
Është e vështirë të nënvlerësohet shkalla e humbjes së Partisë Laburiste (Labour) në zgjedhjet parlamentare në Mbretërinë e Bashkuar gjatë dhjetorit të kaluar. Redcar, një zonë elektorale në veri-lindje të Anglisë, buzë lumit Tees, kurrë nuk kishte zgjedhur një deputet konservator para mbrëmjes së 12 dhjetorit. Blyth Valley, pak më larg në veri, që ishte drejtuar nga Laburistët që nga viti 1950 kaloi gjithashtu në krahun e djathtë.
Shpërndarja e mandateve në Partinë Laburiste ka pasqyruar prej kohësh historinë sociale dhe ekonomike të vendit. Industria detare e Tyneside dhe minierat në veri-lindje të Anglisë i furnizuan Laburistët me bastione. Mëtej në jug, qytetet e mëdha industriale – Liverpool, Manchester, Sheffield – formuan një shtyllë të fortë elektorale për të majtën. Duke e shtuar koncentrimin e madh të socialistëve në zonën industriale të Birmingham dhe Midlands, shihej një “mur i kuq” që po shfaqej. Ky kufi ndante veriun me orientim laburist nga jugu i Anglisë i begatë dhe besnik ndaj krahut të djathtë (sidomos në qarqet e famshme « home counties » të Jug-Lindjes). Me ekosistem specifik sociologjik dhe politik, Londra – shtytësi i mbështetjes për udhëheqësin laburist Jeremy Corbyn – është rast i veçantë, sikurse shumica e kryeqyteteve kryesore të Evropës.
Përfaqësimi politik i klasës punëtore në Mbretërinë e Bashkuar përshkruan historinë e tre akterëve kryesorë: Kishat jokonformiste (ose disidente), sindikatat dhe partinë laburiste. Laburi lindi më 1906 ngna kishat dhe sindikatat. Gjatë shekullit XX dhe veçanërisht pas shpikjes së sektorit publik modern, në vitet 1940 (sistemi arsimor publik në vitin 1944, sistemi shëndetësor në vitin 1946), shoqëria britanike ishte strukturuar rreth disa institucioneve që qeverisnin jo vetëm jetën politike, por edhe jetën ekonomike apo kulturore.
Për shumë dekada, Partia Laburiste britanike ka formësuar një botë, një tërësi praktikash të përditshme dhe njohurish plotësisht të ndara nga bota konservatore. Për shembull, për një kohë të gjatë, për t’u punësuar në ndonjë pozitë apo tjetër ka qenë e nevojshme të tregohet libreza e anëtarësisë në partinë laburiste. Jeta e përditshme në Tyneside ose Wirral ishte e organizuar rreth komunitetit të majtë, siç kishim parë edhe në periferi të kuqe të Torinos ose në Nord-Pas-de-Calais francez. Pastaj gjërat ndryshuan.
Borgjezimi i përshpejtuar
Gjatë « Swinging sixties », me çlirimin e seksualitetit dhe moralit, filloi gërryerja e famës së kishave jokonvencionale dhe të religjiozitetit të majtë, që ishin përcaktuese në themelimin e ‘Labur’-it. Fundi i dekadës vijuese shënon fillimin e një procesi të dhimbshëm dezindustrializimi i cili minoi themelet e botës punëtore, siç tregon Alan Bleasdale në një mënyrë veçanërisht emocionale në serialin televiziv Boys from the Black Stuff, të transmetuar nga British Broadcasting Corporation (BBC) në vitin 1982. Neoliberalizmi i Margaret Thatcher (1979-1990) shndërron shoqërinë e vjetër industriale – ekonominë, zakonet dhe praktikat e saj – në një guaskë boshe: fabrika të rrënuara, njerëz të papunë të detyruar të përshtaten me kërkesat e ekonomisë së re të shërbimeve… Edhe sindikatat nuk dalin të padëmtuara nga një ndryshim i tillë.
