
Në verën e vitit 1957, sociologu anglez Michael Young shëtitet në një plazh të Uellsit. Për një kohë të gjatë, ai ishte hulumtues në Partinë Laburiste britanike. Aty e shkroi manifestin e partisë të vitit 1945. Në tavolinë, ai ripërtyp : njëmbëdhjetë botues e patën refuzuar dorëshkrimin. Papritmas, ai e sheh një çift shokësh në breg të detit. Ndalet me ta dhe flet për dorëshkrimin e tij, të cilin askush nuk e do. Fati e deshi që shokët e tij të cilët botonin libra arti vendosin ta përfshijnë librin e tij në katalogun e tyre.
Titulli: « Ngritja e Meritokracisë ». Young bashkoi termin nga latinishtja dhe greqishtja, duke e mishëruar me sarkazëm. Pesëqind mijë kopje të shitura në disa vjet e sjellin shprehjen “meritokraci” në gjuhën e përditshme. Me koston e një keqkuptimi gjigant.
Sepse vepra e Young, shkruar në prag të “1984” nga George Orwell dhe “Më e mira e botëve” të Aldous Huxley, portretizon një distopi: makthi i një bote moderne të sunduar “jo aq nga populli, sa nga njerëzit më të zgjuar”. Shkurt, qeveri e intelektualëve.
Ngjarja zhvillohet në fillim të vitit 2034 dhe rrëfyesi, një sociolog i fryrë, përmbledh me entuziazëm transformimin e shoqërisë britanike të shekullit XX, në një tirani të ushtruar nga të diplomuarit e arsimit të lartë. Nën pretekstin e “barazisë së shansave”, hierarkitë tani janë të shkallëzuara sipas intelegjencës; rendi shoqëror përjetësohet nga shkolla e cila i shndërron privilegjet e klasave në “dhurata” dhe “merita”. “Të talentuarit”, shprehet i lumtur rrëfyesi, “kanë pasur mundësinë të rriten në nivelin që u përgjigjet aftësive të tyre dhe prandaj klasat e ulëta janë rezervuar për më pak të aftët”. Si të legjitimuar, regjimi nderon heronjtë e tij. “Janë fryer rendet e shkencëtarëve dhe teknologëve, artistëve dhe mësuesve. Edukimi i tyre i është përshtatur fatit të tyre të lartë gjenetik. Është rritur fuqia e tyre për të bërë mirë. Përparimi është ngadhënjimi i tyre; bota moderne monumenti i tyre”.
Për një Sartre, njëqind menaxherë të dëgjueshëm
Në këtë valë, përbërja e qeverisë së “inteligjentëve” është ajo që e tërheq vëmendjen: profesionistë letrarë ose shkencorë, të ngarkuar për prodhimin e njohurive, riprodhimin e elitës, administrimin e shtetit dhe bizneseve. Në Francë, Instituti Kombëtar i Statistikave dhe Studimeve Ekonomike (INSEE) i bashkon ata në kategorinë “Kuadrot dhe profesionet e larta intelektuale”. Aty janë një grumbull drejtorësh të burimeve njerëzore dhe prefektë, noterë dhe astronomë, gazetarë dhe juristë, reklamues dhe kirurgë dentarë. Asnjë kategori tjetër socio-profesionale nuk e ka parë anëtarësinë e saj të rritet kaq shpejt, që nga botimi i librit të Michael Young. Mishërim sociologjik i shoqërive “post-industriale”, të orientuara drejt dijes. Ishin 900.000 në 1962 (4.6% e popullsisë aktive franceze); tani janë 5 milion (18%).
Të dalur nga shkollat dhe universitetet më selektive, pjesa e epërme e këtij grupi përfaqëson 5% deri 10% të popullsisë aktive perëndimore. Ajo përfshin të famshmin 1% më të pasur, por shkon shumë përtej tij. Për këtë inteligjensi të pasur do të diskutojmë këtu. Pavarësisht nëse ata punojnë në profesione liberale ose nëse popullojnë kreun e organizatave të biznesit, këta individë të suksesshëm marrin çdo muaj dividentët e kapitalit të tyre arsimor dhe kulturor. Ata zotërojnë pushtetin e përshkrimit. “E dinë nga çka po vuajmë dhe i japin diagnozat e vlefshme“, ironizon eseisti amerikan Thomas Frank. Ndoshta edhe do t’i quanim “intelektualë” nëse, që nga çështja Dreyfus, ky emërtim nuk do ta kishte marrë kuptimin që e njohim.
