HISTORIKU I HETIMEVE TË GJYKATËS SPECIALE NË SHQIPËRI
Specialja shqiptare

Teksa shihet se debati në Shqipëri për hetimin e UÇK i ka tejkaluar limitet e normales, ajo që mund të themi është se, pritet që lufta politike të vijojë me intensitet akoma më të lartë, pasi zgjedhjet parlamentare janë në prag dhe vendi praktikisht ka hyrë në fushatë.

1972

Burgosja e ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale të Hagës për krime lufte, ka ngritur “sentimetin” e politikës shqiptare në të dy anët e kufirit.

Hashim Thaçi, presidenti i dorëhequr i Kosovës, ish-kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi, ish-kryetari i Kuvendit e kreu i PDK Kadri Veseli dhe ish-shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi janë njohur me aktakuzën që rëndon mbi ta për krime lufte.

Gjykata Speciale pretendon që janë përfshirë në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit mbi dy baza: Si përgjegjës të ndërmarrjes kriminale të përbashkët dhe mbi bazat e përgjegjësisë personale.

Sipas Hagës, Thaçi në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator 1999 është i përfshirë në krime kundër civilëve, kundër serbëve, shqiptarëve, romëve, katolikëve, kundërshtarëve politikë, kundërshtarëve të UÇK, personave për të cilët pretendohej se bashkëpunojnë me forcat serbe apo ishin në kundërshtim dhe të tjerëve por edhe kundër kundërshtarëve politikë.

Në këtë kontekst u përmendën edhe vrasjet e kundërshtarëve politikë edhe kundërshtarët e UÇK. Por dhe burgosjet në “burgjet e UÇK” në Shqipëri! Me të njejtën akuzë gjykohen dhe të tjerët! Të akuzuarit i kanë mohuar akuzat.

Lulzim Basha i hetimeve klandestine

Pjesë për ngritjen e akuzave ndaj ish-krerëve të UÇK ishte edhe misioni faktmbledhës i UNMIK. Në përbërje të këtij misioni ka qënë dhe kreu aktual i PD Lulzim Basha.

Baza e materialit hetimor të Gjykatës Speciale ndaj Thaçit dhe krerëve të UÇK-së ishte pikërisht raporti i Dick Marty-t, senatorit zviceran, raport i cili u kthye në rezolutë në Këshillin e Europës.

Raporti pasoi librin “Gjuetia” të Carla Del Pontes, ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, që flet për të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë” në Mat.

Pas botimit të librit, disa hetues të Gjykatës së OKB-së për ish-Jugosllavinë nisën të hetojnë për “Shtëpinë e Verdhë”.

Jose Pablo Baraybar, një mjek antropolog peruan që ishte në grupin e hetimeve të prokurorisë së Hagës tha më 2010 për gazetën zvicerane “Le Temps”, se kishte pasur dhe një përkthyes shqiptar, i cili quhej Lulzim Basha. Kur Gjykata e Hagës nisi hetimet, Basha ishte i punësuar në Kosovë, si pjesë e administratës ndërkombëtare të OKB-së. “Përkthyesi im quhej Lulëzim Basha, ai ka punuar si mbledhës të dhënash përmes përkthimit për Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish- Jugosllavinë (ICTY). Më vonë ai u bë Ministër i Punëve Publike në Shqipëri. E kam dëgjuar të deklarojë se kjo histori e organeve është asgjë. Ai ishte me mua. Ai ka regjistruar dëshmitë bashkë me mua. Ai kishte dosjen”, ka thënë Jose Pablo Baraybar i cili ka punuar si ekspert i OKB në pjesën më të madhe të skenave të krimeve të luftës e genocidit në botë si Haiti, Ruanda, Bosnjë, Kroaci si dhe Kosovë.

Baraybar sqaron se “së bashku me Bashën kanë qenë në Gurrë të Matit të kamufluar për të parë në vend “Shtëpinë e Verdhë” ku kishte dyshime se janë kryer transplant organesh njerëzore. Gjatë hetimeve u jemi prezantuar njerëzve si inxhinierë për të ndërtuar një rrugë. Gjatë bisedave kemi bërë dhe pyetje në lidhje me kampet e UÇK-së. Qëllimi ynë kryesor ishte varreza në Bicaj, në jug të Kukësit, ku sipas dosjes që ne kishim ishin trupat e serbëve të Kosovës. Dick Marty flet gjithashtu për këtë. Ne e kemi identifikuar. Ishim me një ‘Land Rover’ me targa britanike, duhet të ketë qenë pranvera e 2003-it. Pas Kukësit u nisëm për në Bicaj, folëm me disa fshatarë. Basha ka qenë përkthyesi im në atë udhëtim”.

