Mandati i z.Jeremy Corbyn si drejtues i Partisë Laburiste mori fund në prill në një heshtje mortore. Mbretëria e Bashkuar gjindej në izolim nga pandemia, fati i saj në duart e një sistemi kombëtar të shëndetësisë (NHS) për të cilin z.Corbyn nuk kishte rreshtur së denoncuari mungesën e financimit të tij dhe mungesën e stafit, nën mëshirën e një kryeministëri pa përvojë në menaxhimin e krizave.
Virusi dukej se kishte zbrazur nga sfidat konsultimin e brendshëm me qëllim të gjetjes së një pasardhësi të z.Corbyn, në vazhdën e humbjes së rëndë të partisë së tij në zgjedhjet e përgjithshme të dhjetorit 2019. Siç pritej, z.Corbyn i dha vendin sir Keir Starmer, ish-zëdhënësit të Laburistëve, që fitoi 56% të votave në mesin e aktivistëve, simpatizantëve dhe sindikalistëve – një rezultat më pak mbresëlënës se Corbyn më 2015 (59.5%).
Z.Starmer ishte Prokuror i Përgjithshëm para se të hynte në politikë dhe të zgjedhej në Parlament më 2015. Ai i sjell udhëheqjes së Partisë Laburiste një shquarje të dukshme që i mungonte paraardhësit të tij. Aureola e tij e kompetencës dhe autoritetit u dëshmua si një armë e çmuar në pushtimin e një baze të lodhur nga pesë vjet konflikte të brendshme të pandërprera dhe i dha mundësinë që të paraqitej si një kandidat i besueshëm për postin e kryeministrit. Ish-juristi premton të veprojë për pajtimin e familjes së tij politike, një objektiv i cili duket vështirë i arritshëm duke i pasur parasysh ndarjet që e kanë minuar partinë për një kohë të gjatë, e madje edhe më shumë që nga episodi neoliberal i viteve të Blair (1997-2007). Më e mira për të cilën ai mund të shpresojë në mënyrë të arsyeshme është ta qetësojë atmosferën e ethshme dhe ultra të polarizuar të epokës së Corbyn.
Shefi i ri i Laburistëve, sidoqoftë, u kujdes që të mos e sfidojë kursin politik të vendosur nga udhëheqja që po largohet – rishtetëzimi i hekurudhës, injektimi në shërbimet publike të parave të marra nga të pasurit dhe kompanitë e mëdha, ndërhyrje më të rrepta nga shteti në sektorin bankar të pangopur britanik dhe pjesë të tjera të ekonomisë, planin e ndërtimit të banesave publike, etj. Të vetëdijshëm se ndërprerja e këtyre projekteve do ta tjetërsonte me tre të katërtat e anëtarëve (më të shumtë se të gjithë anëtarët e të gjitha partive të tjera të kombinuara), shumë prej të cilëve iu bashkuan Laburistëve të nxitur nga linja Corbyn, z.Starmer zgjodhi një formë të vazhdimësisë programore. Është e vërtetë që pas dhjetë vitesh shtrëngimi konservator brutal, nevoja për një zëvendësim të krahut të majtë është imponuar në parti, ku shumica e njerëzve nuk i këndojnë Ungjijtë e New Labour të viteve të Blairit – ç’rregullimi, privatizimet, ulja e tatimeve. Shkëputja me dyzet vjet të hegjemonisë neoliberale bipartizane tani duket e konsumuar mirë, dhe madje mund të forcohet edhe më tej.
« Asgjë tjetër përpos socializmit »
Për herë të parë në historinë e saj, krahu i djathtë i Partisë Laburiste, mbizotërues për breza, nga Herbert Morrison gjatë Luftës së Dytë Botërore deri tek z.Anthony Bler dhe David Miliband kohët e fundit, nuk arriti të paraqiste një kandidat për postin e sekretarit të përgjithshëm. Deputetja e Birmingham Jess Phillips nuk pati peshën e duhur dhe hodhi peshqirin sapo kuptoj se i mungonte mbështetja e aktivistëve dhe sindikatës.
