NJË KOMUNITET HULUMTUESISH DHE INXHINIERËSH TË CILËT NDËRMARRËSIT E START-UP TË SOTËM VUAJNË TË BARARAZOJNË
Izolimi në qytetet sekrete të atomit sovjetik

Nga bomba H deri në pushtimin e hapësirës, shumica e programeve kryesore teknologjike sovjetike u krijuan brenda mureve të qyteteve sekrete. Shkencëtarët, inxhinierët dhe punëtorët jetuan në izolim, në një univers relativisht të paprekur. Që nga rënia e BRSS, këto qytete kanë luftuar për të krijuar një erë të re. Siç është rasti i Sarov, një nga qendrat ushtarake të kërkimit bërthamor.

Vit pas viti, 50.000 pelegrinë vijnë në Diveïevo për të ecur në gjurmët e Shën Sérafim (1754-1833). Aty ndodhet një shkëmb, në mes të pyllit, në të cilin asketi rus lutet për ditë me rradhë. Pak më tej, burimi me ujë të ftohtë ku mbushen shishet dhe enët e tjera. Më entuziastët zhyten në liqenin e vogël ngjitur. Në fund, sheshi i katedrales përballë së cilës të gjithë shkruajnë emrat e tyre. Sidoqoftë, Sarovi dhe Monastère de l’Assomption, lidhje të vërteta historike të shenjtorit të vendosur dymbëdhjetë kilometra më larg, janë të ndaluar të vizitohen. Qyteti, që ende sot njihet me emrin kodik Diveïevo-16, është i mbyllur për publikun.

Diveïevo, një aglomerat i rrethuar nga tela me gjemba e i ruajtur nga patrullat ushtarake, u fshi nga hartat e vendit gjatë periudhës sovjetike, banorët e e të cilit u ngarkuan me detyrë, në fshehtësinë më të madhe, në “krijimin e mburojës atomike të vendit“, fill pas Luftës së Dytë Botërore. Tani sekreti është zbuluar dhe qyteti ka rimarrë emrin e tij origjinal, por hyrja mbetet strikte. Vetëm banorët e saj, afro 100.000 dhe vizitorët e autorizuar më parë mund të kalojnë nëpër pikën e kontrollit në hyrje të qytetit. Para se të fillojnë aktivitetet e tyre, Sarovasit skanojnë baxhën mbi një skaner, shkruajnë një kod gjashtë shifror, përpara se të kalojnë për kontroll identiteti. Vizitorëve të autorizuar së pari u kërkohet t’i braktisin laptopët, kamerat dhe mjetet e tjera të komunikimit; Ata shoqërohen më pas te shefi i protokollit të kompanisë, i cili do të jetë përgjegjës për lëvizjet deri në dalje, përmes të njëjtës pikë kontrolli, ku do t’u kthehen edhe sendet.

Çuditërisht, Kisha Ortodokse i është përshtatur pa problem këtyre kufizimeve në hyrjen e vendit të pelegrinazhit. Në vitin 2007, gjatë festimit të gjashtëdhjetëvjetorit të krijimit të drejtorisë së 12-të të Ministrisë së Mbrojtjes Sovjetike, përgjegjëse për energjinë bërthamore ushtarake në Kishën e Krishtit Shpëtimtar në Moskë, Presidenti Vladimir Putin foli për pajtimin që u bë, në 1990, midis inxhinierëve ushtarakë dhe autoriteteve spirituale. Atomistët e Sarovit i kthyen Kishës ndërtesat e ruajtura të manastirit dhe, në kthim, Patriarku e bëri Serafim-in shenjtorin mbrojtës të atomistëve!

