Masat shtrënguese, këto korrëse të mëdha

Një studim dhjetëvjeçar nga epidemiologu britanik Michael Marmot tregon se politikat e shkurtesave buxhetore që nga kriza e vitit 2008 kanë thelluar hendekun midis të pasurëve dhe të varfërve për sa i përket jetëgjatësisë.

387

Për sa i përket përparimit shoqëror, Mbretëria e Bashkuar ka humbur dhjetë vjet. Dhe kjo shihet. Matur për sa i përket jetëgjatësisë, shëndeti i britanikëve po përkeqësohet, përderisa ishin mësuar në përmirësimin e saj nga viti në vit për më shumë se një shekull.

Paralelisht, pabarazitë shëndetësore janë duke u thelluar. Dhe ajo që është e vërtetë për Anglinë është edhe më shumë për Skocinë, Uellsin dhe Irlandën Veriore. E tërë shoqëria vendnumëron, kur shëndeti i një popullate nuk përparon tutje. Të dhënat globale konfirmojnë që gjendja shëndetësore është një tregues i mirë i përparimit ekonomik dhe shoqëror. Një shoqëri gazmore ka prirje të shfaq shëndet të lulëzuar. Në të kundërt, pabarazitë e thella ekonomike dhe sociale përkthehen në pabarazi shëndetësore.

Mënyra se si financohet dhe administrohet sistemi i kujdesit shëndetësor të një vendi është padyshim thelbësor, por shëndeti i banorëve të tij nuk varet vetëm nga kjo. Ajo bazohet më gjerësisht në kushtet e jetesës dhe të punës, menaxhimin e plakjes, si dhe në pabarazitë në shpërndarjen e pushtetit dhe resurseve. Së bashku, këta faktorë përbëjnë përcaktuesit shoqëror të shëndetit.

Jetëgjatësia në Mbretërinë e Bashkuar, e cila është duke u rritur që nga fundi i shekullit të XIX, filloi të bie në mënyrë dramatike më 2011. Midis 1981 dhe 2010, jetëgjatësia zgjatej me rreth një vit në çdo pesë vjet e gjysmë për gratë, çdo katër vjet për burrat. Midis 2011 dhe 2018, ky përparim u ngadalësua në mënyrë të konsiderueshme: gratë fitojnë vetëm një vit në njëzet e tetë vjet dhe burrat në çdo pesëmbëdhjetë vjet.

Për këtë tregues, një klasifikim i rajoneve sipas indeksit të privimit të shumëfishtë  i cili grumbullon të dhëna mbi të ardhurat, punësimin, arsimin, trajnimin, shëndetësinë, kushtet e jetesës … dhe i cili përafrohet me indeksin e varfërisë shumëdimensionale të përdorur, për shembull, nga Kombet e Bashkuara, zbulon ekzistencën e një shkalle shoqërore, një variacion sipas niveleve sociale, po aq i fortë sa konstantja.

Me fjalë të tjera, sa më shumë një rajon është i pazhvilluar, aq më të ulët e ka jetëgjatësinë. Gjatë periudhës 2016-2018, burrat që banonin në 10% të territorit më të zhvilluar britanik (decilja e parë) jetonin nëntë vjet e gjysmë më gjatë se ata që banonin në 10% të territorit më të pazhvilluar (decija e fundit). Për gratë, dallimi ishte 7.7 vjet. Shkalla shoqërore në jetëgjatësinë e shëndetshme është edhe më e theksuar. Koha e kaluar më shëndet të dobët madje u rrit në mes të viteve 2009-2011 dhe 2015-2017, duke shkuar nga 15.8 në 16.2 vjet për burrat dhe nga 18.7 në 19.4 vjet për gratë.

Pastaj, përkundër mungesës së statistikave të rregullta për këtë temë, shifrat ekzistuese mbi pasojat e prejardhjes etnike tregojnë se gjysma e minoriteteve – kryesisht zezakët, aziatikët etj – kanë jetëgjatësi pa paaftësi fizike dukshëm më të ulët se ajo e britanikëve të bardhë.

Ky përkeqësim i përgjithshëm nuk është ndonjë fatalitet. Në vitin 2008, të shqetësuar thellësisht nga përmasat e pabarazive shëndetësore në vend, qeveria laburiste e z.Gordon Brown kërkoi nga ne të bënim propozime për t’i zvogëluar ato. Me ekipin tim nga Instituti i ardhshëm për Barazi Shëndetësore të krijuar më vitin 2011, ne kemi trajnuar nëntë grupe të punës prej më shumë se tetëdhjetë specialistësh, që vendosen t’i rishikojnë të dhënat ekzistuese. Pastaj një komision ekspertësh u takua për t’i diskutuar këto rezultate.

Ky është saktësisht efekti i politikave të tyre

Kulmi i këtij hulumtimi ishte botimi në vitin 2010 i Fair Society i njohur më mirë si “Raporti Marmot”[1]. Megjithëse ishte porositur nga laburistët, ky raport është pritur mirë nga koalicioni qeveritar i drejtuar nga konservatorët. Një sondazh i bërë nga Royal Society for Public Health me anëtarët e tij dhe një panel shkencëtarësh e renditi atë në tre rrëfimet më të mira të suksesit të shek. XXI në fushën e shëndetit publik në Mbretërinë e Bashkuar, duke e ndaluar duhanpirjen në vendet publike dhe të punës, si dhe duke e futur “taksën soda”.

Megjithatë, demonstrimi i tij kryesor, sipas së cilit politikat ambicioze publike për të gjitha moshat mund të veprojnë mbi përcaktuesit social të shëndetit dhe të zvogëlojnë pabarazinë, mbeti kryesisht i shpërfillur.