Ky ndryshim i klimës politike nuk është më pak i rëndësishëm se rizgjedhja e z.Corbyn në vitin 2016 pas fushatës së orkestruar nga grupi i parlamentarëve laburistë për ta larguar nga detyra. Asnjëherë në 120 vitet e ekzistencës së saj, Laburi nuk i kishte parë parlamentarët, këta mbajtësit tradicionalë të autoritetit brenda partisë, të pavlefshëm në një mënyrë kaq të egër.
Është padyshim ende shumë herët për të folur për një pikë kthese të pakthyeshme. Mediat përshëndeten fitoren e z.Starmer si një kthim në normalitet. Vendimet e para që ai mori sapo u zgjodh, në hijen e krizës gjithëpërfshirëse shëndetësore, priren t’i japin të drejtë mediave.
Dy partnerët më të afërt të z.Corbyn, John McDonnell dhe Diane Abbott, përgjegjës për ekonominë dhe punët e brendshme, kishin treguar para zgjedhjeve se do të largoheshin nga këto detyra nëse do të humbte mentori i tyre. Duke përzgjedhur anëtarët e kabinetit të tij të hijes, z.Starmer shtyu gati të gjithë korbinistët e tjerë drejt daljes. Për t’i zëvendësuar ata, ai nuk shkoi aq larg sa t’i rivendoste në shërbim veteranët e viteve të Blair-it, kryesisht në pension që nga ngritja e z.Corbyn dhe grushti i vitit 2016, por vendosi centralistët e rinj të grupit parlamentar, të cilët kishin avantazhin e mospërfshirjes në luftërat e fraksioneve të viteve të fundit. Një përjashtim i dukshëm është znj.Rebecca Long-Bailey, kandidatja pro-Corbyn e mundur nga z.Starmer, e cila mbajti postin e saj të zëdhënëses të ngarkuar për arsim. Jemi larg nga një “kthim në të ardhmen”.
Z.Starmer largohet nga tiparet më karakteristike të paraardhësit të tij, ato që lindën Korbinizmin – megjithëse vetë z.Corbyn e hodhi poshtë gjithmonë këtë term, duke besuar se nuk kishte “asgjë tjetër sesa socializmi ”.
Tipari i parë është anti-imperializmi. Ish udhëheqësi i laburistëve kundërshtoi me vendosmëri luftërat e ndërhyrjes në Irak, Afganistan, Libi dhe Siri, duke mbështetur me ngulm çështjen palestineze. Skeptik në lidhje me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), ai angazhohej për çarmatim të njëanshëm bërthamor dhe denoncoi lidhjet ushtarake dhe ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar me Arabinë Saudite dhe diktaturat e tjera të Gjirit. Ai foli në mitingje për ta kritikuar Presidentin e SHBA-ve Donald Trump gjatë vizitës së tij në Londër.
Është e sigurt që në çështjet e politikës së jashtme z. Corbyn do të kishte përjetuar vështirësitë më të mëdha në zbatimin e pretendimeve të tij nëse rastësisht do të kishte hyrë në 10 Downing Street. Duke pasur parasysh ndarjet brenda laburistëve për këto tema, nuk ka ndonjë skenar të mundshëm në të cilin një shumicë parlamentare do ta mbështeste çarmatimin bërthamor, dhe aq më pak tërheqjen nga NATO. Sidoqoftë, kjo ishte pjesë e programit të z.Corbyn që ngjalli më shumë zhurmë midis klasave në pushtet, përfshirë krahun e djathtë të Laburit, të rrënjosur në traditat e tij imperialiste dhe atlantiste. Elitat mund të zgjidhnin më së miri një autoritet ujor në pronësi të shtetit, se një ndërprerje të aleancës me Washingtonin ose një përmbysje të politikës britanike në Lindjen e Mesme. Sado që z.Starmer mund ta pohojë kundërshtimin e tij ndaj ndërhyrjeve ushtarake siç janë ndërmarrjet në Irak, por nuk mund të llogaritesh tek ai për t’u shkëputur nga traditat.