Historia e Sarovit fillon, megjithatë, nën kujdesin e një regjimi që vlerëson më shumë njohuri shkencore sesa ato të mistereve të krijimit. Në konferencën e Yalta-s në shkurt 1945, Stalini i shprehu kryeministrit britanik Winston Churchill dhe Presidentit të SHBA-se Franklin Roosevelt frikën se Washingtoni dhe Londra do të përfundonin duke shkaktuar konflikt me Moskën. Ai nuk mendoi se do kishte të drejtë kaq shpejt: sapo u pushtua Berlini, këta aleatë po diskutonin nëse do të përfitonin nga epërsia e tyre strategjike për ta mundur BRSS e dobësuar nga lufta. Më 16 korrik, kërcënimi u bë më i qartë: Projekti i Manhattan pati sukses dhe shpërthimi i parë bërthamor në histori tronditi shkretëtirën e New Mexico-s. Më pas pason asgjësimi i Hiroshima-s dhe Nagasaki-t në gusht, i cili largon çdo dyshim të mbetur në lidhje me vendosmërinë e Amerikës për të përdorur këtë lloj të ri arme.

Qeveria e sheh këtë lajm si një paralajmërim të drejtpërdrejtë: pasi vendi është dobësuar nga sakrifikimi i afro 26 milion sovjetikëve dhe shkatërrimi i industrisë së saj, kërcënimi i paraqitur nga aleatët e djeshëm nuk duket më i vogël për ta sesa ai që lindi, katër vjet më parë, nga nazistët. Këshilli i Ministrave, i cili u mblodh në 20 gusht 1945 mori dy qëllime historike: të vazhdojë kërkimin për ta rivendosur barazinë strategjike me Perëndimin; të ecë përpara në fshehtësinë më të madhe, në mënyrë që të mos tundonte armikun që ta sulmojë.

Nga fundi i vitit 1945, fillon gjuetia e kantierit ideal për përqëndrimin e kërkimeve të fshehta. Pas një studimi mjaft të gjatë, grupi i punës nën udhëheqjen e Lavrenti Beria-s për kryerjen e projektit zgjodhi fshatin Sarov, i vendosur 350 km në lindje të Moskës. Vetë fshati, së bashku me disa fshatra të tjerë – rreth 9500 banorë në atë kohë – u tërhoqën nga administrata territoriale e Mordovia-s dhe u fshinë nga të gjitha hartat dhe dokumentat zyrtare. Banorët e fshatit u përzgjodhën. Ata që ishin të punësuar në uzinën Nr. 550, e cila është e specializuar në prodhimin e rraketave, mbetën aty, autoritetet zhvendosën të tjerët jashtë zonës së ndaluar.

Me fluksin e punëtorëve dhe specialistëve, fshati gradualisht mori formën e një qyteti të vogël: filluan me ndërtimin e godinave të apartamenteve, më pas nevojitej një spital, një stadium, një shtëpi kulture, një bibliotekë, një teatër dhe një park. Ndërtimi po zhvillohej në mënyrë të shkujdesur, pa plan paraprak. Për të kursyer kohë, një pjesë e laboratorëve ishin instaluar në ndërtesat e manastirit. Midis personave të punësuar kishte përfaqësues të “kontigjentit special” (kështu quheshin të burgosurit në dokumente zyrtare).

Para çdo rekrutimi, organet e sigurisë kontrollonin background-in e kandidatit “deri në gjeneratën e tretë” nëse ishte inxhinier në zyrën e projektimit “KB-11“, ose një punëtor i vendosur në një prej shumë kartierëve të specializuar. Punonjësit e kantierit mund të largoheshin vetëm me leje nga shërbimi i sigurisë. Largimet për arsye personale lëshoheshin me vështirësi. Pushimet jashtë zonës ishin të ndaluara, një kufizim që shkaktonte kompensim në paga. Një privilegj i rëndësishëm në këtë kohë, dyqanet e Sarov, ishin të pajisura më mirë sesa ato në pjesën tjetër të vendit.

Qyteti mori emrin e kodit të Arzamas-16. Që nga ajo kohë, thirrja e saj me emrin tradicional konsiderohej një zbulim i informacionit sekret. Korrespodenca private kryhej përmes një kutie të posaçme poste të quajtur “Moscow Center-300”. Për më tepër, emrat e rrugëve në qytet përputheshin me ata në Moskë, kështu që punonjësit e KB-11 që ishin në lëvizje mund të kalonin një kontroll identiteti e kjo nuk lejonte që polici të dyshonte për vendbanimin e vërtetë.