Masat shtrënguese buxhetore u bënë parazgjedhja kryesore e qeverisë që erdhi në pushtet më 2010, si dhe e kabinetit konservator të zgjedhur më 2015. Shpenzimet publike u rritën nga 42% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2009-2010 në 35% në 2018-2019, të gjitha nën maskën e kthimit të rritjes ekonomike.

Padyshim që udhëheqësit britanikë do të ishin kundërshtuar nëse do të tregonin se qëllimi i tyre i vërtetë ishte t’i varfëronin tutje të varfërit, ndërsa lejonin që 1% e më të pasurve të rifillonin të pasuroheshin, pas ndërhyrjes së shkurtër të krizës botërore financiare.

Megjithatë, ky është saktësisht efekti që prodhoi politika e tyre. Pse duhet befasuar? Shtesat familjare u ulën për 40%, shpenzimet publike lokale për 31% në decil të territorit me të ardhura më të ulëta (por vetëm 16% në zonat më të favorizuara) dhe fondet kushtuar klasave të fundit të shkollës së mesme dhe arsimit të lartë për 12% për nxënës/student [2].

Një popullatë me shëndet çdo herë e më shumë të dobët

Arkitektët e këtyre masave mendonin ndoshta se të gjitha këto ndihma ishin para të hedhura nga dritarja, por faktet i demantojnë. Në studimin e ri që po e botojmë sot, dhjetë vjet pas raportit Marmot [3], ne paraqesim gjendjen ekzistuese për pesë nga gjashtë rekomandimet kryesore të bëra nga ekipi ynë më vitin 2010: t’i mundësohet çdo fëmiut ta filloi jetën në mënyrë sa më të mirë të mundshme; t’i garantohet qasje në arsim dhe në trajnim të vazhdueshëm; t’i përmirësohen kushtet për punësim dhe punë; t’i sigurohet secilit burimet e nevojshme për të jetuar me shëndet të mirë; të zhvillohen hapësirat dhe lagjet e qëndrueshme të jetesës.

Përfundimi ynë është se kjo kurë e masave shtrënguese ka sjellur pasoja katastrofike në pothuajse të gjithë përcaktuesit shoqërorë të shëndetit, duke i përkeqësuar pabarazitë në këtë fushë.

Varfëria e fëmijëve u rrit nga 28% për periudhën 2009-2012 në 31% gjatë 2015-2018, pasi përfshiu koston e strehimit. Gati një mijë çerdhe dhe qendra të kujdesit për fëmijë të përfshirë në programin Sure Start, një program qeveritar për fëmijërinë e hershme dhe mbështetjen e prindërve të zbatuar në nivelin lokal, duhej t’i mbyllnin dyert për shkak të shkurtimeve financiare në shpenzimet publike lokale.

Një humbje që përpjekja e lavdërueshme e bërë në dobi të fëmijëve parashkollorë pak më të vjetër nuk është e mjaftueshme për të kompensuar. Nuk është mister që fëmijëria e hershme është një fazë vendimtare në jetë, ku fitohen aftësitë që përcaktojnë të ardhmen – konjitive, gjuhësore, sociale, emocionale dhe të sjelljes. Zhvillimi i kënaqshëm i fëmijëve të vegjël ndihmon mirë për performancën e mirë akademike, e cila nga ana tjetër garanton mundësi më të mira profesionale dhe kushte më të shëndetshme të jetesës në moshën e rritur.

Në anën tjetër, kriza e banimit rezulton në një shpërthim në numrin e të pastrehëve, por edhe në një rritje të proporcionit të britanikëve që shpenzojnë më shumë se një të tretën e të ardhurave të tyre për këtë punë. Edhe pse kjo rritje prek të gjitha klasat, mund të shihet, pa ndonjë befasi të madhe, një përshkallëzim i fortë social. Më 2016-2017, 38% e familjeve në 10% më të ulëta të shkallës së të ardhurave ishin në këtë situatë, krahasuar me 28% një dekadë më parë.

Në përgjithësi, një pjesë në rritje e popullsisë nuk i ka më mundësitë për ta ruajtur shëndetin e mirë dhe duhet t’i drejtohet bankave ushqimore për t’u ushqyer. Të përjashtuarit po shumëzohen. Ata me kushte të mjerueshme që kanë pak arsye për të shpresuar për përmirësim. Me këto efekte shkatërruese të mosangazhimit të shtetit, vështirë të thuhet se cilat kanë ndikim më të madh në pabarazitë shëndetësore, sepse të gjitha janë të lidhura.

Së paku mbeten akoma sot të vlefshme fjalët që i kemi shkruar dhjetë vjet më parë në raportin Marmot: “Pabarazitë shëndetësore mund të shmangen dhe zvogëlohen shumë, përderisa burojnë nga pabarazitë sociale, të cilat vetë janë të shmangshme.”

*Drejtor i Institutit për Barazi Shëndetësore në University College London (UCL). Një version i këtij teksti u shfaq në British Medical Journal në shkurt të vitit 2020.


[1] Michael Marmot, Fair Society, Healthy Lives ‒ The Marmot Review. Strategic Review of Health Inequalities in England Post-2010, Institute of Health Equity, Londër, 2010.

[2] Jack Britton, Christine Farquharson, Luke Sibieta, Annual Report on Education Spending in England, The Institute for Fiscal Studies, Londër, 2019.

[3] Health Equity in England : The Marmot Review 10 Years On, Institute of Health Equity, Londër, 2020, www.instituteofhealthequity.org