Mesi i muajit gusht 2020. Në televizion, imazhet e demonstratave po shfaqen pandërprerë. “Do të mbarojë shpejtë”, thotë z. Stas L., madje pa e shikuar ekranin. Me shpinë e kthyer nga lajmet, të ulur në një lokal në Braginë, në Bjellorusinë Jugore, ai dhe miqtë e tij, të gjithë rreth të tridhjetave, bisedojnë duke pirë një shishe vodkë. Që pesë ditë, një valë proteste me shkallë të paparë po përfshin vendin.
Por ngjarjet që pasuan treguan se kishte gabuar: protestat vazhdonin ende në mes të shtatorit, veçanërisht në universitetet e kryeqytetit bjellorus dhe në marshet ku mblidheshin qindra mijëra njerëz, në Minsk dhe në qytetet e tjera të mëdha të vendit.
Rizgjedhja e z.Alexander Lukashenko më 9 Gusht 2020 dhe protestat që pasuan e vendosen Bjellorusinë në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare. Presidenti e filloi mandatin e tij të gjashtë me radhë që nga viti 1994, pasi që siguroi 80.23% të votave në zgjedhje të manipuluara. Ai e mundi rivalën e tij kryesore, znj. Svetlana
Tikhanovskaya, e cila si kandidate e zëvendësoi në momentin e fundit burrin e saj, i cili ishte arrestuar në muajin maj për “prishje të rendit publik”. Prapa znj.Tikhanovskaya u rreshtuan ekipet e dy kandidatëve të tjerë, z.Valery Tsepkalo dhe z.Viktor Babariko, të përfaqësuar nga gruaja e të parit Veronika dhe menaxherja e fushatës të së dytit, znj.Maria Kolesnikova, pas ikjes në Moskë të të parit dhe pas arrestimit të të dytit.
Ukraina, një gogol
Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, përplasjet midis protestuesve të rinj dhe forcave të rendit kapluan kryeqytetin gjatë natën. Interneti u ndërpre për tri ditë me radhë. Mijëra arrestime dhe dëshmi të shumta të rrahjeve të kryera në stacionet e policisë dëshmojnë refuzimin që i bëhet Presidentit, i cili kurrë nuk kishte përdorur metoda frikësimi në një shkallë të tillë. Pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2010, pati qindra arrestime dhe opozitës iu ndal hovi në mënyrë diskrete në sallat e gjyqit përgjatë muajve në vijim.
Edhe këtu, në këtë qytet të vogël, ndihet gjendja e tendosur e autoriteteve. Në mbrëmje, një numër i vogël i oficerëve të policisë fillojnë të patrullojnë në sheshin kryesor të fshatit, ndërsa njëra nga makinat e tyre vendoset në rrugë për vëzhgim. Një organizim disproporcional për këtë qytet të populluar nga rreth 3000 banorë. A është për shkak të afërsisë së kufirit ukrainas? Apo nga frika se do të zhvendoseshin demonstratat që zhvillohen edhe në Gomel, kryeqyteti rajonal që gjindet njëqind kilometra larg. Stasi, punëtor në kantier rrugësh, e ka njohur vetëm z. Lukashenko si President. “Unë e kam votuar Tikhanovskaya-në,” thotë ai, “por nuk do të dal në protestë! Për ne bjellorusët gjëja më e rëndësishme është qetësia, askush nuk e dëshiron një ‘Maidan’ “. I riu i referohet kryengritjes ukrainase e cila, gjatë dimrit të vitit 2013-2014, rezultoi në përmbysjen e Presidentit Viktor Janukoviq, përpara se ta çonte vendin në një luftë civile. Gogoli i trazuar nga pushteti ushqehet nga frika reale në popullatë. Pastaj, edhe miqtë e Stasit zbulojnë sesi kanë votuar në zgjedhje. Shumë thonë se e kanë votuar zonjën Tikhanovskaya. Të tjerët kanë preferuar fletën e votimit të bardhë. “Unë e votova Lukashenko-në,” u përgjigj një nga të pranishmit. Një pohim që e befasoi pjesën tjetër të grupit. “A po? A e votove atë?”. “Po, sigurisht”. Pa shpjegime dhe debate të tjerë, gotat u zbrazen dhe bisedat e kota rifilluan.
