E MAJTA AMERIKANE NUK NDJEHET REHAT ME DEMOKRATIN JOSEPH BIDEN
Në Shtetet e Bashkuara, « asgjë nuk do të ndryshojë rrënjësisht »

Në asnjë vend nuk ka më shumë viktima të Covid-19, se në Shtetet e Bashkuara. Dhe mungesa e një rrjeti të sigurimit shëndetësor dhe shoqëror shkakton një krizë që një shekull. Një situatë e tillë ka mundur të shkaktojë një tërmet politik në një vit zgjedhor. Megjithatë, rizgjedhja e Presidentit aktual nuk përjashtohet. Dhe rivali i tij ka vetëm një dëshirë: kthimin e viteve Obama.

1923

Ky është momenti më i keq në historinë e Shteteve të Bashkuara. Për dekada me radhë profetët e fatkeqësive lajmëronin një pandemi dhe kjo pandemi më në fund na mbuloi derisa  nuk ishim aspak të përgatitur. Qeveria jonë gjigante, e cila në kohë tëzakonshme shfrytëzon çdo refleks të frikës, veçanërisht kur e djathta ekstreme përfiton nga situata, ka mbetur amorfe përballë kësaj krize historike. Presidenti ynë, Donald Trump, ish-yll i programeve televizive reality show, nuk ka zbuluar vetëm paaftësinë e tij të plotë, por ai e ka rrezikuar gjithashtu shëndetin publik me thashethemet e tij të çmendura, të servuara pothuajse çdo ditë në çdo shtëpi amerikane. Derisa po e shkruaj këtë tekst, pothuajse i gjithë vendi jeton i vetizoluar. Disa javë më parë, në qytetin e New Yorkut, ku virusi ka bërë më shumë dëm, varroseshin kufomat me bager në varrezat masive. Për ta vendosur vendin në karantinë pa dyshim se kërkohej të pezullohej jeta ekonomike, e cila dy muaj më parë funksiononte me shpejtësi të plotë. Në Amerikë, nuk ka asnjë mekanizëm për t’i amortizuar efektet e një bllokimi të tillë – njerëzit thjesht humbasin punën e tyre ose e mbyllin biznesin, kaq. Shumë shpejtë, kemi kaluar nga njëra prej ekonomive me rritje më të shpejtë në botë në një Depresion të ri të madh, duke anashkaluar të gjitha fazat e ndërmjetme, me papunësi masive dhe falimentime serike të bizneseve të mëdha dhe të vogla.

Në këtë vend i individit-mbret, individi pothuajse është gëlltitur, i rrëmbyer nga rrymat anonime të sëmundjes dhe kolapsit ekonomik. Të afërmit po vdesin të vetmuar në një spital diku, dhe restorantet të cilët pak kohë më parë ishin të mbushur me njerëz tani janë të mbyllura, kuzhinierët e tyre të rinj dhe ambiciozë tani plotësojnë formularët e aplikimit në procedurat e papunësisë, si miliona persona të tjerë.

Dhe e gjithë kjo po ndodh në kushte të jashtëzakonshme të motit. Këtu në cepin tim të vogël të Amerikës [Bethesda, një periferi rezidenciale e Washingtonit],  po shijojmë pranverën më të këndshme që kemi njohur ndonjëherë. Për “jakët e bardha” të pasur, të cilët jetojnë rreth meje, epidemia u shfaq në një peizazh që duket sikur i pikturuar nga Fragonard: në kohën e frikës së parë, narcisët lulëzuan, pastaj tulipanët; maniolat dhe pemët e qershive, dhe mandej ishte radha e azaleas dhe rododendronëve; pikërisht tani, pemët e thanës të lulëzuar formojnë harqe me lule mbi kokët tona, derisa po vrapojmë në trotuaret dhe në rrugët e qeta dhe të zbrazëta të Bethesdës.

