SHUMËKOMBËSHET ALARMOHEN NGA RIVALITETI QË KA PREKUR MAJËN
Mes SHBA-së dhe Kinës një luftë më pak tregtare dhe më shumë gjeopolitike

Pasi u shndërrua në ekonominë e tregut, Kina do të duhej të ishte vetëm një lidhje në zinxhirët e prodhimit të një ekonomie globale të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe shumëkombëshet e tyre. Por shpejtësia e zhvillimit të saj shqetëson tani udhëheqësit amerikanë. Prandaj ata po punojnë për ta dërrmuar një konkuruese që ka dalë më shpejt sesa pritej dhe kërcënon pozicionin e tyre si një superfuqi hegjemonike.

1209

Më 26 qershor 2016, z. Donald Trump mbajti një fjalim të rëndësishëm në të cilin foli për programin ekonomik dhe tregtar ndërkombëtar që do të zbatonte nëse do të zgjidhej. Përmbajtja e përgjithshme e fjalimit të tij ishte një kritikë e ashpër ndaj politikanëve amerikanë, që akuzoheshin se i “kishin bërë një politikë agresive mondializimi (që) zhvendosi vendet tona të punës, pasurinë tonë dhe uzinat tona jashtë vendit”, duke çindustrializuar dhe “shkatërruar” shtresën mesatare të popullsisë në Shtetet e Bashkuara. Duke denoncuar një “klasë drejtuese që po adhuron mondializmin në vend të amerikanizmit”, ai e cilësonte Marrëveshjen e shkëmbimit të lirë amerikano-verior (Alena), Organizatën botërore të tregtisë (OBT), praktikat ekonomike kineze dhe Partneritetin transpaqësor (PTP), si shkaqet kryesore të perëndimit të sektorit industrial të vendit të tij. Përballë turmës, ai deklaronte se do t’i tërhiqte Shtetet e Bashkuara nga PTP-ja, do të rinegocionte me Alenën, do t’i vinte sanksione Kinës të cilën e akuzonte se “manipulonte” tregjet valutore “, do të hapte procese gjyqësore kundër praktikave tregtare “mashtruese”, do të zbatonte taksat e doganës për importet që vinin nga Republika popullore (RPK) “dhe do të përdorte të gjitha pushtetet presidenciale të ligjshme për të rregulluar mosmarrëveshjet tregtare (dypalëshe)” me Pekinin.

Në atë peridhë shumë pak vëzhgues e morën seriozisht këtë sulm verbal kundër mondializimit dhe arkitekturës institucionale të tregtisë ndërkombëtare. Pastaj, zgjedhja e z. Trump dukej e pamundur. Dhe, nëse rastësish, do të vinte në pushtet Thesari amerikan dhe konstelacioni i aktorëve ekonomikë që kanë interesa të rëndësishme në ruajtjen e “tregut të lirë” botëror do ta detyronin të arsyetonte siç duhej. Institucionet lider të ekonomisë dhe sigurisë të ngritura nga Shtetet e Bashkuara që në konferencën e Bretton Woods në vitin 1944, duke patur si objektiv ruajtjen për një kohë të gjatë të pozicionit të tyre qëndror, do të kishin peshë në marrjen e vendimeve. Zëri i segmenteve më të ndërkombëtarizuara të kapitalizmit amerikan do të dominonte. Këto modalitete organizative të bëjnë të mendosh se asnjë president, po aq idiosinkretik (Idiosinkretik: tendencë për të reaguar personalisht ndaj elementëve të jashtëm), sa presidenti Trump, nuk mund të largohej kaq qartazi nga politikat dhe kuadrot që, për një kohë të gjatë, kanë siguruar hegjemoninë e Shteteve të Bashkuara. Por, këto hipoteza mbivlerësonin peshën e kapitalit në përcaktimin e trajektores së botës dhe nënvlerësonin potencialet politike që lindën si pasojë e rritjes së fuqisë së Kinës, që Shtetet e Bashkuara synojnë sot ta bllokojnë, pa u lodhur. Nisur nga ideja se Kina  “përfaqëson një kërcënim thelbësor afatgjatë”, sipas znj. Kiron Skinner, drejtoreshë e planifikimit politik në gjirin e Departamentit të Shtetit, kjo përpjekje është duke tjetërsuar natyrën e raporteve ndërkombëtare dhe ndryshuar rrjedhën e mondializimit. Pas viti 1991, aksi qëndror i politikës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara ishte propagandimi në botë i modelit amerikan të kapitalizmit të tregut. Nën emërtimin përgjithësues “konsensus i Uashingtonit”, Thesari amerikan dhe Fondi Monetar ndërkombëtar vunë në zbatim një program liberalizimi, çrregullimi dhe privatizimi botëror që iu imponua në fund të viteve 80 dhe në vitet 90 “vendeve në zhvillim”, të zhytura në borxhe, pra të dobëta, të Afrikës subsahariane dhe të Amerikës Latine.

