KOSOVA E SHQIPËRIA MIDIS LIRISË SË SHPREHJES DHE LIRISË SË BESIMIT
Midis identitarizimit të fesë dhe fetarizimit të identitetit

Shoqëritë shqiptare në rajon janë pjesë përbërëse e debateve globale mbi marrëdhënien e religjioneve me shtetin, laicitetin dhe liritë e shprehjes dhe besimit. Si gjetiu, edhe në Kosovë dhe Shqipëri, në inxhinieringun identitar dhe instrumentalizimin politik lidhur me këto tema, stisja vjen në shprehje sa herë që diskutohet për elementin Islam.

1610

Reagimet e shumta kundër Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Francë pasi që shpërndau në Twitter një artikull gazete që satirizon profetin Muhamed, prejardhja shqiptare e njërit nga protagonistës e sulmit terrorist në Vjenë, apo edhe debati që ngjalli deklarata e z.Jakup Krasniqit se nuk është “as mysliman as katolik, por shqiptar”, kanë rishfaqur diskutime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri, jo rrallëherë edhe jotolerante, mbi marrëdhënien e religjoneve me shtetin, kombin dhe shoqërinë. E tëra në një shoqëri shumëfetare që mburret me një traditë të tolerancës ndërfetare dhe me një histori të mbivendosjes së rëndësisë të përkatësisë kombëtare ndaj atyre fetare. Se çfarë nënkuptojnë sot këto zhvillime të sotme shoqërore, bashkëbiseduam me studiuesin nga Shqipëria, Besnik Sinani; si dhe me sociologun nga Kosova, Ardian Gola.

– Shpërndarja e një artikulli satirizues të profetit Muhamed nga ambasadori i Kosovës në Francë, z.Qëndrim Gashi, pas vrasjes makabre të një mësuesi francez për shkak të një ligjërimi mbi lirinë së shprehjes duke iu referuar karikaturave të botuara nga revista “Charlie Hebdo”, ka ngjallur reagime të shumta ndaj tij deri në kërcënim fizik, duke e ringjallur debatin e njohur midis lirisë së shprehjes dhe “ofendimit të ndjenjave fetare”. Ç’do të thotë për ju reagimi i shoqërisë në Kosovë dhe Shqipëri ndaj postimit të z.Gashi? 

Besnik Sinani : Ripostimi prej z. Gashi i karikaturave në fjalë përbën një akt të promovimit të intolerancës dhe paragjykimeve edhe ndaj muslimanëve të vendit të tij, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë. Ai pra ka shkelur mbi funksionin e tij primar, të qenit përfaqësues i denjë i popullit të vet. Në këtë kontekst, reagimi i Bashkësisë Islame të Kosovës, e cila kërkoi që Ministria e Jashtme të distancohej, është korrekt. Fatkeqësisht, kërcënimet online për dhunë fizike ndaj z. Gashi përbëjnë jo vetëm sulme ndaj tij, por edhe polarizojnë debatin publik. Ato vërshtirësojnë ekzistencën e një hapësire të ndërmjetme ku mund të jesh njëkohësisht kundër vrasjes së mësuesit në Francë apo kërcënimeve ndaj z. Gashi, si dhe kundër urrejtjes që përfaqësojnë karikaturat që ata kanë promovuar.

Ardian Gola: Unë i kam dilemat e mia lidhur me satirizimet e Charlie Hebdo dhe mungesën brutale të ndjeshmërisë që ajo ka ndaj rrethanave të reja globale ku shoqëri e kultura radikalisht të ndryshme detyrohen të bashkëjetojnë në hapësira gjithnjë e më të ngushta pa kufij. Por, në rastin e ambasadorit Gashi nuk shoh probleme të kësaj natyre. Ai nuk ka shpërndarë satirë, e cila pra është e diskutueshme nga këndvështrimi i ndjeshmërisë multikulturore, por një ngjarje që ka të bëjë me diskutimin e lirisë së shprehjes, pjesë e së cilës madje ka qenë edhe vetë satira e Charlie Hebdo.

Liria e shprehjes sot në Perëndim, për Kosovë mos të flasim, është shndërruar në fetish. Një liri e fetishizuar e humb forcën kritike dhe transformuese të saj. Ajo kthehet kundër vetvetes me pasoja fatale për vetë atë. Prodhon inflacion fjalësh. E fjala e humb peshën e saj, duke u fundosur në valët gjigande të inflacionit që i prodhon qarkullimi i furishëm i saj. Në këtë mënyrë, liria e fjalës nuk mund t’i qëndrojë besnik rrënjëve historike të saj dhe nuk mund të qëndrojë mbi premtimet iluministe, të cilat e kanë mundësuar atë.