Nevoja për fshehtësi dhe izolim kishte efekte psikologjike të ndryshme në varësi të personit: fizikani Andrei Sakharov, foli për një “privim lirie që i peshonte“. Një tjetër, përkundrazi, vlerësonte fleksibilitetin e zyrtarëve përgjegjës për sigurinë në kufi … Ligji i izolimit ishte i ashpër dhe Sarov, për këta inxhinierë, ishte bërë edhe një herë një manastir i mbyllur për pjesën tjetër të botës. “Besimi i vërtetë nuk mund të mbetet i papunë,” kishte deklaruar Sérafim; ai që beson vërtet ka gjithmonë diçka për të bërë ”. Kjo i përshtatej shkencëtarëve të Sarovit, të cilët i kalonin orët e rralla të kohës së lirë duke folur për përqendruesin e neutroneve.

Ekspertë të kërkimit shkencor

Më 12 mars 1947, sikur të jepte një goditje shtesë për ekipet e studiuesve që, të rraskapitur, po vriteshin në punë, Presidenti Truman përcaktoi doktrinën e tij të famshme, duke inauguruar Luftën e Ftohtë. Në Washington, stafi i tij përgatiti planin Dropshot, i cili do të zyrtarizohej në fillim të vitit 1950, atë të një sulmi të befasishëm ndaj BRSS, “duke hedhur 200 deri në 300 bomba atomike në qendrat kryesore industriale, ushtarake dhe shkencore të BRSS ”.

Rezultati i punës së koordinuar të shkencëtarëve, inxhinierëve dhe ndërtuesve më të shquar të vendit, si dhe shërbimeve të inteligjencës dhe “spiunëve atomikë” ishte krijimi, në vetëm katër vjet, i bombës së parë atomike sovjetike, i cili mbante emrin kodik RDS-1. Disa dekada më vonë, një nga drejtuesit e programit, Youli Khariton, shkroi për këtë periudhë: “Unë jam i mahnitur dhe përulem me respekt për atë që bëri populli ynë nga 1946 deri në 1949. (…) (Kjo ) periudhë intensiteti, heroizmi, kreativiteti dhe lodhjeje është e pamundur të përshkruhet. Katër vjet pas përfundimit të një lufte deri në vdekje kundër fashizmit, vendi im ka arritur ti japë fund monopolit amerikan në bombën atomike”.

Duke u bazuar në këtë arritje, skuadrat e Sarovit luftuan Shtetet e Bashkuara në katër vite duke zhvilluar bombën e parë H. Duhet theksuar se kjo ndodhi pikërisht pasi vendi ishte i shkatërruar nga lufta, e ishte duke kryer paralelisht rindërtimin, ndërsa Shtetet e Bashkuara, të pasuruara, kishin mjete financiare kolosale dhe një aparat ushtarako-industrial të pakrahasueshëm. Në vitin 1950, ekonomia amerikane përfaqësonte 27% të produktit kombëtar bruto në botë, kundrejt 9.6% për BRSS.

