TEORITË E KOMPLOTEVE DHE KONSPIRACIONI NACIONALIST
Konspiracionet ballkanike dhe shteti-komb

Si përfundojnë teoritë e komploteve duke ndikuar shoqëri të tëra? Shpërbërja e Jugosllavisë ndodhi edhe sepse politikanët mundësuan dhe zhvilluan ide konspiracioniste. Një fenomen ky që po përhapet sot në pjesët e tjera të botës.

2457

Njerëzit që nuk besojnë në teori konspirative iu duket të menduarit konspirativ qesharak apo i çuditshëm. Teoricientët konspiracionist shpesh konsiderohen të jenë psikologjikisht jostabil, naiv apo të shkëputur nga realiteti. Disa studime psikologjike tregojnë se individët që i besojnë fuqishëm konspiracionit kanë çregullime të personalitetit skizotipike dhe kanë prirje të gjenerojnë kuptime dhe qëllime nga asgjëja.

Përderisa identifikimi i profilit psikologjik mund të na ndihmojë ta kuptojmë kornizën e mendjes të një konspiracionisti tipik, ky hulumtim nuk përben mjet adekuat për ta shpjeguar teorinë konspirative si fenomen masiv. Kur konspiracionistët mbeten në margjinat e shoqërisë, ata edhe mund të anashkalohen si jostabil psikologjikisht apo paranojak. Por shpjegimi psikologjik nuk është i mjaftueshëm kur miliona individë fillojnë të besojnë në konspiracion dhe kur kjo kornizë interpretuese shndërrohet në diskurs dominues shoqëror.

Konspiracionet në hapësirën jugosllave

Në fund të 80-tave dhe në fillim të 90-tave, Jugosllavia ka pësuar një zhvendosje dramatike interpretuese. Shpërbërja dramatike e shtetit federativ është paraprirë dhe pasuar nga përhapja e papritur e teorive të ndryshme konspirative, si  idetë që shteti qenka copëtuar qellimisht nga Vatikani, Masonët e Lirë, Lobi Hebrenj, etj.

Këto teori të ndryshme pretendonin se CIA dëshironte të ndërtonte “Rendin e Ri” amerikan, që islamistët dëshironin krijimin e “Trajektores së Gjelbër” që do t’i lidhte popujt myslimanë evropianë me Turqinë, apo që Gjermania e bashkuar synon të themeloi ‘Reich-un e Katërt’ dhe kështu me radhë. Populli jugosllav deri atëherë indiferent ndaj teorive të komplotit e pranoj papritmas dhe masivisht këtë kornizë interpretuese, si në sferën private ashtu edhe në atë publike. Prej atëherë, ato mbeten të pranishme në debatet intelektuale, media, zhvillime politike dhe fetare, si dhe në protesta masive. Ato janë po ashtu të pranishme në bisedat personale midis miqve dhe anëtarëve të familjes. Megjithëse këto teori konspirative kanë nevojë për rrëfime të ndryshme dhe shpesh reciprokisht përjashtuese, si dhe për një larmi kërcënimesh dhe armiqsh, të gjitha këto ide u mblodhën rreth një teme të përbashkët: “Kombi është në rrezik”.

Prandaj teoritë konspirative serbe, të cilat ishin më të mëdha në këtë periudhë, u përqëndruan në aktorët e jashtëm, për të cilët gjykohej se ishin duke komplotuar në shpërbërjen e Jugosllavisë dhe të popullit serb: Vatikani po synon ta dobëson ose zhdukë Kishën Ortodokse Serbe duke i konvertuar me forcë serbët në katolicizëm; Urdhëri Masonik; Lobi Hebre dhe korporatat amerikane synon kapjen e tregjeve të reja duke e shkatërruar ekonominë serbe dhe jugosllave; Gjermania e bashkuara e kancelarit Kohl dhe e Ministrit të jashtëm Gensher favorizojnë Slloveninë dhe Kroacinë duke aspiruar kolonizimin e serbëve dhe përfshirjen e tyre nën sundimin e “Reichut te Katërt”; politikanët amerikanë si Bush dhe më vonë Klinton synojnë krijimin e “Rendit të Ri” Botëror në kurriz të Rusisë dhe Serbisë; fuqitë myslimane si Turqia dhe Arabia Saudite komplotojnë për ta përçarë dhe skllavëruar popullin serb përmes themelimit të ‘Korridorit të Gjëlbër’ në mes të Bosnjës, Sanxhakut në Serbi, Kosovës, Shqipërisë e deri në Turqi etj. Në të gjitha këto rrëfime, populli serb paraqitej si viktimë i cili po përballej me armiq të pamëshirshëm dhe që duhej mposhtur me çdo kusht.

