
Mëngjesin e 18 majit 2019, celulari i z. Alberto Fernandez, papritur, nisi të bjerë me tërbim. Në më pak se dhjetë minuta, mesazheria e whatsapp-it afishoi njëqind mesazhe që po prisnin për t’u lexuar. “Ding”-et e pafundme të këtij aplikacioni po përziheshin me “dong”-et e sms-ve, të cilat binin me një rregullsi metronomi. Atë ditë, sikur të ishin duke ekzekutuar një koreografi spontane, kandidatët e mundshëm peronistë për zgjedhjet presidenciale në tetor, shpallën tërheqjen e tyre njëri pas tjetrit, ndërkohë që qeveritarët të cilët deri në ato çaste kishin qëndruar, me kujdes, të heshtur, nisën të flasin. Drejtues të shumtë sindikatash, kryetarë ndërmarrjesh dhe intelektualë, pak a shumë të njohur, të gjithë bashkë vendosën të mbështesnin të njëjtin kandidat: njeriun, celularin e të cilit e mbytën me mesazhe.
Kjo erë tubimi erdhi pas një deklarate të papritur, disa minuta më parë, e cila sapo ndryshoi rrjedhën e zgjedhjeve. Fjalë që nuk u shqiptuan nga z. Alberto Fernandez, por nga zj. Kristina Fernandez, që nuk ka asnjë lidhje fisnore me të. Një personalitet politik, figura më popullore në vend, vejusha e kryetarit të dikurshëm të shtetit, Nestor Kirchner (2003-2007), presidente nga 2007 në 2015 dhe në krye të polit më të fuqishëm të peronizmit, i habiti të gjithë me një video në Tëitter: “I kërkova Alberto Fernandez të kryesojë një listë të përbashkët, ai kandidat për president dhe unë zëvendës-presidente.”
Një listë “Jane Austel”
Deri në atë çast, fushata shihej si një duel midis zj. Fernandez dhe presidentit liberal Mauricio Makri, i zgjedhur në vitin 2015. Nëse drejtuesja peroniste mund të besonte në mbështetjen e një të tretës së elektoratit, nga ana tjetër, i duhej marrëveshje me një të tretën tjetër që e refuzonte. Në zanafillë të kësaj “krisjeje” (grieta), siç e quajnë, është konflikti midis kryetares së shtetit dhe sektorit agrar, që ka nisur që në vitin 2008.
Pak pasi mori në duar frenat e vendit, në mars të vitit 2008, zonja Fernandez shpalli një rritje të taksës mbi eksportin e drithërave, të quajtur “tatim në burim”.
Ashtu si edhe vendet e tjera të rajonit, Argjentina eksporton sidomos lëndë të parë, veçanërisht sojë, ku renditet si eksportuesi i dytë në botë. Ndërkohë që çmimet po tejkalonin 600 dollarë për ton (përkundrejt 300 dollarëve në shtator të vitit 2019), zonja Fernandez vlerësoi se ka ardhur momenti për të kapur një pjesë më të madhe nga këto “super të ardhura” që i gëzon patronati bujqësor. Bëhet fjalë për ta pajisur shtetin me mjete të reja për të zhvilluar politikat e tij sociale dhe për të mbështetur industrinë, e dobët, rakitike.
E bindur për të sulmuar reliket e një enklave feudale të vjetëruar, presidentja nuk e parashikoi reagimin që do të provokonte – ky ishte një gabim. Sepse sektori agrar, “el campo”, ndryshoi: dinamik, i integruar shumë fort me mekanizmat e mondializimit, i përshkuar nga fluksi i kapitaleve ndërkombëtare, ai nuk përbëhet më nga familje të mëdha oligarke, por edhe nga një klasë e mesme rurale në lidhje direkte me sektorët e financës dhe të mediave private. Për tre muaj rresht, el campo zë rrugët dhe kërcënon se do t’i zhysë qytetet në krizë ushqimore. Ai arriti ta fitojë çështjen deri në Kongres.
