Revizionizmi si politikë shtetërore

Partitë dhe politikanët e viteve 1990 e kanë bërë Serbinë sinonim të krimeve, falë një politike revizioniste kriminale, të mbështetur nga shteti. Analizë e historianit Milivoj Beshlin dhe aktivistit Aleksandër Popov.

323

Serbia dhe Beogradi shënuan 75 vjetorin e çlirimit të qytetit nga fashizmi, përderisa një rrugë në Kragujec, qytet sinonim i vuajtjeve të Luftës së Dytë Botërore, mori emrin e liderit çetnik Drazha Mihajlloviq. Shtëpia e Armatës promovoi librin “Masakra e Tuzllës – tragjedia e inskenuar” e Ilija Brankoviqit nga botimet e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Serbisë, si dhe një pllakë përkujtimore është ngritur në Novi Sad në nderim të Mlladen Bratiqit, komandant i Korpusit të Novi Sadit, në kohën kur ky batalion “çliroi” Vukovarin. Për historianin Milivoj Beshlin, kjo është pasqyra e vërtetë e Serbisë, që reflekton gjendjen e sotme pa fasada.   

« Regjimi që udhëhoqi luftërat, mendoj në partinë e Millosheviqit dhe radikalët e Sheshelit, sot ritheksojnë krimet e tyre, duke i glorifikuar dhe rehabilituar kriminelët në masë dhe vrasësit, e duke poshtëruar viktimat … Dhe nuk bën asnjë rezistencë shoqëria e shpërbërë, e dobët dhe e pafuqishme në Serbi. Kjo do të thotë se partitë e luftës dhe liderët e viteve 1990 arritën ta identifikonin Serbinë me krimin, për ta identifikuar shumicën e vendit me politikën e tyre kriminale. Ky fakt është tragjik, por na flet për gjendjen ekzistuese. Nga kjo diagnozë tragjike duhet nisur çfarëdo rrëfimi dhe përpjekjeje për ndryshim dhe demokratizim në Serbi », vlerëson Milivoj Beshlin.

Për Aleksandër Popov, nga Qendra për Rajonizim në Novi Sad, ky është “një vazhdim i procesit të rishikimit të historisë që filloi në dhjetëvjeçarin e fundit”, me qeverinë e demokratëve që pasuan Millosheviqin. Ai kujton se pas zgjedhjeve të 2003-shit, partitë me karakter nacionalist mbizotëruan absolutisht parlamentin republikan në Serbi.  

Radikalët (e Sheshelit) kishin rreth 83 deputetë. Kjo përbërje e Kuvendit, më 21 dhjetor 2004, në prag të Ditës së dikurshme të Armatës, miratoi ligjin që barazoi çetnikët me partizanët, më propozimin e Lëvizjes së Ripërtërirjes Serbe (partisë monarkiste të Vuk Drashkoviqit – v.j). Këtë ligj e operacionalizoi pastaj qeveria minoritare, kryeministri i së cilës ishte Vojisllav Koshtunica. Fatkeqësisht, Partia Demokratike, që erdhi më vonë në pushtet, nuk e korrigjoi këtë ligj revizionist, por, përkundrazi, iu nënshtrua forcave të djathta, që ishte një nga arsyet e humbjes së zgjedhjeve më 2012-n. Pas kësaj, Partia Përparimtare Serbe, ish-radikalët dhe Partia Socialiste e Serbisë erdhën në pushtet. Duke pasur parasysh që në të njëjtën kohë u zgjodh President “vojvoda i çetnikëve” Tomisllav Nikoliqi, nuk duhet të befasohemi që kjo prirje e rishikimit të historisë ka vazhduar me intensitet edhe më të lartë. Shihet së fundi edhe rezultati, ku një rrugë mori emrin e Drazha Mihajlloviqit. Kjo është e turpshme”, përfundon Popov.

“Është aktualisht një prirje që të shpallen heronj njerëzit që kryejnë krime në luftërat e Ballkanit përgjatë viteve 1990”

Disa mijëra njerëz u vranë në Kragujevc më 21 tetor 1941, rreth 300 prej tyre nxënës. Nga 21 tetori 2012 kjo ditë është shënuar si “Dita e Përkujtimit të viktimave serbe në Luftën e Dytë Botërore”. Vetë emri relativizon krimet e kryera nga nazistët me mbështetjen entuziaste të kolaboracionistëve të Dimitrije Ljotiqit. Emërtimi i një rruge Drazha Mihajlloviq është është një tjetër vrasje e viktimave.

Kjo nuk është vetëm një vrasje në seri e viktimave të nazizmit, kjo është një fyerje ndaj mijëra viktimave të krimeve të çetnikëve, masakrës gjenocidare të civilëve muslimanë dhe deri te terrori e vrasjet në masë kundër popullatës rurale të Serbisë së pushtuar”, thotë Milivoj Beshlin.

Procesi i rehabilitimit të fashizmit dhe kërkimi i varrezave masive të pretenduara ‘me viktimat e komunizmit’ janë thjesht një përpjekje për t’i fshehur varrezat masive ekzistuese plot me viktima të nacionalizmit serb dhe të luftërave të viteve 1990”, beson Beshlin. Sot financohet botimi i veprave që relativizojnë dhe mohojnë këto krime sepse si të interpretohet ndryshe promovimi i librit për Masakrën e Tuzllës të autorit Ilija Brankoviq, i cili së bashku me Momçiq Perishiqin dhe të tjerët është dënuar (në mungesë) me 20 vjet burg, nga Gjykata e Qarkut në Zarë, për shkak të bombardimit të Zarës dhe rrethinës së tij, e që sipas aktgjykimit e bën përgjegjës për të paktën 30 civilë të vrarë dhe dëme të mëdha materiale.

