Lajm i mirë në edicionin e orës 20:00 të France 2 këtë 6 maj 2020. Në ditën e 50-të të izolimit në Francë, ndërkohë që në mes të pandemisë së Covid-19 një mungesë pajisjesh sanitare godet vendin, Bashkia e Parisit njofton se do të shpërndajë maska pa pagesë, të cilat mund të merren në 906 farmaci të kryeqytetit. Por me një kusht, paralajmëron gazetarja Anne-Sophie Lapix : parizienët duhet « të regjistrohen në internet » dhe më pas te shkarkojnë një kupon të cilin duhet ta printojnë dhe ta paraqesin në farmaci për ta marrë maskën, mbajtja e së cilës është e detyrueshme në transportin publik. Çka po përparonte me hapa galopantë para pandemisë së Covid-19, tani po avancon me shpejtesinë e erës, duke i dërguar të gjithë në një botë të re, atë të « gjithçka internet ».
Një test gjigand i një bote pa kontakt
Deri dje, të drejtat e papunësisë, marrja e një karte identiteti, e një leje qëndrimi ose dokumenta për makinën; sot, e drejta e të pasurit një pajisje shëndetësore bazike, puna, shëndeti, qejfet, mësimdhënia dhe familja.
Nga data 17 deri më 31 mars 2020, sipas Médiamétrie, koha e nagivimit të përditshëm në internet nga francezët ka arritur në 2 orë e 50 minuta, ose në një rritje prej 36%, në krahasim me marsin e 2019 (mesatarisht 4 orë e 41 minuta për televizionin nga 17 mars deri më 26 prill, me një rritje prej më shumë se 1/3 gjatë një viti). Qofshin ata profesorë që japin mësime online, mjekë që bëjnë telekonsulta apo profesorë universiteti që survejojnë nxënësit e tyre me provime nga shtëpia (1), dematerializimi është përhapur aq shumë në përditshmërinë e francezëve, sa që të kesh nje aparat elektronik të lidhur me internet duket më shumë se kurrë si një nevojë jetike. Pa internet nuk ka as maska, as vizita mjekësore, as punë nga shtëpia (që përbën një të katërtën e popullit aktiv francez gjatë izolimit), dhe as qasje në dosjen e sigurimit social, të pensioneve apo të llogarisë bankare.
Të marrësh trenin pas karantines? E pamundur pa internet. Më 7 maj, Shoqata Kombëtare e Hekurudhave Franceze (SNCF) dhe rajoni i Hauts-de-France njoftuan rivendosjen e një sistemi kuponash me modelin « kush arrin i pari, shërbehet i pari » për të marrë trenat express rajonalë (TER) me destinacion ose me nisje nga Lille, duke filluar nga 11 maji. Kuponat nuk tërhiqen më në stacione treni, por janë akesueshëm vetem në internet. Mbyllja e më shumë se 500 mijë posteve (biletashitës, agjentë informacioni) përgjatë10 vitesh në Francë (një mijë vetëm në 2019 (2)), në përparësi te automatëve dhe aplikacioneve dixhitale kanë shërbyer si pre-eliminatore. Çdo person që nuk ka smartphone, që nuk ndihet rehat me internetin ose që thjeshtë është kundërshtues i idesë së të qenurit gjithë kohën i lidhur me internet, do jetë i izoluar në zemër të një shoqërie ku pothuajse çdo gjë do t’i refuzohet.
Sidoqoftë ështe një fakt i vendosur dhe i njohur nga autoritetet : njerëz të tillë janë të shumtë në numër, në Francë. Në 2019, më shumë se një në pesë mazhorene franceze ka vështirësi në lidhje me përdorimin e internetit: quhet ‘ilektronizëm’, term barbar që nënkupton analfabetizmin dixhital (3). Për 15% të njerëzve të moshës 15 vjeç e lartë, të cilët nuk kanë përdorur internetin përgjatë vitit 2019, ose për 38% të përdoruesve që deklarojnë se u mungon të paktën një aftësi themelore kompjuterike, një lloj bote është duke iu rimbyllur (4). Më 30 Mars 2020, qeveria franceze, ende e përkushtuar në detyrën e saj për ta arritur dematerializimin e shërbimeve publike 100% deri në vitin 2022 (“Action Publique 22”- program i qeverisë për ta përmirsuar cilësinë e shërbimeve publike), këshilloi francezët që nuk dinë të përdorin Internetin, të futen në website-n Solidarité-numérique.fr, një faqe e re e nisur nga një grup ndërmjetësish të quajtur MedNum.
