POLONI-SLLOVENI, DY RRUGË DREJT TREGUT
Terapi shoku apo gradualizëm?

Tridhjetë vjet pas shkëputjes së tyre nga sistemi komunist, disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore i kthejnë shpinën Bashkimit Evropian, pavarësisht ndihmës financiare që kjo e fundit iu jep. Shpesh të prezantuara si shembuj, trajektoret e Polonisë dhe Sllovenisë hedhin dritë mbi këtë paradoks dhe mbi zgjedhjet ekonomike te vendeve të rajonit, të cilat lundrojnë midis sovranitetit të rigjetur dhe vartësive të reja.

887

Para se t’i njohim pasojat e krizës shëndetësore të vitit 2020, mund të themi se sukseset e tyre ekonomike janë të pamohueshme: të matura në dollarë të paritetit të fuqisë blerëse, të ardhurat mesatare janë dy herë e gjysmë më të larta në Poloni që nga viti 1989, si dhe dy herë më të larta në Slloveni që nga viti 1992. Në ndryshimet që pasuan rënien e Murit të Berlinit, roli i Bashkimit Evropian, së pari si model politik, e pastaj si kujdestar ekonomik dhe juridik, ishte vendimtar. Në çfarë mase ka kontribuar rruga për pranimin e arritur në 2004, në zhvendosjen e këtyre ekonomive periferike, brenda sistemeve evropiane të prodhimit dhe tregtisë? Nga pikëpamja e popullsisë, a mund të flasim për arritje, siç ishte rasti i Italisë, Spanjës, Portugalisë, pastaj Irlandës në vitet 1970 dhe 1980?

Për t’i kuptuar vendimet e marra pas ndarjes së bllokut Lindor, duhet t’i vendosim ato në klimën intelektuale dhe sociale të kohës: refuzimi i “socializmit të vërtetë” lejohet dhe nxitet nga perestroika (ristrukturimi) i Mikhail Gorbachev-it, udhëheqësi i BRSS nga 1985 deri në 1991. Vëllai i madh sovjetik nuk ka më mjete dhe as dëshirë për ta ruajtur rendin me forcë në Këshillin për Ndihmë Ekonomike të Ndërsjelltë. Struktura e cila i shoqëronte vendet nën varësinë e saj u shpërbë në 1991. Dështimet ekonomike të perestroika-s forcojnë kudo kërkesën për ndryshim, duke ia dhënë popullit një imazh katastrofik të reformave të pjesshme të cilat e përkeqësuan situatën ekonomike dhe sociale. Dimensioni financiar luan gjithashtu rol: vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, me përjashtim të Rumanisë, vuanin nga një borxh i madh të jashtëm. Qeveritë e tyre janë në kërkim të financimit në dollarë dhe për këtë arsye janë pranues të argumenteve të donatorëve dhe këshilltarëve perëndimorë.

“Periudhë e jashtëzakonshme politike”

Në atë kohë, ekonomistët në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe në qarqet vendimmarrëse politike (Olivier Blanchard, Stanley Fischer, Rudiger Dornbusch dhe Jeffrey Sachs, ndër të tjerë) u frymëzuan drejtpërdrejt nga programet e rregullimit strukturor të Amerikës Latine dhe Afrikës. Ata hodhën poshtë kategorikisht pyetjen mbi përshtatjen ndaj një ndryshimi rrënjësor të sistemit: “Deri në çfarë mase ajo që kemi mësuar është e përshtatshme për Evropën Lindore?” (…) A nuk janë kushtet e fillimit mjaftueshëm të ndryshme sa ta kërkojnë një qasje krejtësisht tjetër? Ne nuk mendojmë kështu. Shumica e paketës standarde vlen po aq mirë edhe për Evropën Lindore (1)”.

“Paketa” në fjalë ka tre fusha kryesore: “liberalizimin” e sipërmarrjes, çmimet dhe tregtinë e jashtme; stabilizimin e financave publike, monedhës dhe kursit të këmbimit; ristrukturimin e shtetit, mbrojtjen sociale, shërbimet, përmes privatizimit. Vështirësia qëndron në mënyrën e kryerjes dhe kombinimit të këtyre transformimeve. Në këtë pikë, ekonomistët janë të ndarë midis gradualistëve, të cilët këmbëngulin për renditjen dhe përparimin e nevojshëm të reformave, duke ruajtur levat e veprimit publik; dhe radikalët, të cilët duan të përparojnë sa më shpejt në të gjitha frontet.

