
Në fushën e botimeve, si gjetkë, kapitali shkon tek kapitali. Disa momente dëshmojnë këtë të vërtetë, provat janë të shumta. Le të fillojmë me vitet pas bashkëpunimit të hareshëm të shumicës së botuesve francezë me okupatorin nazist, kur më të komprometuarit dhe më të dobëtit u blenë nga më të zgjuarit (‘Denoël’ dhe ‘Mercure de France’ u blenë nga ‘Gallimard’) ose nga më të mëdhenjtë (‘Grasset’, ‘Fayard’ dhe ‘Stock’ u blenë nga ‘Hachette’). Ndërkohë, një shtëpi botuese e krijuar gjatë Pushtimit, ‘Presses de la Cité‘, po përgatitej që të zbavitej gjatë të ashtuquajturave “tridhjetë vitet elavdishme”, duke u shndërruar në ‘Groupe de la Cité’ pasi kishte blerë një lot të parë në vitet 1960 (përfshirë ‘Perrin’, ‘Plon’, ‘Julliard’) dhe një tjetër lot njëzet vjet më vonë (përfshirë ‘Bordas’, ‘Dalloz’, ‘Larousse’, ‘Nathan’). Në fushën e botimeve, si gjetkë, kremtohej atëherë kriza dhe shpirti i ndërmarrësisë. Pronari i zjarrtë i Compagnie Générale des Eaux (Kompania e Përgjithshme e Ujërave), z.Jean-Marie Messier bleu ‘Havas’ (themeluesi i ‘Canal Plus’, i cili sapo kishte gëlltitur ‘Groupe de la Cité’); pastaj ndërtoi, nga viti 1998, nën emërtimin ‘Vivendi’, një ‘kështjellë prej letre’ që nuk do të zgjaste pesë vjet. Në mënyrë më diskrete sesa në tregun bërthamor dhe të armatimit, veprimtaria e botimeve gëzon kujdestarinë presidenciale.
Për një shekull e gjysmë, pasardhësit e Louis Hachette zgjeroheshin dhe shumoheshin në krye të grupit kryesor francez të botimeve dhe distribucionit, me monopolin e shpërndarjes së shtypit dhe shitjeve në stacionet e trenave (me dyqanet Relay). Por, pak para se të zgjidhej François Mitterrand President i Republikës në maj 1981, atëherë kur një bankë tregtare u bë aksionari kryesor i ‘Hachette’ (me një kapital shumë të shpërndarë dhe të nënvlerësuar në bursë), Presidenti Valéry Giscard d’Estaing imponoi emrin e Jean-Luc Lagardère. Në fund të vitit 1980, kompania e tij ‘Matra’ (aeronautikë dhe armatim) bleu pa ndonjë nguti «l’éditeur de la République» (“botuesin e Republikës”) të cilën e përvetësoi me çmim të ulët. Në vitin 2002, përsëri nën përkujdesjen e një presidenti, kësaj radhe Jacques Chirac, ‘Hachette’ u bë blerësi i lumtur i paketës editoriale të ‘Vivendi’. Por fjala ishte për grupin e parë editorial francez që aneksonte grupin e dytë dhe kjo dukej pak e tepruar, madje edhe për autoritetet e konkurrencës shumë, shumë të kuptueshme.