Ç’truallizimi

– Në vazhdën e këtij debati, ndodhi edhe sulmi i fundit terorrist në Vjenë, ku pati protagonist me prejardhje nga hapësirat shqipfolëse në Ballkan. Kjo ritkheu edhe diskutimet mbi atë që quhet “radikalizimin islamist” të shoqërive tona i cili sipas kritikëve po e rrezikon imazhin e shqiptarëve në botë. Sa qëndron ky argument?

Besnik Sinani : Në raportet mediatike të gjerëtanishme nuk identifikohet asnjë lidhje operacionale apo ideologjike mes autorit të sulmit, Kujtim Fejzullahut, dhe ndonjë grupi apo bashkësie në trevat shqiptare në Ballkan. Siç është e mirënjohur, ai ishte lindur e rritur në Austri. Duke e tepruar në ‘shqiptarizimin’ e problemit, shqiptarët po marrin mbi vete telashe që vende si Austria kanë me qytetarët e vet. Debatet mbi dëmtimin e “imazhit” janë tregues të retorikave të politikave identitare të shqiptarëve, retorika që janë shpesh në natyrën e tyre provinciale. Në të kundërt, sociologë si Olivier Roy ngulin këmbë se bazuar në studimin e rasteve individuale të militantëve në Europë, shohim një profil të spikatur që është esencialisht i dekulturuar, larg religjiozitetit të familjeve të tyre – kur vinë nga prindër muslimanë – me njohuri të pakta fetare, që përqafojnë forma tipike të kulturës rinore globale. Të dhëna të tilla i bëjnë irrelevante debatet për “turpe kombëtare”.

Ardian Gola

Ardian Gola: Është e kuptueshme që një imazh ndërkombëtar i Kosovës që asocon me ekstremizma të dhunshëm fetar është i dëmshëm. Megjithatë, dëshmitë rreth historikut jetësor të këtyre terroristëve flasin se ata, përpos emrit që bartin dhe lidhjeve familjare potenciale, asgjë tjetër nuk i lidhë me Kosovën. Ngase janë lindur dhe edukuar në shtetet përkatëse. Ne duhet ta kuptojmë se jeta sociale sot zhvillohet në trajta tërësisht të ç’truallëzuara të komunikimit. Komunikimi i ç’truallëzuar mundësohet përmes teknologjisë, e cila i ka zhbërë të gjitha barrierat hapësinore dhe kohore të komunikimit ndërmjet njerëzve përgjatë globit. Të keni një smartfon në dorën tuaj do të thotë që në dorë ta keni globin me tërë atë çfarë ndodh aty; pra edhe predikimet radikale dhe esktremiste, qofshin ato të natyrës fetare, sikurse ato islame, qofshin sekulare, sikurse ato të djathtës ekstreme, neonaziste etj. Prandaj, në kuptim të ruajtjes së imazhit të Kosovës, kjo do të thotë që lufta duhet zhvendosur më shumë në planin diplomatik. Ndërsa në kuptim afatgjatë të neutralizimit të efekteve të këtyre ndikimeve digjitale duhet investuar në edukimin etik, estetik, medial dhe kulturor. E kjo duhet të fillohet me reformimin e arsimit.

– Lufta në Siri rekrutoi edhe shtetas të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të kombësisë shqiptare, duke ngjallur një debat mbi shkallën e sotme të ektremizmit me motive fetare në mesin e shqiptarëve. Megjithatë, pas përfundimit të luftërave atje, sikur pati një rënie të ndikimit të rrymave ekstremiste me motive fetare?

