KUR PERËNDIMI NUK FRYMËZON FRIKË DHE RESPEKT
Pas pandemisë, zgjimi i Afrikës?

E menaxhuar shumë keq nga perëndimorët, Pandemia Covid-19 zbuloi kufijtë e hegjemonisë së tyre. Tash e tutje, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë humbur autoritetin e tyre moral. Por, mbetet të mendohet një rend më i drejtë ndërkombëtar. Për Afrikën, këto ngjarje zgjojnë ndjenjën e një fati të përbashkët dhe të një lloj shpirti luftarak. Pengesat mbeten të shumta.

2378

Gjatë tri dekadave të fundit, bota ka druajtur nga mundësia e ndonjë pandemie, SARS, H1n1, Ebola. Në fund, shqetësimet tejkaluan gjithë kërcënimin. Kjo është padyshim ajo që e pengoi me kohë vlerësimin e rrezikut që paraqiste koronavirusi i ri SARS-Cov 2. Ndoshta edhe nuk do të jetë aq vdekjeprurës sa gripi spanjoll i vitit 1918, por ndikimi i tij ekonomik premton të jetë më shkatërrues. Lufta kundër Covid-19 fsheh një tjetër, ende të heshtur, por tashmë shumë më të egër, për kontrollin, në vitet në vijim, të burimeve dhe të imagjinareve, në gjithë planetin.

Edhe Afrika është në gjendje lufte dhe letra e hapur dërguar vendimmarrësve afrikanë nga rreth njëqind intelektualë, nga Wole Soyinka dhe Cornel West, te Makhily Gassama dhe Djibril Tamsir Niane, më 1 maj të vitit 2020, pati një jehonë të jashtëzakonshme.

Në vend të heqin dorë nga nisja e peticionit, iniciatorët e saj (Amy Niang, Lionel Zevounou dhe Ndongo Samba Sylla) duan të transformojnë fjalët në vepra. Kjo edhe është arsyeja pse kanë zgjeruar thirrjen e tyre te shkencëtarët afrikanë. Në një kontinent ku pothuajse gjithçka duhet të ribëhet, pacientët që e presin agimin, mirëpritën pandeminë me krahë të hapur, duke shkuar aq larg sa ta shohin atë si një “mundësi historike” …

Pandemia e bëri Afrikën më të vetëdijshme për cenueshmërinë dhe parëndësinë e saj në sytë e botës. Pandemia i mundësoi të konstatonte, konkretisht, se në tragjeditë e mëdha njerëzore, nuk mund të llogaritesh në askë për shpëtimin tënd. Në të vërtetë, nëse stuhia goditi të gjitha vendet në të njëjtën kohë, ato nuk u bën bllok për t’i rezistuar. Përkundrazi, egoizmat kombëtare e dominuan shumë shpejtë refleksin e solidaritetit. I varur nga të tjerët për pothuajse gjithçka, kontinenti afrikan kuptoi shpejtë se kushtet për shkatërrimin e tij ishin grumbulluar me kalimin e viteve.

Mjaft e thjeshtë: nëse virusi që gjunjëzoi vendet e pasura perëndimore do të ishte aq vdekjeprurës në Afrikë, katastrofa e paralajmëruar do të kishte ndodhur me siguri atje. Sidoqoftë, edhe nëse e goditi fort në kokë, afrikanët nuk e pritën këtë pandemi për të ëndërruar, sipas injonksionit cezarian, për « rifillimin e mbarimit të botës ».

Momenti duket edhe më i volitshëm, pasi që rrallëherë i kemi parë fuqitë perëndimore në një gjendje kaq të keqe. Konteksti historik rikujton me të gjitha proporcionet e konsideruara të nesërmën e Luftës së Dytë Botërore.

Në këto vende të së vërtetës njerëzore të pastër që janë fushat e betejës, ushtarët afrikanë panë përmbysjen e mitit të gjithëpushtetshmërisë së kolonizatorit. Ata gjithashtu zbuluan betejat e popujve të tjerë dhe kuptuan më mirë mekanizmat e shtypjes së tyre. Çlirimtarë të Evropës, të çliruar nga kompleksi i të bardhëve, të bërë aktorë kryesorë politikë, ata qenë në zemër të të gjitha betejave për pavarësi. Diçka e ngjashme mund edhe të ndodhë nga rënia e Murit të Berlinit.