Teoritë konspirative kroate përqendroheshin në komunizmin dhe në Jugosllavinë, si diçka që iu imponua kroatëve kundër vullnetit të tyre për ta avancuar krijimin e Serbisë së Madhe në tokat kroate. Në disa nga këto narrativa komplotiste, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe lobi hebre-masonik-serb fajësoheshin për themelimin dhe ruajtjen e shtetit jugosllav. Disa konspiracione tjera rrëfenin se si serbët dhe Kisha Ortodokse Serbe komplotonin vazhdimisht gjatë historisë për t’i asgjësuar ose konvertuar kroatët, si dhe për shkatërrimin e besimit të krishterë në Kroaci. Disa rrëfime shpërfaqnin dhe komplotin hebreo-bolshevik si nxitës të dominimit komunist të Kroacisë dhe të rezistencës ndaj pavarësisë së Kroacisë. Konspiracione të tjera rrëfenin për komplotin mysliman për zhvendosjen e kroatëve nga Bosnja dhe Herzegovina, ashtu që të themelohej një kalifat mysliman në Evropë.

Megjithëse këto teori konspirative qarkullonin shumë kohë para shpërbërjes së Jugosllavisë, ato u bën korniza dominuese interpretuese për shumë qytetarë, vetëm pak vite para shembjes së shtetit. Elitat politike dhe kulturore luajtën një rol qendror në krijimin e hapësirës për përhapjen e shpejtë të këtyre narrativave konspirative. Kur këto narrativa arritën të zënë vend qendror në mediat e mëdha dhe në mjetet e tjera propaganduese shtetërore, ato kontribuan në shpërthimin e dhunës dhe në arsyeshmërinë e qëllimeve të luftës.

Gjatë luftërave 1991-1995 në Kroaci dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, teoritë e konspiracionit ishin përbërësi kryesor i propagandës zyrtare shtetërore. Përkundër larmisë së qartë të përmbajtjes së këtyre rrëfimeve, të gjitha artikuluan dhe shpallën idenë se si kombet e tjerë janë përpjekur gjithmonë të “na” shkatërrojnë dhe se duhet t’i luftojmë “ata” për të mbijetuar. Ky mesazh ishte ngulitur fort në rrëfimet historike të viktimizimit dhe të trimërsë. Në konspiracionet serbe, serbët ishin gjithmonë fitimtarë në luftëra, por më pas tradhëtoheshin nga të tjerët. Autorët nacionalistë artikuluan fraza të tilla sikurse “serbët ishin trashëgimtarët e njerëzve të masakruar’ ose që ‘serbët fitojnë gjithmonë në luftë, por humbin gjithmonë në paqe’.

Në rrëfimet konspirative kroate, kroatët përshkruheshin si të vuajtur përgjatë tërë historisë, për shkak të veprimeve perfide të kombeve të tjerë që prodhuan skllavërimin e tyre. Kësisoj, liderët nacionalistë kroat përhapën nocionet pothuajse mistike të vazhdimësisë mijëvjeçare të kombit kroat, ku secili kroat duhej ta ndiqte devizën: “Gjithçka dhe gjithmonë për Kroacinë, për Kroacinë tonë të vetme dhe të përjetshme,e për asgjë tjetër në botë”.

Logjika konspirative që i nënkupton këto vizione e paraqesin historinë si një lojë pa fitues, ku kombet fqinje dhe aleatët e tyre kanë komplotuar gjthmonë kundër “neve”, porse pavarësisht forcës së tyre superiore dhe ligësisë së tyre çnjerëzore, nuk kanë arritur kurrë të na mposhtin.  Këto rrëfime kundërthënëse legjitimuan shpërthimin e luftës, mobilizuan individë për të luftuar dhe më vonë justifikuan mbi 120.000 të vdekur dhe zhvendosjen e afër 5 milion njerëzve. Teoritë e komplotit luajtën një rol qendror në shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë.

