë (Unesco), Mayors for Peace (“Kryebashkiakët për paqe”), Grupi Qytetet-Shëndet i Organizatës Botërore të Shëndetësisë … “Përsa i përket pabarazisë, imigracionit, shëndetit, sigurisë, qeverisjes, të drejtave të njeriut dhe shumë çështjeve të tjera thelbësore, gjithnjë e më shumë qytete po kalojnë përtej qeverive të tyre kombëtare dhe po organizohen në mes vete për të gjetur zgjidhje”, thotë me ngazëllim Ivo Daalder, politologu dhe ish këshilltari i z.Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë[2].

Këto grupime, që zakonisht pajtohen në mes veti, mbështeten nga Banka Botërore, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe nga shumë organizata të tjera shumëkombëshe. Ikea, Microsoft, Google, Velux si dhe Dell Technologies figuronin në mesin e sponsorëve në Kongresin e fundit botëror të kryebashkiakëve të C40. Këto të fundit përbëjnë një stafetë të fuqishme të besimit metropolitan i cili bashkon autoritetet lokale dhe kompanitë në kultin e inovacionit.. Kështu, sektorit privat aq shumë i pëlqen “diplomacia e qyteteve” sa që vet lanson grupime të tilla, siç janë City Protocol i gjigantit të teknologjisë Cisco apo “100 Resilient Cities Network” të Rockefeller Foundation.

Përveç që favorizojnë reciklimin e kapitalizmit të gjelbërt, rrjetet urbane ndërkombëtare luajnë një rol përcaktues në definimin e “praktikave të mira”, të cilat qarkullojnë pastaj prej qytetit në qytet. Në kuadër të aktiviteteve të tyre diplomatike, ekipet komunale marrin pjesë në kongrese, takime, ekspozita dhe zhvillojnë shumë vizita studimore. Sipas logjikës së showroomit, ato prezantojnë aktivitetet dhe përvojat e tyre, si dhe dëgjojnë homologët e tyre duke bërë të njejtën gjë. Kështu çdo ekip mund të kthehet në vendin e vet me zgjidhje të gatshme. “Shfrytëzimi i praktikave të të tjerëve iu mundëson akterëve të kombinojnë dy qëllime kundërthënëse: të bëjnë diçka të re duke sjellur garanci se praktikat e përdorura kanë sjellë rezultate në vendet e tjera”, sqarojnë Alain Bourdin dhe Joël Idt[3]. C40 krenohet se, në mes të viteve 2012 dhe 2018, ka shtyrë mbi 14.000 aksione konkrete për të luftuar kundër ndryshimeve klimatike. Nën tutelën e C40, Changwon (Kore e Jugut), Tokio dhe New York kanë ndarë teknikat e tyre inovative të mbulesës së pullazëve për t’i pasqyruar rrezet e diellit dhe për t’i ftohur ndërtesat. Barcelona, Singapori, Aucklandi (Zelandë e Re) dhe Varshava kanë këmbyer njohurinë e tyre mbi elektrifikimin e autobusëve. Qytete shumë të avancuara në një fushë (Parisi për metro, Kopenhaga për biçikleta) kanë sjellur mbështetjen e tyre teknike për qytetet e tjera me më pak përvojë.

C40 organizon çdo vjet C40 Bloomberg Philanthropies Awards për t’i shpërblyer idetë më të mira. Në ceremoninë e vitit 2019 janë dalluar “korridoret e gjelbërta” të Medellinit (Kolombi), panelet diellore të Seulit, programi mbështetës për energjitë e gjelbërta të San Francisko-së, autobusët elektrik të Kantonit… “Këto projekte meritojnë të shqyrtohen nga kryebashkiakët dhe udhëheqësit e qyteteve në tërë botën”, deklaroi kryetarja e C40, znj.Hidalgo, gjatë ceremonisë së çmimeve. Shpërblime të tilla janë mjete të zgjedhura për qytetet që dëshirojnë të përforcojnë statusin e tyre ndërkombëtar. Nuk mungon oferta: çdo rrjet, çdo revistë, çdo nivel i qeverisjes përzgjedh shembujt më të mirë. Çdo vjet Komisioni Evropian shpërblen “kryeqytetin evropian” (i gelbërt, i kulturës, i rinisë si dhe i inovacionit) dhe shpërndan Access City Awards (për të shpërblyer kujdesin ndaj personave të moshuar apo ndaj të hendikepuarëve). Në Francë, ministria e ekonomisë jep labelin “French Tech”, për të krijuar “Tech Champions” që do të tërheqin investitorët e huaj.

