ARMIQTË ME INTERESA TË PËRBASHKËTA
Vallja e shpatave midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara

Tensioni ka rënë midis Uashingtonit dhe Teheranit, por konfrontimi mund të ringjallet në çdo kohë, për shkak të demonstratave në Iran, të kalendarit zgjedhor amerikan, të programit bërthamor të Republikës islamike ... ose shumë thjesht për shkak se rivaliteti i përshtatet të dy palëve.

878

Sikurse në versionin arkaik të dyluftimit me kordha në vendet arabe të Gjirit, por në version modern me shpata laseri, koreografia luftarake është paradoksale pasi që është një konfrontim midis armiqve të supozuar, konfrontim i cili kërkon mirëkuptim në mes protagonistëve. Një pjesë e madhe e opinionit publik arab beson se marrëdhëniet konfliktuale midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Irak kanë të njëjtin paradoks. Për disa, të llojit “konspiracionist”, kemi të bëjmë me një marrëveshje të fshehtë midis dy palëve. Për të tjerë, më realist, është një konfrontim nga i cili përfiton secili dhe vazhdimi i të cilit është në interesin e të dy palëve.

Kështu që Uashingtoni mund të jetë i sigurt mbi besnikërinë e protektorateve të tij rajonale dhe të vazhdoj t’ju shes atyre miliarda dollarë armatim. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pasur respektivisht pozitën e dytë dhe të katërt në nivelin botëror të importit në këtë fushë midis viteve 2013 dhe 2017. Ato kanë qenë importuesit e parë dhe të tretë të armëve amerikane në vitin 2018. Në të njëjtin vit, Riadi zyrtar vazhdoi të renditej i treti në rangun botëror për shpenzimet ushtarake, pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, sipas Stockholm International Peace Research Institute (Sipri). Për Teheranin, vazhdimi i tensionit e bën të mundur konsolidimin e sundimit të krahut të fortë ideologjik të regjimit, shtylla kurrizore e së cilës përbëhet nga kompleksi ushtarako-ekonomik i Korpusit të Rojeve të Revolucionit Islamik, Pasdaranit (“Rojtarët”).

Duhet pranuar që dyshimet arabe nuk janë të pabazuara. Historia e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara – veçanërisht gjatë administratave republikane – dhe Republikës Islamike që nga lindja e saj dyzet vjet më parë, është shqetësuese. Përurimi i presidencës së Ronald Reagan më 20 janar 1981 ishte përshëndetur në Teheran me lirimin e pengjeve në Ambasadën e SHBA-ve. Dhjetë vjet më vonë, gazetari Seymour Hersh zbuloi se ekipi i Reaganit kishte negociuar dërgimin e armëve në Teheran qysh në vitin 1980, gjë që kishte ndodhur menjëherë pas inaugurimit falë bashkëpunimit të Izraelit1. Ishte vetëm fillimi i dërgesave të viteve 1985-1986, skandali i të cilave do të dilte në dritë me të ashtuquajturen skandalin ‘Irangate’: administrata Reagan kishte dorëzuar armë në Iran me ndërmjetësimin e Izraelit dhe në mënyrë të paligjshme fitimin nga shitja ua kishte dorëzuar guerilave kundër-revolucionare në Nikaragua.

Për Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, logjika e qartë ishte të zgjaste lufta midis Iranit dhe Irakut, për të cilën Bagdadi zyrtar kishte ndërmarrë iniciativën në vitin 1980. Deri në shkatërrimin e tij nga Uashingtoni, në vitin 1991, ky vend ishte armiku kryesor për Tel-Avivin zyrtar. Në vitin 1981, forcat ajrore izraelite, duke përfituar fillimi i luftës në Irak, shkatërruan reaktorin bërthamor që po e ndërtonte Franca për Saddam Husseinin. Kur situata ndryshoi tërësisht në vitin 1982 dhe Iraku ishte në telashe, Uashingtonit i pëlqeu që Parisi zyrtar e mbështeste regjimin e Huseinit, madje edhe duke i huazuar luftëtarë nga flota ajrore e marinës franceze. Derisa Irani përsëri kthehej në epërsi, dërgesat e viteve 1985-1986 ndihmuan për ta rivendosur ekuilibrin në atë që do të përfundonte në vitin 1988 me një barazim midis dy vendeve që kishin humbur shumë gjak.

