KUR GJERMANIA KËRKONTE TA KTHENTE SHKËLQIMIN E SAJ
Marrëdhëniet e çuditshme gjermano-izraelite

Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania Perëndimore që ishte duke u rindërtuar u përpoq të pastrohej nga e kaluara duke e mbështetur ndërtimin e shtetit të Izraelit. Kështu, Boni zyrtar luajti një rol po aq të rëndësishëm sa edhe të panjohur në Lindjen e Afërt. Por, gjatë viteve 1950 dhe 1960, kjo diplomaci në kërkim të mëshirës, nuk pati gjithmonë sukses, në maskimin e shprehjes së një prejardhje të vjetër të gatshme për t’u rishfaqur.

417

Në muajin prill të vitit 2018, Parlamenti gjerman u mblodh për ta përkujtuar përvjetorin e shtatëdhjetë të krijimit të shtetit hebre. Gjatë diskutimeve, z.Martin Schulz, duke folur në emër të Partisë Socialdemokrate (SPD) deklaroi : “Duke e mbrojtur Izraelin, ne po mbrohemi nga demonët e së kaluarës [1].” Zëdhënësi i partisë ekologjike të qendrës së majtë me një fjali e kapi gjithashtu kuintesencën e debatit: “Izraeli ka po aq të drejtë për të ekzistuar sa ne, as më pak dhe as më shumë.

Kur klasa politike gjermane flet për Izraelin, ajo flet kryesisht për vete. Duke u bazuar në faktin se lidhjet e Gjermanisë me Izraelin formojnë elementin mbi të cilin Gjermania post-naziste bazon identitetin e saj progresiv. Qëndrimi i gjermanëve ndaj Izraelit na mëson shumë më tepër për disponimin e tyre sesa për marrëdhëniet bilaterale, për historinë e këtyre marrëdhënieve dhe përmbajtjen e tyre të vërtetë.

Republika Federale e Gjermanisë dhe shteti i Izraelit: dy vende që u krijuan në vazhdën e Luftës së Dytë Botërore dhe pas gjenocidit të hebrenjve. Përafrimi i tyre ndodhi me marrëveshjen e riparimeve izraelito-gjermane, të nënshkruar më 10 shtator 1952. Si të shpjegohet kjo lëvizje vetëm disa vjet pasi që Rajhu i Tretë me mbështetjen e një pjese të madhe të popullatës pothuajse shfarosi popullin hebre?

Është e vështirë ta besosh retorikën zyrtare gjermane, e cila insiston në bazën “morale” të marrëdhënieve me Izraelin. Historianët kanë treguar me shumë raste se në atë kohë ish-zyrtarë nazistë ende mbanin detyra të larta në Gjermaninë e mposhtur, ndërsa shoqëria në përgjithësi përballej me mohimin e barbarisë të cilën e kishte shkaktuar pak kohë më parë.

Ndoshta Konrad Adenauer, kancelari i parë pas luftës dhe simboli i “rilindjes” së vendit të tij, na ndihmon të kuptojmë. Në vitin 1966, dy vjet pas largimit nga pushteti, ai ishte intervistuar në televizionin gjerman në një orë më shumë shikueshmëri. Në atë rast ai shpjegoi se në politikën e tij të dëmshpërblimeve “shlyerja ose riparimi [i krimeve gjermane kundër hebrenjve] ishte kushti sine qua non për ta rifituar statusin ndërkombëtar të vendit“. Pastaj shtoi: “Ende sot, pushteti hebraik nuk duhet të nënvlerësohet, veçanërisht në Amerikë.

Sipas Adenauerit, dëmshpërblimet kishin të bëjnë më pak me çështje morale sesa me nevojën e kthimit të shkëlqimit të Gjermanisë. Arsyetimi i tij i dytë befason edhe më shumë. Kur thotë “pushteti hebraik“, duke shtuar madje edhe një shprehje demaskuese “ende sot“, Adenauer në fakt përdor njërën nga temat e antisemitizmit. Politika e tij ndaj Izraelit mbështetej në këto dy shtylla: dëshira për ta rehabilituar Gjermaninë dhe vlerësimi i ekzagjeruar i ndikimit hebraik në opinionin perëndimor.