Zonja Fernandez ia del të rregullojë mjaftueshëm popullaritetin e saj që të zgjidhej sërish në vitin 2011, por krisja vazhdon të jetë e madhe. Sepse reforma fiskale e parashikuar nuk është tjetër veçse një manifestim i ri i një konflikti historik më të thellë. Nga njëra anë, forcat e lidhura me peronizmin “e epokës së parë” (1945-1955), sot e kësaj dite përfaqësohen nga kirchnerizmi. Duke u mbështetur te periferitë e mëdha urbane, provincat e varfëra të Veriut dhe Patagonisë, punëtorët dhe të varfërit, por, gjithashtu, dhe te klasat e mesme progresiste dhe të rinjtë, kjo rrymë mbron një model ekonomik që favorizon industrinë, zhvillimin e tregut të brendshëm, rritjen e pagave, ngritjen e një shteti të fortë. Nga ana tjetër, liberalizmi klasik i mishëruar, tashmë, nga presidenti Mauricio Makri, është mishërimi i fundit i anti-peronizmit. Baza e tij sociale gjendet në sektorin agrar eksportues dhe në lagjet e pasura të qyteteve të mëdha. Projekti i tij është: më pak taksa, më pak shtet, më pak rregulla dhe më shumë treg. Me pak fjalë, Ronald Reagan që do kërcente tango.
Secili prej këtyre dy poleve kristalizon rreth një të tretën e votave. Në mes një qendër “pluskuese”, pa besnikëri politike, vendos rezultatin e votimeve. Në vazhdim të konfliktit të saj me el campo, zonja Fernandez adoptoi një strategji që synonte të “siguronte mbështetjen e këtij poli të tretë, një ”minoritet i gjallë” na shpjegon gazetari Martin Rodriguez. Edhe Makri të njëjtën gjë ka bërë. Por vota e 1/3-ës e popullsisë të ndihmon vetëm të fitosh zgjedhjet dhe të qeverisësh, jo të ndërmarrësh ndryshime të mëdha dhe afatgjata”.
Nga ka dalë dhe opsioni i imagjinuar nga drejtuesja peroniste për zgjedhjet e 2019. Z. Alberto Fernandez shfaqet si një i moderuar që bën lëshime dhe njihet si njeri i hapur – sepse, pasi kishte mbajtur postin e shefit të kabinetit të Nestor Kirchner-it, më pas të Znj. Fernandez, u distancua nga kjo e fundit pas konfliktit social më 2008. Duke u bashkuar sot me të, zonja Fernandez shpreson të kapërcejë bërthamën kirchneriste dhe t’u bashkohet fraksioneve konservatore të peronizmit, që e urrejnë.
Operacioni duket i frytshëm: me më shumë se 50% të votave (kundër 32% për Z. Makri), lista e ashtuquajtur “Jane Austen”, që i bashkangjit arsyen (Alberto) ndjenjave (Cristina), u imponua gjatë fushatës parazgjedhore të 12 gushtit 2019. Një rezultat që, nëse u zemë besë leksioneve të së shkuarës, të bën të parashikosh një fitore dërrmuese më 27 tetor 2019.
Njeriu i bizneseve të fuqishme, i afërt me mjediset finaciare ndërkombëtare, Z. Makri, në vitin 2015, propozoi “profesionalizmin” e tij sipas te cilit duhej ndërprerë çdo lidhjet me “populizmin kirchnerist”.
Harta e tij e rrugëtimit nuk kishte asgjë inovative: ekonomi pa rregulla, liri e lëvizjeve së kapitaleve dhe dobësimi i shtetit, gjithë duke parë ëmbël tregun. Një seri e tillë masash, tok me një riafrim gjeopolitik me fuqitë e mëdha perëndimore, duhet të garantonte, sipas tij, një “shi investimesh” dhe një hov të eksporteve. Katër vjet më vonë, investimet e huaja nuk mbërritën, exportet qëndruan në vend dhe Argjentina shënoi inflacionin më të lartë të Amerikës Latine pas Venezuelës – ajo duhej të arrinte 55% në 2019.
Gabimi i Z.Makri rrjedh nga një lexim i keq i kontekstit ndërkombër. Në çastin që mori funksionet, bota ishte futur në një fazë të ngadalësimit ekonomik, karakterizuar nga një kthim i proteksionizmit, në sfondin e luftës tregëtare midis Uashingtonit dhe Pekinit. Kërkesa botërore për lëndë të parë po ulej. Plani i Z. Makri ishte konceptuar për një botë që nuk ekzistonte më.
