
Çdo ngjarje përkujtimore është një akt politik. Mbahen fjalime monotone, frazeologjia e të cilave, shpesh konvencionale dhe përsëritëse, fsheh qëllime të caktuara. Një gjë e tillë u pa edhe sivjet në 75 vjetorin e çlirimit të kampit për shfarosje të Aushvicit. Më 27 janar, secili shtet, duke ndjekur qëllimin e vet, parashtroi (re)vizionizmin e tij të historisë. Në Izrael, historiani Zeev Sternhell u shpreh ashpër. Sivjet, përkujtimi i gjenocidit u përdor si “pretekst për pushtimin” e territoreve palestineze [1] (Haaretz, 31 janar). Të mbijetuarit, pengje të kësaj situate u bën personazhe dytësore, edhe pse ngjarja organizohet zyrtarisht për t’i kujtuar vuajtjet dhe luftën e tyre.
Ngjarja tjetër përkujtimore do të zhvillohet në Buchenwald, që ishte kampi i parë gjerman i përqendrimit i cili ishte çliruar. Një ceremoni nën mbikëqyrje të lartë. Memoriali ndodhet në landin e Tyringisë, ku ekstremi i djathtë i përfaqësuar nga Alternativa për Gjermaninë (AfD) zë vendin e dytë në Parlamentin Rajonal me 23.4% të votave të fituara në zgjedhjet parlamentare të tetorit të kaluar. Në vendin e parë është e majta (Die Linke) e cila fitoi 31%. Në Buchenwald, madje më shumë sesa në Dachau, Sachsenhausen ose Ravensbrück, anëtarët e AfD-së shfaqen për të mbajtur fjalime negacioniste. Drejtori i Memorialit, z.Volkhard Knigge, e përshkruan këtë situatë si “një tregues gjithnjë e më serioz të dobësimit të vetëdijes historike” (Der Spiegel, 23 janar 2020). Padyshim. Por, mbetet të kuptohet se në ç’masë ka kontribuar në këtë dobësim rishkrimi i Luftës Antifashiste pas rënies së Murit, e ku Memoriali i Buchenwald-it ishte një nga vektorët.
Në fakt, nga fillimi i Luftës së Ftohtë e deri në ditët e sotme, historia e Buchenwaldit është rishkruar vazhdimisht sipas situatës dhe kohës. Kampi ishte hapur në korrik 1937. Ka qenë njëri nga kampet e para të përqendrimit të ndërtuar nga regjimi nazist dhe ka funksionuar deri më 11 Prill 1945, ditën kur e zbuloi ushtria amerikane përgjatë rrugës për në Weimar. Aty kanë qenë të grumbulluar kundërshtarët e regjimit nazist, kryesisht komunistët dhe socialdemokratët, për t’u mbajtur larg shoqërisë. Aty u mbajtën afro 10,000 hebrenj të arrestuar gjatë ‘Natës së Kristaltë’ më 9 nëntor 1938, si dhe ciganët, dëshmitarët e Jehovait dhe homoseksualët, si dhe të gjithë ata që regjimi i konsideronte “asocial”.
Schutzstafeli (“Skuadra e Mbrojtjes” – SS) ua delegoi së pari këtyre të burgosurve administrimin e brendshëm të kampit. Deri më vitin 1942, kur të burgosurit politikë i larguan ata pas një beteje për të cilën thuhet se ishte e ashpër, por shpëtimtare për mendimin e përgjithshëm.
Kur vendosën që të burgosurit e kampeve të përqendrimit duhej të kontribuonin në përpjekjet e luftës, SS-ët kuptuan që “trekëndëshat e kuq [2]” ishin më të përshtatshëm për funksionet menaxheriale. Të burgosurit politikë kishin fuqi vendimmarrëse, të kufizuar por reale, mbi fatin e të burgosurve. Ata ishin në pozita strategjike, si në shpërndarjen e të burgosurve nëpër pavijone të punës, ashtu edhe në organizimin e konvojëve që do të dërgoheshin në kampet në Dora, ku mesatarisht mbijetonin dy javë [3], ose edhe në Aushvic për ata të burgosurit – hebrenj dhe ciganë – që duhej shfarosur.
