Asnjë argument arkeologjik nuk e vërteton hipotezën se gratë kishin një status shoqëror më të ulët se burrat gjatë periudhës paleolitike. Duke u mbështetur në bollëkun e imazheve femërore, arkeologët madje sugjerojnë se duke qenë në qendër të besimeve, ato e kishin një pozitë të lartë në këto shoqëri. Ky mendim duket se vërtetohet për të paktën disa prej tyre, por a ishte kjo e vetmja arsye? Studiuesit e tjerë argumentojnë se në ato kohëra të largëta, shoqëritë ishin matrilineale, madje edhe matriarkale.
Ekziston shpesh një konfuzion midis një shoqërie matriarkale, në të cilën gratë mbajnë autoritetin shoqëror e ligjor dhe një shoqërie matrilineale, si sistem farefisnor i bazuar në lidhjen familjare përmes nënës. Termi “matriarkat” nënkupton dominimin femëror, siç tregon etimologjia e saj (nga greqishtja “ἄρχειν” : “të udhëheqesh”, “të komandosh”). Nëse një hierarki e bazuar në femëroren dominuese dhe pasardhësit e saj janë vërejtur te disa specie shtazore, veçanërisht te kushërinjtë tanë të afërt bonobosa dhe nëse Na-të, popull me origjinë tibetiane nga luginat e largëta të Yunnan-it në Kinë, ishin ende shoqëri matriarkale në vitet 1990, matriarkati tanimë është zhdukur.
Nga ana tjetër, shumë shoqëri, në të gjitha kontinentet, kanë qenë matrilineale dhe disa janë ende të tilla. Duke konstatuar se që nga lashtësia, burrat kanë në shumicën e civilizimeve një fuqi ekonomike dhe shoqërore më të lartë se ato të grave, shumë autorë pohojnë se ishte e njëjta gjë qysh nga origjina e njerëzimit. Ata e hedhin poshtë tezën, të mbrojtur nga disa shkencëtarë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të ekzistencës së një matriarkati para patriarkatit. Prania e saj në shoqëritë parahistorike, temë debati për më shumë se një shekull e gjysmë, është ende ashpër pjesë debati. Për shumë autorë, “matriarkati nga origjinat e njerëzimit” është vetëm mit, për të tjerët do të kishte ekzistuar deri në shfaqjen e patriarkatit gjatë Neolitit.
Matriarkati fillestar
Për shkak të jetës brenda klanit, duke mos qenë në gjendje të dinte me siguri se kush ishte babai i një fëmije, transmetimi i farefisnisë mund të bëhej vetëm përmes nënës. Për antropologun polak Bronisław Malinowski (1884-1942) dhe juristin zviceran Johann Bachofen (1815-1887), ky filiacion matrilineal ishte i pranishëm në shoqëritë para-njerëzore. Qysh në vitin 1861, Bachofen, duke u mbështetur në mitet antike dhe në tregimet e udhëtimeve, në veçanti ato të Atit Jezuit Joseph François Lafitau (1681-1746), një misionar në Nouvelle-France (Kanada), sugjeron se “epoka primitive” është epoka e “gjinekokracisë” përmes të drejtës amnore. Juristi pohon se gratë kanë përdorur “misterin” e amësisë për ta organizuar fisin, rreth kultit të “Hyjneshës së Madhe” dhe transmetimit të pushtetit nga nëna tek vajza.
Ekzistenca e një matriarkati primitiv, ose të paktën e një barazie shoqërore midis burrave dhe grave, u mbështet nga disa antropologë dhe filozof të fundshekullit XIX. Sipas tyre burrat morën pushtetin dhe vendosen patrilinealitetin dhe më pas patriarkatin në momentin e kalimit nga ekonomia e grabitjes (gjahtarmbledhësit) në atë të prodhimit (agropastoralistët). Kjo tezë, e cila vazhdoi në fillim të shekullit XX midis disa antropologëve, u rimor në vitet 1930. Strukturat shoqërore të shoqërive parahistorike do të kishin ndryshuar me kalimin e kohës
E bazuar në disa pasaktësi, kjo skemë lineare evolucionare e propozuar nga arkeologu rus Piotr Efimenko tani është krejtësisht e braktisur. Pothuajse tridhjetë vjet më vonë, Marija Gimbutas, specialiste e kohës së bronztë (-2200 deri në -800) i përshkruan shoqëritë para-indo-evropiane si “matristike” (matrilineale). Ato do të kishin zgjatur për rreth 27000 vjet para se të zëvendësoheshin gradualisht me ardhjen (3000 vjet para kohës sonë) të fiseve nomade nga stepat e Azisë Qendrore. Qytetërimet mesdhetare të njohura si “hipogumë”, të karakterizuar nga varrosja e të vdekurve në shpella artificiale të hapura në shkëmb, do të kishin pasur gjithashtu këtë lloj organizimi matrilineale dhe do ta kishin pësuar të njëjtin fat rreth 3500 vjet para kohës sonë. Fiset e kalorësve do t’u kishin imponuar popullatave autoktone matrilineale një sistem patriarkal dhe luftarak. Kjo tezë kontestohet në veçanti për shkak se janë gjetur armë dhe gjurmë të fortifikimeve, të cilat datojnë shumë para ardhjes së këtyre fiseve dhe zgjerimi i tyre do të kishte qenë kryesisht paqësor.