Legjenda feston në intelektualin, jo vetëm si krijues dhe depozitues i dijes, por edhe si kundërshtar i rendit të vendosur, duke e ndjekur shembullin e famshëm të dhënë nga Jean-Paul Sartre, intervistuar më 15 gusht 1967 nga Radio Kanada: një fizikan bërthamor mbetet një “teknicient i njohurive praktike” për sa kohë ai kontribuon në zhvillimin e bombës atomike, por shndërrohet në intelektual sapo të filloj të protestoj kundër saj. Por sa kemi sikur Sartre, Beauvoir dhe Bourdieu përballë miliona menaxherëve, juristëve dhe urbanistëve të dëgjueshëm? Megjithatë, miti mbijeton, sepse profesionet intelektuale shkruajnë historinë e të gjitha grupeve shoqërore, përfshirë edhe ato të tyre. Dhe pak është të thuhet se i ndihmojnë njëri-tjetrit. Yje në artin e universalizimit të interesave të tyre, ata madje mund të reagojnë ndaj një rënie të kredive në sektorët e tyre, duke nisur një “Apel kundër luftës ndaj inteligjencës“, siç ishte rasti në Francë në shkurt 2004.
Përderisa zhvendosja e fshatarësisë, revolta e jelekëve të verdhë ose pasiguria e punonjësve socialë analizohen në debatin publik me ndihmën e kategorive gjenerike si “fermerë”, “punëtorë”, “shërbime për persona”, klasat më të arsimuara e portretizojnë veten e tyre në veçantinë e tyre delikate. Detajojnë rrymat e tyre të mendimit dhe zbusin mosmarrëveshjet e tyre. “E tëra ndodh sikur që një formë e materializmit më rudimentare ishte zakonisht më e zbatueshme për studimin e klasave të varfëra, përderisa hollësitë teorike që synojnë ta shpëtojnë autonominë e subjektit janë të rezervuara për klasat e kultivuara”, rezymon sociologu Jean-Claude Chamboredon. Për ta rivendosur barazpeshën, intelektualët duhen konsideruar jo më si një seri individësh unikë, por si një grup shoqëror.
Ndonëse historia shpesh mban rolin progresiv të shtresave të shkolluara – enciklopedistë të ditur, avokatë revolucionarë, shkrimtarë joshës, “ushtarë të Republikës” …- ajo e minimizon përfshirjen e tyre në episodet më pak të lavdishme. Vichy ishte, më shumë se çdo grup tjetër shoqëror, një krijesë e ekspertëve dhe e anëtarëve të profesioneve liberale”, kujton historiani amerikan Robert Paxton. Ta gjykosh Vichy është ta gjykosh elitën franceze ».
Roli i intelektualëve brenda sistemeve të dominimit rrënjoset në periudhat e gjata dhe në shoqëritë para-kapitaliste. Në Perëndimin mesjetar, klerikët e lartë fetarë, zotërues të monopolit të qasjes në shkrimet e shenjta, legjitimojnë pushtetin e pronarëve të tokave duke zotëruar një të katërtën e tokave. Juristët e shndërruar në këshilltarë dhe vezirët formojnë pastajnë bazamentin administrativ të shtetit mbretëror.Në Kinën perandorake (-221 para Jezu Krishtit e deri më 1911), “klasa e funksionarëve – të arsimuarit – një shtresë e vogël në numër, e plotfuqishme për sa i përket forcës, ndikimit, pozitës, prestigjit të saj – është e vetmja zotëruese e pushtetit, pronari më i madh, nënvizon sinologun Etienne Balazs. Ajo ka të gjitha privilegjet, para së gjithash të drejtën për t’u riprodhuar: zotëron monopolin në arsim“.
Rasti i Indisë para-koloniale na fton po ashtu t’i relativizojmë virtytet progresiste, të cilat ja japim ndonjëherë dijes: sistemi i kastës, dhushëm i pabarabartë, bazohet kryesisht në dominimin e ushtruar nga intelektualët; si Brahmanët, të cilët e gëzojnë një prerogativë ekskluzive të qasjes në njohuritë e shenjta. “Janë ata dhe jo mbretërit, princat ose ushtarët, pronarët ose borgjezët, të cilët e sigurojnë në këtë shoqëri një formë veçanërisht operative të ‘zbutjes së masave’ “, shkruan studiuesja Isabelle Kalinowski, përkthyese e Hinduizmi dhe Budizmi, studim ky i përpiktë nga sociologu Max Weber botuar në vitet 1916-1917.