Në Poloni, teza e “terapisë së shokut” fitoi shumë shpejt. Shprehja i referohet përvojës së Bolivisë, ku u shpik në vitin 1985. Promovuesit e saj ofrojnë një vizion maksimalist të transformimeve që ata justifikojnë me plotësimin e reformave. Linja tjetër e argumentit është e natyrës politike. Duhej përfituar nga zhgënjimi i nxitur nga masat e mëparshme dhe nga një periudhë e shkurtër kërkese e fortë e popullsisë për reforma radikale, në mënyrë që perparonin sa më shpejt dhe sa më shumë të ishte e mundur në transformime para se ato të ngadalësoheshin nga pakënaqësia e popullit. Kjo ishte “periudha e jashtëzakonshme politike” e dashur për z.Leszek Balcerowicz, Ministër polak i Financave nga shtatori 1989 deri në dhjetor 1991, pastaj nga 1997 deri në 2000. Në kontekstin demokratik të lindur në këto vende, radikalizmi madje perceptohet si kusht suksesi: mbështetja për reformat do të ruhej nëse, për nga madhësia e tyre, ato prodhonin rezultate mjaft të shpejta që përfituesit e menjëhershëm të masave të para (aksionarë të rinj, tregtarë, sipërmarrës, punonjës të sektorit privat, etj.) të bëheshin shpejt mazhorancë dhe kështu të mund të siguronin të ardhmen e tyre elektorale dhe rrjedhimisht, qëndrueshmërinë e tyre.

Në Slloveni, përkundrazi, autoritetet favorizuan një qasje graduale në momentin e fitores së pavarësisë, në 1991. Kjo politikë ekonomike mund të bazohet në trashëgiminë specifike institucionale të socializmit të decentralizuar, të strukturuar nga përfaqësimi i sindikatave e i përzier me tregjet, karakteristikë e ish-Jugosllavisë. Ajo bazohej gjithashtu në reformat e zhvilluara që nga fillimi i vitit 1980. Mirëmbajtja e një sektori publik të madh duhet të bëjë të mundur ruajtjen e një konsensusi midis palëve përfaqësuese të shoqërisë dhe ruajtjen e një standardi jetese. Në atë kohë ishte nga më te lartët në vendet në tranzicion. Dëshira për ta kufizuar rritjen e papunësisë dhe për të mos ia shitur pasuritë e vendit kompanive të huaja, si edhe vëzhgimi i goditjeve të pësuara nga ekonomia polake duke filluar nga viti 1989, kontribuan në përzgjedhjen e kësaj strategjie (2).

E konsideruar në 1989 nga FMN si një studente e mirë, Polonia përfitoi në 1990 nga një privilegj unik në rajon: fshirja e gjysmës së borxhit të saj të jashtëm nga Klubi i Parisit, i cili mbledh së bashku kreditorët publik kryesorë perëndimorë (lexoni faqet e artikullit 10 dhe 11). Në 1994 ai fitoi një ulje të ngjashme të borxhit të saj ndaj Klubit London, duke bashkuar kreditorë privatë. Duke pasur kushte fillestare më të mira se Polonia, por duke refuzuar të ndjekë verbërisht rekomandimet perëndimore, Sllovenia ndoqi një trajektore të kujdesshme socio-ekonomike, e shënuar nga kërkesa për stabilitet. Gjatë viteve 1990, zhvillimi i saj ishte pak më i ngadaltë se ajo e Polonisë (4.6% në krahasim me 5.6% në vit midis 1993 dhe 1999), por papunësia mbeti rreth  dy herë më e ulët.

Në të dy vendet, zbatimi i reformave meriton vëmendje. Polonia dhe Sllovenia kishin ende hapësirë ​​për të manovruar nëse zotoheshin të respektojnë kriteret e anëtarësimit. Frika për të parë pothuajse të gjitha kompanitë kombëtare të vendosen nën pushtetin e huaj dhe presioni i brendshëm i sindikatave, çuan në shtyrjen e një pjese të privatizimeve, për të cilën u kritikuan nga FMN, por edhe nga Komisioni Evropian.

