PROTESTA NGA BEJRUTI NE BAGDAD
Në rrënjët ekonomike të kryengritjes libaneze

Në kontekstin e një krize të madhe ekonomike, popullsia libaneze pushtoi sheshet për të kërkuar reforma të thella, si dhe fundin e klientelizmit dhe të korrupsionit të elitave politike. Ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe ulja e prurjeve në valutë të huaj e çuan vendin drejt rrezikut të falimentimit.

Më 17 tetor 2019,ministri libanez i telekomunikacionit, z.Mohammad Choucair, vendosi të caktojë një taksë mujore – të quajtur – « taksa Whats-App » – prej 2 dollarësh në të gjitha aplikacionet telefonike falas. Po atë mbrëmje, me qindra të rinj manifestues, më së shumti nga klasat e varfëruara, zbritën në rrugët e qyteteve të mëdha. Të nesërmen, ata bllokuan arteriet kryesore të vendit dhe organizuan rrjetin e protestave, qëndrime ulur në vendet emblematike, si në sheshin Martyrs në Bejrut. Qeveria mbylli menjëherë zyrat e administratës, universitetet dhe shkollat publike – duke inkurajuar në mënyrë paradoksale gjithmonë e më shumë njerëz që të zbrisnin në rrugë.  Mbyllja e bankave libaneze gjatë dy javëve që pasuan lindjen e kryengritjes, ushqeu zemërimin popullor, dhe depozuesit  nuk kishin mundësi të tërhiqnin paratë e tyre.

Rritja në pikën e vdekjes

Dy muaj më vonë, manifestuesit këmbëngulnin. Ata kërkonin përsëri rrëzimin e regjimit të kastave fetare, bazuar në ndarjen publike të pushtetit midis shiitëve, sunitëve dhe të krishterëve. Asnjë lloj zgjidhjeje nuk u gjet në boshllëkun qeveritar dhe kryeministri Saad Hariri dha dorëheqjen më 30 tetor 2019, duke e braktisur idenë për të formuar më vonë një « qeveri teknokratësh ». 

Taksa « WhatsApp »  nuk është tjetër veçse një shkëndijë që ndezi zjarrin  në një vend ekonomikisht të venitur dhe veçanërisht  të pabarabartë: 1% e libanezëve me më shumë fat kanë 40% të pasurive dhe marrin 23 për qind  të të ardhurave kombëtare sipas një studimi të Laboratorit në lidhje me pabarazitë në botë (1). Libani ndodhet gjithashtu pranë falimentimit. Borxhi i Shtetit paraqet 150% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) ndërkohë që defiçiti i tij publik është 11%. Shërbimi i borxhit (pagesa e interesave dhe një pjesë e shumës së huazuar) arrin në 4 miliardë dollarë çdo vit. Rritja e ekonomisë është në pikën e vdekjes – rreth 0, 2 % në vitin 2018. Vendi gjithmonë e më pak arrin të mbulojë nevojat në valutë për të paguar importet e tij të shumta (veçanërisht të lëndëve djegëse, të ilaçeve dhe të drithërave), që janë katër herë më shumë se niveli i eksporteve të tij. Prurja e kapitaleve të diasporës dhe të investimeve të huaja nuk mjaftojnë më që të mbajnë stabël sistemin: fondet dalin tashmë më shpejt sesa hyjnë. 

Që në vitin 2011, lufta civile në Siri ndikoi, gjithashtu, për keq në sektorin e bujqësisë tashmë shumë i brishtë, sidomos në zonat periferike si Bekaa dhe distrikti Akkar. Këto zona kufitare, ndër më të varfrat në Liban, mbijetonin mirë apo keq, falë tregtisë me qytetet siriane si Homs. Për më shumë, me rënien e çmimit të naftës në vitin 2014, flukset financiare që vinin nga vendet e Gjirit, shteruan – ashtu si turizmi saudit, katarist apo dhe i emirateve. Që me ardhjen në pushtet të Z. Donald Trump, forcimi i sanksioneve amerikane për bankat libaneze që akuzoheshin se kishin marrëdhënie me partinë Hezbollah, parti shiite në luftë me Izraelin, rëndoi mbi ekonominë,  shtylla kryesore e së cilës është sektori bankar. Kështu, në gusht të vitit 2019, Jammal Trust Bank u akuzua nga thesari amerikan se mbështeste  Hezbollahët dhe Iranin. Kapitali i saj në Shtetet e Bashkuara u ngri, dhe transaksionet në dollarë u ndaluan. Banka filloi një proces likuidimi në shtator të vitit 2019. 

