NJË PERSPEKTIVË E NXITUR NGA BREXIT
Skocia ëndërron pavarësinë

Mbretëria e Bashkuar ndonjëherë duket si një lojë mikado, ku tërheqja e shkopit të "Bashkimit Evropian" do ta kërcënonte stabilitetin e grupit. I zyrtarizuar në fillim të vitit 2021, Brexit po i ringjall shpresat për autonomi në Edinburg. Skocia mbetet e kurthuar midis një të ardhme britanike që nuk e dëshiron më dhe pavarësisë të cilën nuk mund ta kërkojë ende.

404

Derisa po afrohet data 6 maj 2021, nëse Covid-19 nuk e ndryshon kalendarin elektoral,  Skocia do të jetë në qendër të vëmendjes në dramën e pafund kushtetuese që Britania e Madhe i ka ofruar botës në vitet e fundit. Skenari veçse është shkruar: pavarësisht nga pandemia, zgjedhjet e gjashta të përgjithshme skoceze do të sillen, madje edhe më shumë se më parë, rreth çështjes së pavarësisë.

Jo vetëm nga fakti se Partia Kombëtare Skoceze (SNP) do të korrte fitorën e katërt radhazi, por ngase si kurrë më parë pavarësia ka zënë pozitën e parë në shtatëmbëdhjetë sondazhe të njëpasnjëshëm. Nëse partia SNP e fiton shumicën, sikurse në vitin 2011, ajo do të kërkojë një referendum mbi këtë çështje. Në rastin tjetër, do të mbështetet te të Gjelbrit Skocez për ta arritur atë.

Sidoqoftë, vetëm Londra mund të autorizojë një zgjedhje me rezultat detyrues. Vendosmëria e partisë SNP mund të përplaset në muret e Pallatit të Westminster-it, garantues i sovranitetit britanik. Kryeministri Boris Johnson – triumfi i të cilit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2019 nxiti flakën e ndjenjës së pavarësisë përtej ‘Murit të Adrianit’ – kishte deklaruar se pas referendumit të mbajtur në vitin 2014, vendi nuk do të mbajë zgjedhje të reja në lidhje me këtë çështje para dyzet viteve.

Nga njëra anë, pra, kemi SNP dhe një mori partish më të vogla – të Gjelbrit, Partia Socialiste Skoceze (SSP) – si dhe organizatash si Fushata për Pavarësi Radikale, ekstrem e majtë, ose koalicioni Yes Alba. Në fushën e kulturës, artistët dhe shkrimtarët sjellin një dozë glamuroze, madje edhe elegancë kontestuese, në manifestet gri të partive politike në favor të pavarësisë. Tematika gjithashtu dominon në rrjetet sociale si dhe në mediat alternative. Një e përditshme, The National, filloi të botohej pas referendumit të vitit 2014 nga kompania amerikane NewsQuest për të përfituar nga një treg në rritje.

Në anën tjetër, kemi qeverinë britanike dhe partitë kryesore të vendit që nuk kanë asnjë përgjigje tjetër ndaj gërryerjes së legjitimitetit të tyre në Skoci përveç përkujtimit të vazhdueshëm të sovranitetit kushtetues të Parlamentit. Konservatorët, laburistët dhe liberal Demokratët po luftojnë për votuesit “unionistë” gjithnjë e më të paktë duke premtuar se do të kundërshtojnë një referendum të dytë, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjëve të 6 majit. Trendi në favor të mbajtjes së Skocisë në mbretëri është i dobët kur bëhet fjalë për përafrimin e organizatave që e drejtojnë atë; dhe akoma më keq, kur përpiqet të afrohen njerëz të famshëm të tjerë përveç autorit J. K. Rowling. Skepticizmi tradicional i shtypit për pavarësinë tani kompensohet me përbuzjën ndaj Brexit-it dhe ndaj qeverisë së Z. Johnson. Edhe BBC-ja (British Broadcasting Corporation), e cila gjatë zgjedhjeve të  vitit 2014 kishte anuar kundër pavarësisë, kritikohet  nga unionistët, që e konsiderojnë si tepër të afërt me SNP.

Ndër ankesat e tyre: mënyra sesi kjo media e trajton kryeministrën skoceze Nicola Sturgeon (SNP), menaxhimi i krizës Covid-19 i të cilës është plebishituar nga administrata e saj. Popullariteti i zonjës Sturgeon i shpjegon në masë të madhe sukseset elektorale të partisë SNP . Krahasimi i stilit të saj të thjeshtë dhe teknik me nacionalizmin e çrregullt të Z. Johnson ka nxitur mbështetjen për pavarësinë gjatë pandemisë.