Epoka kapitaliste nuk e ka transformuar natyrën e kësaj pune. Nga ana tjetër, ajo e ndryshoi formën e saj, pasi revolucioni industrial dhe zgjerimi i arsimit përforcuan peshën e të diplomuarve dhe theksuan heterogjenitetin e grupit: zbutja e masave dhe e një pjese të madhe të të diplomuarve në vetvete, vepron në emër të racionalitetit ekonomik dhe “kompetencave” të vërtetuara nga shteti i cili kërkon zbatimin e tij. Analizat e para që paraqesin intelektualët, si një klasë e re shoqërore e themeluar në monopolin e dijes dhe që aspirojnë pushtetin, shfaqen në shekullin XIX, në të njëjtën kohë me funksionet publike e të diplomuarëve, administratat e para të mëdha të ndërmarrjeve dhe më pas partitë e centralizuara të punëtorëve. Saint-Simon (1760-1825) ëndërronte një rend të dominuar nga dijetarët dhe industrialistët (bletat) të cilët do ta kthenin fisnikërinë dhe klerikët (brirët) në kotësinë e tyre. Në anën tjetër të Rinit, në Gjermani, shteti modern i imagjinuar nga Hegeli qëndron mbi funksionarët e ndritur të cilët, sipas filozofit, formojnë një “klasë universale” (Filozofia e së drejtës, 1821). Disa dekada më vonë, në Shkrimet kundër Marksit, Mikhail Bakunin rebelohet kundër perspektivës së një shteti socialist: “E gjithë kjo do ta kërkojë një shkencë të pamasë dhe shumë tru të tejmbushur. Do të jetë mbretërimi i inteligjencës shkencore, më aristokratike, më despotike, më arrogante dhe më përbuzëse nga të gjitha regjimet“. Një “socializëm i intelektualëve” më shumë se një fuqi punëtore, siç e paraqet më vitin 1905 një anarkist tjetër, Jan Waclav Makhaïski (në Bankroti i socializmit të shek.XIX).
« T’i japim fund ideologjive »
“Trurët e tejmbushur” nuk kanë mjete prodhimi, por dijen të cilën e monedhizojnë tek pronarët, të cilët ju delegojnë atyre mbikëqyrjen e punëve, kontrollin e prodhuesve dhe organizimin e punës, kujdesin për rritjen e produktivitetit përmes teknologjisë. Por shkolla i prodhon ata me tepri. Socialisti Karl Kautsky analizoi, më 1892, procesin e inflacionit-zhvlerësimit të diplomave midis punëtorëve të dijes: “Ata që janë të thirrur për punë publike duhet të presin me vite, shpesh më shumë se dhjetë vjet, para se ta marrin një vend pune më të ulët, të paguar keq. Tek të tjerët, papunësia dhe puna e tepërt zëvëndësojnë njëra-tjetrën. (…) Së shpejti, një karakter i vetëm do t’i dallojë këta proletarë nga paguesit e tjerë: të themi pretendimet e tyre“(Programi socialist). Si një klasë dominuese në ndërtim ose një proletariat që mund të mobilizohet kundër rendit që ia ndryshon klasat, përfaqësimi që të diplomuarit kanë për veten e tyre lëkundet që një shekull e gjysmë midis këtyre dy fateve, të cilat në realitet bashkëjetojnë në të gjitha kohërat.
Kur Michael Young shkroi « Ngritja e Meritokracisë » në fund të viteve 1950, tema e intelektualëve si klasë sunduese rishfaqet, këtë herë me një ton mjaft pozitiv. Në bllokun e Lindjes, sistemi arsimor sovjetik prodhon miliona inxhinierë dhe kuadro administrative të mbidiplomuar, duke shkaktuar një “shtytje lartë të elementeve shoqërore më të arsimuar”. Në Bllokun Perëndimor, organizata shkencore e prodhimit industrial e krijuar në vitet 1920 nga Taylor dhe e forcuar gjatë New Deal të Rooseveltit arrin shpejtësinë e lundrimit. Një inteligjensia e ngarkuar për koordinimin dhe planifikimin e qarqeve ekonomike tentakulare po përhapet: “teknostruktura”, e përshkruar nga ekonomisti John Kenneth Galbraith në librin e tij « Shteti i ri industrial (1967).