Është vështirë të analizohet vota në favor të udhëheqësit. Ky rezultat fryhet nga mashtrimet elektorale apo redukohet në pothuajse asgjë, siç e potencojnë ndonjëherë në mënyrë karikaturale, disa kundërshtarë (të cilet kanë mbrojtur, gjatë fushatës, tezën e Lukashenko të kredituar me 3%). “Studimet sociologjike e vlerësonin rezultatin e tij në rreth 60%, sigurisht shumë më pak në kryeqytet, ku opozita ka pasur gjithmonë një bërthamë të fortë”, shpjegon Bruno Dwreski, historian dhe ligjërues në Institutin Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale (INALCO). Për studiuesit Stephen White dhe Elena Korosteleva, profili tipik i votuesve të z.Lukashenkos është “shumica me moshë mbi 60 vjeçare, mesatarisht me nivel arsimor mjaft të ulët “ dhe kryesisht nga zonat rurale. Në anën tjetër, kundërshtarët e tij janë “të rinj“, “punëtorë në sektorin privat“, “me nivel të lartë arsimor” dhe “me banim në qytetet e mëdha“. Prandaj, një opozitë e gjeneratëve e shoqëruar me thyerje gjeografike. Për Aleksei Dzermant, një politolog i afërt me qeverinë, “elektorati i presidentit përbëhet nga zyrtarët, nga personat që punojnë për shtetin dhe nga klasa punëtore.“
“Vendi ka ndryshuar, por jo ai”
Megjithatë, duket se ka ndodhur një tkurrje në përkrahjen e Lukashenko edhe në shtresat tradicionalisht të favorshme ndaj tij. Një studim mbi numërimin manual të rezultateve të publikuara në 900 qendra të votimit (një e katërta e votuesve), të korrigjuar nga norma e pjesëmarrjes dhe të votimit me postë jashtëzakonisht e lartë, sugjeron një rezultat prej 45% për znj.Tikhanovskaya, kundrejt 43% për z. Lukashenko. Janë dhënë edhe vlerësime të tjera, të gjithë përkojnë në një rezultat shumë më të ngushtë se rezultati i njoftuar nga komisioni qendror i zgjedhjeve. “Po, në të kaluarën kam votuar për të, por kjo nuk është më e mundur”, thotë Viktori, afërsisht pesëdhjetë vjeçar, mësues i frëngjishtës në një shkollë në Gomel. “Nuk guxojmë të themi asgjë kundër qeverisë, sepse mund të kemi probleme në vendin e punës… është ngulfatëse; jo që mohoj gjithçka që ka bërë, por vendi ka ndryshuar dhe ai ka mbetur i njëjtë”. Një njeri i rreptë i cili, gjatë vizitave të paparalajmëruara në fabrika ose në ferma, shkarkonte dhe zëvendësonte aty për aty drejtorin e paaftë ose ministrin që konsiderohej shumë i butë, z. Lukashenko ka kultivuar një imazh paternalist që e ka tërhequr prej kohësh shoqërinë bjelloruse. Por, kjo retorikë me kohë është bërë e bezdisshme. Gjatë fushatës, deklaratat e tij ndaj paaftësisë së një gruaje për ta qeverisur vendin dhe ofendimet e kërcënimet e tij kundër kundërshtarëve u kthyen kundër tij dhe u tallen gjatë protestave.
Nga e kuqja dhe e gjelbërta tek e kuqja dhe e bardha
Rritja e pakënaqësisë ndërlidhet me degradimin ekonomik të viteve të fundit. I zgjedhur bindshëm me 80% të votave në vitin 1994, Lukashenko i kishte dhënë fund privatizimeve masive që kundërshtoheshin në popull. Nxitja e përfshirjes së shtetit në ekonominë kishte pasur sukses. Derisa në republikat e tjera ish-sovjetike, industritë po mbylleshin dhe pabarazitë po rriteshin, në Bjellorusi ka pasur rritje qysh në vitin 1996 dhe kanë ekzistuar disa sektorë të avancuar, siç është prodhimi i traktorëve dhe të makinerisë së punës. Ishte shpëtuar gjithashtu bujqësia e vendit falë investimeve të konsiderueshme publike në fermat kolektive, të cilat siguronin gati 80% të prodhimit, 90% e të cilit eksportohet në Rusi. Në vitet 2000, vendi përfitoi nga çmimet e larta të hidrokarbureve. Moska e lejoi Minskun ta rafinonte lëndën bruto të blerë me çmime të ulta dhe ta rieksportonte me çmimin e tregut botëror derisa e furnizonte atë me gaz me çmime miqësore.