Koha kur Pekini ishte një aleat

Pas krizës financiare aziatike të viteve 1997-1998, sistemet ekonomike të vendeve të reja të industrializuara të Azisë lindore dhe të atyre në zhvillim të rajonit, u vunë, gjithashtu, në pikëpyetje. Nën një presion shumë të fortë, ekstrem, politikat industriale shtetërore dhe mbrojtja e tregjeve të brendshëm ua lanë vendin, në nivele të ndryshme, sprapsjes së Shtetit dhe hapjes drejt investimeve ndërkombëtare. Fushata zyrtare, më shumë e bazuar mbi shtrëngimin sesa mbi bindjen, u promovua nga shoqëritë multinacionale dhe transnacionale që kërkonin të hynin në tregjet, më herët, të mbyllura. Për to, rënia e Bashkimit Sovjetik krijoi kushtet e një periudhe të dytë të artë të kapitalizmit ndërkombëtar, pas atij të fund shekullit të XIX-të, të ndërprerë nga dhuna e masave në shekullin që vijoi. Shtetet e Bashkuara ishin shndërruar në fuqinë e vetme të madhe, dhe në vitet 1990, objektivat e shtetit dhe të kapitaleve përkuan me nivele të jashtëzakonshme. Ky lloj konfigurimi mund të krahasohej me simbiozën midis shtetit perandorak dhe kapitalit në pikën kulminante të internacionalizimit britanik, ndërkohë që objektivat e tyre respektive të rritjes së pushtetit dhe të pasurisë ishin të lidhura në funksion me njëra-tjetrën. Kjo përputhje intersash e drejtoi qeverinë britanike që të punonte për kapitalin (nëpërmjet forcës ose kërcënimit për ushtrimin e forcës, nëse do ishte e nevojshme, si në Amerikën Latine, në Kinë dhe në Egjipt). Ajo i detyroi investitorët privatë t’u përkuleshin lehtësisht kërkesave strategjike të Shtetit perandorak kur t’ua kërkonte situate botërore – psh, në rastin e Rusisë, ku investitorëve iu la të kuptohej se ekuilibri i forcave në Europë qëndronte mbi fitimin. Në mënyrë të ngjashme, shteti amerikan luajti një rol vendimtar pranë ndërmarrjeve multinacionale dhe bankave në krijimin dhe shpërndarjen e liberalizimit botëror në fund të shekullit XX-të. Siç e shkruan dhe Stephen Walt, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Harvard, drejtuesit amerikanë “panë në fuqinë e pakundërshtueshme që kishin në dispozicion, mundësinë për të transformuar mjedisin ndërkombëtar me qëllim që të përmirësonin akoma pozicionin e Shteteve të Bashkuara dhe të mblidhnin më shumë avantazhe në të ardhmen”, duke shtyrë “sa më shumë vende që të aderonin në vizionin e tyre të veçantë të një rendi kapitalist liberal”.

