
Për më shumë se njëzet vjet, në debatin publik është imponuar opinioni se siguria jonë – që nënkupton, në mënyrë shumë restriktive, parandalimin e cenimit të integritetit fizik – do të garantohet me koston e një kontrolli gjithnjë e më të madh të pushtetit ndëshkues në jetën tonë. Me fjalë të tjera, lufta kundër krimit nënkupton zbutjen e kornizës ligjore dhe kontrollin gjyqësor të autoriteteve penale, në veçanti të policisë. Në kohën kur gjithëprania e çështjes terroriste pamundëson dialogun paqësor, e vështirë mbetet të vësh në dyshim atë që duket e e duhur.
Sidoqoftë, po shfaqet një realitet krejtësisht tjetër. Nga njëra anë, siguria e premtuar nga arkitektet e kësaj qasje ndëshkuese mbetet një mirazh – për t’u bindur, mjafton ta kujtojmë masakrën e tmerrshme në Nice, më 14 korrik 2016, e cila ndodhi edhe pse për tetë muaj ishte shpallur gjendje e jashtëzakonshme, si mjet më i lartë i këtyre kompetencave të plota policore për t’i mbrojtur qytetarët. Nga ana tjetër, “sigurizimi” (siguria me masa represive) prodhon efekte shumë reale në popullatat që janë më të ekspozuara, përkatësisht klasat e varfëra. Derisa këto klasa janë më shumë viktima të veprave delikuente, për shembull janë dy herë më të ekspozuar ndaj rrezikut të vjedhjes së automjetit të tyre dhe tri herë më shumë të ekspozuar ndaj dhunës seksuale se klasat e pasura1, ato janë të nënshtruara ndaj rritjes së pasigurisë përballë policisë dhe gjyqësorit. Në veçanti, kontrolleve më abuzive dhe më diskriminuese të policisë i nënshtrohen të rinjtë që përmes veshjes duken tipik të lagjeve të varfëra. Ata kanë gjashtëmbëdhjetë herë më shumë gjasa t’iu nënshtrohen kontrolleve të identitetit, se të rinjtë e veshur më shtrenjtë2.
Klasat e varfëra janë gjithashtu më të penalizuara. Ato janë të mbipërfaqësuara nëpër burgje: 48.5% e të burgosurve nuk kanë diplomë dhe 50% nuk kanë qenë duke ushtruar ndonjë aktivitet profesional kur janë burgosur3. Në të njëjtën kohë, përveç disa rasteve shumë të mediatizuara, autoritetet e zbatimit të ligjit nuk merren me luftën kundër krimit të rëndë ekonomik dhe financiar; prioriteti i tyre mbetet trajtimi i shpejtë i delikuencës më të dukshme: delikuencës së rrugës. Numri total i hetuesve policorë të specializuar në çështjet ekonomike dhe financiare, i cili veç ishte shumë i ulët, ka kaluar prej 529 në fund të vitit 2013 në 514 katër vjet më vonë4.
Efektet shkatërruese të dhunës policore
Duke i marrë ekonomistët neoliberal si model, mund të argumentohet se “bon-sens” i sigurisë dështon aq keq në qëllimet e tij për shkak se ndëshkimi nuk është ende i mjaftueshëm. Por, mund të thuhet gjithashtu se arsyeja vjen nga fakti që ju kemi qasur gabimisht problemit. Të kesh siguri nuk do thotë të mbështetesh në arbitraritetin e kompetencave të zbatimit të ligjit, në këmbim të një garancë kimerike kundër çdo rreziku të agresionit: do të thotë të përfitosh nga mbrojtja e ligjit kundër çdo abuzimi të pushtetit, qoftë ajo nga individët privat apo autoritetet publike. Gurthemeli i rendit ligjor që u vendos gjatë Revolucionit, kërkesa për siguri supozon barazinë ligjore strikte të individëve, pavarësisht pozitën e tyre në shoqëri. Kjo nuk nënkupton plotëfuqinë e autoriteteve, por nënkupton vartësinë e tyre ndaj ligjit dhe përkatësisht mbrojtjen efektive juridike të njerëzve më të cenueshëm. Ligji “duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, qoftë për të mbrojtur, apo për të ndëshkuar”, thuhet nëDeklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit të vitit 1789.