Qytetet që shpërblehen me ndonjë çmim janë të sigurt se do të kremtohen në shtypin e specializuar. Disa herë fitojnë statutin e modelit: Emri i qytetit do të mbetet i asocuar me praktikat e virtytshme, të imituara – apo më shpesh të kopjuara – gjithandej nëpër botë. Do të bëhen “trendsetting city”[4], qytetet që definojnë trendin. Porto Alegre me buxhetin pjesëmarrës, Singapori me sistemin e tarifave urbane, Bilbao me strategjinë e regjenerimit ekonomik nga kultura (i famshmi “efekt Guggenheim”), Hamburgu me menaxhimin e riskut të përmbytjeve, Seattle me fidanishten e start-upeve, Londra me menaxhimin e mega-ngjarjeve sportive, Vankuveri me modelin e zhvillimit të qëndrueshëm …

Çdo metropol ëndërron të bëhet model, sepse siç e thekson Yves Viltard, njëri nga specialistët e rrallë francez të diplomacisë urbane, lufta ekonomike ndërmjet qyteteve të mëdha “shoqërohet me një garë përmes prodhimit të markës tërheqëse, të ‘brandingut’[5]”. Pjesëmarrja në forume si C40 është një mënyrë e shkëlqyeshme për ta përmirësuar imazhin dhe për ta rritur famën e markës, kusht sine qua non për të pasur sukses në konkurrencën urbane dhe për të tërhequr investitorë, ndërmarrje, punëtorë të diplomuar, studentë, ose për të qenë nikoqirë të ngjarjeve të mëdha që gjenerojnë të hyra ekonomike. “Janë pesëdhjetë, ndoshta njëqind qytete që e përbëjnë motorin intelektual, kulturor dhe ekonomik të botës, ka përmbledhur Z. Rahm Emanuel, kryebashkiak i Çikago prej vitit 2011 deri në 2019. Të gjithë punojmë në lidhje me gjërat e njëjta, sepse i kemi mundësitë e njëjta. Duhet t’i bëjmë qytetet tona më kompetitive. Punësimet dhe ndërmarrjet [që duam t’i tërheqim] nuk janë vetëm globale, ato janë edhe mobile[6].”

Për t’iu lënë përshtypje investitorëve, ekipet komunale kërkojnë këshilla në kabinetet urbane, një sektor me zhvillim të hovshëm. Me anë të një fjalori të standardizuar, konsulentët iu ndihmojnë të plotësojnë dosje për aplikim me çmime dhe labela të ndryshme, si dhe formularë të komplikuar për subvencione pranë fondacioneve filantropike që financojnë projekte inovative urbane. Ata shpikin logo që bijnë në sy dhe sllogane që mbahen në mend, sipas mundësisë në anglisht (‘Only Lyon’, ‘So Toulouse’, ‘My Rodez’), të cilat do të figurojnë në të gjitha mjetet e komunikimit ose do të afishohen gjatë eventeve të mëdha. Gara urbane i fut qytetet në një logjikë të benchmarkingut[7], një “garë pa finish” ku secili mundohet të tregohet më inovator, më modern, më në trend, pavarësisht nga niveli (kombëtar, kontinental ose botëror) ku konkurron. Pra, Aix-en-Provence paraqitet te investitorët sikur të ishte San Francisko: “Qyteti i piktorit të famshëm Paul Cézanne ka ditur të përshtatet për të qenë sot i labelizuar French Tech dhe të ofrojë një ekosistem atraktiv për bartësit e projekteve dhe themeluesve të kompanive (…). Aix-en-Provence, qytet inteligjent, i konektuar, i kthyer me vendosmëri drejt inovacionit digjital dhe ndërkombëtar. Ky është një qytet modern, kosmopolit, kulturor, dinamik, i hapur ndaj botës”, pohonme krekosje një broshurë e departamentit “Atraktivitet dhe bashkëpunim ndërkombëtar” të këshillit komunal.

