BALLKANI PERËNDIMOR MIDIS RIPËRKUFIZIMEVE TERRITORIALE DHE (MOS)PERSPEKTIVËS EVROPIANE
Kurthi etnik

Korrigjim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, apo autonomi territoriale për serbët lokalë? Këto dy opsione mbi kritere etnike po vazhdojnë të qarkullojnë nga lartë, si mundësi zgjidhjeje në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, nën ofansivën diplomatike amerikane dhe nën hijen e pasivitetit të Bashkimit Evropian, që edhe ka bllokuar zgjerimin në Ballkanin Perëndimor. Kundrejt kësaj, sa mund të ndërtohet sot nga poshtë një alternativë progresive joetnike, në shoqëritë e globalizuara ballkanike, të dominuara nga politikat neoliberale ekonomike dhe nga pushtetet neoautoritare?

1046

Propozimi i fundit i Presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme ka ngritur pikëpyetje të ndryshme në rajon, nëse një plan i ngjashëm mund të propozohet për zgjidhjen e kontestit midis Kosovës dhe Serbisë, sidomos duke pasur parasysh, se ka një kohë që në qarqe të caktuara vendimmarëse diplomatike, po qarkullojnë ide për korrigjim të kufijve dhe autonomi territoriale, të cilat do të mund të shpiejnë në ndarje territoriale mbi kritere etnike. 

Idetë dhe parimet e tilla etnike po vazhdojnë të shihen si zgjidhje krizash në kontinentin evropian tridhjetë vjet pas rënies së Murit të Berlinit, në kohën kur duket i bllokuar zgjerimi i premtuar i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.  

Përderisa regjimet gjithnjë e më autoritare dhe më të korruptuara po qeverisin shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor duke e quajtur veten “pro-evropian”, shtrohet pyetja se çfarë strategji politike duhen zbatuar për transformimin demokratik dhe social të rajonit, që po shpopullohet çdo ditë e më shumë?

Për këto tema, pas krijimit të Qeverisë së re të Kosovës dhe në prag të paralajmërimit për rifillimin e dialogut për një “zgjidhje përfundimtare” midis Serbisë dhe Kosovës, bashkëbiseduam nga një perspektivë progresive, me dy njohës të zhvillimeve politike dhe shoqërore të rajonit : Igor Štiks, shkrimtar dhe teroricient politik, që ka lindur në Sarajevë dhe jetuar në Zagreb, e që sot ligjëron në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit në Beograd, pasi ka punuar në Universitetin e Edinburgut në Skoci; si dhe Visar Ymeri, sociolog, aktivist politik, ish-deputet dhe sot drejtor i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” nga Prishtina.

– Kohëve të fundit, Presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar një plan për Lindjen e Mesme. Ky propozim ka ngritur pikëpyetje të ndryshme në Kosovë, nëse një plan i ngjashëm mund të propozohet për zgjidhjen e kontestit midis Kosovës dhe Serbisë, sidomos duke pasur parasysh, se ka një kohë që në qarqe të caktuara vendimmarëse diplomatike, po qarkullojnë ide për korrigjim të kufijve dhe autonomi territoriale, të cilat do të mund të shpiejnë në ndarje territoriale mbi kritere etnikeSi e shpjegoni faktin se shfaqen ide dhe parime të tilla, tridhjetë vjet pas rënies së Murit të Berlinit ?