Në këtë neoborgjezi të kultivuar rekrutohen baza shoqërore e së Majtës së Re protestuese dhe ajo e administratës së Kennedy-t, këta të diplomuar të shkëlqyeshëm që do ta mendojnë luftën në Vietnam. Përtej prirjeve të tyre politike, ata ushqejnë një mosbesim ndaj ekstremeve, kolektivizmit dhe tradicionalizmit. Ideja e “t’i japim fund ideologjive” imponohet në mënyrë më spontane në sytë e tyre, saqë mbështesin qeveri të ekspertëve, domethënë shumëzimin e karrierës së mirë, që i hapin mundësi intelektualëve për të fituar para nga aftësitë e tyre akademike. Dhe përderisa fraksioni radikal i grupit djeg zjarret e fundit të viteve 1968, një grup ekonomistësh, juristësh, gazetarësh, fillojnë ofensivën që do të shpie në “Kthimin e Madh prapa” liberal dhe krijimin e qindra mijëra pozicioneve të larta drejtuese të paguara shumë nga institucionet financiare. Megjithatë, deri në fund të viteve 1970, mbizotëron bindja se “klasa e re është forca më progresive e shoqërive moderne; se është në qendër të të gjitha emancipimeve të mundshme njerëzore për të ardhmen e parashikueshme“, siç shkroi sociologu Alvin Gouldner më 1977 në një libër të shquar.
Njëzet vjet më parë, Michael Young ishte më pak optimist.
Sepse, ndërsa shfletojmë faqet, ‘Ngritja e Meritokracisë’ kthehet në një makth. Qeveria e klasave të kultivuara, e cila instaloi fëmijët më të ndritshëm të botës së punës në pozita të pushtetit për ta devitalizuar opozitën, tani përbëhet vetëm nga ekspertët. Masa e të padiplomuarve e shndërruar në “të papunësueshëm” nga mrekullitë e “automatizimit” – tashmë! – e sheh veten të përfshirë me forcë si staf i brendshëm i intelektualëve. “Sapo të gjithë gjenitë të jenë në mesin e elitës dhe të gjithë debillët në mesin e punëtorëve, ç’nënkupton barazia? », pyet rrëfyesi. Në fiksionet e Young, qeveria e intelektualëve maturohet në fillim të shekullit XXI. Të pajisur me privilegje – apartamente të rehatshme, darka të shijshme, pushime të kushtueshme – klasa e arsimuar edukon fëmijët e tyre në institucione të veçanta arsimore dhe riprodhohet tanimë midis saj. “Elita është në rrugë për t’u bërë trashëguese; parimet e trashëgimisë dhe meritës përbashkohen“, vëren rrëfyesi, i shqetësuar në mënyrë të paqartë për kthesën e ngjarjeve. Por historia nuk mbaron këtu…
Duke pritur zbulimin e epilogut, duhet pranuar se bota distopike e ekspozuar në këtë sociofiksion i shkruar para më shumë se 60 vjet duket furishëm si e jona. Në Shtetet e Bashkuara, si në Evropë, ekziston një hendek midis pakicës së vogël të të diplomuarëve të cikleve të larta dhe selektiv (5% deri në 10% të popullsisë së vendeve perëndimore) dhe pjesës tjetër. Theksi në vitet e fundit në kundërshtimin midis 99% të popullsisë dhe 1% më të pasur ka tërhequr vëmendje nga grupi më i madh i cili ka përfituar nga konkurrenca meritokratike për gjysmë shekulli, dhe pa të cilin 1 % nuk mund ta instaloi dhe ta përjetësoi dominimin e tij. Nëse ky vizion i luftës së klasave është përparësi për meritokratët që e popullarizojnë atë për ta vendosur veten në kampin e të shtypurve, së bashku me zonjat pastruese, ajo zhduk dy fenomene thelbësore të identifikuara nga Young në fabulën e tij parashikuese: monopolin e pushtetit politik të mbajtur nga intelektualët dhe karakteri gjithnjë e më i trashëgueshëm i dominimit të tyre.
Demokracia e të diplomuarëve
Për ta justifikuar krijimin e Shkollës së lirë të Shkencave Politike – e cila do të bëhet Science Po -, profesori Emile Boutmy bëri, më 1871, këtë deklaratë të famshme: “Të detyruara t’i nënshtrohen të drejtave të më të shumtëve, klasat që e quajnë veten e tyre klasa të larta mund ta mbajnë hegjemoninë e tyre politike vetëm se duke u thirrur në të drejtën e më të aftëve.