Teoritë konspirative në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar

Në vitet e fundit vërejmë një përhapje të ngjashme të shpejtë të ligjërimeve konspirative në shumë pjesë të botës. Disa sondazhe në shkallë të gjerë kanë konfirmuar se teoritë e konspiracionit janë bërë mainstream dhe shumë të popullarizuara në gjithë globin. Disa nga këto rrëfime sfidojnë shpjegimet shkencore të fenomeneve të ndryshme me komplotet kundër vaksinimit që fajësojnë ‘Big Farma’, Bill Gates ose lobin shkencor, për programet e shpërthimit dhe vaksinimit të Covid 19, ndërsa komplotistët anti-teknologji lidhin përhapjen globale të pandemisë me rrjetin 5G dhe përdorimin e telefonave celular. Konspiracionet e tjera janë përqendruar në korporatat e biznesit, interesat mjedisore dhe pushtetin shtetëror (d.m.th. Chemtrails, kampet FEMA, patatet e skuqura RFID etj.). Disa konspiracioneve i është rritur ndikimi në prag ose gjatë Brexit, si dhe me zgjedhjen e Donald Trump në SHBA.

Disa anketa tregojnë qartësisht se mbështetësit e Brexit dhe Trump kanë më shumë prirje të besojnë në teoritë e komploteve dhe konspiracioneve nacionaliste. Sondazhi i ‘YouGov’ tregon se afër 50% e njerëzve që votuan për Trump dhe Brexit besojnë se qeveria po e ‘fsheh të vërtetën’ në lidhje me imigracionin. Ata gjithashtu mbështesin deklaratat si: ‘Imigracioni mysliman është pjesë e një plani më të madh për t’i bërë muslimanët shumicë’ dhe se ‘Pavarësisht se kush është zyrtarisht në krye të qeverive dhe të organizatave të tjera, ekziston një grup i vetëm njerëzish që fshehurazi kontrollon ngjarjet dhe sundon botën’. Përkrahësit e Brexit shpesh e kanë përshkruar BE-në si një komplot imperialist për ta pushtuar dhe privuar Mbretërinë e Bashkuar nga sovraniteti i saj dhe për ta zbehur strukturën e saj etnike. Ndërsa mbështetësit e Trump indentifikohen me komplotet nacionaliste, si ato lidhur me idetë e Gjenocidit të Bardhë, Deep State, Planit Aztlan, projektit të Unionit të Amerikës së Veriut dhe të shumëllojshmërive komplotiste që përfshijnë George Soros.

Komploti i Gjenocidit të Bardhë fajëson hebrenjtë dhe liberalët për promovimin e përzierjes së species njerëzore, integrimin racor, abortin dhe imigracionin jo të bardhë në shkallë masive, për ta shkatërruar SHBA-në, si një komb me shumicë të bardhë. Unioni i Amerikës së Veriut dhe Plani Aztlan janë teori konspirative që dyshojnë në ekzistimin e një plani për dorëzimin e sovranitetit amerikan tek liderët e huaj, duke e bashkuar njëherësh SHBA-në, Kanadën dhe Meksikën, për t’ia lejuar pastaj Meksikës që t’i pushtojë shtatë shtetet jugperëndimore të SHBA-ve. Komploti mjaft popullor i ‘Deep State’ i referohet idesë që sistemi politik i SHBA-ve drejtohet nga sundimtarët e fshehur dhe të pazgjedhur, të cilët pengojnë qeverinë legjitime dhe përdorin miqësitë dhe nepotizmin për ta mbajtur pushtetin. Financuesi miliarder Soros përmendet po ashtu në shumë konspiracione të ndryshme, si: Deep State, Gjenocidin e Bardhë dhe Unionin e Amerikës së Veriut. Ai etiketohet si financuesi kryesor i imigracionit jo të bardhë në SHBA. E përbashkëta e të gjitha këtyre teorive konspirative është nacionalizmi etnik dhe nocioni që kombi ynë (shumica e bardhë) është në rrezik.

Sikurse në rastin e Jugosllavisë, këto teori konspirative veprojnë me një logjikë manikeane ku grupet nacionale dhe racore janë natyrshëm në luftë me njëri-tjetrin dhe se vetëm një grup mund të ngadhënjej. Konspiracionistët e interpretojnë historinë përmes prizmit të komploteve të vazhdueshme, ku Tjetri gjithmonë e kërcënon ekzistencën e kombit tonë etnik dhe se kombi ynë do të luftoj dhe fitoj, pavarësisht fuqisë dhe ndikimit të të tjerëve. Megjithëse këto narrativa qarkullonin për vite me radhë, zhvillimet e fundit politike si zgjedhja e Trump dhe Brexiti i kanë katapultuar ato në diskursin dominues publik.