Besnik Sinani : Është normale që ngjarje të reja të tërheqin vëmendjen e publikut. Megjithatë, ka aspekte të pjesëmarrjes së shqiptarëve në luftën në Siri që kërkojnë vëmendjen e mëtejshme të autoriteteve përkatëse, siç është aktiviteti i të kthyerve nga lufta, re-integrimi i tyre në shoqëri, radikalizmi online etj. Por ka edhe problematika të tjera që duhen investiguar mëtej nga mediat dhe shoqëria civile. Për shembull, ka disa indikues që sugjerojnë se autoritetet shtetërore në Kosovë dhe Shqipëri mund të kenë ditur që individë të caktuar ishin nisur për në Siri, dhe i kanë lejuar. Kjo duhet investiguar dhe nëse është e vërtetë, duhet zbuluar arsyeja dhe përgjegjësit. Gjithashtu, në Kosovë pati arrestime të disa imamëve të akuzuar se kishin nxitur rekrutimin e luftëtarëve shqiptarë për në Siri. Megjithatë, në statuset e veta në FB apo edhe në një intervistë me të përditshmen Dita në Tiranë, luftëtari famëkeq i ISIS, Lavdërim Muhaxheri, akuzoi disa prej këtyre imamëve sepse, sipas tij, ata po e pengonin vajtjen e luftëtarëve në Siri. Shumë nga këta imamë u liruan më vonë pa dënim dhe nuk pati asnjë debat publik nëse ishin të pafajshëm, pse u arrestuan, e nëse ishin fajtorë, pse u liruan; ku kishin gabuar organet e sigurisë; a ishte arrestimi një akt i paligjshëm që kërkonte të promovonte artificialisht punën e qeverisë dhe a u shkelën të drejtat ligjore të imamëve? Në Shqipëri u bën një sërë arrestimesh të bujshme të disa të rinjëve muslimanë akuzuar për vendosje bombe në një stadium në një ndeshje me ekipin e Izraelit. Një vit më vonë ata u liruan dhe nuk pati asnjë debat se pse ishin mbajtur një vit të burgosur pa prova inkriminuese kundër tyre?

– Së fundi, reagime pati edhe ndaj deklaratës së z.Jakup Krasniqit në paraqitjen e tij në Dhomat e Specializuara, kur deklaroi se nuk është “as mysliman dhe as katolik, por shqiptar”, sipas formulës së Pashko Vasës “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Jo pak njerëz e kundërshtuan këtë deklaratë duke thënë se përpos shqiptar, ata ndjehen edhe musliman ose katolik. Si e komentoni? 

“Diskutimi për ‘tolerancën fetare’ në ligjërimin publik shqiptar mbart konotacion negativ dhe mirëfilli intolerant” – Besnik Sinani

Besnik Sinani : Z. Krasniqi është akuzuar se gjatë luftës ka kryer krime me motive fetare. Duhet theksuar se, gjatë luftës çlirimtare të popullit multifetar të Kosovës, roli i tij nuk ishte i përcaktuar në bazë të përkatësisë së tij fetare, por asaj etnike, si shqiptar. Deklarata e tij duhet parë më shumë e lidhur me kundërshtimin e akuzës, sesa si kumtim rreth religjiozitetit të tij. Është tërësisht normale që qytetarë të Kosovës të ndihen njëkohësisht shqiptarë, muslimanë, katolikë, ateistë apo çfarëdolloj varieteti identitar.