Në atë kohë, elitat politike dhe ekonomike amerikane e konsideronin Kinën më shumë si një aleate sesa si një rivale, dhe padyshim jo si një kërcënim. Republika popullore ishte bashkuar me të njëjtën kauzë të përbashkët me Shtetet e Bashkuara, në fund të viteve 1960 dhe 1970, rreth projektit për të bllokuar Bashkimin Sovjetik. Marrëdhëniet diplomatike u vendosën më 1 janar 1979 dhe, në më pak se një muaj më vonë, Ten Hsiao Pin ndërmori një turne prej nëntë ditësh në Shtetet e Bashkuara për të festuar këtë ngjarje. Me këtë rast, sipas gazetarit të Guardian Jonathan Steele, ai deklaroi se Kina dhe Shtetet e Bashkuara kishin si “detyrë të punonin tok (…) (dhe të bashkoheshin për t’iu kundërvënë ariut polar”. Gjatë ceremonisë në Shtëpinë e Bardhë, flamuri i kuq kinez valëvitej krenar dhe ndërkohë që kumbonte përshëndetja tradicionale prej nëntëmbëdhjetë goditjesh të topit “një furgon i vogël që shpërndante Coca-Cola të kuqe të errët, kaloi jo shumë larg (…) një simbol ky, i mundësisë për miliona dollarë (…) që biznesmenë amerikanë, të paduruar, (shpresonin) të mblidhnin falë oreksit të ri të Kinës për tregtinë, teknologjinë dhe kreditë amerikane”.

Në vitet 1980, Kina nisi një liberalizim të kufizuar të tregut të brendshëm dhe një hapje graduale ndaj investimeve ndërkombëtare. Në vitin 1986, ajo kërkoi të aderonte në Marrëveshjen e përgjithshme mbi tarifat doganore dhe tregtinë, pararendëse e OMC-së. Më pas, në fillim të viteve 1990, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe një pushimi prej tre vjetësh, të nesërmen e ndryshimeve të Tiananmen-it (1989), Ten manovroi me shpejtësinë më të lartë. Ai zgjeroi ristrukturimin e brendshëm dhe përshpejtoi ndërnacionalizimin dhe integrimin e vendit në ekonominë botërore. Lidhja gjeopolitike e integrimit ekonomik ishte në pajtim me Shtetet e Bashkuara për të shmangur përballjet e afta për të kompromentuar tranzicionin. Kjo zgjedhje u verifikua në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara ku Kina bëri kujdes që të frenonte aksionin diplomatik të Shteteve të Bashkuara. Këta të fundit, nga ana e tyre, u munduan të fusnin Pekinin në disiplinat institucionale dhe tregtare të ekonomisë botërore perëndimore, rregullat e së cilës dhe kufizimet ishin fiksuar në Uashington (Shtetet e Bashkuara vendosën kushte strikte për pranimin e Kinës në OMC, gjë që u bë efektive vetëm më 11 dhjetor 2001). Nisur nga postulati se liritë ekonomike dhe politike ishin domosdoshmërisht të lidhura, duke vepruar nga një pozitë e fortë, elitat amerikane vlerësuan se mund të vinin në punë trajektoren kineze në këto dy plane.