Edhe pse janë konkurrente, metropolet megjithatë dijnë të bashkohen për t’i mbrojtur interesat dhe dijnë ta përdorin diplomacinë e qyteteve me qëllime lobimi. Misioni i rrjetit Eurocities është “t’i influencojë politikat evropiane për t’u siguruar se do të merret parasysh opinioni i qyteteve të mëdha gjatë përpilimit të politikave”. CGLU lavdërohet se ushtron “lobing politik” në Bruksel – si dhe në Bankën Botërore dhe në OKB – për të arritur në “krijimin e një fondi evropian për ‘diplomacinë e qyteteve’”. Iclei e përqendron presionin në Grupin e ekspertëve ndërqeveritar për zhvillimet klimatike (GIEC) për t’i shtyer ta theksojnë edhe më shumë pozitën qendrore që qytetet duhet ta kenë në luftën kundër ngrohjes klimatike. C40 ka krijuar në vitin 2017 shoqatën Urban20 që mundohet t’i bëjë presion ministrave pjesëmarrës në bisedimet e samiteve të G20 [8].

Anti-populizmi

Po formohet pra një qark vicioz. Duke i koncentruar pasuritë dhe aktivitetet me vlerë të shtuar të lartë në metropole, globalizimi ua ka rritur peshën ekonomike, politike dhe kulturore. Këto metropole, të përballura me probleme të njëjta, me popullsi të njëjtë të pasur dhe të diplomuar, kanë filluar të duken njësoj. Në New York dhe Pekin do të gjeni të njejtët rrokaqiej, të njëjtat qendra tregtare të sanitizuara, të njëjtit “cluster kreativ”. Të bashkuar për të mbrojtur interesin e përbashkët, ato ndikojnë tani në qendrat vendimmarrëse, prej Bankës Botërore deri në Komisionin Evropian, si dhe orientojnë kështu politikat publike në dobi të tyre, duke theksuar një model të zhvillimit hapësinor jo të barabartë, që lë anash fshatrat dhe komunat e vogla.

Ky hendek në mes territoreve, edhe pse ka ekzistuar më parë, rrallëherë ka qenë aq i thellë. Kur disa bëjnë ndërtesa me fasada bimore dhe elektrizojnë autobusët, të tjerët kanë frikë se banesat e tyre do të mbeten të braktisura për shkak të mungesës së banorëve dhe menaxhojnë rrjete të autobusëve me orare jo të përshtatshme, të cilat nuk qarkullojnë në mbrëmje, as në festat zyrtare, apo edhe gjatë fundjaveve… Kjo çarje, që ekziston në shumicën e vendeve perëndimore, është zgjeruar shumë prej krizës së vitit 2008. Në Francë, produkti i brendshëm bruto për kokë banori në zonën e Parisit u rrit për 3% midis viteve 2008 dhe 2016; përderisa ka ngecur në pjesën tjetër të vendit. Në SHBA, gjatë periudhës së njëjtë, niveli i punësimit në zonat metropolitane është rritur për 4.8%, kurse në zonat jometropolitane ka rënë për 2.4%. Dallimi është edhe më i madh në Mbretërinë e Bashkuar, ku vetëm metropoli i Londrës ka thithur 70 % të punësimeve të reja në vend prej vitit 2008[9]. Për Parisin, New Yorkun, Londrën ose Amsterdamin dhe Toronton, kriza ka qenë vetëm një episod kalimtar: pas dhjetë viteve, punësimi është në gjendje të mirë, patundshmëria ka arritur nivele të larta, investimet po shtohen dhe  klasat e larta nuk kanë qenë kurrë më të koncentruara.

Në anën tjetër, territoret me më pak popullsi dhe më të varfëra, po vazhdojnë t’i vuajnë efektet e recesionit. Janë të bllokuar në një ingranazh, ku zhdukja e punësimit në industri apo e punëtorëve të kualifikuar ka shkaktuar një rënie demografike, e cila pastaj ka shkaktuar uljen e çmimeve të patundshmërisë dhe një krizë në financat lokale. Më pak banorë, më pak vende të punës, banesa më të lira, kjo do të thotë gjithashtu më pak të hyra për kolektivitetet lokale, gjë që ndikon në ofertën e shërbimeve publike, në mirëmbajtjen e infrastrukturave… Këto territore pra bëhen edhe më pak tërheqëse, popullata e tyre vazhdon të largohet…e kështu me radhë.