Ardian Gola : Çështja e identitetit tek shqiptarët është diskutim shumë i ngarkuar dhe deri diku madje edhe i stisur. E ngarkesa vjen pikërisht për shkak të elementit fetar, i cili pashmangshëm ka qenë pjesë e historikut identitar të shqiptarëve, qoftë si forme proaktive, qoftë si reaksion. Ndërsa stisja vjen në shprehje sa herë që diskutohet për elementin Islam. Në argumentet më të zëshme që e dominojnë debatin aktual rreth identitetit, i cili kryesisht zhvillohet rreth çështjes së sekularizmit, elementi islam në mënyrë implicite shtrohet si i huaj, i cili nuk mund të bashkekzistojë me elementet tjera në të njëjtin shtrat identitar të shqiptarëve. Për më tepër, Islami në masë të madhe sot e konstituon ‘tjetrin’, me të cilin sendërtohet imazhi për shtetin e Kosovës si perëndimor dhe evropian.  Nga ana tjetër, maksimat rilindase për identitetin shqiptar si ajo e Pashko Vasës, më shumë janë përdorur si forma të militantizmit nacionalist antifetar sesa nisma të mira për debat më të zgjeruar shoqëror e politik rreth mbijetesës historike të popullit shqiptar. Kjo ka bërë që sa herë të përmendet Pashko Vasa, ngjallet irritim tek masa muslimane veçanërisht. Ndërkohë që rilindasi në fjalë, në këndvështrimin tim, ka një poentë të fuqishme sociologjike veçse të shprehur me gjuhë poetike. Historikisht, shoqëritë njerëzore, kanë mbijetuar duke krijuar shënjues të përbashkët identitarë. Kur është në pyetje mbijetesa si kolektiv, njerëzit bashkohen rreth të përbashkëtave duke ia nënrenditur atyre të veçantat. Identiteti nuk është vetëm çështje sentimenti, sado që ky i fundit është resurs shumë i vyeshëm i përdorimit politik të identitetit. Pashko Vasa nuk flet nga sentimenti identitar, ani pse edhe kjo mund të jetë çështja, sa nga brenga e tij për kanosjen që popullit shqiptar i vjen nga mbivendosja e identitetit fetar, cilido qoftë ai, identitetit kombëtar. Pashko Vasa nuk kërkon që të ndihemi më pak si muslimanë ose të krishterë sesa si shqiptarë – pyetje kjo që aq shumë është bërë përgjatë këtyre tri dekadave, e që si e tillë është sa banale aq edhe e pakuptimtë. Ai ka qenë intelektual shumë më i ngritur sesa ta banalizonte çështjen e intensitetit të sentimentit, qoftë atij fetar, qoftë kombëtar. Se si ndihen njerëzit në brendësinë e tyre, është çështje krejtësisht private dhe subjektive. Ai flet për shqiptarinë si një shënjues i përbashkët i një populli që e banon një hemisferë. Vetëm falë këtij shënjuesi të përbashkët shqiptarët kanë mundur, dhe mund ta parandalojnë, shpërbërjen dhe ta sigurojnë mbijetesën kolektive (cilësimet popull, komb etj. këtu pezullohen) në një mjedis fqinjësh me armiqësi të hapura.

– Sikurse ndërtimi i Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë që interpretohej si përpjekje e politikës së kohës për ta krijuar një imazh të rremë “pro-katolik evropian” të Kosovës, edhe ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Prishtinë me arkitekturën e përzgjedhur, po komentohet si ndikim i “frymës islamo-erdoganiste” në Kosovë që po e shpërfytyron identitetin shqiptar duke i dhënë karakter islamik. Çfarë thonë për ju këto dy debate nga perspektiva sociologjike dhe kulturore? 

“Para se ta kritikojmë përzierjen e fesë në politikë, duhet ta kritikojmë përzierjen e politikës në fe. Kjo e fundit është duke e mundësuar të parën. Duhet mbrojtur fenë nga politika nëse duam ta ruajmë politikën nga feja” – Ardian Gola

Ardian Gola : Kosova pas luftës ka qenë arenë përplasjesh e agjenturave të ndryshme, si dhe fushëbetejë e lojërave politike e gjeostrategjike, të cilat shquhen edhe për krijimin, sforcimin dhe instrumentalizimin e realiteteve identitare. Arkitekturimi fetar i mjediseve të ekspozueshme të hapësirës publike përmes tempujve të shenjtë është shndërruar në garë të çmendur identitare, e cila i ka pezulluar fesë misionin shpirtëror duke ia theksuar fuqishëm komponentën identitare. Mirëpo, ky identitarizim i fesë është pasuar pashmangshëm me fetarizimin e identitetit. E kjo paraqet vetëm njërën prej shumë elementeve të shfytyrimit identitar në Kosovë, krahas forcave sekulariste e liberale, të cilat janë në garë për t’i dhënë fizionominë identitare shoqërisë kosovare sipas standardeve të tyre ideologjke. Nga ana tjetër konsumerizmi kulturor, i cili karakterizohet me indiferencë identitare, është po ashtu pjesë e pashkëputshme e këtij mozaiku. Të gjitha këto kanë prodhuar një realitet të tendosur identitar, në raport me të cilin edhe diskursi kombëtar shqiptar e ndien presionin diskursiv të forcave të tjera në lojë. Deshtëm ose nuk deshtëm, triada konfesionale musliman – katolik – ortodokos është në zemrën e identitetit kombëtar shqiptar. Identiteti kombëtar është ky që është fal dinamikave historike dhe rrugëtimit historik të shqiptarëve. Identiteti është histori. E historia e shqiptarëve është edhe histori e bashkekzistencës, herë paqësore e here konfliktuoze, së këtyre feve. Ekuilibri i kësaj bashkekzistence nuk kanoset nga vetë fetë dhe logjikat e tyre teologjikisht përjashtuese, sa nga mënyra e përdorimit politik të tyre. Dhe kur po flas për përdorim politik, nuk po flas për përdorim të fesë për të ndërtuar dhe përligjur kauza ideopolitike, por për përdorim elektoral dhe për eksportim ndërkombëtar të imazhit të Kosovës si vend (pro)perëndimor. Ky inxhiniering identitar nga politika fillon me ish-presidentin Rugova, i cili e përdorte foton e Papës gjatë paraqitjeve të tij publike në zyrat e tij. Një praktikë e tillë ishte indikator i pastër se lidershipi politik i Kosovës operonte në një klimë të fuqishme (vetë)shantazhi, pasi që Serbia e ka përdorur vazhdimisht kartën e ngjyrosjes islamike të rezistencës shqiptare. Por, ky veprim, sado taktik të ketë qenë, ka prodhuar fustrim tek komuniteti musliman, pasi që Rugova në pozitën presidenciale përfaqësonte edhe ata. Ajo çfarë shohim sot në politizimin e fesë përmes lojërave arkitektonike me tempuj fetarë është vazhdimësi e të njëjtës logjikë politike të trashëguar nga ish-presidenti Rugova. E kjo logjikë e ngulfatë fenë dhe e rrezikon politikën. Prandaj, para se ta kritikojmë përzierjen e fesë në politikë, duhet ta kritikojmë përzierjen e politikës në fe. Kjo e fundit është duke e mundësuar të parën. Duhet mbrojtur fenë nga politika nëse duam ta ruajmë politikën nga feja.