Ky model i një qyteti të izoluar të ndërtuar rreth një “ndërmarrje-qyteti” është rimarrë për lidhjet e shumta të atomit sovjetik. Ndërsa Sarov ishte qendra e projektit atomik, i mbushur me figura udhëheqëse në kërkimet shkencore, dhjetëra kantiere të tjerë të ngjashëm kontribuan në përpjekjen kombëtare. Kështu, qysh në vitin 1945, disa qytete të vogla në Urals dhe Siberia u zgjodhën të siguronin lëndën e parë për këto eksperimente. Më 1946, një reaktor i krijuar nga Instituti Shkencor-Teknik Maïak po prodhonte plutonium të gradës ushtarake në qytetin e izoluar Ozersk, afër Chelyabinsk (emri kodik Chelyabinsk-65). Dhe, në vitin 1949, një qytet tjetër i izoluar i quajtur Tomsk-7 ishte angazhuar në prodhimin, gjithashtu në fshehtësinë më të madhe, të uraniumit 235. Këtu, studimi ishte më pak i mprehtë dhe më i drejtuar drejt zgjidhjes së detyrave praktike të diktuara që nga koha e Arzamas-16 (Sarov). Të burgosurit politik ose të zakonshëm nga Gulag u mobilizuan për punët më të rrezikshme, siç është nxjerrja e xeherit të uraniumit ose trajtimi i materialeve të copëtuara, sipas parimit të shprehur në mënyrë cinike nga Stalini: “Armiqtë e popullit të vet kanë një rol për të luajtur në ndërtimin e socializmit “. Në vitin 1945, raporton historiani Yuri Fyodorov, trembëdhjetë kampe pune të drejtuara nga NKVD (Ministria e Brendshme) me 103.000 të burgosur u vunë në dispozicion të projektit atomik. Më vonë, ishin 190.000 të burgosur të caktuar për nxjerrjen e mineraleve të ndryshme. Sa prej tyre i panë shtëpitë e tyre sërisht?

Ndërsa kërkimet teorike ishin duke u zhvilluar mirë dhe furnizimi i lëndëve të para u sigurua, vendi i provës duhej të ishte i vendosur në një zonë në shkretëtirë me kushte të përshtatshme gjeologjike. U zgjodh stepa kazake, afër qytetit të Semipalatinsk. Atje përsëri u vendos një kantier ndërtimi kolosal: në të gjithë epiqendrën e planifikuar, ndërtesat, bunkerët, stacionet e metrosë ishin mbyllur për vlerësimin e fuqisë shkatërruese të bombës. Punëtorët e ndërtimit, por edhe biologët, fizikanët dhe specialistët e tjerë të mobilizuar për të studiuar efektet shkatërruese të valës së tronditjes dhe rrezatimit, u vendosën në njëqind kilometra nga pika e provës, duke bërë edhe këtu, lindjen e një qyteti që i nënshtrohet të njëjtit regjim fshehtësie absolute: Moskë-400.

Të shpëtohet atdheu

Mund të shkohet pa leje në këtë qytet, popullsia e të cilit mezi tejkalon një mijë. I riemëruar Kourtchakov, për nder të drejtorit shkencor të programit bërthamor Sovjetik, vendi ka humbur shkëlqimin e tij, në rrugët e bëra me pllaka betoni e me pemët e mbjella rrjesht, ndërtesat e vjetëruara të stilit stalinist dhe hotelet e pakta. Qyteti është ende shtëpi për Institutin e Fizikës Bërthamore, i cili modelon dhe teston, në bashkëpunim me një ekip shkencëtarësh japonezë, situata krize në një reaktor kërkimi të vendosur në vendin e ish-provës. Një tjetër i mbijetuar i epokës sovjetike, Instituti i Sigurisë Radiologjike është ende i mbyllur për publikun. Por mund të vizitohet Muzeu i Vogël Poligon, ku me një mori hartash personeli dhe foto bardh e zi, rikrijohet bomba epike sovjetike. Pajisjet matëse sizmike, aparatetet Geiger, kamerat e asaj kohe dhe madje edhe vendi nga i cili u dha urdhri për të plasur bombën, gjithçka është atje, e rreshtuar, me pluhur, solemne. Nëpër shkallë, udhëzuesi ju fton të mblidheni në “zyrën e Kourtchatov”, të paktën atë ku ai punoi gjatë qëndrimeve të tij të shkurtra në vend gjatë provave. Një inkubator i quajtur Parku i Teknologjisë Bërthamore kërkon të ringjallë sojin shkencor të qytetit …

