
Nga Rabati deri në Bagdad, të gjithë mund të lexojnë të njëjtën gazetë pasi vendet arabe ndajnë përdorimin e një gjuhe të shkruar (arabishtja standarte ose Foussha) që nuk përkon me territorin politik. Audienca e mediave që flasin arabisht nuk korrespondon me kufijtë e një shteti-komb, qoftë nga gazetat, radio apo kanale televizive. Nisur nga përvoja evropiane, zhvillimi i shtypit në këtë rajon të botës duket se është një anomali. Në të vërtetë, nga sociologu francez Gabriel Tarde deri tek historiani irlandez Benedict Anderson, shumë intelektualë kanë argumentuar se shtypi është burimi i ndjenjës kombëtare. Sipas tyre, gazeta krijon një audiencë të bashkuar nga gjuha dhe temporaliteti i përditshëm, të cilët mund të imagjinohen duke lexuar të njëjtët artikuj në të njëjtën kohë ndërsa pijnë kafe në mëngjes. Gazeta krijon “komunitetin imagjinar” të kombit.
Por si mundet që një shtyp i cili shtrihet nga Atlantiku deri në Gjirin Persik të themelojë një komb? Mbështetësit dhe kundërshtarët e një bote arabe të unifikuar politikisht, shpesh kanë menduar që shtypi mund të veprojë si një mjet për fabrikimin e ndjenjës kombëtare. Nga njëra anë, ata që menduan se arabët duhet të bashkohen në të njëjtin shtet, sepse ndajnë të njëjtën gjuhë, ishin në favor të një shtypi të përbashkët. Nga ana tjetër, disa mbrojtën ndalimin e botimit në foussha dhe favorizuan dialektet për të krijuar një audiencë vërtet kombëtare me një shtyp në dialektin egjiptian, maroken ose sirian. Këto kritika në fakt fillojnë nga i njëjti supozim: situata e shtypit arab është anormale, duhet të ekzistojë një përshtatshmëri midis gjuhës, mediave, shtetit dhe kombit.
Kush vëzhgon historinë e shtypit arab e ka të vështirë të bëjë dallimin midis asaj që është “kombëtare” dhe “ndërkombëtare”. Historianët shpesh thonë se gazeta e parë arabe, Al waqai ‘al misriyya (Ngjarjet e Egjiptit), u themelua në Kajro në 1828. Por “gazetë” është një term paksa i nxituar, pasi ajo ishte më shumë një dokument administrativ me disa qindra kopje të destinuara për zyrtarët egjiptianë. Një ditar zyrtar ku shtonin herë pas here, lajme të përgjithshme. Pas pak kohe, autoritetet otomane filluan të njëjtin lloj botimi në Kostandinopojë, Takvim-i vekayi (Kalendari i Ngjarjeve), së pari në turqishten osmane dhe më pas në disa botime përfshirë arabishten. Në Kajro si në Stamboll, pushtetarët që po përpiqeshin të reformojnë vendin e tyre, synonin të centralizonin informacionin. Në fillimin e shekullit XIX, shtypi shërbeu për të shtrirë dhe forcuar kontrollin e shtetit nga një këndvështrim që ishte edhe modernizues dhe autoritar në të njëjtën kohë. Autoritetet nuk kërkonin të demokratizonin informacionin ose të krijonin opinion publik, ata synonin shpërndarjen në mënyrë të njëanshme aktivitetet dhe idetë e tyre.
Nga Levanti në Magreb
Diku tjetër, shtypi fillestar nuk ka asnjë lidhje me shprehjen e ndjenjave nacionaliste apo pan-arabe. Gazetat e para shpesh themeloheshin nga qeveritë koloniale, të cilat, duke riprodhuar të njëjtat përvoja si homologët e tyre egjiptianë ose osmanë, e bënë shtypin një mjet komunikimi me popullsinë. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për Muhamed Aliun në Kajro, Mahmud II në Kostandinopojë ose Louis-Philippe në Paris, asnjëri nga këta monarkë nuk shkruan vetë në arabisht. Prandaj i shërben atyre të flasin drejtpërdrejt me lexuesit arabishtfolës. Pas marrjes së Algjerit në korrik 1830, qeveria franceze u përpoq në disa raste të shpërndajë një botim kushtuar publikut arab. Pas një përpjekjeje të shkurtër në 1832, me Moniteur algérien, i cili botonte ndonjëherë në arabisht, në shtator 1847 në Algjeri u shfaqën Al-Mubachir (Shpallësi) ose Le Mobacher në frëngjisht. Dërguar në mënyrë të veçantë për të gjithë zyrtarët muslimanë, ky botim i përmuashëm është redaktuar nga Ismaël “Thomas” Urbain, i rritur me idealet e Shën-Simonit dhe i cili u konvertua në Islam në 1835 pas disa qëndrimeve në Kajro. Në botimin e tij të parë, Le Mobacher njofton qëllimin për t’i afruar algjerianët më afër mbretit Louis-Philippe: “Ju e dini që mbretërit e kombeve të krishtera flasin çdo ditë me popujt e tyre përmes shkrimeve ku i informojnë ata për vendimet e qeverisë dhe lajme të çdo lloji. Sulltani i Kostandinopojës, Pashai i Egjiptit e ndoqën këtë shembull dhe ndjekësit e tyre po shkojnë mirë.” Historiani Charles-Robert Ageron vëren se ky botim do të ofronte shumë shpejt” artikuj të kulturës së përgjithshme të shkruara gjatë nga zyrtarët francezë dhe të përkthyera në arabisht. “