Nuk ka « plan B »

Prandaj dinamika duket e favorshme për ndarjën. Kjo sikur e vërteton strategjinë gradualiste të miratuar nga udhëheqësit e njëpasnjëshëm të SNP që nga vitet 1990. Kjo dinamikë synonte të manovronte brenda institucioneve të Shtetit Britanik, duke kryesuar Parlamentin e parë skocez, në vitin 1998, pas decentralizimit (devolution of power) që ishte votuar një vit më parë, dhe pastaj duke përdorur aparatin administrativ për të treguar se vendi mund të qeveriste vetë. Atëherë parashihej se dalja e Skocisë do të çonte në kaos dhe në humbjen e totemëve aq të dashur për një pjesë të popullsisë. SNP gjithmonë është përgjigjur se një Skoci e pavarur do të kërkojë të bashkohet me Bashkimin Evropian (megjithëse Madridi padyshim do ta kundërshtonte atë për të mos inkurajuar separatistët katalanas), do ta ruajë valutën ‘paund sterlin’, do të mbetet ‘pjesë e kurorës’ dhe anëtare e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

Analiza gradualiste ka qenë gjithmonë që një akumulim progresiv i legjitimitetit zgjedhor përfundimisht do ta detyronte Londrën të pranonte kërkesat e SNP. Një logjikë e përforcuar nga vendimi i kryeministrit konservator David Cameron (2010-2016) për organizimin e një referendumi në vitin 2014. Në  një kontekst ku pavarësimi duket shumë më i popullarizuar, Londra megjithatë mund të hezitojë para se të përsërisë bastin. Gjasat e refuzimit të saj mbështesin idenë se Skocia është e margjinalizuar dhe e poshtëruar brenda unionit; por gjithashtu nxit kritikat e gradualizmit.

Disa udhëheqës të SNP (dhe nganjëherë anëtarë të zakonshëm) nuk hezitojnë të denoncojnë disiplinën e pacipë për të cilën njihet kjo parti. Në janar të vitit 2021, Z. Kenny MacAskill, një nga dyzet e shtatë anëtarët e partisë në Parlamentin e Westminster-it, kritikoi refuzimin e zonjës Sturgeon për të diskutuar një «plan B»: të ngritet padi kundër Londrës, të organizohet një referendum pa miratimin e saj, apo edhe të shpallet pavarësia në mënyrë të njëanshme. Por diskutimi i një strategjie më radikale para se të fitonte zgjedhjet e majit do të komprometonte reputacionin e fituar me zell të SNP si një parti e qëndrueshme dhe që nuk dëshiron të merr vendime të rrezikshme. Zonja Sturgeon e ka të qartë. Pjesa më e madhe e mbështetjës që gëzon ajo buron nga ndjenja e përbashkët se nacionalizmi anglo-britanik e kërcënon më shumë stabilitetin sesa nacionalizmi skocez.

Për më tepër, lëvizja independantiste po kalon një krizë të madhe, siç e ilustron konflikti i hapur midis znj. Sturgeon dhe paraardhësit të saj, z. Alexander Salmond. Jo përkundër sukseseve të saj, por për shkak të tyre. Në rrafshin strategjik, gradualizmi bën mrekulli në formësimin e një bazeje sociale të favorshme për projektet e saj. Por basti i tij mbi legjitimitetin zyrtar zgjedhor është edhe thembër e Akilit: pa leje nga Londra, është e pamundur të kthehet mbështetja që gëzon për ndryshime politik. Po kështu, respektimi i përpiktë i rregullave, ligjeve dhe procedurave të përfshira në këtë rrugë i përjashton shumë të tjerë.

Bërja e Skocisë “të paqeverisshme“, siç po propozojnë tani disa aktivistë, për ta detyruar Mbretërinë e Bashkuar, duket e rrezikshme: që nga decentralizimi, vendi kontrollohet pothuajse ekskluzivisht nga SNP. Por kur nuk ka mundësi tjetër përveçse të presësh një dritë të gjelbërt hipotetike nga Londra, fillon të humb durimi brenda …

Për partinë SNP, skenari ideal do të ishte një fitore e madhe në maj. Londra do të duhej t’i jepte leje për të mbajtur një referendum detyrues, rezultati i të cilit askush nuk mund ta parashikojë në këtë fazë. Disa konservatorë me ndikim kanë frikë se një refuzim nga Westminster do të fryjë më tej rrymën e pavarësisë. Por ngrohja e shpirtrave që dëshmohet nga shkëmbimet brenda SNP forcon mospranimin e unionistëve në jug: përballë një muri të pakapërcyeshëm nga jashtë, SNP mund të copëtohet, gjë që do të lehtësonte kthimin e status quo-së.