Të çlirohesh nga të gjitha rregullat

Gjatë hapjes së saj, Kina u shndërrua në një destinacion gjithmonë e më shumë të rëndësishëm për investimet direkte jashtë vendit. Hyrjet neto arritën mesatarisht shifrën 2,2 miliardë dollar në vit (në dollar ndërkombëtarë) midis viteve 1984-1989 dhe shifrën 30, 8 miliardë dollarë në vit midis 1992-2000, ndërsa kjo shifër shkoi në 170 miliardë dollarë në vit gjatë periudhës 2000-2013. Ndërkohë që RPK kërkonte t’i përdorte për të përfituar teknologji dhe dije, pjesa më e madhe e investimeve, fillimisht, ishin të destinuara për të shkuar në sektorët që kishin një vlerë të shtuar të vogël, si tekstilet, apo dhe në industritë e transformimeve si grumbullimi i pajisjeve elektrike dhe elektronike me përbërës të prodhuar jashtë Kinës, për ndërmarrje botërore që kishin të drejtat e pronësisë intelektuale mbi prodhimet. Vëzhgues kritikë si Yasheng Huang, profesor në menaxhimin ndërkombëtar në MIT Sloan School of Management, vunë re se kishte “pak prova që tregonin se hyrjet e IDE-së në Kinë, mishëronin shumë teknologji të materies, të forta, apo të teknologjisë së metodologjisë, të buta (hendeku teknologjik midis vendeve investuese dhe Kinës ishte perceptuar deri në 20 vjet”. Fitimet e Kinës në zinxhirët e vlerave, modeli teorik i zhvillimit të aktivitetit të ndërmarrjes, ishin të dobëta, ndërsa fitimet e shoqërive transnacionale ishin shumë të mëdha. Kina dukej e ngecur në strukturat e varësisë. Situata u zhvillua në fund të viteve 2000, dhe sot është ndjeshmërisht mjaft ndryshe. Përshtatja teknologjike, nëpërmjet transfertave të detyrueshme për investorët e huaj dhe modernizimi industrial ndërsektorial i kryer nga Shteti, i kanë lejuar Kinës të bëjë përpara në mënyrë progresive në shumë fusha të industrisë, dukë përfituar një pjesë në rritje të vlerës së shtuar. Këto përparime dhe pesha ekonomike dhe politike e vendit në Azinë lindore filluan t’i shkaktonin shqetësime serioze Uashingtonit dhe kryeqyteteve të tjera perëndimore. Në vitin 2011, z. Barak Obama shpalli “aksin” e politikës amerikane për Azinë. Më pas, në fjalimin për gjendjen e Unionit në vitin 2015, ai deklaroi: “Kina dëshiron të shkruajë rregullat për rajonin botëror që po njeh rritjen më të shpejtë. Përse ta lëmë të bëjë këtë gjë? Duhej t’i shkruanim ne këto rregulla”. Për të frenuar rritjen e Kinës, administrata aktuale zgjodhi të shkojë më larg duke i hequr qafe të gjitha rregullat e saj. E mbështetur nga Kongresi dhe nga aparati i sigurisë kombëtare, ajo e paraqiti Kinën si një kërcënim të madh. Shtetet e Bashkuara shohin tek ajo një vend të madh që është pasuruar shumë në një kohë shumë të shkurtër – prodhimi i brendshëm bruto për banorë ka shkuar nga 194 dollarë në vitin 1980 në 9174 dollarë në 2015 . Ata shohin një shtet të fortë që ka inkurajuar dhe udhëhequr zhvillimin e konglomerateve industrialë kombëtarë, veçanërisht në telekomunikacion, në transportet detare dhe trenat me shpejtësi të madhe dhe që ia kushton një pjesë të mirë të prodhimit të brendshëm bruto, kërkimeve shkencore dhe teknike: më shumë se 2% në vitin 2016 përkundrejt 0, 6% në vitin 1996, kur kuota amerikane është 2, 74% ndërsa e Francës 2,25%. Ata