“NO BORDERS ORCHESTRA”, MUZIKA KLASIKE QË RRËZON MURET E BALLKANIT
Orkestra e lidhjeve sociale

I themeluar në viin 2012, “No Borders Orchestra” është një grup transkombëtar unik në llojin e vet në Ballkan. Nëpërmes muzikës klasike, ai krijon një hapësirë të bashkëpunimit artistik në mes muzikantëve të rajonit.

1236

“Muzika rrëzon muret”. Kjo formulë shumë e vjetër rigjen tërë kuptimin e saj sot, tridhjetë vjet pas rrëzimit të Murit të Berlinit, kur mure të rinj të ndërtuar gjithkah nëpër botë, theksojnë ndarjet e thella të shoqërisë bashkëkohore. Kjo moto është në zemër të “No Borders Orchestra” (NBO), një orkestër e përbërë nga muzikantë profesionalë në të katër anët e ish-Jugosllavisë.

I themeluar në vitin 2012 nga dirigjenti serb Premil Peroviq, i cili banon aktualisht në Berlin, “No Borders Orchestra” është i vetmi orkestër i pasjugosllavisë që ka nënshkruar kontratë te gjiganti “Universal Music”. Disku i parë i NBO-së i titulluar “The Opening” ka dalur në vitin 2015 për “Deutsche Grammaphon”, emri kryesor botëror i musikës klasike. Prej themelimit të saj, kjo orkestër e pazakontë ka shëtitur botën dhe paraqet sot një portofolio mahnitëse, ku figurojnë Festivali i Vjenës, Festivali i Vjeshtës në Paris, apo edhe Brisbane Festival në Australi.

 « Muzikantët tanë kanë role të mëdhenj në orkestrat më të rëndësishme të rajonit. Disa prejt tyre japin shfaqje me orkestra edhe jashtë, sikur violonisti jonë i parë Stanko Mandiq, i cili është edhe violina e parë e orkestrës simfonike eminente të Radios së Bavarisë. Fatkeqësisht, ne nuk mund t’i ofrojmë atyre kushtet e njëjta financiare si orkestrat ndërkombëtare, por ajo që mund t’i propozojmë atyre, është cilësia artistike dhe dimensioni social i orkestrës tonë”, pohon Premil Petroviqi.

“No Borders Orchestra” është padyshim një vektor i lidhjeve sociale. Për më shumë se njëqind muzicienë të përfshirë në projekt, që kanë të gjithë një përgatitje formale muzikore, ky është i vetmi rast për t’i takuar harqet me kolegët e tyre të vendeve të tjera të rajonit.

“Fantastike, ne formojmë një ekip të shkëlqyeshme. Vërtetë jemi në të njëjtat valë”, thotë me entuziazëm Spela Mastnak, bateriste slovene. “Atmosfera është e shkëlqyeshme. Veç kam njohur miq të rinj. Në planin muzikor, gjëja më e mirë është se këta janë muzikantë lartë të kualifikuar dhe të talentuar”, shton Arben Ademi, violonisti i Mitrovicës i cili iu ka bashkëngjitur grupit para disa muaj.

Dialogimi simfonik ndërkulturor

“No Borders Orchestra” ka si qëllim të saj kryesor vënien në pah të bashkëpunimit kulturor midis vendeve të ndryshme të Ballkanit perëndimor. “Nuk ekziston asnjë dialog në mes skenave kulturore të vendeve të rajonit. Kompozitorët e Beogradit nuk i njohin veprat e kompozitorëve të Prishtinës, ata të Zagrebit nuk e dinë se çka bëjnë homologët e tyre të Shkupit. Të vetmin kontakt që kam pasur me kolegët e mi të rajonit janë ato të kohës së studimeve, kur performoja në disa orkestra të rinisë. Në NBO, kam ritakuar kolegët me të cilët kam luajtur para 10 viteve, kjo gjë ta ngroh zemrën”, gëzohet violonistja nga Zagrebi Lana Adamoviq.

