PAS LUFTËS SË ÇMIMEVE MIDIS VENDEVE PRODHUESE
Nafta, marrëveshja dhe mosmarrëveshjet

Për një kohë të gjatë, Shtetet e Bashkuara i kanë deleguar Rijadit çështjen e sigurimit të një çmimi mjaft të lartë për një fuçi nafte, në këmbim të mbrojtjes së tyre ushtarake. Duke e detyruar Washingtonin që të negociojë drejtpërdrejtë me prodhuesit e tjerë të mëdhenj, rënia drastike aktuale e kurseve po e bën të qartë përfundimin e kësaj marrëveshje. Por nuk dihet se me çka do të zëvendësohet: me një konkurrencë pa rregulla, apo me një formë tjetër të rregullimit.

823

21 prilli 2020 do të mbetet sigurisht në histori si dita kur « ari i zi » kushtoi më pak se uji i shiut. Gjatë mbylljes së Bursës se lëndëve të para në New York, një fuçi e West Texas Intermediate (WTI) është shkëmbyer me çmimin negativ prej – 37,63 dollar në kontratat e së ardhmes. Gjysma e njerëzimit ishte atëherë e vetizoluar për shkak të pandemisë të Covid-19, kishte shumë pak kërkesë për naftë, tubacionat dhe cisternat zbrazeshin tepricat në vende për depozitim të cilat ishin gati të ngopura. Të dëshpëruar, akterët financiarë, të cilet spekulojnë mbi kursin, kishin lëndë bruto të cilën dëshironin ta heqin qafe … madje edhe duke i paguar blerësit.

Kjo ngjarje e paparë nuk është më pak e çuditshme se sekuenca që e kishte paraprirë. Gjithçka filloi me rëniën e kërkesës së naftës, goditje e pazakontë në një treg ku zakonisht turbulencat vijnë nga ana e ofertës. Pastaj, sikur të mos mjaftonte kjo situatë, filloi lufta e çmimeve që e lansoi Arabia Saudite në mes të pandemisë globale. Më datën 6 mars, Rijadi lajmëroi uljen e çmimeve të tij dhe planifikimin e rritjes së eksporteve të tij për muajin prill. Washingtoni ishte befasuar nga ate që e interpretoi si një sulm kundër industrisë së tij të naftës, i cili madje ishte i orkestruar nga një aleat strategjik që përfitonte nga mbrojta e tij ushtarake (1). Ligji antitrust amerikan nuk e autorizon, parimisht, qeverinë federale të intervenojë formalisht në treg. Sidoqoftë, duke pasur parasysh rëndësinë e situatës dhe duke qenë vetëm disa muaj para zgjedhjeve, presidenti amerikan ishte përfshirë personalisht në zgjidhjën e krizës.

Kjo krizë konfirmon mënjanimin e udhëheqjes së OPEC-ut

Pasi t’i ketë ngritur kërcënimet e sanksioneve kundër Rijadit, z.Donald Trump koordinoi në urgjencë kontaktet me partnerin e tij turbulent dhe me Rusinë, një armik strategjik. Nga bisedimet në kuadër të këtij grupi joformal ad hoc, një lloj « triumvirati » të naftës, më 12 prill u arrit një marrëveshje për një ulje – gjithashtu historike – të pompimit për 9,7 milion fuçi në ditë (mfd), domethënë afër 10 % të prodhimit botëror. E cilësuar si « big oil deal » (« marrëveshja e madhe e naftës ») nga presidenti Trump (tweet i datës 12 prill), kjo marrëveshje ishte miratuar të nesërmen nga grupi i vendeve të pasur të G20, që përfshin vende të mëdha importues të naftës, si Kina, India dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, zakonisht të interesuar për çmime të ulta. Kush do t’i kishte imagjinuar të gjitha këto ngjarje para disa jave? Çfarë tendenca po pasqyrojnë dhe cilat ndryshime eventuale në rregullimin botëror po i parashikojnë?