Pas fillimit të luftës, në Buchenwald janë mbajtur luftëtarët e rezistencës nga e gjithë bota, përfshirë afro 26,000 francezë dhe ushtarët sovjetikë, 8.483 prej të cilëve u ekzekutuan nga SS-ët me një shkrepje në qafë. Fillimisht kampi ishte planifikuar për 8.000 të burgosur. Në fund të luftës ai ishte i mbingarkuar dramatikisht. Nga vjeshta e vitit 1944, për shkak të përparimit të Ushtrisë së Kuqe, u evakuuan kampet e shfarosjes të vendosur në Lindje. U grumbulluan mijëra të mbijetuar të këtyre “marshimeve të vdekjes”. Në janar 1945, në Buchenwald numëroheshin 100.000 të burgosur. Kur amerikanët morën kontrollin e kampit, aty gjetën 21,000 të mbijetuarë. Rezistenca klandestine, e cila kishte mbledhur armë për një kryengritje, ua dorëzoi amerikanëve SS-ët e fundit që kishte kapur. Të burgosurit politikë gjermanë, kryesisht komunistë, ishin në krye të kësaj rezistence.
Promovimi i historisë heroike
“Një perde e hekurt ra në kontinent prej Stettinit në detin Baltik deri në Trieste në detin Adriatik“. Kur Winston Churchill tha këtë fjali më 5 Mars 1946 duke e shpallur Luftën e Ftohtë u shfaq një raport i një historiani të ushtrisë amerikane, Donald Robinson, me titull “Mizoritë komuniste të kryera në Buchenwald”. Në raportin e ri të forcave që vendosej në Evropë, ky dokument e ushqente diskursin anti-sovjetik. Por është Shteti SS, libri i sociologut Eugen Kogon (jokomunist) të internuar në Buchenwal, botuar në vitin 1946, që do të bëhet vepra referuese [4]. Pa injoruar marrëdhëniet konfliktuale midis të arrestuarve dhe as raportin e forcave, Kogon përpiqet të hedhë dritë mbi mënyrën sesi të burgosurit politikë gjermanë arritën ta ruanin një lloj rendi dhe ta parandalonin përhapjen e frymës “secili për veti”.
Në Gjermaninë Lindore, shtet i krijuar në tetor 1949, regjimi i ri e bazon legjitimitetin e tij në luftën kundër militantëve antifashistë. Pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, ku kishin qenë në mërgim, ata që marrin udhëheqjen në pjesën lindore të Gjermanisë promovojnë një histori heroike të rezistencës ndaj nacizmit. Ndërkohë, ata vetëshpallen trashëgimtarë të kësaj rezistenceje të cilën do ta bëjnë religjon shtetërore. Kampi-muze i Buchenwald, inauguruar në vitin 1958, do të bëhet një lloj tempulli i saj. Çdo vjet, aty do të përkujtohet solemnisht “Betimi i Buchenwald” të 19 prillit 1945, kur të burgosurit u zotuan që do të luftojnë për paqe dhe liri. Por, edhe pse të mbijetuarit e kampeve ishin heronj zyrtarë, ata megjithatë ishin përjashtuar nga pushteti – madje disa herë qenë viktima të spastrimeve staliniste të fillimit të viteve 1950: këto kuadro komuniste të kalitura nga trembëdhjetë vjet në burgje dhe kampe tregohen më pak të dëgjueshëm se të burgosurit e kthyer nga Moska, bindja e të cilëve ndaj BRSS ishte bërë zakon. Në vitin 1958, romani i Bruno Apitz Nackt unter Wölfen (Lakuriq midis ujqërve ) u botua në Republikën Demokratike të Gjermanisë (RDGJ). Ky roman i përkthyer në tridhjetë gjuhë do të shënoj sukses në gjithë botën [5]. Autori, një ish i burgosur i Buchenwaldit, tregon historinë e një trevjeçari polak hebre i cili shpëtohet nga të burgosurit politikë nga simpatia që ngjallë ai tek ata. Ky roman adaptohet në një film eponim nga regjisori gjermano-lindor, Frank Beyer i cili në vitin 1963 fiton çmimin për regjinë më të mirë në festivalin e Moskës, ku garoi Federico Fellini me filmin Tetë e gjysmë [6]. Rolin kryesor e luan Armin Mueller-Stahl, aktori i preferuar i Rainer Werner Fassbinder. Disa aktorë të tjerë dhe statistë ishin gjithashtu të mbijetuar të kampeve naziste dhe filmi u xhirua në vendin e ngjarjes. Në Moskë, një spektator kishte vërejtur se ishte historia e nipit të tij të quajtur deri atëherë “fëmija i Buchenwaldit”. Ishte identifikuar Stefan Jerzy Zweig.