Igor Štiks: Të gjithë e dimë se kur shtrohen çështjet territoriale, gjendja bëhet shpërthyese në marrëdhëniet ndëretnike, ndërnacionale dhe ndëreligjoze. Në traditën e majtë njihet ajo që e quajmë « autonomi joterritoriale » e cila është zhvilluar para 100 vjetve në Austro-Hungari, me qëllim të zgjidhjes së çështjeve nacionale në shtetet multinacionale. Në Jugosllavinë socialiste pati përpjekje të kombinohet disi territorialiteti dhe joterritorialiteti, me idenë që disa grupe të njohura nacionale ta gëzojnë statusin e republikës, por edhe për entitetet historike, si p.sh me rastin e Bosnje dhe Hercegovinës, ku patën kombinuar parimet e djathta me parimin republikan civilo-qytetar. Pra janë provuar formula të ndryshme. Ideja për « ripërkufizim » të kufijve, përkatësisht ndarjes së popujve dhe territoreve, ishte e popullarizuar në qarqet nacionaliste të viteve ’90. Ajo bazohet në idenë se marrëdhëniet dhe sistemi demokratik janë të mundshme vetëm në vende me homogjenitet etnonacional. Kjo ide e perkufizimeve territoriale ka shpier në konflikte të drejtëpërdrejta, sepse siç dihet, nacionalistët ballkanikë mund të merren vesh për çdo gjë midis tyre, por jo për territore. Fakti se këto ide kthehen tridhjetë vjet pas rënies së Murit të Berlinit flet për politikën e pasuksesshme të superfuqive në Ballkan. Ato nuk arriten ta ndërtojnë paqen ku nuk do të shpërbleheshin spastrimet dhe dhuna etnike, e ku do të ishin bërë kompromise të caktuara kundrejt përqafimit të një modeli qytetar për shtetet e reja, me të drejta të barabarta për shumicat dhe pakicat, por edhe ndaj ideve të caktuara ku do të mund të jesh subjekt politik pa përkatësi etnike. Nëse ky Plani për Lindjen e Mesme ka ndonje ndërlidhje me Ballkanin, atëherë gjindemi në një situatë mjaft të rrezikshme.  

Getoja ballkanike

– Po ku është në këtë mes Bashkimi Evropian? Për nga perspektiva evropiane, ç’nënkupton fakti se po shqyrtohen sot parimet etnike si zgjidhje ? 

Igor Štiks: Bashkimi Evropian pati premtuar paqe të qëndrueshme në Ballkan nëpërmes integrimeve evropiane. Kjo nënkuptonte se nga territoret theksi do të vihej në struktura supra-nacionale, respektivisht që integrimet evropiane do të relativizonin rëndësinë e kufijve dhe territoreve, me faktin se nuk do të kishte kufij. Por sot e shohim se ky nuk është realiteti. E kemi një geto ballkanike në zemër të Bashkimit Evropian. Gjasat për zgjerim dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian janë sot të vogla dhe tashmë argumenti për integrime evropiane nuk ka ndonjë kuptim për njerëzit. Kjo nënkupton se është hapur hapësira për lojtarët e mëdhenj, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të zgjidhin problemet në Ballkan, duke mos përjashtuar mënyrat josubtile, nëse i referohemi idesë së përkufizimit të kufijve.

– Z. Ymeri, duket se sot po shqyrtohen dy modele mbi parime etnike për zgjidhjen e kontestit midis Kosovës dhe Serbisë, korrigjimi i kufijve dhe Bashkësia e komunave me shumicë serbe. A ka realisht ndonjë alternativë joetnike?