Konstatimi i parë: kjo krizë konfirmon menjanimin e udhëheqjes së Organizatës të vendeve eksportuese të naftës (OPEC). Derisa Arabia saudite as nuk i konsultoi dymbëdhjetë anëtarët e tjerë para se të fillojë sulmin e çmimeve, asnjëri prej tyre as nuk reagoi publikisht ndaj kësaj iniciative të mjerë. Ky institucion ka qenë një kohë të gjatë një aktor kyç i tregut të « arit të zi ». I themeluar në vitin 1960, ai është në origjinë të goditjes së parë të naftës, në vitin 1973. Atëherë çmimet kaluan prej 3 dollar në 11 dollar për fuçi. Në fakt ky vendim spektakolar vetëm se konfirmoi një ndryshim të raportit të forcave në ofertën e produktit bruto. Në atë periudhë, këto vende anëtare kontrollonin 50 % të tregut. Duke e caktuar në mënyrë të njëanshme çmimin e shpallur të naftës së tyre – tarifa dhe taksat paguhen në bazë të këtij çmimi, i cili më parë ishte kompetencë e ndërmarrjeve të mëdha perëndimore –, ata përmbyllin pushtimin e sovranitetit të tyre fiskal.

Por aspekti më i ndieshëm për vendet perendimore qëndron në shfrytëzimin e naftës si armë politike nga vendet arabe. Të shënjestruar nga një embargo i naftës si ndëshkim ndaj mbështetjës së Israelit në luftën e tetorit të vitit 1973, Shtetet e Bashkuar, të nënshtruar ndaj importit të produktit bruto, vendosen qysh atëherë ta reduktojnë varësinë e tyre ndaj një rajoni që e vlerësonin jomjaftueshëm të përvetësuar në rrafshin gjeopolitik dhe ushtarak (2). Pas vitit 1973, siguria e furnizimit të produkteve të naftës bëhet preokupim kryesor i vendeve anëtare të Organizatës të Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Me iniciativën e Washingtonit, vendet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) krijuan në vitin 1974, Agencinë Ndërkombëtare të Energjisë (AIE) për t’i harmonizuar pozicionet e tyre dhe për të vepruar për krijimin e stoqeve strategjike. Në mënyrë më diskrete, ata inkurajuan drejtime të tjera, më i rëndësishmi nga ato ishte stimulimi i prodhimit jasht OPEC-ut për t’i diversifikuar burimet e furnizimit. Filloi eksploatimi i fusheve të naftës që nuk ishin fitimprurëse para vitit 1973 (deti i veriut, gjiri i Meksikës, gjiri i Guinesë). Do të kishin mjaftuar shtatë dollarë për fuçi për valorizimin e tyre, por vendet perendimore u pajtuan me politikën e mbrojtjes së çmimeve të lartë të OPEC-ut. Me një kusht: që vendet anëtare të mos rrisnin prodhimin e tyre, duke shfrytëzuar koston e tyre të ultë të prodhimit.

Megjithë ankesat e tyre të zakonshme, vendet perëndimore u pajtuan relativisht me politikën e OPEC-ut, sidomos kur ishte çështja e eksploatimit të nafteve të shtrenjta, sikurse ato të zonave offshore me thellësi shumë të mëdha në brigjet e Brazilit, naftës së rëndë kanadeze apo naftës jokonvencionale amerikane. Kështu, asnjë nga projektligjet e shumta anti-OPEC të shqyrtuar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara nuk pati rezultat. Gjatë themelimit të Organizatës Botërore të Tregtisë (WTO), në vitin 1995, shtetet e mëdha nuk insistuan për ta përfshirë naftën në atributet e saj. Përveç kësaj, profitet windfall (« që biejnë nga qielli ») të vendeve eksportuese, këto të hyra shtesë që rezultojnë nga rritja e kursit, futen përsëri në ekonomitë e OCDE në trajtën e importeve apo depozitimeve. Shtetet e Bashkuara arritën ta bindin madje edhe Arabinë saudite dhe mbretëritë tjera të Gjirit, që të përfshihen në sistemin e « riciklimit të dollarëve të naftës », gjë që e përforcoi edhe më shumë rolin e dollarit në transaksionet e naftës (3).