Mungesa e debatit

– Si e komentoni që këto përplasje dhe debate të ashpëra shoqërore me motive fetare, shpesh edhe jotolerante, po ndodhin paralelisht në një shoqëri që vëtëmburret me traditë të “tolerancës ndërfetare”?

Besnik Sinani

Besnik Sinani : Diskutimi për “tolerancën fetare” në ligjërimin publik shqiptar mbart konotacion negativ dhe mirëfilli intolerant. Përgjithësisht ai nënkupton se toleranca gjendet tek shprehja e dobët, apo inekzistente e religjiozitetit, apo kur identifikimi me një religjion është dytësor ndaj një identiteti tjetër – mundësisht atij kombëtar. Sipas këtij botëkuptimi, një identitet i fortë fetar nuk mund të jetë kurrë tolerant, edhe pse ka tregues të shumtë historikë për të kundërtën. Debatet mbi fenë mbushin gazetat e televizionet, por ky debat është i cekët, pompuar me dezinformim, i mungon opinioni i mirinformuar, dhe më shumë kërkon të ushqejnë retorikën politike dhe identitare, sesa të edukojë apo informojë publikun. Kjo është shqetësuese, pasi vetëm një publik i mirinformuar mund të përfshihet dhe të mbrojë vlerat demokratike. Tek e fundit, cektësia e debatit mbi fenë është tregues edhe i cektësisë së debatit rreth sekularizmit.

Ardian Gola : Ka një mori arsyesh për këtë. Së pari, vetë shoqëria kosovare sot është mjaftueshëm e polarizuar. Ajo po përshkohet me vlime, tendosje dhe mosdurim të theksuar. Në këtë mjedis, feja nuk mund të bëjë ndonjë përjashtim. Së dyti, ajo që diskutohet për fenë e kam të vështirë ta quaj debat. Ai është improvizim i debatit, sikurse të gjitha debatet tjera dhe sikurse të gjithë sektorët tjerë të shoqërisë. E përbashkëta e Kosovës së pasluftës është improvizimi. E kur është improvizim, aty diskutimi nuk udhëhiqet nga imperativat e arsyes dhe argumentit, por të sipërfaqësisë dhe cektësisë, spektaklit dhe sensacionit. E nuk ka temë më të gatshme për të shpërthyer në mosdurim se feja kur për të diskutohet syefaqësisht dhe nuk diskutohet arsyeshëm dhe me argumente. Syefaqësia ngrit fanatizmin ndërsa spektakli ndez pasionin. Shumë spektakël është bërë duke i dhënë publicitet momenteve nga predikimet e imamëve ultrakoznervatorë. Madje portale të ndryshme kanë siguruar mbijetesë në treg, e disa të tjera janë bërë faktor me ndikim në publik, duke e rritur klikueshmërinë përmes kësaj strategjie të spektaklit. Me këtë qasje pjesëtarë të komunitetit musliman janë ndier si kategori, me të cilën shoqëria ironizon dhe kjo ka prodhuar frustrim. Së treti, ka pasur një të kuptuar të gabuar të sekularizmit, qoftë nga sekularistët qoftë nga politikanët. Në vend se ai të kuptohet thjesht si parim i rregullimit institucional e politik, ku rendi kushtetues nuk përligjet nga feja ndërsa politika është e pavarur nga imperativat religjioze, ai është kontrabanduar si botëkuptim i vetëm legjitimpër jetën shoqërore. Mbrojtësit e sekularizmit institucional e politik shndërrohen në mbrojtës të sekularizmit si botëkuptim duke harruar se sekularizmi si parim nënkupton neutralitetin botëkuptimor të shtetit. Sipas këtij parimi shteti nuk është bartësi të vërtetave botëkuptimore e as nuk duhet të mbajë anë në raport me ndonjërën prej tyre. Ai duhet ta garantojëtë drejtën e ekzistencës së botëkuptimeve të ndryshme si dhe konkurencën e lirë dhe paqësore discursive të tyre në hapësirën publike.