Pas kishave jokonvencionale dhe sindikatave, rezultati i tmerrshëm i zgjedhjeve të përgjithshme të dhjetorit 2019 ilustron lëkundjen e institucionit të fundit nga tri institucionet që strukturuan të majtën britanike: partia. Sipas z.Maurice Glasman, drejtues i rrymës « Blue Labour » (konservatore për çështje shoqërore, por kundër neoliberalizmit), Partia Laburiste është madje duke u shkatërruar: viti 2019 ka shpërfaqur hendekun e pakapërcyeshëm që tani e ndan nga klasa punëtore të cilën pretendon ta përfaqësojë.
Në fund të nëntorit të vitit 2019, dy javë para zgjedhjeve, aktivisti dhe shkrimtari Owen Jones i binte alarmit: një fitore për laburistët do të ishte e pamundur nëse ata humbnin votën e punëtorëve, të përcaktuar nga aderimi i tyre në Brexit. E merrte shembullin e zonës zgjedhore të Grimsbyt në bregun lindor. Ndërsa qyteti ishte në duart e laburistëve që nga viti 1945, sondazhet tregonin se votuesit tradicionalë të Laburit do të votonin masivisht për Partinë e Brexitit të z.Nigel Farage, duke ua premtuar kështu konservatorëve këtë zonë zgjedhore. Jones kishte të drejtë, por pak vonë, pasi që si i mbyllur në flluskën e tij në Londër, ai prej kohësh kishte argumentuar rreshtimin e Laburit në një pozicion anti-Brexit në artikujt e tij për Guardian…
Transformimi sociologjik i laburistëve dhe distanca në rritje midis tyre dhe klasës punëtore nuk është e re. Fillon me fitoren në vitin 1997 të z. Anthony Blair dhe New Labour, e mundësuar nga një aleancë rrethanash midis klasave popullore dhe klasave të mesme. Në vitet 2000, shumë e panë ngritjen e Partisë për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar (UKIP) si një zhvillim të së djathtës. Por, studiuesit Robert Ford dhe Matthew Goodwin kanë treguar që UKIP tërhiqte votuesit e tij nga të pakënaqurit e së majtës. Euroskeptike gjatë formimit të saj, partia e Farage u bë mjeti për ta kritikuar tregun britanik të punës, veçanërisht pas zgjerimit të Bashkimit Evropian në vendet lindore në vitin 2004. Kjo parti merrej me çështjet që refuzonte t’i konsideronte Laburi, që preferonte të mirrej me prioritetet e një segmenti tjetër të elektoratit: banorët e zonave metropolitane, të cilët përfituan shumë nga procesi i krijimit evropian.
Sidoqoftë, shtrohet një pyetje: nëse divorci midis Partisë Laburiste dhe klasave popullore ishte përgatitur për më shumë se dy dekada, si të shpjegohet se u shfaq kaq papritur në zgjedhjet e vitit 2019? Dy elemente për këtë përgjigje: korbinizmi dhe Brexiti.
Korbinizmi, rryma politike e lidhur me atë që e ka udhëhequr Partinë Laburiste nga viti 2015, karakterizohet me një paradoks. Nga njëra anë, zgjedhja e z. Jeremy Corbyn si kreu i laburistëve shënoi fillimin e një radikalizimi ideologjik: kthimi i një ambicie socialiste të cilën askush nuk ëndrronte nga vitet 1970, kërkesa për një shtetëzim të shërbimeve publike, ringjallja e një fryme të klasës punëtore. Vetë z. Corbyn mishëron këtë rrymë: karriera e tij politike është e pandashme nga demonstratat anti-imperialiste dhe protestat e viteve 1970 dhe 1980. Është vlerësuar se ky kalim në të majtë do t’i vendoste laburistët në zemër të rrjeteve sociale dhe kulturore popullore, kështu që aktivistët laburistë do të ktheheshin në territoret tradicionale veriore. Por, korbinizmi u shoqërua nga një lëvizje tjetër, sociologjike: radikalizimi i saj ideologjik u shoqërua me një borgjezim të përshpejtuar.