Më vonë dhe deri në mbylljen e saj në 1928, do të punësonte gjithashtu gazetarë muslimanë, duke e bërë kështu Le Mobacher-in “shkollën e parë të gazetarisë të Algjerisë myslimane. “
Që në fillim, këto gazeta qarkulluan përtej kufijve. Gazeta e parë e botuar në Tunizi në 1860 është Al-Ra’id al-Tunsi (Pionieri Tunizian). Edhe nëse një nga objektivat e tij të parë ishte të kontribuojë në zbatimin e duhur, nga gjykatat tuniziane, të kodit të ri të ligjit penal dhe të drejtës zakonore, ai tregon kështu në faqen e parë të tij që mund ta gjejmë jo vetëm në qytetet kryesore të vendit (Tunis, Kairouan, Sfax, Sousse, Bizerte), por edhe në Algiers, Tripoli, Alexandria, Beirut. Lexueshmëria e saj ishte pra në shkallën e Mesdheut që flet arabisht, nga Levanti deri në Magreb. Në Algiers, shtypi egjiptian u ble në një librari, rue de la Lyre në Casbah të Poshtëm nga vitet 1870.
Nuk ka asgjë kombëtare në lidhje me përmbajtjen e gazetave. Telegrafi elektrik dhe agjensitë e lajmeve, që sapo kishin lindur, kontribuojnë në lindjen e një informacioni kryesisht të njëtrajtshëm, qoftë për atë që jeton në Beirut, Romë apo Buenos Aires. Me zhvillimin e kabllove të paranëndetëse në Mesdhe në vitet 1860 dhe zyrat e para të agjencive Havas ose Reuters në Aleksandri ose Tunis, roli i redaktuesve kryesisht konsistonte në përkthimin e dispeçeve telegrafike evropiane në arabisht. Artikujt kopjoheshin nga një gazetë në tjetrën, në një kohë kur të drejtat e autorit ishin shumë te mjegullta.
Këto gazeta në rritje kishin nevojë për redaktorë, një forcë pune që nuk respekton kufijtë kombëtar. Prandaj thirreshin maronitët libanezë, të trajnuar në seminare fetare në arabishten standarte, gjuhë evropiane dhe në përdorimin e shtypshkronjës. Farès Chidiac, shkrimtar dhe gazetar i lindur në 1804 në Mont-Liban, redaktoi revistën zyrtare egjiptiane në vitet 1830, pastaj udhëtoi në Evropë – ai u bë një socialist në Francë – para se të themelonte të njëjtin lloj botimi në Tunizi në 1860. I ftuar nga Sulltan Abdülmecid I, ai u transferua në Kostandinopojë në 1861 për të botuar al-Jawa’ib (Les circulantes), një gazetë javore kulturore dhe letrare e subvencionuar nga qeveria osmane dhe me model të frymëzuar nga gazetat kryesore evropiane të asaj kohe.
Vëllezërit libaneze ose sirianë që kishin emigruar krijuan disa nga gazetat më të rëndësishme në botën arabe që nga vitet 1860. Vendi i botimit i tyre ndryshoi sipas kufizimeve politike. Në 1875, vëllezërit Takla themeluan Al-Ahram (Piramidat) në Egjipt, i cili botoi artikujt e disa mendimtarëve të Nahda (Rilindjes), duke përfshirë Djamal Eddine Al-Afganas dhe Mohamed Abdouh. Kjo e përditshme mbetet edhe sot e kësaj dite një referencë në të gjithë botën arabe. Edhe në Marok, e vendosur akoma larg Libanit, gazeta e parë private në gjuhën arabe, Lissan al-Maghrib (Gjuha e Marokut), u publikua në vitin 1907 në Tangier nga Farajallah dhe Arthur Nemmour, dy vëllezër libanezë. Ai do të ishte zëdhënësi zyrtar i monarkisë marokene para se të bëhej zëdhënësi i elitës nacionaliste të një mbretërie të ekspozuar ndaj qëllimeve koloniale franceze dhe spanjolle3. Emigrimi në Amerikë bëri që në atë kohë disa nga qendrat kryesore të shtypit arabisht-folës të vendoseshin gjithashtu në São Paulo dhe Philadelphia. Në 1914, kishte katërmbëdhjetë gazeta në gjuhën arabe në Brazil, dhe New York-u kishte një të përditshme, Kawkab Amirka (Ylli i Amerikës) nga 1898, domethënë shumë kohë para Mekës, qytetit të shenjtë të Islamit, ose Fez, një qendër kryesore universitare marokene që nga shekulli X.