Pas mbylljes së shkatërruar të prerogativave të tyre dhe të traditës, rrjedha e demokracisë duhet të dalë përballë një pjerrëtësie të dytë të ndërtuar nga merita të shkëlqyera dhe të dobishme, të epërsive, prestigji i të cilave imponohet, si dhe të kapaciteteve nga të cilat nuk mund të privohemi pa çmenduri”.
Një shekull e gjysmë më vonë, shfletimi i një trombinoskopi politik pothuajse do t’ju bënte të harroni se postet e deputetit, Presidentit të shtetit ose qeverisë, nuk kërkojnë zyrtarisht ndonjë diplomë. Autorët e një sondazhi për udhëheqësit politikë të gjashtë vendeve evropiane, Mark Bovens dhe Anchrist Wille, konfirmojnë se regjimet aktuale përfaqësuese janë të ngjashme me “demokracitë e të diplomuarëve“. “Të diplomuarit e arsimit të lartë kanë arritur t’i dominojnë të gjitha institucionet dhe arenat politike, qofshin partitë, parlamentet dhe kabinetet, grupet e presionit, vendet e diskutimeve apo madje edhe konsultimet në internet“.
Më 2016, 100% e ministrave belgë dhe gjermanë kishin përfunduar arsimin e lartë, si 95% e ministrave francezë. Në Britani të Madhe, 60% e ministrave vinin nga universitetet elitare të Oxford ose Cambridge. Megjithatë, studiuesit vërejnë se “qytetarët pa arsim të lartë përfaqësojnë rreth 70% të elektoratit“. A prodhon vërtetë përsosmëria akademike të zgjedhur më efektivë, parlamentarë më të zgjuar? Pyetja – o befasi – nuk i magjeps universitarët dhe disa nga punimet e rralla ekzistuese zbulojnë se politikanët e diplomuar “nuk janë më të zellshëm, nuk kontribuojnë më shumë në prodhimin parlamentar dhe nuk zgjidhen përsëri“. Do të kundërshtohet me të drejtë që fenomeni nuk është i ri. Dhe ky është pikërisht problemi: demokracitë në zhvillim kishin premtuar një qeveri “nga dhe për popullin” bazuar në arsimin universal.
Si përjetësohet dominimi i një shtrese të vogël udhëheqësish dijetarësh kur universiteti makineron pa pushim ushtri aspirantësh? Që nga fillimi i shekullit XIX, përqindja e të diplomuarëve të lartë është rritur nga më pak se 1% e popullsisë së rritur në Shtetet e Bashkuara dhe nga rreth 35% në Evropë. Për ta ruajtur pengesën, mjafton të ngresh nivelin duke krijuar pengesa të reja kulturore dhe financiare, të pakapërcyeshme jo vetëm për të diplomuarit më pak të arsimuar, por edhe për të diplomuarit në numër të lartë. Në Shtetet e Bashkuara, sitat e kombinuara të dijes dhe të parave sigurojnë një renditje shoqërore kaq efektive sa, siç e kishte parashikuar Young, ajka e meritokratëve tani riprodhohet nga brezi në brez, si një klasë sunduese të trashëgueshme. Jo të gjithë të diplomuarit janë të pasur, por pothuajse të gjithë të pasurit janë të diplomuar: më 2017, 98.4% e amerikanëve që fitojnë më shumë se dy herë e gjysmë pagën mesatare – ose 94.300 dollarë – kishin një diplomë bachelor ose më shumë. Në vend se tituj fisnikërie, prindërit së pari u kalojnë pasardhësve të tyre titujt më prestigjiozë dhe më të shtrenjtë universiteti, si miliarderët e Silicon Valley, të cilët ia kushtojnë pasurinë fondacioneve filantropike dhe fëmijët e tyre Stanfordit ose Harvardit.
Tipike për borgjezinë e iluminuar të shekullit XIX, mënyra e lehtë e jetës, shpenzimet e dukshme, vendosja e fëmijëve në përkujdesje që janë kthyer në praktika të kundërta: ajka e intelektualëve të pasur punon shumë dhe shpenzon një pjesë të rëndësishme të të ardhurave dhe kohës në arsim, mirëqenie, kulturë dhe shëndetin e pasardhësve të saj. Dadot dygjuhëshe, çerdhet elitare të 50.000 dollarëve në vit, mësimet private në zgjimin e arteve figurative nga mosha tre vjeçare, më pas çerdhat elitare me gjuhë të huaj dhe seksionet shkencore që përzgjedhin vetëm 5% të kandidaturave (sidomos ato të shkruara nga një konsulent i punësuar për këtë qëllim nga familja), zhvillimi i hershëm i “kapitalit njerëzor” justifikon të gjitha investimet. Më 2014, shpjegon sociologia Elizabeth Currid-Halkett, “1% e më të pasurve shpenzuan 3,5 herë më shumë në arsim sesa në vitin 1996 (në vlerë absolutë dhe si pjesë e shpenzimeve). Dhe 8.6 herë më shumë se mesatarja kombëtare”; 5% frymëzohen nga shembulli i tyre.
