KOMPANITË E ISHULLIT PREMTOJNË TË RILOKALIZOJNË PRODHIMET E TYRE
Lufta tregtare kinezo-amerikane, një shans për Tajvanin?

Konflikti midis eksportuesit më të madh në botë (Kina) dhe importuesit më të madh (Shtetet e Bashkuara) ndikon në rritjen e shitjeve jashtë vendit të Tajvanit, hallkë kyçe në ekonominë globale. Protestat në Hong Kong dhe varësia ekonomike e ishullit ndaj Kinës ishin në qendër të zgjedhjeve të 11 janarit, në të cilat fitoi presidentja në largim Tsai Ing-wen.

1001

Çfarë zgjidhje për kompanitë amerikane që prodhojnë produktet e tyre në Kinë? Tajvani! Në mes të luftës tregtare midis Pekinit dhe Uashingtonit, në qershor 2019, Z. Terry Gou, drejtor i kompanisë tajvaneze Foxconn, rekomandonte këtë zgjedhje1. Si shumë kompani multinacionale të vendosura në territorin kinez, Foxconn, furnizuesi kryesor i pjesëve për Apple American, mendon t’i tërheq disa nga fabrikat e tij nga kontinenti. Njeriu më i pasur në ishull, i cili kishte planifikuar të garonte në zgjedhjet presidenciale para se të tërhiqej papritmas nga gara në tetor 2019, premtoi atëherë të riatdhesojë fabrikat e tij dhe të tërheq investitorë të huaj. Një mënyrë për të treguar se Tajvani, në zemër të zinxhirit global të logjistikës mund të përfitojë nga konfrontimi që përplas prej janarit 2018 Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe homologun e tij kinez Xi Jinping.

Një raport i Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim (Cnuced)2, i botuar në nëntorin e kaluar, vendos strategjinë e zhvendosjes së Z. Gou në një kontekst më të gjerë: lufta tregtare kinezo-amerikane dëmton ekonominë e dy vendeve, por nga ajo përfitojnë vendet e treta. Midis tyre, Tajvani është fituesi i madh. Teksti, i cili kishte jehonë në shtyp, shpjegon se për shkak të rritjes së tarifave të vendosura nga Uashingtoni, shitjet nga Kina në Shtetet e Bashkuara janë zvogëluar për 35 miliardë dollarë (31 , 5 miliardë euro), për të arritur vlerën 95 miliardë dollarë në gjysmën e parë të vitit 2019, ndërsa ato të Tajvanit u rritën për 4.2 miliardë dollarë (+ 20%).

Aleanca të reja politike

Mediat gjithashtu lajmërojnë kthimin e shumëpritur të taïshangeve, sipërmarrës tajvanezë, të cilët, si zoti Gou, investojnë jashtë vendit, dhe më së shumti në Kinë. Në vitet 2000, ata rrëzuan pothuajse të gjithë zinxhirin e prodhimit të industrive vendore në anën tjetër të ngushticës, me përjashtim të gjysmëpërçuesve. “Modeli klasik është modeli i një kompanisë tajvaneze që merr porosi nga Shtetet e Bashkuara, projekton në Tajvan, dhe aktivitetin e ka në Kinë. Nëntëdhjetë përqind e eksporteve tona janë produkte të ndërmjetme dhe 40% janë të destinuar për territorin e Kinës kontinentale”, thotë Roy Lee, ekonomist në Institucionin Chung Hwa për kërkime ekonomike (CIER), në Taipei, që realizon studime për qeverinë.

Parashikimet zyrtare për ekonominë janë optimiste. Banka Qendrore tani pret rritje prej 2.6% për këtë vit, krahas 2.4% që parashiheshin në shtator 2019. Sipas agjencisë InvestTaiwan3, e cila varet nga Ministria e Ekonomisë, treqind kompani në ishull kanë premtuar se do të investojnë gjithsej 842.4 miliardë dollarë tajvanez (25 miliardë euro), të cilat do të krijonin jo më pak se 69 374 vende pune, përmes një programi stimulimi për kthim i cili u lansua në fillim të vitit 2018. Vitin e kaluar, investimet për në Kinë u zvogluan për 54%.

“Ka dhjetë vite që Qeveria përpiqet të inkurajojë këtë komunitet të investoj në vend. Por taïshangët preferojnë ta ndjekin tregun sesa t’i dëgjojnë këshillat. Me luftën tregtare, tani ata kthehen pa ju kërkuar!”, thotë me entuziazëm Roy Lee, parase të shton: “Tregu kinez vazhdon të zhvillohet megjithë ngadalësimet. Ai paraqet ende një potencial të jashtëzakonshëm. Investitorët nuk po e braktisin ende kontinentin: ata po e rivlerësojnë linjën e montimit për produktet e destinuara për Shtetet e Bashkuara. Taïshanget nuk po kthehen, ata vetëm po investojnë në Tajvan atë që do ta kishin investuar më parë në Kinë”.