Pa motorët ekonomikë tek të cilët ai kishte pasur besim, njeriu i biznesit u mbështet në borxhe për të vënë në zbatim programin e tij. Ndërkohë që rruga e tregjeve u mbyll, në maj të vitti 2018, ai u kthye drejt burimit të vetëm të financimeve të mundshme: Fondi monetar ndërkombëtar (FMN). Për argjentinasit, që e njihnin më mirë se çdokush koston e “ndihmës” që ky i fundit u ofron shteteve në vështirësi, fondi është ekuivalent i Belzebuthit -Djallit. Falë mbështetjes së presidentit amerikan Donald Trump, me të cilin Z. Makri ka një marrëdhënie miqësore prej kohësh, Buenos Aires-i ka marrë një program të ndihmës financiare prej 57 miliardë dollarësh (rreth 51 miliardë euro), shuma më e madhe e parave që mund të ketë dhënë ndonjëherë FMN-ja.
“Akoma dhe pak durim”
Sic ndodh shpesh, kjo ‘bujari” e stabilizoi ekonominë vetëm për disa muaj, para se kushtet që i ishin vënë të rëndonin krizën. Masat e ashpra të kërkuara nga Fondi e ngritën përqindjen e varfërisë në 34, 1% të popullsisë, kurse papunësia preku tashmë një në dhjetë persona. “FMN-ja e transformoi ngërçin ekonomik në ngërç social, dhe më pas në ngërç politik”, analizon Claudio Scaletta, ekonomist dhe autor i një libri që parashikoi kaosin aktual.
Për z. Macri, fushatat zgjedhore të 11 gushtit qenë goditje përfundimtare. Pas katër vjetësh në pushtet, baza e tij sociale u pakësua në 1/3 e përjetshme të anti peronizmit. Një ditë pas zgjedhjeve, dollari fluturoi dhe ata që kishin depozituar para nxituan në banka për të tërhequr depozitat e tyre. Inflacioni njohu një ngritje të menjëhershme. Banka qëndrore tërhoqi nga rezervat e saj për të mbrojtur peso-n, por, deri në një miliardë dollarë në ditë, që avulluan shpejt… Fëmija i dashur i tregjeve që kishte premtuar të modernizonte ekonominë, e ndjeu veten të detyruar të deklaronte një gabim të pjesshëm dhe të përdorte një mjet që ai e cilësonte si “populist” para se të zgjidhej: kontrollin e këmbimeve të parave.
Si në vitin 1989, më pas në vitin 2001, kriza shpërtheu në vazhdim të një zhvlerësimi masiv dhe të çrregullt që uli rrogat dhe e zhyti ekonominë në recesion. Por, ndryshe nga episodet e mëparshme, masakra ekonomike nuk u shoqërua me shpërthim social. Nuk pati asnjë skenë vjedhjeje në supermarkete, asnjë pushtim ndërtesash publike, asnjë konfrontim me policinë. Aftësia e organizimit të lëvizjeve sociale dhe masave të ndihmës të më nevojtarëve të zbatuara nga Kirchner dhe gruaja e tij – që shumë shpesh mbështeteshin nga z. Makri – kontribuan në shmangien e kaosit ekonomik që të mos lindte rebelimi. Manifestimet u shumëfishuan, por u zhvilluan gjithmonë në një klimë relativisht të qetë. “Qeveria e Makrit ishte zero, por janë në ikje e sipër. Duhet edhe pak durim”, thotë z. Pedro Tapia, i Konfederatës së punëtorëve të ekonomisë popullore, para pikturës murale që përsërit këto fjalë: “Ata po ikin”.
I vetëdijshëm se po vihej në krye të një vendi në shkatërrim e sipër, ku rindërtimi do të kërkonte vite të tëra, z. Fernandez nisi t’i moderojë shpresat e mbështetësve të tij.
Misioni i tij i parë do të jetë negociimi i borxhit të vendit pranë FMN-së, më pas pranë huadhënësve privatë, me qëllim që të fitojë një liri veprimi në manovrën ekonomike. Sipas marrëveshjes së firmosur nga z. Makri, Argjentina duhet t’i derdhë Fondit 24 miliardë dollarë (rreth 22 miliard euro) në vitin 2020, më pas 31 miliardë dollarë (rreth 28 miliard euro) vitin tjetër. Për momentin, fasha e borxhit ngrihet në 100% të produktit të brendshëm bruto, një peshë që nuk përputhet me programin e zhvillimit nga z. Fernandez.