Dy vjet më vonë, ‘Hachette’ detyrohet t’ia shes 60% të pasurisë së tij (përfshirë ‘Bordas’, ‘La Découverte’, ‘Plon’, ‘Robert Laffont’) kompanisë investuese Wendel, trashëgimtare e një dinastie farkatarësh. Kjo kompani e emërton grupin e ri ‘Éditis’, dhe, pasi e dyfishon vëllimin e tij, ia shet në vitin 2008 grupit spanjoll ‘Planeta’ (transport ajror, etj.). Për dallim nga dinastia ‘Hachette’, dinastia ‘Lagardère’ është degraduar brenda një brezi. Pasi kishte larguar sektorët teknologjikë në favor të investimeve (me humbje) në fushën e sportit, ky grup siguronte fitime vetëm me shtëpitë botuese dhe me distribucionin (përfshirë dyqanet Relay). Majin e kaluar, z.Arnaud Lagardère arriti të shpëtojë fronin e tij vetëm me përfshirjen e z.Vincent Bolloré në kapitallin ‘Hachette’. Pikërisht në kohën e duhur. Pronar gjatë tre viteve i ‘Vivendi’-t (Canal Plus, Havas, Universal Music Group) dhe prej vitit 2018 i ‘Editis’, miliarderi breton kishte nevojë për vepra letrare, “rezervuar ekskluzivitetesh”, për të ushqyer filmat dhe serialet që ai prodhonte. A po përgatitet kësaj radhe grupi i dytë editorial të gëlltisë grupin e parë?
Çuditërisht ardhja në botën e botimeve e këtij biznesmeni me një reputacion autokrat nuk ka ngjallur shumë reagime. Duhet ta pranojmë se bota e librit ka mjaft arsye për të qenë e lodhur. Në vitin 2012, “galaktika” ‘Actes Sud’ (tetëmbëdhjetë logo) bleu ‘Payot & Rivages’, ‘Gallimard’ bleu ‘Flammarion’ (përfshirë ‘Arthaud’, ‘Aubier’, ‘Autrement’, ‘Casterman’) nga grupi italian ‘Rizzoli-Corriere della Sera’ (banka, sigurime, ndërtimtari) ; dhe, pesë vjet më vonë, ‘Média-Participations’, një grup i lidhur me ‘Michelin’ dhe i specializuar në stripa (përfshirë ‘Dargaud’ dhe ‘Dupuis’), bleu ‘Seuil-La Martinière’ (përfshirë ‘Arléa’, ‘L’Olivier’, ‘Métailié’). Çdo herë, dhjetëra labela ndërrojnë pronarin. Dhe, çdo herë, me premtime të njëjta. Dhe me të njëjtat rezultate: i porsaardhuri shtypet dhe shtrydhet për të ushqyer kompaninë mëmë (metoda e ‘Gallimard’), ose zbrazet dhe “tregëtohet” (sikuse ‘Payot’ nga ‘Actes Sud’), por gjithmonë dhe kudo i nënshtrohet shtrirjes së fitimit.
Përballë afro njëqind labelave që barten nga ‘Hachette’ dhe ‘Éditis’, disa librari shprehin keqardhje për një shpërbërje edhe më të madhe të identiteteve në grupin e dytë sesa në grupin e parë. Të tjerët mbesin indiferentë. Për ta, për një kohë të gjatë, shumica e këtyre labelave, me disa përjashtime, vendosin në treg vetëm “produkte”, deri në atë pikë sa, përkundër katalogjeve të tyre gjigjante, këto dy grupe rrallëherë tejkalojnë 30% të shitjeve të librarive të fondeve (përveç në periudhën e Krishtlindjes). Kur z.Bolloré evokoi, para komisionit për kulturë, arsim dhe komunikim të Senatit, kujtimin e nënës së tij (e cila kishte qenë lexuese e ‘Gallimard’), arsyet që ai dha për blerjen e ‘Éditis’ nuk kishin të bëjnë me letërsi : “Një element thelbësor i ofertës sonë të përmbajtjes“, modeli i të cilit është adaptimi në kinema i Un ours nommé Paddington, suksesi më i madh komercial i ‘Studio Canal’ (300 milion dollarë).