Por kriza e vitit 2008 dhe rënia e kurseve, e cila automatikisht e ul nivelin e subvencioneve, e ka gërryer këtë shportë. Ndërsa vendi regjistronte mesatarisht norma vjetore të rritjes prej 7.2% gjatë dekadës paraprake, produkti i brendshëm bruto (PBB) i tij është rritur vetëm me 1.6% në vit që nga rrëzimi i bursës. Në retrospektivë ,demonstratat e vitit 2017 kundër gjobës për të papunët – rreth 460 rubla (225 euro) për personat pa punë të deklaruar për më shumë se gjashtë muaj – duken si paralajmëruese të krizës aktuale. Arrestimi i kandidatëve gjatë fushatës, shkalla e manipulimeve dhe më pas, shpërndarja nëpër rrjete sociale, pas riaktivizimit të internetit në vend, të imazheve të personave të lënduara, u shtuan në listën e zemërimeve.
Për momentin, protesta nuk shoqërohet nga një program i saktë politik dhe ekonomik. Protestuesit, në përgjithësi, po bashkohen rreth disa kërkesave të thjeshta – lirimi i të burgosurve politikë, organizimi i zgjedhjeve të reja – dhe, kryesorja, largimi i z.Lukashenko. Emri i kundërshtarës në ekzil, zonja Svetlana Tikhanovskaya, rrallë shihet nëpër pllakata. Në mes të gushtit, ajo themeloi nga Lituania një këshill koordinues që synon dialogun me Minskun me qëllim të transferimit të pushtetit për të organizuar zgjedhje të reja, por ajo nuk luan ndonjë rol të madh në organizimin e protestave në terren. Në mesin e shtatë anëtarëve të kryesisë të këtij këshilli, ku bashkëveprojnë një udhëheqës grevist dhe një bashkëkryetare e një partie të vogël tradicionale të krishterë në favor të braktisjes së rusishtes si gjuhë zyrtare, vetëm Svetlana Aleksieviq, fituese e çmimit Nobel për letërsi, nuk ka qenë e shqetësuar nga autoritetet në mes të shtatorit. Të tjerët janë larguar nga vendi ose janë prapa grilave.
Në parakalime, vetëm flamuri bardhë-kuq-bardhë valëvitet si një simbol unanim i refuzimit të udhëheqësit. Ky flamur është flamuri i Republikës së parë Popullore të Bjellorusisë të vitit1918 i cili filloi të përdoret përsëri kur vendi fitoi pavarësinë në vitin1991. Çdo banderolë tjetër ose mesazh shihet me dyshim, sepse mund të jetë ndarës: flamujt e rrallë evropianë u ripaketuan shpejt dhe asnjë parullë armiqësore ndaj Rusisë nuk dëgjohet në radhët e demonstruesve. Për ta diskredituar lëvizjen dhe për ta nxitur Moskën që t’i vjen në ndihmë, z.Lukashenko përsërit vazhdimisht se flamuri kuq e bardhë kishte shërbyer si një flamur për nacionalistët bjellorusë që kishin bashkëpunuar me nazistët prej vitit 1941. Në fakt të tillë ishin shumë të paktë dhe praktikisht nuk kanë lërë pothuajse asnjë traditë politike. Një kontrast i madh me vendet tjerë fqinje të ish-perandorisë cariste – vendet Balltike, Ukraina, Polonia – ku që nga fillimi i shekullit të 19-të, lëvizjet nacionaliste ishin mbështetur në partitë politike, shkollat , universitetet dhe qendrat kulturore dhe kishin nxitur luftën e armatosur anti-ruse dhe më pas anti-sovjetike, ndonjëherë në bashkëpunim me nazistët.
Kjo nuk ndodhi në Bjellorusi që njihet më shumë për lëvizjen e partizanëve sovietikë prapa frontit të Gjermanisë Lindore. Në këtë kontekst, e kuqja dhe e bardha tregon më pak ringjallje nacionaliste se refuzim ndaj një presidenti që kishte kthyer, me referendum, ngjyrat kuqe dhe gjelbërt të flamurit sovjetik, në vitin 1996.
Kur, rreth 11 gushtit, shpërthyen grevat në qarqet më të zhvilluara të industrisë bjelloruse- (në MAZ, fabrikë automobilash; Belaz, kompani e inxhinierisë dhe prodhues e pajisjeve industriale; MZKT, prodhues i kamionëve të rëndë, të gjitha këto në pronësi të shtetit) Z.Lukashenko e kuptoi se fuqia e tij po lëkundej. Pakënaqësitë po kulmojnë në vendet e punës. Megjithatë, në mëngjesin e 17 gushtit, përpjekja për ta ndalur punën në fabrikën Atlant në Minsk ishte e pasuksesshme. “Kush punon këtu? “, pyeti një grua e moshuar që kishte ardhur të bashkohej me rreth tridhjetë njerëz që ishin mbledhur në hyrje të ndërtesës kryesore për të mbështetur mobilizimin. Vetëm njëri e ngriti dorën. Të tjerët ishin studentë, për shumicën, ose pensionistë dhe njerëz të tjerë që kishin ardhur për t’u solidarizuar. “Unë jam ndoshta i vetmi,” shpjegon punëtori, “kolegët e tjerë kanë frikë dhe askush nuk po na ndihmon”.