Terreni i lojës së ushtrisë franceze

Në fakt, kanë kaluar njëzet vjet që kur Perëndimi nuk frymëzon pothuajse as frikë dhe as respekt për shumë kombe të cilat janë ende nën zgjedhën e tij. Luftërat në Irak dhe Libi kaluan përmes kësaj, duke ndikuar që Perëndimi të humbte atë pak autoritet moral që mund të pretendonte se e kishte ende. Do të ishte e tepërt të thuash që pandemia i ka dhënë goditjen e fundit, por po e plagos seriozisht.

Kjo ndjenjë është aq e përhapur, saqë në Gjermani, ku kriza shëndetësore duket se është më më mirë nën kontroll sesa në mesin e fqinjëve të saj, një shoqe mund të thotë me telefon: “Perëndimi është duke u shembur, çuditem që jam dëshmitare e kësaj ngjarje, sepse nuk mendoja se kjo do të ndodhte në jetën time.” Ajo iku pastaj me një shpërthim të shkurtër të qeshure, ku ndjeva një përzierje të neveritjes dhe kënaqësisë. Sidoqoftë u rezervova t’ia them mendimin tim të thellë: katastrofa nuk do ta sjellë brenda natës një rend të ri botëror më të drejtë dhe më të barazpeshuar. Por pandemia zbuloi kufijtë e një hegjemonie perëndimore në dukje të pandashme

Së pari, kur shpërtheu pandemia, një i quajtur Donald Trump ishte që tri vjet  President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend ky udhëheqës – megjithëse gjithnjë e më i ngurrtë – i bllokut perëndimor. Vërtetë njerëzit nuk bëjnë historinë, por duket se skicat e tij përqafojnë shpesh konturet e një fati të veçantë për t’u realizuar. Mbase edhe është e mundshme që Presidenti Trump është për Perëndimin më pak një aksident sesa një simptomë : atë të rënies së tij të ngadaltë. Nuk është gjithashtu rastësi që autokrati Viktor Orbán, përkrahës i teorisë së « zëvendësimit të madh » është në krye të Hungarisë. Me tensionet identitare në mëri, shembulli i tij mund të bëhet vaj në Evropë. Në të njëjtin kontekst, a duhet ta përmendim Brexit, që ishte çdo gjë tjetër përveçse një goditje e vogël thike ndaj projektit evropian?

Prandaj edhe më e kuptueshme është sot se pse kaq shumë udhëheqës të Jugut sot guxojnë t’i kritikojnë ata të Veriut. Duke e vizituar Ganën në dhjetor 2017, Presidenti Emmanuel Macron dëgjoi nga mikëpritësi i tij disa të vërteta të hidhura në lidhje me ndihmën për zhvillimin. Në Zimbabve, ambasadori amerikan u ftua për ta shpjeguar çështjen George Floyd dhe Bashkimi afrikan e dënoi me fjalë shumë të ashpra brutalitetin e policisë kundër zezakëve në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa nuk ka hezituar të deklarojë se “vrasja e Floyd ringjallë kujtimet për plagët e zezakëve jugo-afrikanë”. Por sado domethënëse që janë, këto disponime nuk dukeshin se e vënin në dyshim raportin e forcës midis Afrikës dhe vendet perëndimore të cilëve ju pëlqen të paraqiten si mirëbërës të saj. Vërehej madje se shpërthime të tilla krenarie ishin kryesisht rezultat i ish-kolonive britanike ose portugeze, të cilat të paktën mund të mburren me një minimum sovraniteti. Ky nuk është rasti me vendet afrikane që flasin frëngjisht, ku për gjashtëdhjetë vjet, pushteti i dikurshëm kolonial ka imponuar autoritetin e tij pothuajse direkt.

Shpesh thuhet se gjatë Luftës së Ftohtë, Central intelligence agency (CIA) kishte selinë e saj në këshillin e ministrave të disa regjimeve kukull të Amerikës Latine. Ky model mbijeton në një formë të zbutur në Afrikën frëngjishtfolëse, vendi i fundit në botë ku një fuqi e huaj është në zemër të proceseve të vendimmarrjes, për çështje monetare për shembull.