Rrjeti i qyteteve të izoluara të atomit përbënte një komunitet të gjerë shkencëtarësh, studiues, inxhinierë, eksperimentues, të përqendruar plotësisht në një qëllim, i cili ishte shpëtimi i atdheut nga rreziqet e reja që e kërcënonin. “Sado paradoksal të duket, ky qytet i mbyllur për të tjerët ishte i lidhur nga një mijë fije me qindra organizata dhe kompani brenda vendit, shumë më fuqishëm se shumë nga gjigantët e industrisë kombëtare të vendosura në përgjithësi nëpër qytete, shkruan historiani Vladimir Matiouchkine në kronikën e tij të Sarov. Dhe pa dyshim, shumë nga banorët e saj e ndjenin pulsin e pjesës tjetër të botës, të planetit, shumë më fuqishëm se sa bashkëqytetarët e tyre sovjetikë. Vendin e saj në histori, lidhjen me ngjarjet botërore, çdo banor i qytetit e ndjente, mbase pa vetëdije, dhe ishte krenar për këtë”.

Por kjo epokë heroike nuk mund të zgjaste përgjithmonë dhe mobilizimi total i forcave do të çonte në shterjen e sistemit. Nga veteran i patundur në sekretar i përgjithshëm i vjetërsuar, udhëheqja sovjetike u shkatërrua përfundimisht në një konformizëm të ngurtë, ndërsa aparati industrial ngeci dhe u përkeqësua. Të lodhur duke u shtyrë vazhdimisht për t’u shfrytëzuar nga drejtuesit e saj, banorët ishin të frustruar nga kjo ngecje. Këtë herë, ishin ato që nuk pranuan ta miratojnë këtë regjim, i cili s’ishte në gjendje ti siguronte, në vend të idealit të fantazuar të barazisë dhe vëllazërimit, këto mallra konsumatore për të cilat ëndërronin dhe të cilat i janë privuar në emër të emergjencave dhe krizave. Njerëzit po zhyteshin në zhgënjim dhe madje edhe alkoolizëm. Gorbatchev, i cili diagnostikoi saktë problemin, nuk do të ishte në gjendje ta ndalonte atë.

Vitet 1990 do të harxhohen duke u përpjekur të krijojnë një ekonomi tregu nga rrënojat e planeve pesëvjeçare, në të njëjtën kohë kur ndodh një përpjekje e rrezikshme demokratike. Ekonomistët rusë dhe të huaj peshojnë meritat e këtij apo atij lloji tranzicioni, ndërsa më shumë oligarkë prosaikë blejnë kompani të naftës, industrinë e çelikut, shkrirësit e aluminit, minierat, fabrikat kimike për shumë lirë. Falimentimet janë në rritje, papunësia po shpërthen dhe kompanitë që i rezistojnë trazirave po paguajnë pagat në rubla jashtmase të zhvlerësuara. Sektorëve të shoqërisë i ndalohet financimin njëri pas tjetrit, nga shëndetësia në arsim, policia dhe gjyqësori.

Urrejtja po rritet, lulëzon separatizmi. Lufta në çeçeni ngjall, midis popullsisë së tronditur dhe të poshtëruar, jo entuziazmin, por një etje jo të shëndetshme për hakmarrje.

Të pyetur për numrin e frikshëm demografik të spastrimeve, shtypjeve dhe kampeve të tjera të internimit të periudhës sovjetike, komunistët rusë, të cilët ishin bërë ofertë elektorale ndër të tjera, nënvizojnë plagët, po aq tronditëse në sytë e tyre, që liberalizmi i shokut ka lënë në piramidën e moshës gjatë pesëmbëdhjetë viteve pas rënies së regjimit sovjetik: midis 1992 dhe 2008, vdekjet tejkaluan lindjet me njëmbëdhjetë milion. Shkaku: degradimi i shërbimit shëndetësor, shpërthimi i krimit, rritja e vetëvrasjeve, aksidente dhe katastrofa të të gjitha llojeve, përveç luftës në çeçeni. Nga 1990 në 1994, pritshmëritë për jetëgjatësinë e rusëve ranë në mënyrë dramatike, nga 65 në 58 vjet për burrat dhe nga 74 në 71 vjet për gratë, përpara se të rritej me shpejtësi që nga ajo kohë.