Përtej nxitjes së këmbimeve në mes muzikantëve, “No Borders Orchestra” mundohet gjithashtu t’i bëj të njihen dhe të dialogojnë në mes veti kompozitorët e rinj, të cilët vijnë nga vendet që kanë dalur nga shpërbërja e Jugoslavisë. Në Zagreb, ku i kemi takuar, ata kanë prezentuar B Matinée, një program eklektik që është një miks i  muzikës tekno, muzikës klasike dhe asaj bashkëkohore, përbërë nga veprat e autorëve të  Ballkanit, si Drashko Adxhiq nga Beogradi ose Drinor Zymberi nga Prishtina.

“Problemi me rajonin tonë është që eksodi është njëdrejtimësh : më të mirët shkojnë dhe të tjerë po aq të mirë nuk vijnë. Nuk ka këmbim, por vetëm një fluks largimi, ikjeje” – Premil Petroviq

“Fjala Matinée, në emërtimin e projektit tonë, sugjeron një fillim të ri, nisja e një komunikimit të ri. Gëzohem që kemi mbledhur në këtë projekt, kompozitorë pasionues dhe autorët e rinj më përfaqësues të rajonit. Në B Matinée, ata hyjnë në dialog me kulturën e klubeve dhe në mënyrë më specifike me Berghainin, klubi i famshëm berlinez, me rezonancat dhe stilin e tij. Nga kjo nuk del asnjë muzikë klasike ose muzikë klubi, por diçka personale, e sinqertë, e gjallë dhe e ndryshme.  Berghaini  simbolizon rrënimin e mureve që i kemi brenda nesh dhe që na mbyllin. Është thirrje për liri dhe një përurim i ekcesit. Shkronja B në titullin e tuneut tonë është për Berghain, Berlin, Ballkan dhe Beyond (përtej)”, shpjegon themeluesi i NBO-së. “Ky projekt shënon gjithashtu tridhjetëvjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit. Ky moment që e ka shënuar fundin e një bote të ndarë nga forcat destruktive, që paradoksalisht ishte edhe momenti i shpërthimit të tensioneve në Jugosllavi. Nga shtatë shtete që e përbënin dikur një shtet, nga një qytet dikur i ndarë në dysh, NBO bën një muzikë që kremton perspektiva të reja.”

Ekzodi muzikor

Kjo është një prirje e kahmotshme: muzikantët e rinj të Ballkanit, sidomos ata të cilët janë të orientuar kah muzika klasike ose xhezi, lëshojnë gadishullin ballkanik me shpejtësi të madhe. Në mesin e tyre edhe shumë muzikantë të “No Borders Orchestra” që ndajnë kohën e tyre në mes vendlindjes dhe një shteti perëndimor. “Kjo është diçka e përhapur : muzikantët braktisin vendin e tyre për t’u profesionalizuar, apo për të punuar jashtë. Kështu ka muzikantë gjermanë që shkojnë në Shtetet e Bashkuara, por edhe amerikanë që shkojnë në Gjermani. Problemi me rajonin tonë është që eksodi është njëdrejtimësh : më të mirët shkojnë dhe të tjerë po aq të mirë nuk vijnë. Nuk ka këmbim, por vetëm një fluks largimi, ikjeje”, thotë me hidhërim shefi i NBO.

“Vendet e Ballkanit nuk investojnë në kulturë si Gjermania. Nuk ka para. E shoh që musicienët janë shumë të hapur dhe të motivuar, por për shkak të mungesës së mjeteve financiare, ata duhet të bëjnë shumë kompromise”, thotë sllovenja Stela Mastnak, që jeton në Frankfurt, ku është e angazhuar në grupe  të shumta muzikore.

Arti dhe kultura janë larg të qenit prioritet i shefave të shtetit të rajonit. Edhe iniciativat e çmueshme si “No Borders Orchestra” nuk i ikin kësaj logjike. Mbështetja financiare që gëzojnë vjen kryesisht nga jashtë, me një përjashtim: ata mbështeten prej para kohe nga Zyra Rajonale e Bashkëpunimit për Rininë e Ballkanit Perëndimor (RYCO).  “Prej vitit 2012, konkurojmë për grante pranë Ministrisë së Kulturës së Serbisë, pasiqë selia jonë është në Beograd, por nuk e kemi marrë kurrë asnjë cent”, thotë me keqardhje Premil Petroviqi.

(Courrier des Balkans)