Në emër të amerikanëve

Kaq për motivet gjermane. Por pse shteti i udhëhequr nga David Ben-Gurion, i themeluar menjëherë pas tmerreve të zgjidhjes përfundimtare, e pranoi dorën e përgjakur që ia shtrinte Gjermania perëndimore që sapo e kishte filluar procesin e denazistifikimit? Kur u krijua Izraeli, të mbijetuarit e shfarosjes përfaqësonin një të tretën e popullsisë së Izraelit. Të paktë ishin izraelitët që nuk kishin të vdekur në familjet e tyre ose te të afërmit e tyre. Vendi pothuajse ishte ndërtuar nga refugjatë të traumatizuar të ardhur nga Evropa. Afrimi me Gjermaninë kishte vetëm një arsye: plotësimi i nevojave materiale. Pas luftës së pavarësisë, e shënuar nga eksodi i detyruar i shumicës së popullsisë palestineze, shteti i ri u gjend në një pozitë të brishtë në Lindjen e Afërt. Për më tepër, ai ishte shterrur, ekonomikisht dhe ushtarakisht.

Marrëveshja e vitit 1952 ka qenë traktati i parë i madh për organizimin e pagesës së dëmshpërblimeve gjermane. Megjithëse vendosi bazat e kompensimit individual, i cili do të implementohej më vonë, kishte të bëjë më saktësisht me dëmshpërblimet që ua kishin borxh shtetit të Izraelit. Republika Federale u angazhua të paguante 3.45 miliardë markash gjermane, me vlerën rreth 7 miliardë euro sot. Dy të tretat e kësaj shume ishin alokuar në formën e mallrave (lëndë e parë, makineri, anije, etj.). Një e treta e shumës totale u përdor për të blerë naftë bruto nga kompanitë britanike. Marrëveshja shënoi kështu fillimin e një programi të industrializimit, furnizimi me karburant i të cilit ishte i garantuar.

Nahum Goldmann, kryetar i atëhershëm i Kongresit Botëror të Hebrenjve dhe kryenegociator për palën izraelite, e quajti marrëveshjen “një shpëtim në rregull“. Gjermania shpëtoi me pak shpenzime, pasiqë shpenzimet vjetore të parashikuara nga traktati kurrë nuk e tejkaluan 0.2% të produktit të brendshëm bruto të saj. Akoma më mirë: prodhimi në sektorët e eksportit u forcua nga riparimet, duke nxitur “mrekullinë ekonomike”.

“Normalizimi” i cili para së gjithash ishte ekonomik, shpejt u përhap në fushën ushtarake. Pas krizës së kanalit të Suezit në vitin 1956 dhe deri në luftën vendimtare të vitit 1967 (lufta gjashtë ditore), Gjermania, së bashku me Francën, u bën mbështetësit kryesor të ushtrisë izraelite. Arkitekti i shkëlqyeshëm i bashkëpunimit ushtarak me këto dy vende, udhëheqësi izraelit Shimon Peres e përmblodhi mirë situatën: “Shtetet e Bashkuara po na jepnin para, por jo armë. Franca na dha armë, por jo para. Gjermania e konsideroi si një rast për ta kthyer faqen e regjimit nazist duke na dhënë armë, pa kërkuar asgjë mbrapa.”

Sipas arkivave të Ministrisë gjermane të Punëve të Jashtme, ndihma ushtarake për Izraelin filloi në vitin 1957. Atëherë, ndihma përbëhej kryesisht nga dërgesa me armë të lehta, anije patrullimi dhe programe trajnimi. Kontrata e parë e madhe e armatimit daton nga viti 1962, kur Gjermania furnizoi artileri të rëndë, aeroplana, helikoptera, anija dhe nëndetëse. Në vitin 1964, Uashingtoni e urdhëroi Bonin t’i shtonte në këtë listë 150 tanke Patton në emër të amerikanëve. Për t’u paraqitur si ndërmjetësues neutral në konfliktin arabo-izraelit dhe për të mos ngjallur zemërimin e nacionalistëve arabë, Shtetet e Bashkuara preferuan të mos e armatosin drejtpërdrejtë Izraelin, së paku deri në vitin 1967.

Mbështetja gjermane është jetike. Qysh në vitin 1965, kur sapo i kishte marrë funksionet në ambasadën izraelite në Bon, Asher Ben-Nathan, titullari i parë i këtij funksioni, i tha kancelarit Ludwig Erhard se një konflikt në Lindjen e Mesme “nuk do të zgjasë më shumë se disa ditë. Prandaj Izraeli [duhej] të ishte vazhdimisht në gatishmëri. Ndihma e Gjermanisë [kishte bërë] jashtëzakonisht shumë për zhvillimin e vendit dhe mbështetja e saj ushtarake [ishte] gjithashtu përcaktuese për sigurinë e tij.

