
Çfarë do Rusia? Sipas një numri të caktuar komentuesish perëndimorë, ajo qëndron e kapur fort pas një rendi ndërkombëtar të vjetëruar: sistemi i Jaltës i viteve të luftës së ftohtë, gjatë të cilave Kremlini kishte një sferë ndikimi në Europën Lindore. Aneksimi i Krimesë në vitin 2014 do të dëshmonte refuzimin e saj për ta parë Ukrainën që t’i shpëtonte nga duart. Raporti mbi strategjinë e sigurisë kombëtare (National Security Strategy) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, botuar më 18 dhjetor 2017 e cilëson Rusinë si “fuqi revizioniste”, duke lënë të kuptohet se ajo do të shkatërrojë sistemin ndërkombëtar ekzistues. Bëhet fjalë për një regjim autoritar që kërkon të heqë vëmendjen nga problemet e brendshme duke marrë vendime aventuriere jashtë tij. Më keq akoma, që tani e tutje, Moska kërkon që të eksportojë modelin e saj politik, duke krijuar një aleancë autokracish me Kinën.
Sfidat që i bën Moska Perëndimit forcojnë akoma më shumë kohezionin politik të vendit. Megjithatë, mund ta kemi gabim teksa mundohemi të shpjegojmë sjelljen e saj duke u nisur nga kjo konsideratë e vetme. Çfarë do në të vërtetë Kremlini, dhe çfarë roli luan afrimi me Kinën në përmbushjen e objektivave të tij ?
Këmbëngulja thelbësore e pushtetit rus është që të bëhet bashkëmenaxhues i çështjeve ndërkombëtare dhe të njihet si i tillë. Një ambicje e frustruar hidhur. Në fund të luftës së ftohtë, Bashkimi Sovjetik dhe më vonë Rusia, provuan të transformonin atë, ndaj të cilës ndjenin kënaqësi kur e quanin “Perëndimi historik”, në një “ Perëndim të madh”, duke futur këtu edhe Rusinë. Moska shpresonte që ky konfigurim, do ta çlironte Europën nga Perëndimi në kuadrin institucional dhe ideologjik atlantist të luftës së ftohtë; ky konfigurim do të lejonte zhvillimin e një kulture të dialogut politik dhe të ndërveprimit përfitues në mënyrë reciproke. Por Perëndimi i lejoi vetëm një shtrirje të sistemit në fuqi. I çliruar nga kërcënimi ideologjik dhe ushtarak i Bashkimit Europian, rendi liberal mori formën e një doktrine Monroe universale nën ndikimin e Shteteve të Bashkuara: sfera e ndikimit amerikan po zgjerohej nëpër botë, pa lënë vend për nëngrupime të pavarura të qendrës hegjemoniste.
Drejt një “Euroazie të Madhe”
Rusia iu kundërvu këtij universalizmi, që, sipas saj ishte i instrumentalizuar. Si ministër i punëve të jashtme (1996-1998) më pas kryeministër (1998-1999), Evgueni Primakov ishte drejtuesi i parë që i dha vendit të tij statutin e fuqisë së qëndresës. Kur u bë më se e dukshme që Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) do të vazhdonte të mblidhte anëtarë të rinj dhe të përgatiste ndërhyrjen në Kosovë pa marrë parasysh interesat e Rusisë, ai nxori në qarkullim nocionin e multipolaritetit. Gjatë një vizite në Indi, në dhjetor të vitit 1998, ai zhvilloi idenë e një kundërpeshe ndaj unilateralizmit amerikan. Mbi këtë bazë, ai sygjeroi një alencë midis fuqive jo atlantike, “një trekëndësh strategjik” Rusi-Indi-Kinë, që më vonë do të bëhej zemra e shoqatës së Brics (Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrikë e Jugut). Politika e tij frymëzohej nga doktrina e “bashkekzistencës paqësore” të Nikita Khrushovit, ish sekretari i parë i komitetit qëndror të Partisë komuniste të Bashkimit Sovjetik, sipas të cilës sistemet sociale dhe politike mund të jenë konkurente pa hyrë domosdoshmërisht në konflikt.