Partia laburiste (Labour), e cila ka dominuar prej kohësh politikën skoceze, po e shikon situatën me shqetësim. Derisa konservatorët mund të fitojnë shumicë elektorale në zonat elektorale të mbledhura nga Anglia, partia laburiste nuk mund të shpreson në situatë të ngjajshme. Pesëdhjetë e nëntë ulëset e Skocisë në Westminster gjithmonë kanë pasur rëndësi për këtë parti (që nga viti 1983, konservatorët nuk kanë qenë kurrë në gjendje të fitojnë më shumë se trembëdhjetë). Edhe pa fituar vota në bastionin e SNP (47 ulëse), laburistët mund të shpresojnë në mbështetjen e saj në pjesën më të madhe të programit të tyre nëse ata vijnë në pushtet pa shumicë. Në një kontekst të tillë, megjithatë, çmimi që duhet paguar do të ishte mbajtja e një referendumi … i cili do të mund të shkaktonte rënien e qeverisë. Me fjalë të tjera, kushtet që laburistët të vijnë në pushtet gjithashtu hapin rrugën për dështimin e tyre. Shpresa e fundit e laburistëve: që kundërshtimi konservator ndaj një referendumi të ri të dobësojë SNP më shumë sesa vetë unionin.

Kur e analizojmë trajektoren e krizës politike në mbretëri, duket se ka pak gjasa që mosfunksionimet strukturore të zgjidhen së shpejti. Sepse, edhe nëse laburistët mund të vijnë në pushtet pa pasur frikë nga largimi i Skocisë, kjo ndoshta nuk do ta transformon një ekonomi që ka krijuar pabarazi të thella. Horizonti i ri laburist i dizajnuar nga Z. Keir Starmer karakterizohet për momentin nga braktisja e programit ambicioz ekonomik të ish-udhëheqësit të partisë Jeremy Corbyn, nga këmbëngulja e tij për “llogaridhënie buxhetore” dhe dëshira e tij për të mbytur “mosmarrëveshjet territoriale” brenda një “komisioni kushtetues“. Duke shpresuar se do të fitonte përsëri elektoratin në Anglinë veriore, Z. Starmer mbështeti marrëveshjen e Z. Johnson për Brexit. Por, duke vepruar kështu, ai përkeqësoi deficitin demokratik të denoncuar nga Skocezët: kryesisht pro-evropianë, ata de facto nuk përfaqësohen në dy partitë kryesore të mbretërisë. Kulturat e ndryshme politike të vendit po bëhen gjithnjë e më pak kompatibile, derisa në  Angli shfaqet një nacionalizëm militant, ndikimi i të cilit shtrihet përtej kufijve të saj.

Mbetja në Bashkimin Europian do të thoshte, për Skocinë, zgjatja e gjendjes së ngecjes politike, kulturore dhe ekonomike e cila ka kapluar gradualisht vendin që nga themelimi i Parlamentit skocez para më shumë se njëzet vjet. Moderimi politik, i dobishëm për ndërtimin e një koalicioni të qëndrueshëm në favor të pavarësisë, nuk sjell mjete efektive për t’iu përgjigjur rënies industriale e cila e vendos Skocinë në një situatë varësie nga sektorët e turizmit dhe financave, nga minierat e karburanteve fosile si dhe nga sektori publik i punësimit. Partia laburiste skoceze është përpjekur të ofrojë një strategji më ambicioze në këtë fushë, por ajo vuan nga unionizmi i saj kokëfortë, i cili e mban larg nga një shumicë e madhe e votuesve.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian?