Që nga viti 2015, partia ka tërhequr mijëra anëtarë të rinj. Me më shumë se gjysëm milion anëtarë, ajo është partia më e madhe në Evropë. Por, siç e shpjegon deputeti laburist Jon Cruddas, korbinizmi shënon një shkëputje me epokën e z.Blair vetëm se në nivelin e ideve. Përsa i përket rekrutimit, ajo është bërë edhe më ‘blair’-iste: me më së shumti aktivistë nga brezi Y, të arsimuar, banorë të Londrës ose të qyteteve universitare si Cambridge dhe Brighton, aktivë në sektorët më dinamik ekonomik, por të prekur nga pasiguria financiare.
Programi i Laburit për fushatën zgjedhore pasqyron shqetësimet e këtij grupi shoqëror. Ai përzien një formë të socializmit radikal (rishtetëzimi, shfuqizimi i shkollave private, ndërkombëtarizmi i ri në çështjet e politikës së jashtme) dhe një interes të mprehtë për çështjet e identitetit shumë në trend në fillim të shekullit XXI. Krahas çështjeve themelore, siç është feminizmi dhe anti-racizmi, disa çështje të tjera të cilat nuk duken kaq urgjente: mbrojtja e fluiditetit të gjinisë në një botë “ende shumë binare“; avokimi për heqjen e dallimit midis tualeteve për burra dhe gra në mënyrë që të mos diskriminohen njerëzit transgjinorë, etj. Për disa anëtarë të klasave popullore, ambicia e parë është utopike dhe e dyta shfaq shqetësime që vështirë ngriten në rangun e prioriteteve.
Sa për Brexitin, disa liderë të partisë, siç është z. John McDonnell, e përcaktuan shpejt si njërën nga arsyet e humbjes. Është e vërtetë se elektorati i laburistëve u nda midis mbështetësve dhe armiqve të daljes nga Bashkimi Evropian, të votuar nga britanikët më 2016; një brishtësi që konservatorët e shfrytëzuan me parullën e tyre: « Get Brexit Done ». Por kjo ndarje ideologjike brenda elektoratit laburistë pasqyron gjithashtu heterogjenitetin e tij sociologjik.
Ndërsa z.Corbyn – në mënyrë diskrete – mbeti pranë euroskepticizmit të së majtës, një vizion i shumicës brenda Partisë Laburiste në vitet 1970, shumë aktivistë të rinj dhe urbanë laburistë e kuptuan votën pro-Brexit si një manifestim i ksenofobisë dhe racizmit. Për shumicën e laburistëve, vizioni kritik i Evropës duket se i ka lënë rrugën një lidhje identitare me Bashkimin Evropian. Meqenëse të qenit pro-evropian do të thoshte të jesh i hapur, tolerant, internacionalist dhe kurioz, votimi për Brexit mund të shihej vetëm si forma më e ashpër e shovinizmit.
Kjo shkëputje shkaktoi një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin e laburistëve. Në vitin 2017, programi i partisë u thirr shumë konkretisht për ta lënë Bashkimin Evropian në një kapitull të titulluar “Si ta negociojmë Brexitin“. Në vitin 2019, ai u angazhua të propozonte një marrëveshje të mundshme me Bashkimin Evropian në një referendum të dytë, ku do të mundësohej votimi kundër daljes.
A ishte vërtetë realiste të lihej një pjesë e aktivistëve të përbuznin mbështetësit e Brexit për tri vjet, duke i akuzuar për racizëm dhe gënjeshtra, si dhe të ndryshohej qëndrimi i tyre për këtë çështje për të joshur eurofilët dhe për t’u kthyer kah klasat e varfëra në favor të Brexitit për të kërkuar mbështetjen e tyre?
Çfarë e ardhme i pret laburistët në këto kushte? Që nga zgjedhjet, shumë prej tyre, duke marrë parasysh që shkëputja sociologjike nuk është konsumuar ende, nuk dijnë se si të pajtohen me klasën punëtore. Të tjerë e vëjnë në dyshim këtë pajtim dhe i ftojnë klasat e varfëra ta rishikojnë historinë e përfaqësimit të drejtpërdrejtë të interesave të tyre, pa pritur që dikush të flas për ta.
* Politolog, Universiteti i Cambridge.