MINORITETET E DONALD TRUMPIT
Votuesit e ofenduesve të tyre

Si shpjegohet që z.Donald Trump fitoi vota nga minoritetet të cilat i kritikoi vazhdimisht gjatë mandatit të tij? Mbase nga fakti që individët nuk e përkufizojnë vetveten vetëm nga "raca" dhe se ata nuk e gjejnë domosdoshmërisht veten në përkufizimin e racizmit, propozuar nga disa akademikë.

1339

Më vitin 2010, votuesit e Torontos, një nga qytetet me më shumë diversitet etnik në planet dhe mbeshtetës i së majtës, zgjodhën një racist të pandreqshëm si kryebashkiak. Tip i vrazhdë dhe i çuditshëm, djalë i një biznesmeni miliarder, Robert Ford kishte krijuar një figurë të vetën përmes përleshjeve me anëtarët e tjerë të këshillit të qytetit dhe tiradave të tij helmuese kundër pothuajse çdo grupi pakicash. Dikush do të kishte menduar se fushata e tij fitimtare ishte kryer nga një valë e fuqishme e inatit të të bardhëve kundër diversitetit. Megjithatë ishin emigrantët dhe pakicat, domethënë popullatat që shënjestroi, që ia mundësuan ngritjen në pushtet. Pavarësisht nga dhuna e papërpunuar e fjalëve të tij, ose ndoshta për shkak të saj, një pjesë e konsiderueshme e njerëzve që ai urrente e adhuruan përsëri. “Përdorues i drogës, i trashë dhe i pasjellshëm – megjithatë ai u bë kryetari i bashkisë. Ford është një antihero në këtë histori sfiduese suksesi. Ai thotë gjëra që njerëzit pa të drejta dëshirojnë t’i thonë”, nënvizon revista Toronto Life (29 Shtator 2014) lidhur me popullaritetin mahnitës të këtij personazhi. “Askush nuk i mbron njerëzit aq shumë sa unë, pavarësisht racës që kanë”, shpërtheu ky i fundit një ditë kur ishte i dehur, përpara se ta kundërshtonte veten duke thënë se “Unë jam njëriu më racist këtej përreth. Unë jam kryetari i bashkisë së Torontos ». Ndërsa media konkurronte në indinjatë për ta shkatërruar racizmin e tij, “Trumpi kanadez” prishi rrjetet e tyre analitike duke fituar 80% të votave në periferitë e klasës punëtore të populluara nga punëtorë emigrantë. Unë po jetoja në Toronto në atë kohë dhe isha si gjithë miqtë e mi mbështetës të Fordit – pa qenë vetvetja, duhet thënë. Edhe sot, disa njerëz kujtojnë me nostalgji ato kohëra kur pasi e hasnin në një pikë karburanti ose në dalje të një fast-foodi, pinin kanabis me të. Ata nuk i kushtuan vëmendje backgroundit social të Ford-it, as përdorimit të tij të drogës, sharjeve racore ose paaftësisë famëkeqe, duke kujtuar vetëm njeriun e përditshëm, në dukje të afrueshëm dhe më pranë tyre. Sa më shumë që media e sulmonte atë, aq më shumë ai ngrihej në vlerësimin e mbështetësve të tij. Ford kishte pak për t’i ofruar atyre në aspektin e agjendës politike ose qeverisjes së mirë, por personaliteti i tij i çuditshëm ishte, siç e shprehu Toronto Life, si një “gisht i mesëm” i tundur nën hundën e një klase politike që perceptohej si arrogante, hipokrite dhe e vetëkënaqur. Historia e Ford, i cili vdiq nga kanceri në 2016, përmendet në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së. Sondazhet e diskutueshme të daljes së rezulateve nga kutitë e votimit tregojnë një rritje në votimin e Trump-it nga minoritetet. Pavarësisht katër viteve të asaj që shumë vëzhgues e cilësojnë si racizëm të hapur, z.Donald Trump ka mbledhur më shumë vota në favor të tij midis njerëzve me ngjyrë (katër pikë më shumë) dhe latino-amerikanëve (tre pikë më shumë) sesa kishte bërë në vitin 2016. Studimi i i kryer nga Edison Research për New York Times sugjeron gjithashtu se ai fitoi mbështetjen e një të tretës së elektoratit të lindur në Azi, një proporcion i mjaftueshëm për të hedhur poshtë analizën që politikat e tij i drejtohen vetëm kufijve të ngushtë të nacionalistëve të bardhë. Si të gjithë kandidatët demokratë për shumë vite, z.Joseph Biden ka marrë një shumicë të bindshme votash midis grupeve demografike jo të bardha. Në zonat kyçe urbane të Filadelfias, Milwaukee, Atlanta ose Phoenix, votuesit afrikano-amerikanë, latinë dhe aziatiko-amerikanë i dhanë një rezervë votash vendimtare për fitoren e tij.Sidoqoftë, duke pasur parasysh faktin se z.Trump dukej të ishte racist dhe që progresistët prisnin të korrin përfitimet e transformimeve afatgjata demografike, ia vlen të pyesni veten sesi i nominuari republikan arriti të ruajë, apo edhe ta përmirsojë rezultatin e tij midis njerëzve me ngjyrë, latino-amerikanëve apo dhe të tjerëve. Një element i parë i shpjegimit mund të jetë se, për shumë votues jo të bardhë, sjellja e tij thjesht nuk përmbush përkufizimin e tyre mbi racizmin. Kuptimi i racizmit shpesh luhatet në përputhje me përkatësitë klasore, veçanërisht kur shprehet në mënyrë të paqartë, në formën e nënkuptimeve. Edhe kur z.Trump i mbush fjalët e tij me kode të ngarkuara racore në lidhje me imigracionin ose krimin, nuk është e qartë se amerikanët jo të bardhë ndihen personalisht të shënjestruar. Kampioni i “Amerika e para” mirëpret fansat e tij me ngjyrë dhe latinoamerikanë pa u treguar selektiv, për sa kohë që bien dakord për një imazh të caktuar të suksesit dhe konservatorizmit.

