NË "VENDSTREHIMIN" SHQIPTAR TË 3000 "PERSËVE" TË AMERIKANËVE
“Muxhahidinët e Popullit”, opozitarët iranianë të tokës shqiptare

Aty ku jetojnë prej 4 vitesh opozitarët e regjimit të Iranit që i shpëtuan atentatit me bombë në 2018, nga ku u dëbua ambasadori i Teheranit në Tiranë.

1153
Mujahedin-e Khalq honor guard stand guard during a welcoming ceremony for personalities taking part in the conference "120 Years of Struggle for Freedom Iran" at the Ashraf-3 camp, which is a base for the People's Mojahedin Organization of Iran (MEK) in Manza, on July 12, 2019. (Photo by Gent SHKULLAKU / AFP)

Gati 26 shekuj nga beteja famëmadhe e Salaminës, ku komandanti i spartanëve helenë, Leonidha luftoi e fitoi mbi perandorinë gjigande Perse, në Ballkan po zhvillohet një tjetër betejë epike me subjekt persët modernë, përkatësisht Iranin.

Natyrisht jo me heshta dhe ushtarë muskulozë, por me kompjutera dhe propagandë. Tre mijë burra e gra janë aktorët e kësaj lufte politike të cilën e kryejnë nga një distancë prej mbi3100 kilometrash, me synimin për të larguar regjimin e mullahëve dhe për të sjellë një sistem laik dhe demokratik në vendin e madh dhe shumë të rëndësishëm të Lindjes së Mesme.

Muxhahidinët sot kanë një aleat shumë të fuqishëm dhe që as më pak e as më shumë është  Shtëpa e Bardhë, e cili i konsideron ata si një instrument për të mposhtur regjimin e Teheranit, ndaj të cilit ka vënë sanksione të fuqishme ekonomike dhe kohët e fundit është folur gjithnjë e më shumë edhe për ndërhyrje ushtarake.

Qyteti i vogël i iranianëve në zemër të Shqipërisë

Në qytezën e vogël të Manzës, një ish-vendbanim minatorësh të qymyrit, në një sipërfaqe rreth 1 kilometër katrorë tokë të rrethuar me mur, është ndërtuar një qytet më vetë, me ndërtesa moderne dhe infrastrukturë e vepra arti.

Një hark triumfi, natyrisht miniaturë e veprës pariziene, hap siparin e “Ashraf 3”, qytezës ku jetojnë rreth 3 mijë iranianë, anëtarë të Organizatës e Popullit Muxhahidin të Iranit, apo grupi politik kryesor i opozitës së regjimit të Ajatollahëve.

Shariar, një inxhinier bërthamor rreth të 50-ave, që thotë se ka studiuar në Universitetin e North Texasit, është nga qyteti i Esfahanit në Iran, prej ku është larguar që para 30 vjetësh.  Gjysmën e familjes e ka në atdhe e gjysmën në SHBA dhe Europë. Duket se është pjesëtar i rëndësishëm i muxhahidinëve. Ai merret kryesisht me publicistikë dhe ndjekjen e mediave që shkruajnë për çështjen e Iranit.

Pranë kalon një grua rreth të 60-ave e veshur me rrobë uniforme që mbajnë femrat e organizatës që flet persisht me Shahriar dhe shkron drejt një grupi grash që po merren me përgatitjen e drekës.

Bashkëbiseduesi ynë thotë se zonja është Zohreh Akhyani, kryebashkiakja e qytetit të iranianëve në zemër të Shqipërisë.Kur e pyesim nëse mund ta intervistojmë shmanget me elegancë,duke kërkuar falje për pamundësinë për t’u intervistuar.

Në të djathtë duket një kënd i madh lojrash ku një grup burrash të veshur me tuta sportive bëjnë stërvitje, të cilët, me mirësjellje, përshëndesin në gjuhën shqipe: “Mirëdita!”.

Tre mijë muxhahidinët e Shqipërisë janë pjesa bazike e opozitës iraniane, por udhëheqja e lartë ndodhet ende në Paris, ku ka selinë Fronti i Rezistencës së Iranit. Një nga përfaqësuesit e lartë të OPMI-së, deklaron për Le Monde Diplomatique, se ndërsa udhëheqja në Paris merret me lobimin ndërkombëtar dhe përgatitjen e tranzicionit postregjim, populli opozitar i Manzës mban lidhje direkte me të gjitha pikat apo degët tashmë të ngritura në çdo cep të Iranit, për të përgatitur kushtet e një “kryengritjeje finale

Kampi apo qyteza e muxhahidinëve iranianë në Shqipëri është imponente; një sipërfaqe e madhe toke, ku janë ndërtuar godina banimi, zyra të panumërta pune, një furrë buke e kuzhinë e madhe që gatuan vazhdimisht për 3 mijë banorët që bëjnë një jetë kolektive dhe të koordinuar me një precizion perfekt.

