NJË FEDERATË ME PAMJE MODERNE E RRETHUAR NGA ABUZIMET NË JEMEN
Trazira lufte në Emiratet e Bashkuara Arabe

Emiratet e Bashkuara Arabe, një shtet i vogël në Gadishullin Arabik, nën udhëheqjen e Abu Dhabit, është shndërruar gjatë dhjetë viteve të fundit në një komb me potencial ushtarak në rajon. Ky pozicionim luftarak që ilustron rolin aktiv në luftën në Jemen, forcon statusin e federatës si lojtar kryesor në tregun botëror të armëve.

138

Shkurt 2019. Avionët reaktivë kalojnë nëpër qiellin e pastër të Emirateve të Bashkuara Arabe, një shtet i vogël federal ndodhur midis Gjirit Persik dhe Detit Arab. Vendosur qetësisht, i rrethuar nga udhëheqës të huaj, Princi i Abu Dhabit, njeri i rëndësishëm i federatës dhe personalitet me ndikim në botën arabe, z.Mohamed Ben Zayed Al-Nahyane (i njohur si “MBZ”), mori personalisht pjesë në hapjen e International Defense Exhibition (IDEX). Ky panair armësh i vlerësuar nga të gjithë emrat e mëdhenj të sekorit filloi me një shfaqje lufte me përmasa natyrore, në të cilën parakaluan automjetet gjithë-terrenësh Nimr që vijnë nga Emiratet, blindet amerikane dhe tanket franceze. Një prodhim hollivudian në lartësinë e ambicieve ushtarake dhe gjeopolitike të “Spartës së vogël”, siç i quajti gjenerali amerikan James Mattis Emiratet e Bashkuara Arabe në 2011, kur ishte kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së.

Emiratet e Bashkuara Arabe, importuesi i pestë më i madh i armëve në botë, nuk kënaqen duke pretenduar se thjesht luajnë luftrash. Ata e nisin, e provokojnë ose e mbajnë atë, të udhëhequr nga një “strategji rajonale ndikimi dhe fuqie”, siç shpjegon Emma Soubrier, një studiuese në Arab Gulf States Institute (Institutin e Shteteve të Gjirit Arab) në Uashington. Nga marsi 2011, gjatë “Pranverës Arabe”, ata ndërhynë ushtarakisht në Bahrein, me Arabinë Saudite, për t’i dhënë fund kryengritjes popullore kundër monarkisë Al-Khalifa. Në Jemen, ku ata kanë udhëhequr koalicionin anti-Houthi që nga viti 2015, bashkë me Riadhin, akuzohen – si aleati i tyre Saudit – për shkeljen e ligjit ndërkombëtar, por edhe për përpjekjet për përçarjen e vendit. Në Libi, duke injoruar embargon e armëve, ata mbështetën Marshall Khalifa Haftar në luftën e tij kundër Qeverisë së Marrëveshjes Kombëtare. Nga njëra anë, vënia në skenë; nga ana tjetër, abuzimet e luftës: dy anët e së njëjtës medalje, ajo e një monarkie që flet për “modernitetin” e saj ndërkohë që kontribon në përkeqësimin e tensioneve në botën arabe. Abu Dhabi ishte gjithashtu motori i ndalimit rajonal të Katarit në 2017.