Koncesioni i fundit para braktisjes së përhershme të të gjithë pjesëve të popullsisë?
Një test i madh për mjeksinë e të ardhmes. Madje edhe përpara izolimit, « gjithçka internet » ishte përditshmëria e mjekut Thibaud Zaninotto, në Paris. Në fund të 2019-s, ky ish-praktikant ishte në « në frontin e parë », siç e përshkruan ai, në sektorin e urgjencës në një spital parizien. Ajo çka ai ka parë atje e ka « demoralizuar krejtësisht ». « Pacientë 70 vjecarë janë lënë vetëm për 24 ose për 72 orë, në një barrelë në korridor. Përvec faktit që na duhej të kalonim shumë kohë duke kërkuar për shtretër të lirë, duhej edhe të kalonim afërsisht 10 orë në ditë para ekranit për të regjistruar në kompjuter çdo levizje të bërë. »
Në dhjetor, mjeku 30 vjeçar vendosi ta linte punën në urgjencë për t’u vendosur në mjekësi në qytet. Katër muaj më vonë, bota u kthye përmbys për doktor Zanimotto-n, i zënë nga ekranet dhe nga virusi. « U infektova me Covid-19 », tha ai në një intervistë me video, në dukje i lodhur nga një luftë dy javore me sëmundjen. Sapo u shërua, mjeku zëvëndësoi një koleg të rrethit të 16-të të Parisit. Në krye të dy javëve të izolimit, 60-70 % të konsultave të tij u zhvilluan me kamera në një faqe interneti private të quajtur Doctolib, lider në rezervimin e konsultave on-line në Francë. « Nuk mendoja kurrë se do e beja këtë. Mungon ngrohtësia, kontakti klinik, por duke marrë parasysh kontekstin, nuk është dhe aq keq, pasi në kabinet (të cilin ai e ndan me kolegët e tij), është e pamudnur të mbrohesh plotësisht kundër transmetimit të mikrobit, për shkak të citofonit, të gishtërinjve ».
Sidoqoftë, një detaj ka i bërë përshtypje Doktor Zaninotto-s ndërkohë që ai u gjend në rutinën e konsultave me video : «Në krye të disa ditëve fillova të pyes veten se ku kishin shkuar pacientët mbi 50 vjeç. Ata nuk janë këtu. Unë nuk i shoh në ekran. Mosha mesatare e klientelës sime, aktualisht, është midis 25 dhe 30 vjeç: njerëz që dinë mirë të përdorin aplikacione dhe sisteme interneti. » Mjeku nuk heziton të flasë për « ndarjen që i behet shoqërisë » dhe vendos një paralel mes suksesit te Doctorlib dhe « rradhëve të gjata të pritjes » para kabineteve që praktikojnë akoma konsultat pa takime të rezervuara.
Të dallosh një infeksion veshi, të diagnostikosh një inflamacion, të trajtosh një të ftohur… « Si pretendoni të shihet mbi ekran ngjyra e vërtetë e fytit ose ngjyra e veshit të skuqur ? Ekranet transmetjnë ngjyra të modikuara. Unë përpiqem të drejtoj sa më shumë pyetje të jetë e mundur në mënyrë që të bëj diagnostikim. Njerëzit do të mësohen, besoj. Është një sfidë e madhe për mjekësinë e së nesërmes, pasi, për momentin, nuk kemi zgjidhje tjetër », shprehet ai. “ Teknikisht funksionon mirë”, pohon doktor Zaninotto, “sidoqoftë, të paktën funkionon më mirë se gjithë materialet e vjetëruara që disponojmë në spitalet publike pariziane. »
Është e vërtetë që Doctolib nuk ka shumë të përbashkëta me keqorganizimin në spitalet publike qe skandalizuan mjekun. Sipas shifrave të sigurimit shëndetësor, numri i konsultave me video në Francë arriti afërsisht në gjysmë milioni në javën e fundit të marsit 2020, kundrejt 60 mijë, të gjithë vitit 2019.