Në këtë kontekst, qytetet e izoluara ndiheshin si xhevahirët e fundit të perandorisë. Hapësira relativisht të paprishura, ku njerëzit qëndronin në shoqëri të mirë, të sigurt, nëse jo nga korrupsioni, të paktën nga format e saj më të çoroditura, nga mafia, nga krimi. Mbi të gjitha, aparati shkencor sovjetik, i cili diku tjetër është shitur dhe shkatërruar, këtu mbetet i strehuar nga lakmia e të kthyerve të rinj në liberalizëm. Vazhdohet të merret me detyrat esenciale të tilla si prodhimi i materialit të copëtimit (për përdorim ushtarak dhe civil), përpunimi i karburantit, çarmatimi dhe krijimi i armëve të reja.

Këto qytete, të konceptuara fillimisht si lagje të thjeshta të konvikteve për punonjësit e “qytetit-biznes”, të cilat përbënin pothuajse të gjithë punësimin lokal, qenë diversifikuar. Dyqane, restorante, kinema, qendra tregtare janë ndërtuar, si dhe agjensitë e udhëtimit dhe pasurive të patundshme. Ndërsa aktivitetet kërkimore humbën intensitetin e tyre me katastrofën ekonomike post-sovjetike, forca punëtore migroi në punë civile më fitimprurëse. Shërbimet publike (furnizimi me energji, administrimi i ujit, transporti publik), fshatrat për pushime, infrastruktura kulturore apo sportive tani ishin përgjegjësia e bashkisë ose transferoheshin në sektorin privat. Edhe qytetet shkencore, të cilat kanë mbajtur statusin e qyteteve të mbyllura, qenë duke u normalizuar … ndërsa ruajnë veçantinë kulturore.

Po t’i sugjeroni një banori të Sarovit hapjen e qytetit, ai menjëherë do të përgjigjet: “Kurrë në jetë!” Edhe nëse në ditët e sotme avantazhet e kohës sovjetike janë një gjë e së kaluarës, edhe nëse sekreti është zbuluar prej kohësh, ndërsa të gjithë tani mund të korrespondojnë me pjesën tjetër të botës, banorët e qyteteve të izoluara mbajnë “mes njeri-tjetrin” e tyre.

Veteranët e epokës heroike u larguan për një jetë më të mirë, por fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre qëndruan kryesisht këtu. Gjysma e tyre punojnë në ndërmarrjet e qytetit, ku “dinastitë” e studiuesve dhe inxhinierëve po punojnë për përparimin teknik në një mori sektorësh, civile dhe ushtarake. Institutet e modernizuara të kërkimit atomik dhe fabrikat e kondicionimit dhe ripërpunimit të lëndëve djegëse vazhdojnë kërkimin e tyre për “atomin e duhur”. Edhe nëse nuk arrihet ky ideal, të paktën ato tani veprojnë nën kontrollin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA) dhe sipas standardeve shumë të ndryshme nga koha e fillimeve, kur lumi konsiderohej si mënyra më e mirë për të hequr qafe materiale të rrezikshme.

Shumimi i “technoparks

Gjysma tjetër gjeti punë në start-upe dhe në firma kontraktore të kompanive të mëdha. Në Sarov, për shembull, inkubatori Binar pret projekte të larmishme të teknologjisë së lartë për pesëmbëdhjetë vitet e fundit: lentet intraokulare, instrument matës për hollësinë e metalit ndërsa del nga makineria, ose sensorë të destinuar për sigurinë në centralet bërthamore. Niveli i arsimit është në mënyrë të konsiderueshme më i lartë se mesatarja kombëtare, e kombinuar me atmosferën e qetë dhe të guximshme të qytetit të izoluar, dhe afërsia me kompani ultra të specializuara, inkurajojnë përhapjen e projekteve të teknologjisë së lartë. Shkalla e papunësisë është më e ulët se ajo e qyteteve të tjera me madhësi të ngjashme (4%, krahasuar me 6% në shkallë vendi). Kjo subkulturë “e mbyllur” mirëmbahet edhe nga Klubi i Qyteteve të Izoluara, i cili organizon shkëmbime, stazhe dhe kampe verore për banorët e tyre.