Visar Ymeri: Së pari problemi që po e shohim sot, veçanërisht pas rënies së Murit të Berlinit, globalisht e në rajonin tonë, është një konceptim tjetër i identitetit, nëse e krahasojmë këtë me konceptimin modernist të identitetit. Historikisht, identiteti, përfshirë identiteti kombëtar, ka qenë kryekëput i lidhur me pozitën socio-ekonomike të individit ose të një popullate. Me rënien e Murit të Berlinit, kur një pjesë e konsiderueshme e botës, veçanërisht teoretët e krahut të djathtë filluan ta shohin këtë si ‘fundi i historisë’ që nënkuptonte se sistemi aktual shoqëror-ekonomik do të jetë i përhershëm dhe i paalternativë, dallimet e vetme mes popujve, ose mes njerëzve, mbeten ato identitare/kulturore. Si të tilla ato u bën të paurëzueshme. Probleme të ngjashme kemi edhe në rajon. Identifikimi ka marrë formën e  ‘njëdimensionalitetit’ etniko-kulturor duke u zhveshur kështu nga të gjitha karakteristikat tjera individuale e grupore që e përbëjnë ‘shumëdimensionalitetin’ njerëzor e i cili do të reflektohej më së miri në identitetin qytetar si reflektim i plotnisë së vullnetit politik. Kështu që njëra prej arsyeve pse, përherë e më shumë, kemi një tendencë në rritje të etnizimit të problemit, e propozime të shtruara sipas parimeve etnike, është edhe rritja e rëndësisë dhe fuqisë së politikave identitare e forcave politike populiste nëpër botë, që reflektohen pashmangshëm edhe në rajon. Përgjithësisht, këto teori e koncepte politike ia nënshtrojnë komponentën socio-ekonomike ose politike, komponentës kulturore ose etnike. Pra, para se të flasim për pyetjen tuaj, mendoj se duhet ta njohim këtë dallim mes konceptimit të identitetit (edhe të atij kombëtar) si diçka që përmban brenda vetes karakteristika e veçori më të shumta identiteti krahas dhe përtej komponentës kulturore/etnike. Ky edhe ka qenë problemi që prej përfundimit të luftës në Kosovë. Prania ndërkombëtare në Kosovë – veçanërisht UNMIK – e ka parë Kosovën përmes thjerrëzave identitare dhe etnike, të cilat kanë paraqitur një tablo të një vendi ku jetojnë komunitete të ndryshme etnike (shqiptarët, serbët, etj.) dhe ku nuk nuk mund të tejkalohen dallimet midis tyre. Rrjedhimisht e vetmja gjë që duhej bërë sipas tyre ishte të mbahen ata të ndarë me njëri-tjetrin. Prandaj edhe duhej krijuar mekanizma institucionale të cilat do ta siguronin një jetesë të komuniteteve pranë njeri-tjetrit, e jo që kushtëzojnë bashkëjetesën me njëri-tjetrin. Pra që njerëzit të jetojnë përbrenda një territorit, por pa ndëraksionin e duhur shoqëror dhe ekonomik. Ky modalitet i ‘bashkëjetesës’ e ka rritur hendekun sidomos midis shumicës shqiptare dhe pakicës serbe, në vend se të ndërtonte ura dhe t’i përafronte më afër njeri-tjetrit. Ky hendek i zgjeruar është përdorur pastaj, veçanërisht nga qeveria aktuale e Serbisë, për të paraqitur kërkesa të bazuara në pamundësinë e bashkëjetesës midis komuniteteve të ndryshme etnike. Këto propozime nga Qeveria e Serbisë tutje i ndajnë komunitetet në Kosovë edhe më shumë dhe dëmtojnë potencialin bashkëjetues e bashkëpunues të popujve të rajonit, bashkëpunim ky që do të krijonte përfitime për të gjithë. Dallimet mes dy rezultateve të mundshme nga dialogu midis Kosovës dhe Serbisë (Bashkësia e komunave me shumicë serbe në njërën anë dhe korrigjimi i kufijve në anën tjetër) janë megjithatë më pak të rëndësishme, se ngjashmëria paradigmatike që këto dy ‘zgjidhje’ kanë – e ajo është interpretimi absolut etnik ndaj çështjeve socio-politike. Zgjidhja më e mirë do të ishte investimi në krijimin e identitetit të përbashkë qytetar të shoqërisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të kësaj shoqërie.

“Sot, perspektiva klasore është shtyrë në margjina dhe nuk e trajton askush edhe në Ballkan, ngase zgjidhjet kërkohen në krijimin e territoreve etnonacionale, të cilat eventualisht do të demokratizoheshin nëpërmjet një ristrukturimi neoliberal. Pra, në këtë kuptim gjindemi në kurth, sepse nga kjo perspektivë, çdo zgjidhje nënkupton konflikt rreth territoreve dhe kompetencave mbi resurset e atij territori” – Igor Štiks

– Po sa mund vërtetë të injorohen « çështjet kombëtare » në Ballkan ?