Pushtimi i Kuvajtit si pikë kthese

Si shpjegohet evolucioni i këtij vendi që do ta festojë pesëdhjetëvjetorin në dhjetor dhe në të cilin 90% e 10 milion banorëve janë të huaj? Për ta bërë këtë, ne duhet të kthehemi në vitin 1971, viti i konstituimit të federatës, në të cilin Bahreini dhe Katari nuk pranuan të bashkoheshin nga frika se mos binin nën sundimin e Abu Dhabit. Me fqinjë të fuqishëm si Arabia Saudite, Iraku dhe Irani, shtatë emiratet dhe sundimtari i tyre, Shejh Zayed Al-Nahyan, menjëherë përballen me çështjen e sigurisë. Të dobëta dhe me një ushtri të zvogëluar, Emiratet e Bashkuara Arabe shumë shpejt kërkuan mbështetjen perëndimore, duke filluar me Shtetet e Bashkuara, të cilat do të luanin rolin e mbrojtësit dhe furnizuesit të armëve. “Për Uashingtonin, i cili gjithashtu shqetësohej për rrezikun e zgjerimit të ndikimit sovjetik, Gjiri ishte një mënyrë për ta siguruar tregun e energjisë”, kujton Kristian Ulrichsen, studiues në Institutin James Baker në Hjuston. Me burime të konsiderueshme hidrokarbure, federata mund të mobilizonte burime financiare kolosale për të nënshkruar kontrata masive armësh. “Në vitet 1970 dhe 1980, këto blerje armësh ndihmuan gjithashtu për të treguar prestigj. Aftësia e Emirateve të Bashkuara Arabe për t’i përdorur në të vërtetë ishte e kufizuar”, vëren Pieter Wezeman, studiues në Institutin Ndërkombëtar të Studimit të Paqes në Stockholm (Sipri).

Në vitin 1990, ushtria irakiane pushtoi Kuvajtin, forcat ushtarake të të cilit edhe pse shumë të afta, nuk ishin në gjendje t’i rezistonin automjeteve të blinduara të Saddam Huseinit. Prej atëherë, gjërat ndryshuan. Emiratet e Bashkuara Arabe konsoliduan strategjinë: partneriteti dhe blerja e mbrojtjes vazhdojnë, por shoqëruar me forcimin e ushtrisë kombëtare. Marrëdhënia me Uashingtonin bëhet “shtylla kurrizore e ushtrisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, tha Abdulkhaleq Abdulla, profesor i shkencave politike në Universitetin e Emirateve të Bashkuara Arabe. “MBZ”, një nga djemtë e Sheikh Zayed, bëhet komandant i forcës ajrore e më pas shef i shtabit të forcave të armatosura. “Ai është një njeri që njihet për trajnimin e tij ushtarak i cili ushqen një vizion ku disiplina dhe fuqia e armatosur janë të mjaftueshme për të zgjidhur pothuajse gjithçka”, tha studiuesi Jalel Harchaoui. Në krah të tij, koloneli amerikan John William McGuinness ka shërbyer si këshilltar ushtarak që nga viti 1991. Në bazën ajrore Al-Dhafra, në jug të Abu Dhabi, Shtetet e Bashkuara forcuan praninë e tyre për sa i përket ushtarëve dhe materialeve. Ata kryejnë trajnime dhe stërvitje me mentorët e tyre, duke ndihmuar në ndërtimin e një force ajrore që tani konsiderohet si më e mira në Gji.

Një dekadë më vonë, pjesëmarrja e dy Emirateve në sulmet e 11 Shtatorit 2001, sidoqoftë, ndryshoi marrëdhëniet me Uashingtonin. “Për të siguruar partnerët e tij, MBZ filloi luftën kundër Afganistanit,” shpjegon Ulrichsen. Sigurisht, pjesëmarrja është e vonë dhe modeste, me dyqind ushtarë të vendosur nga viti 2003, por, për Uashingtonin, simbolika është e fortë: një vend arab dhe mysliman po merr pjesë në koalicionin kundër Talibanëve. “Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu e kishin kuptuar që duhet të ndryshonin imazhin e saj,” vazhdon studiuesi. Monarkia, e këshilluar nga një batalion oficerësh të komunikimit anglo-sakson, ndërtoi për vete imazhin e një shteti modern dhe vizionar. Në 2006, dyshimet e Uashingtonit u hoqën dhe Gjenerali Peter Pace, kryetari i Komitetit të Shefave të Shtabit të Përbashkët të SH.B.A.-së, vlerësoi forcën e partneritetit midis dy vendeve.

Në mesin e viteve 2000, një brez i ri erdhi në pushtet. Në 2004, z.Khalifa Ben Zayed pasoi babanë e tij si president i federatës dhe në krye të emiratit të Abu Dhabit – vëllai i tij “MBZ” u bë princ i kurorës – ndërsa në 2006 z. Mohammed Ben Rachid Al-Maktoum merr frenat e emiratit të Dubait. Këta drejtues të rinj synuan të ulnin varësinë e federatës nga nafta. Për ta bërë këtë, ata u bazuan në raporte të shumta prospektive (« Vision 2020 », « Vision 2030 ») të cilat reflektuan një të ardhme të ndritur. Tregtia, turizmi, planifikimi i qytetit dhe teknologjitë e reja u bënë bazat e një politike të re.