Sidoqoftë, një pjesë e këtyre ish-qyteteve të fshehta është zhvendosur nën ligjin e përbashkët. Ashtu si Obninsk, ku u zhvillua termocentrali i parë civil bërthamor, ose Dubna, një qendër themelore kërkimore, ose Zagorsk-7, qendra kërkimore mbi armët bakteriologjike është çmontuar. Vetëm qytetet që varen nga Ministria e Mbrojtjes ose që i bashkëngjiten Rosatom, ndërmarrjes shtetërore që bashkon të gjitha aktivitetet civile të lidhura me atomin, rreth dyzet gjithsej, mbeten të mbyllura. Arkipelagu i shkencës po shkrihet gradualisht në normalitet.

Rosatom mbikëqyr një duzinë qytete të mbyllura dhe institutet e tyre të kërkimit, qendrat e tyre të pasurimit dhe ripërpunimit të karburantit. Në Iran, Indi, Kinë dhe Bangladesh, lista e porosive tejkalon njëqind miliardë dollarë dhe tridhjetë projekte termocentralesh janë në ndërtim e sipër. Në fushën hapësinore, teknologjitë ruse kanë vërtetuar vlerën e tyre dhe përfaqësojnë një lidhje kryesore në bashkëpunimin ndërkombëtar të përqendruar në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar. Shumë sisteme, nga modulet e back-upit deri te motorët e raketave, janë përdorur prej kohësh në raketa amerikane dhe evropiane.

Regjistrimi i përpjekjeve të tjera më të fundit për përparime teknologjike është më pak i arritur, si në fushën e inteligjencës artificiale, superkalkulatorëve, nanoteknologjisë ose hulumtimeve mjekësore. Krijuar në vitin 2011 me fonde publike nga Anatoly Tchoubaïs (një nga ideologët e “terapisë së shokut” të stilit rus) me qëllim që të inkurajojë zhvillimin e teknologjive të bazuara në nanoparticles, ndërmarrja shtetërore Rosnano, nga shembull, nuk prodhoi revolucionin teknologjik të shpallur nga promovuesit e tij.

A nuk do të jetë më Rusia në gjendje të shfrytëzojë programin shkencor sovjetik të periudhës së pasluftës, një periudhë shumë më e vështirë dhe e dhimbshme se e tanishmja? A ia ka prerë krahët kalimi në kapitalizëm? Nuk është për mungesë përpjekjesh. Që nga fundi i shekullit, secili qytet, secili rajon, çdo kompani e madhe publike është munduar të ketë inkubatorin e tij, parkun teknologjik, qendrën  kërkimore, vendin e start-upeve. Ndonjëherë të mbështetur nga institutet kërkimore, shpesh të bazuara në financimin publik-privat, këto “ technoparks ” kanë lulëzuar si kërpudha pas shiut që nga mesi i viteve 1990. Kishte 169 prej tyre në fund të vitit 2019, duke i ofruar sipërmarrësve krijues mjedisin që i duhet  për zhvillimin e projekteve. Por, siç shoqata Technoparks ka vërejtur vit pas viti, shkalla e suksesit të fillestarëve mbetet mjaft e ulët (27% e kompanive  mbijetojnë në fund të periudhës së tyre të inkubacionit, krahasuar me 87% në Sh.B.A dhe 88% në Evropë). Ndoshta është efekt i legjendës, ndonjëherë e idealizuar në Rusi, të start-upit në një garazh nga gjeni të panjohur të gatshëm për të revolucionarizuar botën. Sigurisht, Bill Gates, Steve Jobs dhe Mark Zuckerbergs të tjerë nuk i zhvilluan teknologjitë të cilat promovuan shkëlqyeshëm. Sepse përbërësi kryesor i suksesit – historia e qyteteve të mbyllura na e kujton mjaftueshëm, ashtu si dhe ato të Silicon Valley ose MIT – nuk është garazhi, por një hulumtim themelor afatgjatë i financuar përmes fondeve publike. Krejtësisht e kundërta e kësaj tufe të çrregullt përpjekjesh.

*Gazetar