Igor Štiks: Kam përshtypjen se jemi në një kurth. Çështjet kombëtare janë të vendosura në mënyrën që pamundësojnë të nxjerrim ndonjë paradigmë tjetër. Kërkohen zgjidhje të cilat ofrojnë vetëm kritere territoriale, apo siç e tha z.Ymeri, me karakter ndarës ose të getoizimit të grupeve të ndryshme. Këto lloj zgjidhje nuk janë vetëm ballkanike. Ato u zbatuan edhe në Irlandën e Veriut, Liban, apo në Bosnje dhe Herzegovinë dhe në Kosovë. Pra, mungon çfarëdo imagjinate politike se si të ndërtohet bashkësia paskonfliktuoze që nuk do të ishte e ndërtuar mbi dallimet etnike dhe kulturore, të cilat ishin motori i luftës ose së paku motori mobilizues i tyre. Z.Ymeri përmendi problemin e kulturalizimit të marrëdhënieve politike, pra përkalimin nga marrëdhëniet klasore politike në çështjet ekskluzivisht identitare, si dhe natyrisht problemi që paraqitet se matrica e këtyre identiteve nuk mund të ndryshohen ose transformohen, ndryshe nga identitetet klasore të cilat ndryshojnë. Në këtë kuptim, e majta e sheh që shoqëria zhvillohet dhe që kompozicionet klasore mund të ndryshohen. Natyrisht se e majta dëshiron më shumë barazi në marrëdhëniet klasore, përderisa e djathta këmbëngul në ruajtjen e dallimeve klasore, të cilat shtrihen natyrisht përtej kufijve ose çfarëdo bashkësie identitare.  Sot, perspektiva klasore është shtyrë në margjina dhe nuk e trajton askush edhe në Ballkan, ngase zgjidhjet kërkohen në krijimin e territoreve etnonacionale, të cilat eventualisht do të demokratizoheshin nëpërmjet një ristrukturimi neoliberal. Pra, në këtë kuptim gjindemi në kurth, sepse nga kjo perspektivë, çdo zgjidhje nënkupton konflikt rreth territoreve dhe kompetencave mbi resurset e atij territori. E majta pasjugosllave ose edhe ajo ballkanike nuk ka gjetur përgjigjen e duhur për këto çështje, përpos në idenë që popujt e Ballkanit kanë jetuar së bashku në të kaluarën dhe do të jetojnë edhe në të ardhmen, e që rrjedhimisht kanë edhe interesa të përbashkët në ekonominë globale. Por, ky është sot qëndrim i pakicës.

– Z.Ymeri, si në shtetet e tjera të dalura nga Jugosllavia, edhe në Kosovë, nuk patën sukses projektet politike të bazuara mbi qytetarinë. Kush është sot kosovari? Ç’nënkupton politikisht të jesh qytetar ose shtetas i Kosovës?