Në anën tjetër, OPEC-u e kishte të qartë strategjinë e vendeve të AIE. E konsideronte politikën e saj të çmimeve të larta, si një rregullim legjitim të çmimit « bazë » të imponuar për një kohë të gjatë nga karteli i « shtatë motrave », kompani të mëdha anglosaksone që kanë dominuar industrinë e naftës deri në vitët 1970 (prej të cileve janë krijuar BP, Chevron si dhe ExxonMobil). Gjatë samitit të parë të krerëve të shteteve në Algjer, në vitin 1975, OPEC-u theksoi që nafta duhet të paguhet në « çmimin e duhur » në cilësinë e « një burimi të rrallë dhe jo të ripërtëritshëm ». Në atë kohë, ruajtja e këtij burimi në dobi të gjenerateve të ardhshme ishte trend. Kështu pra, me vetëdije të plotë, organizata kishte përzgjedhur t’i mbrojë çmimet e jo t’i rrisë aksionet e saj.

Deri në ditët e sotme ka mbizotëruar ky modus vivendi. Kështuqë për katërdhjetë vjet, edhe pse kërkesa botërore është rritur për 40 %, OPEC-u nuk ka rritur prodhimin total (ndërmjet 30 dhe 33 mfd). Arabia saudite prodhonte 10 mfd qysh në vitin 1979, përafërsisht sasinë e njejtë sikur sot, edhe pse i ka rezervat më pak të kushtueshme. E ka braktisur qëllimin zyrtar që kishte në fillimin e viteve 1980 për ta rritur kapacitetin e saj në 20 mfd pastaj, më vonë, në 15 mfd. Mbretëritë e naftës të Gjirit janë bërë tejet të pasura dhe të kërkuara. Askush nuk fliste atëherë për « fundin e naftës » ose për vjetërsimin e mundshëm, të gjithë mendonin se kishin kohë për ta shitur me çmim të mirë dhe askush nuk mendonte se duhej të luftohej për aksionet e tregut.

Tani – dhe kjo është tendenca e dytë që po shprehet gjatë kësaj krize –, tregu i naftës njeh një ekuilibër vazhdimisht të paqendrueshëm, që tani shpreh një gjendje të acaruar. Përsëri prodhuesit e mëdha kërkojnë strategji thelbësore. A duhet të mbrohet një çmim më i mirë apo të rritet prodhimi? A duhet të vendosen rregullore ndërkombëtare, apo të bazohen në konkurrencën? Duke filluar nga Arabia saudite, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia — protagonistët e krizës aktuale.

Rijadi sigurisht synonte rezultate më të larta

Nuk është lufta e parë e çmimeve që bëhet nga Arabia saudite, por, ndryshe nga episodet e viteve 1986 ose 2014,  Blitzkriegu i filluar nga Rijadi në mes të pandemisë ka intriguar shumë vëzhgues. Disa prej tyre e kanë kuptuar si një reagim hutues i princit trashëgimtar impulsif Mohammed Ben Salman (i ashtuquajtur « MBS ») pas dështimit të negociimit të tij me Moskën për  një ulje të përbashkët të prodhimit (4). Por Rijadi zyrtar nuk mund ta injoronte ndikimin katastrofal të nismës së tij tek prodhuesit amerikanë të naftës. Në këto kushte vështirë besohet në një ngathtësi. Sigurisht në fillim, Arabia Qaudite synonte rezultate më të larta: kërcënimin e një kthimi të mundshëm të konkurrencës për t’i detyruar amerikanët të negociojnë një pikë të ekuilibrit më kompatibil me interesat saudite.

Kështu, nën hijen e çmimeve të mbrojtur së pari nga OPEC-u dhe pastaj, qysh në vitin 2016, nga OPEC+ (OPEC i zgjeruar në dhjetë prodhues tjerë, përfshirë Rusia dhe Meksika), prodhimi total amerikan brenda dhjetë viteve ka kaluar prej 8 % në 14 % të tregut botëror (5). Duhet cekur që ky pushtim i tregut është forcuar nga një konjukturë gjeopolitike e favorshme që pamundësojë apo pengojë eksportet e vendeve të mëdha prodhues, si Irani, Venezuela, Libia, Iraku (madje edhe Rusia), për shkak të embargove amerikane që i shënjestronin …