Për t’i bërë ballë shkatërrimit ekonomik të vendit, kryeministri Hariri kishte premtuar në maj të vitit 2019 një regjim  të ashpër kursimi « të paparë ». Ai duhej të kënaqte, gjithashtu, huadhënësit e tij ndërkombëtarë. Për të marrë një hua në formë ndihmë prej 11,2 miliardë dollarësh për zhvillimin e infrastrukturave – me përqindje interesi të kufizuar – premtuar gjatë Konferencës ekonomike për zhvillimin e Libanit  nga reformat me ndërmarrjet (Cedre), që u zhvilluan në Paris në prill të vitit 2018, qeveria u angazhua të ulte deficitin e saj buxhetor me 1% të PBB në pesë vitet e ardhshme;  një zotim pothuajse i pamundur për t’u mbajtur. Buxheti i 2019-s, i ratifikuar nga Parlamenti në muajin korrik, nuk favorizonte, veçanërisht, funksionin publik: si ngrirje të rekrutimeve (përfshi këtu dhe në  ushtri), ndalim i daljeve të parakohshme në pension gjatë tre vjetëve, pakësim të  ndihmave shkollore për fëmijët e funksionarëve.

Sigurisht, vitet e fundit janë vënë re abuzime, si p.sh. dhënia e rrogave funskionarëve të vdekur, apo dhe rekrutime si favore patronazhi. Por funksionarët që përfaqësojnë 40% të numrit total të punonjësve në Liban, vuajnë, gjithashtu, edhe nga një inflacion galopant dhe nga zhvlerësimi aktual i vazhdueshëm i monedhës libaneze përballë dollarit;  ata u ndjenë gjithmonë e më shumë sikur u përkisnin klasave të mesme të varfëruara.  Për më tepër, funksionet publike numëronin punonjës me vende pune të pasigurta, si p.sh në universitetin libanez (UL), ku nuk përfitohen sigurime shoqërore dhe as mbulim të shpenzimeve për zhvendosje dhe as pagesa sigurimesh për pensionin. Bilanci deficitar i shtetit përjashton për momentin dhënien e titujve që u përkasin punonjësve, çka ështe shtyrë për vite me radhë. Këto politika të ashpra nxitën protesta që përgatitën gjerësisht terrenin për revoltën e tetorit të vitit 2019. Gjatë pranverës dhe verës së vitit 2019, funksionarët e sigurimeve shoqërore apo  profesorët e UL-së u futën në grevë. Por qe lëvizja e pensionistëve të ushtrisë, kryesisht e cila, nga pranvera e vitit 2019, po drejtohet kundër masave shtërnguese: buxheti i vitit 2019 parashikoi  gjithashtu një taksë mujore prej 1,5% mbi pensionet e tyre. Më 20 maj, këta veteranë, provuan të pushtojnë Parlamentin për të kundërshtuar uljen e pensioneve. Përgjatë gjithë verës, ata bllokuan disa rrugë të kryeqytetit, duke u përballur edhe me ushtarë në shërbim, që ruanin institucionet kryesore. Një javë para kryengritjes popullore të 17 tetorit, ata u mobilizuan sërish para ministrisë së financave: ata denonconin mospagimin për nëntë muaj me radhë të pensioneve të pensionistëve  të sapodalë, nga ushtria. 

« Jo pushtetit të financës »

