
Pak ditë më parë, në një dialog të kushtëzuar me cakun natyral, Moikom Zeqo u tërhoq normalisht. Parashikimi i mjekëve ishte i drejtë. Dhe, ai vetë ishte vetëdijësuar. Pas pesë vitesh, sëmundja i tregoi se autoriteti i vdekjes është i papërballueshëm, qoftë edhe kur e merr me sportivitet si i ndjeri Zeqo. Ajo që rrodhi më pas ishte e pritur. Nderim. Fjalë pafund. Patetizëm. Boshësi për ikjen e një “naivi” idealist, që Epidamni, i biri e përshkoi shumë bukur: “Pse Moikom nuk u bëre pragmatik si ne të tjerët? Mendove se do të shpëtoje këtë vend? Sa ide naive por e mrekullueshme dhe kuptim-plotë në të njëjtën kohë. Sa shpresëdhënëse por shpresëmarrëse”.
Po çfarë e bëri Moikomin, një figurë kaq të njohur në vend dhe në diasporën e shqiptarëve?! Krijimi? Patriotizmi? Idealizmi? Publicistika? Mendimi publik?! Pak nga të gjitha, sepse Moikomi i përfshinte të gjitha dhe u mundua të ndriçonte me të gjitha këto elementë në një përzierje, që vetëm ai mund ta realizonte. Kuptohet se sfida më e madhe e tij ishte Deklamimi i modernitetit, Forma dhe Stili. Të diktuara prej një lloj qesëndie që e shoqëroi për të gjithë jetën.
Moikomi nuk shkruante, por romanizonte dhe eseistonte idetë. Gjithçka mundohej ta sintetizonte dhe ta universalizonte për të shtjelluar idetë e tij të botës. Bajagi të shumta. Lexonte dhe kishte një avantazh natyral: Kujtesën e tij të jashtëzakonshme. Në vitet e fundit zgjodhi një formë të veçantë përballje me publikun. Riktheu në formën e një palimpsesti mendimet e shkuara, shkrimet e dikurshme me një optikë të re për publikun kinse të ri.
Qytetari Moikom Zeqo ishte një individ me një vetëdije të madhe sociale, duke i lënë vendin që i duhej normalitetit intelektual. Shpesh në këtë ravgim mundohej ta përmirësonte kuadrin ku vendoseshin ngjarje dhe episode të jetës kulturore-historike, po shpesh mbeti duke i bërë vetes Mea Culpa për të zhvoshkur pjesën tejet të idealizuar. Interesante mbetet tek ky personazh aftësia e lartë e të vëzhguarit, sepse një krijues që nuk di dhe nuk e ndjen të vëzhgojë qoftë edhe pa dashje, ai është i mbaruar, pohonte mes miqsh. Ky pakt “djallëzor” nuk e nënshtroi Moikomin, vëzhgimi i të cilit dukej si krejt instiktiv dhe i plotë, apo provonte e zhgënjente ato që ai mblidhte për të bërë sintezat. Autori i bindej një kimie të brendshme, e cila e ushqeu me elementët e dobishëm të krijimit. Jo më kot, idetë e tij, që tashmë kapin një spektër të madh të jetës shqiptare dhe jo vetëm, shpesh pararendin atë që publiku këqyr mbas pasojave. Shumë vite para se shqiptarët të arrinin në përfundimin e dhimbshëm se politikanët e tyre janë të papërgjegjshëm, Zeqo në një nga esetë e tij më të gjetura politike, do të shkruante në formë cinike: Klasa politike shqiptare ka formim parapolitik! Ky postulat do të shoqëronte vite më vonë shumë nga njerëzit që mundoheshin të analizonin siç duhej jetën politike shqiptare. Dhe, përmes një shkallëzimi të kujdesshëm të elementëve logjikë, ai do ta tregonte brenda kanoneve të filozofisë politike sesa realisht është e ndërgjegjshme kjo klasë, e cila e udhëheq vendin tonë dhe sesi e ka përcjellë zhvillimin e vendit në këtë tranzicion që nuk di të mbarojë.