T’thuash se hapësira publike duhet të jetë sekulare është njëjtë si t’thuash hapësira publike duhet të jetë fetare. Pse u dashka të jetë sekulare? Ose pse u dashka të jetë fetare? Pra, është kundërshti polare qe nuk prodhon hapësirë paqësore por hapësirë të tensionuar publike. Mveshja e cilësimeve “sekulare” dhe “fetare” që dikush dëshiron t’i bëjë hapësirës publike është e pakuptimtë. Hapësira publike thjesht është. Ajo duhet të jetë! Ajo merr kuptim dhe gjallëri perms përballjes, diskutimit, negociimit etj. Ndërmjet individëve dhe grupeve të ndryshme shoqërore, te cilat bartin dhe kultivojnë botëkuptime të ndryshme, e nganjëherë edhe diametralisht të kundërta, nga ato botëkuptime që bartin individë dhe grupe tjera shoqërore.

– Sa e kanë ndikuar globalizmi, zhvillimi i teknologjisë, pluralizmi dhe demokratizimi raportin e religjionit dhe kombit/shtetit, në Kosovë dhe Shqipëri? 

Besnik Sinani : Teknologjia dhe globalizmi kanë transformuar njëkohësisht politikën dhe fenë, e shqiptarët nuk mund të ishin imunë ndaj këtyre zhvillimeve. Para pak vitesh mendohej se globalizmi dhe teknologjia do shuanin diferencat dalluese të kulturave, ndërkohë që ato sot janë bërë vegla të rëndësishme të një rryme ironikisht anti-globaliste, që kërkon të theksojë dallimet kulturore të rrezikuara nga rendi liberal, globalist!!! Personalisht do shpresoja që fokusimi i diskursit dhe aktivitetit fetar të kishte më shumë karakter lokal, dhe më shumë të adresonte shqetësimet e njerëzve realë në bashkësistë përkatëse, sesa audiencat dhe kauzat virtuale. Do shpresoja të shihja gjithashtu në diskursin fetar skepticizëm ndaj overdozës së informacionit online, të cilit shpesh nuk i dihet origjina.

– Atentatet e ndryshme që ndodhin nëpër botë rihapin vazhdimisht debatet mbi demokracitë, laicitetet/shekullarizmat, neutralitetin e shtetit, raportit të religjionit me privaten dhe publiken/shtetëroren, liritë e besimit dhe shprehjes etj. Diskutime që mungojnë në Kosovë dhe Shqipëri, të cilat duken komode me këto zhvillime shoqërore? 

