– Si e komentoni reagimin dominues të opinionit publik në Kosovë në aktakuzat e para nga Dhomat e Specializuara kundër ish-krerëve të UÇK-së?
Bekim Blakaj : Qysh nga krijimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special ka qenë e pritur se do të akuzohen udhëheqësit e lartë të UÇK-së. Megjithatë, pas ngritjen e aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, reagimet në opinionin publik janë të shumta dhe jashtëzakonisht të ashpra. Mendoj se kësaj i ka paraprirë një fushatë mediatike e cila kishte filluar në qershor, pasi Zyra e Prokurorit Special nxori një komunikatë ku bëri të ditur se ka dorëzuar tek gjykatësi i procedurës paraprake një aktakuzë ndaj Thaçit, Veselit dhe të tjerëve. Kjo fushatë ende është duke vazhduar dhe si rezultat i saj diskursi publik është unifikuar edhe më shumë në kritikën ndaj Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special. Pak a shumë kjo ka qenë e pritur, mirëpo është për keqardhje që në krejt këtë situatë pothuajse askush nuk e trajton çështjen nga këndvështrimi i viktimave, dhe të drejtën e tyre në drejtësi.
“Si në rastin e Kroacisë, edhe në Kosovë, shumë njerëz nuk janë të gatshëm të kuptojnë se edhe në një luftë mbrojtëse dhe çlirimtare, te pala e sulmuar mund të ketë individë që shkelin rregullat e luftës, apo kryejnë ndonjë krim” – Enver Robelli
Enver Robelli : Kryesisht reagime emocionale pa një analizë të ftohtë se çka i parapriu këtyre aktakuzave. E këtyre aktakuzave i parapriu një periudhë e gjatë e mosndriçimit të disa krimeve në Kosovë që nga koha e luftës. Këtu hyjnë krimet ndaj pjesëtarëve të pakicave, por edhe krime kundër atyre që perceptoheshin si kundërshtarë politikë të krahut të luftës. Për shkak se në Serbi kanë mbetur të padënuar qindra kriminelë të luftës, kjo nuk e rrit assesi gatishmërinë e palës kosovare për t’u marrë me gabimet e saj gjatë dhe pas luftës. Si në rastin e Kroacisë edhe në Kosovë, shumë njerëz nuk janë të gatshëm të kuptojnë se edhe në një luftë mbrojtëse dhe çlirimtare, te pala e sulmuar mund të ketë individë që shkelin rregullat e luftës, apo kryejnë ndonjë krim.
Dukagjin Gorani : Nuk mendoj se kishte reagim ‘dominues’ apo mbizotërues. Siç edhe është bërë zakon, pati reagime konfrontuese mes grupeve të polarizuara të intereseve sociale, ekonomike dhe me ambicie pushtetore. Ato grupe që identifikohen me narrativin historik të UÇK-së e përjetojnë Gjykatën Speciale si dëmtim strukturor – dhe retroaktiv – të postulateve të tyre ideologjike, çfarë ishte edhe përpjekja e armatosur për çlirim kombëtar. Grupet oponente të tyre e shohin Gjykatën si vegël politike që do të ndihmojë në përmbysjen e rendit simbolik dhe ekonomik të krijuar paslufte, e të cilin e shohin të uzurpuar nga narrativi historik që ka në qendër UÇK-në.
Sikurse edhe shumëkund tjetër në botë, as në Kosovë nuk ekziston opinion i jopolarizuar publik – e aq më pak opinion unifikues që do të udhëheqej nga përpjekja për të ndërtuar përbashkësi botëvështrimesh dhe interesesh brenda shtetit të përbashkët.
– Duke pasur parasysh përvojën dhe lëshimet e Tribunalit të Hagës, a besoni se Dhomat e Specializuara do të mund të kontribuojnë në pranimin e idesë së drejtësisë tranzicionale. Cilat janë përparësitë dhe dobësitë e Dhomave të Specializuara?
Bekim Blakaj : Në fakt Dhomat e Specializuara janë në pozitë edhe më të disfavorshme sesa Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, dhe këtë për shkak të mandatit të saj specifik, respektivisht për faktin se juridiksioni lëndor i saj kufizohet në krimet e supozuara që kanë qenë subjekt në Raportin e Asamblesë së Këshillit të Evropës, si dhe subjekt i hetimeve të Task Forcës Speciale Hetuese (SITF). Prandaj, mendoj se kjo gjykatë në Kosovë pothuajse gjithmonë do të shihet dhe komentohet si një gjykatë e njëanshme dhe jo e ndershme. Gjithashtu, gjasat janë të vogla që faktet që do të vërtetohen nga kjo gjykatë do zënë vend të merituar në krijimin e narracionit të përgjithshëm mbi luftën në Kosovë, por shpresoj që së paku Dhomat e Specializuara do të kenë sukses të adresojnë nevojat e viktimave dhe se megjithatë do të kontribuojnë në një të ardhme më të largët në plotësimin e tablosë për ngjarjet e luftës.