Ndërkohë Doctolic, ky start-up i krijuar falë mbështetjes nga shteti francez dhe falë inkubatorit Agoranov, ka arritur në rangun « unicorn », duke qenë se ajo ka kaluar vlerën një miliardë eurosh, dhe ka kryer 2 million e gjysmë konsulta me video gjatë izolimit.
Financuar nga anëtarësimi i mjekëve (129 euro në muaj për mjek), Doctolib pati 30 mijë profesionistë të shëndetit dhe 12 million vizita në fund të vitit 2017. Një vit e gjysmë më vonë, në maj të 2019-s, 24 mijë mjekë pritën 30 milionë pacientë çdo muaj në faqen e internetit dhe në aplikacionin e celularit.
Në fillim të prillit 2020, numri i telekonsultave të përditshme – një shërbim i nisur në janar të 2019-s e në të cilin, pagesa prej 79 eurosh ështe hequr që nga fillimi i krizës sanitare – ka kaluar nga një mijë në njëqind mijë. « Rritet akoma çdo orë », dëshmon Stanislas Niox-Château, bashkëthemelues dhe president i Doctolib, sipas llogarive të së cilit, « Kur koronavirusi të ketë kaluar, midis 15% dhe 20% e konsultave mjekësore në Francë, do të bëhen në distancë ». Nuk ka dyshim që Doctolib do të bëhet zgjidhje për problemin e shkretëtirave mjekësore (shënim : Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, një territor konsiderohet shkretëtirë mjekësore kur densiteti i mjekëve në raport me popullsinë, është 30% më i vogël se mesatarja e vendit.) Padyshim që gjatë izolimit llogaria bankare e menaxherit te Doctolib të jetë rritur: në 2018, ky ish-kampion tenisi jo fort i kamur, hyri krah bashkëthemelusve te ndërmarrjes, në klasifikimin e pasurive më të mëdha në Francë, listë kjo e botuar nga revista Challenges. Qoftë të dhënat bankare,personale apo mjekësore, janë informacione shumë të rendësishme për kompanitë e sigurimit, të reklamave, për forcat e rendit dhe për faqet e biznesit.
Miliona njerëz që tani kryejnë konsulta në Doctolib lënë në dispozicion të lokacionit një minerë ari të vërtetë : informacione të detajuara mbi shëndetin e tyre (historikun e konsultave, recetat e mjekëve, por edhe numrin e telefonit apo adresën elekronike).
Më 21 prill 2020, qeveria nxorri urdhër për të autorizuar Fondin Kombëtar të Sigurimeve Shëndetësore dhe Health Data Hub – një platformë e re, e cila punon me inteligjencë artificiale, e nisur nga Presidenti Emmanuel Macron pas raportit të Villani-t (shënim: Cédric Villani, matematicien dhe deputet, në vitin 2018 i propozoi qeverisë së Macron-it një raport mbi inteligjencën artificiale) – të mbledhë një sasi të konsiderueshme informacionesh mbi përdoruesit gjatë konfinimit « me qëllimin e vetëm lehtësimin e përdorimit të të dhënave të shëndetit për nevojat e menaxhimit të urgjencës shëndetësore dhe të përmirësimit të njohurive mbi virusin Covid-19 (7).
Një « gjuhë e re » e krijuar për t’u kuptuar intuitivisht
Një detaj i vogël: kjoplatformë që përmban njëherazi dosje të sigurimeve shëndetësore, fatura spitali, shkaqe mjekësore vdekjesh, të dhëna mjekësore dhe sociale të personave me aftësi të kufizuara dhe fatura rimbursimesh të organizmave të sigurimeve shëndetësore, është e vendosur në icloud-in (vend ku stokohen të dhënat informatike) e Microsoft-it, kompani amerikane e certifikuar si « mbajtëse të dhënash » në Francë, në fund të 2018-s. Nën Cloud Act (« ligji mbi cloud-in »), forcat e rendit ose shërbimet e inteligjencës të Shteteve të Bashkuara do mund të kenë akses në të dhënat e ruajtura në server (8). Komisioni Kombëtar i Informatikës dhe i Lirive (La Commission nationale de l’informatique et des libertés -CNIL) shprehu shqetësimin mbi këtë çështje, në një deklaratë të dhënë më 23 prill. Tani kuptojmë më mirë se përse pronarët francezë dhë te huaj të teknologjisë së lartë mblidhen çdo vit në kështjellën e Versailles për samitin « Choose France » (« Zgjidhni Francën »), organizuar nga Élysée.