Në të vërtetë, raporti i Cnuced shënon më shumë një transferim selektiv të aktiviteteve, sesa një kthim real të investimeve. “Selia jonë është në Tajvan, por i gjithë zinxhiri i prodhimit operonte në Kinë,” thotë z. Chen, një ish-punonjës i VesCir, një start-up i bioteknologjisë. Kur Trumpi i vendosi tarifat e tij, menaxhmenti thjesht vendosi ta transferojë pjesën e « montimit » në një fabrikë këtu, në mënyrë që të përfitojë nga vula ‘Made in Taiwan’.

Pak para zgjedhjeve (presidenciale dhe parlamentare), të organizuara më 11 janar, perspektiva ekonomike rigjallëroi çështjen e varësisë ndaj Kinës. Katër vite më parë, në vitin 2016, zgjedhja e zonjës Tsai Ing-wen, independantiste,  kishte shkaktuar zemërimin e Xi. Udhëheqësi kinez ka thënë vazhdimisht se ishulli përfaqëson një pjesë të pandashme të territorit të vendit të tij, siç përcaktohet në Kushtetutë.

Presidentja inkurajoi kompanitë të investojnë në vendet e Azisë Juglindore (ajo që është quajtur “Politika e re në drejtim të Jugut”, New Southbound Policy) dhe të kthehen në teknologji të lartë përmes planit të saj për inovacionin teknologjik të njohur si “5+2” – që do të thotë pesë sektorë (bioteknologji, energji e gjelbërt, objekte të ndërlidhura, makina inteligjente dhe industri mbrojtëse) të cilëve ajo u shtoi ekonominë qarkore (“e gjelbërt”) dhe bujqësinë. Çështja ishte të stimulohej inovacioni, të rritej konkurrenca e industrisë dhe përfitimi i kompanive, si dhe sipas diskursit zyrtar, të mundësohej rritja e pagave, krijimi i vendeve të punës dhe zhvillimi më i ekuilibruar në të gjitha rajonet, me qëllim të zvogëlimit të varësisë ndaj zinxhirit të prodhimit me bazë në territorin kinez. Rezultate të vogla u regjistruan përpara se lufta tregtare t’iu jepte një kuptim të ri.

Largimi i Pekinit mund të bëhej fitimprurës. Disa taïshang, zakonisht akterë të afrimit midis dy palëve dhe votues besnikë të Kuomintang (KMT), partisë nacionaliste, janë joshur nga Partia Demokratike Progresive (PDP) e presidentes, që ishte kandidate për një mandat të dytë. “Po e mbështesim tranzicionin industrial të shkaktuar nga lufta tregtare!”, tha z. Liao Tai-xiang, zëdhënës i PDP. Ai përmendi rënien e investimeve drejt Kinës dhe rritjen e fluksit të kapitalit drejt vendeve të New Southbound Policy. Kështu që në fillim të janarit, Tajvani u bë investitori i pestë më i madh i huaj në Vietnam.

Në një vend ku politika bazohet kryesisht në marrëdhëniet me gjigantin fqinj, loja zgjedhore klasike është shkapërderdhur. Lufta tregtare dhe protestat në Hong Kong kanë ulur shanset e kundërshtarit kryesor të zonjës Tsai, z. Han Kuo-yu (KMT). Presidentja u ringrit pas humbjes të partisë së saj në zgjedhjet lokale të nëntorit 2018. Ajo u rizgjodh për një mandat të dytë me një rezultat edhe më të lartë se në vitin 2016: 8.2 milion vota (57.1%) kundrejt 6.9 milion katër vjet më parë.

Sidoqoftë, shumica e taïshangeve mbeten të lidhur me marrëdhëniet me Pekinin. “Të gjitha kompanitë kryesore tajvaneze kanë shumicën e fabrikave të tyre në Kinë. Nëse Tajvani mban marrëdhënie të paqëndrueshme me Kinën, askush nuk do të vijë të investojë tek ne! Dhe, në këtë pikë, është gjithmonë më e dobishme për një kompani tajvaneze që të investojë në kontinent sesa në Vietnam”, thotë Lee Suen-cheng, studiues në National Policy Foundation (NPF), një organ që ofron këshilla ligjore dhe financiare për drejtuesit e KMT.

E frikëson veçanërisht përfundimi i marrëveshjes kornizë të bashkëpunimit ekonomik (ECFA). I miratuar nga Parlamenti Tajvanez në vitin 2010, ky tekst hiqte taksat doganore për shumicën e mallrave që qarkullonin midis dy brigjeve të ngushticës dhe zhvillonte tregtinë. Kjo marrëveshje përfundon në qershor të vitit 2020 dhe shuarja e saj e plotë mund ta godas rëndë sektorin petrokimik dhe mekanik. Presidentja thotë se dëshiron ta ripërtëris, por vendimi varet edhe nga Xi.