Në këto zona janë më të pranishme partitë e ekstremit të djathtë dhe më gjerësisht partitë e ashtuquajtura ‘populliste’ – partitë që e kontestojnë globalizimin dhe lëvizjen e lirë të mallërave dhe njerëzve. Në zgjedhjet presidenciale në SH.B.A. në vitin 2016, z.Donald Trump fitoi në qarqet me rritjen më të ulët të të ardhurave, ku numri i popullsisë ishte në rënie dhe ku vdekshmëria ishte në rritje. Në Francë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, Partia “Rassemblement national” e Marine LePen dhe ithtarët e Brexit-it fituan rezultatet më të mira në vendet më të prekura nga ulja e çmimeve të patundshmërisë[10]. Nga ana tjetër, partitë që deklarohen “progresive” – ithtare të tregut të lirë, të kapitalizmit të gjelbër, të hapjes dhe inovacionit – mbledhin shumicën e votave të tyre në metropole. Në vitin 2016, në SHBA, kandidatja demokrate Hillary Clinton ka fituar në 88 prej 100 qarqeve më popullsi më të dendur (aty ku gjinden qytetet e mëdha), duke i lënë shumë pak hapësirë kundështarit të saj, si në Washington, ku vetëm 4 % e elektoratit votoi për z.Trump.

Situata është e ngjashme në Hungari, ku në krye të Budapestit prej muajit tetor 2019 është një ambientalist, kundërshtar i ashpër i Kryeministrit Viktor Orbán. Në Republikën Çeke, në nëntor 2018 është zgjedhur kryebashkiak i Pragës një anëtar i Partisë pirate, i cili dëshiron të mbjell një million pemë brenda tetë viteve dhe mbron refugjatët, ndryshe nga Kryeministri Andrej Babiš i cili denoncon “imigrimin e qëndrimit” në Evropë. Vitin e kaluar Stambolli, i cili para njëzet e pesë vitesh shërbeu për ngritjen e kryetarit islamo-konservator Recep Tayyip Erdogan, ka rënë në duart e një partie opozitare laike dhe socialdemokrate. “Është mobilizuar në mënyrë aktive koalicioni i qytetarëve të sekularizuar, të qendrave të biznesit, të rinisë, të grave dhe të minoriteteve.(…) Turq, kurdët, uzbekët ndajnë trotoaret me senegalezët, katarianët dhe sirianët. Banorët e Stambollit të gjeneratës së shtatë jetojnë tani në qytet me emigrantët, me azilantët dhe me refugjatët. Këta qytetarë të shumtë që ndajnë hapësirën e njëjtë, madje jetën e njëjtë, janë të lidhur nga një urbanitet i përbashkët”, shkruante me admirim Washington Posti, pronë e z.Jeff Bezos, patroni i Amazonit.

Ky vizion i hareshëm është përhapur gjerësisht gjatë dekadës së kaluar. “Vlerat e New York, sikurse vlerat e qyteteve të tjera të mëdha botërore, janë vlera të optimizmit, të diversitetit dhe të qëndrueshmërisë. Në këto vlera do të duhej të aspironte secili prej nesh”, thekson The Guardian (31 tetor 2016). Forumi Ekonomik Botëror i Davosit sheh te metropolet një “antidot ndaj popullizmit”: “Shumica e qyteteve të botës ribëjnë politikën, ekonominë, aksionin ambientalist duke u nisur nga qytetarët. Ndërtojnë për shumicën një vizion pozitiv dhe gjithpërfshirës të së ardhmes, kurse udhëheqësit nacionalistë përhapin frikë, mbyllin kufijtë dhe ndërtojnë mure”. Duke konstatuar sec”popullata urbane dhe popullata rurale janë edhe më të ndara kur është fjala për vlerat dhe prioritetet”, simposiumi i milionerëve fton metropolet të organizohen dhe ta forcojnë “diplomacinë e tyre urbane”[11].Ivo Daalder, ish këshilltar i z.Obama, madje propozon krijimin e “mini-ambasadave” që do të krijoheshin në vendet me interesa të rëndësishme, për t’i kapërcyer bllokimet e mundshme nga qeveritë. São Paulo, Londër dhe Toronto kanë provuar përvoja të tilla, por kanë ngjallur hidhërimin e qytetarëve të cilët i konsideronin si shpenzim i panevojshëm të parasë publike. “Partneriteti publiko-privat mund të jetë një zgjidhje”, propozon strategu.