Sigurisht, administrata e George H. W. Bush ishte kujdesur të mos e rrëzonte regjimin e Huseinit në vitin 1991, nga frika se Irani do ta plotësonte vakumin politik që do të krijohej. Strategjia e mbytjes së dy vendeve do të vazhdonte në formën e “kontrollit të dyfishtë” të viteve ‘90, përmes embargos dhe sanksioneve. Megjithatë, ky balancim do të përfundonte nën kryesinë e z. George W. Bush. Duke pushtuar Irakun në vitin 2003, administrata e Bushit II e solli ujkun tek delet në mënyrën më të drejtpërdrejtë: bëri të mundur të ktheheshin në Irak anëtarëve në mërgim të të dy partive kryesore irakiane shiite të okupuara nga Irani, Partia Islamike Dawa (” Përhapja e Fesë”) dhe Këshilli i Lartë Islamik irakian (ISCI),.

Filloi një bashkëpunim i gjatë, gjysmë i drejtpërdrejtë midis Uashingtonit dhe Teheranit, në tokën irakiane. Dy partitë shiite pro-iraniane u instaluan në krye të vendit përmes pushtimit amerikan. Dy partitë ishin të përfaqësuara në këshillin qeveritar i cili u krijua në vitin 2003 dhe më pas do të ishin pjesë e të gjitha qeverive të përkohshme, deri në qeverinë “e përhershme”, të krijuar në vitin 2006. Që nga viti 2005, të gjitha qeveritë irakiane kanë qenë të kryesuara nga një anëtar i njërës prej dy formacioneve: Z. Ibrahim Al-Jaafari (2005-2006), Z. Nuri Al-Maliki (2006-2014) dhe Z. Haidar Al-Abadi (2014-2018), të tre anëtarë të Partisë Dawa dhe pastaj në tetor 2018 nga Z. Adel Abdel-Mahdi, ish-anëtar i ISCI, i cili kishte marrë pjesë në të gjitha organet qeveritare të krijuara nga okupimi që nga viti 2003.

Ndryshimi në strategjinë e autoriteteve okupuese pas vitit 2006 i cili konsistoi në mbështetjen e fiseve sunite arabe në luftën kundër Shtetit Islamik të Irakut, pararendësi i drejtpërdrejtë i Organizatës së Shtetit Islamik (ISIS ose Daesh ), nuk e mundësoi balancimin e dominimit të partive të okupuara nga Teherani, aq më tepër pasi që ky dominim ishte legjitimuar nga sistemi konfesional politik dhe zgjedhor, që ishin krijuar nga të njëjtat autoritete okupuese, duke u frymëzuar nga modeli libanez. Arabët sunitë irakian, së bashku me ish-anëtarët e Partisë Baas dhe me forcat speciale të Saddam Huseinit, kishin krijuar terrenin ku grupet që e drejtonin luftën kundër okupimit amerikan i rekrutonin anëtarët e tyre; por filluan të kishin frikë nga largimi i trupave të Uashingtonit, pasi që i konsideronin si një kundërpeshë të pazëvendësueshme për dominimin e partive shiite që kishin lidhje me Iranin.

Uashingtoni shihet si shpëtimtar

Organizatori kryesor i këtij kontrolli të Irakut nga ndihmësit e Teheranit ishte gjenerali Ghassem Soleimani, shef i korpusit të ndërhyrjes së jashtme të Pasdaranit, forcat Al-Quds (“Jeruzalem” në arabisht dhe persisht), i vrarë nga Shtetet e Bashkuara me 3 janar në Bagdad. Ai shpesh është përshkruar si guvernatori i Iranit në provincat arabe të perandorisë së tij rajonale. Trupat ndihmëse të Iranit, pasi që një kohë të gjatë u kufizuan në Hezbollahun libanez (zyrtarisht i themeluar në vitin 1985) filluan të zhvilloheshin në mënyrë të konsiderueshme në Lindjen e Afërt arabe për pushtimin e Irakut dhe pastaj për zhytjen e Sirisë në luftën civile nga viti 2012 dhe të Jemenit dy vjet më vonë. Teherani arriti të kontrolloj me anë të ndihmësve vendorë një aks gjeopolitik nga kufiri i tij perëndimor drejt Mesdheut duke përfshirë tre vendet e kësaj zone: Irakun, Sirinë dhe Libanin.