Kur erdhi në pushtet në vitin 2000, Z. Vladimir Putin u mundua të kombinojë atlantizmin e fillimit të periudhës postkomuniste me strategjinë e Primakovit. Në vitin 2001 u krijua Organizata e kooperimit të Shangait (OKSH), që atëherë përbëhej nga Kina, Kazakistani, Kirgizistani, Rusia, Taxhikistani, dhe Uzbekistani – India dhe Pakistani iu bashkuan në vitin 2017. Lindja e kësaj organizate shënon dhe një hap shtesë në krijimin e një sistemi aleancash jo perëndimore. Z. Putin kërkon paralelisht të vendosë lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian. Mendohej se Rusia do aderonte në NATO. Por, gjatë viteve, me ndërhyrjet amerikane në Irak, vendimin e Z. Xhorxh W.Bush në vitin 2002 për të anulluar traktatin ABM (Anti-Ballistic Missile) të vitit 1972 – që kufizonte përdorimin e këtyre armëve – si dhe me “revolucionet e ngjyrave” të mbështetura nga fondacione të afërta me departamentin e shtetit, Z. Putin i humbi iluzionet e tij. Ai i dënoi Shtetet e Bashkuara duke folur pa doreza në konferencën mbi sigurinë mbajtur në Mynih, në shkurt të vitit 2007. Ai paralajmëroi rreziqet e një “bote unipolare (…) në të cilën ka vetëm një drejtues, një sovran”, dhe e mbaroi fjalimin e tij duke theksuar se Rusia, “me mijëra vitet e saj të historisë”, nuk ka nevojë që ta mësojnë si të sillet me çështjet ndërkombëtare.
Atëherë, Kremlini besonte se mund të punonte sërish me fuqitë atlantike për çështjet e interesave të përbashkëta konkrete dhe, në veçanti, për luftën kundër terrorrizmit. E gjithë kjo u shkatërrua pas ndërhyrjes së NATO-s në Libi në vitin 2011. Dhe, në vitin 2014, reagimi i ashpër kundër asaj që në Moskë u konsiderua si një tentativë e panegociueshme e Bashkimit Europian për të integruar Ukrainën në sferën e ndikimit atlantik, provokoi krizën më të rëndë pas luftës së ftohtë.
Sinonim i braktisjes së hegjemonisë amerikane, i gjithëpranishëm në fjalimet e drejtuesve rusë, multipolariteti ngelet një koncept i turbullt. Të jetë vallë një objektiv për t’u arritur si përbërës i një strategjie aktive – do me thënë t’i jepet rëndësi fuqive të rangut të dytë, si Rusia -, apo bëhet fjalë për një realitet të prekshëm si rezultat i një riekuilibrimi në skenën botërore? Më 19 shtator të vitit 2013, gjatë një sesioni të Club Valdai ( krijuar në vitin 2004 dhe që ka mbledhur rreth vetes vendimmarrës dhe ekspertë rusë dhe perëndimorë), z. Putin dënoi “tentativat që kërkojnë, në njëfarë mënyre, të rregullojnë modelin standart të botës unipolare”, duke sugjeruar se ky i fundit i përkiste objektivisht të kaluarës. “Një botë e tillë, shtonte ai, nuk ka nevojë për shtete sovrane, ka nevojë për vasalë. Historikisht, kjo tē shtyn të hedhësh poshtë identitetin vetjak dhe diversitetin e botës që Zoti na ka dhënë .” Gjatë një tjetër takimi, më 27 tetor 2016, ai shprehu shpresën e tij se “ bota po bëhet më multipolare”, duke parë aty kushtin e domosdoshëm që një ditë “rregulla të përbashkëta universalisht të pranuara (…) të garantojnë sovranitetin dhe interesat e popujve”, kryesisht përmes Kombeve të Bashkuara.