Ka shumë elementë ose tema nga mund të rroket për një studim të thelluar korpusi i krijimit të Moikom Zeqos. Aty mund të shikohet realisht Moikomi, që ngërthen filozofinë në letërsi dhe përcjell mendimin përmes një krijimtarie bashkëkohore në disa gjini. Nuk është fare e rastësishme, që kur sot hasim shumë shkrimtarë në botë, ti shikon ngërthime idesh gjithashtu në shkrimet e tij, të cilat i kanë ardhur edhe pa pasur fare njohje të tyre. Moikomi mbrujti një tendencë që gjithçka ta asimilonte dhe t’i jepte kuadër në ngrehinën e tij logjike, duke u munduar të gjejë edhe vektorët e duhur nga po shkon trendi i jetës së sotme dhe vetë vendi ynë.
A mund të quhet problem mungesa e një romani në veprën e tij? A mund të quhet problem mungesa e një monografie tipike social-kulturore-shkencore? Mbase. Por, pikërisht për këtë duhet puna e studiuesit, që të kuptojë pse ky autor me kaq shumë renome nuk i është dedikuar tërësisht një romani. Në fakt, për atë që e njeh autorin ka një përgjigje: Moikomi nuk kish sfidë më bërjen e një romani, por krijimin e një sinopsi romani. Që i lë vendin një tjetri. Dhe, ky një tjetri. Si pa e pyetur njeri dhe për të sfiduar në këtë pyetje retorike, pak kohë më parë botoi një libër të tërë me sinopse, miniatura romanesh të lëna për t’u shkruar, për të ndjekur shqisën që e përcillte në zbulime të temave dhe të panjohurave, që vetë panjohshmëria e universit na ofron. A mund të ndalet dhe ta përshkruajë këtë ritual, që e kërkon gjinia korale në të gjithë përkushtimin e vet të kompozicionit, narracionit dhe dialogut? Jo, për autorin kjo nuk kish rëndësi. Ajo që e shqetësonte realisht ishte vënja rregull në mendimet e veta dhe sintetizimi përmes metaforave të kërleshura. Autori shkroi vetëm përmes metaforave dhe këtu e ka sfidën e vërtetë dhe me personalitetin e tij, që i bindej dhe që e stërviste vazhdimisht përmes gjykimeve që i vinin nga bota semiotike.
Kjo e vendos dhe në atë pozicion ku personazhet e tij shkrihen me mendimin dhe autori e sfumon krejt fabulën e zakonshme. Tek e fundit ajo nuk ka rëndësi për krijimin e vërtetë. Për Moikom Zeqon sfida ishte metafora dhe mënyra sesi figuracioni në vepër do të vendoset të përcjellë sa më kthjellët idetë. Në vitet e fundit, iu largua krejtësisht asaj pjese fillestare të krijimtarisë së tij, ku elementi kombëtar merr peshë të madhe dhe zbërthen dhe të gjithë respektin e tij për kombin dhe vlerat.
Një lexues i zakonshëm mund të thotë se për ta lexuar Moikomin të duhet një fjalor. Përgjigja do ishte se nëse nuk do të kishe të paktën një formim bazik, atëherë nuk duhet t’i afrohesh librave të tij, sepse përbërësit e metaforave të tij kanë nocione dhe kategori të disiplinave të ndryshme, që autori i bashkon në mënyrë origjinale falë metodikave që ai i rrok kohë-pas-kohe përmes leximeve të ndryshme. Dhe ndaj kemi dy Moikomë. Një personazh-krijues që komunikon përmes figuracionesh shumë të ndërlikuara, ku simbolika bën që të kuptosh sistemin semiotik letrar të një krijuesi origjinal dhe një tjetër shumë të thjeshtë: Moikomin qytetar që ka empati për njeriun e zakonshëm dhe që ndan me të gjithçka: mendimin dhe këshillën bashkë me kudo-gjendjen e tij.
Nuk mund të përfundosh pa përmendur simbolikën e tij, që burimin e parë e kanë nga bota antike dhe që vijon normal deri në ditët tona. Moikomi ka përshkruar Realizmin Socialist dhe ishte shumë aktiv në ditët tona, ku u dha jetë shënimeve të shumta të mbartura që nga koha e Diktaturës, ku ai ruajti dy regjistra. Njërën në aspektin kreativ historiko-letrar dhe në disiplinën e reportazhit, kurse tjetrën në shkrimin që nuk mund t’i shkëputej dot frymës së kohës, por që gjithsesi edhe atë me një grup të pakët krijuesish e privoi për më shumë se një dekadë.
Por, këtu nuk mund të vazhdonte më. Vdekja e thirri në apelin e fundmë, zë që ai e priste për çdo ditë dhe e refuzonte kokëfortësisht përmes krijimit. Por, kaq.