Sikurse në hapësirën ish-jugosllave, teoritë e komploteve janë tashmë të pranishme gjithkund në sferën publike dhe private, përderisa mediat më me ndikim dhe rrjetet sociale i japin atyre hapësirë. Pjesa dërmuese e popullit i kanë përqafuar këto interpretime dhe herë pas herë ata veprojnë sipas këtyre ideve, duke përdorur dhunë ndaj imigrantëve, ose pakicave etnike dhe fetare. Pjesëtarët e policisë, ushtrisë dhe aparateve të tjera të sigurisë, si dhe milicitë e armatosura legjitimojnë veprimet e tyre të dhunshme përmes teorive të komplotit.

Nacionalizmi dhe teoritë e komplotit

Konspiracionet nacionaliste nuk janë të vetmet që janë shumëfishuar në vitet e fundit. Ka teori konspiracioni në pothuajse çdo aspekt të jetës njerëzore: politikë, ekonomi, industri, shkencë, teknologji, sport dhe argëtim. Megjithatë, konspiracionet nacionaliste janë më efikase dhe më të qëndrueshme.Ato kanë një pushtet tërheqës më të gjerë, sepse mbështeten në idiomat që tashmë janë të mirëngulitura në jetën e përditshme. Idetë që rrjeti 5G ka shkaktuar Covid 19, që Agjencioni Federal për Situata Emergjente (FEMA amerikane) po ndërton kampe përqendrimi, apo mitet lidhur me Chemtrails, mund lehtë të hidhen poshtë përmes provave shkencore.

Por mbetet mjaft e vështirë të luftohen teoritë e komploteve nacionaliste. Shumica e tyre ndërtohen mbi narrativat e mirëvendosura të superioritetit, viktimizimit dhe sakrificave. Në vend që t’i sfidojnë këto rrëfime, teoritë e komploteve nacionaliste i radikalizojnë mitologjitë ekzistuese nacionaliste. Për shembull, Brexit dhe konspiracioni Aztlan mbështeten në pikëpamje popullore tashmë të betonuara, se sovraniteti kombëtar është i shenjtë dhe se është diçka që duhet mbrojtur me çdo kusht. Në këtë perspektivë, shteti-komb është forma e vetme e organizimit territorial legjitim në një botë ku çdo përpjekje për ta vërë në pikëpyetje rendin ekzistues konsiderohet si kërcënim.

Konspiracionet nacionaliste bazohen në këtë pikëpamje konvencionale që është e ngulitur thellë për ta radikalizuar mesazhin e tyre: kërcënimi nuk është abstrakt, por ndodhet në grupin specifik të komplotistëve: Eurokratët imperialistë, emigrantët meksikanë, George Soros, elita globaliste etj.

Meqenëse nacionalizmi është ideologjia më operative e modernitetit, diskurset që i referohen kombit gjejnë mbështetje më të madhe popullore dhe si të tilla nuk mund të çrrënjosen lehtë. Ndryshe nga shumë konspiracione të tjera të cilat nuk kanë njohje institucionale, konspiracionet nacionaliste mbijetojnë dhe lulëzojnë pikërisht sepse përdorin diçka që është thellësisht e bazuar në botën moderne – botëkuptimi i realitetit shoqëror të përqendruar në Kombin.

Të gjithë kemi lindur, punojmë, jetojmë dhe vdesim në kohëra politike që justifikojnë ekzistencën e tyre përmes idesë se Kombi është forma përfundimtare e solidaritetit kolektiv dhe legjitimitetit politik: Shteti-komb. Sistemet tona arsimore, mediat tona dhe sfera publike riprodhojnë çdo ditë vizionin mbi botën ku Kombi është në qendër. Nga fëmijëria deri në vitet tona të pjekurisë, ne jemi vazhdimisht të ekspozuar ndaj mitologjive nacionaliste të së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes, ku kombet tona përshkruhen si të  veçanta dhe të jashtëzakonshme. Këto rrëfime portretizojnë kombet si entitete trans-historike që kanë ekzistuar gjithmonë dhe që nuk do të vdesin kurrë: kombet tona kanë histori të lavdishme, traditë të gjatë të civilitetit, moralitetit, heroizmit dhe sakrificës. Ndryshe nga fqinjët tanë, ne nuk i kemi tradhtuar kurrë vlerat tona morale dhe kemi vuajtur për t’i ruajtur.