Visar Ymeri: Para se t’i përgjigjem pyetjes, e cila më duket shumë interesante, dua të ndalem pak te një shpjegim më të gjerë. Nëse e marrim parasysh konceptualizimin marksist, proletari është ajo klasë shoqërore e cila nuk asgjë tjetër përveç fuqisë punëtore të cilën e shet. Pra, proletari është simbol i të shpronësuarit. Ndërkohë që sot, ne jemi në një pozicion pak më ndryshe – jo vetëm të shpronësuar nga të mirat materiale e resurset publike, por edhe nga vetë kërkesa për fuqinë tonë punëtore si ‘pasuria’ e vetme e proletarit. Alain Badiou thotë që një prej veçorive të kapitalizmit të vonë të automatizuar është edhe rritja e numrit të njerëzve të cilët janë të paeksploatueshëm.Të njëjtën gjë e kemi edhe në Kosovë, ku si rrjedhojë e mungesës së një zhvillimi të duhur ekonomik, kemi papunësi shumë të lartë dhe perspektivë shoqërore e ekonomike shumë të ulët. Rrjedhimisht, kjo na kthen më shumë kah identiteti kombëtar sikur e vetmja gjë e mbetur. Shpronësimi shihet si rrezik për asimilim. Por duhet ta kuptojmë këtë gjendje si aktualitet politik dhe jo si njëtrajtshmëri historike. Nuk ka qenë përherë kështu. Dhe nuk do të thotë se duhet të jetë përherë kështu. Kjo rritje e sentimentit nacionalist në rajon ka ndodhur përgjatë viteve të nëntëdhjeta dhe ka vazhduar pastaj pas luftërave në ish-Jugosllavi. Po t’i kthehemi Kosovës. Ka një hendek të madh mes asaj se si është konceptuar Kosova si shoqëri edhe si shtet nga Plani i Ahtisaarit dhe formën që e ka marrë pastaj gjatë implementimit të tij. Nëse e shohim teorikisht, ideja e Planit të Ahtisaarit, pra konceptimi i Kosovës si shtet dhe shoqëri multietnike, ka qenë që të mbillen gradualisht farat që do ta ngjiznin një identitet të ri, të bazuar në qytetari të kosovarit. Kjo pastaj do të nënkuptonte që të gjitha komunitetit në Kosovë, pra shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptasit, të fillojnë ta përqafojnë këtë identitet dhe të zhvendosen nga identifikimi i tyre etnik. Megjithatë, kjo ndodhi për shkak të dy arsyeve kryesore: e para është se në fund të fundit, Plani i Ahtisaarit është parë që nga fillimi si një projekt i mbivendosur nga jashtë, e jo si një projekt burimor i brendshëm. E dyta është se në vetë idenë ka aranzhime të cilat ushqejnë një dinamikë tjetër – atë të ndarjes. Rregullimi administrativo-territorial e ai institucional i Kosovës bazohet në dallimet etnike midis komunitetit shumicë dhe komuniteteve pakicë (veçanërisht atij serb). P.sh. komunat e Kosovës të cilat i takojnë të gjithëve dhe pastaj komunat me shumicë serbe të cilat janë të destinuara për njërin prej komuniteteve. Tutje, një pjesë e konsiderueshme e të drejtave që gëzojnë pakicat janë të akorduara për shkak të përkatësisë së tyre etnike, e jo të bazuara në korpusin e të drejtave qytetare. Kjo gjë është bërë kundërproduktive. Sepse në vend që identiteti etnik të lihet të vyshket, ai është mirëmbajtur dhe forcuar institucionalisht e territorialisht, si në rastin e komunave me shumicë serbe. Çka nënkupton të jesh kosovar? Natyrisht se kjo është një gjë që duhet të vendoset nga ne, populli i Kosovës. Kosovari do të duhej të ishte një identitet i cili bazohet më shumë në të përbashkëtën tonë, në kuptim të të drejtave që duhet t’i gëzojmë, të nevojave dhe të interesave ekonomike e shoqërore që i ndajmë, se sa në identitetet kulturore të cilat na ndajnë.

– Z. Štiks, punimet e juaja të fundit trajtojnë pikërisht çështjet e « qytetarisë » dhe   « shtetësisë » në shoqëritë e globalizuara?