Kjo Afrikë mbetet, për Francën, një rezervuar gjigant i lëndëve të para. Parisi nuk toleron asnjë forcë politike atje që mund t’i kërcënojë interesat e Totalit, Areva apo Eiffage. Kontinenti ofron terrenin preferuar të lojës për ushtrinë franceze, e cila ka ndërhyrë atje dhjetëra herë që nga viti 1964 – viti ky i ndërhyrjes së parë ushtarake franceze në Afrikën subsahariane (në Gabon) pas pavarësive të vitit 1960. Kontrasti është i madh krahas Londrës që nuk ka dërguar kurrë trupa ushtarake në ish-kolonitë e saj afrikane.

Kjo edhe është arsyeja e përshtypjes së një ndryshimi, ditën kur Presidenti Macron u zhyt publikisht në emocione, kur foli për “ndjenja anti-franceze në Afrikë”. Kjo për shkak se ai pati kohë ta kuptojë se një gjeneratë e re afrikane është e vendosur t’i japë fund këtij anakronizmi që është Françafrique (CFA).

Për seriozitetin e kësaj lëvizje të revoltuar flet edhe fakti që në ballë të saj janë yje planetarë, si Salif Keita ose Alpha Blondy, Tiken-Jah Fakoly ose regjisori Cheick Oumar Sissoko. I madhi Richard Bona kishte anuluar, në shkurt të vitit 2019, një koncert në Abidjan, në shenjë proteste ndaj monedhës « franc CFA », duke i premtuar vetes se nuk do të performonte tani e tutje në një vend ku përdoret kjo monedhë. Duhet gjithashtu marrë parasysh format e reja të radikalizmit politik të simbolizuara nga lëvizjet “France dégage”, ku Guy Marius Sagna është figurë kyçe, apo edhe “Urgences Panafricanistes” të Kemi Seba. Pra pandemia u shfaq në një kontekst ku mendjet tashmë ishin të nxehta.  

Secili ka mundur ta konstatojë me habi paaftësinë e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara – kaq të thirrur për të pretenduar se i ndihmojnë të tjerëve – për t’i shpëtuar qytetarët e tyre. Ajo që ishte befasia  e shumë njerëzve ishte të dëgjohen ankesat me gjithë turp për varësinë e tyre nga Pekini. Dhe ajo që « Le Canard Enchaîné » e quajti “lufta e maskave” do të lë me siguri gjurmë në kujtimet tona. Nëse vlerësohet muratori në themel të murit, atëherë pandemia ka zhveshur një fiasko kolosale. Kjo zgoi një ndjenjë të përkatësisë midis afrikanëve, të cilën e kanë pasur gjithë në brendësinë e tyre. Kjo është edhe më e dukshme gjatë javëve të kaluara. Skicohen edhe më shumë konturat e “Afrikës së nesërme”.

Më kujtohet ende historianja Penda Mbow kur më rekomandonte një tekst nga Hamadoun Touré para se të shtonte: « Do ta shohësh, të gjithë ne, themi të njëjtën gjë tani! » Kjo “ne” e ngarkuar me një emocion të matur më godet veçanërisht. Dhe ajo që thuhet dhe përsëritet është se për Afrikën, ka ardhur ora e të gjitha sovraniteteve.

Është për t’i dhënë fund një servilizimi të caktuar që disa shtete (Burundi, Maroku, Guinea Ekuatoriale) ndërmorën disa ndalime ndaj Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Madagaskari ka shkuar aq larg sa ta prodhojë ilaçin e vet, Covid-Organics, bazuar në artemisia. Është gjithashtu hera e parë që keqtrajtimi i afrikanëve të zi në Kinë ka ngjallur protesta kaq të fuqishme. Ambasadori kinez në Abuja është ftuar të jep shpjegime në kushte poshtëruese.

Instinkti i mbijetesës është për shumëkë rikthim i shpirtit luftarak. Të mbështetesh tek të tjerët për t’u ushqyer ose kuruar është të rrezikosh të vdesësh nga uria ose nga sëmundjet. Kjo është arsyeja pse vetëmjaftueshmëria ushqimore dhe racionalizimi i farmakopesë afrikane janë në qendër të të gjitha debateve. Por është në internet dhe në rrjetet sociale që ndjehet, sipas fjalëve të gazetarit dhe këshilltarit René Lake, se “kapaku ka dalur nga vorbulla”.

