
Çfarë është një trëndafil? Një strategji bimore për t’i shtyer insektet që të përhapin polenin? Një lule me aromë? Një objekt i kënaqësisë vizuale, një fragment i natyrës në artificën urbane? Është para së gjithash një produkt që blejmë për ta ofruar, një simbol i dashurisë dhe respektit, që industria e reklamave përpiqet të ruaj gjatë festës së Nënave ose Ditës së Shën-Valentinit. Dhuratë e gatshme për t’u konsumuar dhe që nuk kërkon pothuajse aspak kujdes nga ana e marrësit, trëndafili, kur thahet, përfundon në shportën e mbeturinave. Aty është vendi ku duhet të hidhet, jo në kompost, duke pasur parasysh ngarkesën kimike të indeve dhe ujit të saj.
Cikli jetësor i një trëndafili fillon tetë vjet para se të dërgohet në incenerator të kamionit të mbeturinave. Në një kopsht të trëndafilave gjermanë, holandezë ose francezë, hibridizuesit kryqëzojnë polenet dhe pistilet e bimëve të ndryshme për t’i kombinuar karakteristikat e tyre të rezistencës, formës dhe produktivitetit. Kjo matet në numrin e kërcelleve për metër katror, një tregues kyç, i cili shkon deri në 240 për një lule supermarketi të rritur në lartësi të ulët mbidetare. Zgjedhja e formave dhe ngjyrave varet kryesisht nga trendi momental i lules, madje indeksuar sipas modës së veshjes. Kështu, sektori rinovon rregullisht varietetet e tij. Sikurse shija e domateve industriale, aroma e trëndafilave zë vendin e fundit në listën e kritereve të cilësisë. “Gjatë përzgjedhjes, emocioni është në rend të dytë“, pranon Matthias Meilland, një hibridizues i madh francez. Ky proces rezulton në dorëzimin e një patenti dhe më pas lëshimin në treg të një varieteti të ri.
Një prodhues blen një varietet me çmim 1 dollar për bimë, pastaj paguan 0.15$ taksë çdo vit. Hibridizuesit i duhen vetëm disa javë për ta mbushur një serë: prehet një fragment në bimën model, i cili riprodhohet pa riprodhim seksual, pastaj shartimi përsëritet për të fituar mijëra klone. Secili prej tyre shartohet në rrënjë dhe kjo ua lehtëson përshtatjen në klimën ekuatoriale dhe i bën më pak të ndjeshëm ndaj sëmundjeve.
Pesticidet, fungicidet dhe baktericidet
Kultura e trëndafilit daton që nga Antikiteti. Në shekullin e XIX, teknikat e hibridizimit formësuan trëndafilin modern, me lule të mëdha dhe me kërcella të drejta. Pas luftës, kjo kulturë ndjek industrializimin bujqësor, mekanizimin, revolucionin fitosanitar. Industria fillon të ngroh serrat në dimër për të prodhuar varietete që përndryshe nuk do të rriteshin mirë në klimat evropiane. Me krizen e naftës të viteve 1970, kjo metodë u bë më pak fitimprurëse, veçanërisht pasi konkurenca po shfaqej në kontinentet e tjera. Industrialistët atëherë bastojnë në klimat ekuatoriale, me punë dhe tokë të lirë, si në Andet e Kolumbisë dhe Ekuadorit (rreth 15 dollarë pagë ditore në vitin 2018). Dhjetë vite më vonë, prodhuesit evropianë po investojnë në malet e Kenya-së (paga ditore : 3-4 dollarë) dhe malet etiopiane (rreth 1 dollar në ditë), gjeografikisht më afër tregjeve të tyre të konsumit.
Këto vende kanë tri burime themelore: klimën, ujin dhe fuqinë punëtore, si dhe gjinden pranë ekuatorit dhe në lartësi të duhur mbidetare. Kështu, lulet kapin maksimumin e rrezatimit të diellit dhe përfitojnë nga një klimë të rregullt përgjatë gjithë vitit, pa ngrica ose valë nxehtësie. Për ta maksimizuar këtë rrezatim dhe kontrolluar atmosferën, kulturat rriten në serra, ku temperatura rritet në 35°C. Fillimisht, kulturat ndodheshin në toka shumë pjellore, por këto monokultura ishin preh e shumë sëmundjeve, të fituara në mënyrë të veçantë përmes rrënjëve, pasi trëndafilat e viteve 2000 nuk rriten më në tokë, por në një substrat bimor ose sintetik inert.