Kërkesa për shembulltyrë është imponuar në rend të parë për përfaqësuesit e autoriteteve publike. Duke u ndarë nga kodi i ‘Ancien Régime’, kodi penal i vitit 1791 krijoi emërtime për vepra penale dhe kundërvajtje për t’i ndëshkuar keqpërdorimet e zyrtarëve publikë (p.sh. përvetësimi i mjeteve ose keqpërdorimi i pozitës). Kështu përkthehet kuptimi i ‘Constituants’, sipas të cilit cenimi i lirisë së huaj është më i rëndë, ngase vjen nga një person që përfaqëson interesin e përgjithshëm. Këtu nuk janë shprehur vetëm aspiratat radikale demokratike të akterëve të Republikës së Parë, por edhe pragmatizmi i tyre i thellë. Njëri nga shpikësit e legjislacionit penal revolucionar, Louis-Michel Lepeletier de Saint-Fargeau, tha në 1791: “Një forcë policore e duhur me sjellje të mirë i nevojitet një popullit të lirë, e jo keqtrajtime. Kemi vërejtur se krimet shumëfishohen kudo që mbretëron despotizmi, arsyeja mund të jetë për shkak se njeriu aty ka degraduar, e mund të thuhet se liria, sikurse bimët e forta dhe të qëndrueshme, pastron shpejtë nga çdo prodhim të dëmshëm tokën e lumtur ku kishin mbirë.5 “
Ky konstatim ende është i vlefshëm. Është në vendet ku zbatohet represioni joroporcional, të praktikuar nga një polici shumë të militarizuar, si Brazili, Meksika ose Kolumbia, ku regjistrohet numri më i madh i vrasjeve të qëllimshme për kokë banori. Kjo politikë nuk e zvogëlon numrin e rasteve të dhunës , përkundrazi kontribuon në përkeqësimin me një përshkallëzim luftarak, ku militarizohen vetë aktorët e krimit të organizuar6. Në Shtetet e Bashkuara, sistemi ndëshkues është nga më të pamëshirshmët – gati një e katërta e numrit të të burgosurve në botë7 – dhe shkalla e vrasjeve të qëllimshme e cila edhe pse është në rënie mbetet e pakonkurueshme me atë të vendeve evropiane: 5.35 për 100,000 banorë në vitin 2016, krahasuar me 1.35 në Francë dhe 1.18 në Gjermani.
Pra, mënyra se si parandalohen, identifikohen dhe ndëshkohen abuzimet nga shërbimi policor është vendimtar për shëndetin e një demokracie. Dështimet në këtë fushë na ekspozojnë jo vetëm në arbitraritetin e autoriteteve publike, por edhe në rritjen e dhunës. Në fakt shkaktojnë radikalizimin e sjelljes kriminale që pretendojmë ta luftojnë, ndërsa dëmtojnë lidhjen e besimit në mes policisë dhe popullatës, e cila mund të ngurroj t’i raportoj krimet e pësuara, apo akoma më keq, të favorizoj përdorimin e dhunës private për t’i zgjidhur konfliktet.