Fama e strategut të madh që kishte Soleimani është megjithatë shumë e mbivlerësuar. Ai nuk pati asnjë fitore në luftërat që komandoj. Kontrolli iranian ndaj Irakut u sigurua falë ndihmës së Uashingtonit. Qysh nga viti 2013, intervenimi në Siri i forcave konfesionale shiite nga Libani dhe Iraku dhe i forcave të rekrutuara tek refugjatët shiitë afganë në Iran, nën komandën e Soleimanit, vetëm arriten ta kursenin përkohësisht pushtetin e Z. Bachar Al-Asad. Dy vjet më vonë, ky regjim ishte përsëri në gjendje gatishmërie dhe Soleimani u detyrua të kërkonte ndihmë në Moskë2.

Kur ISIS kaloi kufirin ndërmjet Sirisë dhe Irakut në verën e vitit 2014, duke arritur ta sundonte një pjesë të konsiderueshme të territorit irakian, shpartallimi i trupave të qeverisë së  Bagdadit, të sunduara nga Irani, gati se u shkatërrua. Nga frika se xhihadistët do të arrinin në kryeqytet, Bagdadi, me mbështetjen e Teheranit, kërkoi kthimin e trupave amerikane. Këto luftuan ISIS-in në tokën irakiane në bashkëpunim me Njësitë e Mobilizimit Popullor (PMF) – një bashkim i forcave paramilitare të partive arabe shiite që kishin për qëllim ta merrnin rolin  Pasdaranit në Irak- dhe me forcat e Kurdistanit irakian, paralelisht me bashkëpunimin që kishin me forcat arabo-kurde kundër të njëjtit ISIS në Siri.

Irani i drejtoi këto njësi përmes krahut të djathtë irakian të Soleimanit, i njohur me pseudonimin Abu Mehdi Al-Mouhandis, zyrtarisht numër dy në PMF, por më eminent sesa numri një zyrtar. Al-Mouhandis u vra me Soleimanin më 3 janar. Rrugëtimi i tij po zbulon shumëçka. Ai ishte anëtar i partisë Dawa, i cili u strehua në Iran menjëherë pas fitores së Revolucionit Islamik dhe luftoi në radhët iraniane kundër vendit të tij gjatë luftës së filluar nga Iraku në vitin 1980. I angazhuar në degën e operacioneve jashtë pasdaranit, ai organizoi sulmet ndaj ambasadave të Francës dhe Shteteve të Bashkuara në Kuvajt në vitin 1983, kur të dy vendet mbështisnin Irakun3.

Pas kthimit në Irak në vitin 2003, ai u emërua këshilltar për sigurinë e kryeministrit Al-Jaafari dhe më pas u zgjodh në parlament në vitin 2005, ndërsa krijoi dhe drejtoi Kataeb Hezbollah (“brigadat e partisë së Zotit”) me mbështetjen e Teheranit. Kur telashet e tyre u bënë të dukshme në vitin 2006, autoritetet okupuese zbuluan (ose iu kujtua për shkak të situatës) se Al-Mouhandis i kishte organizuar sulmet në Kuvajt. U detyrua të ikte përsëri në Iran, nga ku u kthye zyrtarisht vetëm pas largimit të trupave amerikane në vitin 2011.

Bashkëpunimi midis amerikanëve dhe iranianëve në Irak përmes ndihmës të Irakut të okupuar në Teheran vazhdoi pa incidente të mëdha nën presidencën e z.Trump. Ai kurrë nuk shprehu dëshirë për t’i dhënë fund pranisë së trupave amerikane në Irak dhe për një arsye të mirë. Ai aderon në fakt, në një mënyrë shumë më të sinqertë se paraardhësit e tij, në parimin që konsiston në angazhimin e forcave të Shteteve të Bashkuara vetëm aty ku paraqitet një interes i dukshëm: jo në Siri në anët e forcave kurde, as në Afganistan, por sigurisht me monarkitë e naftës të Gjirit, të cilat mbulojnë (gjerësisht) koston e pranisë amerikane në territorin e tyre, e sigurisht në Irak.