Një virus që nuk e bën pranverën

Ky zë që po ngritet, i cili është edhe i egër dhe masiv, ka të bëjë kryesisht me të rinjtë: nga më shumë se një miliard afrikanë subsaharianë, 70% janë nën tridhjetë vjeç. Pra, kjo është një trazirë e jashtëzakonshme politike.

A do të thotë kjo që e nesërmja ka filluar të këndoj? Sigurisht se jo.

Kjo do të kërkonte që në « botën e nesërme », Presidentët Alassane Ouattara (Bregu i Fildishtë) dhe Macky Sall (Senegal) të fillojnë – të nxitur nga çmenduria – të mendojnë dhe të veprojnë si Thomas Sankara. Françafrique nuk i detyrohet jetëgjatësisë së tij vetëm nga kontrolli i klasës politike. Ajo ka gjithashtu një efikasitet të frikshëm në menaxhimin e afërsisë, kuazi nominativ, të intelektualëve dhe të njerëzve të kulturës të shndërruar në zombi. Shumë prej atyre që tani thonë se po presin me padurim para dyerve të botës së re janë në të vërtetë mbështetës të vendosur të statusquo-së.

Përndryshe, Presidentët Sall dhe Macron filluan debatin për borxhin me synimin e tejkalimit të stuhisë. I pari pranoi rolin e gabuar: lypë me mëshirë favorizime financiare nga liderët perëndimorë në momentin kur ata ishin aq të zënë duke numëruar të vdekurit e tyre. Duke vepruar kështu, ai ekspozoi veten dhe e ekspozoi Afrikën në përbuzjen e krerëve të shteteve të Veriut.

Ky lloj debati pati për Presidentin Macron avantazhin e mbylljes së një kontinenti të tërë në modelet e “botës së mëparshme”, një botë ku ndihma për Afrikën është një nga atributet më të sigurta të fuqisë, të fantazmuar apo reale, të Evropës. E panevojshme të thuhet se kjo ndjenjë është edhe më dehëse kur jeni në gjendje të çrregullimit të plotë. Afrika e sotme nuk ka pothuajse asnjë lidhje me atë të pavarësive. Kjo edhe është arsyeja se pse ideja që po përpiqet tani t’i zgjidhë problemet e saj me të njëjtin vrull është çdo herë e më pak realiste. Skenari më i besueshëm është ai i sukseseve të izoluara mbi modelin e Ruandës, Ganës dhe Etiopisë.

E mësuar të mendohet si tërësi, Afrika mbetet kontinenti i vendeve të largëta: për shkak të pothuajse joekzistencës së mjeteve të mirëfilltë të transportit kontinental. Udhëtohet më shpesh nga Lagos në Londër ose Nju Jork, sesa nga Lomé në Maputo. Ndarja e rezultuar e bën çdo veprim të përbashkët pothuajse të pamundur në kohën e tanishme. Kjo madje mund ta shpjegoj topitjen, ndonjëherë edhe shumë të sikletshme. Ky është rasti tani, kur nga Tokio në Bruksel dhe nga Sidnei në Seul, e gjithë bota po tregon solidaritet me afrikano-amerikanët. Afrika ka mbetur plotësisht e izoluar nga kjo lëvizje planetare anti-raciste. Kryeministri kanadez u gjunjëzua për më shumë se tetë minuta për ta nderuar Floyd, por asnjë president afrikan nuk e ka parë të arsyeshme ta bëjë këtë. Kjo mungesë nga bota në një rast kur duhet të jemi në qendër të të gjitha nismave është një shenjë që nuk dështon kurrë.

Por përderisa kuptohet se një virus nuk mund i vetëm ta bëjë pranverën afrikane, tërbimi aktual nuk duhet po ashtu të nënvlerësohet. Në afat të gjatë, ai mund ta ndihmojë Afrikën të “lëkundet përundimisht në shpatin e fatit të saj federal” siç e kërkonte Cheikh Anta Diop, duke shtuar me një kthjelltësi disi të dëshpëruar: “Qoftë kjo vetëm nga egoizmi i kthjellët“.

Kjo do të marrë megjithatë ende pak kohë. Do të jetë sa çështje pasioni, aq edhe çështje durimi.