E parealizuar në rrafshin politik, shoqëria skoceze po kalon gjithashtu një krizë që njihet shumë pak: shtypi kombëtar po shembet nën presionin e rrjeteve sociale ose pasi iu shitet kompanive multinacionale; shumë universitete gjinden në situatë të pasigurtë dhe janë ndër më të privatizuarit në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe një mori organizatash joqeveritare (OJQ) – shumë prej të cilave varen nga subvencionet – janë duke u përpjekur dëshpërimisht të kompensojnë rënien e shërbimeve publike tani të shkatërruara. Sidoqoftë, këto shqetësime zënë vendin e dytë, të lënë në hije nga grindjet spektakolare midis liderëve politikë.

A do t’i jepte pavarësia pak frymë këtij peizazhi? Lëvizja skoceze e punës dhe krahu i saj parlamentar – ose ajo që ka mbetur prej saj – do të liroheshin nga ngarkesa e tyre unioniste. Ata pastaj mund të riafirmoshin rëndësinë e luftës së tyre politike dhe kulturore për klasat popullore. Por e djathta do të përfitonte nga i njëjti fenomen. Dhe perspektiva e një pakice unioniste të mundur, por prapë të konsiderueshme, që zbulon afinitet për krahun e djathtë të nacionalizmit skocez, i shqetëson progresistët.

Në rrafshin ekonomik, programi i SNP-së për pavarësi është pa dyshim neoliberal. Ai do ta vinte vendin në rrugë drejt ruajtjes së paundit sterlin dhe parasheh të paktën një dekadë të reduktimit të rreptë të deficitit buxhetor – me pak fjalë, do të ishte katastrofal për popullsinë. Investimet e huaja do të ridrejtoheshin në një klasë të “kapitalistëve kombëtarë”, prirja natyrore e të cileve do të çonte në rritjen e komodifikimit të fuqisë punëtore, burimeve natyrore dhe shërbimeve publike. Për më tepër, anëtarësimi në Bashkimin Evropian – një premtim i SNP – do të kufizonte mekanikisht sovranitetin skocez. Por kritikët e kësaj ideje të “pavarësisë brenda Bashkimit Evropian” nënvlerësojnë koston e një divorci të njëkohshëm me Londrën dhe Brukselin.

Për më tepër, një shkëputje e Skocisë do të kishte pasoja përtej kufijve të saj. Në Mbretërinë e Bashkuar, laburistët dhe e majta në përgjithësi do ta gjenin veten të konfrontuar për herë të parë me identitetin e tyre kombëtar. E privuar nga një e treta e territorit të saj, mbretëria do të kuptonte fuqinë e saj reale, përfshirë edhe në rrafshin gjeopolitik. Braktisja e fantazive të saj të “madhështisë” nuk do të ishte domosdoshmërisht një gjë e keqe. Por përballja me pabarazitë e veta territoriale dhe kulturore mund të rezultonte që një nga shtetet më të centralizuara në botën perëndimore të ndahej më tej. Shembulli skocez nuk do të kalonte pa u vërejtur në Uells dhe Irlandën e Veriut.

Në fund të fundit, pavarësia është padyshim më shumë një projekt liberal-demokrat sesa një projekt radikal. Do të ishte një mundësi për të dalur nga një regjim anglo-britanik gjithnjë e më pak demokratik dhe liberal, kriza identitare e përhershme e të cilit errëson problemet specifike – shpesh mjaft të mërzitshme – të qeverisë skoceze. Të paktën do të sqaronte hapësirën politike në të cilën e majta lokale do të duhej të vepronte. Pa e bërë domosdoshmërisht më të lehtë manovrimin.

Por ky nuk është një argument që ka shumë përkrahës. Për shumë veta në kampin pro-pavarësi – veçanërisht te ata që kanë gjetur në këtë luftë një skenë ku mund të tregojnë talentin e tyre të aktrimit  radikal, pa kompromis dhe pa rezultat – ideja e zëvendësimit të një elite konservatore me një tjetër, më liberale, nuk mjafton. Ngurtësia e tyre mund të përfundojë duke forcuar bashkimin.

“Disa nacionalistë humbin shumë kohë duke u ankuar që historia e Skocisë nuk është formësuar në një kallëpe më melodramatike“, shkruante në vitin 1981 studiuesi nacionalist Stephen Maxwell. Shpresa se e ardhmja duket të jetë më eksituese se e kaluara ngazëllen shumë njerëz. Por pylli i errët i identitetit kombëtar është një vend i rrezikshëm për këdo që kërkon emocione.

*Shkrimtar, Édimbourg. Bashkautor (me Cailean Gallagher dhe Amy Westwell) të Roch Winds : A Treacherous Guide to the State of Scotland (Luath Press, 2016).