Ajo që na shpie në risinë e dytë të Korbinizmit: vullneti për ta mbështetur veprimin politik në lëvizjet shoqërore dhe jo më vetëm në rutinën parlamentare. Një strategji e personifikuar mrekullisht nga vetë z.Corbyn, një parlamentar margjinal për tridhjetë e dy vjet, por një figurë e njohur në aksionet kundër luftës, shtrëngesat ekonomike ose padrejtësi të të gjitha llojeve. Zëdhënës i Stop the War Coalition, një kolektiv që mobilizoi dy milion njerëz në 2003 kundër pushtimit të Irakut, si protesta më e madhe në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, ai përuroi mandatin e tij si kryetar i Labour në 2015 duke folur në një marsh për të drejtat e refugjatëve. Një praktikë e ndarë nga znj.Abbott dhe z.McDonnell. Ky i fundit ka qenë Kancelari i Parë (Ministri i Ekonomisë dhe Financave) i një kabineti në hije që rregullisht shfaqej në greva.
Udhëtimi politik i z.Corbyn shpesh është tallur nga armiqtë e tij (shprehja nuk është shumë e fortë) brenda Laburit, në sytë e të cilëve çdo angazhim jashtë stolave prej lëkure të Pallatit të Westminster shihej si një preferencë infantile për protesta në kurriz të kërkimit të pushtetit. Qëndrimi i tij ambivalent ndaj hipokrizive të parlamentarizmit ngjallte më pak shqetësim tek parlamentarët se anti-imperializmi i tij. Kjo ishte pjesërisht arsyeja që z.Corbyn dështoi në përpjekjen e tij për ta reformuar – apo edhe transformuar – natyrën e Partisë Laburiste. Pakicë deri në vitin 2018 në komitetin ekzekutiv të Laburtistëve, si dhe i luftuar në Parlament nga grupi i tij politik gjatë gjithë mandatit të tij, ai i kishte duart e lidhura. Reformat e tij të brendshme të demokratizimit mbeten modeste: pak më shumë hapësirë degëve lokale për të mos rimandatuar kandidaturat e parlamentarëve të parregullt, rekrutim të një ekipi të organizatorëve për të ndihmuar në rindërtimin e Laburistëve në pellgjet e vjetra industriale ku kishte rrënjët.
Corbyn nuk qe kurrë aq i lumtur sa kur bënte fushatë në të gjithë vendin, por kufizimet e jetës parlamentare gradualisht e kulluan Korbinizmin nga vitaliteti i tij. Kjo tharje u përshpejtua kur ai duhej t’i menaxhonte dallimet mbi Brexit, duke u përpjekur ta zvogëlonte hendekun midis parlamentarëve dhe shumicës së anëtarëve nga njëra anë dhe shumicës së votuesve të klasës punëtore në anën tjetër. Vështirësitë e së majtës për ta imagjinuar një botë jashtë Bashkimit Evropian përfunduan ta tingëllojnë shuarjen e projektit të z.Corbyn, siç u shua edhe në Greqi, me shpresën e Syrizës për ta luftuar varfërimin. Syriza ishte edhe më stabile me bazën e saj elektorale se Laburi. Për shkak të mbipërfaqësimit të elitave të Londrës së Veriut, udhëheqësit e Laburit tentuan të linin pas dore aspektet më të diskutueshme të politikës evropiane, siç është vendosja e masave shtrënguese të imponuara në të katër qoshet e kontinentit, rritja e kontrollit të kapitalizmit, opaciteti demokratik i Brukselit ose politika e “Evropës së fortesës” ndaj azilkërkuesve. Ata preferonin të nxirrnin në pah dimensionin kulturor të Bashkimit Evropian ose virtytet e standardeve evropiane në aspektin e mjedisit, konsumit ose punës, më të rrepta se ato në fuqi në Mbretërinë e Bashkuar.
