
Java përfundon në gjimnazin “Guy de Maupassant de Colombes”. Të vendosur prapa tavolinave, klasat e dyta marrin pjesë në sesionin e parë të ‘InterClass’, programit për edukim për media dhe informim të Radio France. Diskutimi fillon midis gazetarëve dhe adoleshentëve. Kritikat e formuluara nga këta të fundit lidhen me garën për audiencën, imazhin e dhënë për lagjet e varfëra, homogjenitetin e informacionit. Sarah, 15 vjeç, shpreh keqardhje për faktin se media po përqendrohet në çështjen e shamisë në dëm të “temave më interesante, si protestat në Hong Kong“, për të cilat ajo mësoi në rrjetet sociale.
Fundi i orës së mësimit po afron. Pas një ore e gjysmë diskutimi, Nadine Epstain, gazetare e ‘France Inter’ trajton një temë që e ka afër zemrës: “Ç’mendoni për humorin në media?”. Nissrine (15 vjeç) ngrit dorën: “Është i mirë sepse na argëton, por nuk duhet t’i lëndojë njerëzit. Kur ishte kupa botërore e futbollit për femra, gjeta një nga vizatimet e Charlie Hebdo … Nuk më pëlqeu vizatimi“.
“Më vjen mirë që po flet për Charlie,” thotë gazetari, “sepse ata që vdiqën ishin megjithatë miqtë tanë… a meritonin të vdisnin? Po bën lidhjen midis karikaturave dhe faktit që gjysma e gazetarëve të redaksisë kanë vdekur?” Fanny Crouzet e cila koordinon programin e edukimit mediatik të ‘Radio France’ shton: “Ju bëjmë këtë pyetje sepse në Toulouse, në një klasë si e juaja, studentët na thanë: “Gazetarët e Charlie Hebdo merituan të vdisnin. Ata nuk kishin respektuar minutën e heshtjes. Dhe ne jemi përfaqësues të lirisë së shprehjes…” “Askush nuk meriton të vdesë “, iu përgjigj adoleshentja. Nissrine dhe shokët e saj ishin 10 vjeç kur ndodhi atentati ndaj gazetës satirike më 7 janar 2015.
Dhuna simbolike
Programi i ‘InterClass’ lindi nga kjo ngjarje. “Shumë mësues kanë kontaktuar me redaksinë tonë për t’u këshilluar në shpjegimin e lirisë së shprehjes tek gjimnazistët dhe kundër ndikimeve konspirative,” shpjegonte në shkurt 2018 Emmanuelle Daviet, krijuese e programit. Koncepti pedagogjik është i thjeshtë: t’i bëj gjimnazistët të kryejnë “zooms”, një format reportazhi specifik për ‘France Inter’. Për emisionet e tyre, gjimnazistët e Colombes zgjodhën temën e dhunës. Gjatë gjithë vitit shkollor, gazetarët shoqërojnë gjimnazistët në konceptimin e temës së tyre. Profesori i historisë-gjeografisë në gjimnazin Jean-Moulin në Roubaix, z.François Da Rocha mirëpret një “vullnet të vërtetë për të punuar pranë gjimnazistëve” në një afat të gjatë. I vjen keq që programi i zbatuar në vitin 2016 nuk u rinovua, për shkak të mungesës së mjeteve financiare. I konsideruar si shembull nga një numër i institucioneve gazetareske, ‘InterClass’ mori çmimin e parë në edukimin e mediave në 2016 nga Konferenca e Gazetarisë. ‘InterClass’ ka gjithashtu një emision javor në ‘France Inter’.
Sfida tejkalon mësimin e këshillave dhe praktikave të informimit. Për Emmanuelle Daviet, tani një moderatore në ‘Radio Francë’, « InterClass është një akt politik, i cili duhet të promovojë mirëkuptimin e vlerave të Republikës ». Në vitin 2016, ajo nxiti gjimnazistët të punojnë në moton republikane: “Liri, barazi, vëllazëri”. “Kuptova se deri në ç’masë është ç’mishëruar kjo devizë republikane. Fjala e vetme që kishte ndonjë kuptim ishte “vëllazërimi” midis moshatarëve. Bota, për ta, është e ndarë në dy kampe: “ata” dhe “ne”. Vetëdije klasore ose “vizion konspirativ” i ndarjes së botës sociale? Gazetarja ka vendosur: ajo hedh një vështrim alarmist në këta “cinikë të rinj të informimit, që jetojnë të ndezur në telefonët e tyre”. ‘InterClass’ shënjestron kryesisht nxënësit e shkollave të mesme dhe gjimnazistët e periferive të varfëra. Emri i programit ka një kuptim të dyfishtë: gazetarët që burojnë nga borgjezia, edukojnë të rinjtë, shpeshherë me prejardhje të emigracionit, për vlerat e Republikës. Këtë vit 2019-2020, gazetarët vullnetarë punojnë në 8 kolegje dhe gjimnaza, të gjitha të vendosura në rrjetin e arsimit prioritar (REP). “Ata mund të jenë më pak të pajisur për të pasur një arsimim në deshifrimin e lajmeve, shpjegon Emmanuelle Daviet. Të gjithë këta të rinj janë jashtëzakonisht të përshkueshëm ndaj asaj që shohin në rrjetet sociale“.