Rijadi mund të jetë i kënaqur në një pikë: i ka detyruar fuqitë tjera prodhuese, përfshirë Shtetet e Bashkuar, të bashkëveprojnë me OPEC+. Por a ja ka vlejt barra qiranë? Duke vepruar vetë, mbretëria i ka shqetësuar partnerët e saj. Ky veprim shqetësues mund të jetë problematik për të ardhmen. Tani Arabia saudite është de facto lidere e organizatës. Fjala e saj i përfaqëson 33 mfd e të gjitha vendeve anëtare, kurse prodhimi i saj arrin vetëm 10 mbd. Kjo levë, që i ka mundësuar të arrin në rangun e fuqive të mëdha, ia ka hapur dyert e G20. Braktisja e politikës së mbrojtjes së çmimeve, negociatat pa mandat në kuadër të një triumvirati joformal të naftës do ta dëmton unitetin e OPEC-ut. Vështirësitë që njohin Iraku, Venezuela dhe Irani nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se këto vende kanë shumë kapacitet keqbërës. Pa i përmendur fare anëtarët tjerë të cilët nuk do të shohin interes të përfshihen në një organizatë nga e cila nuk do të përfitojnë

Nga ana tjetër, qeveria amerikane, si duket e nxënë e papërgaditur, ka treguar vendosmërinë e saj për të mos qendruar duarkryq përballë fatkeqësisë së paralajmëruar. Sipas konsulentit Rystad Energy, nëse çmimet qëndrojnë në 20 dollarë për fuçi, prodhimi amerikan i naftës do të pësoi rënie për 2 mfd në vitin 2020. Shumë kompani rrezikojnë të ndalojnë shpimet, çka do të rezultojë në papunësi dhe falimentime. Prandaj mund të kuptojmë acarimin e z.Trump, i cili është shumë i lidhur me pavarësinë dhe sundimin amerikan të ekonomisë së naftës. Kushtet thelbësore për këtë sundim që ia jep Washingtonit një avantazh ekonomik dhe gjeostrategjik janë:  të mbetet prodhuesi kryesor, të bëhet  një eksportues i produktit neto, të ruan ekskluzivitetin e dollarit në tregun e naftës dhe përparësinë ushtarake në Lindjen e Afërt.

Fillimisht, pas vendimit të sauditëve më 6 mars, administrata Trump rriti presionin. Prodhuesit e shistit argjilor filluan një fushatë lobimi për sanksione kundër Rusisë dhe Arabisë Saudite për t’i detyruar këto vende të ulin prodhimin (6). Më 16 mars, trembëdhjetë senatorë republikanë i dërguan një letër princit trashëgimtar saudit duke i kujtuar atij “varësinë strategjike” të mbretërisë ndaj Washingtonit (7). Edhe më tej, më 9 maj, administrata amerikane njoftoi tërheqjen nga Arabia Saudite e baterive të raketave Patriot. Duke kuptuar që lufta rrufe po merrte formën e një shpërhapje, qysh më 11 maj Rijadi ishte përpjekur të frikësojë tregun duke njoftuar, në mënyrë të njëanshme, një ulje të 1 mfd të prodhimit të saj, pa ndonjë ndikim të madh në kursin.

Por, përtej këtyre presioneve bilaterale, autoritetet amerikane ishin detyruar ta shuanin zjarrin duke u përfshirë, në njëfarë mënyrë, haptazi në negociatë ndërkombëtare në lidhje me çmimet. Ky është një precedent i rëndësishëm: tronditja e kësaj krize të naftës ka zbuluar se edhe Shtetet e Bashkuara, të cilet për vite me radhë kanë vepruar vetëm, kanë nevojë për rregullim në tregun e naftës.

Për sa i përket rusëve, përveç se janë të inatosur nga sanksionet amerikane mbi naftën dhe gazin – embargo në teknologjitë e avancuar të vajërave të shistit argjilor, sanksione mbi ndërmarrjet që marrin pjesë në ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 2, sanksione financiare ndaj bankave që financojnë eksploatimin e fushave të naftës në gadishullin e Iamalit –, ata frikësohen se nafta e shistit amerikane do të pushtojë tregun europian, strategjik për ta. Për këtë arsye Washingtoni dyshon se ata kanë provuar t’i dëmtojnë prodhuesit e saj duke e sabotuar nismën saudite për uljen e  prodhimin të OPEC +. Vlerësim i stërmadhuar për Rusinë. Në fakt refuzimi i saj mund të kuptohet më lehtë si vullnet për të mos u ndier sistematikisht e lidhur me një aleancë me OPEC +. Pa qenë indiferente ndaj çmimeve (që i garantojnë të hyra fiskale dhe deviza), qeveria ruse gjithmonë ka treguar preferencën e saj për vëllimet. Sidomos nga fakti që i nënshtrohet presioneve të kompanive të naftës, sikurse kompania e madhe Rosneft, të cilat gjithmonë i kanë kundërshtuar kuotat e sistemit OPEP+.