Disa qytete kanë filluar të organizojnë kryqëzata kundër popullizmit. Në Evropë Lindore, kryebashkiakët e Pragës, Bratislavës, Varshavës dhe Budapestit kanë nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar një “Pakt të qyteteve të lira”. I sfidojnë qeveritë e tyre, të cilat i akuzojnë se përhapin “llojin e nacionalizmit ksenofob që e ka zhytur Evropën dy herë në luftë në shekullin e kaluar”: “Nuk kapemi për një koncept të prapambetur të nocioneve të sovranitetit dhe të identitetit, por i besojmë shoqërisë së hapur, të bazuar në vlerat e çmuara të përbashkëta të lirisë, dinjitetit njerëzor, demokracisë, qëndrueshmërisë, barazisë, shtetit të së drejtës, të drejtësisë sociale, tolerancës dhe diversitetit kulturor”, thojnëkatër të zgjedhurit dhe inkurajojnë qytetet të “bashkëpunojnë duke bashkuar burimet, si dhe duke shkëmbyer idetë”.

Në SHBA gjithashtu, metropolet paraqiten si kundërshtarët e parë të Presidentit. Në janar 2017, sapo ishte vendosur z.Trump në Shtëpinë e Bardhë, kryebashkiakët e San Franciskos, Los Anxhelosit, Seattlit, Bostonit, New Yorkut, Uashingtonit, Detroitit si dhe të Çikagos lajmëruan se nuk do të aplikojnë dekretet e tij për forcimin e luftës kundër imigrimit klandestin. Kryebashkiaku i Bostonit denonconte legjislacionin “destruktiv” dhe “antiamerikan”, “sulmin ndaj qytetarëve të Bostonit, fuqisë së Bostonit dhe vlerës së Bostonit”. “Qyteti jonë dhe vlerat tona nuk do të ndryshojnë me zgjedhje (…). Nuk jemi agjentë të qeverisë federale”, theksonte homologu i tij i Uashingtonit[12]. Pas disa muajve kur u vu përpara çështja e mjedisit, disa metropole deklaruan se ishin të vendosura ta respektojnë marrëveshjen e Parisit për klimën, edhe pse z.Trump kishte vendosur të tërhiqej.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Brexiti e ndezi situatën. Pas përfundimit të referendumit në qershor 2016, qarkulloi një peticion për ta kërkuar pavarësinë e Londrës. Për disa javë u mblodhën 180.000 nënshkrime. Edhe pse nuk kërkonte shkëputjen e kryeqytetit, kryetari, z.Sadiq Khan, kërkonte të shkëputej nga fati kombëtar. Katër ditë pas rezultateve, ai dhe znj.Hidalgo publikuan një letër të hapur në gazetat ‘Financial Times’ dhe ‘Le Parisien’: “Qytetet tona janë hapësira ku të gjithë, nga kudo që vijnë, mund të ndjehen si në shtëpi. Si kryebashkiakë të Parisit dhe të Londrës, ne jemi të vendosur të bashkëpunojmë më shumë për të ndërtuar aleanca edhe më të forta midis qyteteve në Evropë dhe në mbarë botën. Së bashku, mund të jemi një kundërpeshë e fuqishme ndaj letargjisë së shtet-kombeve dhe ndaj ndikimit të lobistëve. Do ta krijojmë bashkërisht shekullin e ardhshëm”.

Për t’i qetësuar turistët dhe investitorët, z.Khan filloi gjithashtu një fushatë komunikimi rreth hashtagut ‘#LondonIsOpen’ (‘Londra është e hapur’). I mbështetur nga Oda e Tregtisë dhe Industrisë, nga Korporata e qytetit të Londrës, nga shumë think tank dhe shumëkombëshe, ai po kërkon krijimin e një vize pune, që do të jetë e vlefshme vetëm në Londër, si dhe ekstraterritorialitet të kryeqytetit në marrëdhëniet e tij me tregun e përbashkët. Asnjë nga këto kërkesa nuk u realizua, por ky kundërshtim i ashpër i mundësoi z.Khan ta fitojë një status ndërkombëtar të papritur për një krybashkiak: ai tani ndan estradën me ministrat e jashtëm dhe krerët e shteteve (kanadezin Justin Trudeau, argjentinasin Mauricio Macri, francezin Emmanuel Macron…).