Igor Štiks: Koncepti ‘shtetësi’ shpesh mbart në vete disa kuptime, por, në mendimin tim, shtetësia nuk është koncept neutral. Për shembull, në serbisht dhe kroatisht ekziston dallimi midis shtetësisë dhe qytetarisë si koncepte dhe kategori të ndryshme. Besoj kështu është edhe në gjuhën shqipe. Ne raste tjera, për shembull në gjuhën sllovene, ky dallim nuk ekziston. Ka vetëm një term të përgjithshëm për shtetësinë. Me fjalë të tjera, në punimet e mia unë kam trajtuar përkufizimin e konceptit të shtetasit dhe ndërtimin e konceptit të qytetarit. Pra, krijimin e qytetarisë, jo vetëm në kuptimin e të drejtave juridike që derivojnë nga shtetësia, por edhe të qytetarit si pjesëtar aktiv i bashkësisë së tij/saj politike. Në Ballkan kemi provuar modele të ndryshme në njëqind vitet e fundit. Është e vështirë të gjindet ndonjë model që do të prodhonte rezultat të dëshiruar vetëm sepse është i tillë në Kushtetutë. Z.Ymeri përmendi me të drejtë Planin e Ahtisarit, që tingëllon bukur në letër, por pastaj nuk zhvillohet në vakuum. Edhe mund të insistohet në model qytetar për rregullimin e shtetit vetëm se në përkatësinë shtetërore, por kjo nuk nënkupton se mund t’i harroni proceset e tjera politike. Identitetet etnike nuk janë vetëm veçori ballkanike, edhe pse mendohej se ishte vetëm ballkanike në vitet e ’90. Sot shohim se politikat nacionaliste, etnike, religjoze dhe identitare, dominojnë edhe në vende si Franca si një shtet që tradicionalisht ka themelet mbi shtetësinë. Andaj edhe atje shohim se partitë më të mëdha janë ato që avokojnë për ekskluzivitet etnik, të francezëve të vërtetë, kundrejt atyre që kanë ardhur nga vende të tjera. Shtetësia mund të përdoret për çështje të ndryshme. Në Jugosllavi mendohej se zgjidhja ishte gjetur në të ashtuquajturën shtetësinë federale që kombinohej me shtetësinë republikane, por ku kishte brenda republikave edhe autonomi të caktuara, si në rastin e Kosovës, e që përkonte me regjistrimin e shtetasve apo edhe me lëshimin e dokumenteve të udhëtimit, që nuk ishte i centralizuar, meqë ato lëshoheshin edhe nga ana e krahinave. Pra kishte përpjekje për modele të ndryshme që të zgjidhen çështjet kombëtare edhe duke i bërë të parëndësishme në shoqërinë socialiste. Dihej se nuk mund të shmangej çështja kombëtare shqiptare në një shtet që quhej Jugosllavi si vend i sllavëve të jugut, kur dihej se shqiptarët nuk janë sllavë. Në përgjithësi janë kërkuar zgjidhje kreative. Ajo që më shqetëson sot është se hapësirën e shtetësisë e shohim si hapësirë për etnifikim, si në Ballkan, ku në shtetësi përfshihen realisht vetëm pjesëtarët e përkatësisë dominuese etnike dhe duke përjashtuar të tjerët. Këtij modeli janë duke i kushtuar rëndësi edhe shtetet në fqinjësi, si Hungaria ose Bullgaria, që i japin qasje në shtetësi pjesëtarëve të etnisë së tyre jashtë kufijve të tyre shtetëror. Këtë e bëjnë pothuajse të gjitha shtetet e Ballkanit, përpos Shqipërisë. Mekanizmat shtetërore përdoren për ta veçuar përkatësinë etnike, por pas spastrimeve etnike dhe inxhinieringut etnik përmes shtetësisë, po ndodhë edhe migrimi etnocentrist. Njerëzit migrojnë atje ku janë shumicë, serbët e Bosnjes shkojnë në Serbi, kroatët e Bosnjes në Kroaci apo boshnjakët e Sanxhakut në Bosnje. Bashkësitë multietnike, multikulturore ose multigjuhësore po shthurren dhe po ndahen, e përputhja e tyre me kufijtë shtetërore pothuajse është çështje e kryer. Por paradoksi është që kjo po përmbyllet në momentin kur në të gjitha këto shtete po ndodh katastrofa demografike. Pra, zgjidhjet janë gjetur në territore të pastra etnike, në momentin kur po zhduket ose po zvogëlohet popullata ballkanike.     