shohin një vend që po modernizon marinën, i angazhuar në një fazë zgjerimi ekonomik ndërkombëtar nga aspekti i “rrugëve të reja të mëndafshit” (Belt and Road Initiative, BRI), ku forca detare pati mundësinë që në këtë periudhë të kryente blerjen, ndërtimin apo shfrytëzimin e 42 porteve në 34 vende. Ata e dinë se Kina ka akoma një prapambetje të madhe cilësore në raport me Shtetet e Bashkuara në pjesën më të madhe të fushave teknike të ndjeshme, prandaj janë thellësisht të shqetësuar nga fakti se ashtu si Japonia në vitet 1970 dhe në fillim të viteve 1980, ajo po u afrohet me shpejtësi. Ashtu siç shkruan Financial Times, Uashingtoni “kërkon të kontrollojë fuqizimin e Kinës” para se përpjekjet e saj për modernizim të maturohen. John Mearsheimer, studiues realist në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe një ndjekës fanatik i frenimit, mbështet faktin se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë gjithçka për të ndaluar riemergjencën kineze dhe që “ ekonomia kinezë të bjerë”, para se Kina të shndërrohet në një “Hong Kong gjigand”. Për këtë gjë ata pakësuan importimin e mallrave me origjinë kineze në tregjet amerikane (një luftë tregtare), përjashtuan ndërmarrjet kineze nga sektorët e teknologjisë së lartë ku kanë një përparim në cilësi, kundërshtuan kërkesat territoriale të Pekinit në detin e Kinës jugore me motivin që prania e saj në ishuj do të ishte “një kërcënim për ekonominë botërore” – sipas z. Rex Tillerson, sekretar i Shtetit amerikan nga shkurti 2017 deri në mars 2018 – vendosën kontrolle strikte për vizat e studentëve të huaj dhe kontrolle sigurie të të gjithë studentëve kinezë të diplomuar. Masat energjike juridike dhe institucionale të marra nga Uashingtoni kundër konglomeratit të telekomunikacioneve Huawei, furnizuesi më i madh botëror i pajisjeve për rrjetet informatike të lidhura nëpërmjet valëve, përbëjnë dhe hapat e parë vendimtarë në këtë metodë. Administrata rekomandon ndalimin në shkallë botërore të pjesëmarrjes së Huawei-t në ndërtimin e infrastrukturave 5G, me rezultate jo shumë strikte. Më 1 dhjetor 2019, Kanadaja arrestoi Znj. Meng Wanzhou me kërkesë të Shteteve të Bashkuara. Drejtoresha financiare e Huawei-t u akuzua për mashtrime bankare dhe konspiracion me qëllim kryerjen e mashtrimeve pasi, me gjasë, ka shkelur sanksionet amerikane kundër Iranit, ka vjedhur sekrete tregtare, dhe kështu ajo ka nisur një betejë juridike kundër ekstradimit të saj. Siç shkruan me mjaft shqetësim Financial Times (20 maj 2019), “vendimi amerikan për të vënë më të mirën e telekomunikacionit kinez në listën e entiteteve me të cilat ndërmarrjet amerikane nuk mund të bëjnë tregti, pa pasur një licensë qeveritare, shënon një moment shkatërrues për industrinë teknologjike botërore. Kjo provokon fillimin e një lufte të ftohtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kines (…). Masat e fundit amerikane duket se janë marrë për të paralizuar apo shtypur një nga ndërmarrjet e para teknologjike kineze që po konkurojnë në shkallë botërore (…). Bëhet fjalë për një përpjekje për shkëputje të sektorëve teknologjikë amerikanë dhe kinezë, duke realizuar një ndarje të kësaj industrie botërore”.