Rusia po e paguan shtrenjtë  « big oil deal »-in

Në muajin mars, presidenti Vladimir Putin sigurisht i ka dëgjuar këshillat e tyre, para se të tërhiqet. Edhe pse zyrtarët rusë pretendonin se pajtoheshin me çmimin 42 dollarë për një fuçi, Kremlini nuk mund t’i reziston luftës së çmimeve. Prandaj Moska ndryshoi krejtësisht qëndrimin dhe më në fund pranoi ta zvogëloi prodhimin e saj për 2,5 mfd, një shkëputje edhe më e madhe se ajo që ishte propozuar nga Arabia saudite më 4 mars. Pra, Rusia po e paguan shtrenjtë « big oil deal-in ». Për herë të parë në historinë e OPEC+, përpjekjet e saj janë të njëjta me ato që po i pranon Arabisë saudite. A është çmimi për t’i ngrirë aksionet e saj në të ardhmen? Për t’i detyruar amerikanët ta ndajnë barrën e mbrojtjes së çmimeve? Për heqjen e sanksioneve amerikane?

Ndryshimi i papritur i qëndrimit të Moskës është një tjetër shembull i hezitimit të prodhuesve të mëdhenj kundrejt alternativës strategjike në mes tregut të lirë apo kontrollit përmes rregullave. Sauditët dhe rusët janë joshur nga konkurrenca pa frenjë, para se të tërhiqen përballë katastrofës së mundshme. Por episodi i çmimeve negativ ka treguar se çfarë do të ishte bota pa rrjetin e sigurisë të OPEC-ut. I shtyer nga Washingtoni, « big oil deal » është një hap i strukur kah një tjetër lloj rregullimi. Nëse deri në fillim të vitit 2021, marrëveshja arrin të kthejë një ekuilibër të kënaqshëm rreth 50 dollar për fuçi, kjo procedurë mund të jetë një bazë për një mekanizëm më të plotë. Por kjo supozon se duke marrë parasysh kërkesat e Arabisë saudite dhe Rusisë, Shtetet e Bashkuara nuk do të gëlltitin pothuajse krejt rritjen e  kërkesës së naftës dhe ata angazhohen për të kontribuar në mënyrë më aktive për modulimin e ofertës. Në anën tjetër, nëse marrëveshja nuk arrin ta rrisë mjaftueshme çmimin, interesat e ndryshme të këtyre akterëve do të shprehen përsëri, duke hapur kështu riskun e një lufte të fshehtë të çmimeve.

Përveç prodhuesve te mëdha kemi Kinën e cila është variabla e fundit në ekuacionin e naftës. Pasojat e pandemisë i kanë mundësuar ta konsolidojë një statut të cilin vështirë e ka përvetësuar. Për disa vite me radhë, Pekini ka luajtur një rol shumë aktiv në planet mbi naftën dhe gazin. Sikurse fusha ushtarake dhe dollari, nafta është njëra nga pikat e dobëta në rivalitetin e saj me Shtetet e Bashkuara dhe përbën njërën nga prioritetet ndërkombëtare. Kompanitë e saj kombëtare të naftës janë ndër kompanitë e saj më të mëdha dhe më aktive jashtë kufijve të saj. China National Petroleum Corporation, për shembull, përvetëson 20% të Yamal LNG, që eksploaton një fushë nafte shumë të madhe që gjindet në gjirin e Ob-it në Rusi. Simotra e saj China National Offshore Oil Corporation, së bashku me Total, është e përfshirë në zhvillimin e fushave të naftës të Nigerisë. Ndryshe nga Bashkimi Evropian, kërkesa e të cilës zvogëlohet, në Kinë, kërkesa rritet në një ritëm të paparë prej 7 deri 10% çdo vit. Aktualisht është konsumatori më i madh në botë, duke koncentruar 13,5% të kërkesës. Për ta kuptuar ndikimin në rritje që ka në treg, mjafton të ceket që operatorët dhe analistët në tregjet ndërkombëtare kanë përvetësuar si referencë treguesin e zhvillimit të importeve të saj javore, e jo vetëm në Azi. Në fakt, varësia e saj ndaj naftës, e cila deri tani konsiderohej si « dobësi », mund të shndërrohet në një aset me të cilin do të përfiton edhe ajo , si përfaqësuese e konsumatorëve, statutin e një akteri vendimtar për ekuilibret në tregun e naftës.

