KOSOVA PAS FITORES ZGJEDHORE SË JOE BIDEN
Rikthimi i diplomacisë transatlantike në Ballkan

2086

Fitorja e të zgjedhurit President Biden risjellë në Ballkan një udhëheqës amerikan që për shumëkë është i mirënjohur. Si ish senator dhe kryesues i Komisionit për Marrëdhënie të Jashtme në Senat, Biden ishte marrë mjaft shumë me politikën e jashtme, dhe në vitet e 90’ta, me Bosnjën, Kosovën, dhe Serbinë në veçanti. Kujtohet si mik i mirë i shqiptarëve dhe boshnjakëve, dhe kundërshtues i ashpër i politikës së Millosheviqit.

Mirëpo, ai tash do të rikthehet si President, si udhëheqës i politikave të jashtme që priten të jenë ndryshe, krahasuar me ato të paraardhësit të tij. Këto ndryshime gjithsesi do të ndikojnë në Ballkan. Por rajoni dhe sidomos Kosova duhet të gjejnë mënyrën për të vënë synimet e tyre në vijë me politikat kryesore të SHBA. Kosova duhet të zgjerojë më tepër marrëdhëniet Kosovë-SHBA, që të përfshijnë, por të mos kufizohen, me normalizimin Kosovë-Serbi.

Administrate e re pritet që të kthejë një afërsi në mes të SHBA me aleatët e saj, sidomos në Bashkim Europian. I zgjedhuri President Biden pritet që të risjellë gjithashtu një rol të fuqishëm e tradicional amerikan në udhëheqjen e nismave ndërkombëtare dhe një sfidim më të dukshëm të Rusisë dhe të fuqive të tjera globale dhe rajonale.

Presidenti Trump e ka forcuar mbrojtjen e SHBA-ve, duke ngritur kapacitetet e ushtrisë, por ka ngecur në forcimin e diplomacisë amerikane.

Një Amerikë e tillë proaktive mund të mos ofrojë vëmendjen e mjaftueshme për Ballkanin strategjikisht jo shumë të rëndësishëm. Mirëpo, Kosova do të mund të shfrytëzonte këtë angazhim më të madh amerikan, me BE-n, NATO-n, por edhe me Rusinë.

Kosova do të mund të angazhohet që pikërisht çështja e saj të jetë një nga pikat kyçe të riafrimit të SHBA-s me BE-n, dhe që të jetë poashtu një synim i përbashkët i suksesit SHBA-BE.

Administrata Biden do të mund ta mbështes ndërmjetësimin e BE-së në çështjen Kosovë-Serbi, si shtytës i procesit nga jashtë dhe garantues i parimeve të procesit dhe gjithsesi i rezultateve të saj.

Parimet janë të qarta: përparim i marrëdhënieve dyplashëse Kosovë-Serbi deri në njohjen e ndërsjellë, integritet territorial të plotë për Kosovën dhe jo shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi, dhe respektim të ndërsjellë të përfaqësimit të të drejtave të komuniteteve pakicë në përputhje me Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Lokale. Të gjitha këto do të duhet të ishin pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi, të përkrahur nga Biden.

Natyrisht se edhe Serbia mund të përparoj duke u integruar më tepër në BE, dhe duke përmirësuar mëtej marrëdhëniet e saj me Amerikën nëpërmjet pranimit dhe njohjes së Kosovës së mëvetshme. Serbia ka alternativa, mund të afrohet me Rusinë apo Kinën, por në fund ajo gjendet në Europë dhe dëshiron të jetë pjesë e BE-s, dhe mbase edhe NATO-s.

Duke qenë se Presidenti Trump kishte kritikuar vetë NATO por edhe kontributin e shteteve aleate të SHBA për NATO, edhe këtu pritet që Biden të bëjë ndryshime. Biden kishte thënë për NATO: “aleanca shkon përtej dollarëve dhe centave; zotimi amerikan [për aleatët e NATO-s] është i shënjtë, jotransaksional.” Edhe në këto plane të administratës amerikane ekziston mundësia që Kosova të gjej vend.

Presidenti Trump dha mbështetjen qenësore për krijimin e ushtrisë së Kosovës, edhe atëherë kur shumë aleatë të Kosovës në NATO nuk e përkrahnin. I zgjedhuri President Biden mund të çoj këtë edhe mëtej, duke realizuar anëtarësimin e Kosovës në NATO, në katër vitet e ardshëm. Nga Kosova do të nevojitet një argumentim dhe angazhim i qëllimshëm dhe i vazhdueshëm për këtë. Ky duhet të jetë synim kryesor për sigurinë shtetërore të Kosovës.

Edhe Serbia në të kaluarën ka shprehur dëshirë për anëtarësimin në NATO, por mbase këtë nuk do të bëjë për ta ruajtuar afërsinë ushtarake me Rusinë. Hyrja e Kosovës në NATO pak a shumë do të eliminonte mundësinë e një konflikti të armatosur në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe do ta pengonte shtrirjen më të madhe të ndikimit rus në rajon.

Presidenti Trump është kritikuar më të drejtë për një afinitet dhe butësi kundrejt Presidentit Putin, edhe pse Kongresi dypartiak amerikan kishte ruajtuar tërë kohës një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë.

Presidenti Biden gjithsesi do të jetë më i ashpër ndaj Rusisë, por mbase këtë mund ta bënte në dy shtigje. Në njerën, duke kufizuar manovrimin e Rusisë në çështjet globale më shumë sesa bëri Trump, dhe në tjetrën, duke kuptuar që një normalitet duhet në marrëdhëniet SHBA-Rusi, që të mos ketë rritje të tensioneve dhe të rreziqeve që ato shkaktojnë.

Për Ballkanin do të mund të pritet që SHBA ta kufizoj zgjerimin e mëtejmë të ndikimit rus. Në lidhje me Kosovën dhe Serbinë, pranimi i Rusisë për normalizimin e këtyre marrëdhënieve do të mbyllte më të vërtetë këtë kapitull, dhe t’i hapte rrugë anëtarësimit të Kosovës në OKB.

Pra, nuk është se administrata e re amerikane do të duhet që në mënyrë specifike të merret me Ballkanin. Në vend të kësaj, Kosova dhe vendet e tjera mund ta vendosin vetën në agjendën amerikane për BE, NATO, dhe Rusinë. Në të tre këto rrafshe ka përfitime për Kosovën dhe Serbinë, e sidomos për Kosovën.

Angazhimi i Kosovës në këto rrafshe mund të thellojë mëtej marrëdhëniet e veçanta me Amerikën e Presidencës Biden. Por gjithashtu, Kosova duhet t’i ripërkushtohet reformës në qeverisje që të mund të dallohet si rast suksesi në rajon e më gjerë, duke tërhequr kështu një vëmendje me të madhe pozitive.

Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë do të jenë të rendësishme për Administratën e re, por do të duhet të mos jenë kryefjala e marrëdhënieve SHBA-Kosovë. Për këtë nevojitet që Kosova të formësoj këto marrëdhënie më shumë, ku marrëdhënie të zgjeruara më SHBA përfshin Serbinë, por edhe shumë çështje të tjera të bashkëpunimit.

(Autori është profesionist në fushën e zhvillimit ndërkombëtar dhe punon në sektorin privat në Washington, D.C. Ka magjistruar në marrëdhëniet ndërkombëtare në Columbia University në New York.)