Por peronisti, në bisedimet e tij me FMN-në, mund të mbështetet në një precedent të tanishëm: në vitin 2005, qeveria e Nestor Kirchner-it–ku ai vete ishte shef i kabinetit–ka shtrënguar huadhënësit për një ulje prej 70% të vlerave të tyre financiare, një ulje e paparë ndonjëherë në histori. Pushteti i ri do të ketë në dispozicion, për më tepër, një argument me peshë. Në fakt 51% e kapacitetit të huave të FMN-së është çuar në Argjentinë. A nuk thotë fjala e urtë se: kur i detyrohesh 100 000 dollarë bankës, këtu ka një problem; kur i detyrohesh 100 milionë, është banka që ka një problem.
Konteksti gjeopolitik do të jetë përcaktues, vecanërisht roli që do të vendosë të mbajë Uashingtoni, që ka të drejtën e vetos në gjirin e FMN-së. Z. Fernandez premton të mbajë një marrëdhënie “të pjekur” me Shtetet e Bashkuara: t’i japë fund me servilizëm mardhenies me z. Makri, por pa i shkëputur lidhjet. Ashtu si pjesa tjetër e nënkontinentit, Argjentina është një objekt konkurence i egër midis gjigandëve amerikanë dhe kinezë, gjë që përkthehet për të si një pavarësi e dyfishtë: për sa i përket të parit, për shkak të ndikimit që ai gëzon mbi organizmat e kredidhënies dhe fondet e investimit që mbajnë vlerat e borxheve argjentinase; për sa i përket të dytit, si klient kryesor i eksportuesve lokalë dhe i vetmi burim (ose pothuajse) i financimit të punëve të infrastrukturës.
Një diplomaci e shkathët mund ta transformonte këtë morsë në një dobi, duke ushtruar një fuqi të madhe kundër tjetrit për të fituar më të mirën e secilit. Do të ishte shumë e rëndësishme që Amerika latine të mos jetë më ajo e periudhës së mahnitshme kirchneriste (2003-2015). Në atë kohë, Amerika e Jugut qeverisej nga drejtues të majtë të prirur për bashkëpunim. Sot, ajo është e ndarë midis të majtëve dhe të djathtëve, këmbyes të lirë dhe protektionistë, të hallakatur midis strategjive të afrimit me fuqitë e mëdha dhe tentativave të forcimit të integrimit rajonal. Me pak fjalë, do të ishte delikate të besoje në këtë kontinent të krisur.
“Makri e fiku motorin e ekonomisë. Gjëja e parë që duhet bërë, është të ndezim motorët, -na shpjegon z. Matias Kulfas, funskionar i lartë i dikurshëm kirchnerist dhe një prej këshilltarëve kryesorë të z. Fernandez. Për t’ia dalë mbanë do të rrisim rrogën reale, pensionet, dhe shpenzimet publike. Por, me kujdes, me qëllim që inflacioni mos të fluturojë, dhe në kuadrin e një pakti social mes punëtorëve dhe sipërmarrësve.” Në imagjnatën peroniste, sipërmarrësi është prej kohësh një aleat i punëtorëve përballë pronarëve të mëdhenj të tokave. Meqë industria është shumë pak kompetitive për të eksportuar, i duhet të zhvillohet falë një Shteti të fortë, rrogave të ngritura dhe një politike monetare në antipod nga ajo që kërkon kampi liberal.
Një fitore e gjerë në zgjedhjet presidenciale të tetorit, me një diferencë më të madhe se 20 pikë në përqindje, do t’i jepte z. Fernandez një bazë solide për t’u përballuar me FMN-në dhe huadhënësit e vendit. Ajo do t’i lejonte të udhëhiqte një alencë të gjerë peroniste. Sepse kjo lëvizje nuk është një parti klasike, me një ideologji të kthjellët, e institucioneve të formalizuara etj. Është një forcë heteroklite që mbledh udhëheqësit konservatorë të provincave të Veriut, qendrat e mëdha sindikale, të rinjtë progresistë të qyteteve… Në zemër të kësaj magme politike në rikompozim të vazhdueshëm, kirchnerizmi zë një vend vendimtar. Në mënyrë që sintonia midis z. dhe znj. Fernandez të jetë vendimtare për të garantuar suksesin e tyre. Duhet të transformohet kaleidoskopi peronist në një koalicion të qeverisë, i aftë të balancojë interesat që, shpesh, janë divergjente, konfliktuale, ndonjëherë kontradiktore. Nga ky sukses do të varet aftësia e z. Fernandez për të zbutur krizën në të cilën neoliberalizmi e zhyti vendin që prej gati katër vitesh.
*Drejtor i botimit argjentinas i “Le Monde diplomatique”.