Krijimi i një industrie ushtarake ishte pjesë e kësaj dinamike diversifikimi ekonomik. Emiratet e Bashkuara Arabe mbështeten për këtë në parimin e “kompensimit industrial” (ose “offsets”): në këmbim të shitjeve të armëve, furnizuesit e huaj duhet të merrnin pjesë në zhvillimin e infrastrukturës lokale. Për shembull, amerikani Lockheed Martin, i cili në vitin 2000 kishte arritur shitjen e tetëdhjetë avionëve luftarakë F-16. Ai kishte vendosur sistemin e tij të mbrojtjes kundër raketave Thaad në 2013, u angazhua paralelisht me një fond të Emirateve të Bashkuara Arabe në një ndërmarrje të përbashkët, Ammroc, kushtuar mirëmbajtjes së avionëve. Brenda kësaj kompanie, prania e shumë punonjësve të huaj duhet të lehtësonte zhvillimin e aftësive të punonjësve lokalë dhe të lejonte transferimin e teknologjisë. Ashtu si Ammroc, u krijuan një numër i madh i ndërmarrjeve publike-private të mbrojtjes, të bashkuara që nga viti 2019 nën entitetin Edge.

Kjo strategji lejoi federatën nga ana e saj të eksportojë pajisje ushtarake, veçanërisht në vendet e tjera  – Algjeria, për shembull, bleu dyqind automjete të blinduara Nimr në 2012. Disa vjet më vonë, në dhjetor 2020, grupi Edge renditet në njëzet e  pesë furnizuesit më të mirë ushtarakë në botë. Por rezervat dhe kritikat qenë të shumta. Wezeman bën dallimin midis komunikimit dhe realitetit: “Ndërtimi i një industrie mbrojtëse kaq shpejt nuk është e lehtë. Emiratet e Bashkuara Arabe janë një vend pak transparent dhe mbetet shumë i varur nga zinxhirët e furnizimit, por edhe nga punëtorët e huaj.”

Z. Tony Fortin i Observatorit të Armatimeve, një shoqatë që lufton për çarmatimin, ishte më alarmant. “Abu Dhabi është shtëpia e një qendre tregtare armësh, e ushqyer nga mijëra të huaj që po ndihmojnë Emiratet e Bashkuara Arabe të fabrikojnë autonominë e saj ushtarako-industriale,” tha ai me shqetësim. Një “qendër“, shtëpia e një numri kompanish perëndimore të tërhequra nga avantazhet e ofruara nga kjo vitrinë rajonale. Meqë, nga Emiratet e Bashkuara Arabe, “hyrja në tregjet e reja lehtësohet nga rregullat më pak kufizuese të eksportit sesa në Perëndim,” tha Wezeman. Kanadezi Streit Group krijoi një kompani atje në vitin 2008 nga e cila përmbyt tregun afrikan, përfshirë Libinë, me automjete të blinduara. “Emiratet e Bashkuara Arabe janë përfshirë në transferime të shumta armësh, si për rebelët ashtu edhe për forcat e Emirateve të Bashkuara Arabe me bazë në Libi, me shkelje të embargos së armëve”, denoncon shoqata hollandeze Pax for Peace. Për këtë organizatë, rreziku “i lartë” i dorëzimit të armëve në vendet nën embargo do të justifikonte në vetvete ndalimin e eksporteve në Abu Dhabi. “Emiratet e Bashkuara Arabe sot shërbejnë si një ajër i turbullt për industrinë e armëve”, tha Fortin.