Udhëheqësit e majtë e shohin si detyrim mbështetjen e minoriteteve

Ideja e votimit sipas blloqeve demografike që ndahen sipas kategorive racore ka qenë gjithmonë një mit. Nëse rezultatet e zgjedhjeve të fundit presidenciale të SHBA-së do të mund të sheshojnë iluzionin se popullatat jo të bardha përbëjnë grupe interesi monolitik, do të përbënte progres. Z.Trump, për shembull, ka përfituar shumë nga mbështetja e elektoratit kubano-amerikan në MiamiDade County, Florida, një komunitet i asimiluar me Latinos, por shpesh i identifikuar si i bardhë, dhe që duket se ka vendosur anti-komunizmin në krye të rendit të prioriteteve të tij elektorale. Nga ana e tyre, udhëheqësit e majtë shpesh kanë përdorur akuzën e racizmit si një trampolinë retorike për ta vendosur veten si miqtë e vetëm të vërtetë të pakicave racore dhe për ta konsideruar mbështetjen e tyre si detyrim. Por strategjia është konsumuar. Midis kategorive të njohura të të gjitha origjinave, lodhja po rritet përballë politikanëve të paaftë për ta frenuar përkeqësimin e kushteve të tyre të jetesës dhe dyshimin se i shikojnë nga lartë. Një stereotip që media e ekstremit të djathtë po përpiqet të përkeqësojë. Për shumë, kënaqësia kur panë këtë kastë duke bërtitur me tmerr është arsye e mjaftueshme për të votuar për kundërshtarin e parë, sado i papërmbajtur të jetë ai. Ashtu si Ford disa vjet më parë, z.Trump shtyp furishëm të gjithë çelësat në tastierën e ndarjeve racore, duke shkelur pronat e devotshme të ligjërimit të elitave. Brenda elektoratit të bardhë, tek i cili mbetet kryesisht i fituar, sjellja e tij duket se ka larguar disa nga mbështetësit, veçanërisht midis të diplomuarve, gjë që një luftë kulturore dhe politike gjithnjë e më e hapur u kundërvihet të bardhëve të tjerë që nuk kanë studiuar. “Pse votuesit në grupe minoritare që supozohen të jenë shënjestër e racizmit të presidentit, jane duke mbështetur Trumpin?”, pyeti Musa Al-Gharbi, një sociolog në Universitetin Columbia, në një artikull të botuar një ditë para zgjedhjeve. Thjesht mund të ndodhë që disa nuk i shohin komentet e tij dhe veprimet e tij politike si raciste. Shumë shpesh akademikët vërtetojnë se diçka është raciste duke u përqëndruar ekskluzivisht në mënyrën në të cilën fjalët ose propozimet që nuk i pëlqejnë jehojnë midis njerëzve të bardhë. Nuk u shkon ndërmend t’i kushtojnë vëmendje rezonancës që mund të gjejnë brenda pakicave. Kur të ndodhin, rezultatet mund të jenë befasuese”. Retorika konservatore rreth imigracionit, policisë ose pasigurisë rezonon me votuesit me ngjyrë dhe latinë të paktën po aq sa me votuesit e bardhë, ndonjëherë edhe më shumë. Në përpjesëtim, njerëzit me ngjyrë dhe latinët, si dhe aziatiko-amerikanët, janë më të prirur, në tema të caktuara siç është feja, të anojnë drejt anës konservatore sesa progresistët e bardhë, të cilët përbëjnë batalionet e mëdha të koalicionit zgjedhor. Kjo prirje nuk është përkthyer kurrë në mbështetjen e shumicës për një kandidat republikan, lokal ose kombëtar, por përbën një kërcënim serioz për demokratët.