Goditja e kryengritjes irakiane

Siç e ka thënë shumë herë gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2016, z. Trump beson se Shtetet e Bashkuara duhet ta marrin kontrollin e burimeve të naftës të këtij vendi për t’i kompensuar përpjekjet e luftës që u bën atje ndër vite. Me ketë logjikë i përgjigjet tani qeverisë irakiane që trupat e tij do të largohen nga vendi i tyre vetëm nëse ata e paguajnë një çmim të lartë. Në fakt, do të duhej që Iraku të kërkonte kompensime për shkatërrimin e shkaktuar nga Uashingtoni, pa përmendur fare  miliarda dollarë që u avulluan gjatë okupimit4.

Dy elemente shpjegojnë përkeqësimin e marrëdhëniever gjatë muajve të fundit midis Uashingtonit dhe Teheranit në Irak. Së pari, rritja dramatike e presionit ekonomik mbi Iranin nga administrata Trump që nga anulimi i marrëveshjes të vitit 2015 për programin bërthamor të Iranit në maj të vitit 2018. Teherani u përgjigj duke i sulmuar aleatët saudian të Uashingtonit përmes militantëve jemenitë të Al-Houthit; një ndërmjetësim real ose i pretenduar, sikurse gjatë bombardimit të instalimeve të naftës saudite, me 14 shtator 2019, duke përdorur drona dhe raketa lundrimi5. Reagimi i dobët i z.Trumpit atëherë e kishte alarmuar Riadin zyrtar.

Elementi i dytë është një kërcënim më i drejtpërdrejtë. Sipas një hulumtimi të agjencisë Reuters tek komandantët e PMF-së dhe zyrtarët e sigurimit të Irakut, Soleimani, në mesin e tetorit, kishte mbledhur në Bagdad udhëheqësit e njësive aleatë të Iranit në prani të krahut të tij të djathtë irakian, Al- Mouhandis6. Ishte në kuadër të kryengritjes që kishte filluar më 1 tetor në mesin e shiitëve irakianë kundër sundimit iranian dhe aleatëve të tij të këqinj në parlament dhe në qeveri7. Kryengritja ka qenë sigurisht një goditje e madhe për Teheranin, dhe për Soleimanin në veçanti, duke vënë në pikëpyetje kontrollin e Iranit ndaj Irakut përmes detyrimeve të besnikërise besimtare.

Takimi i mesit të tetorit kishte për qëllim dakordimin për një seri operacionesh të parevendikuara kundër pranisë amerikane në Irak, për të cilat Teherani veç i kishte dhënë mjetet e duhura ushtarake. « Plani i Soleimani (…) kishte për qëllim të provokonte një përgjigje ushtarake që zemërimin në rritje ta ridrejtoj kundër Shteteve të Bashkuara.8 » Shpërthimi i protestës popullore kundër regjimit teokratik në Iran, nga mesi i nëntorit, vetëm se e rriti nevojën për një diverzion në Teheran.

Në dhjetor, rritja e sulmeve të orkestruara nga forcat pro-iraniane në Irak kundër pranisë amerikane arriti kulmin më datën 27, kur rreth 30 raketa ranë në një bazë irakiane afër Kirkukut, duke vrarë dy kontraktorë amerikanë dhe duke plagosur tre të tjerë, si dhe dy irakianë. Dy ditë më vonë, Uashingtoni u hakmorr rreptë duke bombarduar një bazë të Kataeb Hezbollah, duke vrarë më shumë se njëzet e pesë militantë dhe duke i plagosur dhjetëra të tjerë. Procesi kishte filluar. Sulmi i Kataeb Hezbollah më 31 dhjetor ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara në perimetrin e të ashtuquajturës “zonë e gjelbërt” në Bagdad, edhe pse e mbrojtur nga trupat zyrtare irakiane, irritoi Trumpin në shkallën më të lartë.