Ky efekt i kontrastit ironik mund të shihet kudo që shikoni. Çdo njeri me ndikim në Shtetet e Bashkuara po e përdor zërin e tij këto ditë për t’u mburrur që pandemia është duke konfirmuar në mënyrën më të mirë të gjitha pretendimet e tij të mëparshme. Disa media pohojnë se pandemia po ilustron të thënat e tyre të kahmotshme në lidhje me injorancën dhe çmendurinë e presidentit Trump. Për konservatorët, pandemia konfirmon të thënat e tyre, gjithashtu, të kahmotshme, në lidhje me të majtët mendjelehtë të cilët kanë një dëshirë vetëvrasëse t’i lejojnë të gjithë të hyjnë në vend. Për të gjithë këta, pandemia ishte preteksti për t’u vetëkënaqur.

Sidoqoftë, është gjithnjë e më e qartë se ky episod, në vend që t’i forcojë besimet e dashura të konsensusit amerikan, në fakt i ka menjanuar ato. Për dekada të tëra, aftësitë prodhuese janë ushtruar jashtë vendit me arsyetimin se të gjithë janë dakorduar se ky është çmimi që duhej paguar për të hyrë në epokën e informacionit. Ne do të ishim një komb “jakë të bardha” që do të bënte gjëra inovative, siç janë barnat apo librat juridikë; gjëra të mendjes me kaq shumë vlerë dhe që peshojnë pak. Dhe ja ku jemi, viktima të mungesës së maskave, testeve dhe madje edhe dezinfektuesve, me udhëheqësit tanë të shquar, çuditërisht të paaftë, për t’i bindur ish partnerët tanë tregtarë se Toka është e rrafshtë dhe se ata duhet të na dërgojnë menjëherë mallrat që na nevojiten.

Në Shtetet e Bashkuara, sistemi i shëndetit publik në pronësi private i ndërtuar gjatë dekadave nga kontributet entuziaste të dy partive politike që në mënyrë alternative janë në pushtet, është treguar plotësisht i paaftë për t’ iu përgjigjur sfidave të epidemisë. Për një arsye të thjeshtë: ky sistem nuk është krijuar për qëllime të shëndetit publik. Gjatë jetës sime, mesazhi që sistemi shëndetësor i ka dërguar në mënyrë implicite përdoruesve të tij ka qenë gjithmonë se shërbimet e tij janë privilegj që mund të arrihet vetëm përmes suksesit dhe prosperitetit individual.

Është sistem meritokratik, sikurse nga shpërblimet që u ndahen mjekëve të mëdhenj dhe gjenive të vegjël të industrisë farmaceutike, si dhe nga mënyra e segmentimit të shërbimeve mjekësore. Pacientët e varfër, të pasiguruar ose me sigurim jo adekuat, të cilët megjithatë duan të kërkojnë mjekim për eshtrat e tyre të thyer ose organet e sëmura, shpesh stërngarkohen nga faturat astronomike. Ideja që duhet të ndalohet shtjerrja e këtyre njerëzve dhe të fillohet t’u japim atyre teste ose trajtime falas kundër Covid-19 është aq shumë në kundërshtim me konceptin aktual të politikës shëndetësore në ketë vend, saqë vështirë vlerësohet kur dhe si do të merret përfundimisht ky vendim i nevojshëm.

Epidemia do të ketë rezultuar të paktën në një gjë të dobishme : e kemi zbutur mënyrën e konceptimit të botës shoqërore. Jo shumë kohë më parë, amerikani i arsimuar dhe mendjeshëndosh konsideronte se puna për të cilën nuk kërkohej diplomë universitare ishte punë e padenjë (1); diçka e rëndë, e pakëndshme dhe ndotëse, e bërë nga njerëz që votojnë disa herë për Trumpin; dhe jeta e të cileve prishet sepse ajo meriton të zhbëhet. Vetëm disa vjet më parë, miliarderi demokrat Michael Bloomberg pëlqehej nga studentet e Universitetit të Oksfordit me teoritë mospërfillëse të tij për elitat që dinë “si të mendojnë dhe të analizojnë”, ndryshe nga padituria e pretenduar e fermerëve dhe punëtorëve.