Basha e ka mohuar këtë fakt duke thënë se s’ka qenë pjesë e hetimeve, por mjeku i OKB i kujton dhe punën specifike që ka bërë dhe që ishte në dijeni të plotë të të saj teksa thotë se “Basha ka qenë në dijeni të hamendësimeve për sjellje të serbëve e shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri pas lufte, për shkak të punës së tij në Ministrinë e Drejtësisë”.

Në të njejtën gjatësi vale ka qënë dhe Tomë Gashi, avokati që ka mbrojtur në Hagë, Haradinajn dhe Limajn, i cili thotë se dosjet janë aty dhe është hasur në shumë prej tyre firma e vetë Lulzim Bashës, asokohe në përbërje të misionit të UNMIK.

Lulzim Basha nuk ka sqaruar asnjëherë pozicionin e tij, duke këmbëngulur se është marrë vetëm me riorganizimin e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës. Madje dhe në daljen e fundit publike, Basha u fsheh pas prejardhjes së gjyshit të tij, duke thënë se ishte patriot.

“Desantimi” i faktmbledhësve të UNMIK mes të cilëve dhe Basha konfirmohet dhe nga një deklaratë të Prokurorisë shqiptare në lidhje me ngjarjet që pretendohet të kenë ndodhur në vitin 2003-2004 në zonën e Burrelit, ku ndër të tjera thuhej: “është zhvilluar një proces inspektimi dhe verifikimi i përbashkët i hetuesve të ardhur nga Haga dhe prokurorëve të rrethit të Matit në disa ambiente në zonën e Burrelit. Në përfundim të këtij procesi hetuesit e Hagës së bashku me prokurorët e Matit arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel nuk rezultuan të vërteta”.

Praninë e grupit të UNMIK e ka pranuar dhe prokurori i Matit i asaj kohe, Arben Dyla që hedh dritë mbi të vërtetën e hetimit ndërkombëtar në Gurrë. Ai thotë se “kërkonin varreza serbe në këtë zonë, por që kishin drejtim të përcaktuar qartë, pasi menjëherë u drejtuan tek shtëpia e Dull Katuçit në Gurrë”. Prokurori thotë se nuk gjetën asgjë të dyshimtë.

Baraybar nuk është i vetmi që thotë se Basha ka qënë me të. Mjeku nga Kosova, Tefik Gashi, dhe ai pjesë e ekipit të hetimit, dëshmon praninë e tij në hetimet rreth “Shtëpisë së Verdhë”.

Një tjetër konfirmim vjen nga Fred Abrahams i Human Rights Watch, që bën të qartë se “Basha ka punuar për Gjykatën e Departamentin e Drejtësisë pranë UNMIK pas luftës, dhe personalisht ka hetuar informacionet për vendet e këtyre burgosjeve në Veri të Shqipërisë”.

Basha i është shmangur gjithnjë faktit se ka qenë pjesë e grupin e verifikimit dhe të selektimit të dosjeve kundër UÇK. Por ish kryemininistri Sali Berisha, në stilin e tij “moho duke pohuar” ka dhënë për herë të parë një version të ri për hetimet në “Shtëpinë e Verdhë”!

“Unë e kundërshtova aktakuzën në të gjitha nivelet ndërkombëtare. Në PE, në KE, kudo. Sepse në mënyrën më djallëzore, ky kishte vendosur në raport transplant organesh, që ishte krimi më monstruoz. E dija që ishte një trillim i stisur. Gjetën një familje të varfër në Burrel, të thoshte se e kishte kthyer shtëpinë në spital ku bëhej transplante organesh”, tha Berisha.