Banorët e qytezës jetojnë në fjetore të ndara veç për burrat e veç për gratë. Përveç fjetjes, e gjithë pjesa tjetër e punës dhe jetesës është e përbashkët.

Të ardhur në Shqipëri nga viti 2013 deri në 2014-n, opozitarët e regjimit iranian i përkasin grupeve etnike të ndryshme që ka Irani: shumica janë persë, por ka edhe azerë, lur, baloch, apo turkmenë.

Mustafai, një tjetër muxhahidin në moshë të mesme, flet me detaje për këtë qytezë të tyre në Manzë të Durrësit,pranë fshatit Bilalas, që është ndërtuar në kohë record – në 18 muaj. Toka i është blerë fshatarëve të zonës pjesë-pjesë dhe më pas është ndërtuar kompleksi gjigand. Në të ka ndërtesa moderne, vepra zbukuruese, salla gjigande e eventeve dhe ajo që muxhahidinët e cilësojnë si “të shenjtë”: Muzeu i Përkujtimit të viktimave të regjimit Iranian, që është një ekspozitë mbresëlënëse dhe eminente me foto, grafika, dhe artefakte të ndryshme. “Kemi sjellë historinë 150 vjeçare të popullit tonë dhe natyrisht në veçanti historinë e persekutimit dhe shtypjes së organizatës sonë nga ana e regjimit të mullahëve”, thotë Mustafai.

Ashraf 3, është emërtuar si vijim i dy komplekseve të mëparshme në Irak  nga fillimi i viteve 90 deri në vitin 2013. Por pas largimit të Sadam Hyseinit dhe ardhjes në fuqi të qeverisë shiite pro-iraniane në Bagdad, Ashraf dhe Camp Liberty u bombarduan dy herë nga trupat iraniane ku gjetën vdekjen 51 anëtarë të rezistencës, përfshi edhe ish-lideri i PMOI.

Muxhahidinët prej dy vjetësh janë bërë banorë tëManzës dhe shpesh ftojnë fshatarë të zonës në kompleks, sidomos gjatë muajit të Ramazanit për iftar, apo edhe për festa të ndryshme ku drekojnë apo darkojnë së bashku. Kur kanë punë të ndryshme si lulishtari apo edhe problem teknike të ndryshme ata u japin mëditje profesionistëve apo edhe kompanive përreth.

Ndërtimi i kësaj qyteze duket sheshit se ka kushtuar miliona euro, por shifrën e saktë nuk ta tregon askush. Shahini, një nga përfaqësuesit mediatikë të organizatës thotë se paratë janë dhënë nga diaspora iraniane nëpër botë, ku edhe ai është një prej tyre. I shkolluar në Standford-Kaliforni, Shahini shiti shtëpinë e tij në Beverly Hills, të blerë nga babai tregtar tapetesh në Teheran, për të financuar organizatën.

Atentati i dështuar me bombë në Tiranë

Të ardhur në fillim si çështje humanitare në Shqipëri, pra thjesht u strehuan nga Tirana zyrtare pasi askush nuk i pranonte, muxhahidinët u kthyen në një përplasje politike që shkoi deri atje, sa Shqipëria të kërcënohej edhe nga atentatet terroriste. Tirana zyrtare i mëshoi në fillim shumë fort çështjes humanitare, sa vetë Ditmir Bushati, ish-ministër i Jashtëm vizitoi Teheranin në një tur  zyrtar për të bindur krerët e regjimit se Shqipëria nuk i do lejojë muxhahidinët të bëjnë politikë.

Por  në mesin e vitit të shkuar, pra në 2018-n, shërbimi sekret shqiptar zbuloi një makinë bombë që ishte bërë gati të shpërthente në ish-vendqendrimin e vjetër të muxhahidinëve në Kashar. Si i dyshuar për çështjen u konsiderua një person që kishte ardhur në Shqipëri si reporter, e në fund nuk  doli i tillë. Vetëm pak orë pasi shkresa e shërbimit sekret mbërriti në zyrën e tij, pak përpara Krishtlindjeve të vitit të kaluar, Edi Rama firmosi dëbimin nga Tirana të Gholamhossein Mohammadnia, Ambasadorit Fuqiplotë të Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri. Së bashku me ambasadorin Rama dëboi edhe një diplomat që ishte atashe për kulturën me dyshimin se drejtonte një rrjet agjenturor kundër muxhahidinëve.