Ky pohim u konfirmua dy vjet më vonë. Lufta arabo-izraelite e vitit 1967 zgjati vetëm gjashtë ditë dhe mbështetja ushtarake gjermane kishte ndikuar në këtë situatë. Dyzet e tetë orë pas përfundimit të konfliktit, ambasadori gjerman në Izrael dërgoi një telegram në Bon, të shkurtër, por kuptimplotë: “Sipas një oficeri të shtabit kryesor, tanket moderne me mburojë të blinduar të përforcuar që u kemi dhënë dëshmuan meritat e tyre në mënyrën më të mirë.”

Vetë rrjedha e kësaj lufte ilustron rëndësinë e përbashkët të Francës dhe Gjermanisë për Izraelin në atë kohë. Derisa aeroplanët ushtarak Mirages français marrin përsipër fushatën ajrore, tanket gjermane dominojnë në luftime tokësore në Egjipt. Përfaqësuesit e shteteve arabe kishin dëgjuar për kontributin e Republikës Federale në përpjekjet e luftës izraelite për të cilin ankoheshin shpesh.

Mutacion i çuditshëm

Një tjetër komponentë kruciale e ndihmës gjermane merr formën e një kredie prej 644.8 milion DM. I emëruar me kodin “Operation Business Friend“, ky transaksion kryhet në mënyrë sekrete, sikurse dërgesat e armëve. Në vitin 1965, kur sapo ishin krijuar marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve, kredia u shndërrua në ndihmë zyrtare për zhvillim. Dhjetëra vite më vonë z. Hans Rühle – një ekspert i përhapjes bërthamore i cili kishte pasur poste të larta në Ministrinë gjermane të Mbrojtjes dhe në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) – duke u shprehur në vitin 2015 në faqet e gazetës konservatore pro-izraelite Die Welt pretendoi se paratë u përdorën për ta financuar programin bërthamor izraelit. Duke e pasur parasysh rolin që luajti Republika Federale në konsolidimin e shtetit të Izraelit, teoria është e besueshme, por vështirë mund të verifikohet.

Historia është e çuditshme : marrëdhëniet gjermano-izraelite kanë evoluar shumë më shpejt sesa procesi i përballjes së Gjermanisë me të kaluarën e vet. Nga kjo situatë lindi një transformim i çuditshëm i antisemitizmit të llojit të vjetër, të ngulitur në sfondin e marrëdhënieve me Izraelin. Mjafton një shembull i vetëm për t’u bindur. Në vitin 1961 Gerhard von Preuschen, kreu i delegacionit gjerman të vëzhguesve në gjyqin e Adolf Eichmann, konkludoi raportin e tij përfundimtar duke lavdëruar “rininë izraelite, e cila dukshëm ndryshon nga gjeneratat e mëparshme. Këta të rinj – fëmijët e emigrantëve hebrenj gjermanë – pothuajse nuk kanë asnjë nga tiparet që zakonisht lidhen me hebrenjtë. Të gjatë, kryesisht bjond me sy të kaltërt, me fytyra me vija të rregullta, të pavarur dhe të lirë në lëvizjet e tyre, mishërojnë një formë të hebraizmit deri më tani të panjohur”.

Kjo deklaratë mahnitëse nga racizmi i pranuar dhe të stilizuar në mënyrë elegante pasqyronte një perceptim disi egocentrik të Izraelit: Shteti hebre bëhej racë ariane. Ky lloj paradoksi përshkruan historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve. Një narcisizëm i ngjashëm shpërtheu gjatë mbulimit të luftës së vitit 1967 në shtypin gjerman, në veçanti ai i grupit Springer. Fitorja e Izraelit u përshëndet si një “fitore rrufeje” duke u duartrokitur nga gjenerali izraelit Moshe Dayan si një trashëgimtar i denjë i gjeneralit të Wehrmacht-it Erwin Rommel, ndërsa ushtritë e mposhtura arabe ishin objekt i një përçmimi që ngjasonte me triumfalizmin e egër gjerman të një epokeje të kaluar.

Kurioziteti i fundit në këto marrëdhënie bilaterale të çuditshme: opinionet e Rolf Pauls, ambasadori i parë gjerman në Izrael dhe ish-gjenerali i Wehrmacht-ut i shpërblyer me ‘kryqin e hekurt’. Në shënimet e tij personale, homologët izraelitë rregullisht asociohen me para dhe pushtet. Në vitin 1965 madje indinjohet nga fakti që izraelitët “flasin për moralitet, por mendojnë vetëm për para“. I bindur se “ndikimi i Izraelit dhe i hebrenjve [ishte] vendimtar në qendrat e mëdha botërore ku formohet opinioni publik“, Pauls konsideron se Gjermania nuk është në gjendje ta ndërpresë furnizimin në Tel Aviv, përndryshe “hebrenjtë [do t’i lëshojnë] qentë, nga Jeruzalemi deri në Londër, përmes New Yorkut”.