Qeveria Berisha pro Raportit Marty

Përkundër deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha se kishte kundërshtuar raportin e Dick Marty-t që akuzonte pjesëtarë të UÇK-në për krime lufte dhe transplant organesh njerëzore, mazhoranca e asaj kohe e mbështeti me votë ndërkombëtarisht rezolutën e dalë nga ky raport.

Më 26 janar të vitit 2011 Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi raportin e paraqitur nga Dick Marty-t, duke i dhënë atij fuqinë e një rezolute. Raporti u miratua me 191 vota pro dhe me vetëm 8 vota kundër. Votoi pro dhe kreu i delegacionit shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Europës, deputeti i asaj kohe i PD në qeverisje, Ilir Rusmali. Kundër votuan deputeti i PS Damian Gjiknuri dhe kreu aktual i PDIU Shpëtim Idrizi. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës e ka publikuar në faqen e saj zyrtare proces-verbalin e seancës së mbajtur më 26 janar 2011, ku përfshihet lista dhe mënyra e votimit të pjesëmarrësve. Eshtë dhe vota pro e deputetit të PD shqiptare, Ilir Rusmali.

Sipas “Beta”, Beogradi në këtë mbledhje përfaqësohej me një delegacion të Kuvendit të Serbisë, me në krye me Dragolub Micunoviq, ku detyra kryesore e tyre ishte bindja e sa më shumë europarlamentarëve që të votojnë për rezolutën. Në atë kohë kishte një debat të fortë politik në Shqipëri e Kosovë në lidhje me votën shqiptare pro raportit të Marty-t, i cilësuar i njëjtë me akuzat e Beogradit ndaj ish komandatëve të UÇK, që akuzoheshin për krime lufte dhe për transplant organesh. Debat që vijon dhe sot!

Në një deklarim të këtyre ditëve, ish kryeministri Berisha, teksa akuzon Dick Marty-n si një serbofil, nuk ka dhënë një shpjegim të qartë se përse atëherë e votoi pro në KE këtë raport.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, asokohe në opozitë, deklaroi këto ditë se e kishte urdhëruar deputetin e tij Gjiknuri të votonte kundër rezolutës. I kërkonte madje të ndikonte dhe tek Ilir Rusmali që tre votat shqiptare të ishin kundër. Por deputeti i PD votoi pro rezolutës.

Legalizimi i hetimeve në Shqipëri

Përpjekja e ish-udhëheqësve të UÇK për të provuar pafajësinë duket se do të vijojë edhe për disa kohë nëpër dyert e gjykatave ndërkombëtare. Akuzat për krime kundër njerëzimit s’janë të reja. Nisën kur më 2011 raporteri i KE, Dick Marty nxori raportin e shumëdebatuar për “Shtëpinë e Verdhë” në zonën e Matit, në Shqipëri, nën akuzën se pjesëtarë të UÇK kishin bërë trafik të organeve njerëzore. Akuzat nuk u provuan asnjëherë në shumë misione hetimi në territorin shqiptar.

Në ndihmë këtyre hetimeve ilegale u erdhi ligji i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në 10 maj 2012. Kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, me procedurë të përshpejtuar miratoi ligjin që autorizonte EULEX-in të kryente veprime hetimore në territorin shqiptar. Tashmë legale.

Dhe nga maji i vitit 2012 janë kryer disa misione hetimore nga prokurorët e huaj në territorin e Shqipërisë dhe të asistuar nga prokurorët shqiptarë. Në fund dolën në konkluzionin se ‘Shtëpia e Verdhë’ nuk kishte ekzistuar asnjëherë, si bazë për transplantin e organeve njerëzore.

Pavarësisht rezultatit të hetimeve mbi raportin e Marty-t, aktakuza e publikuar këto ditë sërish hedh dyshime se pjesëtarë të UÇK kanë kryer krime kundër njerëzimit në qytetet veriore të Shqipërisë, ku të dhënat i kanë marrë pas autorizimit që i dha Parlamenti me ligj të veçantë në vitin 2012.

Për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Arben Rakipi, ligji për lejimin e hetimeve të EULEX-it

territorin shqiptar binte ndesh me Kodin e Procedurës Penale, pasi i jepej e drejta e arrestimit një institucioni të huaj brenda territorit shqiptar, që përbën dhe shkelje të rëndë Kushtetute.