Duhet insistuar mbi nevojën e ndëshkimit të delikuencës së komponenteve tjera të klasës drejtuese dhe veçanërisht të elitës ekonomike, proporcionalisht cenimit që i shkaktohet kohezionit shoqëror. Ndikimi i krimeve ekonomike është edhe më i rëndësishëm kur kryhen nga njerëzit në pushtet. Së pari, natyrisht, për shkak të rëndësisë së tyre potenciale: mashtrimi tatimor gjeneron një humbje të buxhetit të vlerësuar në disa dhjetëra miliarda euro8; megjithatë, në vitin 2016 vetëm 524 raste ishin dënuar për mashtrime tatimore dhe autoritetet tatimore përcjellin më pak se 1.000 raste drejt sistemit të drejtësisë nga afro 15,000 raste që i zbulojnë mesatarisht çdo vit9. Më gjerësisht, krimet ekonomike dhe financiare përfaqësuan vetëm 3% të ndjekjeve penale në vitet 2016 dhe 201710.
Për më tepër, ekziston rreziku që praktikat kriminale të klasave në pushtet të fitojnë një dimension qendror në marrëdhëniet ekonomike dhe shoqërore, që do të rezulton në kolapsin e përgjithshëm të mbrojtjes ligjore, të cilën qytetarët mund ta gëzojnë. Ata në fakt do të detyrohen të paguajnë shuma të fshehta vetëm për të ushtruar të drejtat e tyre ekonomike dhe sociale, ndërsa korrupsioni dhe privatizimi i aparatit ndëshkues nga të pasurit do t’i ekspozon ata në dhunën policore, ose në pandëshkueshmërinë ndaj dhunës private, nëse ata kanë fatkeqësinë të bien ndesh me ta.11
Për më tepër, në vendet ku korrupsioni i elitës është i lartë kemi dobësimin e përgjithshëm të nivelit të nënshtrimit ndaj ligjit nga e gjithë popullata: aty ku të mëdhenjtë nuk i nënshtrohen ligjit, banalizohet mashtrimi dhe madje edhe normalizohet, në raport me institucionet shtetërore, veçanërisht në çështjet tatimore. Për shembull, në Itali, depërtimi i mafias e bën popullsinë më tolerante ndaj evazionit fiskal dhe më gjerësisht ndaj combinazione (dallaveret dhe marrëveshjet e vogla me ligjin)12. Përsëri, zbatimi i rregullit ligjor në klasat e larta kushtëzon drejtpërdrejt sigurinë e të gjithëve.
Në të njejtën mënyrë, duhet pasur sa më shumë vigjilencë sa i përket kushteve për mbrojtjen e të drejtave të personave më të cenueshëm, veçanërisht kur ato kundërshtohen nga pushteti publik ose privat. Me fjalë të tjera, fuqia demokratike e një sistemi juridik matet edhe nga aftësia e tij për të funksionuar pa interes, domethënë për ta garantuar mbrojtjen e ligjit për ata që në mënyrë të veçantë apo sistemore nuk kanë asnjë burim tjetër (ekonomik, kulturor, social …) për t’i mbrojtur interesat e tyre. Kështu, fati i rezervuar për njerëzit e brishtë, siç janë fëmijët, të burgosurit, shtetasit e huaj dhe përgjithësisht të gjithë ata që gjinden në situatë të brishtësisë ekonomike dhe sociale, është një indikator përcaktues.
Tani, fëmijët gëzojnë sigurisht mbrojtje relativisht të gjerë kundër arbitraritetit të të rriturve, brenda dhe jashtë sferës familjare. Por, situata është ndryshe për të burgosurit. Kushtet e paraburgimit, të kritikuara rregullisht nga autoritetet kombëtare dhe evropiane monitoruese të respektimit të lirive themelore, ua shkelin dinjitetin themelor. Situata është ndryshe edhe për shtetasit e huaj, madje edhe të mitur, gjendja e rëndë e të cilëve ka vazhduar të përkeqësohet gjatë njëzet viteve të fundit, qoftë për sa i përket të drejtës së tyre për të qëndruar, apo procedurave që lidhen me dëbimin e tyre në kufi. Personat në situatat e pasigurta shpesh hasin në vështirësi të konsiderueshme në respektimin e të drejtave të tyre sociale. Kështu, një procedurë gjyqësore është zhvilluar kohët e fundit rreth fshirjes nga listat e Pôle emploi të praktikuar në mënyrë abuzive, duke nxjerrë në pah situatën e “pasigurisë” totale në të cilën gjenden disa përfitues të ndihmave, të cilët përballen me pezullimin e parakohshëm të të drejtave të tyre.
