A ËSHTË I MUNDSHËM NJË SISTEM PENSIONAL I NDARË NGA KARRIERA?
Për një pension realisht universal

Përkundër këshillës së organizatave të punonjësve dhe punëdhënësve, Presidenti i Republikës është i vendosur ta reformojë sistemin e pensioneve. Nën pretekstin e standardizimit, modeli i propozuar, i cili rrënon themelet e uljes së moshës së pensionimit të plotë, rrezikon të rezultoi në varfërimin e shumicës. Reflektimi mbi një arkitekturë të mundshme universale kalon nëpër një rrugë krejt ndryshe.

1770

Gjatë mobilizimit të gjerë kundër projektit të reformës së pensioneve në dimrin e kaluar, kërkesat mbetën kryesisht të modeluara sipas sistemit ekzistues, me synim ruajtjen e standardit të jetës së pensionistëve me referim në pagën më të mirë ose pagën e fundit. Duke vepruar kështu, validojmë riprodhimin e pabarazive të botës së punës për ato dhe ata që e lënë atë.

Si mund të justifikohet fakti që një kuadër do të merr një pension më të mirë se një pastruese? Pse do të meritonte ai të fiton më shumë për t’u kujdesur për kopshtin e tij, për të mbështetur familjen e tij ose për të marrë pjesë në jetën e komunitetit, për të lexuar ose për të peshkuar? Argumentet që zakonisht parashtrohen për ta justifikuar dallimin në paga – dallimi në kualifikim, motivim, investim, vështirësitë, “produktivitet” ose “punësueshmërinë” – nuk mund të përdoren në rastin e pensionimit. Në këtë pyetje të pashtruar ndonjëherë, përgjigja e nënkuptuar qëndron shpesh në kuptimin e pensionit si një pagë e shtyrë, që justifikohet nga nevoja për ta zgjatur standardin e jetesës së një personi : një person i varfër është mësuar të jetë i varfër. Të tjerë mendojnë se një pagë e lartë jep të drejtën për një pension të lartë, pasiqë shoqërohet me një kontribut proporcional. A duhet të trajtohen më mirë ata që kanë paguar më shumë në sigurimin shëndetësor? A duhet që fëmijët e atyre që paguajnë më shumë taksa të marrin një arsim më të mirë? Sistemi i rishpërndarjes nuk nënkupton kthimin e asaj që është paguar.

Në një kohë kur modeli ynë i shoqërisë tronditet nga kriza Covid-19, shumë iniciativa na ftojnë të ripërcaktojmë konturat e një bote të qëndrueshme. A nuk është koha për ta konsideruar zëvendësimin e logjikës aktuale kontribuese të pensionit me një të drejtë të re universale, që nuk varet nga niveli dhe kohëzgjatja e kontributeve? Nga një moshë e caktuar, çdo njeri do të kishte pension identik. Ky parim do të ndërlidhej me parimin e sigurimeve shoqërore ose shërbimeve publike duke u ofruar të gjithëve të njëjtat shërbime, pavarësisht nga niveli i kontributit të asocuar në pagën e tyre. Për të marrë parasysh zbatueshmërinë dhe interesin e një pensioni realisht universal, duhet t’i gjejmë përgjigjet më të mira në pyetjet legjitime që paraqiten.

Cila mund të jetë vlera e këtij pensioni unik? Padyshim që duhet të përcaktohet në mënyrë demokratike. Mund të imagjinohet, për shembull, të caktohet vlera 2,000 euro neto në muaj, do të thotë pak më pak se të ardhurat mesatare (2,200 euro neto sot, duke përjashtuar të ardhurat kapitale. Dukshëm më shumë se pensioni mesatar aktual (1,444 euro neto në muaj), që do të nënkuptojë një rritje në pensione për më shumë se 80% të 17.2 milion pensionistëve aktualë (pas tërheqjes së kontributeve shoqërore, por jo tatimit).

Një pension unik nuk do t’i zgjidhte të gjitha pabarazitë, për shembull pabarazitë që lidhen me pasurinë, me të ardhurat mbi pronën ose kujdestarinë e fëmijëve, të cilat do të duhej të rregulloheshin nga taksat, garancë e shërbimeve publike cilësore. Duke filluar nga cila moshë? Të shtyhet ndërprerja e aktivitetit përtej moshës 60 vjeç (duke përjashtuar rastet e vështira) që privon njerëzit nga vitet më të mira të pensionit, duke pasur parasysh se tanimë jetëgjatësia e shëndetshme është 64 vjet. Tregu i punës refuzon një pjesë të madhe të “të moshuarve” të cilët vështirë gjejnë punë në vitet e tyre të fundit të aktivitetit. Përveç kësaj, shtyrja e moshës së pensionimit automatikisht i privon më të rinjtë të kenë qasje në punë: më shumë se një milion vende pune janë të zënë nga persona mbi 60 vjeç, një shifër që pritet të rritet. Përgjigja ndaj papunësisë masive kërkon një ndarje të punës, duke pasur parasysh se rritja e përhershme nuk është as e mundur as e dëshirueshme në rrafshin ekologjik.