Në vitet 1980-1990, disa historianë amerikanë pohojnë gjithashtu se kulturat parahistorike ishin matrilineale, por edhe më barazitare, më paqësore dhe më pak hierarkike se shoqëritë patriarkale, gjë që disa studiues e hedhin poshtë. Për shumicen prej tyre, përshkrimet e shoqërive matriarkale nuk do të ishin asgjë më shumë se “ndërtime mitologjike shkencore” që i përkasin romantizmit të një “kohe të artë” të zhdukur, ku nuk ekzistonte dominimi i një seksi mbi tjetrin. “Gjinekokracia” e Bachofen ishte “fantazi” sipas Emmanuel Todd, për të cilin “statusi i grave është në fakt më i lartë në sistemet farefisnore të padiferencuara, se në shoqëritë matrilineare“. Matriarkati fillestar do të ishte pra vetëm një mit!
Mbrojtësit e saj mbështeten në argumente etnografike, sikurse kundërshtarët e saj, të cilët citojnë disa shembuj të shoqërive tradicionale të cilat ishin për barazi ekonomike dhe sociale, por jo edhe për barazi në marrëdhëniet gjinore. Sidoqoftë, megjithëse ishin dukshëm më pak të shumta, nuk mund të mohohet që kishte shoqëri në të cilat marrëdhëniet gjinore ishin të ekuilibruara (midis San-ve të Afrikës së Jugut, për shembull).
“Matriarkati nuk ka ekzistuar kurrë!”. E lexuar në numrin e nëntorit 1992 të revistës “L’Histoire”, kjo formulë koncize vë në pikëpyetje arsyet e refuzimit të shumë studiuesve për ta konsideruar hipotezën se dominimi i mashkullit, sistemi patriarkal, nuk është fillestar, porse ai ishte vendosur gradualisht pas ndryshimeve, ndoshta të një natyre ekonomike, që ndryshoi strukturën shoqërore të bashkësive nomade të gjuetarë-mbledhësve. Akumulimi i të mirave – pothuajse inekzistent në shoqëritë paleolitike – i favorizuar nga jeta sedentare dhe zbutja e bimëve dhe kafshëve, kishte çuar në shfaqjen e një aktiviteti të ri, atë të mbrojtjes së tyre, detyrë që do t’i binte njerëzve, gjoja fizikisht më të fortë. Të bërë ngadalë mbajtës të të korrave dhe tufave, thuhet se burrat kanë krijuar filiacionin patrilineal në mënyrë që ta sigurojnë transmetimin e tij tek fëmijët e tyre. “Marrja dhe kontrolli i fëmijëve i fituar nga përgjithësimi i të drejtës atërore do të ketë lindur në shoqëritë e organizuara në mënyrë sociale”, sipas tezës së Claude Lévi-Strauss mbi Strukturat elementare të prindërimit (1949). Ky zëvendësim i filiacionit do të ketë çuar, në planin afatgjatë, në shfaqjen e sistemit patriarkal. Prandaj është shumë e mundshme që ndryshimet ekonomike dhe sociale, të vëzhguara në periudhën neolitike modifikuan thellësisht marrëdhëniet midis burrave dhe grave. Ata padyshim do ta shënonin fillimin e kohës patriarkale, siç shkruan filozofja Olivia Gazalé: “I pari që e ka përmbytur rendin seksual nuk është gruaja, por burri, kur ai i dha fund botës së përzier – ku të drejtat dhe liritë e grave ishin shumë më të gjera dhe ku gruaja respektohej dhe hyjnizohej – për ta ndërtuar një botë të re, botën viriarkale [bazuar në virilitetin], në të cilën gruaja do të ishte inferiore dhe mbyllur dhe ku do t’i humbte të gjitha fuqitë e saj. Në agimin e këtij civilizimi të ri fillon rrëfimi i madh i epërsisë mashkullore i cili do të vinte për të konsoliduar, shekull pas shekulli, mitologjinë (me imazh dhe simbol), metafizikën (me koncept), fenë ( nga ligji hyjnor) dhe shkencën (nga fiziologjia)”.
