NË BRAZIL, NJË REAKSIONAR PARAROJE I LUFTËS SË IDEVE
Astrologu që frymëzon Jair Bolsonaro

"Popullist i krahut të djathtë", ithtar i provokimeve, Presidenti brazilian Jair Bolsonaro ndonjëherë paraqitet si "Donald Trump tropikal", duke iu referuar kreut të shtetit amerikan, me të cilin e ka të përbashkët paparashikueshmërinë. Por, veprimi i tij nuk kufizohet në sjelljet e tij: frymëzohet në veçanti nga ideologjia e formuluar nga një guru i cili kishte qëndruar diskret për një kohë të gjatë.

885

« Olavo de Carvalho nuk ekziston. » E formuluar në vitin 2001, fjalia e sociologut Emir Sader, i afërt me Partinë e Punëtorëve (PT, e majtë), ilustroi për një kohë të gjatë se si është pritur puna e këtij intelektuali në qarqet progresive në Brazil.  Tezat reaksionare të një filozofi-pamfletist i cili gjithashtu punoi si një astrolog inspironin përbuzje tek akademikët dhe dukeshin shumë larg nga shqetësimet e publikut të gjerë. Shumica ishte e bindur: Carvalho “ekzistonte” vetëm për shtresat më radikale të së djathtës braziliane, një strehë politike ku njeriu lehte me zë të lartë pa peshuar shumë.

Kur z. Jair Bolsonaro u zgjodh president i vendit në tetor 2018, shtresa e cila deri atëherë ishte e margjinalizuar e mori pushtetin. Në një paraqitje në rrjetet sociale pas fitores së tij, z.Bolsonaro vendosi katër libra në sfond të parë: Biblën, Kushtetutën e Brazilit, një vepër mbi Winston Churchill dhe një të fundit, të nënshkruar nga Carvalho. Intelektualët e majtë zbulojnë atëherë se përçmimi i tyre ndaj tij i kishte pamundësuar të kuptonin se “si grumbullimi i gabimeve faktike që karakterizon [punën e tij] kishte mundur në fund të dukej koherent për një pjesë të popullsisë”, sipas politologut Álvaro Bianchi1.

I lindur në vitin 1947, Carvalho ka qenë për një kohë të shkurtër aktivist në Partinë Komuniste Braziliane në vitet ’60-ta. Studioi filozofinë, por shpejt hoqi dorë, duke e konsideruar nivelin tepër të dobët. Filloi të shkruante për gazetat kryesore në vitin 1967, duke u përqendruar në astrologji, një « disiplinë themelore »: « Ata që nuk e kanë studiuar, nuk dinë asgjë. Janë analfabetë. »2 Duke arritur t’iu bashkohet radhëve të redaksive konservatore. Titulli i njërës prej veprave të tij kryesore, botuar në vitin 1996 është: O Imbecil Coletivo: atualidades intelectuais brasileiras (“Budalla kolektiv. Lajmet intelektuale braziliane”).

Arritja e tij si intelektual mund të shpjegohet edhe nga mbështetja e z.Ronaldo Levinsohn. Ky bankier i cili kishte shpëtuar mrekullisht nga një seri skandalesh financiare, zotëronte UniverCidade, një universitet privat i cili u hap në Carvalho. Aty do të ligjëronte filozofinë gjatë viteve 1997 – 2001 dhe do ta drejtonte shtëpinë botuese në mes viteve 1999 dhe 2001.

Interesimi i tij për luftën e ideve nuk e shtyu ta braktisë botën materiale. Qysh në vitin 1998, ai krijoi një faqe në internet për t’i shpërndarë analizat e tij dhe për t’i mbledhur donacionet që i kërkonte nga klasat e larta. Logjika e tij e riformuluar në vitin 2009 është si vijon: derisa nuk ekziston “aparati ideologjik” borgjez “për të cilin flasin marksistët “, klasat e larta janë “të pafuqishme” përballë kërcënimit komunist. “Kur ata përpiqen të avokojnë në favorin e tyre, e bëjnë në mënyrë aq diskrete dhe delikate, sa që duket se po luftojnë  kundërshtarin më dashamirës dhe më mirëkuptues të botës, e jo kundër këtyre “makinave vrasëse”, që revolucionarët mburren që janë »3. Carvalho paraqitet si njëri nga të paktët intelektualë të vendosur për ta mbrojtur çështjen e të pasurve. Por, borgjezia është shumë pak e vetëdijshme për brishtësinë e saj, nuk i ofron mbështetjen financiare që mendon se e meriton. Për dekada të tëra, Plínio Salgado (1895-1975), udhëheqësi historik i fashizmit brazilian ishte ankuar gjithashtu: “Borgjezia nuk na ndihmon”

Shkrimet e Carvalho-së karakterizohen nga shija e tij për vulgaritetin dhe tonin luftarak. Ky agresivitet paraqitet si dëshmi origjinaliteti, që kujton stilin e z. Bolsonaro. Carvalho beson se shprehjet e tij banale “shprehin vetëm refuzimin e përulur të një solemniteti të rremë“. Ai arsyeton përdorimin e këtyre shprehjeve “në situata kur një përgjigje delikate do të përbënte një formë të bashkëpunimit me të padurueshmen4.