Kur bëhet fjalë për të përshkruar ambicjen e Rusisë, termi “neorevizionizëm” është i gjetur. I përshtatur, gjithashtu, edhe për Kinën, ai reflekton një pakënaqësi përsa i përket mënyrës se si janë trajtuar sot çështjet ndërkombëtare.
Për këto vende, ka më pak rëndësi të përcaktojnë sferat e tyre të ndikimit sesa të riafirmojnë parimin – e formuluar në mënyrë tipike me termat e sovranitetit – sipas të cilit, Shtetet duhet të përpunojnë marrëdhëniet e tyre me fqinjët përkatës (çka nuk merr domosdoshmërisht formën tradicionale të përkatësisë në një bllok).
Një rikthim i thjeshtë në modelin Westphalien të shekullit të XIX-të, në të cilin Shtetet ndërveprojnë si disa topa bilardoje, duke bërë aleancë me disa për të barazpeshuar të tjerët? Moska dhe Pekini e konceptojnë multipolaritetin në mënyrë më delikate. Edhe pse sovraniteti ngelet para syve të tyre vlera qëndrore, ai është zbutur nga një angazhim në favor të institucioneve shumëpalëshe, qoftë duke krijuar institucione të reja në nivel krahinor, qoftë duke mbrojtur ato që janë me prirje universale dhe që burojnë nga marrëveshjet e Breton Woods-it të 1944-s, më saktësisht, organizata botërore e tregtisë (OBT). Bëhet fjalë për të çliruar të dytat nga vartësia prej sistemit atlantik të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara, duke krijuar një sistem ndërkombëtar pluralist.
Rusia dhe Kina formojnë zemrën e një vije antihegjemoniste që po lind. Ndërkohë që Rusia përkulet nën sanksionet ekonomike dhe Kina i bën ballë presionit ushtarak amerikan në Paqësor, drejtuesit e dy vendeve janë takuar pesë herë në vitin 2017 dhe katër herë në vitin 2018. Në shkallëzime të ndryshme, të gjithë drejtuesit rusë kanë kërkuar një integrim ekonomik euroaziatik, por z. Putin e futi këtë në një logjikë gjeopolitike më të thellë.
Me Bashkimin ekonomik euroaziatik (BEE), krijuar zyrtarisht më 1 janar 2015, ai deklaroi qartazi vullnetin e tij për të ndërtuar rrjetet e veta të integrimit në zonë. Gjë që u konfirmua në maj të vitit 2015, kur nënshkroi me presidentin kinez Xi Jinping një marrëveshje harmonizimi (sopryazhenie) midis Bashkimin ekonomik euroaziatik dhe nismës së “rrugëve të reja të mëndafshit” (Belt and Road Initiative,BRI). Rusia, gjithashtu, çon përpara projektin e “euroazisë së madhe” në zëvendësim të projektit të vdekur të “Europës së madhe” (nga Lisbona në Vladivostok) që e përkëdhelte udhëheqësi i fundit sovjetik, z. Mihail Gorbaçov. Ky projekt do të përfshinte pjesën më të madhe të zonës në një grumbullim me gjeometri të ndryshueshme të rrjeteve të ndërlidhura, përfshi këtu entitete që ekzistonin tashmë, si Shoqata e kombeve të Azisë së juglindjes (Anase, ose Asean në gjuhën angleze).