Shërbimet publike, shëndetësore, argëtimi… Të rallë janë sektorët që nuk janë futur në « gjithçka dixhitale » gjatë pandemisë se Covid-19. Në arsim, izolimi është veçanërisht i favorshëm për eksperimentin në masë të shoqerisë pa kontakt. Profesorët në Francë duhet të bëjne apelin e klasës në një « hapësirë pune dixhitale (« espace numérique de travail- ENT »), e përshkruar nga Ministria e Arsimit si « paketë modulare dhe e zgjerueshme e shërbimeve të integruara dhe ndërvepruese ». Prej vitesh tashmë, prinderit e nxënësve mund të konsultojnë në internet dëftesën shkollore të fëmijëve të tyre. Tani, në pandemi, kufizimet janë dhjetëfishuar edhe me praninë e fjalëve të reja, një “ gjuhë e re” që supozohet të kuptohet intuitivisht. “Në mars 2020” , shpjegon Yasmina B., një mësuese e arkitekturës franceze, e cila preferon të mbetet anonime, “drejtoria e institucionit ku punoj, na ka dhënë në kohë rekord një fletë shpjeguese të mjeteve të reja teknike të cilat janë absolutisht të pakuptueshme. Ka fjalë si « pedagotekë », aplikacione të reja si Moodle, të aksesushme nga BigBlueButton, shërbimi « Renater ».
Për konferenca në grupe të vogla, na kërkohet t’i « ndajmë ekranet », t’i « shpërndajmë PDF » nxënësve… Është e palexueshme. Ne duhet të trajnohemi vetëm për t’i kuptuar dokumentet që na dërgojnë », ironizon ajo.
Përveç faktit se varet nga cilësia e pajisjeve kompjuterike personale të mësuesve, edukimi në distancë të bën konfuz. Ai i shndërron mësimet në seri të cilat studenti mund t’i ndalojë në çdo kohë dhe mund t’i rifillojë rastësisht. “Ultrateknologjia na pengon të mendojmë për gjërat thelbësore, domethënë për përmbajtjen e mësimeve dhe për studentët. Tani jemi të detyruar ta kalojmë jetën përpara ekranit të kompjuterit tonë.”
Në nivel botëror, shkollimi nga interneti rrit pabarazinë. « Të mbajtur jashtë klasave për shkak të pandemisë së Covid-19, 836 milion nxënës e studentë, nuk kanë akses në kompjutera në shtëpi, dhe 43% (706 milionë) nuk kanë internet, ndërkohë që mesimdhënia dixhitale në distancë është përdorur për ta siguruar vazhdimësinë e mësimit në shumicën e vendeve », ka lajmëruar Organizata e Kombeve të Bashkuara mbi edukumin, shkencën dhe kulturën në një komunikatë më 21 prill 2020. Sipas l’INSEE (Instituti Kombetar i Statistikave), 19.2% e francezëve ndërmjet 15 dhe 29 vjec kanë të paktën një paaftësi në këtë fushë (informacion, komunikacion, softëare).
Çdo profesor do të ketë një anektodë për të treguar : nxënës që « dërgojnë përmbajtjen e emailit në këndin e « Objektit » , të tjerë që « hapin email-e te rinj për çdo përgjigje që kthejnë », pa harruar ata që janë të shkëlqyeshëm në vendosjen e « like-ve » dhe komenteve në Facebook por që s’dinë akoma « të bashkëngjisin një dokument në e-mail ».
E vetmja për të cilën B. nuk ka dyshime : « Tani kemi akoma më shumë punë dhe kjo ndërhyn në jetë tonë personale ».
