
“Turizmi nuk duhet të rifillojë si më parë: nëse mbështetja financiare për profesionistët është e domosdoshme për t’iu mundësuar atyre të mbijetojnë, është gjithashtu thelbësore që këto masa ekonomike të kenë efekte pozitive në aspektet mjedisore dhe sociale.” Qysh në muajin prill, Shoqata Acteurs du Tourisme Durable (ATD – ‘Akterët e turizmit të qëndrueshëm’) – e cila bashkon operatorë turistikë, agjensi turistike, komunitete, ofrues të akomodimit, shërbime të biznesit dhe media – botoi një manifest të destinuar për autoritetet publike. Duke imagjinuar më shumë një plan të transformimit të sektorit sesa një plan të rinisjes, ATD mbron katër prioritete: emetim i ulët i karbonit dhe ruajtje e mjedisit; ndihmë e ndërsjellë, solidaritet dhe drejtësi sociale; përfitime ekonomike lokale; turizëm kuptimplotë. Do të thotë shumë akse që janë shfaqur si rezultat i shumë viteve reflektimesh, debatesh, madje edhe të zvarritjes rreth qëllimeve të një aktiviteti, përgjegjës ky i shumë të këqijave dhe i 8% të emetimeve të gazrave serë, më shumë se dy të tretat e të cilave mund t’i atribuohen udhëtimeve .
ATD bashkon rreth 150 organizata të madhësive të ndryshme dhe pozicionohet si “përfaqësuesi i akterëve të turizmit të qëndrueshëm“, duke u përpjekur të ndërthurë objektiva ekonomike, sociale dhe mjedisore. Grupe të tjera bashkojnë profesionistë të kësaj veprimtarie, sikurse ‘Agir pour un tourisme responsable (ATR) – ‘Të veprojmë për një turizëm përgjegjës)’, që bashkon operatorët turistikë që nga viti 2004, ose l’Association pour un tourisme équitable et solidaire ‘ Shoqata për Turizëm barazitar dhe Solidar ‘(ATES), 31 struktura anëtare të së cilës dhurojnë një pjesë të fitimeve të tyre për projekte të zhvillimit (ripyllëzim, ndërtim të puseve, shkolla, etj.). « Nuk duhet të mbyllemi në diktaturën e karbonit, thekson z.Julien Buot, president i ATR, por duhet të kujtojmë gjithashtu virtytet e turizmit, faktor i paqës dhe i kontakteve në mes popujve . » Si mund të inkurajohen shkëmbimet, hapja ndaj botës, braktisja e paragjykimeve, pa shkuar gjithmonë më larg, më shpejt, me struktura gjithnjë e më të mëdha dhe më shkatërruese?
Ndërsa vetizolimi ka treguar sesa ka nevojë njeriu të ketë lidhje me të tjerët përtej ekraneve, ai ka zbuluar gjithashtu absurditetin e disa praktikave. Kush do të dëshironte në të ardhmen të lundroj në njërën prej këtyre pallateve lundruese, të cilat gjatë sezonit jo vetëm shpërndajnë masa marramendëse të turistëve në qytete tashmë të ngulfatura, por edhe janë treguar si çerdhe të viruseve? A mund të injorojmë akoma koston mjedisore të një fundjave në skajin tjetër të Evropës, e cila mundësohet vetëm nga mashtrimi i zbritjeve të udhëtimeve ajrore? Si t’i japim fund këtyre hoteleve gjigjande që thithin shtresat e ujërave të vendeve të shtjerrura, këtyre rrjeteve që organizojnë vizita të shkurta me buxhet të kufizuar, këtyre plazheve të mbushura me njerëz, apo rritjes marramendëse të çmimeve të patundshmërisë që ju pamundësojnë të rinjve vendas të banojnë në qytetet apo fshatrat ku u rritën?
Këto çështje ushqejnë diskutime për më shumë se tridhjetë vjet, por ekonomia e turizmit nuk ka evoluar shumë, përveç drejt globalizimit dhe masifikimit që çon në ngulfatjen e shumë vendeve turistike. Derisa po debatohej për “overtourism”, abuzimet e patundshmërisë ose turpin e fluturimit, po lulëzonin kompanitë e mëdha si Ryanair, Airbnb dhe Booking. Vetëm kriza Covid-19 ka mundur t’i shkundë. Ajo mund ta tërheq vëmendjen tonë ndaj qasjeve të tjera dhe t’i detyrojë operatorët e mëdhenj t’i ndryshojnë praktikat e tyre. “Që një-dy vjet gjërat lëvizin realisht në nivelin e territoreve”, thotë Guillaume Cromer, presidenti i ATD. Zyrat turistike, komitetet e turizmit të departamenteve dhe rajoneve janë gjithnjë e më të vetëdijshme për nevojën e një tranzicioni me tema siç janë: çështjet sociale, përfshirja e banorëve në projekte, emergjenca klimatike,mobiliteti, etj. “Për shembull, rajoni i Occitanie-së ka krijuar një fond prej 101 milion eurosh për të mbështetur projektet që synojnë zhvillimin ose përjetësimin e frekuentimit, siç është oenoturizmi-turizmi i verës,” turizmi i ngadaltë “ose përshtatja e stacioneve të skijimit në mënyrë që të mos mbështetet e gjithë veprimtaria e tyre në dëborë.