Tregimi i Bruno Apitz i bazuar në një ngjarje të vërtetë, megjithëse i trilluar, luan rolin në RDGJ të një romani kombëtar në të cilin shpëtimi i fëmiut bëhet simbol i humanizmit të komunistëve nëpër kampe. Siç ndodh shpesh, trillimi mbizotëroi mbi historinë e vërtetë dhe skenografia e kampit-muze u frymëzua nga ky tregim, i cili do t’i lartësoj veprimet e komunistëve deri në fund të regjimit. Feja, madje edhe ajo sekulare, nuk i pranon lehtë kundërshtitë. Në narrativën e Gjermanisë Lindore nuk përfshihet çështja e marrëdhënieve midis të burgosurve politikë dhe SS-ët, si dhe midis vetë të burgosurve. Kjo “zonë gri” e cila sipas Primo Levit, autorit të If this is a man (Nëse është burrë), nuk binte nën juridiksionin e asnjë gjykateje njerëzore, do të gjykohej megjithatë në Gjermaninë e ribashkuar.
Sikur të ishte gjëja më urgjente, në rend të parë u bë ridizajnimi i memorialit të Buchenwaldit në Gjermaninë epas Luftës së Ftohtë. Ndër nismat e para ishte rizbulimi i kampit të Speziallagerit, ku sovjetikët i kishin internuar më 1945 (duke mos e falur askënd) drejtuesit e partisë së Adolf Hitlerit, Partisë Nacional-Socialiste të Punëtorëve Gjermanë (NSDAP), nga të cilët tre të katërtat vdiqen nga uria. Më 1999, autoritetet inauguruan një memorial tërësisht të “rishikuar dhe korrigjuar”. Tani është një frymë e re, edhe një perspektivë e re, dhe Volkhard Knigge, drejtori i ri i lokacionit – një historian i katapultuar nga Gjermania Perëndimore – harton një tregim ndryshe nga i vjetri. Tani merremi me viktimat e jo me heronjtë, si dhe personalizohen aktorët. Edhe pse nuk përjashtohen plotësisht komunistët, ata tani zhduken si grup shoqëror. Hiqet edhe pllaka që përkujton shpëtimin e Stefan Jerzy Zweig. Kundërshtimet e tij tashmë shtatëdhjetëvjeçar nuk patën ndikim. Kot kishte kundërshtuar edhe shkrimtarja Elfriede Jelinek, meqë ngadhënjeu mungesa e taktit dhe kokëfortësia e drejtorit të Memorialit. Hihdet poshtë “Fëmija i Buchenwaldit”, figurë emblematike në historinë e Gjermanisë Lindore, sikurse Anne Frank për viktimat e Holokaustit. Në fakt, 904 fëmijë ishin shpëtuar në Buchenwald, falë rezistencës klandestine.
Duke e ç’montuar me përpikëri atë që tani quhet “miti i antifashizmit” i RDGJ, një grup historianësh përpilon në vazhdën e ribashkimit një vepër që është akoma referencë. Në veprën Der gesäuberte Antifaschismus [7], ata parashtrojnë tezën sipas të cilës të ashtuquajturit “kapo të kuq” kanë mbijetuar në kurriz të të tjerëve. Solidariteti ekzistonte vetëm midis tyre. Në shtypin e bulevardit, si dhe në punime të ndryshme, përhapet historia e “fëmijës së Buchenwaldit” dhe historia e “kapove të kuq”, që quhen bashkëpunëtorë SS. Përhapet edhe shprehja “komunist=nazist” që ngjall te disa ndjenjen se janë mashtruar nga diskursi i Gjermanisë Lindore. Zgjerohet teza e historianit Ernst Nolte, sipas së cilit kampet naziste të shfarosjes ishin një reagim i mbrojtjes kundër bolshevizmit (Frankfurter Allgemeine Zeitung, 6 qershor 1986), derisa mishërimi i të kuqëve dhe të kaftëve bëhet i zakonshëm.