Në fillim të këtij viti, Al-Gharbi shkroi një tjetër artikull mbi mënyrën se si elitat progresiste e shohin rolin e tyre në formësimin e politikës racore dhe racizmit në Shtetet e Bashkuara: ata thonë se ështe përgjegjësia e tyre t’i mbrojnë pakicat kundë racizmit, e në të njëjtën kohë tê kenë kontroll mbi përkufizimin e racizmit. Mënyra në të cilën disa demokratë kanë përdorur këtë çështje për të bllokuar rrugën drejt kërkesave sociale është vetëm një aspekt i problemit, siç shkruan Al-Gharbi në artikullin e tij, me titull “Kush duhet t’a përcaktojë se ç’është racizmi”. “Elitat e bardha – të cilët luajnë një rol kryesor në përcaktimin e racizmit në akademi, në media dhe në kulturën në përgjithësi – duket se e përcaktojnë racizmin sipas kritereve që përputhen me preferencat dhe përparësitë e tyre”, shkruan ai. Në vend që të merren me largimin e privilegjeve të racës së bardhë ose t’u japin më shumë të drejta atyre që nuk i kanë, ata duket se kanë të bëjnë kryesisht me konsolidimin e kapitalit shoqëror dhe kulturor në duart e të bardhëve “të mirë”. Pa dyshim, në nivel elektoral, kjo tryezë mund të sjellë disa kundërshtime. Është e padiskutueshme, për shembull, që sulmet e z.Trump ndaj racizmit nuk burojnë vetëm nga elitat e bardha: shumë prej aktivistëve, politikanëve ose protestuesve të zakonshëm që i bien këmbanave të alarmit për presidentin janë njërëz me ngjyrë ose latinë të cilët nuk i përkasin asnjë elite. Por, në një pikë, kritika e Al-Gharbi është e saktë.

Për elitat demokratike, që kullojnë nga vetëkënaqësia mbi këto çështje, ekziston një interes i qartë për të përcaktuar “racizmin” në një mënyrë që u jep atyre një avantazh ndaj republikanêve. Kjo shpjegon pjesërisht entuziazmin me të cilin ata vlerësojnë risitë semantike që supozohet se marrin parasysh të drejtat e pakicave, edhe kur këto të fundit nuk e shohin domosdoshmërisht interesin. Duke u paraqitur si arbitër i asaj çka është racizëm dhe çfarë nuk është, progresistët e bardhë rrezikojnë ta politizojnë subjektin në avantazhin e tyre dhe ta heqin atë nga duart e të interesuarve, me qëllim që ta përdorin si armë në përballje me elitat e tjera të bardha. Ata kërcënojnë të zbrazin nga përmbajtja një koncept për të cilin minoritetet kanë nevojë për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e tyre përballë sulmeve që u janë nënshtruar. Ekziston një analogji, në një farë mase, midis këtij fenomeni kapje dhe akuzave të antisemitizmit të ngritura për të diskredituar çdo kritikë të politikës së jashtme amerikane ndaj Izraelit.

Aparati demokratik refuzon çdo reformë ekonomike ambicioze

Është e vështirë të thuash se çfarë përcaktoi zgjedhjen e njerëzve me ngjyrë dhe latinëve që votuan për z.Trump. Ndoshta vlerësimi i virilitetit në retorikën presidenciale ka gjetur një jehonë të favorshme tek burrat të prirur për të bërë që interesat gjinorë të mbizotërojnë mbi interesat e tyre të racës ose klasës. Sidoqoftë, ka pak dyshim që demokratët do të ishin në gjendje të përkryer ta kundërbalancojnë peshën e këtyre përcaktuesve kulturor nëse vendosin të miratojnë politika që do të përmirësonin materialisht kushtet e jetesës së klasave punëtore. Por masa e dobët e politikës simbolike të identitetit të ofruar nga demokratët siguron pak fuqi për pakicat, dhe shumë prej tyre nuk do ta pranojnë gjithmonë një regjim të tillë. Paga minimale prej 15 dollarësh në orë dhe mbulimi mjekësor për të gjithë do të ngushtonte ndjeshëm hendekun e pabarazisë racore, ndërsa përfitonte gjithashtu nga klasat e bardha punëtore. Megjithatë, për shumë vite aparati i partisë vazhdoi refuzimin e tij kokëfortë të çdo reforme ambicioze ekonomike ose shoqërore, duke u kënaqur me masa të vogla të padëmshme me shpresën se ato do të ishin të mjaftueshme për t’a hedhur. Sot rezistenca është thyer. Demokratëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të kalojnë reforma thelbësore, ndoshta duke menduar për pozicionin e lavdishëm në të cilin do të ishin gjendur po të mos kishin bërë fushatë kundër një presidenti të urryer dhe krenar mbi paaftësisë e tij të zymtë përballë shëndetit, ekonomisë dhe katastrofës sociale. Nëse racizmi trajtohet jo si një atribut i qenësishëm i disa njerëzve, por si një mendim (i gabuar) që mund të korrigjohet, mbase do të ndihmonte në shuarjen e kësaj lufte të pafund kulturore e cila pengon mbrojtjen e interesave të përbashkëta ekonomikë.