Trëndafilat pinë shumë : 7 deri në 13 litra ujë për lule, varësisht nga sistemi i kultivimit. Dhe miliona bimë thithin me endje burimet ujore vendore dhe madje kombëtare. Shpesh, prodhuesit e marrin ujin falas nga liqenet ose në shtresat e ujërave nëntokësore. Rajoni i Savanës në Bogotá (Kolumbia qendrore), si dhe liqenet e Kenya dhe Etiopisë, kanë pësuar kështu një krizë të dyfishtë të ujit: mungesa e ujit për popullsitë autoktone dhe ndotja e burimeve që ndikon në shëndetin e njeriut dhe në ekosisteme. Nismat lokale dhe rrjetet ndërkombëtare i kanë detyruar kompanitë t’i ndryshojnë praktikat e tyre. Fushatat më të mëdha pohojnë që rikuperimi i ujërave të shiut dhe ripërdorimi i ujërave të zeza i përgjysmon shpenzimet. Ujitja dhe ushqyerja tani bëhen me metodën pikë-pikë, uji bartë plehrat dhe produktet tjera fitosanitare në substratin mbi tokë.
Në këto vende, trëndafilat lulëzojnë gjatë gjithë vitit. Sidoqoftë, përmbushja e kërkesës për festat kalendarike si Dita e Shën Valentinit kërkon një planifikim rigoroz. Prodhuesit e trëndafilave kontrollojnë ditën e lulëzimit me anë të një mase specifike, data e së cilës, e llogaritur sipas lartësisë mbidetare dhe rrezatimit të diellit, ndodh në Kolumbi nëntëdhjetë e pesë ditë mesatarisht para se të dërgohen jashtë vendit. Është një procedurë precize, që bëhet kryesisht nga gratë, të cilat janë më të kujdesshme dhe të disiplinuara. Normat dhe shpejtësia e punës janë rritur që nga vitet 1990. Shumë punëtore kolumbiane vuajnë nga tendoniti i shumëfishtë. “Çdo e dyta kolege e imja vuan nga sindroma e tunelit karpal, thotë Rocío. Ne nuk ankohemi për këtë, sepse nuk dëshirojmë të na quajnë sindikaliste“. Siç raporton znj.Ines Maroquin nga Organizata Kombëtare e Punonjësve të florikulturës kolumbiane, menaxherët përsërisin vazhdimisht “se biznesi është në gjendje të keqe dhe se sindikatat po e sjellin falimentimin”, në mënyrë që të mos flasin punëtorët.
Trëndafili kërkon shumë kujdes. Një lule e prerë nuk mund të ketë ndonjë njollë në një petal ose gjethe: ajo duhet të jetë një “mbretëreshë“, një “shkëlqim“, një krijesë e “elitës“, siç sugjerojnë emrat e kompanive të mëdha kolumbiane. Për ta shmangur ndonjë rrezik, bimët spërkatën me pesticide, fungicide dhe baktericide. Prodhuesit i raportojnë pak shifrat, por Khaoula Toumi, një doktor i agronomisë në Universitetin e Liège, ka vërerejtur se lulet përmbajnë “100 deri 1.000 herë më shumë sesa vlera e lejuar në ushqim“. Në fshatrat e savanës së Bogotës, disa punëtorë shqetësohen për aborte, keqformime të fëmijëve ose kancer. Sindikata Untraflores shpreh keqardhje që nuk ka pasur studime të thella mbi ndikimin në shëndet të kulturës së trëndafilëve, edhe pse nga disa studime shihet që ekziston një lidhje. “Eshtë e vështirë ta monitorosh në mënyrë të pavarur shëndetin e punëtorëve në ndërmarrje që janë si lagje të mbyllura,” tha Tomás Enrique León-Sicard nga Instituti për Studime Mjedisore i Bogotá-së.
Disa menaxherë të lulishteve betohen se kanë kaluar ato kohëra dhe thonë se i kanë përmirësuar praktikat e tyre. Sidoqoftë, gratë janë të liruara nga punët me produkte fitosanitare dhe nuk përfitojnë kompensime nga këto aktivitete. “Kjo është për shkak se përgatisim ushqim, ushqejmë foshnjet me gji dhe kjo mund të na pengojë që të lindim fëmijë,” tha Daisy, një punëtore kolumbiane që e do punën e saj. Burri i saj e ka ndërruar punën dhe kërkon nga partnerja e tij që “të mos shkëmbejë shëndetin e saj për para“. Spërkatja e fungicideve dhe insekticideve ndodh përgjatë tërë rritjes së kërcellave. Pas çdo spërkatjeje, hyrja në serra është e ndaluar, derisa substancat të bien në tokë. Karantina zgjatë disa ditë ose disa orë, në varësi të produktit … dhe varësisht nga lulishtja.
Pesëmbëdhjetë ditë para Shën Valentinit, autobusët sjellin punëtorë nga rajone të varfra të vendit si dhe migrantë të Venezuelës për t’i mbledhur lulet. Papritur, ditët e punës kalojnë mesatarisht nga dhjetë orë në gjashtëmbëdhjetë orë. Vjelja përfshin gjeste të përsëritura, në një normë prej 350 lulesh të prera dhe të ngarkuara në orë. Sapo të kryhet operacioni, bimet dërgohen në hangare të ftohura në temperaturë 4°C për të pezulluar hapjen e lules dhe tharjen e saj. Atëherë, ekipe të tjera të grave heqin gjethe dhe gjemba, klasifikojnë, prejnë, paketojnë, aplikojnë fungicide dhe bëjnë buqeta për supermarkete. Lulet që llogariten jo konform normave, për shkak të densitetit më të ulët të petaleve, kërcellit të lakuar, njollave të vogla ose ndryshimeve të lehta të ngjyrës, ose asgjësohen ose shiten me një çmim të ulët në tregun e brendshëm.
