“Bisha me thundrën e plasaritur”

1005

Françisko Franko nuk ka asnjë dëshirë të jetë bujar dhe e shikon ndëshkimin si një nismë afatgjatë. Pikërisht këtë gjë e shpreh në fjalimin e tij të 19 majit 1939, kur drejton në Madrid paradën spektakolare të fitores. “Të mos krijojmë iluzione të kota: shpirti çifut, që bëri të mundur aleancën midis kapitalistëve të mëdhenj dhe marksizmit dhe që qëndron pas çdo pakti me revolucionin anti-spanjoll, nuk mund të hidhet poshtë në një ditë, dhe ky shpirt gjendet akoma në shumë zemra.”  Ai hedh poshtë çdo ide për pajtim me të mundurit: “Është e nevojshme t’u jepet fund urrejtjeve dhe pasioneve të luftës sonë të tanishme, jo sipas mënyrës së liberalëve, me amnistitë e tyre monstruoze dhe vetëvrasëse që kanë të bëjnë më shumë me hipokrizinë sesa me faljen, por më shumë falë shlyerjes së dënimeve nëpërmjet punës, pendimit dhe sakrificës.” 

Imagjinata, sipas së cilës të mbrosh Republikën, konsiderohet një krim i rebelimit ushtarak, shërben si bazë për të gjitha gjykatat ushtarake. Përveç disa njerëzve të njohur, të akuzuarit nuk kanë të drejtë të mbrojnë veten e tyre. Ushtria zgjedh gjykatësin, prokurorin dhe “avokatin” e mbrojtjes, dhe ky i fundit është gjithmonë një oficer i një rangu më të ulët se gjykatësi dhe prokurori. Meqë trupi gjykues i ushtrisë nuk ka personel të mjaftueshëm për të përballuar kërkesat e kësaj situate të re të krijuar, proceset gjyqësore, në përgjithësi, drejtohen nga oficerë pa asnjë formim juridik. (…) Grupe të burgosurish, që nuk njihen mes tyre, dhe që akuzohen për krime krejtësisht të ndryshme, gjykohen njëherësh. Ata nuk kanë mundësi të shohin dosjet në ngarkim të tyre, me akuza të lexuara me zë të lartë, pa asnjë provë. 

Kur prokurori mbaron së paraqituri “dosjen”, shumë rrallë ndodh që i akuzuari autorizohet të flasë me avokatin për të shqyrtuar mbrojtjen e tij. Nëse janë me fat, të akuzuarit kanë një orë kohë për të përgatitur argumentimin e tyre, por nuk kanë të drejtë të thërrasin dëshmitarë dhe as të paraqesin prova. Më shpesh, e kanë të pamundur të dëgjojnë palën akuzuese, ose sepse kanë vdekur, tashmë, ose sepse gjatë “proceseve përmbledhēse urgjente” dëshmitë nuk janë komunikuar ende. Nuk lejohet asnjëherë apelim vendimi. 

 Kur Juan Caba Guijarro, anëtar i Konfederatës kombëtare të punës në Manzanares, u gjykua në të njëjtën kohë me nëntëmbëdhjetë persona të tjerë, prokurori deklaroi: “Pak rëndësi ka nëse jeni të pafajshëm ose jo, për atë çka ju akuzojmë, as nuk dua t’ia di fare dhe nuk do të informohem për arsyetimet, alibitë apo rrethanat lehtësuese që ju mund të paraqisni. Ashtu si dhe në gjykatat e mëparshme ushtarake, më duhet t’i bazoj akuzat e mia në dosjet e përgatitura nga hetuesit sipas denoncimeve të bëra. Për të akuzuarit unë përfaqësoj drejtësinë. Nuk i dënoj unë, por qyteti i tyre, armiqtë e tyre, fqinjët e tyre. Unë vetëm sa u huazoj zërin tim akuzave që janë formuluar nga të tjerët në heshtje. Sjellja ime është mizore dhe e pamëshirshme dhe mund të besohet se puna ime konsiston vetëm në përgatitjen e togave të ekzekutimit me qëllim që puna e tyre për spastrim social të mund të vazhdojë. Por, jo, ne që jemi të gjithë këtu dhe që kemi fituar luftën do të përfshihemi të gjithë dhe shpresa jonë është që të eleminojmë çdo lloj opozite derisa të vendosim rendin tonë. Duke marrë në konsideratë faktin se ka krime për vrasje në të gjitha akuzat, arrita në përfundimin se duhet të kërkoj dënimin me vdekje; kërkoj togën e ekzekutimit për tetëmbëdhjetë të parët në listë dhe për dy të tjerët kërkoj dënim me varje. Asgjë më tepër». Avokati i mbrojtjes përfaqëson të njëzet të akuzuarit përnjëherë, pa pasur kohë dhe as mundësi të përgatisē as më të voglin argumentim. Ai ngrihet në këmbë dhe thotë: “Pasi dëgjova akuzat e rënda kundër tē pandehurve që kam këtu për të mbrojtur, nuk mund të bëj asgjë tjetër veçse të kërkoj mëshirë. Asgjë më tepër“.