Mobilizimi i tyre ngjalli një simpati të fortë në opinionin publik dhe i shtyu të luanin rolin e ngritjes së alarmit kundër ashpërsimit të masave. Në konfliktet politike që shkatërruan Libanin, ushtria është konsideruar shpesh si asnjanëse, si pak e influencuar nga fjalimet publike dhe është parë gjithmonë si garantja e një sigurie gjithmonë e më të brishtë. Një tjetër efekt i dukshëm i lëvizjes: vuri në vështirësi presidentin e republikës, dikur gjeneral. Z. Michel Aoun i parë është mjaft popullor për shumë oficerë dhe pensionistë të ushtrisë, për solidarizim me trupën ushtarake. Por, partia e tij, Lëvizja Patriotike e lirë (LPL), është akuzuar gjithashtu se nuk i kreu reformat e nevojshme për të luftuar kundër korrupsionit dhe « parave të pista ». Kështu formacioni i vet presidentit u godit nga ngjarjet e 17 tetorit të vitit 2019.  Tetë ditë më vonë, dy deputetë të LPL-së shpallën  tërheqjen e tyre nga blloku i tij  parlamentar si dhe z. Chamel Roukoz,  dhëndrri i udhëheqësit të shtetit, dhe një gjeneral i vjetër shumë popullor në radhët e ushtrisë. 

Lëvizja shoqërore që lindi në tetor të vitit 2019 doli në mënyrë direkte nga politikat e masave shtërnguese, nga impakti i tyre mbi funksionet publike dhe shtresat e mesme, por edhe nga rritja e vazhdueshme e taksave, që prek në mënyrë të veçantë klasat popullore. Taksa « Whats-App » u pezullua nga qeveria pas manifestimeve, por sërish ngelën që në vitin 2017 një rritje e taksave mbi TVSH-në nga 10 në 11%, si dhe një seri taksimesh mbi duhanin dhe alkoolin. Kjo lëvizje është gjithashtu frut i një ankese anonime kundër korrupsionit të elitave politike, dhe kundër  mungesës së shërbimeve publike cilësore: 20% e libanezëve nuk kanë ujë të pijshëm dhe ndërprerjet e energjisë elektrike zgjasin tre orë në Bejrut dhe deri në dymbëdhjetë orë në pjesën më të madhe të krahinave. 

U vu gjtihashtu në diskutim plotfuqia e bankave. « Jo pushtetit të financës », ishte një nga parrullat e lëvizjes. Nga Bejruti në Nabatiyyeh (Libani jugor), duke kaluar për në Tripoli, në Veri, manifestimet sa vinin dhe shumëfishoheshin që prej dy muajsh përpara zyrave të Bankës së Libanit dhe institucioneve të tjera kryesore financiare të vendit. Këto të fundit zotërojnë 35, 3% dhe 40, 1% të borxhit publik. Në fakt që nga fundi i luftës civile (1975-1990), zotimi i kryeministrit të dikurshëm Rafik Hariri (vrarë më 2005) dhe elitave politike ka qenë financimi i rindërtimit përmes marrjes së borxhit, veçanërisht nga Shteti, pranë bankave (disa prej të cilave i kishin politikanë), që edhe ata vetë kanë përfituar nga përqindjet e larta të interesit. 

Një pretendim i ri lindi në Liban, si pasojë e manifestimeve të fundit ishte: të ristrukturohej borxhi i brendshëm pranë bankave me qëllim që të shpëtohej ekonomia, të lehtësohej borxhi i shtetit dhe të riorientohej një pjesë e buxhetit të tij në favor të klasave popullore. Në një vend ku liberalizmi është mbret, idesë nuk i mungon guximi. Kjo ide është hedhur nga rrymat politike më pranë të majtës së Hirak-ut (kryengritjes), si Partia Komuniste libaneze; Lëvizja e qytetarëve dhe qytetareve në një shtet, drejtuar nga ministri i dikurshëm i punës Charbel Nahas – një nga përgjegjësit e rrallë politikë që nuk u përçmua nga turma e protestuesve – Lëvizja e të rinjve për ndryshim ; Lëvizja e popullit  drejtuar nga deputeti i dikurshëm nacionalist arab Najah Wakim ; Organizata popullore naseriane  e z. Oussuma Saad, deputet i Saida-s. Këto parti i dolën kundër edhe një politike të privatizimit që mundohet të shesë me çmim të ulët ndërmarrjet e fundit shtetërore. Më 21 tetor të vitit 2019, Z. Hariri, ende shef i kabinetit  qeveritar, iu përgjigj pozitivisht ankesave të manifestuesve duke premtuar mbajtjen e zgjedhjeve legjislative të parakohshme  dhe lajmëroi, veprim i paparë ndonje herë,  se bankat libaneze do të kontribonin në uljen e deficitit buxhetor. Por ai kishte ndërmend, gjithashtu, privatizimin krejt apo të pjesshëm të kompanisë së aviacionit kombëtar, të telekomit, të portit të Bejrutit apo të Kazinosë së Libanit – të gjitha, pa përmendur as perspektivën më të vogël për rishpërndarje sociale. 