Por, në librin e tij Les Jours de notre mort (Ditët e Vdekjes Sonë) (Éditions du Pavois, 1947), David Rousset, ish i internuar francez, ka përshkruar situata të tilla me të cilat përballeshin të burgosurit politikë për çdo ditë, duke bërë përzgjedhje në rrethana ekstreme. Stéphane Hessel, autor i Indignez-vous [8]!, Imre Kertész, fitues i çmimiit Nobel për letërsi më 2002, si dhe Jorge Semprun, në veprën Le Mort qu’il faut (Gallimard, 2001), nuk fshehin faktin se ishin shpëtuar nga “kapot e kuqe”, sikurse me rastin e Stefan Jerzy Zweig, emri i të cilit ishte hequr nga një listë e fëmijëve të dëbuar.
Libri i Rousset nuk është përkthyer kurrë në gjermanisht. Të shkruash për përditshmërinë në kampet naziste pa e lexuar këtë libër është pothuajse si kur historianët punonin mbi kampet e punës së detyrueshme sovjetike duke e injoruar Arkipelagun e gulagut të Alexander Solzhenitsyn. Në Buchenwald, një ekspozitë e titulluar Leitmotive der DDR (“Legjendat e RDGj”) i kushtohet madje tërësisht ç’montimit të “mitit”. Aty shfaqen “krimet” e të burgosurve politikë. Atëherë, çfarë mbetet nga baballarët-themelues të këtij shteti, të cilët ishin thirrur në emër të trashëgimisë antinaziste?
Interpretimi mbizotërues i historisë së RDGJ që bazohet në konceptin e totalitarizmit, nënkupton barazimin midis regjimit komunist dhe sistemit nazist [9]. Politika përkujtimore e cila inkurajohet, financohet dhe përhapet, në veçanti nga Fondacioni për rivlerësimin e diktaturës së Partisë së Bashkuar Socialiste të Gjermanisë (Bundesstiftung zur Aufarbeitung der SED-Diktatur) konfirmon se nëse antifashizmi ka qenë religjioni shtetëror i RDGJ, antikomunizmi ka qenë religjioni shtetëror i Republikës Federale së Gjermanisë (RFGJ).
Kjo qasje ka dërguar ujë në mullirin e AfD-së i cili po e përdor atë në çdo rrethanë. Kjo parti, produkt i së djathtës ekstreme, që erdhi nga Gjermania perëndimore, për t’u ndërtuar mbi rrënojat e RDGJ-së, mbështetet në një pasqyrim dogmatik dhe demonizues të përvojës së Gjermanisë Lindore, duke e përhapur në media, si dhe në punime shkencore. AfD keqpërdor ndjenjën e trishtë të një pjese të popullsisë së Gjermanisë Lindore, të reduktuar ose në rolin e viktimës së regjimit komunist ose të bashkëpunëtorit të një diktature.
Në Buchenwald, si masë e parë duhet të rivendosen faktet dhe meritat për ta luftuar diskursin negacionist. Ka ardhur koha të merret parasysh kjo qasje.
* Historiane. Autore e « Une vie contre une autre. Échange de victime et stratégies de survie dans le camp de Buchenwald », Fayard, Paris, 2014 dhe e « La Loyauté à tout prix: Les floués du “socialisme réel », Le Bord de l’eau, Lormont, 2019.
[1] « Plani i paqes » i paraqitur më 28 janarr nga z.Donald Trump forcon kërcënimet e pushtimit të vendbanimeve që gjinden në territoret e Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli që nga lufta gjashtë ditore më 1967.
[2] Kampi ku prodhoheshin raketat V2 në fabrikat nëntokësore.
[3] Çdo kategori e të burgosurve barte një trekëndësh me ngjyra të ndryshme, të kapur në gjoks. Trekëndëshi i të burgosurve politikë ishte i kuq. Trekëndëshi i ligjit të zakonshëm i gjelbër.
[4] Përkthim në frëngjisht : Eugen Kogon, L’Enfer organisé. Le système des camps de concentration allemands, La Jeune Parque, Paris, 1947.
[5] Bruno Apitz, Nu parmi les loups, Les Éditeurs français réunis, Paris, 1961.
[6] Shih Bill Niven, The Buchenwald Child : Truth, Fiction and Propaganda, Camden House, Rochester, 2007.
[7] Lutz Niethammer (nën drejtimin e), Der gesäuberte Antifaschismus, Akademie Verlag GmbH, Berlin, 1994.
[8] Stéphane Hessel, Indignez-vous !, Indigène Éditions, Montpellier, 2010.
[9]Shih Carola Haehnel-Mesnard, « La RDA dans le (rétro)viseur. Plaidoyer pour une autre perception », Symposium Culture@Kultur, vol. 2, Berlin-Toulouse, 2020.