Politika izraelite e Republikës Federale është sot temë e debateve, të cilat e prekin moralin për nga natyra. Kështu kritikët parapëlqejnë të tregojnë se Gjermania më shumë po merret me sigurinë e Izraelit sesa me fatin e atyre që u dëbuan nga tokat e tyre me krijimin e këtij shteti. Kjo kritikë megjithatë neglizhon një aspekt themelor: në realitet, ndryshimi i gjermanëve në dobi të Izraelit nuk ka pasur asnjëherë lidhje me moralin.

Në periudhën e pasluftës, ndërsa riparimet dhe armatimet e Gjermanisë e ndihmuan ndërtimin e shtetit izraelit, natyrisht Gjermania ishte e vetëdijshme për ekzistencën e refugjatëve palestinezë. Por në një kohë kur lëvizjet e popullatave ishin të zakonshme në botën e kolonizuar sikurse në Evropë, të paktë ishin zërat për njohjen e mjerimit të një populli i cili nuk kishte mundësi të ndikonte në dëgjimin e zërit të tij.

Brenda qeverisë gjermane, diskutimet në lidhje me ndihmën humanitare për refugjatët palestinezë insistonin në domosdoshmërinë për shtytjen e vullnetit të mirë për shtetet arabe – të cilat dyshonin me të drejtë se Gjermania i kishte siguruar Izraelit shumë më shumë  mbështetje sesa e pranonte. Sidoqoftë, udhëheqësit gjermanë vepronin në atë mënyrë që ndihma e tyre humanitare të mos i çonte në një pozitë të “përgjegjësisë indirekte”. Gjermania sot inkurajon vetëvendosjen e popullit palestinez duke e mbrojtur një zgjidhje shtetërore që do të përfshinte Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jeruzalemin Lindor, por marrëdhëniet e saj me Izraelin mbeten parësore.

Një pikë e parë kthese në marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Izraelit ka ndodhur pas luftës së vitit 1967, kur u vendos aleanca amerikano-izraelite, duke i lënë Republikës Federale të Gjermanisë vetëm një rol dytësor. Këto lidhje bilaterale më pas evoluan sipas lëvizjeve të luftës së ftohtë, të integrimit evropian dhe të konfliktit izraelito-palestinez, kurse rënia e Murit dhe ribashkimi gjerman përfundimisht iu dha një ndryshim më radikal.


* Mësimdhënës-hulumtues në School of Oriental and African Studies (Londër) dhe në Universitetin e Leeds. Autor i Germany and Israel: Whitewashing and Statebuilding, që do të publikohet te Hurst, Londër, më 30 prill 2020.

[1]  Ky citat dhe të tjerët në vazhdim janë marrë nga punimi i autorit Germany and Israel: Whitewashing and Statebuilding, i cili do të publikohet te Hurst, Londër, më 30 prill 2020.

Një normalizim në heshtje

Nëse Republika Federale e Gjermanisë ishte një aleat vendimtar i Izraelit, Republika Demokratike Gjermane (RDGJ) kishte marrë anën e palestinezëve. Kjo simetri e përsosur reflektoi më shumë se ndarjet e Luftës së Ftohtë.

Kësisoj, regjimi i Gjermanisë Lindore ishte po aq anti-sionist se homologu i tij perëndimor ishte pro-sionist.

Shndërrimi i këtij konflikti gjermano-gjermanik në Lindjen e Mesme ishte edhe rezultat i “doktrinës Hallstein”. Si ministër i Punëve të Jashtme të Kancelarit Konrad Adenauer, Walter Hallstein vendosi në vitin 1955 se Gjermania Perëndimore do ta konsideronte njohjen e RDGJ nga një vend i tretë si “veprim armiqësor” që do të shpiente në vendosjen e sanksioneve nga ana e RFGJ, madje edhe në shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike.

Ky parim i dha paradoksalisht një levë të fuqishme shteteve arabe të udhëhequra nga Egjipti i Naserit: ata tani mund të kërcënonin ta njihnin diplomatikisht RDGJ-në për ta kundërshtuar mbështetjen gjermane për Izraelin. Kjo është arsyeja pse Boni parapëlqej ta fshehte sa më shumë mbështetjen për Izraelin, përderisa izraelitët e kishin paralajmëruar vullnetin e tyre për normalizim diplomatik që nga viti 1956.