Ndërmarrjet “antipatriotike”

Shtetet e Bashkuara kërkojnë në fakt që të shkatërrojnë zinxhirët e prodhimit dhe të vlerave transnacionale, që i sjellin leverdi gjithmonë e më shumë Kinës dhe kanë qenë një nga karakterisikat thelbësore të mondializimit të fundshekullit të XX-të. Lufta tregtare e nxitur nga Uashingtoni është drejtuar më shumë kundër shoqërive transnacionale që e kthyen Kinën në një platformë grumbullimi dhe prodhimi, sesa kundër Pekinit. Autoritetet amerikane vlerësojnë se “një pjesë e madhe e zinxhirit të grumbullimit ështe zhvendosur drejt Kinës” dhe se multinacionalet që kanë investuar në Kinë, qoftë në mënyrë direkte, qoftë nëpërmjet ndërtimit të rrjeteve të nëntrajtimit në shumë nivele, janë pjesë e problemit. Ato i konsiderojnë aktivitetet kozmopolite të këtyre ndërmarrjeve si antipatriote – një argument që ka një gjenealogji të gjatë në mendimin nacionalist. Profesori i shkencave politike Samuel Huntington, i njohur për teorinë e tij të “përplasjes së qytetërimeve”, ka dhënë një formulim të shkurtër në vitin 1999 kur denoncoi “liberalët dhe universitarët” si dhe “elitat ekonomike” që ushqejnë “ndjenja antikombëtare” dhe mbështesin një “kozmopolitizëm (që gërryen) unitetin kombëtar” nga poshtë dhe nga lart. Ai e quante me urimet e tij “një nacionalizëm i fortë” bazuar në një trini kombëtare: Zoti, kombi dhe forcat e armatosura. Shpresa e administrates, por edhe e drejtuesve të lartë të Partisë demokrate dhe të aparatit të sigurisë, është që një konflikt tregtar i gjatë i lidhur me regjime të sigurisë shtërnguese, të tërheqë kosto abuzive për ndërmarrjet transnacionale, duke i shtyrë që të mos investojnë në Kinë dhe t’u japin fund transferimeve të teknologjisë si dhe formave të tjera të bashkëpunimit tregtar – si shitja e aparateve me prekje Huwaei-t nga shoqëritë amerikane Intel dhe Micron. Kjo prek ndërmarrjet jo amerikane, meqë ligjet dhe rregulloret amerikane kanë një rëndësi botërore: ato aplikohen për të gjitha prodhimet apo proceset ku futen përbërësit e prodhuar në Shtetet e Bashkuara ose që kanë të përfshira të drejtat e pronësisë intelektuale. Në të ardhmen, ato mund të zbatohen për të gjitha ndërmarrjet që përdorin dollarin në transaksionet e tyre, siç e tregon dhe rasti i bllokimit botëror aktual i Iranit nga Uashingtoni. Rezultatet nuk vonuan të dukeshin: Foxconn (Hon Hai Precision Industry), një ndërmarrje gjigande me origjinë tajlandeze që siguron grumbullimin në Kinë të produketeve Apple, si dhe emra të tjerë të mëdhenj të elektronikës, lajmëroi në prill të vitit 2019 plane për shumëllojshmërinë e kompanisë së saj në drejtim të Indisë dhe Vietnamit (dy vende rivale me Kinën), për tu mbrojtur kundër luhatjeve në të ardhmen në kompanitë e furnizmit aziatik. Që në shkurt, 66 shoqëri tajvaneze filluan të sillnin në vendin e tyre prodhimet nga Kina kontinentale në Tajvan, të mbështetura nga një program nxitës i qeverisë së Taipei-t. Më dhjetëra ndërmarrje amerikane dhe japoneze nuk po investonin më në Kinë duke shkuar drejt Meksikës, Indisë dhe Vietnamit. Sipas një studimi të fundit, mbi 200 shoqëritë kryesore amerikane aktive në Kinë, 120 po analizojnë apo do të analizojnë kompanitë e tyre të furnizimit gjatë muajve të ardhshëm. Procesi do të përshjeptohet nëse administrata intensifikon luftën tregtare. Sipas bankës Morgan Stanley, kostoja e iPhone XS do të rritej me 160 dollarë nëse Shtetet e Bashkuara do të zbatonin tarifat doganore penguese mbi tërësinë e eksportimeve “kineze”.  