Këto shpenzime të riprodhimit dinastik, të cilat përfshijnë gjithashtu ato të mësuesit kujdestar (për të cilin familjet më të vendosura shoqërohen edhe me ndihmës personal), shkollat private, frekuentimi i të cilave përfshin qëndrimin në lagje më të pasura, udhëtime kulturore, mësimin e violinës dhe praktikat e tjera të dallueshme të rekomanduara për të hyrë përfundimisht në Harvard, Yale, Princeton ose Stanford, ku tarifat e vetme të regjistrimit variojnë midis 40.000 dhe 70.000 dollarë në vit (shumë më shumë se paga vjetore mesatare në SHBA), arrijnë shuma kolosale. Për një familje që i përket 1% më të pasur, vlerëson profesori i drejtësisë Daniel Markovits, shpenzimet shtesë për arsimim krahasuar me një familje të klasës së mesme barazohen me një trashëgimi prej rreth 10 milion dollarë për fëmijë. “Merita është një mashtrim“, thotë ai. Dhe një civilizim i tërë i reziston këtij përfundimi“.
Këto numra pasqyrojnë vetëm majën e ajsbergut. Për shkak se bartja e kapitalit kulturor fillon që në lindje, në formën e kohës së vëmendjes të prindërve, veçanërisht atë të grave. Intelektualët, shpjegon sociologu Elizabeth Currid-Halkett, kalojnë dy deri në tre herë më shumë kohë se të tjerët, duke luajtur dhe edukuar të porsalindurit e tyre. Ata i ushqejnë me gji më shpesh dhe më gjatë, të bindur se kjo praktikë rrit kapacitetet njohëse, deri në pikën që po lulëzon edhe profesioni i “konsulentit të laktacionit”.
Në moshën trivjeçare, një pasardhës i një njeriu nga profesionet liberale të mirëpaguara, ka dëgjuar mesatarisht 20 milion fjalë të përmendura nga një njeri më shumë, se një fëmijë i klasës së mesme. Fjalori i tij është 49% më i larmishëm. Duke u angazhuar në marrëdhëniet me pasardhësit e tyre për një qëllim edukativ që e parandalon atë të mësuesve, prindërit zhvillojnë ndjeshmërinë e tyre emocionale, përqendrimin e tyre, disiplinën e tyre. “Deri në moshën 18 vjeçare, një fëmijë i një të pasuri do të ketë marrë 5000 orë më shumë vëmendje se një fëmijë i klasës së mesme, nga tregimet e lexuara, bisedat, ngjarjet kulturore, trajnimet sportive etj, saktëson Markovits. (…) Në të njëjtën moshë, një fëmijë i klasës së mesme do të ketë kaluar 5000 orë më shumë para një ekrani se një fëmijë i një të pasuri. Segregacioni i “klasës kreative” përkthehet gjithashtu në planin hapësiror, ku familjet që grumbullojnë të gjitha burimet bashkohen në lagje të caktuara të metropoleve progresive dhe të hapura, që ofrojnë një mënyrë jetese më të shëndetshme, një rrjet më të gjerë shoqëror etj., si dhe shansa më të mira për sukses se 80% e amerikanëve më pak të pasur.
Markovits thotë se « investimet masive të elitës në arsim kanë dhënë frytet e tyre. Hendeku arsimor midis studentëve të pasur dhe të varfër sot tejkalon atë që i ndante të bardhët dhe zezakët më 1954 », vitin kur Gjykata Supreme e vlerësoi kundërkushtetuese segregacionin racor në shkolla. “Pabarazia ekonomike sot prodhon pabarazi arsimore më të madhe se aparteidi amerikan“.
Të strehuar prapa pragut të formave kërkuese arsimore që i vendosin si normë, përmes mediave dhe kulturës, intelektualët më të begatë do t’i gjykojnë me përçmim prindërit që janë domosdoshmërisht më pak të hapur, më pak progresivë, më pak bujarë dhe që nuk i respektojnë të njëjtat rite kulturore, shoqërore dhe ushqimore. Për ata s’ka diskutim : “S’është faji ynë që nuk kanë mësuar në shkollë”, një qëndrim që e përmbledh aspektin “social” të programeve liberale.