Enver Robelli : Prokuroria Speciale është themeluar para 5 viteve dhe tek tani arriti të prezantojë disa aktakuza. Kjo vonesë është shenjë se prokuroria ka probleme të mëdha me sigurimin e fakteve dhe provave. Që nga koha kur janë kryer krimet potenciale, ka kaluar një kohë e gjatë, shumë njerëz kanë vdekur, disa dëshmitarë janë zhdukur, ndonjë që është gjallë nuk dëshmon nga frika. Mbetet të shihet në të ardhmen se çfarë provash e dëshmitarësh do të nxjerrë prokuroria. Formulimi « ndërmarrje e përbashkët kriminale » për grupin e njerëzve të akuzuar është paralajmërim se prokuroria si rrugëdalje të vetme e sheh dënimin sipas përgjegjësisë komanduese. Por, UÇK ka qenë një organizatë e ndërlikuar, heterogjene dhe pa struktura unike komanduese, përkundër se në komunikata është përpjekur të krijojë përshtypjen se është ushtri e organizuar. Nuk ka qenë e tillë kurrë. Nëse më herët gjykata e Hagës për krimet në ish-Jugosllavi nuk ka arritur t’i dënojë komandantët e UÇK-së për përgjegjësi komanduese, si do të arrijë ta bëjë këtë Gjykata Speciale? Një proces i padrejtë do të ngjallte edhe më shumë zemërim në Kosovë dhe nuk do të ndikonte ne pajtim, por në acarim të raporteve ndëretnike. Gjykata Speciale e ka kredibilitetin e cenuar. Me vite të tëra, duke u bazuar në raportin kontradiktor të politikanit zviceran Dick Marty, disa media perëndimore kanë përhapur legjendën për « tregti me organe ». Tash shohim aktakuzat kundër Thaçit dhe shokëve të tij dhe aty nuk ka asnjë shkronjë për këtë akuzë të rëndë dhe të pabazuar.
“Gjasat janë të vogla që faktet që do të vërtetohen nga kjo gjykatë do zënë vend të merituar në krijimin e narracionit të përgjithshëm mbi luftën në Kosovë, por shpresoj që së paku Dhomat e Specializuara do të kenë sukses të adresojnë nevojat e viktimave dhe se megjithatë do të kontribuojnë në një të ardhme më të largët në plotësimin e tablosë për ngjarjet e luftës” – Bekim Blakaj
Dukagjin Gorani : Jo, nuk besoj. Gjykata Speciale do të merret me pohimet për krime që supozohet të jenë kryer para dy dekadave. Distanca kaq e madhe kohore rrezikon ta shndërrojë atë në një farsë juridike. Institucioni i saj ka vetëm rëndësi formale, jo edhe përmbajtësore. Ajo është e menduar si mekanizëm që e adreson nevojën formale të bashkësisë ndërkombëtare për ta përmbyllur kapitullin (ende të hapur) të legjitimitetit të intervenimit ushtarak dhe politik në Kosovë dhe ish-Jugosllavi.Sipas saj, ky legjitimitet mund të vazhdojë të kontestohet nëse sistemi i drejtësisë ndërkombëtare nuk e adreson përgjegjësinë e të gjitha palëve të përfshira në konfliktin e viteve 1998-1999. Pra, kërkohet që Gjykata Speciale të shihet në këtë kontekst : se ajo u themelua për t’i adresuar krimet e supozuara edhe të palës shqiptare/kosovare dhe se, përmes gjykimeve të tyre, ajo do ta përmbushë formalisht parimin e paanshmërisë politike dhe të juridiksionit gjithëpërfshirës të drejtësisë ndërkombëtare. Kësisoj, ky institucion shihet i domosdoshëm nga logjika juridike perëndimore/ndërkombëtare. Andaj, përmbyllja e punimeve të Gjykatës Speciale do të interpretohet si qartësim përfundimtar juridik i një polemike të vazhdueshme politike,çfarë ishte intervenimi ushtarak ndaj ish-Jugosllavisë gjatë agresionit mbi shqiptarët e Kosovës. Këtu, në veçanti, GjykataSpeciale do të përpiqet ta adresojë vakuumin e sistemit të drejtësisë gjatë periudhës së administratës ndërkombëtare në Kosovë (1999-2008), e që shihet si interes historik i shteteve pjesëmarrëse në atë administrim të zbatuar nën flamurin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (Misioni UNMIK). Përparësitë e Dhomave të Specializuara janë formale, kurse dobësitë (dhe dëmet) do të jenë