Leximi i shtypit të specializuar më tej forcon përshtypjen se libri, si një vektor idesh, nuk është tjetër por një vjetërsi e asgjësuar nga “konkurrenca në blerjen e të drejtave audiovizuale, ku janë angazhuar Netflix dhe Amazon për prodhimin e serialeve dhe filmave të tyre”,” nga bashkëpunimi midis rrjetit të sallave të shfaqeve, Universal Music, Gameloft, Havas, Canal Plus “dhe transferi i” autorëve kryesorë “si Guillaume Musso, shitësi më i madh i thrillerave franceze të kësaj dekade , i cili kaloi nga ‘Editis-XO’ te ‘Hachette-Calmann- Lévy’ (Livres Hebdo, 27 shtator 2017). Në mesin e librarive që nuk bëjnë më dallime midis labelave të ‘Hachette’ dhe ‘Éditis’, megjithatë shumica dakordohen se “zemra e profesionit” vazhdon të rreh te ‘Madrigall’ (‘Gallimard-Flammarion’), te ‘Seuil’, te ‘Actes Sud’ dhe në grupe të tjera më të vogla si ‘Libella’ (përfshirë ‘Phébus’ dhe ‘Les Éditions Noir sur Blanc’). Ky këndvështrim kuptohet kur dihet se ata sigurojnë më shumë se gjysmën e shitjeve të tyre nga këto shtëpi botuese (ku ‘Gallimard’ mban vendin kryesor). Por, kur pyetet personeli i redaksive, këto hollësira zhduken. Në botën e tyre ku ekziston vetëm një sindikatë e patroneve, ky staf i mbikualifikuar dhe me paga të ulta asnjëherë nuk flet hapur për përditshmërinë e tyre: ekipe menaxhuese nga distribucioni i gjerë ose marketingu (të paguara shumë mirë), abuzim me kontrata të pasigurta ose me punë nga shtëpia, kompetenca të nënvlerësuara, mbiprodhim që i nënshtrohet diktatave të departamentit të shitjes. Duhet një situatë e jashtëzakonshme që këta ëndërrimtarë të lidhur ende në “vlerat e librit” të kontestojnë. Kështu ndodhi në vitin 2008, kur ‘Editis’ u shit te ‘Planeta’, me një fitim kapital prej 325 milion euro prej të cilave shumica mbeti te ‘Wendel’ ( i mbuluar nga borxhet pas operacionit fatkeq të rritjes së kapitalit të ‘Saint-Gobain’), derisa menaxherët kishin rezervuar për vete disa dhjetëra miliona euro dhe u kishin lënë gjashtëqind punonjësve një “bonus special” të pagës minimale.
Në fillim të viteve 2000, ritmi i fuzionimeve-blerjeve ishte i tillë që madje edhe Antoine Gallimard pranoi frikën e tij. Kjo ndodhte dy vjet pasi që ai nuk kishte arritur të blej ‘Editis’ dhe gjashtë vjet para se të blente ‘Flammarion’, duke ngritur shtëpinë e tij në podiumin e grupeve botuese franceze. Por përqendrimi nuk është gjithmonë një dëm. Shtypi i specializuar e konfirmon atë: “Afrimi i këtyre dy shtëpive të mëdha franceze do ta bëjë të mundur përballjen me sfidat me të cilat do të përballet sektori i botimëve” (Livres Hebdo, 5 tetor 2012). Çfarë sfidash? Në librin Récidives (Hachette-Grasset), Bernard-Henri Lévy tregon se Jean-Luc Lagardère e bleu ‘ViVendi’ “sepse ai refuzonte idenë që shtëpia e gjeneralit de Gaulle të përfundonte në një fond pensioni“. Kur z.Ernest-Antoine Seillière (presidenti i atëhershëm i Wendel) ia kishte shitur ‘Éditis’-in ‘Planeta’-së, kishte katër vjet që ai ishte angazhuar “të paktën për pesëmbëdhjetë vjet” për të shmangur një shpartallim nga fondet e investimeve të huaja.