Do të ishte gabim, megjithatë, të lidhej jeta e elitave meritokratike me një lumë të gjatë të qetë. Darvinizmi social i cili përjashton menjëherë shumicën e fëmijëve që burojnë nga familjet e varfra i vendos po ashtu fëmijët e të pasurve në një gjendje të konkurrencës së pandalur. Nga greqishtja e lashtë në moshën tri vjeçare e deri në dymbëdhjetë orët si asistent në një avokaturë, meritokratët zbulojnë në kurriz të tyre, se kapitali, madje edhe ai kulturor, ka nevojë për punë – e tyre! – për të prodhuar përfitim.
Ky tjetërsim ndaj ndërmarrjeve shpesh pa përfitime shoqërore, të cilat vendosin vetëshkatërrimin nga lodhja, si kriter i përsosmërisë profesionale, nxit një fraksion, të vogël por në rritje, të defektit për t’u rikualifikuar në zeje, humanitaren, e më rrallë, edhe si provokim. Një fillim i tillë mbetet përjashtim. Sapo të hyni në një institucion elitar, fati juaj është i përcaktuar.
Në Shtetet e Bashkuara, gjysma e studentëve të 12 universiteteve më prestigjioze burojnë nga 10% e familjeve më të pasura. Në Francë, trashëgimia e borgjezisë së kultivuar nuk e ka arritur këtë shkallë. Së pari, sepse pjesa e të ardhurave që mban borgjezia e kultivuar franceze ka ngecur që nga fillimi i viteve 1970, kur u rrit me 13% përtej Atlantikut. Pastaj, sepse fëmijët e familjeve të pasura shpesh e përjetojnë një fazë të pasigurt në fillim të karrierës së tyre, e cila nuk i inkurajon ata të njohin ndonjë “privilegj” të klasës edhe pse ata mbajnë resursin e rrallë i cili, së bashku me pronën, strukturon hierarkinë sociale: kualifikime të mira arsimore.
Në fund, kostoja e ulët e arsimit të lartë francez vjen në kontrast me tarifat e tepruar të kërkuara në Amerikë. Sidoqoftë, ekskluzivizmi borgjez i institucioneve elitare nuk është më pak i theksuar: Shkolla Kombëtare e Administratës ka 6% të punëtorëve dhe të punësuarve, ndërsa këto kategori përfaqësojnë më shumë se gjysmën e popullsisë aktive. Sa i përket Politeknikës, 1.1% e studentëve kanë një prind punëtor kundrejt 93% një prind nga profesionet intelektuale e larta. Ky aparteid meritokratik rritet nga vitet 1950. Mund ta masim paradoksin e një institucioni të bazuar në premtimin për ta universalizuar diturinë dhe i cili, ndërsa zgjerohet, është bërë qendra e renditjes përgjegjëse për ndarjen e 10% që do të dominojë të gjithë të tjerët.
“T’i pastrojmë paratë tona me virtytet tona”
Të zgjedhurit e lumtur ndoshta do ta njohin veten në këtë përshkrim të shkrimtarit amerikan Matthew Stewart, botuar në vitin 2018, në revistën e njohur The Atlantic: “Ne, 9,9% (…), ecim me xhinse dhe maica të trashëguara nga fillimet tona modeste. Ne preferojmë ta sinjalizojmë statusin tonë duke folur për trupat tanë të ushqyer bio, për sukseset e pasardhësve tanë dhe për drejtësinë ekologjike të lagjeve tona. Ne kemi kuptuar se si t’i pastrojmë paratë tona me anë të virtyteve tona më të larta. Mbi të gjitha, ne kemi mësuar t’ia bartim të gjitha këto përfitime fëmijëve tanë“.
Dhe Steward rezymonte me një fjali të vërtetën objektive që kuadrot dhe profesionet intelektuale përpiqen të mohojnë: « Ne po e lëvizim makinën që i zhvendos resurset nga 90% tek 0,1%. Të lumtur që e morëm copën tonë të tortës ». Nëse në shoqëritë perëndimore, ngjyra e lëkurës së bardhë dhe gjinia mashkullore sigurojnë privilegje që njihen gjithnjë e më shumë, përkatësia e 10% më të arsimuar është një tjetër privilegj, por përfituesit e të cilave e relativizojnë.