Këto botëkuptime nacionaliste jo vetëm që krijohen dhe përhapen në institucionet e Shtetit-komb, por riprodhohen edhe në shoqërinë civile, në sferën intime të miqësive të ngushta dhe të rrjeteve farefisnore. Prandaj, në kohë krizash të thella shoqërore, konspiracionet nacionaliste janë shumë tërheqëse, sepse nxisin atë që tashmë ekziston. Ato vetëm i shndërrojnë këto mite dhe praktika në diçka më radikale dhe më përjashtuese. Ato ushqehen nga e ekzistuara dhe vendosin diskurse të përqendruara përreth kombit, duke identifikuara qartësisht kërcënimet dhe fajtorët që komplotojnë për ta shkatërruar kombin. Frikat dhe pasiguritë e gjeneruara nga polarizimi i thellë politik mund t’i intensifikojnë këto rrëfime nacionaliste dhe të krijojnë kushtet që i mundësojnë teoricientëve të komplotit të zhyten në besimet popullore. Individët të cilët janë edukuar me këto besime të përqendruara përreth çështjes së kombit janë më të prirur t’i besojnë teorive të komplotit. Kur individët rriten duke besuar se të gjithë serbët kanë vuajtur përgjatë 500 viteve të dominimit osman, apo se britanikët heroikë e kanë mposhtur të vetëm Gjermaninë naziste, ata janë më të gatshëm të mendojnë mbi komplotet e huaja kundër kombit të tyre.

Të gjitha teoritë e komploteve lulëzojnë në kohë krizash, polarizimesh shoqërore dhe vakumesh pushteti. Ato ofrojnë harta të thjeshta njohëse për atë që duket të jetë një botë e pakuptueshme dhe e frikshme. Ato ofrojnë një ndjenjë kontrolli dhe sigurie në kohë thellësisht të pasigurta. Megjithatë, jo të gjitha konspiracionet janë të njëjta. Ndryshe nga shumica e diskurseve të tjera konspirative, konspiracionet nacionaliste janë më të fuqishme, më të qëndrueshme dhe si të tilla edhe më të rrezikshme. Fuqia e tyre qëndron në cilësinë e tyre parazitare duke ushqyer diskurse tashmë ekzistuese në institucione dhe në praktika të përditshme.

Rrëfimet nacionaliste dhe teoritë e komploteve ndajnë nganjëherë një tipar të rëndësishëm të përbashkët: ato nuk mund të ndërtohen mbi të vërtetën. Qëllimi i tyre nuk është të gjenerojnë njohuri objektive, por ta lehtësojnë kohezionin shoqëror. Si të tilla, ato i rezistojnë si analizave shkencore, ashtu dhe provave faktike. Askush nuk dëshiron të dëgjoj se kombi i tij është inferior, se ka të kaluar të turpshme, cilësi mediokre ose paraardhës frikacakë. Vetë ekzistenca e kombit bazohet mbi idenë e cilësive të veçanta që nënkuptojnë një lloj epërsie. E njëjta gjë vlen për teoritë e komploteve. Ato janë të padepërtueshme nga arsyeja, sepse japin ndjenjë sigurie për individët, si dhe një lloj drejtimi dhe një ndjenjë epërsie përmes qasjes ‘unike’ në informacionet që nuk i kanë të tjerët. Konspiracionet nacionaliste e sjellin të kuptuarit e realitetit që e vendos kombin në qendër drejt konkluzionit të tij logjik. Në kohë trazirash të thella shoqërore, idiomat e zakonshme nacionaliste mund lehtësisht të shndërrohen në konspiracione popullore nacionaliste.

*Sinisha Mallesheviq është profesor i sociologjisë në ‘University College’ të Dublinit dhe kërkues i asociuar në ‘Conservatoire national des arts et métiers’ në Paris.

Referencat :

De Waal, J.R. (2018), Brexit and Trump voters are more likely to believe in conspiracy theories, International YouGov Poll-Cambridge Centre.

Hart, J., & Graether, M. (2018). « Something’s going on here : Psychological predictors of belief in conspiracy theories », Journal of Individual Differences, 39(4), 229–237

Malešević, S. (2019), Grounded Nationalisms, Cambridge University Press.

 (Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Yugosplaining the world”)