« Një vazhdimësi pedagogjike e diskutueshme »
Fituesit e mëdhenj të këtyre provave gjenerale janë start-up-et dhe gjigandët e botës dixhitale që mblidhen në Versailles. « Software-t me të cilët na kërkohet të punojmë janë midis Minitel dhe Ëindoës 95, ironizon Florian Petit, profesor filozofie në një shkollë te mesme te Senlis (qytet në departamentin e Oise). « Na kërkohet të përdorim hapësirat dixhitale të punës dhe aplikacione si Iprof [sistem komunikimi ndërmjet personelit dhe administratës], por që në ditët e para të izolimit, asgjë nuk funksiononte. Kështu që bëra si shumë mësues të tjerë, i kërkova nxënësve të mi të kalonin në aplikacionin Slack [një platformë amerikane, përdorimi i të cilit është rritur me 305% midis shkurtit dhe marsit 2020], shpjegon ai. « Mbi mbledhjen e të dhënave, është shumë e bezdisshme, pas nuk dimë asgjë mbi këtë temë. Por, nuk kemi zgjidhje tjetër, pasi, në emër të vazhdimësisë pedagogjike shumë të diskutueshme, na është kërkuar ta mbajmë lidhje virtuale me nxënësit tanë. Leksionet kthehen në pyetësore me alternativa në Google Forms, kështu që nxënësit janë të detyruar të kenë nje llogari në Google. Asgjë s’është në rregull ».
E njëjta gjë edhe në sektorin bankar, i cili po përjeton liberalizim të denjë për vitet ’80. Në fund të dhjetorit të 2019, në Dunkirk (Veri), Hugo Bricout-it, arkitekt mikro-ndërmarrës, i duhej të shkonte në takim, thirrur nga bankieri i tij. Dy muaj më parë, banka i dërgoi të riut 28-vjeçar një e-mail paralajmërues: “Sipas Direktivës Evropiane për Shërbimet e Pagesave [DSP2], niveli i sigurisë së aksesit në hapsirën e klientit do të përforcohet. Për këtë, kur të lidheni në hapsirën e llogarisë, mos harroni të keni me vete smartphone-n tuaj për të konfirmuar operacionin që do të kryeni.” Bricout bën pjesë në 23% të francezëve që, në vitin 2019, nuk kishin smartphone (9). Prandaj ai nuk e shkarkoi dot aplikacionin, keshtu që nuk ishte në gjendje të lidhej në llogarinë e tij për te konfirmuar që ishte ai që e kreu operacionin, cka bëri që ai ti mbahej një “fjalim”. Ditën kur u thirr, bankierja e tij ngriti zërin. Sipas saj, pa objektin e gjurmueshëm në distancë, dhe veçanërisht pa aplikacionin, ai nuk do të ketë më mundësi të hyjë në llogarinë e tij bankare, madje as përmes faqes së internetit.
“Për më tepër, në agjencinë CIC ku jam thirrur, ne shohim vetëm vitrina me smartphonë në shitje. Instikti im i mbijetesës më shtyn të mos e blej këtë objekt “, rrëfen z. Bricout, i cili, gjashtë muaj më vonë dhe pavarsisht konfinimit, ende nuk ka blerë smartphone. Ai është i kënaqur për momentin me faturat që merr me postë, por nuk mund të bëjë më transferime ose blerje në internet, për shkak të mungesës së aplikacionit. Ai nuk mund ta shijojë as kënaqësinë dixhitale të të shkruarit të një kodi aksesi disa herë në ditë ose të indeksojë nivelin e stresit mbi baterinë e tij. Në të vërtetë, sipas një studimi të bërë nga Cass Business School, perceptimi jonë mbi mjedisin që na rrethon ndryshon në varësi të baterisë (10). “Unë nuk jam dikush shumë i lidhur me internetin, rrëfen z. Bricout. Unë tashmë kaloj shumë kohë në kompjuterin tim duke punuar, duke dërguar email-e … gjë që më shkakton shumë probleme me shpinën. Nuk dua të kem gjithmonë Internet në xhep. E urrej atë. Më duket e pabesueshme që të kesh një smartphone tani është një kriter për të pasur akses në paratë e tua!