Lidhja me Trump

Opozitarët iranianë të PMOI kanë pasur marrëdhënie direkte me amerikanët që pas ndërhyrjes në Irak në 2003-shin, por ky relacion u bë më i afërt kur muxhahidinët i dërguan si “peshqesh” Barack Obama-s të dhënat sekrete që tregonin se regjimi i Teheranit po bëhet gati për armën bërthamore, Më pas u bënë “armiq” me ish-presidentin amerikan, kur Obama firmosi marrëveshjen me Hassan Rouhani-n, presidentin Iranian dhe i anuloi sanksionet ekonomike me kushtin e heqjes dorë të teknologjisë nukleare.

Sot muxhahidinët kanë hyrë brenda në Shtëpinë e Bardhë. Rudy Guliani, avokati personal i presidentit amerikan, është njeriu më i afërt i opozitës iraniane dhe e viziton Manzën 2 herë në vit.John Bolton, që deri pak kohësh ishte në paradhomën e Zyrës Ovale, si kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së,  është, gjithashtu, një mik i afërt i muxhahidinëve.Pra, përveç afërsisë së vjetër më shërbimet inteligjente të SHBA-së, opozitarët iranianë janë politikisht të ngjizur me Donald Trump, i cili kërkon të shpejtojë hapat për të rrëzuar mullahët nga Teherani.

Pikërisht nga kjo marrëdhënie e afërt përfiton edhe politika shqiptare për tëpasur një lidhje direkte me Uashingtonin. Edi Rama prej tyre përfitoi një vizitë në Shtëpinë e Bardhë në 2016-n dhe të rikuperonte situatën me Donald Tump, pasi e sulmoi publikisht në CNN duke mbështetur fushatën e Hillary Clinton. Presidenti amerikan i shkroi Ramës personalisht sapo ky i fundit dëboi ambasadorin iranian.

Shpresa për rikthim

Në sallat e seksionit informatik të Ashfraf 3, mbi 100 persona punojnë 24 orë në 7 ditë duke mbajtur lidhje me njerëzit  në Iran, duke marrë dhe shpërndarë informacione nga brenda për të ndikuar e provokuar një valë tjetër protestash, siç ndodhi në 2018-n dhe në fillim të këtij viti. Shahin thotë që ata këtë herë janë më me shpresë së kurrë për t’u kthyer së shpejti në shtëpinë e tyre: “Regjimi është i rrënuar. Dikur eksportonte 2,5 milionë ton naftë në ditë, e sot vetëm 160 mijë. Regjimi nuk financon më strukturat repressive dhe populli nuk do të durojë gjatë. Manza është streha jonë e fundit para rikthimit në atdhe…, përfundon Shahin”.

Muxhahidinët, lëvizja politike më e vjetër

Të themeluar në vitin 1965, Organizata e Popullit Muxhahidin të Iranit, ishte një lëvizje e majtë që u krijua nga lëvizjet studentore kundër Shahut dhe që kundërshtoi shtetin fetar të Ayatollah Khomenit. Disidentë që prej vitit 1981, muxhahidinët jetojnë në mërgim. Së bashku me disa grupime të tjera politike kanë krijuar Këshillin e Rezistencës së Iranit, që drejtohet nga një grua, Maryam Rajavi, por edhe numri dy i organizatës është sërish një grua: Mahnaz Salimian. Muxhahidinët kërkojnë rikthimin e një shteti laik në Iran, demokraci parlamentare dhe ekonomi të lirë.

Ndërtimi i kësaj qyteze duket sheshit se ka kushtuar miliona euro, por shifrën e saktë nuk ta tregon askush. Shahini, një nga përfaqësuesit mediatikë të organizatës thotë se paratë janë dhënë nga diaspora iraniane nëpër botë, ku edhe ai është një prej tyre. I shkolluar në Standford-Californi, Shahini shiti shtëpinë e tij në Beverly Hills, të blerë nga babai tregtar tapetesh në Teheran, për të financuar organizatën.

Opozita iraniane mendon se regjimi i mullahëve ka ardhur pranë fundit, por askush nuk jep kohën kur ata e kanë planifikuar një përsëritje të protestave siç ndodhi dy vjet më parë. Në atë kohë Presidenti Iranian Rouhani akuzoi direkt muxhahidinët, madje i kërkoi Presidentit të Francës Emanuel Macron që të largojë opozitën nga territor francez.

Megjithatë, antenat muxhahidinët e Manzës, më shumë se në Iran i mbajnë në Uashington. Atje kanë shpresën më të madhe të shtypjes së çelësit që do të nisë numrimin mbrapsht për të ndryshuar regjimin në Teheran. Dikur luftëtarë edhe me armë, sot muxhahidinët aksionin e kryejnë përpara kompjuterit, aty ku shpresojnë të nxisin një trazirë të re, ashtu siç e bënë në 2018-n, aksion ku e shpallën veten si inspirues e organizatorë….