“Bufona, tradhtarë dhe rrugaçë”

Ky opsion retorik mundëson gjithashtu shmangien e debatit kur mungojnë argumentet bindëse. Një nga teknikat e preferuara të Carvalho-së është t’i diskualifikojë kundërshtarët duke u dhënë atyre pseudonime me konotacion seksual apo skatologjik. Duke thënë, për shembull, se “stafi i majtë” është kryesisht gjenocidal, ai konkludon: “Nëse përgjigjeni me mirësjellje, ju i jepni dinjitet këtyre ideve. (…) Edukim i ndyrë! Shporru, bir kurve!5 Por, nganjëherë ka të drejtë, veçanërisht kur e kritikon arrogancën e intelektualëve progresiv që e akuzojnë se nuk ka diplomë universitare … në një vend ku nuk ka diplomë më shumë se 83% e popullsisë së rritur.

Në vitin 2002, Carvalho krijoi webfaqen Mídia Sem Máscara (“Media pa maska”, MSM). Edhe pse në atë kohë shkruante forume të rregullta për gazetat më të mëdha vendore, platforma e tij synon ta demonstroj kontrollin e shtypit nga komunistet. Absurde në një vend ku media mbahet nga oligarkia. Fushata e tij e lartëson Carvalho-në në shkallën e referencës intelektuale të së djathtës që admiron “guximin” e tij.

Kjo për shkak se në sytë e astrologut, në etiketën “komunistët” përfshihen reformistët e vakët, socialdemokratët “çerëmirë” dhe neoliberalët e Partisë së socialdemokracisë braziliane (PSDB, e djathtë). Përkrahësit e një “hapjeje” ekonomike të mbështetur nga një modernizim shoqëror,  përbëjnë në sytë e tij aktorët kryesorë në një operacion ideologjik që ai e përshkruan si “gramshian” dhe i cili do të synonte në dobësimin e shoqërisë braziliane për ta përgatitur rrëzimin e saj. Me botimin A Nova Era e a Revolução Cultural (“Era e Re dhe Revolucioni Kulturor”, 1994), Antonio Gramsci bëhet obsesion për Carvalho. Sipas llogaritjeve të studiuesit Leonardo Puglia, emri i intelektualit komunist italian – i paraqitur si “profet i imbecilitetit, udhërrëfyes i një tufë imbecilesh” – shfaqet “318 herë në katër veprat kryesore të botuara nga autori 7“.

“Nëse Lenini është teoricien i grushtshtetit”, shpjegon Carvalho, “[Gramshi] është strategu i revolucionit psikologjik që duhet të paraprij dhe ta përgatis terrenin për grushtshtetin. (…) Revolucioni gramshian është për revolucionin leninist atë që është joshja për përdhunimin8. » Duke u përhapur në mënyrë të pavërejtur, “strategjia gramshiane” do të synonte në gërryerjen e themeleve të krishter dhe të moralshëm të shoqërisë, me qëllim të hapjes së rrugës për revolucionin komunist. Prej nga “lufta kulturore”“komunistët” do ta zhvillonin kundër shoqërisë braziliane për ta promovuar abortin, homoseksualitetin dhe lirinë seksuale. Një arsyetim i shfrytëzuar, gati fjalë për fjalë, nga senatorja Kátia Abreu në vitin 2011. Ajo kishte thënë, katër vjet para se të hynte në qeverinë “e hapjes” të zonjës Dilma Rousseff (PT) si Ministre e Bujqësisë:“Hegjemonia e mendimit të majtë, të cilën e ka futur në universitet, strategjia gramshiane e revolucionit kulturor vendosi një diktaturë të mendimit9“.

Paradoksalisht, suksesi i Carvalho-së mbështetet në një tërësi mjetesh komunikimi të ngjashme me ato që Gramshi i propozoi komunistëve në mënyrë që të zhvillonin “luftën e pozicioneve“, domethënë betejën e ideve. Duke vepruar kështu, ai mori pjesë në një formë të revolucionit kulturor të krahut të djathtë, duke lehtësuar zgjedhjen e z. Bolsonaro, qeveria e të cilit pasqyronte qëndrimet e tij thelbësore: antikomunizmin, mohimin e çrregullimeve klimatike, rishqyrtimin e të drejtave të njeriut, sulmet ndaj grave, popullatave me ngjyrë dhe minoriteteve seksuale. Tani e dimë se vet intelektuali zgjodhi ministrin aktual të arsimit, z.Abraham Bragança de Vasconcellos Weintraub dhe atë të punëve të jashtme, z. Ernesto Araújo. Por ndikimi i tij kalon kryesisht përmes presidentit dhe djemve të tij: Flávio (senator), Eduardo (deputet federal) dhe Carlos (këshilltar i qytetit i Rio de Janeiro).