Oportunizëm apo tregues që vërtetë gjërat kanë filluar të lëvizin? Bashkësitë territoriale kurrë nuk kanë komunikuar aq shumë në lidhje me potencialet e tyre turistike. Ato bëjnë thirrje për zvogëlimin e udhëtimeve në distanca të largëta, për një përqëndrim në vend, për valorizimin e “mikro-aventurave”, por edhe për “çngopjen” e vendeve tepër të frekuentuara në favor të destinacioneve të reja. “Turizmi i së ardhmes do të jetë i gjelbër dhe do të punojmë në ‘cluster’ . Unë mendoj se turizmi masiv është pas nesh dhe duhet të jemi më të respektueshëmnë bashkëveprimet tona në të ardhmen”, pohon znj.Cathy Fermanian, drejtore e Vaucluse Provence attractivité . Ajo tani dëshiron të promovoj udhëtimet e shkurtra dhe të përfshihet më tej në “cleans labels”, një koncept i marketingut që i referohet thjeshtësisë dhe natyralitetit të produkteve.
Vetëdijësimi përballë elefantëve që janë duke e kanibalizuar tregun
Këto shqetësime nuk ndahen nga të gjithë. Zëvendës-drejtori menaxhues i shitjeve dhe marketingut në linjën luksoze të lundrimit Ponant, z.Hervé Bellaïche vendos si prioritet masat e përqendruara në shëndet dhe siguri: “Turizmi i së ardhmes do të kërkojë një forcë të jashtëzakonshme të adaptimit nga të gjithë akterët. Pika kruciale mbi të cilën po punojmë do të jetë ofrimi i të gjitha garancive të nevojshme, të cilat udhëtarët kanë të drejtë t’i kërkojnë. Përsosmëria në protokole dhe inovacioni do të jenë elementet kyçe në ofrimin e udhëtimeve dhe lundrimeve plotësisht të sigurta , në mënyrë që të rivendosim besimin”. Ponant përmbledh kontradiktat e sektorit. E përshëndetur si e vetmja kompani që operon nën flamurin francez, e shpërblyer nga ATD në shkurtin e kaluar me “Palmes du Tourisme Responsable” për anijet e saja më pak ndotëse dhe protokollet e saj që minimizojnë ndikimin në mjedis, Ponant i adresohet të privilegjuarit (një natë në bord kushton 400 deri 1.000 euro) dhe vazhdon të pajisë anije të reja për të shkuar gjithmonë më larg, veçanërisht drejt poleve me akullthyesin e saj që pritet për vitin 2021.
Janë në rritje praktikat e buta si turizmi me bicikleta, shëtitjet të cilat janë shumë më të arritshme nga ana financiare. Shumë nisma ilustrojnë një vetëdijësim përballë makinerisë së elefantëve që janë duke e kanibalizuar tregun. Për shembull, Fairbooking, një webfaqe e krijuar nga disa profesionistë të hotelerisë, ngacmon centralën botërore për rezervime përmes internetit Booking duke ofruar një mjet për zgjedhjen e ofertave i cili mundëson lidhje direkte me profesionistët anëtarë. VaoVert gjithashtu bashkon turistët e shqetësuar për ndikimin e tyre në mjedis me akomodimin “eko-përgjegjës”. Platforma e komunitetit Fairbnb favorizon pronarët e një vendbanimi të vetëm dhe dhuron gjysmën e shpenzimeve administrative për “projekte solidare” vendore që i përzgjedh turisti, kur Airbnb riatdheson pjesën më të madhe të fitimeve ose largon nga puna një pjesë të madhe të stafit që në shfaqjen e problemit më të vogël sanitar. Për t’i mos përmendur të gjithë, mund të cekim edhe Oiseaux de Passage, një grup partnerësh nga fushat e turizmit, kulturës dhe ekonomisë sociale, i cili favorizon takimet midis banorëve, fermerëve, artizanëve, artistëve vendas dhe udhëtarëve.