Sa do të kushtonin këto pensione dhe si do të financoheshin? Një pension neto prej 2000 euro për të gjithë në moshën ligjore aktuale 62 vjeçare do të krijonte një nevojë shtesë për financim prej rreth 80 miliardë euro, ose 3.4% të produktit të brendshëm bruto (PBB). Kjo vlerë do të arrinte në 110 miliardë euro, ose 4.7% të PBB-së për një pension prej 2000 eurosh që nga mosha 60 vjeç. Që të arrihet ky revolucion shoqëror do të nevojitej përpjekje për një rritje prej rreth 10% mesatarisht në kontributet e detyrueshme. Kjo rritje do t’i targetonte të ardhurat më të larta, duke futur për shembull progresivitetin në kontribute dhe duke zgjeruar bazën për tatimin në burim.Të kujtojmë se futja e “taksës së sheshtë ” në vitin 2018 e kishte kufizuar vlerën e tatimit mbi të ardhurat në 12.8% (pa kontributet e sigurimeve shoqërore), shumë më pak se norma e fundit e tatimit mbi të ardhurat që është caktuar 45 %. Kjo përpjekje financiare do të nënkuptonte ndarjen e të ardhurave të prodhuara, gjë që duket më legjitime sesa dënimi i pensionistëve në varfërim gradual duke kufizuar pjesën e pensioneve në 14% të PBB-së, siç propozonte qeveria para krizës shëndetësore.

E drejta për pushim

A nuk ekziston rreziku që të inkurajohen “të pasurit” që të kapitalizojnë gjatë jetës së tyre aktive për të kompensuar një rënie të shpejtë të të ardhurave në momentin e pensionimit? Mos të mashtrohemi… më të privilegjuarit tashmë kapitalizojnë në shumë mënyra: investime në bursë, plane për pensione shtesë, patundshmëri, etj. Zbutja e të ardhurave ndërmjet periudhës së punësimit dhe periudhës së pensionimit nuk është as e paligjshme dhe as problematike, derisa fondet e pensionit janë të ndaluara. Kështu kursimet do të mund të drejtoheshin drejt financimit me normë të ulët të investimeve publike, për shembull për tranzicion ekologjik, në vend që të shkojnë drejt produkteve spekulative shumë fitimprurëse, të cilat nuk plotësojnë ndonjë nevojë reale dhe të cilat për fat të keq shpesh janë të liruara nga taksat. Ky orientim i kursimeve do të mund të bëhej me rregullore, për shembull duke imponuar një përqindje minimale të investimeve në financimin e investimeve publike dhe ekologjike.

A mund të pranohet një propozim i tillë? Do të kishte një jehonë të favorshme te 80% e pensionistëve të ardhshëm, pensionet e të cilëve do të rriteshin krahasuar me sistemin aktual. Edhe për të tjerët, ky pension, bashkë me një shërbim publik të varësisë, do të ofronte një të drejtë të garantuar për pushim, pavarësisht nga sfidat e jetës, pa frikë nga plakja në pasiguri financiare dhe pa frikë për fëmijët, prindërit dhe të afërmit. Në këmbim të kësaj në çka do duhej të hiqet dorë? Nga mundësia për të konsumuar më shumë, në një planet me burime të kufizuara? Shumëkush, veçanërisht në mesin e të rinjve, sot është i vetëdijshëm për nevojën e shpërndarjes, në mënyrë që të përballen me krizën e madhe sociale dhe mjedisore që qëndron para nesh. Përveç kësaj, paqëndrueshmëria e sistemit aktual i bën ata ta konsiderojnë pensionin si një iluzion. Lexueshmëria dhe thjeshtësia e një pensioni unik për të gjithë do ta favorizonte kthimin e aderimit dhe besimit në fatin tonë të përbashkët.

* Inxhiniere hulumtuese në ‘Électricité de France’, zëdhënëse e federatës ‘Sud-Énergie’.