Në vitin 2003, z.Hervé de La Martinière u takua me z.Claude Cherki, president-drejtor i përgjithshëm i ‘Le Seuil’, për të provuar ta shpëtojnë së bashku ‘Vivendi’ nga kthetrat e ‘Hachette’: një vjet më vonë, i dyti bleu në mënyrë të fshehtë gjysmën e aksioneve të kompanisë të cilën ai ia shiti të parit, duke realizuar një fitim kapitali prej 2 milion eurosh. Në vitin 2017, kur z.Vincent Montagne (edhe ky i zhgënjyer nga blerja e ‘Vivendi’-t) bashkëngjiti ‘Seuil -La Martinière’ në ‘Média-Pjesëmarrje’, ishte për të realizuar “një ëndërr të vjetër: të futet në botën e letërsisë nga dera e përparme “. Pa dyshim i zhgënjyer, “mbreti i stripeve” tashmë është në proces të negociatave për rishitjen e tij.
Një forum botuesish të vegjël rikujtoi kohët e fundit efektet perverse të mbiprodhimit të librave nga grupet e mëdha. Edhe të akuzuarit janë të vetëdijshëm për këtë. Por diagnoza e tyre ndryshon. Z.Antoine Gallimard (‘Madrigall’) dhe z.Francis Esménard (‘Albin Michel’) veç e kanë denoncuar në vitin 2006: “Numri i botuesve të vegjël, [të cilët] stërngarkojnë raftet e librarive, është tepër i madh.” Por mund të kemi besim te biznesmenet të cilët qëndrojnë afër atyre që nuk do të mbijetojnë këtë vit. Kështu, mbiprodhimi i të vegjëlve do të rregullohet nga të mëdhenjtë. Këto grupe po fitojnë para nëper supermarkete, dyqane Relay dhe të ngjashme, dhe jo në libraritë e fondeve (të cilët i rezistojnë librave të disponueshëm). Në fakt, grupet kanë vlerë ekonomike kryesisht nga numri i shtëpive botuese që i kanë bashkuar; kurse grupet edhe më të mëdha, nga numri i shtëpive botuesve që ata distribuojnë (150 nga ‘Hachette’, 400 nga ‘Éditis’, 700 nga ‘Madrigall’). Disa njerëz të mërzitur shqetësohen për rreziqet e këtyre përqendrimeve në cilësinë dhe larminë e prodhimit, në lirinë e shprehjes së botuesve dhe autorëve. Themeluesi i ‘Média-Participations’, Rémy Montagne, kur ishte deputet, bënte lidhjen në mes abortit dhe gjenocidet e Rajhut të Tretë. Por djali i tij, “përfaqësues i një të djathte të moderuar, madje të ndriçuar”, ia ktheu shpinën këtyre deklarimeve të tepruara: “Dëshira jonë është ta ruajmë identitetin editorial të secilës shtëpi, që është molla e syve tanë. “
I kënaqur që “botonte” José Bové dhe Michael Moore, pronari i ri i ‘Éditis’, z.Seillière (president i atëhershëm i Mouvement des entreprises de France [Medef]) buzëqeshi kur e pa portretin e tij, krahas z.Jean-Pierre Raffarin (atëherë Kryeministri), në kopertinën e Gouvernement des riches (Qeveria e të pasurve), botuar nga kompania e tij në vitin 2004. Thuhet se z.Bolloré nuk ka aq shumë humor. Sido që të jetë! Le të kemi besim te ‘La Découverte’, roje e trashëgimisë së François Maspero, për ta treguar gjenialitetin e pamëshirshëm të pronarit të saj, sulmues i së kaluarës kolonizuese franceze, i cili mund të vallëzoj me autoritetin e tregjeve financiare dhe të kaloj prej një parajse fiskale në tjetrën.
Pasi që shpëtimi i trashëgimtarit të ‘Lagardère’ ishte kryer nën përkujdesjen e z.Nicolas Sarkozy, falë mikut të tij Bolloré, disa presin një version apo një tjetër të filmit “Le baiser de l’ours – Puthja e ariut”. Këtu shihen humbjet individuale dhe bredhjet e trashëgimive industriale. Por në fakt është suksesi i një sistemi: akumulimi i kapitalit.