Në përputhje me përshkrimet e autoriteteve publike, edukimi për mediat shndërrohet në “edukim për lojalitet”. “Ideja është që gjimnazistët të mësojnë të zotërojnë “shpirt kritik”, të “ushtrojnë lirshëm gjykimin e tyre”, por gjithashtu t’i përmbahen vlerave të Republikës, veçanërisht laicitetit, pa diskutime mbi përkufizimin dhe konturat e tyre, e në kundërshtim me debatet e vazhdueshme rreth tyre“, analizojnë studiuesit Amandine Kervella, Béatrice Micheau dhe Céline Matuszak. Kësisoj gjejmë dispozita që kanë të bëjnë me edukimin në media, si në ligjin e vitit 2013 për rimendimin e shkollës, ashtu edhe në ligjin kundër lajmeve të rrejshme dhe në planin kombëtar për parandalimin e radikalizmit të 23 shkurtit 2018. Në këtë mobilizim të përgjithshëm, Qendra Ndërlidhëse e Arsimit dhe Mediave të Informimit (Clemi) është në vijën e parë. I krijuar në vitin 1983 dhe i vendosur nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Arsimit, ai organizon që tridhjetë vjet Javën e Shtypit dhe Medias në shkollë, e cila prek 3.8 milion nxënës për çdo vit. Qendra trajnon po ashtu 30.000 mësues në vit. “Temat janë informacionet e rrejshme dhe komplotizmi“, thotë drejtori i saj, z.Serge Barbet.
Këto politika publike bazohen në një postulat: “Klasat e varfëra janë më të ndjeshme ndaj efekteve të mediave dhe kanë praktika më të rrezikshme mediatike“, përmbledh Amandine Kervella, hulumtuese në shkencat e informimit që heton mbi sistemet e edukimit në media.
Megjithatë, asgjë nuk e vërteton këtë përfaqësim. Ekziston një normë implicite sipas së cilës praktikat e mira nënkuptojnë të lexosh tituj tradicionalë si të ‘Le Monde’. Kjo “mënyrë e mirë” për të mësuar, që është ajo e borgjezisë, strukturon shfaqjet dhe nuk vihet në pikëpyetje. Kështu që edhe mund ta kemi përshtypjen që gazetarët po kërkojnë t’i kthejnë të rinjtë në mediat dominuese, me gjithçka që kërkon në rehabilitim dhe në dhunë simbolike” Shumë gazetarë vlerësojnë këto veprime si mjete për t’i larguar të rinjtë nga rrjetet sociale dhe për ta lehtësuar mosbesimin ndaj mediave kryesore, thuajse këta të fundit nuk kanë fare përgjegjësi në diskreditim.
Radioja ‘Europe 1’ e ilustroi këtë në mënyrë të përsosur, kur gjimnazistët e Tourcoing erdhën në studiot e saj në dhjetor 2018.
Me ndihmën e mësuesve, kjo Classe Médias që grumbullonte nxënës të vitit të tretë duhej të prodhonte dy emisione në vit.
Gjatë një vizite në redaksitë pariziene, ajo mori pjesë në programin e Anne Roumanoff.
– Kemi shumë të rinj në publik; ju tre të vegjëlit nga fundi, mund të vini? Si e ke emrin ?
– Emri im është Lucas, unë vij nga Tourcoing.
Anne Roumanoff përgjigjet duke imituar theksin verior të djalit:
– Ah po, Tourcoing … Çfarë do bësh kur të rritesh?
– Vjen era papunësi, megjithatë… “, dëshiron të nënvizojë një kolumnist i cili përfundon: “Mendoj se ka nevojë për një asistente të mirë sociale, ai nuk ka nevojë për më shumë, Lucas.”
Adoleshentët u përgjigjen disa muaj më vonë në emisionin e tyre të fundvitit: “Nëse kjo vazhdon, ne do të martohemi me kushëririn tonë dhe do ta votojmë Marine Le Pen“.