Një peizazh i tronditur politik
Thyerja brenda Laburit midis ithtarëve të liberalizmit dhe atyre të demokracisë i dha të drejtë korbinizmit. Konflikti u përshkallëzua nga viti 2017, kur premtimi i bërë nga z.Corbyn për t’i respektuar rezultatet e referendumit të vitit 2016 për Brexit ndikoi që Labur ta përjetoi ngritjen e saj më të fortë elektorale që nga Lufta e Dytë Botërore, duke kaluar nga 30% të votave në 2015 në 40% dy vjet më vonë. Udhëheqësit e partisë vazhduan të dëshironin ta ndryshonin verdiktin e referendumit, duke kërkuar një votim të dytë, në vend se të negocionin një Brexit të butë (“soft Brexi”). Kjo strategji, e kombinuar me bllokimin e çdo nisme parlamentare për ta zgjidhur krizën, shkatërroi koalicionin e brishtë të mbledhur pas z.Corbyn. Duke ditur që mirëmbajtja e së majtës në krye të partisë varej kryesisht nga performanca e saj në kutitë e votimit, humbja e Laburit në zgjedhjet e dhjetorit 2019 (32% të votave), të shënuar nga një mosmbështetje të fortë në elektoratin e klasës punëtore të veriut dhe të qendrës së vendit, rezultoi fatale për sekretarin e përgjithshëm dhe ekipin e tij, megjithëse shumë drejtues kanë shënuar rezultate edhe më të dobëta në dyzet vitet e kaluara.
Natyrisht, krahu i djathtë i Laburit nxitoi ta fajësojë z.Corbyn dhe qëndrimin e tij për sigurinë dhe emigracionin, duke shtuar në këto ankesa pretendime të këqija për antisemitizëm. Dy vjet më parë, pikëpamjet anti-imperialiste të liderit të Laburit nuk i kishin bindur votuesit të votonin me shumicë për partinë.
Sot, z.Starmer përballet me një peizazh politik thellësisht të tronditur. Për pesë vjet, z.Corbyn dhe ekipi i tij kundërshtuan ashpër masat shtrënguese të qeverive konservatore të z.David Cameron dhe znj.Theresa May, me dëshirën e tyre të pamëshirshme për t’i ulur shërbimet publike dhe standardin e jetës së klasave të mesme dhe punëtore për të mirën e të pasurve.
Edhe para se koronavirusi ta godiste vendin me forcë të plotë, « tories » e z.Boris Johnson e anuluan pjesërisht këtë politikë duke rritur pagën minimale me 6% dhe duke premtuar se do t’i rritnin shpenzimet publike në shëndetësi. Ishte thjesht më e pakta që mund të bënin për t’i ruajtur votat e tyre të fituara rishtas në lëvizjet veriore. Spitalizimi i z. Johnson në kulmin e epidemisë mund t’i ngushëllojë ata në këtë prirje.
Nëse masat shtrënguese kaluan në prapavijë, çështja e dështimeve në menaxhimin e krizës epidemike – papërgatitje, izolimi i vonshëm, loja e rrezikshme me teorinë e “imunitetit kolektiv” (1), mungesa kronike e pajisjeve mbrojtëse për stafin shëndetësor, mungesa e theksuar e testeve – përbën për z.Karmer një objektiv të ri të zgjedhjes. Pa zgjedhje kombëtare për katër vitet e ardhshme, ai ka kohë ta rindërtojë partinë. Arritja e të njëjtit rezultat në 2023 si z.Corbyn më 2017 duket një qëllim brenda mundësive të tij.
Nëse ky afat mund të jetë i përshtatshëm për z.Starmer, mund të jetë i pamjaftueshëm për z.Johnson. Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet më të goditura nga pandemia. Sipas disa vlerësimeve, dëmi i shkaktuar ekonomisë së saj është i tillë që niveli i vitit 2019 nuk mund të rikthehet para vitit 2022. Një perspektivë e cila është gjithnjë e më pak e ndezur pasi indekset ekonomike të vitit të kaluar në të vërtetë korrespondojnë me ato të vitit 2008, ku vendi ka përjetuar stagnim për një “dekadë të humbur”.
Në këtë kuptim, kriza e ditës së sotme shkrihet me atë të djeshmen. Pavarësisht se z.Johnson pretendon se do ta kapërcejë atë, premtimet e populizmit të djathtë ka të ngjarë të dëshmohen jo më pak të urryera se ato të centrizmit neoliberal.
(1) Lexo Théo Bourgeron, «Au Royaume-Uni, la tentation de l’inéluctable», Le Monde diplomatique, prill 2020.