Për shumë vite, Kina po tenton ta garanton sigurinë e furnizimit të saj. Përmes projektit të saj të rrugëve të reja të mëndafshta i ka përforcuar lidhjet e saj me prodhues të mëdha të naftës dhe të gazit, siç janë Rusia dhe vendet e Azisë qendrore. Si klient kryesor i prodhuesve të mëdhenj të gjirit arabo-persian, Kina po bën me ta marrëveshje të shumta bilaterale, duke acaruar Shtetet e Bashkuara, që e konsiderojnë këtë rajon si zonë e rezervuar. Diversifikimi i burimeve të furnizimit po zgjerohet gjithashtu në Afrikë dhe në Amerikë Latine, edhe pse disa herë Pekini konstaton kufinjtë e veprimit të saj, si në Libi, në Sudan dhe sidomos në Venezuela, vendi i cili ka më së shumti rezerva në botë. Në mes të krizës së koronavirusit, derisa amerikanët, përfshirë edhe presidenti i tij, kërcënonin se do të taksojnë produktin bruto saudit të importuar, Kina shtonte sigurimet për t’i konsoliduar kontratet e saj, duke përfituar nga çmimet e ulta. Në të njejtën kohë, duke vënë në pah tregun e saj si mundësi të mirë për vendet eksportuese siç janë vendet e Gjirit – me të cilet zhvillon një bashkëpunim bilateral – ose me vendet të cilët, sikurse Rusia, Venezuela ose Irani, përballen me një embargo të njëanshme nga Shtetet e Bashkuara.

Aktualisht, të gjithë prodhuesit e mëdhenj të naftës dhe gazit, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, shtyhen për ta përvetsuar tregun e brendshëm kinez. Pekini veç ka filluar ta përdor pozitën e saj për ta përforcuar kapacitetin e saj të negocimit të çmimeve të blerjes, siç e bën tanimë për gazin natyror në gjendje të lëngshme (GNL) dhe sidomos për thëngjillin, çmimet e të cilëve në import shërbejnë si referencë kryesore në tregun botëror (8).

Ndryshe nga anëtaret e triumviratit të ofertës, Kina, e cila është shumë e varur nga nafta e importuar, po e planifikon qartë pozitën e saj në tranzicionin ekologjik. Si investitor më i madh në energjitë e ripërtëritshme, ky vend përvetëson më shumë se 50% e paneleve diellore dhe turbinave me erë në nivel botëror dhe prodhon 90 % të autobusëve elektrikë në shërbim. Kina i ka privilegjuar këto mjete udhëtimi. Numri i tyre përfaqëson gjysmën e automjeteve elektrike që qarkullojnë në nivel botëror.

Një impakt i mundshëm në kursin e fuçisë

Në anën tjetër, vendet e pasur të OECD veç e kanë zvogëluar konsumin e tyre të naftës. Me emergjencën klimatike, kjo lëvizje do të përshpejtohet akoma. Bashkimi Evropian ka vendosur një target të neutralitetit karbon për vitin 2050, ku në pozicionin e parë gjinden energjitë e ripërtëritshme, me mbi 50 % të miksit energjetik (që përfaqëson shpërndarjen e burimeve të energjive primare të nevojshme për nevojat e saj). Gjithandej, në shkallë të ndryshme, programe të zëvëndësimit të lëndeve djegëse me elektricitet përgatisin tranzicionin ekologjik.