“Gjëja më e rëndësishme është ta mendojmë modelin më të përshtatshëm të shtetit për vendet e rajonit duke pasur parasysh se asnjëri prej vendeve asnjëherë nuk mund dhe nuk do të jenë etnikisht homogjene. Gjë tjetër në këtë drejtim është ajo se çfarë marrëdhënie mes shteteve do të ishin më të mirat dhe më të përshtatshmet për vendet e rajonit, veçanërisht në ndërveprimin ekonomik, ku do të duhej të lëviznim nga tregtia e lirë (free trade) si paradigmë ekonomike drejt tregtisë së balansuar (fair trade)” – Visar Ymeri

Koncepti republikan i qytetarisë

– Në këtë situatë që përshkruani, sa janë vërtetë gjasat të ndërtohet një alternativë progresive, aq më tepër kur paralalelisht kemi politika neoliberale ekonomike dhe pushtete neoautoritare?

Igor Štiks: Gjendja në Ballkan është më e rëndë se në Evropën Perëndimore. Përpos që kemi problemet paskonfliktuoze, ku dominojnë forcat nacionaliste dhe konservatore, kemi edhe politikat neoliberale si gjithkund, por nuk e kemi infrastrukturën si ekziston në Francë me sindikatat ose me strukturat e majta që kanë traditë njëqind vjeçare. Pra, nuk kemi asgjë nga këto,  përderisa jemi në një situatë shumë të vështire ekonomike dhe sociale. Pra, shansat janë të vogla në këto momente. Por, historia është plotë befasira dhe mund të shpresojmë në befasi të tilla.     

Visar Ymeri: Mendoj që këtu do të duhej së pari ta bëjmë një ndarje mes dy lloj konceptesh të qytetarisë – asaj liberale dhe konceptimit më progresiv republikan të qytetarisë. Të dyja këto rryma të menduarit kanë qëndruar në antagonizëm të gjatë ne Perëndim. Mendoj që aktualisht në rajon, sidomos në Kosovë, koncepti mbizotërues është ai liberal. Sipas këtij konceptimi, qytetaria është i bazuar në liri negative – pra liri nga ndërhyrja pushtetare në jetën e individit. Qytetari e gëzon të drejtën e jetesës së lirë. Pra lihet i qetë. Diçka si një qytetar pasiv. Por, këtu mendoj që lind një pjesë e konsiderueshme e problemit. Duke qenë të lënë të qetë, pra ku qytetari mjaftohet të mos jetë i përndjekur nga pushteti dhe ta organizojë jetën ashtu siç ai do, nuk krijojmë ndërveprimin e nevojshëm për përjekje të përbashkët, përpjekje që do të rezultonte pastaj me ndërtimin e një identiteti të përbashkët me bazë qytetarie. Prandaj e thashë më lartë që ne jemi lënë të vetmuar në identitetet tona etnike, e që na është bërë diçka shumë e çmuar. Unë pëlqej më shumë konceptin republikan të qytetarisë : jo vetëm një qytetari të lirë nga përndjekja e shtypja nga pushteti, gjë shumë e rëndësishme pa diskutim, por të një qytetarie që gëzon të drejtën, madje e ka obligim, që të merr pjesë kolektivisht në vendimmarrje politike. Mendoj që kjo përpjekje e përbashkët e cila mund të marrë formë siç e potencoi z. Štiks, me sindikata të përbashkëta, organizata shoqërore të përbashkëta, situata të ndërveprimit ekonomik e kulturor etj, do ta shtronte rrugën për një bashkëpunim më të mirë mes njerëzve të ndryshëm në rajon. Kjo do të duhej organizuar përtej parimit të solidaritetit e më afër parimit të internacionalizmit. Pra duhet së pari të lëvizim përtej qytetarit liberal drejt atij progresiv dhe së dyti ta ngrisim solidaritetin në një shkallë të re të bashkëpunimit sipas parimit internacionalist të bashkëpunimit në mes partive progresive, në mënyrë që ta konceptojmë një këndvështrim të majtë, socialdemokrat, ose socialist, quaje si të duash, të bashkëpunimit rajonal. Jo vetëm Kosova, por secili vend i rajonit ka hapësirë dhe do të duhej ta mendonte veten si shtet me një identifikim të ri të pjesëtarëve të shoqërisë: pra edhe Serbia edhe Mali i Zi, sigurisht edhe Maqedonia e Bosnja. Të gjitha këto vende do të duhej të aplikojnë model të ngjashëm të shtetit të bazuar në qytetari. Gjëja më e rëndësishme është ta mendojmë modelin më të përshtatshëm të shtetit për vendet e rajonit duke pasur parasysh se asnjëri prej vendeve asnjëherë nuk mund dhe nuk do të jenë etnikisht homogjene. Gjë tjetër në këtë drejtim është ajo se çfarë marrëdhënie mes shteteve do të ishin më të mirat dhe më të përshtatshmet për vendet e rajonit, veçanërisht në ndërveprimin ekonomik, ku do të duhej të lëviznim nga tregtia e lirë (free trade) si paradigmë ekonomike drejt tregtisë së balansuar (fair trade).