Në librin e tij, Brankoviqi shkruan për një ngjarje të ndodhur në 25 maj 1995, ish-Ditën e Rinisë. Gjykata e krimeve të luftës në Bosnje dhe Herzegovinë ka shpallur Gjeneralin Novak Gjukiq fajtor për granatimin e Portës (“Kapija”) së Tuzllës. Si komandant i grupit taktik ‘Ozren’ të Ushtrisë së Republika Srpska, ai kishte urdhëruar trupat e tij ta bombardonin Tuzllën, e cila ishte shpallur asokohe zonë e mbrojtur, nëpërmjet një rezolute të Kombeve të Bashkuara. Një raketë kishte goditur qendrën e brendshme të qytetit, të quajtur “Kapija”, duke vrarë 71 njerëz dhe duke plagosur mbi 100 të tjerë. Mosha mesatare e të vrarëve ishte 23. Sidoqoftë, Serbia financon sot promovimin e një libri që e mohon këtë.

“Ky është kulmi i imoralitetit dhe tallje me viktimat e pafajshme të këtij krimi. Aq më tepër që shumica e 71 viktimave ishin të rinj, madje edhe fëmijë. Menjëherë pas luftës, unë isha në varrezat ku ishin varrosur. Nuk do ta harroj kurrë fytyrën e një nëne që qante ulur në varrin e së bijës duke përkëdhelur foton e saj. Kushdo që është pak njerëzor nuk do të shkruante dhe promovonte një paçavurre të tillë. Dhe qeveria jonë nuk e dënoi falsifikimin e tillë të turpshëm të fakteve, por lejoi që të organizohej promovimi i librit në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, i cili deri më tani është shfaqur disa herë në rolin e jo vetëm promovuesit, por edhe botuesit të librave të të dënuarve të Tribunalit të Hagës, kështu që kjo mund të interpretohet si politikë zyrtare e kësaj ministrie”, vlerëson Popov.

Nëse dikush ka dilemën nëse kjo është politika zyrtare e shtetit, mund të bindet pas lajmeve për ngritjen e një pllake përkujtimore në Novi Sad për gjeneralin e Armatës Popullore të Jugosllavisë, Mlladen Bratiq. Kroacia protestoi, por kot. Vendimi ishte marrë shumë kohë më parë. E ndonëse ky veprim edhe mund të shihet mbi të gjitha si një thyerje krahësh me fqinjin, ai është edhe pjesë e luftës së brendshme. 

“Kjo është një shuplakë tjetër për Novi Sadin, një nga qytetet më të dashura në ish-Jugosllavi. Në këtë mënyrë, dikush dëshiron të sjellë trazira midis qytetarëve të Novi Sadit, por edhe të Vojvodinës, i cili konsiderohet të jetë një rajon i rrallë multietnik në hapësirën e gjerë, ku ruhet perla e çmuar e tolerancës. Një grup i organizatave joqeveritare, “Gradjanska Vojvodina”, të cilës i përket edhe Qendra për Rajonizim, dënuan me forcë veprimin dhe deklaruan se në vend të kësaj pllake përkujtimore duhet të vendoset një pllakë ku do të shënohej: ‘Korpusi i Novi Sadit, turp’, i cili ishte një mbishkrim i madh në një ndërtim në Novi Sad, gjatë operacionit në Vukovar. Është aktualisht një prirje që të shpallen heronj njerëzit që kryejnë krime në luftërat e Ballkanit përgjatë viteve 1990. Si të interpretohet ndryshe fakti që gjenerali Vlladimir Llazareviq, që u dënua me 14 vjet burg për krime në Kosovë, u prit solemnisht pasi mbajti dënimin e tij dhe më vonë u lejua të ligjëronte në Akademinë Ushtarake”, thotë Popov.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiqi është përgjigjur pas reagimeve nga Kroacia, duke përdorur sulmin si mbrojtje dhe duke e thirrur Kroacinë në rrugë që mbajnë emrin e Mille Budak. Dhe në një takim me udhëheqësit e vendeve fqinje, do të dëgjojmë prej tij se e kaluara duhet të lihet anash.

Klasa e tanishme drejtuese ishte pjesë e nomenklaturës qeverisëse në vitet 1990, kur ishin kryer të gjitha këto krime. Duan të rehabilitohen vetë duke rehabilituar ata që kanë kryer krime”, thotë Popov. “Nuk do të ketë paqe të vërtetë dhe fqinjësi të mirë në rajon përderisa të gjitha vendet që janë përfshirë në luftë nuk ballafaqohen me të kaluarën dhe nuk fillohet të quhen gjërat me emrin e tyre të vërtetë“, përfundon Popov.

“E kaluara mund të lihet anash vetëm kur e njohim atë, kur krijojmë një marrëdhënie njerëzore dhe racionale me të. Serbia është aq larg sa që çdo fabul për të ardhmen do të thyhet në eshtrat e të vdekurëve në sirtarin e së kaluarës”, mendon Beshlin.

(Novosti)