Sikurse sanksionimi i paligjshmërisë së klasës qeverisëse që ndikon në nivelin e përgjithshëm të zbatimit të ligjit në shoqëri, mbrojtja ligjore që gëzojnë njerëzit më të prekshëm mund ta forcojë ose përkundrazi ta dobësojë sigurinë e secilit qytetar. Sa më shumë autoritetet inkurajohen t’i respektojnë të drejtat e më të varfërve, aq më shumë do të jenë të prirur t’i respektojnë të drejtat e atyre që janë në situatë për t’i kërkuar vetë. Përndryshe, dobësimi i garancive që u njihen disave, mund të shtrihet lehtë edhe te të tjerët. Kjo është vërejtur me masat kufizuese të lirive për të cilat ligji për të huajt ka shërbyer si eksperiment. Urdhër-arrestet shtëpiaka për personat që i nënshtroheshin detyrimit për ta lëshuar territorin francez, të shqiptuar pa asnjë kontroll gjyqësor, u zgjeruan pastaj tek tifozët potencialisht të dhunshëm. Vetëm censura e Këshillit Kushtetues bëri të mundur që këto urdhër-arreste shtëpiaka të mos zgjeroheshin edhe për protestuesit13.
Imponimi i nivelit të njëjtë të
zbatimit të ligjit nga lartë-poshtë shoqërisë përbën një çështje parësore
demokratike. Nëse sundimi i ligjit bëhet i dukshëm për shumicën e qytetarëve,
ata përfundimisht nuk do t’i japin rëndësi retorikës së sigurisë.
* Profesor i asociuar në Universitetin Paris Nanterre, autor i Sortir de l’imposture sécuritaire, La Dispute, Paris, 2016.
[1] Cf. Rapport i hetimit « Cadre de vie et sécurité 2018 », ministria e puneve të brendshme, Paris, dhjetor 2018.
[2] René Lévy et Fabien Jobard, « Les contrôle d’identité à Paris », Questions pénales, n° 23.1, Qendra e hulumtimeve sociologjike mbi drejtën dhe institucionet penale, Guyancourt, janar 2010.
[3] « Qui sont les personnes incarcérées ? », Observatorir ndërkombëtar i burgjeve, ww.oip.org/en-bref
[4] « Les moyens consacrés à la lutte contre la délinquance économique et financière », Cour des comptes, Paris, 12 dhjetor 2018.
[5] Cituar në Félix Lepeletier de Saint-Fargeau, Œuvres de Michel Lepeletier de Saint-Fargeau, Lacrosse, Bruxelles, 1826.
[6] « How’s life ? », rubrika « Safety », OCDE, Paris, www.oecdbetterlifeindex.org
[7] Roy Walmsley, « World Prison Population List », 11e edicion, Institute for Criminal Policy Research, Londër, 2016.
[8] « Commission d’enquête sur l’évasion des capitaux et des actifs hors de France et ses incidences fiscales », Senat, Paris, 17 korrik 2012.
[9] « Rapport d’information sur les procédures de poursuite des infractions fiscales », n° 982, Assemblée nationale, Paris, 23 maj 2018.
[10] Infostat Justice, n° 169, ministria e drejtësisë, Paris, maj 2019.
[11] Pierre Lascoumes, Une démocratie corruptible. Arrangements, favoritisme et conflits d’intérêts, Seuil, coll. « La République des idées », Paris, 2011.
[12] Roberto Scarpinato et Saverio Lodato, Le Retour du prince, La Contre-Allée, Lille, 2015.
[13] Lexoni « Des sans-culottes aux “gilets jaunes”, histoire d’une surenchère répressive », Le Monde diplomatique, prill 2019.