Në kontekstin post-Charlie, kritika radikale e realizuar nga shoqatat si Action Critique Médias (Acrimed), e cila konsiston në zbulimin e kushteve të prodhimit të informimit, ka pak gjasa të integroj përparësitë institucionale. Lufta kundër “teorive të komplotit” dhe lajmeve të rreme tani merr gjithë hapësirën. Edhe inicimi i teknikave të informacionit mbetet i margjinalizuar. “Para atentateve të janarit 2015, edukimi në media mendohej si një mjet shprehjeje për të rinjtë“, vëzhgon Lucas Roxo, gazetar i pavarur dhe bashkëthemelues i kolektivit La Friche. Pastaj u bë një mekanizëm në “parandalimin e radikalizmit”. Në Shkollën Kombëtare të Mbrojtjes Gjyqësore të Rinisë [ENPJJ], bëra një ditë trajnimi në edukimin mediatik për arsimtarët e ardhshëm. Një ditë para fjalimit tim, tema ishte “gjeopolitika e Lindjes së Mesme”, dhe të nesërmen, “pesë shtyllat themeluese të Islamit”. Aty fillon t’i bësh vetes pyetje. Unë gjithmonë kam bërë zgjedhjen për të shkuar atje, duke e ditur që mund ta devijoj: studiojmë ndërtimin e narracionit të një teorie konspiracioni, një shënim informacioni dhe një reportazh të Bernard de La Villardière, dhe e shohim se nuk është aq ndryshe. “
Me lëvizjen e “jelekëve të verdhë” dhe kritikën e ashpër të mediave nga protestuesit, profesioni e ka konsideruar si urgjente shtrirjen e përpjekjeve të tij pedagogjike për publikun në zonat e varfëra rurale. Ky përqendrim në territoret ku dëgjojmë më pak emisionin e mëngjesit të ‘France Inter’ shtron pyetjen: Pajisjet janë të përqendruara në lagjet e varfëra, ato i kushtohen “popullit të rrezikshëm”. « Por, kur moderatorët e caktuar televizivë dhe drejtues politikë shprehin qëndrime konspirative, ata nuk dërgohen për të ndjekur një kurs të “deshifrimit të lajmeve të rreme” “, acarohet Sylvie Fagnart, gazetare e pavarur dhe bashkëthemeluese e platformës Médiaeducation.fr
Zhdukja e “teorive të konspiracionit”
Në Tremblay, ajo mori pjesë për disa muaj në një punëtorie gazetarie, një pajisje e krijuar menjëherë pas atentateve të janarit 2015, në “territoret me përparësi (rrethe të mbuluara nga politika e qytetit ose zonat rurale)“, të financuar nga zyrat rajonale për çështjet kulturore (DRAC). Një gazetar pritet për disa muaj në një territor me qëllim të kryerjes së veprimeve edukative dhe rikthimit të besimit të publikut me profesionin. “Projekti ishte bazuar në thelb në një redaktim editorial midis gazetarëve që zbulojnë një territor, shkojnë përtej klisheve të tyre…, dhe militantëve që veprojnë në median lokale që mund të bëhen kështu profesional, të njohin më mirë mediat mainstream”, shpjegon z.Jérôme Bouvier, i cili ishte në zanafillën e kësaj nisme si këshilltar përgjegjës për mediat në Ministrinë e Kulturës. “U ndodhëm aty pas Charlie dhe theksi ishte tek edukimi në informim [dhe më pak në krijimin e mediave lokale]. Unë nuk isha kundër. Rezerva ime e vetme ishte që tema ishte bërë aq domethënëse sa që rezidencat janë ndërtuar vetëm mbi këtë qasje ». Rreth njëqind prej këtyre rezidencave u financuan vitin e kaluar. Në Hauts-de-France, i cili shërbeu si laborator, shtatëmbëdhjetë janë bërë që nga viti 2015, me një buxhet prej 540,000 eurosh.
Megjithë kufizimet e kornizës institucionale dhe të fondeve të përqendruara në mbrojtjen e “vlerave të Republikës” dhe zhdukjen e “teorive të komplotit”, gazetarët e pavarur organizohen në grupe për ta mbrojtur një vizion tjetër të gjërave.
Në Amiens, për shembull, ka rreth pesëmbëdhjetë – gazetarë, mësues, moderatorë – që mblidhen për tre ditët e trajnimit në Shkollën e Lirë të Edukimit të Medias, të organizuar nga ‘La Friche’. Ky institucion afatshkurtër ka gjetur strehë në zyret e Carmen, një shoqatë që prodhon media alternative për tridhjetë e pesë vjet në lagjet e varfëra të Amiens.
Bëhet
fjalë për përvetësimin e mjeteve nga arsimi popullor dhe të menduarit për
sfidat politike të edukimit në media. “A
jemi këtu për ta ndryshuar rendin social apo jo?”, pyet Amandine
Kervella, e cila erdhi të marrë pjesë në trajnim. Krijim i marzheve; veprim për
transformimin shoqëror; krijim i kundër-pushteteve kundrejt mediave
mbizotëruese: cili është qëllimi i edukimit në media? “Duam të ndërtojmë kolektivisht informacione
që bëjnë të mundur krijimin e një raporti forcash përballë informacionit
mbizotërues në zonat e varfëra“, thotë Lucas Roxo.
* Gazetare. Bashkautore me Élodie Perrotin të librit Comment s’informer ?, Ricochet, Lausanne, 2019.