Gjatë qeverisjes së z. Luiz Inácio “Lula” da Silva (2003-2010) dhe znj. Rousseff (2011-2016), shtresat ekstreme të së djathtës kishin arritur të bashkoheshin mjaftueshëm për ta arritur në burgosjen (pa prova) të të parit10 dhe shkarkimin (jokushtetues) të kësaj të fundit11. Ndarjet u rishfaqen kur u zgjodh z. Bolsonaro, përfshirë edhe në qeveri. U kundërshtuan ushtarakët (që përbëjnë tetë ministri)12, ultra-liberalët (të udhëhequr nga ministri i financave Paulo Guedes) dhe fraksioni më ideologjik që sillet rreth Carvalho-së, siç është pastorja Damares Alves, ministre  për të drejtat e njeriut, familjes dhe grave, e cila propozon që djemtë të veshin rroba blu dhe vajzat rroba rozë.

Tanimë, Carvalho është një nga shënjestrat e zv-kryetarit, gjeneral Antônio Hamilton Mourão, si dhe grupeve ultra-liberale, siç është Lëvizja e Brazilit të Lirë. Nga ana tjetër, filozof-astrologu i denoncon “të moderuarit” e qeverisë, ndrojtja e të cilëve do t’ia pamundësonte zotit Bolsonaro ta shtjellonte programin e tij. Në ballë të pengesave për ndryshim: Gjeneral Mourão, një “fëmij analfabet13.

Carvalho avokon për radikalizimin politik. Miraton demonstratat e organizuara më 26 maj 2019 për ta kërkuar pezullimin e institucioneve demokratike, të akuzuara për pengimin e ambicieve “të popullit”, dhe ato të 30 qershorit, në mbështetje të gjyqtarit Sérgio Moro, përgjegjës për burgosjen e z. Lula da Silva, i cili tani është vërtetuar se e ka politizuar procesin gjyqësor. Gjatë këtij tubimi të fundit, altoparlantët e vendosur në një kamion transmetuan një mesazh nga Carvalho: “Për katër ose pesë dekada, komunistët dhe partnerët e tyre e dominuan Brazilin: mediat, universitetet, botën e arteve dhe të shfaqjeve. Gjithçka, absolutisht gjithçka! » Intelektuali ftoi demonstruesit të ndaheshin nga “buffonët dhe tradhtarët, të cilët kanë filluar të negociojnë me kampin tjetër dhe të thonë se janë të moderuar”. Ka ardhur koha, përfundoi ai, që t’iu “thyhen këmbët këtyre rrugaçëve”.

* Profesor i historisë në Universitetin Shtetëror të Paraná perëndimor (Unioeste).

[1] Cituar nga Patricia Facchin, « Olavo de Carvalho é um efeito da nova direita, e não sua causa », Instituto Humanitas Unisinos, 19 dhjetor 2018, ihu.unisinos.br

2 « Um acerto de contas com a astrologia », Porto do Céu, Recife, qershor 2000.

3 Diário do Comércio, São Paulo, 17 gusht 2009.

4 « Coleção de frases com Cu e cia », Olavo de Carvalho, 20 prill 2015, https://olavodecarvalhofb.wordpress.com

5 Cituar nga  Lucas Patschiki, « Os litores da nossa burguesia : o Mídia Sem Máscara em atuação partidária (2002-2011) »,disertacioni i temës për master të historisë, Universiteti Shtetëror i Paraná perendimor, 2012.

6 « A nova era e a revolução cultural: Capítulo II », Olavo de Carvalho, http://olavodecarvalho.org

7 Leonardo Seabra Puglia, « Gramsci e os intelectuais de direita no Brasil contemporâneo », Teoria e Cultura, Juiz de Fora, vol. 13, n° 12, dhjetor 2018.

8 « A nova era e a revolução cultural : Capítulo II », op. cit.

9 Cituar nga Lucas Patschiki, « Os litores da nossa burguesia », op. cit.

10 Lexoni Perry Anderson, « Au Brésil, les arcanes d’un coup d’État judiciaire », Le Monde diplomatique, shtator 2019.

11 Lexoni Laurent Delcourt, « Printemps trompeur au Brésil », Le Monde diplomatique, maj 2016.

12 Lexoni Raúl Zibechi, « Que veulent les militaires brésiliens ? », Le Monde diplomatique, shkurt 2019.

13 « Olavo de Carvalho retruca Mourão via redes sociais ; Carlos Bolsonaro apoia », Poder 360, 23 prill 2019, www.poder360.com.br