Kujtimi i flaktë i rrethimit të ambasadës në Teheran gjatë viteve 1979-1981 dhe madje kujtimi i sulmit ndaj ndërtesave diplomatike amerikane në Benghazi në Libi, në shtator të vitit 2012, që rezultoi me vdekjen e ambasadorit dhe zyrtarëve të tjerë amerikanë, përgjegjësia e të cilëve iu drejtua- veçanërisht nga vetë Z. Trump – Presidentit Barack Obama dhe sekretares së Shtetit Hillary Klinton, me siguri e vendosen të reagojë fuqimisht. Ai vendosi të godas direkt në krye duke urdhëruar likuidimin e Soleimani dhe Al-Mouhandis. Regjimi iranian iu përgjigj këtij atentati në mënyrë shumë të matur duke gjuajtur një raketë balistike që shënjestroi bazën Al-Asad dhe pozicione tjera, pa shkaktuar viktima. Shumë shpejt u bë e njohur se trupat amerikane ishin paralajmëruar për sulmin e afërt9. Nuk njihet qartë burimi i paralajmërimit. Sido që të jetë, Teherani zyrtar nuk mund ta injoronte faktin se përdorimi i raketave balistike, e jo i raketave lundruese apo i dronëve, ka mundur ta lehtësoj përgatitjen e trupave në Uashington. Kështu operacioni u shfaq si një mënyrë që të dy palët ta shpëtonin fytyrën duke shmangur vazhdimin e përshkallëzimit të luftës, të paktën deri në njoftimin e mëtejshëm.

Sigurisht, Irani ka humbur në personin e Soleimanit një drejtues ushtarak me prestigj të madh dhe përvojë të çmuar. Por vorrimi i tij i organizuar në një shkallë më të madhe se vorrimi i Ayatollah Rouhollah Khomeini në vitin 1989 ishte rasti për një fushatë të madhe për ta lartësuar nacionalizmin iranian. Drejtuesit e opozitës të brendshëm të regjimit dhe madje edhe mbështetësit e monarkisë së rrëzuar në vitin1979 iu bashkangjitën këtij bashkimi të shenjtë10. Veprimi i Teheranit ndaj aeroplanit civil të Ukrainës të qëlluar gabimisht nga Pasdarani (176 të vdekur) megjithatë ka ringjallur një protestë kundër regjimit, e cila ka meritën e kundërshtimit ndaj represionit, megjithëse nuk është aq e fuqishme sa mobilizimi rreth kufomës së shefit të Forcës Al-Quds.

Sidoqoftë, mobilizimi anti-amerikan nuk arriti aspak ta shuajë kryengritjen, e cila përkundrazi i riktheu shpinë për shpine Uashingtonin dhe Teheranin. Pjesa më e madhe e popullsisë së Irakut është e dërrmuar nga fakti se sovraniteti i vendit vazhdimisht shkelet nga të dy shtetet të cilët synojnë ta sundojnë dhe e kanë zgjedhur si fushë betejë. Për të ardhmen e Irakut, shfaqja në skenën e kësaj proteste popullore që injoron ndarjen e besimit midis shiitëve dhe sunitëve do të mbetet sigurisht ngjarja më përcaktuese e kohës së tanishme.

* Profesor në Shkollën e Studimeve orientale dhe afrikane (SOAS) të Universitetit të Londrës, autor i Symptômes morbides. La rechute du soulèvement arabe, Actes Sud, coll. « Sindbad », Paris, 2017.

[1] Seymour Hersh, « US said to have allowed Israel to sell arms to Iran », The New York Times, 8 dhjetor 1991.

2 Laila Bassam et Tom Perry, « How Iranian general plotted out Syrian assault in Moscow », Reuters, 6 tetor 2015.

3 Të njëjtin vit u zhvilluan në Liban sulmet kundër trupave franceze dhe amerikane dhe kundër Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për të cilët u akuzua Irani

4 James Risen, « Investigation into missing Iraqi cash ended in Lebanon bunker », The New York Times, 12 tetor 2014.

5 Michelle Nichols, « UN investigators find Yemen’s Houthis did not carry out Saudi oil attack », Reuters, 8 janar 2020.

6 « Inside the plot by Iran’s Soleimani to attack US forces in Iraq », Reuters, 4 janar 2020.

7 Lexoni Feurat Alani, « Les Irakiens contre la mainmise de l’Iran », Le Monde diplomatique, janar 2020.

8 « Inside the plot by Iran’s Soleimani to attack US forces in Iraq », art. cit.

9 Qassim Abdul-Zahra et Ali Abdul-Hassan, « US troops in Iraq got warning hours before Iranian attack », Associated Press, 13 janar 2020.

10 Rohollah Faghihi, « Killing Suleimani has united Iranians like never before », Foreign Policy, Washington, DC, 6 janar 2020 ; Luis Lema, « Ardeshir Zahedi, ish këshilltar i Shah-ut: “Ghassem Soleimani était le sang de l’Iran” », Le Temps, Lausanne, 6 janar 2020.