Në Poloni, “terapia e shokut” u zbatua së pari, me entuziazmin e një konvertimi të ri, nga z.Balcerowicz në 1990 dhe 1991. Por shpërthimi i papunësisë dhe varfërisë, inflacioni i lartë dhe rënia e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) rezultoi në pengesa në zgjedhje për Liberalët. Zgjedhjet legjislative në fund të vitit 1993 sollën në pushtet një koalicion social demokratik të udhëhequr nga një ish-komunist, z.Aleksander Kwaśniewski (i cili ishte president nga 1995 deri në 2005). Midis 1994 dhe 1997, Z. Grzegorz Kołodko, Ministri i ri i Financave, i dha një ndikim të dukshëm politikës së tranzicionit polak duke adoptuar një qasje e cila gjithashtu u cilësua si graduale. Ajo shtyu ortodoksinë buxhetore për më vonë dhe e vuri ekonominë përsëri në një trajektore rritjeje, pavarësisht pezullimit të mbështetjes financiare të FMN. Rimëkëmbja ekonomike ishte më e gjallë se çdokund tjeter.

Nga ana e saj, Sllovenia konfirmoi maturinë e politikës së saj të transformimit gjatë dekadës së parë. Mosgatishmëria e saj për t’u përballur me rekomandimet buxhetore dhe fiskale të FMN-së ishte e vazhdueshme. E njëjta gjë edhe për disa reforma strukturore, siç ishin rishikimi i ndihmave për papunësisë, futja e taksës mbi vlerën e shtuar (TVSH) ose hapja për kapitale të huaja. Sistemi bankar u bë i përshkueshëm për grupet perëndimore vetëm në fund të viteve 1990, nën presionin e Komisionit Evropian. Në vitin 1998, sektori privat përfaqësoi jo më shumë se 55% të PBB-së sllovene, i cili ishte i ulët në krahasim me rajonin (3).

Si përgjigje e kandidaturave nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, Bashkimi Evropian shtriu standardet e tij në lindje. Pajtueshmëria me kriteret e zyrtarizuara në “acquis communautaire” (bashkësia e legjislacionit, aktet juridike dhe vendimet e gjykates që përbëjnë ligjet e Bashkimit Evropian) hapi rrugën e financimit. Të dy vendet u pranuan në Bashkimin Evropian më 1 maj 2004, së bashku me Republiken Çeke, Sllovakinë, Hungarinë dhe vendet e Balltikut. Pas pranimit, ndihma evropiane u rrit. Polonia përfitoi nga fondet evropiane që arrinin në 1.24% të PBB-së së saj gjatë tre viteve të para të pranimit të saj, pastaj 2% ndërmjet 2007 dhe 2013, ose 66.7 miliardë euro gjatë gjithë periudhës. Me një popullsi shumë më të vogël dhe të ardhura mesatare më të larta, Sllovenia mori 4 miliardë euro, ose 1.2% të PBB-së së saj gjatë të njëjtës periudhë. Pavarësisht se sa të mëdha janë, këto subvencione munden të kompensojnë vetëm efektet sociale të ristrukturimit, ku industria polake humbi më shumë se 1.5 milion vende pune, ose 23% të vendeve të punës se sekorit midis 1991 dhe 2003. Polonia por edhe veriu i Sllovenisë kishin pjesën e tyre të kombinateve të përdorura ose të konvertuara pjesërisht. Kantieret emblematike te anijeve të Gdańsk, të cilët punësuan 18,000 punëtorë kur u rrëzua regjimi, tani numëronin vetëm 200.

Këto fonde kontribuan në përshpejtimin e rritjes nga gjysma e dytë e viteve 2000. Polonia dhe Sllovenia ishin ende të pozicionuara si figura kryesore të zgjerimin evropian. Por konteksti ndryshoi, levat e ngritura kundër depërtimit të kapitalit të huaj ranë nën presionin e perëndimit. Sistemi bankar dhe ai produktiv dominohej kryesisht nga subjektet e huaja. Kriza financiare ndërkombëtare e viteve 2007-2008 shënon një kthese. Më e vogël dhe më e hapur se Polonia, Sllovenia vuajti më shumë se kjo e fundit nga rënia e tregtisë ndërkombëtare: do të duhen nëntë vjet për t’i rifituar të ardhurat e saj për frymë në 2008. Duke hyrë në zonën e euros në vitin 2007, vendi i vogël alpin nuk kishte më armën e kursit të këmbimit për ta qetësuar krizën. Në vend të saj, atë e përdori Polonia, duke shtyrë adoptimin e euros për më vonë (ose kurrë) dhe duke e lënë monedhën złoty të rrëshqasë. Recesioni Evropian i shkaktoi ekonomisë së saj vetëm një ngadalësim të vogël.