Besnikëria e ushtrisë dhe policisë
Që nga dekreti presidencial nr. 29, i ratifikuar në vitin 1999, shumica e punësimeve kanë qenë me kontrata me afat të caktuar, një deri pesë vjet. Kjo reformë liberale i ka dobësuar sindikatat e pakta kundërshtuese në vend. Në vitin 2018, një studim i Federatës së sindikatave bjelloruse që mbulonte 1.6 milion kontrata zbuloi se 30% e punonjësve të vendit punojnë me kontrata me afat të caktuar njëvjeçar. Frikës së largimit nga puna i është shtuar arrestimi i disa liderëve grevist dhe, së fundmi, frika, te punonjësit shtetëror, nga privatizimet masive që do të shkaktonin zhdukjen e vendeve të punës ose të fabrikave. Sipas pretendimeve të z.Lukashenko kjo do të ndodh nëse opozita vjen në pushtet. Gjatë fushatës, konkurrentët e tij, ish-bankieri Viktor Babariko dhe ish-ambasadori dhe drejtori i një parku teknologjik z.Valéry Tsepkalo, nuk i fshehën qëllimet e tyre për ta “modernizuar” vendin. Sektori publik – shërbimet publike dhe kompanitë shumica e të cileve në pronësi të shtetit – punëson gati 40% të punonjësve të vendit. Kompanitë në të cilat pjesëmarrja e shtetit në kapital është mbi 50% përfaqësojnë rreth 30% të prodhimit vjetor dhe të punësimit.
Sidoqoftë, një sektor duket se është në krye të protestës: sektori i teknologjisë së lartë. Ky sektor u formua në vitet 2000. Atij “iu dhanë lehtësime të konsiderueshme tatimore, disi në kundërshtim me modelin mbizotërues të” socializmit të tregut“, kujton studiuesja Youlia Shoukan në llogarinë e saj Facebook. Kjo thekson se “ky devijim nga modeli dominues, i cili i kishte mundësuar regjimit të mbrohej për shumë vite kundër çdo nisme proteste të iniciuar ose të financuar nga sektori privat, duket se e ka mashtruar atë”. Ludmila V., e cila punon për një kompani të dizajnit të aplikacioneve në Minsk, dëshmon për këtë angazhim qysh në fillimin e lëvizjes, përfshirë edhe nga menaxhmenti: “Që nga demonstratat, punonjësit kanë të drejtë të mos vijnë në punë ose të punojnë nga shtëpia në rast të një tubimi; kështu, kompania jonë është zotuar jozyrtarisht që të paguajë gjobat e punonjësëve të saj nëse ata kapen në protesta të padeklaruara “.
Në anën tjetër, mobilizimi i vështirë i mbështetësve të qeverisë ekziston në pjesë të madhe vetëm përmes mbështetjes së burimeve shtetërore (autobusa për të sjellë njerëz, helikoptera për të valuar flamurin). Regjimi – hiper-presidencial- i cili kurrë nuk ka shpallur një ideologji të qartë, – vështirë se mund të llogarisë në një bazë militante për ta mbrojtur atë. Por duke gëzuar ende besnikërinë e ushtrisë dhe policisë,
Lukashenko ende mban frenat e pushtetit. Megjithatë, ai vazhdon të përballet me një krizë të madhe të legjitimitetit. Ftesa për një reformë kushtetuese që forcon prerogativat e qeverisë dhe të parlamentit në dëm të atyre të presidencës, e propozuar me zgjuarsi nga z.Lukashenko si një parakusht për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në 2022, ndan opozitën dhe i mundëson atij të fitojë kohë. Një maskaradë për të mbetur në pushtet, apo një rrugëdalje që paralajmëron një rikonfigurim të thellë politik? Dalja nga kriza do të luhet kryesisht në Moskë. Dhe nga qendrueshmëria e protestuesve ndaj represionit, lodhjes në kohë apo ndarjeve.
*Gazetar