Kjo dispozitë përfaqëson atë që mund ta quajmë strategji e “zemrës së tokës” (heartland) (terre du mileu), një koncept klasik i gjeopolitikës – teori e trajtuar nga Halford John Mackinder (1861 – 1947) dhe e rishikuar nga politologu amerikan Zbiginiew Brzezinski – që e shndërroi Euroazinë në aksin gjeografik të botës dhe për rjedhojë në objekt të një lufte midis fuqive të mëdha. Më 9 korrik 2015, në hapjen e një takimi të përbashkët midis Brics dhe OCS-së ,në prani të drejtuesve të tjerë të Bashkimit ekonomik te euroazisë në Oufa, në Rusi, z. Putin do të deklaronte: “Për ne, ky bllok kontinental euroaziatik nuk është një fushë shahu, apo një vend lojërash gjeopolitike; është vatra jonë. Ne të gjithë duam që ky vend të jetë i paqtë, i begatë dhe të mos i dorëzohet ekstremizmit apo tentativave për të mbrojtur interesat e njërës palë në kurriz të palës tjetër”
Pekini, më i vetëdijshëm për fuqinë e tij
Objektivi thelbësor: të kujdesemi që Euroazia të mos shndërrohet në një zonë fracture në përballjen midis një sistemi atlantik të zgjeruar dhe fuqive në zhvillim të Azisë, në veçanti, Kinës Në vitin 2018 Pekini rriti shpenzimet ushtarake për të 24-tin vit radhazi, çka është vetëm sa 40 % e shpenzimeve të Uashingtonit për ushtrinë (649 miliardë dollarë). Buxheti ushtarak i Rusisë ka filluar të ulet në vitin 2016, por, gjithsesi, ngelet i gjashti në botë. Euroazia është zënë në kurth midis një Perëndimi akoma shumë të fuqishëm dhe një Lindjeje të Madhe në lulëzim e sipër. Mes këtyre të dyjave, Rusia zë një pozicion ideal, por të rrezikshëm.
Ndryshime të mëdha mbeten midis qëndrimeve të Moskës dhe Pekinit. Rusia e njeh parësinë e Shteteve të Bashkuara në fushën ushtarake dhe ekonomike. Në Forumin ekonomik ndërkombëtar të Shën Petërburgut më 17 qershor 2016, z. Putin do të deklaronte: «Amerika është një fuqi e madhe, dhe ndoshta deri tani e vetmja superfuqi. Ne e pranojmë këtë fakt».
Ndërsa Kina, në të kundërt, me shumë besim në fuqinë e saj ekonomike, nis të formulojë një projekt politik global. Pekini paraqet një gamë idesh si “komuniteti i fatit”, bazuar në marrëdhëniet “fitues-fitues“. Skeptikët e ironizojnë këtë ide, por fakti që këto nocione mbështeten në investime të mëdha “të rrugëve të reja të mëndafshit” dhe në krijimin e një banke shumëpalëshe, na fton t’i japim njëfarë vëmendjeje.
Marrëveshja kino-ruse nuk përfshin domosdoshmërisht çështjen thelbësore të identitetit kulturor. Gjithë duke u larguar shumë e më shumë nga sistemi atlantik, dhe veçanërisht pas 78 ditësh nga bombardimi i NATO-s mbi Serbinë në vitin 1999, Rusia nuk ka hequr dorë kurrë nga identiteti i saj perëndimor. Z. Putin e pohoi sërish me nënkuptim këtë gjë. Madje, edhe kur kritikoi degradimin e Perëndimit, gjatë takimit të Club de Valdai në shtator të vitit 2013:
“Po shohim se si një numër vendesh euroatlantike po i mohojnë rrënjët e tyre, përfshirë vlerat kristiane që përbëjnë themelin e qytetërimit perëndimor.”
Pekini ka dyshime, mbase me të drejtë, se Rusia do vazhdojë të ëndërrojë që të marrë drejtimin e rikrijimit të Perëndimit nëse do të krijoheshin kushtet. Çfarë do të ngelte pastaj nga projekti i Euroazisë së madhe?
*Profesor në Universitetin e Kentit (Mbretëria e Bashkuar); autor i Russia’s Futures, Polity Press, Cambridge, viti 2019)