Neomerkantilizmat amerikanë, shpresojnë të çojnë një pjesë të zinxhirit të prodhimit në Shtetet e Bashkuara, gjë që administrata e kërkon me ngulm, por pa një rezultat të prekshëm deri tani. Ndërmarrjet transnacionale – veçanërisht, por jo vetëm, shoqëritë pa uzina, si Apple apo Nike – do të kishin nevojë për nxitje shumë të forta për ta bërë një gjë të tillë. Çmontimi i platformave të tyre kineze do të ishte një proces i kushtueshëm dhe i vështirë. Për më tepër akoma, rivendosja në Shtetet e Bashkuara do të ulte në mënyrë të konsiderueshme fashat e tyre të fitimit. Megjithatë, vullneti politik duket i prerë. I pyetur nga CNBC më 10 qershor 2019, z. Trump denoncoi Dhomën e tregtisë amerikane për mbështjetjen e saj në mbarëvajtjen e marrëdhënieve tregtare me Kinën dhe deklaroi se “do të vendoste taksat doganore prej 25% mbi të gjitha importet me origjinë nga Kina (kundër pothuajse gjysmës së importeve që dominohen aktualisht nga tarifat e reja) nëse ky vend nuk do të respektonte kërkesat e Shteteve të Bashkuara. Sipas tij, kjo gjë do t’i detyrojë ndërmarrjet amerikane “të shvendosen gjetkë” (…) Ato (do të shkojnë) në Vietnam ose në një nga vendet e tjera të shumta me mundësi, ose do fabrikojnë produketet e tyre në Shtetet e Bashkuara, që është dhe opsioni im i preferuar”. Në këtë pikë, presidenti gëzon mbështetjen e drejtuesve të partisë demokrate në Senat, shefi i të cilit Z. Chuck Schumer, kërkon të mbahet një pozicion autoritar kundrejt Kinës. Një tension i ri vendoset midis palëve më të ndërkombëtarizuara të kapitalit dhe Shtetit. Ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, që gjendej jashtë ekonomisë kapitaliste botërore, Kina është shndërruar në një përbërëse thelbësore të saj. Kapitalizmi, i përcaktuar më së miri, nga Fernard Braudel si “kati i sipërm”, i aktiviteteve ekonomike, ku tregtia në distancë të largët nxjerr përfitimet më të mëdha, lulëzoi në hapësirën globale, dhe jo në tregjet e ndara sipas linjave kombëtare. Ky kat që Braudel e veçon nga tregjet lokale të “katit përdhes”, kërkon një ekonomi botërore të hapur ku kapitali të kalojë pa pengesa. Me disa përjashtime të rëndësishme, si psh sektori i mbrojtjes dhe industrisë së hidrokarbureve, i lidhur ngushtë me shtetin, elementët kyç të kapitalit kanë rëndësi dhe interesa në shkallë botërore. Situata aktuale konteston hipotezën liberale sipas së cilës shkalla e ndërpavarësisë e arritur në fundin e shekullit të XX-të kishte futur një ndryshim të pakthyeshëm në marrëdhëniet sociale botërore. Ajo vë sërish në pikëpyetje perspektivat neomarksiste që konsideronin emergjencën e një “klase mbizotëruese transnacionale” e cila tejkalon përfundimisht politikën dhe Shtetin. Do të ishte naive të mendohet se Kina do të përkulej nën presion. Më 30 majin që shkoi, The Global Times, një e përditshme që reflektonte përgjithësisht linjën zyrtare, shkroi: Kina është gati për një betejë tregtare afatgjatë me Shtetet e Bashkuara. Në krahasim me vitin e kaluar, kur Shtetet e Bashkuara filluan luftën tregtare, opinion publik kinez është më i favorshëm që qeveria të marri kundërmasa të ashpra.Gjithmonë e më shumë kinezët besojnë se qëllimi i vërtetë i disa elitave në Uashington është shkatërrimi i aftësive të zhvillimit të Kinës dhe se këta njerëz kanë marrë peng politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Pekinit. Nga njëra anë në tjetrën, kërkesa për pushtet duket sikur po e parakalon kërkesën për fitime. Ndërveprimet midis nacionalizmave amerikanë dhe kinezë mund t’i japin fund fare mirë mondializimit ashtu siç e njohim ne.

* Profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Universiteti amerikan i Parisit.  Autor i librit East Asia’s Reemergence, Polity Press, Cambridge, 2016.