Të gjitha këto ndryshime do të kenë sigurisht ndikim në variablën më të dukshme të tregut të naftës, do të thotë në kursin e fuçisë. Ky çmim, sikurse çmimi i mallrave tjera, përmban një rentë. Renta e naftës, veçanërisht substanciale, përbëhet nga tri shtresa. Shtresa e parë, e zakonshme, arsyetohet nga ndryshimet e kostos për shkaqe gjeologjike. Kjo pjesë do të ekziston pavarësisht nga regjimi i naftës që do të mbizotërojë në të ardhmen. Pjesa e dytë lidhet me faktin që kemi të bëjmë me një produkt strategjik vështirë të zëvendësueshëm si lëndë djegëse në transportet. Kjo pjesë do të zvogëlohet me rritjen e rolit të energjive të tjera. Dhe, shtresa e tretë, më e rëndësishmja, është shtresa që është sedimentuar pas vitit 1973, kur OPEC-u  ka filluar të caktojë çmime shumë më të ndryshme nga ato të kostos së prodhimit.

Kjo shkallë e tretë në mënyrë progresive do të dëmtohet nga menjanimi i OPEC-ut dhe rëndimi i konkurrencës. Për ta pushtuar kërkesën e ardhshme, kompanitë e naftës duhet të bëjnë investime të reja. Atëherë ata që përpunojnë naftë të shtrenjtë do të kenë telashe për t’i rritur kapacitetet e tyre përballë konkurrentët e tyre të OPEC-ut të cilët do të vendosin të mos i mbrojnë më çmimet. Nëse edhe ata, sikurse rusët dhe amerikanët, vendosin të konkurrojnë për sasitë e ardhshme, atëherë do të hapet një epokë e re ku çmimet e naftës do të kenë tendencë të renditen sipas kostove më të ulta, duke i shtyer ato kah një vlerë « normale » të rendit 20 deri 25 dollar, e jo –siç është rasti tani – të renditen në çmimet më të shtrenjta si nafta e shistes amerikane ose nafta e rërës bituminoze të Albertës, që kërkojnë vlerë minimale 40 deri 50 dollar për të qenë rentabil.

Kjo tendencë e çmimeve në rënie nuk i pëlqen mbrojtësve të klimës. Naftën me çmim të lirë e shohin si një risk për rentabilitetin e programeve të zëvëndësimit energjetik. Në të ardhmen, ata mund të shtojnë presionin ndaj qeverive që ata të zbusin uljen e çmimeve duke i ngritur taksat ose çmimin e karbonit.

E ardhmja do të varet nga rezultati i këtyre presioneve kundërthënëse ndaj çmimeve. Por kriza aktuale ka treguar se gara mund të shfaqet në mënyra të ndryshme. Sigurisht protagonistët kanë kuptuar që është e preferueshme të rregullohet me një minimum rregullore, sesa të zbatohet një konkurencë pa rregulla.

* Ekonomist, ish ministër i energjisë i Algjerisë (1988-1991) dhe ish*kryetar i Organizatës së vendeve eksportuese të naftës (OPEP) (1989-1991). Ka ligjeruar gjithashtu si profesor i asocuar në universitetin e Grenoblës (1992-2013).

(1) Shih Luis Lema, «Pétrole : quand l’Arabie saoudite agace son allié américain», Le Temps, Lozanë, 22 prill 2020.

(2) NDLR. Lexo Michael G. Renner, «Një luftë e gjatë kundr OPEP», Le Monde diplomatique, nëntor 1988.

(3) NDLR. Lexo Georges Corm, « OPEP përballë konfiskimit të nouvelle rente pétrolière », Le Monde diplomatique, shtator 1975.

(4) Shih Middle East Economic Survey, vol. 63, n° 10, Nikozi, 6 mars 2020.

(5) BP, «Statistical review of world energy», Londër, 2019. T gjitha shifrat në lidhje me prodhimin dhe konsumin e naftës të cekura në artikullin i referohen këtij burimi.

(6) Petrostratégies, Paris, 13 mars 2020.

(7) «Trump told Saudi : Cut oil supply or lose US military support», Reuters, 30 prill 2020.

(8) Shih Jean-Marie Martin-Amouroux, «Energjia n Kinë: kthesa e Xi Jinping ? », Enciklopedia e energjisë, Grenoble, 7 korrik 2019, www.encyclopedie-energie.org