Gjithçka është akoma e brishtë, bashkëpunimi shfrytëzon hapësirat e lira me pak ose shumë sukses. Shumë projekte mund të margjinalizohen përballë presionit nga grupet e mëdha, të cilat e kanë mundësinë t’i thejnë çmimet. Nuk mjafton më të shpresojmë vetëm në angazhimin e konsumatorit. Kështu disa operatorë turistikë më në fund kanë integruar kompensimin e karbonit në çmimin e tureve turistike, duke vërejtur se kur ky kompensim ishte vetëm opsional, shumë pak klientë pranonin ta paguanin atë … Dhe udhëtari i shqetësuar për zgjedhjen më të mirë mund të mashtrohet: “Kujdes nga kompanitë të cilët bëjnë biznes me çështjet solidare, të cilat nuk kanë projekte solide dhe janë të paskrupullta“, paralajmëron Caroline Mignon, drejtore e ATES. Vitrinat e gjelbërta kanë prirje të shumohen për t’iu përshtatur trendit …
A janë të gatshëm profesionistët, udhëtarët dhe vendimmarrësit për një qasje tjetër? Fjalimet e shumta në muajt e fundit vështirë gjejnë një bazë të përbashkët. Sipas z.Jean François Rial, president i grupit ‘Voyageurs du Monde’, zgjidhja do të vijë nga një reformë tatimore, e cila do ta merr parasysh presionin mbi biodiversitetin, rezervat natyrale, me një taksë të vërtetë të karbonit, të llogaritur në të gjitha emetimet që kanë të bëjnë me udhëtimet, në mënyrë që secili akter të paguajë për gjurmën që lë në klimë. “Unë nuk mendoj se qytetarët do të pranojnë të paguajnë menjëherë taksa të tilla, por ata do të zgjedhin zyrtarë që do të mund t’i implementojnë në programet e tyre. Çmimi i vërtetë duhet të paguhet, shton ai, duke pranuar: edhe nëse kjo do të thotë tkurrje e tregut”.
Aksioni publik dhe orientimi i politikave do të jenë vendimtare. Rregulloret, taksat, kompensimi për ndihmë direkte ose indirekte mund të promovojnë një model të ri që nuk do ta shikoj turizmin vetëm përmes prizmit të të hyrave dhe vlerës ekonomike që përfaqëson, por që gjithashtu do t’i merr parasysh çështjet sociale dhe mjedisore. Ne ishim akoma larg kësaj qasje në këshillin e parafundit ndërministror për turizëm në Francë, që u mbajt më 19 maj 2019. Dosja e qeverisë grumbullonte shifra: numri i vizitorëve të huaj (89.4 milion në vjet), të hyra ndërkombëtare të turizmit (56.2 miliardë euro në vit), për të theksuar “nivelin e tyre më të lartë historik” të arritur në vitin 2018. Një vit më vonë, më 14 maj, kur po i afrohemi “nivelit më të ulët historik », në fjalimin e tij në këshillin e fundit ndërministror, kryeministri Édouard Philippe nuk ka pasur asnjë fjalë të vetme për çështjet që lidhen me mjedisin, klimën, përgjegjësinë e akterëve, kuptimin e turizmit.
Termi “i qëndrueshëm” është përsëritur në të gjithë planin qeveritar
Në një grumbull njoftimesh për ndihmë ekonomike të të gjitha llojeve (në vlerë totale prej 18 miliardë eurosh), kemi vetëm një shqetësim për “turizmin shoqëror”. Një fond prej 225 milion eurosh do t’i mbështesë kompanitë në sektorin shumë të dobësuar nga kriza. A është kjo e mjaftueshme kur dihet se gjatë pesë viteve të fundit, është dashur që 65% e francezëve të heqin dorë nga pushimet verore për arsyje financiare ? “Këto njoftime janë mjaft pozitive për sektorin tonë, i cili përfaqëson pak më shumë se një miliardë euro, reagon Simon Thirot, delegat i përgjithshëm i Union Nationale des Associations de Tourisme et de plein aire (Unat). Por do të duhet të sigurohemi se këto fonde janë me të vërtetë të arritshme për strukturat e vogla të vendosura brenda territoreve tona, duke siguruar, në të njëjtën kohë, ringjalljen e kërkesës për udhëtime te francezët më të fragjilizuar”.
Shumë akterë dhe aktivistë i kanë shpresat në punën thelbësore të realizuar në vitin 2019 nga Agjencia e Tranzicionit Ekologjik (ADEME), koordinatorja e së cilës Aude Andrup po e pret një botim të ri, pa mundur të zbulojë përmbajtjen e tij ende konfidenciale: “Ne kemi zhvilluar konsultë të gjerë me të gjitha palët e përfshira për krijimin e propozimeve operative të një strategjie për një turizëm më të qëndrueshëm për Francën“. Për të kompensuar pikat e sikletshme në fjalimin e Kryeministrit, termi “i qëndrueshëm” është përsëritur në të gjithë planin qeveritar të prezentuar më 14 maj, në të cilin zakonisht shoqërohet me termet “inovacion” dhe “dixhital”. Por është ende e vështirë të shihet se qysh do të përkthehet konkretisht kjo zgjedhje semantike në muajt e ardhshëm.
*Gazetare, ka udhëhequr punimin kolektiv Dix ans de tourisme durable, éditions Voyageons-autrement.com, Bourg-lès-Valence, 2018.