Gjithçka mund të ndodh, por…

Aktualisht, këta fermerë dhe këta punëtorë përfaqësojnë atë që na mbron nga humnera. Shumë prej tyre tani gjinden jashtë shtëpisë, duke e rrezikuar jetën e tyre në kontakt me virusin. Disa janë detyruar të kthehen në vendet e tyre për një pagë të mjerueshme, derisa askush nuk merakoset për vulnerabilitetin e tyre përballë epidemisë.  Ata sëmuren në shitoret ushqimore ose në fabrikat e përpunimit të mishit, derisa punëdhënësit e tyre që i urdhërojnë të punojnë– të famshmit «jakat e bardha» të epokës së informacionit– qëndrojnë të sigurtë në shtëpitë e tyre, të ulur në kanape, duke shijuar rezistencën e mrekullueshme të çmimeve të bursës (faleminderit Kongres, faleminderit Rezervat federale). Puna e tyre akomodohet shumë mirë me një përditshmëri të sigurtë, me dërgime të mesazheve elektronike dhe me konferenca online.

Sigurisht nuk gaboheni nëse mendoni se punëtorët janë lodhur duke duruar një situatë të tillë. Megjithëse informacioni mbi këtë temë është i pakët, pasi gazetaria sociale është zhdukur praktikisht nga ky vend, ka shenja që tregojnë që veprimi i sindikateve në vendin e punës është ringjallur. Kohët e fundit, njëri nga lobistët kundër sindikatave më me ndikim në Amerikë, z.Rick Berman, paralajmëroi klientët për rreziqet e një “rebelimi të pjesshëm të fuqisë punëtore (2)”. Me të vërtetë shumë greva spontane kanë shpërthyer javët e fundit në të gjithë vendin (3).

Çdonjëri nga këto konstatime anon në të njëjtin drejtim: zhdukja e papritur e vizionit të rehatshëm të botës , vizion i cili është adoptuar dhe imponuar pjesës tjetër të botës nga udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara gjatë viteve 1970, 1980 dhe 1990. Situata këtu ka shumë mundësi. Gjithçka mund të ndodh.

Për momentin, megjithatë, akoma pengohemi nga ironia e zymtë dhe patologjike të liberalizmit amerikan. Institucioni i cili do të duhej të na ndihmojë ta anashkalojmë mënyrën tonë të vjetër për t’i parë gjërat është Partia Demokratike. Ajo është me të vërtetë i vetmi institucion që mund të kryej një detyrë të tillë aktualisht. Por, vetëm disa javë para se të shpërthente koronavirusi në Amerikë, e njëjta Parti Demokratike arriti, në një vetëkremtim publik, të zhdukë çdo mundësi të një ndryshimi në politikën amerikane në një afat të shkurtër. Udhëheqësit e saj duket se janë të vendosur të mos e shfrytëzojnë krizën.

Disa fjalë shpjegimi. Gjatë disa muajve të fundit, kandidatët demokratë për garën presidenciale kanë debatuar vazhdimisht. Duke pasqyruar situatën momentale e të majtës në vend, dukej sikur disa tenorë, në fillim, kishin braktisur, qartë dhe jo pa kreativitet, emrat e vjetër të partisë së tyre. Por kur favoriti i establishmentit, ish-nënkryetari Joseph Biden, fitoi rrethin e parë të zgjedhjeve në Karolinën e Jugut në fund të shkurtit, shumica e kandidatëve u siguruan duke shpallur mbështetjen e tyre për fituesin.I vetmi kandidat që kishte mbetur në garë, senatori i Vermon-it, Bernie Sanders – reformatori kryesor i kohës sonë dhe një figurë e parapëlqyer nga rinia – u përpoq të rezistojë për ca kohë, vetëm për të hequr dorë para rrjedhës së papërballueshme të gjërave. Z Biden, njeriu që doli nga kjo situatë e vrullshme ishte ai që premtoi të bënte më pak. Partia e tij tani po përgatitet për zgjedhje që nuk do të jenë asgjë më shumë se një referendum për apo kundër figurës së urryer të z.Trump. Gjindemi në një klimë politike paradoksale, ku një pjesë e madhe e elektoratit amerikan do të dëshironte të zgjidhte ndryshimin vendimtar që propozohet, por ku partia që mishëron këtë dëshirë u sigurua që nuk do të plotësohet kjo dëshirë. Dhe kështu do të duhet të zgjedhim midis dy burrave të bardhë, të moshuar, konservatorë, të njohur për marrëdhëniet e tyre elastike me të vërtetën, të akuzuar për sulm seksual dhe të cilët nuk kanë lidhje me shpresën e reformës demokratike. Edhe një herë, rendi i vjetër është rivendosur si me magji.