Shumë më shumë sesa ndërhyrja e shkurtër në Bahrein në vitin 2011, ishte lufta në Jemen që i mundësoi Emiratet e Bashkuara Arabe të përballen me realitetin e luftës dhe të vënë pajisjet dhe njerëzit e saj në provë në terren. Drejtuar nga “MBZ” që nga shtrimi në spital nga hemoragjia cerebrale e vëllait të tij Khalifa në 2014, federata është kontribuesi i parË tokësor në koalicionin e ngritur nga Sauditët. Që nga viti 2014, ushtria e Emirateve të Bashkuara Arabe ka përfituar nga vendosja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe ka mbledhur më shumë se 60,000 trupa në total.

Kjo shifër e madhe duhet relativizuar. “Në Emiratet e Bashkuara Arabe, ushtria është një mënyrë për t’u dhënë punë – dhe për këtë arsye për rishpërndarjen e një pjese të qirasë së naftës – për qytetarët, veçanërisht ata në emiratet më të varfra në veri të vendit,” shpjegon Harchaoui. Por të rrezikosh jetën tënde në luftime është mjaft e panatyrshme. Sidoqoftë, disa do të duhet të ekspozojnë veten. Në terrenin e Jemenit, “që nga korriku 2015, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë siguruar  rreth një mijë njerëz, duke përfshirë katërqind forca speciale”, vlerëson një shënim në Tetor 2018 nga Drejtoria e Inteligjencës Ushtarake Franceze (DRM) e postuar në internet nga faqja Disclose.

Në verën e vitit 2015, fillon koha e fitoreve, me humbjen e shkaktuar ndaj Houthis nga forcat e koalicionit në rimarrjen e portit të Aden. “Emiratet e Bashkuara Arabe janë ende një vend mjaft i ri. Sot jemi dëshmitarë të zhvillimit të një shteti komb që po ndërton legjendën e tij ushtarake,” nënvizon Soubrier. Sidoqoftë, vdekja e 45 ushtarëve në një përballje me Houthi në shtator 2015 shpejt zbehu entuziazmin e fillimit dhe shënjoi opinionin publik. Sipas shënimit të DRM, midis 2015 dhe 2018, 105 deri në 170 burra nga Emiratet e Bashkuara Arabe humbën jetën në luftimet kundër Houthis. Këto humbje të konsiderueshme në funksion të demografisë së vendit, kanë shkaktuar tensione brenda federatës. Në vitin 2018, princi i emiratit të Fujairah, z. Rashid Ben Hamad Al-Charqi, akuzoi Abu Dhabin për fshehjen e numrit të vërtetë të viktimave. Në emiratet e pajisura me më pak pasuri se ajo e Abu Dhabit- dhe nga e cila ato varen nga plani financiar – qarkullon një thashethem që nxjerr keq kohezionin kombëtar: ushtarët më të ekspozuar vinin të gjithë nga emiratet më të varfra. Nga ku shihet një lloj hezitimi për të parë vendin të përfshirë në konflikte të tjera.

“Por, për të arritur ambiciet e tyre gjeopolitike, Emiratet e Bashkuara Arabe kishin nevojë për trupa për t’i dërguar në front,” komenton Harchaoui. Prandaj, ata duhet të drejtoheshin te “kontraktorët”. Qysh në vitin 2011, New York Times zbuloi vendosjen pranë Abu Dhabit të qindra këtyre mercenarëve – përfshirë kolumbianë. Në atë kohë, federata synonte sa të mbronte veten nga kërcënimet e jashtme, përfshirë atë të Iranit, aq edhe të kishte një mjet shtypjeje në rast se të huajt arabë që jetonin në tokën e saj do të kishin idenë e keqe të imitonin demonstruesit e Kajros ose Tunisit. Operacioni u koordinua nga kompania Reflex Responses (R2), e lidhur me Z. Erik Prince, miliarder dhe themelues i kompanisë mercenare amerikane Blackwater. “Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë përdorur gjithashtu mercenarë nga Sudani, Çadi, Somalia dhe Eritrea.” shton historiani Walter Bruyère-Ostells. Ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe u tërhoqën zyrtarisht nga konflikti në Jemen në 2019, duke i lënë Sauditët vetëm në tokë, ata nuk braktisën objektivat e tyre por vazhduan të pushtojnë portin e gazit Balhaf dhe ishullin Socotra. “Strategjia e ndikimit të Emirateve të Bashkuara Arabe përfshin krijimin e sporteleve portuale tregtare dhe ushtarake që shtrihen nga Briri i Afrikës deri në Mesdhe”, shpjegon Soubrier. Në të njëjtën kohë, ata mbështesin blloqet e Jemenit, të tilla si Këshilli i Tranzicionit Jugor. “Ne nuk kemi më nevojë për forcat tona [atje]. Ne financojmë, stërvitim dhe pajisim mijëra ushtarë jemenas që plotësojnë boshllëkun”, analizon Abdulla. Ose një formë tjetër mercenarizmi, sipas Bruyère-Ostells. Abu Dhabi gjithashtu përdor banditë në atë që e përshkruan si një luftë kundër “terrorizmit” – të cilin Soubrier kujton se përfshin “Vëllazërinë Myslimane”. Në vitin 2018, faqja Buzzfeed dokumentoi përpjekjen për vrasje të një udhëheqësi të Al-Islah, një parti jemenase e lidhur me vëllazërinë, nga burra të dërguar nga kompania amerikane Spear Operations Group.