Shtrëngimi në rritje i intelektualëve të suksesshëm ka rikonfiguruar thellësisht peisazhin politik perëndimor. Pas Luftës së Dytë Botërore, popullsitë më pak të diplomuara dhe më pak të pasura votonin kryesisht për partitë e majta, ashtu si edhe një pjesë e vogël e profesioneve intelektuale të lidhura me sektorin publik. Ky koalicion është shpërbërë. Socialistët, Demokratët dhe të Gjelbërtit janë tashmë nga vitet ’90 “parti të të diplomuarëve”, kryesisht të braktisura nga klasat punëtore, siç e kanë analizuar Thomas Frank dhe, pas tij, Thomas Piketty. Për herë të parë, në nëntor 2016, jo vetëm amerikanët më të arsimuar, por edhe më të pasurit votuan me shumicë për demokratët.
Punëtorët dhe punonjësit po braktisin lojën elektorale ose po i ndajnë votat e tyre për parti të cilat, edhe nëse nuk i përfaqësojnë interesat e tyre ekonomikë, përcaktohen kundër elitave liberale. “Nëse duam ta kuptojmë rritjen e ‘popullizmit’, shkruan Piketty, nuk është e padobishme të fillojmë ta analizojmë rritjen e ‘elitizmit’.” Kjo linjë ndarëse duket si një dhuratë nga perëndia për komentuesit e etur për likuidimin e ndarjeve që i konsiderojnë të vjetëruara. “Në shumë vende, shpjegon e përjavshmja liberale The Economist (6 qershor 2020), ndarja e vjetër e majtë-e djathtë, e bazuar në ekonomi, është zëvendësuar me ndarjen liberale-konservatore të bazuar në kulturë.”
Por larg nga të qenit reciprokisht përjashtues, kultura dhe ekonomia janë përplotësuese. Në Francë, ta kesh një diplomë master mbetet e ndërlidhur ngushtë me prejardhjen shoqërore: më 2017, 40% e fëmijëve të prindërve me profesione liberale kishin një diplomë gjimnazi +5 vite studime ose një shkollë inxhinierie, kundrejt më pak se 4% e fëmijëve të punëtorëve të kualifikuar në sektorin e logjistikës.
Qeveria e intelektualëve të pasur është pjesë e një lufte klasore esktremisht tradicionale.
Vala e “vdekjeve nga dëshpërimi” (vetëvrasje, alkohol, drogë) në Shtetet e Bashkuara shpërfaq një ilustrim tragjik: sipas studiuesve Angus Deaton dhe Anne Case, kjo rritje e vdekjeve që vlerësohet deri në 600.000 midis 1999 dhe 2017 brenda popullsisë së bardhë të moshës 45 -54 ka të bëjë pothuajse ekskluzivisht me të padiplomuarit.
Që nga viti 1990, shkalla e tyre e vdekshmërisë është rritur 25%, ndërsa ajo e titullarëve të një diplome bachelor ka rënë 40%. “Për ata pa diplomë, rritet niveli i vuajtjeve, shëndetit të keq dhe çrregullimeve mendore, ndërsa bjen aftësia për të punuar dhe shoqërizuar. Hendeku po zgjerohet gjithashtu kur bëhet fjalë për të ardhurat dhe stabilitetin e familjes. Një i diplomuar bachelor është bërë shënjuesi kryesor i statusit shoqëror”.
Në distopinë e tij të shkruar shtatëdhjetë vjet më parë, Michael Young nuk thoshte asgjë tjetër. Por libri i tij përfundon me një shënim optimist. Në maj 2033 shpërtheu një lëvizje e fuqishme “populliste” e organizuar nga gratë, të përjashtuara nga rishpërndarja e pushteteve meritokratike për përfitimin e burrave. “Për herë të parë, një pakicë disidente e elitës i është bashkuar klasave më të ulëta, deri atëherë shumë të izoluara dhe të dëgjueshme“, shkruan narratori pretendues i Young, pa saktësuar nëse protestuesit kishin veshur jelekë të verdhë. Shpërthejnë trazirat. Punonjësit e një dyqani luksoz shkatërrojnë objektin e tyre. Zbulohet Ministri i arsimit i goditur në bark. Një grevë e përgjithshme organizohet për 1 maj 2034, e para për më shumë se 40 vjet.
I çorientuar, narratori pret që protesta të mbarojë sa më shpejt. Rrëfimi i tij ndalet papritur. Në dorëshkrim, një shënim lakonik nga redaktori tregon se ai nuk i mbijetoi kryengritjes.