përmbajtësore. Formalisht, fillimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore do të interpretohet si triumf i këmbënguljes së drejtësisë ndërkombëtare dy dekada pas konfliktit. Përmbajtësisht, vendimet e Gjykatës do të ndihmojnë në barazimin e përgjegjësisë ndaj krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Me këtë, agresioni shtetëror serb mbi shqiptarët do të barazohet me krimet e supozuara individuale të pjesëtarëve të UÇK-së. Një konstrukt i tillë juridik do t’i dekontekstualizojë faktet historike dhe shkaqet politike që çuan në vrasjet masive të shqiptarëve të Kosovës nga aparati shtetëror, policor dhe ushtarak i ish-Jugosllavisë – e të cilat shkaktuan edhe rezistencën e armatosur të tyre që u materializua përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mbase, barazimi i vëllimit dhe i peshës së krimeve mes Serbisë dhe UÇK-së nuk është synim i Gjykatës Speciale, porse ka shumë të ngjarë të jetë pasoja e fundme e vendimeve të saj. Mbase, drejtësia duhet të jetë e verbër, por jo edhe e shurdhër. Një pasojë e tillë vetëm sa do t’i thellonte tutje antagonizmat politikë e historikë mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan.
– Sa do të mundet shoqëria kosovare me u përballur me të kaluarën dhe të vërtetën përtej krimeve të kryera nga regjimi i Millosheviqit, edhe duke pasur parsysh që çështjen e krimeve dhe të viktimave të luftës e trajton brenda kontekstit të luftës midis Serbisë si agresore dhe Kosovës si viktimë?
Bekim Blakaj : Ballafaqimi me të kaluarën është një proces i gjatë dhe shpesh i dhimbshëm. Segment i veçantë i saj është gjetja dhe pranimi i së vërtetës nga të gjitha palët. Ky proces edhe më shumë vështirësohet kur njëra nga palët reziston që të pranojnë faktet, qoftë edhe ato të konfirmuara para gjykatave, dhe vazhdon të mohojë viktimat e shkaktuara. Kjo është situata që është duke vazhduar për më shumë se dy dekada ku Serbia në përgjithësi nuk e ka pranuar përgjegjësinë e vet për krimet e kryera në Kosovë, dhe kjo ka krijuar rezistencë edhe tek shoqëria kosovare e cila nuk është e gatshme të pranojë krimet e kryera nga ish-pjesëtarët e UÇK-së. Këtë situatë edhe mëtej e komplikojnë problemet politike, mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe pretendimet e saj mbi territorin e Kosovës. Në këto rrethana është e vështirë të pritet që shoqëria kosovare të gjejë forcën që të ballafaqohet me të kaluarën dhe të tejkalojë narracionit nacional që tashmëështë vendosur.
Enver Robelli : Shoqëria e Kosovës për fat të keq nga kjo distancë kohore tregon njëfarë indiference ndaj gabimeve që mund të kenë bërë krerët e UÇK-së. Mes politikanëve shpesh ka akuza për krime, por kur vjen puna e ndriçimit të tyre çdo gjë merr fund. Nuk jam i sigurt nëse Gjykata Speciale do të arrijë ndonjë ndryshim në këtë qasje. Ndoshta ndryshimi vjen tek pasi Serbia të pranojë Kosovën si shtet dhe të dy vendet të kenë mjaft energji për t’u marrë me veten.
Dukagjin Gorani : Kjo çështje problematike nuk do të lehtësohet përmes Gjykatës Speciale. Kam frikë se do të shkaktohet e kundërta : me ta kuptuar se vendimet e Gjykatës nuk do ta ndryshojnë realitetin shoqëror dhe rendin simbolik në Kosovë, e veçanërisht raportin e forcave të grupeve të konfrontuara të intereseve politike, shqiptarët do të ndjehen të mashtruar dhe të shpërdorur nga një qasje e tillë dekontekstualizuese e drejtësisë ndërkombëtare. Parashoh se që me fillimin e proceseve gjyqësore, në shoqërinë kosovare do të përhapet përshtypja se janë humbës në betejën interpretuese të historisë së konflikteve ish-jugosllave. Tutje, kjo mund ta përforcojë qasjen viktimizuese dhe kësisoj t’i perpetualizojë antagonizmat e vjetër rajonalë.