Privilegjet

Shtypi i majtë i përshendet me entuziazëm këto rezistenca. Në dosjen e tij “Qytetet e marrin pushtetin” (gjysëmvjetori i parë 2020), revista franceze Regards e konsideron rebelimin e metropoleve amerikane si provë se “ka vend për manovrim për t’i rezistuar politikës represive të presidentit [Trump]”. Por, duke forcuar idenë që metropolet nuk shqetësohen më nga fati i pjesës tjetër të vendit, ato kontribuojnë në zgjerimin e ndarjeve territoriale. Ato marrin pjesë gjithashtu në shndërrimin e ndarjeve socio-gjeografike në konflikte “vlerash”, një fjalë kjo që përsëritet vazhdimisht. Vija ndarëse nuk kalon më në mes të territoreve që përfitojnë nga globalizimi, nga tregtia e lirë, ikja e trurit, puna e lirë e imigrantëve, por midis hapësirave të hapura, largëpamëse dhe hapësirave të mbyllura, duke iu përmbajtur traditave të tyre.

Benjamin Barber, analist politik i famshëm dhe ish-këshilltar i presidentit William Klinton, ka publikuar një libër me titull Sikur kryebashkiakët ta qeverisnin botën[13]. Ky libër është pëlqyer shumë nga vendimmarrësit dhe autori është ftuar në shumë takime, konferenca… Autori jep një tipologji që ilustron në mënyrë karikaturale mënyrën se si elitat urbane i perceptojnë bashkëqytetarët e tyre. Për metropolet dhe qytetet e mëdha, Barber bashkëngjet termet “hapur”, “kreativ”, “kosmopolit”, “mobil”, “ndyshueshëm”, “e ardhmja”, “inovacion”, “sekular”, “progresiv”, “liri”, “sofistikuar”, “biznis”. Për t’i kualifikuar fshatrat dhe amerikën rurale, ai përdor fjalët “mbyllur”, “konvencional”, “famulltar”, “palëvizshëm”, “stabil”, “kaluar”, “përsëritje”, “fetar”, “konservator”, “traditë”, “thjeshtësi”, “autonomi”.

Përtej klisheve, profesori i shkencave politike Lawrence R. Jacobs ka tentuar ta kuptojë këtë çarje duke anketuar në Minnesota ku ai ligjëron dhe ku z.Trump ka fituar gati në njëzet qarqe që patën votuar për z.Obama në vitin 2008 dhe në vitin 2012[14]. Si faktor ndarës, ai e vendos në rend të parë dallimin e madh në mes pagave në Minneapolis dhe në pjesën tjetër të Minnesota. Në vitin 2017, metropoli ka vendosur ta ngrit progresivisht pagën minimale në vlerën 15 dollarë për orë, një masë kjo e cila shpesh merret në qytetet e mëdha për t’i mundësuar punëtorëve të thjeshtë të paguajnë qiratë kur rriten çmimët e banesave. Tjetërkund në Minnesota, paga minimale arrin vlerën 10 dollarë në kompanitë e mëdha dhe 8.15 dollarë në kompanitë e vogla, për ata qytetarë që kanë punë. Sipas punëtorëve që  takoi hulumtuesi, një dallim i tillë është përjashtim. “Gjithandej [në Minneapolis] ka vinça dhe panele ‘Kërkojmë punëtorë’ që paguhen së paku 15 dollar në orë”, thotë një banor i një komune të vogël ku do të duhej të kishte nevojë për punime.