Asnjë valë bio
Vjelja vazhdon, derisa ka filluar lëvizja e kamionëve frigoriferikë kah dhe nga aeroporti – afërsia me këtë infrastrukturë është një nga kriteret për zgjedhjen e zonave të prodhimit. Lëvizjet e kamionëve zhvillohen nën mbrojtje, për ta parandaluar vjedhjen ose futjen e lëndëve narkotike. Dhe hetuesit, në mënyrë diskrete, vëzhgojnë autokolonat për t’i zbuluar ata që nuk i kanë paguar taksat tek hibridizuesit perëndimorë. Ruajtja e zinxhirit të ftohtë deri në depot e klientit rrit ndjeshëm koston e transportit. Ndërsa lulet e prodhuara në Kolumbi dhe Ekuador janë të destinuara kryesisht për tregun amerikan (0,85 dollarë për kilogram të transportuar), lulet që vijnë nga Kenia ose Etiopia dërgohen në Evropë. Transporti përbën 90% të impaktit të karbonit të luleve keniane. Por kulturat holandeze në serra të ndriçuara dhe të ngrohura do të kishin një ndikim gjashtë herë më të madh7.
Shitjet e eksportit bëhen në dollarë: rreth 20 deri në 30 cent për trëndafil në dalje të ndërmarrjes, 80 cent për shitësin dhe 1.5 dollarë për konsumatorët. Normë kjo që dyfishohet ose trefishohet në ditën e Shën Valentinit. Operatorët më të mëdhenj i përkasin grupeve të mëdha amerikane ose evropiane, që janë shtytës të marrëveshjes së tregtisë së lirë, zbatimi i të cilës ka shkatërruar prodhuesit e Shteteve të Bashkuara. Por, në këmbim i është mundësuar lobit bujqësor amerikan heqja e taksave për eksportin e sojës, grurit, misrit dhe vajit në Kolumbi. “Një tragjedi” për Z. Ricardo Zamudio, nga shoqata mjedisore kolumbiane Kaktus: “Në tokat pjellore, prodhimi i luleve të eksportit zëvendëson kulturat ushqimore vendase dhe këto marrëveshje tregtare po e shkatërrojnë sovranitetin tonë të ushqimit. “
Lulet mbërrijnë në lulishte disa ditë para festës kalendarike, kur reklamat magjepsin me bukurinë e trëndafilave. Pastaj fillon një seri e re e manipulimeve, “çizmet dhe duart në lagështi. Në fakt, është punë e ndyrë“, thotë një luleshitës francez. Për dallim nga rregullat për frutat dhe perimet, rregulloret nuk kërkojnë etiketime mbi origjinën e luleve. Kështu, pak konsumatorë e dijnë se pothuajse të gjithë trëndafilat vijnë nga vendet ekuatoriale9. Shitësit e luleve e njohin ngarkesën kimike të prodhimit, por ata nuk shohin ndonjë rrezik për veten e tyre. Khaoula Toumi ka gjetur ende mbetje të më shumë se njëqind substancave toksike në duart e luleshitësve belg, dhe shtatëdhjetë në urinën e tyre – disa prej të cilave janë të ndaluara në Evropë. Me arsyetimin se lulet nuk i hamë (së paku jo më), industria e hortikulturës i shpëton pjesërisht debatit dhe standardeve sanitare; ajo nuk preket nga vala bio. Industria ka vendosur etiketa “të gjelbra”, por ose është vetë-çertifikim ose bëhet nga organizata private të varura nga prodhuesit. “Punëtorët janë përjashtuar nga vlerësimi i veprimtarisë“, tha Zamudio.
Në vendet konsumatore, disa prodhues lulesh duken të vendosur për t’u larguar nga produktivizmi: me biznese të vogla, ata prodhojnë varietete vendore ose lloje të vjetra, që i përshtaten sezonit. E minimizojnë përdorimin e kimikateve dhe u adresohen klientëve të afërsisë. Disa herë iu propozojnë atyre që ta bëjnë vetë buqetën me lule. Ende margjinale, qasja e tyre, e cila kërkon më pak kapital por më shumë fuqi punëtore dhe njohuri teknike, jehon me atë të Shoqatave për ruajtjen e bujqësisë fshatare (Amap). Nuk është rastësi që disa prej tyre i shesin lulet e tyre afër tezgave të perimeve të kopshtarëve vendorë. Aty mund të gjeni trëndafila vetëm në ditët me diell. Këto trëndafila janë më të vogla, por kanë më shumë aromë. Dhe, mund t’i hidhni në kompost.
* Kolektiv La Rotative.