Plani i “shpëtimit” i FMN -së

Ristrukturimi i borxhit, kundërshtimi i privatizimeve, kalimi nga një sistem rentier dhe importues i të mirave materiale dhe i prodhimeve drejt një sistemi produktiv, me politika rishpërndarjeje përkundrejt shtresave në nevojë, këto ide ecën përpara që nga 17 tetori i vitit 2019. Por, me disa kufizime: disa përbërës të lëvizjes kënaqen duke imagjinuar një kapitalizëm libanez “të pastër”, ku lufta kundër korrupsionit dhe një ligj i ri elektoral do të mjaftonin  për të shmangur të gjitha të këqijat e vendit. Kësaj i shtohet edhe fakti se shumë parti fetare dolën kundër Hirakut. Në fillim të tetorit, pas disa ditë hezitimesh, Hezbollahu u kërkoi ndjekësve të tij të tërhiqeshin nga lëvizja, ndërkohë që u kryen shumë manifestime në jug të Bejrutit dhe të vendit, në zona ku ndikimi i partisë është i madh. Më 25 tetor, gjithmonë duke njohur ligjshmërinë e disa pretendimeve sociale, z. Hassan Nasrallah, sekretar i përgjithshëm i partisë shiite, paralajmëroi libanezët për boshllëkun në krye të Shtetit, dhe denoncoi një « komplot » të nxitur nga armiqtë e vendit. Si rrjedhojë, militantët e partisë sulmuan disa herë grupimet e hirak-ut, duke i detyruar forcat e rendit të ndërhynin. Partia Hezbollah që pretendon të marrë pjesë në çdo qeveri të re, ka prioritet mbrojtjen e presidencës së z. Aoun, të cilin e konsideron që prej vitit 2006  si aleatin më besnik  që i siguron një mbrojtje politike, në kohën e sanksioneve amerikane kundër organizatës shiite, dhe në një kontekst tensionesh të shpeshta me Izraelin në Libanin jugor. 

Ndryshe nga Hezbollahët, nga aleatët e tyre, lëvizja Amal apo Lëvizja Patriotike e Lirë, të tjera parti komunotare, shpallën pretendimet e tyre në lidhje me kundërshtimin si p.sh kundër një qeverie teknokratësh të pavarur. Përmendim këtu rastin e Forcave libaneze (të krishtera), apo të Partisë socialiste progresiste (druze) të Z. Walid Joumblatt. 

Tashmë, Libani mund të përshkojë tri rrugë të ndryshme. Mund të zgjedhë drejtësinë më të madhe rishpërndarëse – një perspektivë e sjellë nga formacionet e pozicionuara më majtas në këtë lëvizje. Mund të kthehet gjithashtu dhe tek disa logjika të solidaritetit publik. Në një kontekst krize totale të ekonomisë, nuk përjashtohet mundësia që partitë fetare, të bëjnë në të ardhen një kthim të madh: në mungesë të një Shteti që siguron rishpërndarjen, pra vetëm ata mund të sjellin një të ardhur për mbijetesë për shtresat e defavorizuara. Së fundmi shtrohet edhe një rrugë e tretë: ai i një plan « shpëtimi » të menjëhershëm të një vendi në falimentim të hartuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Kjo e fundit do të kishte një kosto: atë të politikave shtërnguese akoma më të forta, dhe të një « vendi si plaçkë tregu », ku pasuritë e fundit publike do të privatizoheshin. Dhe një pasojë: do të nxiteshin lëvizje kundërshtuese akoma dhe më radikale. 

*Respektivisht gazetar dhe kërkues në shkencat politike, Bejrut

[1] Justine Babin, « Lydia Assouad: “Tre mijë individë fitojnë sa 50%e libanezëve më të varfër », Le Commerce du Levant, Bejrut, 1 nëntor 2019.

[2] Nicolas Offenstadt, Vendi i zhdukur. Në gjurmët e RDGj-së, Botimet Gallimard, kolona. «Fleta e historisë», Paris, 2019 (edicioni i parë: 2018).