Jacobs thekson gjithashtu se diskursi, retorika dhe konceptet e përdorura nga kampi progresiv i Minneapolisit, të kalibruara për t’u pëlqyer klasave të larta urbane, nuk janë në fazë me qytetarët tjerë të shetit. Ai e citon sidomos nocionin e “privilegjit të bardhë”, që përdoret shpesh në fakultetet e shkencave sociale dhe përdoret vazhdimisht – me vend e pa vend –  nga të përzgjedhurit e Minneapolisit dhe nga aktivistët demokratë lokalë (pas të shtënave në një stacion policie, në lidhje me banorët që luftojnë për mbrojtjen e hapësirave të gjelbërta…). Disa nga qarqet më të varfëra në Minesota kanë deri 95% popullsi të bardhë. Të dënuar me paga të ulëta dhe pasiguri, banorët e këtyre qarqeve nuk ndjehen aspak të privilegjuar, veçanërisht kur e shikojnë Minneapolisin. Më shumë se për “privilegje të bardhë”, ata preferojnë të flasin për “privilegje metropolitane” që asociohen në mënyrë indiferente me pakicat etnike dhe me punëtorët me jakë të bardhë, që qëndrojnë ulur në tavolinat e tyre për ta fituar jetesën[15].

Qytetet e mëdha dhe vendimmarrësit e tyre vazhdojnë gjithnjë e më shumë të komunikojnë  me homologët e tyre në të gjithë botën, por janë të ç’kyqur nga një pjesë e vendit të tyre. Diskursi i tyre njëtrajtësisht inovator, i hapur, i qëndrueshëm, kreativ dhe inteligjent vështirë e fsheh thithjen e pashembullt të pasurisë me të cilën operojnë. Çështja është se a janë ata më të kualifikuarit për ta propozuar një “antidot të popullizmit”?


[1] Michele Acuto dhe Simon Curtis, « The foreign policy of cities », The RUSI Journal, vol. 163, n° 6, Londër, dhjetor 2018.

[2] Ivo Daalder, « Why cities need their own foreign policy », Politico, 6 qershor 2017, www.politico.com

[3] Alain Bourdin et Joël Idt, Urbanizmi i modeleve. Referenca, benchmarking dhe praktikat e mira, Éditions de l’Aube, coll. « Bibliothèque des territoires », La Tour-d’Aigues, 2016.

[4] Vincent Béal, « “Trendsetting cities” : modelet në kohën e politikave urbane neoliberale », Métropolitiques, 30 qershor 2014, www.metropolitiques.eu

[5] Yves Viltard, « Diplomaci të qyteteve: kolektivitete territoriale dhe marrëdhënje ndërkombëtare», Politique étrangère, n° 3, Paris, vjeshtë 2010.

[6] Cituar në Ronald Brownstein, « The growing gap between town and country », The Atlantic, Washington, DC, 22 shtator2016.

[7] Lexo Isabelle Bruno dhe Emmanuel Didier, « Vlerësime, armë e shkatërrimit», Le Monde diplomatique, maj 2013.

[8] Michele Acuto, « Give cities a seat at the top table », Nature, vol. 537, n° 7622, Londër, 28 shtator 2016.

[9] Cf. Roberto Stefan Foa et Jonathan Wilmot, « The West has a resentment epidemic », Foreign Policy, Washington, DC, 18 shtator2019 ; Thomas B. Edsall, « Reaching out the voters the left left behind », The New York Times, 13 avril 2017.

[10] David Adler dhe Ben Ansell, « Housing and populism », West European Politics, vol. 43, n° 2, Abingdon-on-Thames (Mbretëri e Bashkuar), qershor 2019.

[11] Cf. Robert Muggah et Misha Glenny, « Populism is poison. Plural cities are the antidote », Forum ekonomik botëror, Davos, 4 janar 2017, www.weforum.org

[12] Cituar në Nicolas Maisetti, « Le Retour des villes dissidentes »,raport për ministrinë e tranzicionit ekologjik dhe solidar, Paris, tetor 2018.

[13] Benjamin Barber, If Mayors Ruled the World : Dysfunctional Nations, Rising Cities, Yale University Press, New Haven, 2014.

[14] Lawrence R. Jacobs, « Minnesota’s urban-rural divide is no lie », Star Tribune, Minneapolis, 26 korrik 2019.

[15] Mbi rastin e Wisconsin, cf. Katherine J. Cramer, « For years, I’ve been watching anti-elite fury build in Wisconsin. Then came Trump », Vox,16 novembre 2016, www.voxmedia.com