“Emiratet e Bashkuara Arabe kanë punësuar mercenarë amerikanë për të kryer një fushatë atentatesh në Jemen e cila ka çuar në vdekjen e dhjetëra politikanëve dhe figurave publike gjatë pesë viteve të fundit”, denoncuan në Shtator 2020 organizatat joqeveritare Radari i të Drejtave Qeveritare për të Drejtat e Njeriut dhe Instituti për të Drejtat dhe Zhvillimin (IRD) para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB. Një organ i cili, në raportin e tij në shtator 2020, nuk kishte fjalë mjaftueshëm të ashpra për të përshkruar shkallën e katastrofës së Jemenit, duke renditur shkeljet e shumta të të drejtave të njeriut të kryera nga të gjitha palët, të gjitha në “mosndëshkim endemik“. Midis tyre, një rrjet burgjesh sekrete të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku pretendohet se janë kryer akte torturash. Këto tmerre i shpëtojnë publikut të gjerë perëndimor, i cili mbetet i magjepsur nga atraksionet turistike të Dubait: emirati vazhdon të mirëpresë mijëra pushues perëndimorë. Ndërsa vrasja e ashpër e gazetarit Jamal Khashoggi në tetor 2018 kujtoi publikun për mizorinë e regjimit saudit, veprimet e Emirateve të Bashkuara Arabe aktualisht janë nën radar. “Emiratet e Bashkuara Arabe kanë një fushatë lobimi shumë aktive në Shtetet e Bashkuara e cila i ka mundësuar monarkisë të ushtrojë ndikim të konsiderueshëm ndërsa i lë të indinjuarit kryesisht në hije”, shkruan studiuesi Ben Freeman në një raport të vitit 2019.

Ndryshim tonesh në Uashington ku e gjithe situata po ndryshon

Shumë afër Uashingtonit gjatë mandatit të Z. Donald Trump – një afërsi e cila çoi në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me Izraelin, përmes marrëveshjeve të Abrahamit të 15 shtatorit 2020 -, Emiratet e Bashkuara Arabe tani duhet të merren me një administratë demokrate e cila është shumë më pak e favorshme. Në fund të janarit, Shtetet e Bashkuara njoftuan “pezullimin e përkohshëm” për rishikimin e dërgesave të armëve në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke përfshirë shitjen e avionave ushtarakë F-35 të premtuar Forcave Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe pas normalizimit me Tel Aviv. Në fillim të shkurtit, Uashingtoni, i ndjekur nga Italia, vendosi të ndalojë të gjithë mbështetjen logjistike ose teknike për koalicionin e angazhuar në Jemen. Një zhgënjim për Abu Dhabin, dhe një provë kryesore për gatishmërinë e tij për të vepruar në rajon në mënyrë të pavarur. “Ne nuk kemi më nevojë për dritën jeshile, kemi fituar pavarësinë e mjaftueshme për të vepruar vetë,” tha Abdulla. Një mbajtje qëndrimi e më e madhe nga partneri i saj amerikan mund të detyrojë “Spartën e vogël” të reduktojë ambicjet.

* Gazetare.