Ish kryeministri Berisha tentoi ta justifikoje duke thënë se “ajo rezolutë kërkonte hetim e hetimi është kërkuar nga vetë udhëheqja politike e Kosovës, SHBA dhe BE. Do të ishte hetimi që do të provonte pafajësinë. Gjatë qeverisë qeverisë sime, në Shqipëri janë zhvilluar hetime intensive. Është një marrëveshje në parlamentin shqiptar për të lehtësuar çdo hetim”!

Institucionet e hetimit të krimeve të luftës në Kosovë dhe sidomos organet e specializuara serbe, sikurse e kanë pranuar dhe vetë se kanë furnizuar Hagën për të “fryrë” sa më shumë dosjen në ngarkim të UÇK, kanë qënë të vëmendshëm ndaj ‘rezultatit’ të hetimeve në Shqipëri.

Jashtë “radarit” të tyre nuk kanë mbetur as përplasjet politike si brenda Shqipërisë ashtu dhe në anën tjetër të kufirit, si dhe akuzat e ndërsjella.  

Si bazë të “dhënash” kanë shërbyer sidomos shkëmbimi i akuzave mes aktorëve kryesorë të asaj kohe, ish kryeministrit Sali Berisha dhe ish Presidentit Hashim Thaçi. Berisha ka akuzuar se “janë 200 anëtarë e drejtues të LDK të ekzekutuar pas lufte. Nga drejtues kryesorë, gazetarë e anëtarë të thjeshtë. Ky është numri i saktë. Thaçi duhet të shkojë atje të pastrohet, gjykata është ngritur për raportin Dick Marty. Këtë e di se kam qenë kryeministër kur është ngritur gjykata…”!

Ndërsa kryeministri Edi Rama po kërkon ta shfrytëzojë situatën politikisht, teksa në kulmin e pandemisë, nuk “harron” t’i kujtojë Bashës hetimin me “kapuç në kokë” që ka bërë në Shqipëri në kohën kur ka qënë në përbërje të UNMIK, për ish-komandantët e UÇK.

Nën kërkesën për transparencë, Rama kërkon nga Basha të sqarojë publikisht rolin e tij në hartimin e raportit të Dick Marty-t. Ndërsa paralajmërohet se do të ngrihet një komision hetimi parlamentar për raportin e përfshirjen e liderit demokrat.

Ndërsa Berisha këmbëngul në akuzat për vrasje politike në Kosovë nga njerëzit e UÇK, duke mbështetur Bashën dhe duke nxjerrë në skenë emrin e vajzës së tij Argita, ku njëri ka hetuar krimet e “Kasapit të Ballkanit” ndërsa tjetra 11 serbë!

“20 vite më parë Beogradi është përpjekur me gjithë makinerinë e tij bashkë me rusët, që UÇK-në ta konsiderojë grup kriminal terrorist. Duhet ta pranoj, diskutimet kanë qenë jo të pakta.

Në mbështetje të kësaj akuze shkonin dhe disa ekspononte të kësaj organizatë (UÇK), që bënin edhe lista të vdekurish, si Ibrahim Rugovën, Sali Berishën, dhe persona të tjerë të Berishës.

Nuk mund të mohohet se krimet janë kryer, se në Kosovë janë ekzekutuar bashkëpunëtorë të ngushtë të Presidentit Rugova, në prita komandantë legjendarë, luftëtarë të vendosur të UÇK.

Një numër vrasjesh janë bërë dhe nga ana tjetër. Në këtë aspekt s’ka prokuror që këto akuza mos i fusë në dosje. Janë ekzekutuar personalitete të shquara të LDK, Ushtrisë së Kosovës, askush nuk është dënuar për këto”, akuzon Berisha.

Një qëndrim i stilit të Berishës, që i jep të drejtë UÇK-së, duke i ngarkuar akuza që as vetë Haga nuk i ka përmendur deri më tani, por që kanë qënë hamendësime në media dhe deklarata për përdorim të brendshëm politik.

Teksa shihet se debati në Shqipëri për hetimin e UÇK i ka tejkaluar limitet e normales, ajo që mund të themi është se, pritet që lufta politike të vijojë me intensitet akoma më të lartë, pasi zgjedhjet parlamentare janë në prag dhe vendi praktikisht ka hyrë në fushatë.