Sipas gazetës japoneze Nikkei Asian Review4, udhëheqësi kinez mund të tundohet që të mos e ripërtëris ECFA-në, duke rrezikuar humbjen e investitorëve tajvanezë. Edhe nëse, sipas Roy Lee, “kur Tajvani zhvillon politika armiqësore, qeveria kineze kundërsulmon duke nxitur masa stimulative për tajvanezët në kontinent”. Në përgjithësi, këto masa pasqyrojnë kryesisht një dëshirë për t’i joshur ata dhe për ta inkurajuar identifikimin e tyre me Kinën5.

Njëzet e gjashtë stimujt e rinj6 të shpallur nga Pekini më 4 nëntor 2019 lejojnë ndërmarrjet tajvaneze të marrin pjesë në planin “Made in China 2025”, i cili synon të zhvillojë disa industri kryesore, veçanërisht në fushën e teknologjisë së lartë, si dhe ta zvogëlojë kështu varësinë nga furnizuesit ndërkombëtarë. Ky program shihet si një kërcënim nga z.Trump, i cili ka hyrë në një luftë teknologjike kundër gjigantit të telekomunikacionit Huawei, që shihet si një konkurrent i kompanive gjigante amerikane. Sipas tij, teknologjia e re 5G e firmës kineze mund të përdoret për të mbledhur të dhëna ilegalisht, përfshirë edhe nga ushtria.

Presidenti amerikan ka imponuar ndërprerjen e eksporteve të pjesëve përbërëse nga të cilat Huawei varet në masë të madhe. Kompania kineze atëherë vendosi ta “çamerikanizojë” zinxhirin e saj të prodhimit. Por, Tajvani prodhon 70% të një materiali pa të cilin nuk mundet Kina: gjysmëpërçuesit thelbësor për prodhimin e produkteve elektronike. Në fund të vitit 2019, Huawei u ngrit në rangun e klientit të parë të Taiwan Semiconductor Manufacturing Company (TSMC), lider botëror i gjysmëpërçuesëve të teknologjisë së lartë, përpara kompanisë amerikane Apple.

Që nga qershori, kjo kompani, shumica e fabrikave të së cilës kanë mbetur në Tajvan, ka treguar rritje pozitive: “TSMC është në një situatë gati të monopolit. Kompania është në një pozitë të fortë sepse Kina ka nevojë për të, thotë Mathieu Duchâtel, drejtor i programit të Azisë në Institutin Montaigne në Paris, i cili ka  hulumtuar ofertën 5G të Kinës  përballë sanksioneve amerikane. Me ardhjen e 5G, bota gjithnjë e më shumë do të ketë nevojë për pajisje të teknologjisë së lartë. Përparimi i TSMC do të vazhdoj në të ardhmen e parashikueshme; kjo i jep një levë të fuqishme Taipeit “.

Programi “Made in China 2025” mund të përbëj një bombë të kurdisur për këtë industri. Tashmë, Kina ka tërhequr tre mijë inxhinierë tajvanezë të specializuar në fushën e gjysmëpërçuesve, ose 10% të atyre që i kushtohen kësaj fushe kërkimore në Tajvan. “Kjo rrjedhje e trurit ka qenë një rrezik vitet e fundit. Në përgjithësi, lufta tregtare vetëm se përshpejtoi tendencat që veç ekzistonin, thotë Roy Lee. Kinezët nuk planifikojnë të varen gjithmonë nga teknologjia tajvaneze. Për ta, kjo është çështje e sigurisë kombëtare: vendi nuk dëshiron më të varet nga vendet e treta për teknologjitë thelbësore për mbijetesën e tij. Çfarë do të ndodhte nëse ishulli papritmas do të ndalonte furnizimin e tyre? Pekini mendon  që Taipei, në një moment apo tjetër, do të anonte kah Shtetet e Bashkuara. “

* Gazetare, Taïwan.

[1] Debby Wu, « Foxconn Terry Gou urges Apple to invest in Taiwan », Bloomberg Businessweek, New York, 21 qershor 2019.

2 Alessandro Nicita, « Trade and trade diversion effects of United States tarrifs on China »,  Cnuced, Genève, 15 nëntor 2019.

3 « Trois projets d’investissement à Taïwan génèrent plus de 840 milliards d’investissements dans plus de trois cents entreprises » (në gjuhen kineze), InvesTaiwan, Taipei, 27 dhjetor 2019.

4 Kansaku Ihara, « Taiwan Inc. weighs loyalty to mainland in presidential election », Nikkei Asian Review, Tokyo, 27 dhjetor 2019.

5 Lexoni « Pékin fait de l’œil aux citoyens taïwanais », Le Monde diplomatique, maj 2019.

6 Samson Ellis, « China dangles carrot to Taiwanese in battle for hearts and minds », Bloomberg Businessweek, 4 nëntor 2019.