Sidoqoftë, po e përsëris: gjendja e opinionit në Amerikë është e tillë që me një udhëheqës të zgjedhur mirë do të kishin ndodhur gjëra të jashtëzakonshme. Në vend të kësaj, në horizontin tonë kemi vetëm z.Biden, një veteran komod i Washingtonit i përfshirë në shumicën e katastrofave që kanë shënuar tri dekadat e fundit: marrëveshjet tregtare në kundërshtim me interesat e punëtorëve, lufta në Irak, legjislacioni mizor mbi falimentimet, burgosjet masive, një sulm i paparë mbi liritë individuale i quajtur Patriot Act… Ai madje krenohet se në fillim të karrierës së tij politike i ka favorizuar segregacionistët. Sigurisht, ai ka mjaft shansa për të fituar. Megjithë karrierën e tij, z.Biden është një politikan klasik, i njohur dhe i vlerësuar, ndërsa z.Trump, i mbërthyer në narcisizmin e tij patologjik, përhap zemërim dhe vazhdimisht gjen mënyra të reja për ta bërë veten të padashur. Për më tepër, vështirë kuptohet që një person që ka menaxhuar një krizë shëndetësore dhe ekonomike në mënyrë kaq katastrofike si presidenti aktual shpreson se votuesit do ta ftojnë atë ta përsërisë performancën e tij.

Një sllogan i jashtëzakonshëm

Por « asgjë nuk do të ndryshoi rrënjësisht » nëse z.Biden bëhet president. Kështu i ka siguruar donatorët e vet. Ja pra një sllogan i jashtëzakonshëm për një periudhë të tillë. Miqt e mi të së majtës nuk ndjehen rehat, të gjithë e thojnë. Heroi i tyre Sanders, i cili në janar dukej i pamposhtur, është mposhtur. Tani kanë mbetur të mbyllur në shtëpi duke numëruar mesazhet që dërgohen në Twitter. Edhe unë , si ata, nuk jam në disponim të mirë, por për arsye tjera. Perspektiva e palëvizshmërisë totale në fund të katastrofës së tanishme mjafton për fatkeqësinë tonë, megjithatë çdo ditë në media thuhet se rendi i vjetër vazhdimisht po ringjallet. Vazhdimisht shfaqet  një skemë e re për t’i mbushur  arkat e kompanive me para publike  ose për ta përshpejtuar marrjen e pushtetit në Silicon Valley. Aktualisht, guvernatori demokrat i Shtetit të New York-ut, z.Andrew Cuomo, shfrytëzon rastin e vetizolimit për të ftuar z.Bill Gates dhe miliarderët e tjerë të “teknologjisë” për ta riprogramuar të ardhmen e rajonit të tij. Dhe nuk mund të bëjmë tanimë absolutisht asgjë për t’i penguar. Frika që na mundon në kontekstin e pandemisë është se në mungesën tonë, vetë demokracia do të riformatohet. Sistemi na mashtroi sepse është projektuar për këtë qëllim, por dërisa jemi fshirë nga fotografia, të tjerët marrin vendime që do të ndryshojnë të ardhmën tonë . Ata po e rishkruajnë kontratën tonë sociale, derisa po e shikojmë televizorin duke u ngushëlluar me një pije.

* Gazetar dhe historian. Autor i The People, No : A Brief History of Anti-Populism, i cili do të botohet në muajin korrik në Metropolitan Books, New York.

1) Lexo Lizzie O’Shea, «Punësimet të pakualifikuar nuk egzistojnë», Le Monde diplomatique, maj 2020.

(2) Lee Fang dhe Nick Surgey, «Anti-union operative warns business of historic rise in labor activism», The Intercept, New York, 1 maj 2020, https://theintercept.com

(3) «Covid-19 strike wave interactive map», Payday Report, https://paydayreport.com