Kjo situatë zbuloi ndjeshmërinë e këtyre ekonomive ndaj hyrjes ose daljes së kapitaleve ndërkombëtare. Përfundimi ishte se kursimet mungonin: me të ardhura më pak se gjysma e mesatares së Evropës Perëndimore dhe nevoja të konsiderueshme për sa i përket infrastrukturës dhe pajisjeve prodhuese, vendeve të Evropës qendrore dhe lindore i mungonte kapitali vendas. Për t’i tërhequr investitorë të huaj, ata ofronin norma më të larta interesi sesa në Perëndim dhe mbanin kosto pagash shumë të ulta, duke u mbështetur në rritjen e fortë ekonomike kombëtare, e cila garantoi fitime të konsiderueshme, disa prej të cilave ktheheshin në vendet investitore. U zhvillua një formë konkurrence midis vendeve dhe territoreve në rajon për ta tërhequr kapitalin perëndimor (4). Duke i karakterizuar pasojat e pranisë së ndërmarrjeve transnacionale perëndimore në qendër të këtyre sistemeve prodhuese, politologët Andreas Nölke dhe Arjan Vliegenthart i përshkruajnë ekonomitë e Evropës qendrore dhe lindore si “ekonomi tregu të varura” (5). Hapja ekonomike çoi në varësi kur vendimet në grup rrallë  delegoheshin në filialet rajonale, transferimet e teknologjisë ishin të vogla, niveli i trajnimit të stafit mbeti modest dhe shumica e aktiviteteve me vlerë të lartë të shtuar mbaheshin sa më afër vendeve perëndimore të ishte e mundur.

Suksesi shqetësues i nacionalizmit

Në këtë sfond të pakënaqësisë dhe varësive të reja nga urdhërat perëndimore lulëzuan paternalizmi politik, tendencat ksenofobe dhe euroskepticizmi. Shtresa e të paprivilegjuarve po largoheshin nga lëvizjet liberale, ndërsa partitë konservatore ndiqnin politika sociale të favorshme për ta. Në Poloni, Partia Ligji dhe Drejtësia (PIS) konsolidoi kështu bazën e saj duke parë konkretisht gjendjen e shtresave më të varfra të popullsisë: ndihma familjare dhe premtimet për ta rritur pagën minimale ishin disa nga përbërësit e suksesit të saj elektoral, të rinovuar në vitin 2019. Polonia është vendi që mori ndihmën më të madhe evropiane (86 miliardë euro ndërmjet 2014 dhe 2020), por është gjithashtu një nga ata, autoritetet e të cilëve shkelin në mënyrë të përsëritur parimet e vendosura për të udhëhequr Bashkimin në çështjet e ndarjes së pushteteve ose mbrojtjes së pakicave. Edhe pse më pak i ngulitur në Slloveni, nacionalizmi gjithashtu po fillon të zërë rrënjë atje, siç dëshmohet edhe nga suksesi shqetësues i Partisë Demokratike Sllovene (SDS) në zgjedhjet parlamentare të vitit 2018 dhe ato evropiane në vitin 2019. Duke e rimarrë retorikën ksenofobike të mikut të tij hungarez Viktor Orbán, Janez Jansha qe në gjendje të vërë partinë e tij në majë, përpara se të kthehej në pushtet falë një ndryshimi të koalicionit në Mars 2020.

* Profesor i shkencave ekonomike, zv/president  i Institutit Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale (Inalco) dhe zv/redaktor në Revue de La Régulation

(1) Olivier Blanchard, Rudiger Dornbusch, Paul Krugman, Richard Layard et Laërence Summers, Reform in Eastern Europe, MIT Press, Cambridge (Massachussets), 1991.

(2) Shih. Mojmir Mrak, Matija Rojec et Carlos SilvaJáuregui, Slovenia, From Yugoslavia to the European Union, Banque mondiale, Washington, DC, 2004.

(3) Nebojsa Vukadinovic, « Slovénie », dans «Tableau de bord des pays d’Europe centrale et orientale », Les Études du CERI, n° 57, Paris, nëntor 1999.

(4) Shih Ana Podvršić et Lukas Schmidt, « From crisis to crisis. Behind the scenes of peripherisation and europeanisation of Slovenia », Revue de la régulation, n° 24, Paris, vjeshtë 2018.

(5) Andreas Nölke et Arjan Vliegenthart, «Enlarging the varieties of capitalism : The emergence of dependent market economies in east central Europe», Ëorld Politics, vol. 61, n° 4, Cambridge University Press, tetor 2009.