I regjistruar në Crédit Mutuel de Bourbourg, ai shpjegon se i janë përgjigjur: “Ju duhet vetëm të financoheni nga shoqata juaj për të marrë një smartphone.” Për fat të mirë, dërgimi i faturave me postë nuk është ndërprerë ende, vuri në dukje ai. E vetmja zgjidhje për të pasur ende kontakte njerëzore është t’i identifikojë oraret kur konsulenti i tij punon në agjenci dhe të shkojë në atë kohë…. “Por dega e Crédit Mutuel de Bourbourg, si shumë degë në Francë, do të mbyllet këtë vit. Përfitoni para se të jetë e paaksessueshme pa marrë një takim,” i tha punonjësi i bankës para izolimit. Sipas Federatës Franceze të Bankave, midis 2009 dhe 2016, 14.9% e degëve të bankave në Francë u mbyllën, shkruan Le Figaro (15 Mars 2019). Agjensia CIC për të cilën është thirrur Z. Bricout nuk ka më një degë të hapur, që nga viti i kaluar dhe klientët që nuk kanë marrë takim, i ndalohet hyrja.
Etapa e fundit para mbylljes definitive?
« Çdo gjë që është vendosur me detyrim, telemjekësia, deklarimet e të ardhurave me internet, mësimdhënia me video, certifikatat me QR code [piktogramë e skanueshme]… E gjithë kjo i lejon autoriteteve të dinë cdo gjë mbi ne: punën, të ardhurat, ndihma sociale, llogari bankare, vendodhja gjeografike. Nuk do kemi akses në asnjërën nga këto pa patur smartphone. Është një ferr i vërtetë », thotë z.Bricout , ndërkohë që mendohet edhe për bilancin e shëndetit i propozuar nga Sigurimi Social në 2019. « Për të përfituar këtë shërbim, duhet të jesh i regjistruar në Doctolib…Shërbimet publike kryhen në këto aplikacione për t’i ekonomizuar tarifat e sekretarisë ». Pas një pauze, ai vazhdon : « Kemi kaluar nga qejfi, në pranga. Gjenerata jonë do ketë përfituar nga anët pozitive të internetit (filmat,blogget, ndarje njohurish), por cfarë do të ndodhë më pas ? », pyet ai duke përmendur sistemin e survejimit me anë te gjeolokalizimit, i aplikuar në Izrael gjatë konfinimit, apo të systemit kinez të pikëve (12).
“Sigurimi parametrik”
Edhe pse DSP2 “nuk është marrë me sy të mirë nga bota e shërbimeve financiare”, ajo përbën “hapin e parë në akesin e të dhënave bankare”, shkruan në blogun e tij Julien Maldonato, ekspert në kabinetin e auditit financiar Deloitte (13). Ashtu si makinat, kamionët, fshesat e shtëpisë me vakuum, edhe bankat janë të destinuara të jenë “autonome”. DSP2, i vënë në emër të luftës kundër piraterisë dhe mashtrimeve informatike, do ta përshpejtojnë dixhitalizimin dhe do ta lejojnë komodifikimin e një thesari të vërtetë lufte: të dhenat bankare. Me këtë liberalizim, të votuar në 2015 dhe të vënë në zbatim në 2018, shumë start-upe të quajtura “agregatë” (Linxo, Bakin…) autorizohen të kenë akses në llogaritë bankare të klientëve për t’i sugjeruar përmirësime. Quhet “Sigurim parametrik” në zhargonin bankar, sic shpjegon z.Maldonato: “Dikush bën shpesh blerje ushqimesh të një kualiteti të dobët (plot OMGJ) me kartën bankare, në një dyqan lagjeje. Agregatori do t’i sugjerojë të blejë më mirë në një një dyqan partner që ka produkte bio. Dikush tjetër sheh faturën e benzinit të makines të rritet vazhdimisht? Start-upi i propozon të blejë një makinë më ekonomike. E kështu me rradhë.