Besnik Sinani : Fatkeqësisht, atentatet përdoren për të nxitur mbështetje popullore për agjenda politike, të cilat sipas gjithë studimeve të besueshme kanë pak gjasa të parandalojnë atentate të tilla. Vërehet qoftë në Francë apo Austri një fushatë së fundmi për të atakuar shoqata muslimane apo xhami që nuk kanë fare të bëjnë me atentatet në fjalë, dhe për të nxitur mbështetje populiste për retorika përjashtuese të ekstremit të djathtë. Lufta e deklaruar në Austri dhe në Francë kundër “Islamit Politik”, apo ndaj “islamistëve”, është një ogur i keq. Kjo sepse këto terma nuk janë të përcaktuar dhe përdoren në mënyrë abuzuese për të vënë në shenjestër grupe e individë me profile shumë të ndryshme. Për shembull, damkosja si “islamist” është përdorur në ShBA kundër kongresistes amerikane Ilhan Omar, apo dhe kundër ish-asistentes së Hillary Clinton, Uma Abedin. Në Afrikën e Jugut, origjina të Islamit Politik identifikohen me trende aktiviste që kanë nxitur rezistencën ndaj aparteidit, por edhe në përpjekjen për të promovuar një islam që toleron homoseksualizmin. Po këto ditë në Arabinë Saudite u deklarua një gjueti shtrigash kundër këtij “Islami Politik”, me të cilin në Saudi identifikohen figura të opozitës politike që kanë kërkuar kthimin e vendit nga monarki absolute në monarki parlamentare, pavarësi për gjykatat, dhe pjesëmarrje të publikut në vendimmarje. Shkurt, pra, të qenit “islamist” apo identifikimi me “Islamin Politik” kthehet në një “empty signifier”, apo një shenjues bosh, që mund të përdoret në mënyrë abuzive për të atakuar grupe, bashkësi, apo individë nga më të ndryshmit. Nuk është për t’u habitur se një nga shenjestrat e para të kësaj fushate në Francë ishte një organizatë e shoqërisë civile muslimane që meret me dokumentimin e rasteve të islamofobisë. Duhet thënë, gjithashtu, se vetë qëllimi i deklaruar i grupeve ekstremiste me akte terroriste si ai i Vjenës është pikërisht të shkaktojnë armiqësim dhe margjinalizim të muslimanëve në vendet e perëndimit, me shpresë se kjo do shtojë rekrutët për ta. Duke qenë se këto ligjërime politike në Perëndim shpesh nxiten – në kundërshtim të opinionit dominant të ekspertëve – nga politika elektorale, është në interesin e shoqërive shqiptare që të jenë të kthjellët dhe mos përqafojnë diskurse të tilla toksike dhe irrelevante për kontekstin shqiptar.

Ardian Gola : Debatin publik në Kosovë e dominon në tërësi tematika e aktualitetit politik. Kjo është duke ndodh për një mori arsyesh. Por këtu po e përmendi vetëm njërën. Kjo temë vazhdon të prodhojë gjendje ekstazie tek popullata më shumë se çdo gjë temë tjetër. Televizionet e sapohapura garojnë se kush arrin ta fitojë vëmendjen e shikuesve në ‘prime time’ përmes serive të pafundme të debateve me këto tema. Në to edhe panelistët e ftuar duket se përzgjidhen më shumë për talentin për të prodhuar sensacion e spektakël, sesa mendime racionalisht të argumentuara. Televizionet janë shndërruar në arenat e dikurshme të gladiatorëve, të cilët argëtonin masat me përleshjet fizike duke e kulminuar argëtimin me gjakun e derdhur të tyre. Dhuna fizike e gladiatorëve sot është sublimuar në dhunë verbale të panelistëve, ndonëse edhe ajo fizike nuk përjashtohet, ndërsa kulminimi i ekstazisë arrihet kur përplasja verbalisht e dhunshme degjeneron në banalitet dhe ofendim reciprok. E nuk ka asnjë temë më të përshtatshme për këso spektaklesh sesa aktualiteti politik, protagonistë të së cilës janë politikanët, me të cilët në rrethana normale nuk do të merrej askush. Temat për demokracinë, sekularizmin, lirinë e shprehjes, ideologjinë, ndikimet teknologjike në shoqëri etj. nuk zgjojnë të njëjtin interesim publik.

Unë jam i vetëdijshëm që ekzistojnë platforma të ndryshme diskutimi nëpër media, portale, forume të shoqërisë civile etj. ku autorë, ekspertë, profesionistë etj. përmes shkrimit shprehin qëndrime dhe argumentojnë pikëpamje të ndryshme për çështje të caktuara. Problemi është se ato janë në margjinat e ndikimit të opinionit dhe vetëdijes së përgjithshme pasi që jemi duke jetuar në një mjedis shoqëror ku kultura e imazhit audio-vizuel dominon në mënyrë absolute kulturën e leximit. E në kulturën e imazhit nuk ka mendim as qëndrim, por ka vetëm informacion dhe afeksion. E aty ku nuk ka mendim as qëndrim, por vetëm informacion dhe afeksion, nuk ka debat, por improvizim dhe spektakël. Nuk ka mundim intelektual, por ekstazi.