Enrique Suñer Ordóñez u emërua president i Gjykatës Kombëtare për politikën. Gjatë luftës, ndërkohë që ishte zëvendës-president i komitetit të arsimit dhe të kulturës në qeverinë e parë të Frankos, Suner, deri atëherë profesor i mjekësisë pediatrike në universitetin e Madridit, ka mbikqyrur spastrimin e mësuesve. Në një libër të botuar në vitin 1938, ai flet për gjakun e derdhur gjatë luftës. Ai vë përballë njëri-tjetrit, gjakun e “bishave të neveritshme, me instinkte më të këqija se kafshët e egra”, me gjakun që rrjedh“ në kraharorët fisnikë spanjollë, të ushtarëve dhe të milicëve, të rinisë bujare, plot shpirt sakrifice dhe me një heroizëm kaq të madh saqë plagët e saj e ngrenë në një status gjysmë-zot  të mitologjisë greke”. 

Më pas ai ngre pyetjen: “Nuk duhet të ndërshkohen autorët e këtyre vdekjeve të tmerrshme? Shpirti ynë revoltohet ndaj pasigurisë se mos individët e pamëshirshëm që shkaktuan tragjedinë tonë, nuk ndërshkohen. Është tërësisht e pamundur që Perëndia dhe njeriu të lenë pa ndëshkuar kaq shumë vrasje, përdhunime, mizori, vjedhje si dhe shkatërrimin e kaq shumë thesareve artistike dhe mjeteve të prodhimit. Është e nevojshme të betohemi përpara të dashurve tanë të zhdukur se dënimet e merituara do të ekzekutohen me dhunēn e shenjtë”. 

Suñer i konsideron politikanët republikanë si “njërëz të tmerrshëm, me të vërtetë diabolikë. Sadistë dhe të çmendur, të bashkuar me hajdutë profesionistë, mashtrues, kusarë të armatosur dhe vrasës që kanë zënë poste ministrash, zëvendës-sekretarësh dhe funksionarësh të lartë, dhe gjithfarë postesh të tjera të rëndësishme (…). Derra të egër dhe kafshë dythundrakë që ecin përmes parlamentit, në kërkim të viktimave për sakrifikim me qëllim që t’u ngulin dhëmbët apo t’i shtypin me çizmet e tyre(…). Pas tyre fshihen frank-masonët, socialistët, komunistët, Azanistët, anarkistët, të gjithë drejtuesit çifutë  të marksizmit  të zi që ka Rusinë për nënë dhe shkatërrimin e qytetërimit europian si parullē…Spanja ka qenë dhe vazhdon të jetë teatri i një beteje epike midis titanëve dhe monstrave të apokalipsit. Programi i zhvilluar në Protokollet e të Urtëve të Sionit, po bëhet  realitet”. (…) 

Në vitin 1943, më shumë se dhjetë mijë fëmijë u vendosën në jetimore të kishave. Justifikimi i kësaj politike jepet nga shefi i shërbimeve psikiatrike të ushtrisë rebele, komandanti Antonio Vallejo Nagara. I fiksuar keq pas pastërtisë raciale, Vallejo shkroi në vitin 1934 një libër ku mbron tredhjen e psikopatëve. Anëtar i trupës mjekësore të ushtrisë, ai shërbeu në Marok dhe kaloi mjaft kohë në Gjermani gjatë Luftës së Parë Botërore për të vizituar kampet e të burgosurve. Ai takoi, gjithashtu, psikiatrët gjermanë Ernst Kretschmer, Julius Scheälbe dhe Hans Ëalter Gruhle, puna e të cilëve ndikoi thellësisht tek ai. Gjatë luftës civile, ai u emërua shef i shërbimeve psikiatrike të ushtrisë rebele. Në gusht të vitit 1938, i kërkoi Frankos leje për të krijuar Laboratorin e kërkimeve psikologjike. Dy javë më vonë arriti të marrë autorizimin. Qëllimi i tij ishte të diagnostikonte idetë e majta. Për kënaqësinë më të madhe të komandës së lartë ushatrake, punët e tij sjellin argumente “shkencore” që justifikojnë idenë se kundërshtarët janë qënie inferiore, dhe kështu ai u emërua kolonel.