– Sa mund të jetë dimensioni rajonal një mundësi?

Igor Štiks: Së pari duhet të pikënisemi nga bindja se fati ynë është rajonal dhe ballkanik. Shtetet që i kemi sot janë krijuar nga shpërbërja e Jugosllavisë. Ato na kujtojnë territore të cilat i administrojnë dofarë qeveri të njohura ndërkombëtarisht, të cilat deri në njëfarë mase e aktrojnë shtetin, duke ditur se në të vërtetë nuk kanë sovranitet në disa fusha thelbësore, si në ekonomi, financa, apo edhe nuk administrojnë resurset e tyre.  Pra, ato në të vërtetë janë njëlloj administrate që menaxhon popullësinë, në mënyrën që ajo popullatë të mbetet e qetë dhe të rreshtohet në ekonominë neoliberale. Për gjitha këto e kanë gjetur formulën e etnonacionalizmit i cili ende provokon pasione të mëdha dhe me sa duket pamundëson të menduarit për një lloj tjetër të bashkësisë politike që do t’i tejkalonte çështjet e identitetit, kufijve, shtetësisë etj.  Këtu tani vie në shprehje imagjinata e së majtës dhe kjo del të jetë me të vërtetë e nevojshme. Krahas kësaj duhet ta kemi të qartë se kemi dinamika të ndryshme në sferën në të cilën në njërën anë e kemi gjuhën e përbashkët që përbashkon pjesën më të madhe të ish-hapësirës jugosllave, bashkë me Maqedoninë dhe Slloveninë, ndërkaq në anën tjetër e kemi sferën shqiptarofolëse e cila brenda vetes ka një dinamikë tjetër kundrejt sferës jugosllave. Është e qartë se fakti i gjuhës së përbashkët detyrimisht i shpie drejtë njëra tjetrës shoqëritë e Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë dhe çështjet që shtrohen janë tjetërfare. Por nëse duam ta ndërtojmë Ballkanin, atëherë ai nuk mund të ndërtohet vetëm se në këtë sferë. Është i nevojshëm zgjerimi i kësaj perspektive, duke përfshirë edhe përvoja tjera, jo vetëm ato jugosllave. Duhet thyer këtë barrierë e cila nuk është vetëm gjuhësore, meqë tani është bërë edhe mendësi e largimit nga të tjerët në Ballkan. Popujt e Ballkanit sillen sikur janë aq të ndryshëm nga njëri-tjetri.  Dinamikat politike kanë varësi të ndërsjellë, së paku në sferën e dikurshme të serbokroatishtes, ku në fakt as që është zhdukur Jugosllavia. Në anën tjetër, në Serbi askush nuk e di se çfarë ndodhë në Rumani dhe në Kroaci nuk e dijnë se çfarë po ndodhë në Hungari. Mjerisht, më duket se edhe komunikimi me Shqipërinë dhe Kosovën është i tepër i mangët.