“Këto të dhëna bankare mundësojnë gjetjen e mundësive të reja shitjesh.”Marrim shembullin e sigurimit”, thotë eksperti duke cituar dy raste: “Paul është një shofer automjeti i cili furnizon makinën tre herë në muaj. Kjo e lejon kompaninë e sigurimit ta konsiderojë atë si “shofer të përditshëm”. Kompania i propozon një trajnim vetëparandalues që të mund ta ndihmojë atë të jetë i sigurt ndërsa vozit me makinë.” Ose “Laura, e cila po organizon ikjen në Tailandë. Ajo ka blerë biletën e avionit dhe ka paguar qëndrimin me anë të internetit. Kjo gjë i lejon siguruesit ta identifikojë si “udhëtare e ardhshme” ndaj i propozon mbulim siguracioni jashtë vendit dhe i sugjeron siguracione që i përshtaten udhëtimit të saj”. “Më shumë se një milion francezë kanë kaluar tashmë në plotësimin e sigurimeve parametrike”, thotë eksperti.
Quhet self-driving (financa autonome) dhe lejon gjigandët e internetit (Gafam-Google, Apple, Facebook, Amazon, Microsoft) të kenë akses në bisedat tona të lidhura me objekte (mikrofonë dhe njohje vokale: Siri per Apple, Alexa për Amazon apo Google Home).
E njëjta gjë bëhet kur kryhen transfera parash – pas autorizimit me SMS. “Amazon, Google dhe Apple e kanë marrë tashmë licensen për DSP2, por nuk e kanë përdorur akoma”, shprehet Maldonato.
Janë fillimet e një bote kur paraja do jetë gjithmonë në levizje dhe ku makineritë do të parashikojnë dëshirat (dhe blerjet tona), me kushtin e të paturit akses në internet. Kjo “provë gjenerale” për një shoqëri të lidhur me internet, edhe pse mund të rrëzojë miliona qytetarë, padyshim që ka bërë të lumtur Eric Schmidt, ish-pronarin e Google. Më 10 maj, ai foli në kanalin e televizionit CBS: “Këto muaj karantine na kanë lejuar ta bëjmë një kapërcim prej 10 vitesh. Interneti është kthyer në nevojë jetike për punë, për t’i organizuar jetërat tona dhe për të jetuar.”
* Gazetar
(1) Shih. Nina Valette, « Rennes : les étudiants vont être télé-surveillés pendant les examens de fin d’année », France Bleu, 5 maj 2020, www.francebleu.fr
(2) Shih Pauline Damour, « Guichets, tarifs : les usagers de la
SNCF au bord de la crise de nerf», Challenges, Paris, 6 qershor 2019.
(3) Lexo « Peut-on encore vivre sans Internet ? », Le Monde diplomatique,
août 2019.
(4) Insee Première, n° 1780, Paris, tetor 2019.
(5) « La téléconsultation médicale en plein essor », Reuters, 27 mars 2020.
(6) Shih Fabien Trécourt, « Stanislas Niox-Château : du tennis de
haut niveau à Doctolib », Capital, Paris, 10 korrik 2018, ëëë.capital.fr
(7) Shih Jérôme Hourdeaux, « La CNIL s’inquiète d’un transfert
possible de nos données de santé aux États-Unis», Mediapart, Paris,
8 mai 2020, ëëë.mediapart.fr
(8) Shih Alice Vitard, « Malgré les inquiétudes, le Health Data Hub est officiellement lancé », L’usine digitale, 2 dhjetor 2019, www.usine-digitale.fr
(9) « Baromètre du numérique 2019 », Centre de recherche pour
l’étude et l’observation des conditions de vie (Credoc), Paris.
(10) Benjamin Ferran, « L’angoisse de la batterie faible », Le Figaro, Paris, 6 tetor 2019.
(11) «La couverture des zones peu denses», Autorité de régulation des communications électroniques, des postes et de la distribution de la presse (Arcep), 21 avril 2020, ëëë.arcep.fr
(12) Lexo Félix Tréguer, «Urgence sanitaire, réponse sécuritaire», Le Monde diplomatique, mai 2020.
(13) Julien Maldonato, Marine Bauchère, Elsa Mallein-Gerin et Chloé Dreher, « Ouverture des données : une bonne nouvelle pour les banques, assureurs et leurs clients!», Blog Deloitte, 29 maj 2019, https://blog.deloitte.fr