Sidoqoftë, jo gjithçka rrodhi lirshëm. Në shumicën e vendeve arabe, një gazetë “e huaj” paraqiste një problem të sovranitetit shtetëror, sepse ajo ishte botuar në një vend që nuk e kontrollon dhe nga e cila mund të burojnë idetë kundërshtuese. Prandaj, shtetet në rajon shpesh tundoheshin të ndalonin gazetat arabe të shtypura jashtë vendit. Në vitin 1897, qeveria franceze në Algjeri, për shembull, ndaloi gazetën egjiptiane Al Mu’ayyad (Partizani) i cili drejtoi një fushatë kundër kolonializmit perëndimor në Egjipt dhe në pjesën tjetër të botës arabe. Por ishte e vështirë për autoritetet koloniale të vendosin kontroll efektiv. Për shembull, gazetat ndonjëherë paketoheshin në kuti që përmbanin produkte të tjera në mënyrë që të kalonin më lehtë doganat. Një trafik i vërtetë gazete zhvillohej në kufirin midis Algjerisë dhe Tunizisë nën protektoratin ku ky i fundit përfitonte nga një regjim censurimi më liberal.
Kështu, shumë qeveri po përpiqeshin të subvenciononin gazetat me ndikim përtej kufijve të tyre. Në vitet e fundit të shekullit të XIX-të, konsujt britanikë dhe francezë në Egjipt zhvilluan një luftë shurdhe përmes gazetave Al-Ahram, pro-frëngjisht dhe Al-Muqattam (të emëruar keshtu pas kodrave në jug-lindje të Kajros) , pro-britanike. Edhe shtypi në dukje i pavarur shpesh mbështetej nga qeveritë lokale ose të huaja.
Trazira intelektuale
Gazetat propaganduese u krijuan gjithashtu me qëllimin e vetëm për të çuar më tej pikëpamjen e një kryeqyteti të huaj. Quai d’Orsay financonte shumë gazeta në gjuhën arabe, por megjithatë ankohej për ndikimin e botimeve të mbështetura nga fuqitë e huaja. Ndër pionierët e gazetarisë arabe figuronte një gazetë e botuar në 1880 në Cagliari, Sardenjë. Qeveria italiane dhe bashkësia e biznesit në Sardenjë ishin duke targetuar Tunizinë fqinje, ku ata do të donin të ndërtonin një koloni, duke shkaktuar tensione me qeverinë franceze, e cila kishte frikë për sigurinë e Algjerisë. Për të ndikuar në publikun tunizian dhe arab dhe për të parandaluar Francën që të marrë kontrollin e Tunizisë, redaktori i Avvenire di Sardegna (E ardhmja e Sardenjës) Giovanni De Francesco, punëson Yousouf Bakhus, poet libanez, të krijojë një gazetë në gjuhën arabe, Al-Mustaqill (The Independent). Këto përpjekje propagandistike nuk do të kurorëzoheshin me sukses pasi Franca vendoset në Tunizi në maj 1881. Roli subversiv i kësaj gazete pro-italiane denoncohet në shtypin francez. Bakhus më pas shkoi në Paris për të punuar në Al-Bassir (Insight), një e përjavëshme që synonte të ndikojë në audiencën e mirëfilltë arabe në një mënyrë të favorshme për Francën. Një ndryshim krahu ky që u përshëndet nga Le Figaro në atë kohë, se Al-Bassir “thotë të kundërtën e asaj që thoshte Mustaqilli i urryer”.
Si reagoi publiku arab? Publikimet që janë shumë të destinuara për propagandë shpesh shmangen nga lexuesit. Ekzistenca e tyre është e shkurtër, sepse vështirë se i gjejnë shumë lexues: të mërzitshme, ndonjëherë të përkthyera keq nga gjuhët evropiane, stili i tyre i fryrë nuk i përshtatet një publiku të lexuar dhe të rafinuar në kërkim të argëtimit. Lexuesit arabë kërkonin soap-opera dhe ilustrime. Për t’i tërhequr ato, duhet të prodhonin përmbajtje tërheqëse dhe origjinale. Në kontekst të trazirave intelektuale në disa pjesë të botës arabe (Egjipti, Libani dhe Tunizia), lexuesi po kërkonte gjithashtu një fjalim të lirë, të pavarur, të cilin publikimet qeveritare shpesh e kishin të vështirë ta prodhonin.
Ky ishte kufiri i këtyre përpjekjeve të shtetit. Në arkipelagun e gjerë të kafeneve që shtrihen nga Fez në Basra analizohen lajmet më të fundit, vlerësohen botimet zyrtare dhe hamendësohet se kush qëndron prapa tyre. Publiku refuzon të gëlltisë informacionin e ofruar dhe janë të prirur të shkojnë dhe ta kërkojnë diku tjetër.
*Historian dhe pedagog në Universitetin e Kembrixhit. Autor i ‘Electric News in Colonial Algeria’ (2019, Oxford University Press).