– Si të rindërtohet një narracion historik të viteve ’90, të represionit të regjimit të Serbisë dhe të luftës, i cili do ta përfshinte realitetin e krimeve të kryera nga regjimi i Serbisë, por edhe nga palët e tjera, përfshirë edhe ato të pjesëtarëve të UÇK-së?
Bekim Blakaj : Rindërtimi i narracionit të saktë historik për periudhën e represionit të regjimit serb që i ka paraprirë luftës, periudhën e luftës ku forcat serbe kanë kryer krime masive të tmerrshme ndaj civilëve shqiptarë dhe ku ka pasur edhe krime të kryera ndaj civilëve joshqiptarë, si dhe krimet dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut pas përfundimit të luftës, duhet të merret tepër seriozisht jo vetëm nga pala kosovare. Vendosja e narracionit të saktë historik, që bazohet në fakte dhe i cili pranohet nga të gjithë, nuk mund të bëhet vetëm nga njëra palë. Kur bëhet fjalë për narracionin historik mbi vitet e 90-ta, situata nuk dallon shumë as me luftën e Bosnje e Hercegovinës dhe Kroacisë, e në të gjitha këto luftëra ka qenë e përfshirë Serbia. Prandaj, do ishte ideale nëse të gjitha këto vende do e krijonin një komision të përbashkët për përcaktimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Në fakt, ekziston një nismë që promovon krijimin e një komisioni të tillë, të quajtur KOMRA, por kjo nismë e shoqërisë civile nuk ka pasur sukses t’i bindë të gjitha shtetet e dalura nga ish–Jugosllavia të krijojnë një komision të përbashkët. Ende besoj se vendet e dala nga ish-Jugosllavia duhet ta gjejnë mënyrën që të kaluarën ta trajtojnë drejtë dhe të gjitha palët të pranojnë faktet dhe të respektojnë të gjitha viktimat. Motivin për të bërë këtë duhet ta kërkojnë në të mirë të gjeneratave të reja, të cilat nëse bëhet kjo në mënyrë të duhur, mund të jetojnë në paqe pa frikë se mund të përsëriten luftërat në këtë rajon.
“Parashoh se që me fillimin e proceseve gjyqësore, në shoqërinë kosovare do të përhapet përshtypja se janë humbës në betejën interpretuese të historisë së konflikteve ish-jugosllave. Tutje, kjo mund ta përforcojë qasjen viktimizuese dhe kësisoj t’i perpetualizojë antagonizmat e vjetër rajonalë” – Dukagjin Gorani
Enver Robelli : Siç e thashë më parë, për aq kohë sa Serbia sillet si shtet që ka ambicie të ripushtojë Kosovë, t’ia marrë një pjesë të territorit apo ta keqpërdorë pakicën serbe në Kosovë për ta sabotuar shtetin e Kosovës, pajtimi është larg, madje i pamundur. Derisa është kështu, edhe në mesin e palës shqiptare do të ketë pak njerëz që janë të gatshëm të kërkojnë fajtorët edhe për vrasjen e civilëve serbë apo romë, sidomos pas luftës. Në gjithë këtë debat nuk duhet humbur nga fokusi relacionet: Serbia si shtet pushtues ka vrarë rreth 10 mijë shqiptarë të Kosovës, ka dëbuar rreth 1 milionë shqiptarë dhe ka fshehur rreth 1000 kufoma në Serbi. Nuk ka një pllakë të vetme që kujton viktimat shqiptare të regjimit serb në asnjë nga këto varreza masive me shqiptarë në Serbi. Lufta e kosovarëve ka qenë luftë dekolonizuese. Në këtë betejë, individë shqiptarë nga UÇK kanë keqpërdorur pushtetin e tyre dhe për këtë duhet të marrin dënimet e merituara më së miri nga gjykatat kosovare. Por kjo rrugë është e largët.
Dukagjin Gorani : Edhe pse krimet janë çështje për drejtësinë, në kontekstin zhvillimor shoqëror mund të adresohen vetëm përmes proceseve politike. Kjo për faktin se janë pasojë e veprimeve politike të ndërmarra gjatë periudhës së agresionit ish-jugosllav. Proceset politike duhet ta synojnë ardhmërinë e shoqërive në Ballkan duke i adresuar tragjeditë e së kaluarës si arsye për paqe dhe zhvillim, e jo si vegla juridike për reduktim dhe barazim të përgjegjësisë.