Shfaqja e elitës luftëtare
Qysh në vitin 1884, Friedrich Engels identifikoi zëvendësimin gradual të lidhjes farefisnore nga nëna me atë të babait, si një nga shkaqet e nënshtrimit të grave. Për të, përmbysja e të drejtës amnore ishte “humbja e madhe historike e seksit femëror“. Më shumë se 120 vjet më vonë, Emmanuel Todd nënvizon po ashtu se nëse parimi patrilineal favorizonte zhvillimin e formave komplekse familjare që do të ishin përhapur më pas në pothuajse gjithë Euroazinë (që nënkupton se atje më parë do të kishte një parim tjetër), kishte në anën tjetër ulje të statusit të grave, dhe si pasojë një rol më i vogël për nënat në transmetimin kulturor. Kështu, regjimet matriarkale duke qenë të rralla – si matrilineale ashtu edhe matrilokale (në të cilën “burri” vjen për të jetuar në familjen e “gruas” së tij) – mund të shpjegohen nga dominimi universal të burrit. Nënshtrimi i grave, që është një formë e dhunës, thuhet se është pasojë e ndarjes gjinore të punës.
Në shoqëritë paleolitike, duke bërë dhe duke rritur fëmijët e tyre të vegjël, gratë kishin një funksion kryesor në qëndrueshmërinë e klanit. Meqenëse ishte e pamundur të njihej me siguri babai i vërtetë i të porsalindurit, prejardhja matrilineale duket më shumë se e mundshme. Duke marrë pjesë në një numër të madh aktivitetesh, ata kishin një rol të vërtetë ekonomik dhe kishin një status shoqëror ndoshta të barasvlefshëm me atë të burrave, ose madje, ndoshta, më të lartë brenda sferës së brendshme dhe simbolike, në funksion të vendit qendror që zënë përfaqësime femërore në artin paleolitik. Përderisa ishte e arsyeshme të besojmë se në këto shoqëri, marrëdhëniet midis gjinive ishin të ekuilibruara, ne aktualisht nuk kemi asnjë të dhënë që do të na lejonte të konkludonim ekzistencën e shoqërive matriarkale, të dominuara në mënyrë implicite nga gratë…ose patriarkale. Është e mundur që zëvendësimi gradual i lidhjes farefisnore nga nëna në lidhjen farefisnore e babait të ketë ndodhur gjatë neolitit, por jo kudo, pasi shoqëritë matrilineale ende ekzistojnë në rajone të caktuara të botës.
Krejt në fillim të neolitit, organizimi socio-ekonomik i shoqërive të para bujqësore duket se zhvillohet me gratë. Si fermere, thuhet se ato kanë zbutur bimët dhe veglat bujqësore, duke përfshirë shatat dhe rrotat bluarëse. Një ndryshim në organizimin shoqëror shfaqet rreth 6000 vjet para erës sonë, një periudhë e shënuar nga një shpërthim demografik lokal i lidhur me një bollëk ushqimesh (dëshmuar nga prania e depove të shumta të drithërave) dhe një zgjerim i sedentarizimit (pamja të fshatrave të parë). Me zhvillimin e blegtorisë dhe zotërimin e teknikave të reja bujqësore, burrat gradualisht kanë zëvendësuar gratë në punën që lidhet me bujqësinë.
Shfrytëzimi i kafshëve për lesh ose qumësht ka nxitur më shumë mbylljen e grave në hapësirën shtëpiake. Me rritjen e të mirave (arrë e kullotë, blegtori, rezerva ushqimore), ato kanë marrë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në komunitete. Këto ndryshime do të kishin riformuar marrëdhëniet shoqërore, duke i shfaqur elitat dhe kastat, përfshirë atë të luftëtarëve dhe do të rezultonin në një ndarje më të theksuar gjinore të detyrave, si dhe një përgjithësim të vendbanimit patrilokal [gruaja jeton në familjen e “burrit” të saj. »] dhe lidhja familjare patrilineale.
Këto transformime, të cilat tronditin vendin e grave në shoqëri, vërehen prej 5000 vjet para kohës sonë në përbërjen e mobiljeve funerare (më gjinore dhe më pak të larmishme në varret femërore) dhe gjendjen e skeleteve femërore të zbuluar. Shihet një rritje jo vetëm e patologjive të lidhura me punët e rënda, bartjen e peshave të rënda dhe shtatzënitë e përsëritura, por edhe me mungesa vitaminash për shkak të ushqimit me pak proteina (bazuar kryesisht në ushqime me bazë niseshte dhe bimë, të vërtetuara nga një numër më i lartë i kariesit) dhe traumave për shkak të dhunës. Por ky nuk është rasti për të gjitha gratë. Në disa varre, të vdekurat janë zbukuruar dhe paraqesin pak patologji dhe trauma. Situata e grave gjatë kësaj periudhe duket se ndryshon varësisht nga pozicioni i tyre shoqëror.
Për më shumë se një shekull e gjysmë, interpretimet që janë bërë për mbetjet arkeologjike kanë kontribuar shumë për t’i bërë gratë prarahistorike të padukshme, veçanërisht duke ia ulur rëndësinë e tyre në ekonomi. Zbulimet e reja hedhin një vështrim të ri, atë që roli i grave në evolucion është po aq i rëndësishëm sa i burrave.